MIDIANI, MIDIANITËT
[të Midianit].
1. Një nga bijtë që i lindi Abrahamit konkubina e tij, Ketura; i ati i Efahut, Eferit, Hanokut, Abidait dhe Eldahut. (Zn 25:1, 2, 4; 1Kr 1:32, 33) Para se të vdiste, Abrahami u dha dhurata Midianit e bijve të tjerë që kishte me konkubinat dhe mandej i dërgoi në vendin e Lindjes.—Zn 25:5, 6.
2. Pasardhësit e Midianit, birit të Abrahamit, janë quajtur në tërësi ‘Midian’ dhe ‘midianitë’. (Nu 31:2, 3) Me sa duket, nganjëherë në Bibël quhen ismaelitë. (Krahaso Zn 37:25, 27, 28, 36; 39:1; Gjy 8:22, 24.) Kjo mund të nënkuptojë se pasardhësit e Abrahamit nëpërmjet Ismaelit dhe Midianit, bijve të tij, kishin një mënyrë jetese shumë të ngjashme me njëri-tjetrin dhe dy popujt mund të jenë shkrirë akoma më tepër si pasojë e krushqive mes tyre. Veç kësaj, duket se të paktën disa kenitë quheshin midianitë. Meqë kenitët përmenden si popull para lindjes së Midianit, kjo mund të tregojë se Hobabi, kunati kenit i Moisiut, ishte midianit thjesht nga këndvështrimi gjeografik.—Zn 15:18, 19; Nu 10:29; Gjy 1:16; 4:11; shih ISMAELITËT; KENITËT.
Si pasardhës të Abrahamit, ka shumë të ngjarë që gjuha e midianitëve të ngjasonte mjaft me hebraishten. Për shembull, Gideoni duket se nuk e kishte të vështirë t’i kuptonte midianitët. (Gjy 7:13-15; 8:18, 19) Gjithsesi, ekziston edhe mundësia që Gideoni ta kishte mësuar gjuhën e midianitëve, meqë Izraeli kishte qenë shtatë vjet nën sundimin e tyre.—Gjy 6:1.
Midianitët ishin kryesisht nomadë që banonin në tenda. (Gjy 6:5, 6; Ha 3:7) Megjithatë, Bibla tregon se në epokën e Moisiut banonin edhe në qytete. (Nu 31:9, 10) Asokohe ata jetonin në begati, pasi kishin me dhjetëra mijë gomarë, dhen e gjedhë. (Nu 31:32-34) Në pasuritë e tyre përfshiheshin edhe stoli ari, që gjithsej peshonin më shumë se 191 kg (sot me vlerë më se 2.150.000 dollarë).—Nu 31:50-52.
Siç duket, edhe burrat, edhe gratë mbanin stoli ari, si unaza hunde dhe vathë. Mbretërit midianitë kishin ‘rroba prej leshi të ngjyer në të kuqe të purpurt’, e madje edhe devetë e tyre mbanin në qafë varëse me zbukurime në formë hëne.—Nu 31:50; Gjy 8:21, 26.
Patjetër që një pjesë të madhe të pasurisë midianitët e vunë me anë të tregtisë dhe të plaçkitjeve. (Krahaso Zn 37:28; Gjy 6:5, 6.) Qysh në kohën e Jozefit, drejt Egjiptit udhëtonin karvanë tregtarësh midianitë. Tamam një karvani të tillë të drejtuar për në Egjipt dhe të ngarkuar me rrëshira aromatike ia shitën Jozefin gjysmëvëllezërit e tij.—Zn 37:25, 28.
Ka shumë gjasa që, ca kohë para se Izraeli të hynte në Tokën e Premtuar, mbreti edomit Hadad (biri i Bedadit) t’i ketë mposhtur midianitët në fushën e Moabit.—Zn 36:35; 1Kr 1:46.
