Libri biblik numër 5—Ligji i përtërirë
Shkrimtari: Moisiu
Vendi ku u shkrua: Rrafshinat e Moabit
Shkrimi përfundoi: 1473 p.e.s.
Periudha përkatëse: 2 muaj (1473 p.e.s.)
1. Cilat pyetje mund të lindin për hyrjen e Izraelit në Tokën e Premtuar?
LIBRI i Ligjit të përtërirë përmban një mesazh të fuqishëm për popullin e Jehovait. Pasi ishin endur nëpër shkretëtirë për 40 vjet, bijtë e Izraelit gjendeshin tani në prag të Tokës së Premtuar. Çfarë shtrihej para tyre? Ç’probleme të veçanta do të hasnin në anën tjetër të Jordanit? Ç’do t’i thoshte së fundi Moisiu kombit? Ne mund të pyesim veten: ‘Ç’dobi kemi sot të dimë përgjigjet e këtyre pyetjeve?’
2. Ç’rëndësi të veçantë ka Ligji i përtërirë?
2 Përgjigjet gjenden te fjalët e Moisiut, të cilat i dokumentoi në librin e pestë të Biblës, në Ligjin e përtërirë. Edhe pse përsërit një pjesë të madhe të atyre që ishin thënë në librat e mëparshëm, Ligji i përtërirë ka rëndësinë e vet të veçantë. Përse? Ai i jep më tepër forcë mesazhit hyjnor të dhënë në një periudhë të historisë së popullit të Jehovait kur kishin vërtet nevojë për një udhëheqje të fuqishme dhe një drejtim të sigurt. Po bëheshin gati të hynin në Tokën e Premtuar nën drejtimin e një udhëheqësi të ri. Kishin nevojë për inkurajim që të shkonin përpara, dhe njëkohësisht kishin nevojë për paralajmërimin hyjnor që të ndiqnin udhën e duhur për të marrë bekimet e Jehovait.
3. Çfarë thekson Moisiu fund e krye librit të Ligjit të përtërirë, dhe përse kjo është e rëndësishme për ne sot?
3 Në harmoni me këtë nevojë, fryma e Jehovait e shtyu fuqimisht Moisiun që t’i drejtonte popullit një thirrje të drejtpërdrejtë që të ishin të bindur e besnikë. Libri thekson fund e krye se Jehovai është Perëndia Më i Lartë, i cili kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij dhe dëshiron që populli ‘ta dojë me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcën e tij’. Ai është «Perëndi i perëndive dhe Zotëri i zotërinjve, Perëndia i madh, i fuqishëm e që të ngjall frikë. Ai nuk trajton asnjë me anësi dhe nuk merr ryshfete». Nuk toleron asnjë rivalitet. Bindja ndaj tij do të thotë jetë, ndërsa mosbindja, vdekje. Udhëzimet e Jehovait, që gjenden te Ligji i përtërirë, u jepnin izraelitëve pikërisht atë lloj përgatitjeje dhe ato këshilla për të cilat kishin nevojë, për sa u përket detyrave të rëndësishme që shtriheshin para tyre. Nga ana tjetër, ato përbëjnë pikërisht atë lloj paralajmërimi për të cilin ne kemi nevojë sot që të ecim me frikën e Jehovait, duke shenjtëruar emrin e tij në mes të kësaj bote të korruptuar.—Ligj. 5:9, 10; 6:4-6; 10:12-22.
4. Ç’domethënie ka emri Ligji i përtërirë, dhe cili është qëllimi i librit?
4 Emri Ligji i përtërirë vjen nga titulli në përkthimin greqisht të Septuagintës, Deuteronómion, i cili përbëhet nga deúteros, që do të thotë «i dyti», dhe nómos, që do të thotë «ligj». Kështu pra, emri do të thotë «Ligji i dytë; përsëritje e Ligjit». Ky rrjedh nga përkthimi në greqisht i frazës hebraike mishnéh hattohráh, te Ligji i përtërirë 17:18, që në mënyrë të saktë përkthehet ‘kopje e ligjit’. Gjithsesi, pavarësisht nga domethënia e emrit Ligji i përtërirë, ky libër i Biblës nuk është një ligj i dytë dhe as një përsëritje e thjeshtë e Ligjit. Përkundrazi, është një shpjegim i Ligjit, që ka si qëllim të nxisë Izraelin ta dojë Jehovain e t’i bindet atij në Tokën e Premtuar, ku po përgatitet të hyjë së shpejti.—1:5.
5. Ç’gjë provon se shkrimtari i Ligjit të përtërirë ishte Moisiu?
5 Përderisa është rrotulla e pestë apo volumi i pestë i Pentateukut, shkrimtari duhet të ketë qenë po ai i katër librave të mëparshëm, pra Moisiu. Pohimet e para e identifikojnë Ligjin e përtërirë si «fjalët që i tha Moisiu tërë Izraelit», dhe shprehjet përmbyllëse, të tilla si «Moisiu e shkroi këtë ligj» dhe «Moisiu e shkroi atë këngë», provojnë qartësisht autorësinë e tij. Emri i tij shfaqet në libër pothuajse 40 herë, zakonisht si autoritet për pohimet e bëra. Gjatë gjithë librit përdoret kryesisht veta e parë, duke iu referuar Moisiut. Vargjet përmbyllëse u shtuan pas vdekjes së Moisiut, dhe ka shumë gjasa të jenë shkruar nga Josiu ose Eleazari, kryeprifti.—1:1; 31:9, 22, 24-26.
6. (a) Ç’periudhë përkatëse trajton Ligji i përtërirë? (b) Kur duhet të ketë përfunduar praktikisht libri?
6 Kur ndodhën ngjarjet e përshkruara te Ligji i përtërirë? Vetë libri hapet me pohimin: «Vitin e dyzetë, ditën e parë të muajit të njëmbëdhjetë, Moisiu u tha bijve të Izraelit.» Pasi mbaron Ligji i përtërirë, libri i Josiut zë fill tri ditë para se të kalojnë Jordanin, gjë që ndodh «ditën e dhjetë të muajit të parë». (Ligj. 1:3; Jos. 1:11; 4:19) Kjo u lë në dispozicion një periudhë prej dy muajsh e një jave ngjarjeve të përshkruara te Ligji i përtërirë. Megjithatë, 30 ditë të kësaj periudhe nëntëjavore kaluan vetëm duke mbajtur zi për vdekjen e Moisiut. (Ligj. 34:8) Kjo do të thotë se, praktikisht, gjithë ngjarjet e renditura te Ligji i përtërirë duhet të kenë ndodhur në muajin e 11-të të vitit të 40-të. Në fund të atij muaji duhet të ketë mbaruar praktikisht edhe shkrimi i librit, pasi Moisiu vdiq në fillim të muajit të 12-të të vitit të 40-të ose në fillim të vitit 1473 p.e.s.
7. Nga duket se Ligji i përtërirë është autentik?
7 Provat e paraqitura tashmë për autenticitetin e katër librave të parë të Pentateukut, vlejnë edhe për Ligjin e përtërirë, që është libri i pestë. Ky është gjithashtu, një ndër katër librat e Shkrimeve Hebraike të cituar më shpesh në Shkrimet e Krishtere Greke, ndërsa tre të tjerët janë Zanafilla, Psalmet dhe Isaia. Ka 83 citime të tilla, dhe 17 libra të Shkrimeve të Krishtere Greke i referohen Ligjit të përtërirë.a
8. Cila dëshmi përfundimtare e Jezuit vërteton autenticitetin e Ligjit të përtërirë?
8 Vetë Jezui dha dëshminë më të fortë në mbështetje të Ligjit të përtërirë. Në fillim të shërbimit të tij, Djalli e tundoi tri herë, dhe të tria herët Jezui iu përgjigj: «Është shkruar.» Ku? Pikërisht në librin e Ligjit të përtërirë (8:3; 6:16, 13), të cilin Jezui e përdori si autoritet të frymëzuar: «Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.» «Mos e vër në provë Jehovain, Perëndinë tënd.» «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.» (Mat. 4:1-11) Më vonë, kur farisenjtë nisën ta vinin në provë për urdhërimet e Perëndisë, Jezui iu përgjigj duke cituar nga «urdhërimi i parë dhe më i madhi», Ligji i përtërirë 6:5. (Mat. 22:37, 38; Marku 12:30; Luka 10:27) Kështu pra, dëshmia e Jezuit i vë përfundimisht vulën si autentik Ligjit të përtërirë.
9. Cilat dëshmi të jashtme mbështetin Ligjin e përtërirë?
9 Për më tepër, ngjarjet dhe pohimet e bëra në libër përputhen saktësisht me situatën historike dhe me rrethanat e asaj kohe. Referimet për Egjiptin, Kanaanin, Amalekun, Amonin, Moabin dhe Edomin përputhen me kohën historike, dhe emrat e vendeve janë thënë saktësisht.b Arkeologjia vazhdon të nxjerrë në dritë prova që mbështetin integritetin e shkrimeve të Moisiut. Henri H. Hallei shkruan: «Kohët e fundit arkeologjia ka folur me një zë kaq të fortë, saqë ka shkaktuar një reagim të vendosur në favor të pikëpamjes konservative [d.m.th., që Pentateukun e shkroi Moisiu]. Teoria sipas së cilës shkrimi ishte i panjohur në kohën e Moisiut, është diskredituar plotësisht. Nga ana tjetër, çdo vit, gërmimet në Egjipt, Palestinë dhe Mesopotami kanë nxjerrë në shesh dëshmi, në formën e mbishkrimeve apo të shtresave tokësore, të cilat vërtetojnë se tregimet [e Shkrimeve Hebraike] janë ngjarje historike. Kështu, studiuesit po mësojnë të kenë pa asnjë dyshim më shumë respekt për traditën, sipas së cilës autor ishte Moisiu.»c Në këtë mënyrë, edhe dëshmitë e jashtme mbështetin Ligjin e përtërirë, sikurse edhe pjesën tjetër të Pentateukut, si një dokumentim të vërtetë e autentik të shkruar nga profeti i Perëndisë, Moisiu.
PËRMBAJTJA E LIGJIT TË PËRTËRIRË
10. Nga se përbëhet Ligji i përtërirë?
10 Libri përbëhet kryesisht nga një seri fjalimesh që Moisiu u mbajti bijve të Izraelit në Rrafshinat e Moabit, përballë Jerikosë. Fjalimi i parë përfundon në kapitullin 4, i dyti shkon deri në fund të kapitullit 26, i treti vazhdon përgjatë kapitullit 28 dhe fjalimi tjetër vijon deri në fund të kapitullit 30. Pastaj, pasi merr masat e fundit para se të vdesë, përfshirë edhe emërimin e Josiut si pasues të tij, Moisiu dokumenton një këngë shumë të bukur në lavdi të Jehovait, të ndjekur nga bekimi që u jep ai fiseve të Izraelit.
11. Ç’hyrje bën Moisiu në fjalimin e tij të parë?
11 Fjalimi i parë i Moisiut (1:1–4:49). Ky fjalim bën një hyrje historike për atë që do të vijë më pas. Së pari, Moisiu rishikon sjelljen besnike të Jehovait karshi popullit të Tij. Moisiu i thotë popullit të shkojë e të marrë në zotërim vendin që iu premtua etërve të tyre Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Moisiu rrëfen se si Jehovai e bashkërendoi punën e këtij komuniteti teokratik në fillim të rrugëtimit të tyre nëpër shkretëtirë, duke i thënë Moisiut të zgjidhte burra të mençur e të matur, të cilët do të vepronin si krerë të mijësheve, qindësheve, pesëdhjetësheve dhe dhjetësheve. Kishin një organizim të shkëlqyer, mbi të cilin vigjilonte Jehovai, teksa Izraeli përshkonte «gjithë atë shkretëtirë të madhe e të frikshme».—1:19.
12. Cilat ngjarje që lidheshin me vëzhgimin fillestar të Kanaanit kujton më pas Moisiu?
12 Pastaj, Moisiu sjell ndër mend mëkatin e tyre të rebelimit kur dëgjuan raportin e vëzhguesve që ktheheshin nga Kanaani, dhe u ankuan duke thënë se Jehovai i urrente, ngaqë, sipas tyre, Ai i kishte nxjerrë nga Egjipti vetëm për t’i braktisur në duar të amoritëve. Për shkak të mungesës së besimit, Jehovai i tha atij brezi të lig se asnjë prej tyre, me përjashtim të Kalebit dhe të Josiut, nuk do ta shihte vendin e mirë. Për këtë arsye, ata u rebeluan, u nxehën dhe sulmuan armikun në mënyrë të pavarur. Mirëpo amoritët i ndoqën nga pas si një mori bletësh, dhe i shpërndanë.
13. Mbi ç’bazë Moisiu e siguroi Josiun për fitoren?
13 Ata udhëtuan nëpër shkretëtirë drejt Detit të Kuq, dhe gjatë 38 vjetëve, gjithë brezi i luftëtarëve vdiq. Pastaj, Jehovai u dha urdhër të kalonin matanë e të merrnin në zotërim vendin në veri të Arnonit: «Sot do t’u kall tmerr dhe frikë nga ti popujve nën tërë qiellin, që do të dëgjojnë të flitet për ty. Për shkakun tënd, ata do të turbullohen e do të kenë dhembje si ato të lindjes.» (2:25) Sihoni dhe tokat e tij ranë në duart e izraelitëve, dhe më pas u pushtua edhe mbretëria e Ogut. Moisiu e siguroi Josiun se Jehovai do të luftonte në të njëjtën mënyrë për Izraelin që të mposhtte gjithë mbretëritë. Më pas, Moisiu i kërkoi Perëndisë nëse kishte ndonjë mënyrë që edhe ai të kalonte në vendin e mirë përtej Jordanit, por Jehovai përsëri nuk e pranoi këtë kërkesë, dhe i tha t’ia ngarkonte këtë detyrë Josiut e ta inkurajonte e ta forconte.
14. Si e thekson Moisiu Ligjin e Perëndisë dhe nevojën që t’i përkushtohen vetëm atij?
14 Tani Moisiu thekson fort Ligjin e Perëndisë, duke paralajmëruar që as të mos u shtojnë, as të mos u heqin gjë urdhërimeve të Tij. Mosbindja do të sillte shkatërrim: «Veç tregohuni shumë të kujdesshëm dhe ruajeni shpirtin tuaj, që të mos i harroni gjërat që patë me sytë tuaj e që ato të mos largohen nga zemra juaj për gjithë jetën. Bëjuani të njohura ato bijve dhe nipërve tuaj.» (4:9) Ata nuk panë ndonjë formë trupore kur Jehovai u përcolli Dhjetë Fjalët në rrethana që të ngjallnin frikë në Horeb. Do të ishte shkatërrimtare për ta, sikur tani t’i ktheheshin idhujtarisë dhe adhurimit të shëmbëlltyrave, sepse, sikurse u tha Moisiu: «Jehovai, Perëndia juaj, është një zjarr që përpin, një Perëndi që kërkon t’i përkushtoheni vetëm atij.» (4:24) Perëndia i deshi paraardhësit e tyre dhe i zgjodhi. S’ka asnjë Perëndi tjetër atje lart në qiell, ose poshtë në tokë. Bindju atij, nxiti Moisiu, «që të kesh ditë të gjata në tokën që po të jep Jehovai, Perëndia yt, përgjithmonë».—4:40.
15. Cilat qytete strehimi caktohen në lindje të Jordanit?
15 Në përfundim të këtij fjalimi, Moisiu veçon Bezerin, Ramotin dhe Golanin, si qytete strehimi në lindje të Jordanit.
16. Çfarë thekson fjalimi i dytë i Moisiut?
16 Fjalimi i dytë i Moisiut (5:1–26:19). Kjo është një thirrje për Izraelin që të dëgjojë Jehovain, i cili foli sy më sy me ta në Sinai. Vër re se Moisiu e përsërit Ligjin me disa rregullime të nevojshme, duke ia përshtatur kështu jetës së tyre të re matanë Jordanit. Nuk është thjesht një përsëritje e rregullave dhe e urdhëresave. Çdo fjalë tregon se zemra e Moisiut është plot zell e përkushtim ndaj Perëndisë së tij. Ai flet për mirëqenien e kombit. Fund e krye theksohet bindja ndaj Ligjit, bindja nga një zemër me dashuri, dhe jo nga detyrimi.
17. Si duhet t’ia kthejë Izraeli dashurinë që Jehovai ka treguar për ta?
17 Së pari, Moisiu përsërit Dhjetë Fjalët, Dhjetë Urdhërimet, dhe i thotë Izraelit që t’u bindet atyre, të mos shmanget as djathtas, as majtas, që t’i zgjatin ditët e tyre në atë vend, dhe që të shtohen. «Dëgjo, o Izrael: Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova.» (6:4) Zemra, shpirti dhe forca duhet t’i përkushtohen dashurisë për Të, dhe izraelitët duhet t’u mësojnë e t’u tregojnë bijve të tyre për shenjat dhe mrekullitë e mëdha që Jehovai kreu në Egjipt. S’duhet të bëjnë krushqi me kananitët idhujtarë. Jehovai e ka zgjedhur Izraelin që të jetë prona e tij e veçantë, jo ngaqë janë një popull i madh, por ngaqë i do dhe dëshiron të mbajë betimin që u bëri etërve të tyre. Izraeli duhet të shmangë grackën e fesë demonike, të shkatërrojë shëmbëlltyrat që gjenden në vend, dhe të kapet fort pas Jehovait, i cili është vërtet «një Perëndi i madh e që ngjall frikë».—7:21.
18. Nga cilat gjëra i nxit Moisiu izraelitët që të ruhen?
18 Jehovai i përuli ata për 40 vjet në shkretëtirë, dhe u mësoi se njeriu nuk rron vetëm me manën ose bukën, por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait. Gjatë gjithë atyre viteve që shërbyen për t’i ndrequr, rrobat e tyre nuk u vjetëruan dhe as këmbët nuk iu ënjtën. Tani, ata janë gati të hyjnë në një vend të pasur e të begatë! Gjithsesi, duhet të kenë kujdes të mos bien në kurthin e materializmit, të mos u duket vetja të drejtë, e të kujtojnë se Jehovai ‘u dha fuqinë që të bënin pasuri’, dhe ai është shpronësuesi i kombeve të liga. (8:18) Pastaj, Moisiu u sjell ndër mend raste kur Izraeli provokoi Perëndinë. Ata nuk duhet të harrojnë se si u ndez zemërimi i Jehovait në shkretëtirë kur i goditi me plagë, zjarr e kërdi! Nuk duhet të harrojnë adhurimin e viçit të artë që u solli pasoja shkatërrimtare, që ndezi zemërimin e Jehovait dhe për shkak të të cilit u ribënë edhe një herë pllakat e Ligjit. (Dal. 32:1-10, 35; 17:2-7; Num. 11:1-3, 31-35; 14:2-38) Sigurisht, ata duhet t’i shërbejnë tani Jehovait e të ngjiten pas tij, pasi ai i ka dashur për hir të paraardhësve të tyre dhe i ka bërë «të shumtë si yjet e qiellit».—Ligj. 10:22.
19. Cila zgjedhje e qartë përmendet, dhe cilat ligje i jepen kombit?
19 Izraelitët duhet të mbajnë «të gjitha urdhërimet», dhe t’i binden patjetër Jehovait, ta duan atë si Perëndinë e tyre dhe t’i shërbejnë me gjithë zemër e me gjithë shpirt. (11:8, 13) