MARTESA
Bashkimi i një burri me një grua sipas normës së Perëndisë. Martesa është një institucion hyjnor, i autorizuar dhe i vendosur nga Jehovai në Eden. Martesa krijon njësinë familjare, rrethin familjar. Qëllimi kryesor ishte riprodhimi i familjes njerëzore, sjellja në jetë e më shumë krijesave të llojit njerëzor. Jehovai, Krijuesi, bëri mashkullin dhe femrën, pastaj urdhëroi që njerëzimi të shtohej brenda martesës. (Zn 1:27, 28) Dasma e parë në historinë njerëzore u celebrua nga vetë Jehovai, siç e përshkruan Zanafilla 2:22-24.
Martesa kishte si qëllim të formonte një lidhje të përhershme mes burrit e gruas, që të ndihmonin në mënyrë reciproke njëri-tjetrin. Duke jetuar së bashku teksa shfaqnin dashuri e besim të ndërsjellë, do të gëzonin lumturi të madhe. Jehovai e krijoi gruan si shoqe për burrin, duke përdorur si material bazë pikërisht një brinjë të burrit, e kështu, gruaja ishte e afërmja e gjakut më e ngushtë në tokë, vetë mishi i tij. (Zn 2:21) Sikurse nxori në pah Jezui, nuk ishte Adami, por Perëndia që tha: «Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.» Fjalët e këtij vargu tregojnë qartë se monogamia ishte norma fillestare për martesën në sytë e Perëndisë Jehova.—Mt 19:4-6; Zn 2:24.
Martesa ishte e zakonshme mes hebrenjve. Në Shkrimet Hebraike nuk ekziston fjala beqar. Qëllimi kryesor i martesës ishte lindja e fëmijëve, prandaj është më se i kuptueshëm bekimi që i dha familja Rebekës: «U bëfsh mijëra e dhjetëra mijë!» (Zn 24:60) E po kështu edhe kërkesa e Rakelës për Jakobin: «Më bëj me fëmijë, se përndryshe jam një grua e vdekur.»—Zn 30:1.
Martesa ishte një çështje që prekte gjithë familjen, madje jo vetëm atë, por tërë fisin ose bashkësinë patriarkale, pasi mund të ndikonte në fuqinë e fisit dhe në ekonominë e tij. Prandaj, ishte normale, madje dukej e nevojshme, që zgjedhja e gruas dhe përcaktimi i të gjitha detyrimeve kontraktuese e financiare që lidheshin me martesën, të vendoseshin nga prindërit ose nga ata që shërbenin në këmbë të tyre, ndonëse disa herë kërkohej edhe pëlqimi i të interesuarve (Zn 24:8) dhe shpesh mbaheshin parasysh ndjenjat. (Zn 29:20; 1Sa 18:20, 27, 28) Përgjithësisht, hapin e parë ose propozimin e bënin prindërit e të riut, por hera-herës edhe babai i vajzës, sidomos kur kishte dallime mes shtresave shoqërore.—Js 15:16, 17; 1Sa 18:20-27.
Me sa duket, në përgjithësi ishte e zakonshme që burri të kërkonte grua brenda rrethit të të afërmve ose të fisit. Ky parim kuptohet nga fjalët e Labanit drejtuar Jakobit: «Më mirë të ta jap [vajzën] ty, se ndonjë tjetri.» (Zn 29:19) Ky parim zbatohej në mënyrë të veçantë mes shërbëtorëve të Jehovait, siç duket nga shembulli i Abrahamit, i cili dërgoi t’i gjenin një grua për të birin, Isakun, te të afërmit në vendin e tij, që të mos merrte një nga vajzat e kananitëve mes të cilëve banonte. (Zn 24:3, 4) Martesat me njerëz që nuk ishin adhurues të Jehovait, nuk shiheshin me sy të mirë dhe kundërshtoheshin fuqimisht. Konsideroheshin një formë jobesnikërie. (Zn 26:34, 35) Ligji i Moisiut i ndalonte krushqitë me banorët e shtatë kombeve kananite. (Lp 7:1-4) Sidoqoftë, një ushtar mund të martohej me një robinjë të virgjër nga një komb i huaj, pasi ajo të kalonte një periudhë pastrimi, gjatë së cilës do të qante prindërit e vdekur dhe do të eliminonte gjithçka që kishte lidhje me të shkuarën e saj fetare.—Lp 21:10-14.
Çmimi i nuses. Përpara se të lidhej marrëveshja e martesës, i riu ose babai i tij duhej t’i paguante atit të vajzës, çmimin e nuses ose çmimin e martesës. (Zn 34:11, 12; Da 22:16; 1Sa 18:23, 25) Pa dyshim, ky konsiderohej si njëfarë kompensimi për prindërit, meqë nuk do të përfitonin më nga punët e vajzës në shtëpi dhe për përpjekjet e shpenzimet që u ishte dashur të bënin për t’u kujdesur për të e për ta edukuar. Disa herë, çmimi i nuses paguhej duke i bërë disa shërbime babait të saj. (Zn 29:18, 20, 27; 31:15) Ligji përcaktonte edhe çmimin e blerjes për një virgjëreshë të pafejuar, të cilën një burrë e kishte joshur dhe kishte kryer marrëdhënie me të.—Da 22:16.
Ceremonia. Aspekti kryesor që karakterizonte dasmën ishte marrja në mënyrë solemne e nuses nga shtëpia e të atit për në shtëpinë e të shoqit, në datën që kishin rënë dakord; ky veprim shprehte domethënien e martesës, pasi përfaqësonte pranimin e nuses në familjen e të shoqit. (Mt 1:24) Kështu bëheshin dasmat në epokën patriarkale, para Ligjit. Ato ishin kryekëput ngjarje me karakter civil. S’kishte ndonjë formulë a ceremoni fetare dhe as priftërinj a klerikë që të kryenin shërbesa ose ta shpallnin të vlefshme martesën. Dhëndri e merrte nusen në shtëpinë e tij ose në tendën a shtëpinë e prindërve. Çështja bëhej botërisht e njohur dhe e pranuar, pastaj regjistrohej, dhe ata ishin zyrtarisht të martuar.—Zn 24:67.
Sidoqoftë, me t’u bërë planet për martesën dhe kur djali e vajza fejoheshin, ata konsideroheshin si të lidhur në martesë. Vajzat e Lotit jetonin ende në shtëpinë e tij dhe ishin nën autoritetin e tij, e megjithatë burrat me të cilët ishin fejuar, u quajtën ‘dhëndurë që do të merrnin vajzat e tij’. (Zn 19:14) Ndonëse Samsoni ishte thjesht i fejuar me një grua filistine dhe s’u martua kurrë me të, ajo u quajt ‘gruaja’ e tij. (Gjy 14:10, 17, 20) Sipas Ligjit, nëse një vajzë e fejuar kryente kurvëri, ajo dhe burri fajtor vriteshin. Nëse ishte përdhunuar, vritej vetëm burri. Kurse, çdo rast që lidhej me një vajzë të pafejuar, trajtohej ndryshe.—Lp 22:22-27.
Martesat regjistroheshin. Në kohën e Ligjit, martesat dhe fëmijët që lindnin nga këto bashkime regjistroheshin në regjistrat zyrtarë të komunitetit. Ja përse kemi në dispozicion një gjenealogji të saktë të Jezu Krishtit.—Mt 1:1-16; Lu 3:23-38; krahaso Lu 2:1-5.
Festa. Edhe pse dasma në vetvete nuk përfshinte një ceremoni zyrtare, në Izrael ajo kremtohej me një festë mjaft të gëzuar. Ditën e dasmës, zakonisht nusja bënte përgatitje të kujdesshme. Së pari, lahej e lyhej me vaj të parfumuar. (Krahaso Ru 3:3; Ezk 23:40.) E ndihmuar disa herë nga shoqet, vishte jelekun e nusërisë dhe fustanin e bardhë, i cili shpesh ishte plot qëndisma, në varësi të gjendjes së saj financiare. (Jr 2:32; Zb 19:7, 8; Ps 45:13, 14) Ajo zbukurohej me stoli e xhevahire, nëse ia lejonin mundësitë (Is 49:18; 61:10; Zb 21:2), e pastaj hidhte sipër një veshje të hollë, një lloj velloje, që shtrihej nga koka te këmbët. (Is 3:19, 23) Kjo shpjegon pse Labani e pati të lehtë të mashtronte Jakobin, i cili nuk e mori vesh që po i jepte Lean në vend të Rakelës. (Zn 29:23, 25) Edhe Rebeka vuri një mbulesë në kokë kur u afrua të takonte Isakun. (Zn 24:65) Kjo simbolizonte nënshtrimin e nuses ndaj dhëndrit, ndaj autoritetit të tij.—1Ko 11:5, 10.
Edhe dhëndri vishte petkat më të mira dhe shpesh mbante në kokë një mbulesë të bukur dhe një kurorë. (Kng 3:11; Is 61:10) I shoqëruar nga miqtë e vet, largohej nga shtëpia në mbrëmje dhe shkonte në shtëpinë e prindërve të nuses. (Mt 9:15) Që atje, i ndjekur nga muzikantë, këngëtarë e, zakonisht, edhe nga disa persona që mbanin llamba, vargani nisej për në shtëpinë e dhëndrit ose të atit të tij.
Rrugës, njerëzit ishin goxha të interesuar për këtë vargan. Dëgjoheshin zërat e ngazëllyer të dhëndrit e të nuses. Disa, veçanërisht vajza që mbanin në dorë llamba, bashkoheshin me varganin. (Jr 7:34; 16:9; Is 62:5; Mt 25:1) Dhëndri mund të kalonte mjaft kohë në shtëpinë e tij e, veç kësaj, mund të ndodhte edhe ndonjë vonesë para se vargani të nisej nga shtëpia e nuses. Prandaj, mund të bëhej mjaft vonë dhe disa që pritnin rrugës, mund të përgjumeshin ose t’i zinte gjumi, siç përshkruhet në ilustrimin e Jezuit për dhjetë virgjëreshat. Jehona e këngëve dhe e haresë mund të ndihej goxha larg, dhe ata që e dëgjonin, bërtitnin: «Po vjen dhëndri!» Të pranishmit bëheshin gati të pritnin dhëndrin kur të vinte, dhe ata që ishin të ftuar në gosti hynin në shtëpi. Pasi dhëndri dhe shpura e tij hynin, dyert mbylleshin dhe mysafirët që vinin me vonesë, nuk mund të hynin më. (Mt 25:1-12; 22:1-3; Zn 29:22) Të mos pranoje ftesën për në dasmë, konsiderohej një fyerje e rëndë. (Mt 22:8) Të ftuarve mund t’u jepeshin rroba të përshtatshme (Mt 22:11) dhe vendet ku do të uleshin, shpesh i caktonte ai që i ftonte.—Lu 14:8-10.
Miku i dhëndrit. «Miku i dhëndrit» kishte një pjesë të rëndësishme në përgatitjet e dasmës dhe nga ai pritej të çonte nusen te dhëndri. Miku i dhëndrit gëzohej tek dëgjonte zërin e dhëndrit që bisedonte me nusen dhe mund të ndihej i lumtur që i kishte përfunduar detyrat me sukses.—Gjo 3:29.
Prova e virgjërisë. Pas gostisë, burri e çonte nusen në dhomën e nusërisë. (Ps 19:5; Jo 2:16) Natën e dasmës përdorej një veshje, e cila më pas ruhej ose u jepej prindërve të nuses, me qëllim që njollat e gjakut të virgjërisë së vajzës të shërbenin si mbrojtje ligjore për të, në rast se, më vonë, akuzohej se nuk ishte e virgjër ose kishte qenë prostitutë para se të martohej. Në të kundërt, mund ta vritnin me gurë meqë ishte martuar duke u hequr si një virgjëreshë e panjollë dhe meqë kishte çnderuar shtëpinë e të atit. (Lp 22:13-21) Zakoni i ruajtjes së kësaj veshjeje ndiqej deri kohët e fundit nga disa popuj në Lindjen e Mesme.
Privilegjet dhe detyrat. Burri ishte kreu i shtëpisë dhe atij i përkiste të merrte vendimin përfundimtar për çështje që preknin mirëqenien dhe ekonominë e familjes. Nëse mendonte se një zotim i marrë nga gruaja ose vajza mund të ndikonte për keq te familja, ai mund ta anulonte. Nga sa duket, këtë autoritet e kishte edhe një burrë i fejuar. (Nu 30:3-8, 10-15) Burri ishte i zoti i shtëpisë dhe konsiderohej si pronari (heb., báʽal) i gruas.—Lp 22:22, shën.
Kapitulli i 31-të i Proverbave përshkruan disa nga detyrat e gruas kundrejt burrit, ose pronarit të saj, ndër të cilat ishin punët e shtëpisë, bërja e veshjeve e kujdesi për to, disa blerje e shitje dhe mbikëqyrja në përgjithësi e shtëpisë. Ndonëse e nënshtruar dhe, në njëfarë kuptimi pronë e burrit, gruaja gëzonte një status të shkëlqyer dhe shumë privilegje. Burri duhej ta donte, madje edhe nëse ajo ishte një grua dytësore ose robinjë. Nuk do ta keqtrajtonte, por do t’i siguronte strehë, nuk duhej t’i pakësonte ushqimin e veshjen dhe duhej të përmbushte detyrën martesore. Po ashtu, burri nuk do t’i jepte të drejtën e të parëlindurit birit të gruas që parapëlqente, kur kjo pozitë i takonte birit të gruas së ‘urryer’ (ose më pak të parapëlqyer). (Da 21:7-11; Lp 21:11, 14-17) Burrat besnikë hebrenj i donin gratë dhe, nëse ato ishin të mençura e vepronin në përputhje me ligjin e Perëndisë, shpesh ua vinin veshin dhe i miratonin veprimet e tyre.—Zn 21:8-14; 27:41-46; 28:1-4.
Ligji mbronte edhe një virgjëreshë të pafejuar, të cilën një burrë i pamartuar e joshte për të kryer marrëdhënie seksuale. Në fakt, nëse babai i vajzës jepte pëlqimin, ai burrë duhej të martohej me të dhe nuk mund të divorcohej kurrë prej saj, sa të ishte gjallë. (Lp 22:28, 29) Nëse burri e padiste gruan se nuk kishte qenë e virgjër kur u martuan dhe padija dilte e rreme, ai do të gjobitej dhe nuk mund të divorcohej kurrë prej saj. (Lp 22:17-19) Në rast se një grua e akuzonte i shoqi se kishte kryer kurorëshkelje fshehurazi, e pastaj ajo dilte e pafajshme, burri duhej ta linte shtatzënë që të lindte fëmijë, e në këtë mënyrë, do të provohej publikisht pafajësia e saj. Dinjiteti i gruas respektohej. Marrëdhëniet seksuale me të gjatë kohës së të përmuajshmeve ishin të ndaluara.—Le 18:19; Nu 5:12-28.
Martesat e ndaluara. Përveç krushqive me popuj që nuk ishin adhurues të Jehovait, sidomos me shtatë kombet e vendit të Kanaanit (Da 34:14-16; Lp 7:1-4), ishin të ndaluara edhe martesat mes njerëzve që kishin njëfarë afërsie ose lidhjeje gjaku.—Le 18:6-17.
Kryepriftit nuk i lejohej të martohej me një vejushë, me një grua të divorcuar a të dhunuar ose me një prostitutë; ai duhej të merrte për grua vetëm një virgjëreshë nga populli i tij. (Le 21:10, 13, 14) Priftërinjtë e tjerë nuk duhej të martoheshin me një prostitutë, me një grua të dhunuar ose të divorcuar. (Le 21:1, 7) Sipas Ezekielit 44:22, ata mund të martoheshin me një virgjëreshë nga shtëpia e Izraelit ose me një vejushë që kishte qenë gruaja e një prifti.
Vajza që trashëgonte prona, nuk duhej të martohej jashtë fisit të saj. Në këtë mënyrë, trashëgimia nuk do të qarkullonte nga njëri fis te tjetri.—Nu 36:8, 9.
Divorci. Kur themeloi institucionin e martesës, Krijuesi nuk e paraqiti si mundësi divorcin. Burri do të lidhej ngushtë me gruan e tij dhe ‘do të bëheshin një mish i vetëm’. (Zn 2:24) Kështu, burri do të kishte vetëm një grua, e cila konsiderohej një mish i vetëm me të. Divorci u shfaq vetëm pasi njeriu mëkatoi dhe si pasojë trashëgoi papërsosmërinë dhe degjenerimin.
Kur i dha Ligjin Izraelit, Perëndia nuk vendosi të zbatohej menjëherë norma fillestare e martesës, por paraqiti rregulla në lidhje me divorcin, në mënyrë që kjo dukuri të mos sillte shkrirjen e institucionit të familjes në Izrael e të mos shkaktonte vështirësi të kota. Gjithsesi, kur erdhi koha e duhur, Perëndia e rivendosi normën fillestare. Jezui shprehu parimin që do të drejtonte kongregacionin e krishterë—«kurvëria» (gr., porneía) është e vetmja bazë e vlefshme për divorc. Ai shpjegoi se Perëndia nuk e bëri të detyrueshme këtë normë në kohën e Moisiut, për shkak të zemërgurësisë së izraelitëve.—Mt 19:3-9; Mr 10:1-11.
Kështu, përveç vdekjes që i jep fund automatikisht lidhjes martesore, në kongregacionin e krishterë e vetmja arsye për të prishur martesën është «kurvëria», e cila bën që bashkëshorti fajtor të bëhet një mish i vetëm me një partner të paligjshëm. Në këtë mënyrë, nëse do, bashkëshorti i pafajshëm ka bazë që të zgjidhë martesën e të martohet sërish. (Mt 5:32; Ro 7:2, 3) «Kurvëria» (gr., porneía) është i vetmi lëshim për divorcin, pasi Shkrimet Greke i këshillojnë të krishterët as të mos ndahen nga bashkëshortët, qofshin besimtarë ose jo. Edhe nëse ndahen, Shkrimet u kërkojnë të krishterëve të mos kenë marrëdhënie seksuale me askënd tjetër.—1Ko 7:10, 11; Mt 19:9.
Sipas Ligjit, një burrë mund të divorcohej nga e shoqja nëse gjente tek ajo «ndonjë gjë të turpshme». (Lp 24:1) Është e qartë se në këtë përcaktim nuk futet tradhtia bashkëshortore, pasi dënimi për të ishte vdekja. Bëhej fjalë për shkelje të tilla, si ndonjë mungesë e thellë respekti për burrin a për shtëpinë e atit të tij, ose diçka që sillte poshtërim mbi familjen e tij. Nga burri kërkohej t’i jepte me shkrim një certifikatë divorci, e cila në sytë e bashkësisë nënkuptonte se ai kishte baza të mjaftueshme për ta divorcuar të shoqen. Meqë certifikata ishte një dokument ligjor, nënkuptohet që burri duhej të ishte këshilluar me pleqtë ose autoritetet e qytetit. Pas këtij veprimi gruaja ishte e lirë të martohej me dikë tjetër, dhe certifikata e mbronte nga çdo akuzë që mund t’i bëhej më vonë për tradhti bashkëshortore. Një burrë nuk lejohej të divorcohej nëse para martesës e kishte joshur vajzën të kryente marrëdhënie seksuale me të ose nëse pas martesës e akuzonte pa të drejtë të shoqen se e kishte mashtruar për virgjërinë e saj kur u martuan.—Lp 22:13-19, 28, 29.
Nëse pas divorcit një grua martohej me një burrë tjetër, por më vonë ky divorcohej nga ajo ose vdiste, burri i parë nuk mund të martohej prapë me të. Kjo parandalonte çdo plan që mund të thurej për t’u divorcuar nga burri i dytë, madje edhe për të shkaktuar vdekjen e tij, me qëllim që çifti i parë të rimartohej.—Lp 24:1-4.
Jehovai e urrente divorcin e padrejtë, sidomos kur një adhuruese besnike e tij trajtohej pabesisht, me qëllim që burri të martohej me një grua pagane që s’ishte pjesëtare e kombit të zgjedhur të besëlidhjes.—Ma 2:14-16; shih DIVORCI.
Poligamia. Meqë norma fillestare ishte që burri e gruaja të bëheshin një mish i vetëm, Perëndia s’e kishte fare ndër mend poligaminë, prandaj ajo është e ndaluar në kongregacionin e krishterë. Mbikëqyrësit dhe shërbëtorët ndihmës, që shërbejnë si shembuj për kongregacionin, duhet të jenë të martuar vetëm me një grua. (1Ti 3:2, 12; Tit 1:5, 6) Kjo është në përputhje me atë që portretizon martesa e vërtetë, domethënë, marrëdhënien e Jezu Krishtit me kongregacionin e tij, gruan e vetme që ka Jezui.—Ef 5:21-33.
Ashtu si me divorcin, ndonëse nuk bënte pjesë në organizimin fillestar, Perëndia e toleroi poligaminë deri kur u themelua kongregacioni i krishterë. Poligamia zuri fill pak pas devijimit të Adamit. Rasti i parë i poligamisë që përmendet në Bibël është i një pasardhësi të Kainit, Lamekut, për të cilin thuhet: «[Ai] mori dy gra.» (Zn 4:19) Bibla thotë për disa engjëj se para Përmbytjes «bijtë e Perëndisë së vërtetë . . . nisën të merrnin për gra të gjitha ato që zgjodhën».—Zn 6:2.
Edhe mbajtja e konkubinave ishte zakon i përhapur në kohën e ligjit patriarkal dhe të besëlidhjes së Ligjit. Konkubina gëzonte status ligjor dhe nuk bëhej fjalë për kurvëri ose tradhti bashkëshortore. Sipas Ligjit, nëse biri i parëlindur i një burri ishte bir i konkubinës së tij, ai merrte trashëgiminë që i takonte të parëlindurit.—Lp 21:15-17.
Lejimi i konkubinave dhe i poligamisë pa dyshim që u mundësoi izraelitëve të shtoheshin me një ritëm shumë më të shpejtë. Prandaj, këto masa, ndonëse nuk i vendosi Perëndia, por vetëm i lejoi e i rregulloi, në atë kohë shërbyen për njëfarë qëllimi. (Da 1:7) Madje Jakobi, të cilin vjehrri e përfshiu me hile në një marrëdhënie poligame, u bekua me 12 djem e disa vajza nga dy gratë dhe shërbyeset e tyre që u bënë konkubina të tij.—Zn 29:23-29; 46:7-25.
Martesa e krishterë. Jezu Krishti tregoi se e miratonte martesën kur mori pjesë në dasmën që u bë në Kanë të Galilesë. (Gjo 2:1, 2) Siç u tha më lart, monogamia është norma që vuri në fillim Perëndia dhe që u rivendos nga Jezu Krishti për kongregacionin e krishterë. (Zn 2:24; Mt 19:4-8; Mr 10:2-9) Që në fillim, burrit dhe gruas iu dha aftësia të shprehnin dashuri e përzemërsi, prandaj martesa duhej të ishte e lumtur, e bekuar dhe paqësore. Apostulli Pavël përdori ilustrimin e Krishtit si burrë dhe krye i kongregacionit, nuses së tij. Është shembulli më i shquar i dashamirësisë së butë dhe i kujdesit që duhet të ketë një burrë për gruan e tij, duke e dashur si trupin e vet. Nga ana tjetër, ai thekson se gruaja duhet të ketë respekt të thellë për të shoqin. (Ef 5:21-33) Apostulli Pjetër i këshillon gratë të jenë të nënshtruara ndaj burrave, duke i bërë për vete me sjelljen e dëlirë, respektin e thellë dhe me një frymë të qetë e të butë. Si shembull për t’u imituar ai mori Sarën, e cila e quajti «zotëri» të shoqin, Abrahamin.—1Pj 3:1-6.
Shkrimet e Krishtere Greke e theksojnë nga fillimi në fund rëndësinë e pastërtisë e besnikërisë në lidhjen martesore. Pavli thotë: «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.» (He 13:4) Ai i këshillon burrin dhe gruan të kenë respekt reciprok e të kryejnë detyrën martesore ndaj njëri-tjetrit.
‘Martohuni vetëm në Zotërinë’ nxit apostulli, dhe kjo është në përputhje me zakonin e adhuruesve të lashtë të Perëndisë, të cilët martoheshin vetëm me ata që ishin adhurues të vërtetë. (1Ko 7:39) Megjithatë, apostulli i këshillon të pamartuarve se, nëse qëndrojnë beqarë, mund t’i shërbejnë Zotërisë pa shpërqendrim. Ai thotë se, për shkak të kohës, ata që martohen, duhet të jetojnë ‘sikur të mos kishin gra’. Me fjalë të tjera, të mos u përkushtohen privilegjeve dhe përgjegjësive të martesës aq sa gjithë jeta e tyre të përqendrohet vetëm rreth tyre, por të kërkojnë interesat e Mbretërisë e t’u shërbejnë atyre, ndërkohë që nuk lënë pas dore përgjegjësitë e martesës.—1Ko 7:29-38.
Pavli këshilloi që vejushat më të reja të mos futeshin në listën e atyre për të cilat kujdesej kongregacioni, thjesht sepse shprehnin dëshirën për t’iu kushtuar ekskluzivisht aktiviteteve të shërbimit të krishterë; për to ishte më mirë të martoheshin përsëri. Sipas tij, arsyeja për këtë është se nxitjet seksuale mund t’i shtynin të vepronin kundër kësaj dëshire për të shprehur besimin e tyre. Kështu, nga njëra anë ato do të merrnin ndihmë financiare nga kongregacioni si punëtore të palodhura, ndërkohë që përpiqeshin të gjenin burrë dhe rrinin pa bërë gjë duke futur hundët në punët e të tjerëve. Në këtë mënyrë do të sillnin mbi vete një gjykim të pafavorshëm. Po të martoheshin, të lindnin fëmijë e të merreshin me punët e shtëpisë, ndërsa ruanin edhe besimin e krishterë, do të ishin vërtet të angazhuara e të mbrojtura, sepse nuk do të merreshin me thashetheme apo llafe të kota. Kështu, kongregacioni mund të ndihmonte ato që ishin realisht vejusha e që u takonte kjo lloj ndihme.—1Ti 5:9-16; 2:15.
Beqaria (Celibati). Apostulli Pavël paralajmëroi se një nga tiparet dalluese të apostazisë që do të shfaqej, ishte beqaria e detyruar, ‘ndalimi i martesës’. (1Ti 4:1, 3) Disa nga apostujt ishin të martuar. (1Ko 9:5; Lu 4:38) Kur paraqiti kualifikimet për mbikëqyrësit dhe shërbëtorët ndihmës në kongregacionin e krishterë, Pavli tha se këta (nëse ishin të martuar) duhej të ishin burra të një gruaje të vetme.—1Ti 3:1, 2, 12; Tit 1:5, 6.
Të krishterët dhe ligjet e shtetit. Në kohën e sotme, në shumicën e vendeve, martesa rregullohet nga ligjet e shtetit, «Cezari», dhe normalisht, të krishterët duhet t’i respektojnë këto ligje. (Mt 22:21) Askund në Bibël nuk kërkohet një ceremoni fetare ose shërbesa e një kleriku. Në kohët biblike, gjithmonë martesa duhej ligjësuar sipas ligjeve të vendit dhe, aty ku ligji e parashikonte, martesa dhe lindjet duheshin regjistruar. Përderisa martesa kërkohet me ligj nga shteti, një i krishterë duhet të bindet dhe ta ligjësojë atë. Madje, edhe në ato raste kur i krishteri dëshiron të përdorë tradhtinë e bashkëshortit a të bashkëshortes si bazë biblike për t’i dhënë fund martesës, ai duhet të marrë divorcin ligjor, nëse është e mundur. Prandaj, nëse një i krishterë rimartohet pa treguar respekt për kërkesat biblike dhe ligjore, do të shkelte ligjet e Perëndisë.—Mt 19:9; Ro 13:1.
Martesa dhe ringjallja. Një grup kundërshtarësh që nuk besonin te ringjallja, i bënë Jezuit një pyetje enkas që ta zinin ngushtë. Me përgjigjen e tij, ai zbuloi se «ata që do të quhen të denjë për të fituar jetën në sistemin që do të vijë dhe për ringjalljen nga të vdekurit, nuk do të martohen».—Lu 20:34, 35; Mt 22:30.
Përdorime simbolike. Shpeshherë në Shkrime, Jehovai e paraqet veten si bashkëshort. Ai e konsideronte veten të martuar me kombin e Izraelit. (Is 54:1, 5, 6; 62:4) Kur Izraeli rebelohej kundër Jehovait, duke u dhënë pas idhujtarisë a ndonjë forme tjetër mëkati, kjo quhej si prostitucion i një gruaje jobesnike, që i jepte shkak për t’u divorcuar nga ajo.—Is 1:21; Jr 3:1-20; Ho 2.
Te kapitulli i 4-t i Galatasve, Pavli e krahason kombin e Izraelit me shërbëtoren Agarë, konkubinën e Abrahamit, kurse judenjtë me djalin e Agarës, Ismaelin. Ashtu sikurse Ismaeli ishte i biri i gruas dytësore të Abrahamit, edhe judenjtë ishin fëmijë të «gruas» dytësore të Jehovait. Ajo që e lidhte Izraelin me Jehovain, ishte besëlidhja e Ligjit. Pavli e krahason ‘Jerusalemin lart’, ‘gruan’ e Jehovait, me Sarën, gruan e lirë të Abrahamit. Të krishterët janë fëmijët e lirë frymorë të kësaj gruaje të lirë, ‘Jerusalemit lart’.—Ga 4:21-31; krahaso Is 54:1-6.
Ashtu si Abrahami, Perëndia Jehova, Ati i madh, mbikëqyr përzgjedhjen e nuses për birin e tij, Jezu Krishtin—jo një grua tokësore, por kongregacionin e krishterë. (Zn 24:1-4; 2Se 2:13; 1Pj 2:5) Pjesëtarët e parë të kongregacionit iu prezantuan Jezuit nga «miku i dhëndrit», Gjon Pagëzori, të cilin Jehovai e kishte dërguar para të Birit. (Gjo 3:28, 29) Kjo nuse, kongregacioni, bëhet «një frymë e vetme» me Krishtin, si trupi i tij. (1Ko 6:17; Ef 1:22, 23; 5:22, 23) Ashtu si në Izrael nusja lahej e zbukurohej, Jezu Krishti sheh se, teksa përgatitet për martesë, nusja e tij është larë dhe është plotësisht e pastër, pa asnjë njollë ose të metë. (Ef 5:25-27) Psalmi 45 dhe Zbulesa 21 tregojnë se ajo është stolisur si s’ka më bukur për martesën.
Gjithashtu, në librin e Zbulesës, Jehovai parathotë kohën kur martesa e Birit të tij të jetë afruar dhe nusja të jetë gati, e veshur me li të shndritshëm, të pastër e të hollë. Ai i përshkruan të lumtur ata që janë ftuar në darkën e martesës së Qengjit. (Zb 19:7-9; 21:2, 9-21) Natën para se të vdiste, Jezui themeloi Darkën e Zotërisë, Përkujtimin e vdekjes së tij, dhe i udhëzoi dishepujt të vazhdonin ta mbanin. (Lu 22:19) Ky kremtim do të vazhdojë të mbahet «derisa ai të mbërrijë». (1Ko 11:26) Në kohët e lashta, dhëndri shkonte në shtëpinë e nuses që ta merrte nga prindërit e ta çonte në shtëpinë e prindërve të vet. Po ashtu, edhe Jezu Krishti vjen t’i marrë ithtarët e tij të mirosur nga shtëpia e tyre e mëparshme në tokë e t’i çojë në shtëpinë e të Atit, në qiell, që ku të jetë ai, të jenë edhe ata.—Gjo 14:1-3.
Shih DETYRA QË I TAKON KUNATIT.