Nxitin Izraelin të mëkatojë. Më vonë, midianitët u treguan armiqësorë me izraelitët. Në bashkëpunim me moabitët, ata paguan profetin Balaam që të mallkonte Izraelin. (Nu 22:4-7) Pasi nuk nxorën gjë në dritë me këtë, midianitët dhe moabitët, sipas këshillës së Balaamit, me dinakëri përdorën gratë që t’u mbushnin mendjen mijëra burrave izraelitë të përfshiheshin në imoralitet seksual dhe idhujtari që lidheshin me Baalin e Peorit. (Nu 25:1-9, 14-18; 31:15, 16; 1Ko 10:8; Zb 2:14) Pas kësaj, izraelitët u hakmorën kundër Midianit, duke iu bindur kështu urdhrit të Perëndisë. U vunë zjarrin qyteteve midianite të asaj zone dhe kampeve të tyre të rrethuara me mur. Morën si plaçkë mijëra kafshë shtëpiake dhe shumë sende ari. Përveç virgjëreshave, gjithë të tjerët i vranë, përfshirë edhe pesë mbretërit e Midianit: Evin, Rekemin, Zurin, Hurin dhe Rebën.—Nu 31.
S’kaluan as tre shekuj dhe midianitët e morën veten aq mirë nga ajo goditje, sa arritën t’i mbanin të shtypur izraelitët për shtatë vjet. (Krahaso Gjy 6:1; 11:25, 26.) Bashkë me amalekitët dhe «popujt e lindjes», këta nomadë që banonin në tenda hynin në Izrael me gjithë bagëtinë e tyre e me devetë e panumërta dhe, ndërsa përshkonin rrugën gjer në Gaza, u plaçkitnin izraelitëve kafshët shtëpiake dhe u prishnin të mbjellat.—Gjy 6:2-6.
Shpartallohen nga Gideoni. Në fund, Izraeli i thirri për ndihmë Jehovait dhe ai u dha Gideonin që t’i çlironte. (Gjy 6:7-16) Nëpërmjet tij, Jehovai i theu aq keq midianitët, sa nuk ka ndonjë të dhënë që ata t’u kenë rënë më në qafë izraelitëve. (Gjy 8:28) Princat e tyre, Orebi dhe Zebi, u vranë, si edhe mbretërit Zebah dhe Zalmuna. (Gjy 7:25; 8:5, 21; shih GIDEONI.) Shekuj më vonë, përmendej ende fitorja kundër Midianit si ilustrim i shpartallimit të forcave armike.—Is 9:4; 10:24-26; shih edhe Ps 83:9-11.
Në kontrast me armiqësinë e dikurshme të midianitëve, një nga profecitë e rivendosjes fliste për një kohë kur «devetë e reja të Midianit dhe të Efahut» do të çonin dhurata në Sion.—Is 60:5, 6, 11-14.
3. Territori ku banonin midianitët quhej ‘Midian’ ose ‘vendi i Midianit’. (1Mb 11:18; Ha 3:7) Në përgjithësi mendohet se pasardhësit e Midianit u vendosën kryesisht në viset veriperëndimore të Arabisë, tamam në lindje të gjirit të ʽAkabës. Por nuk dihet me siguri se deri ku shtrihej territori i tyre, që duhet të ketë ndryshuar në rrjedhën e historisë. Gjatë jetës së Moisiut, shumë midianitë me sa duket jetonin pranë territorit të moabitëve dhe në afërsi të zonës ku sundonte mbreti amorit Sihon.—Nu 22:4; 31:8-12; Js 13:21.
Moisiu kaloi afro 40 vjet në Midian. Atje u martua me Ziporën, njërën nga shtatë bijat e Jetroit, priftit të Midianit. (Shih JETROI.) Prej saj pati dy djem, Gershomin dhe Eliezerin. Puna si bari për të vjehrrin e çoi Moisiun deri në rajonin malor të Horebit, çka tregon se ndoshta banonte afër gjirit të ʽAkabës. Gjithsesi, nuk mund të thuhet me siguri nëse rajoni përqark Horebit ishte asokohe pjesë e ‘vendit të Midianit’. (Da 2:15-22; 3:1; 4:18-20; 18:1-4; Ve 7:29, 30) Në një periudhë të mëvonshme, të paktën një pjesë e Edomit me sa duket quhej Midian.—1Mb 11:14-18.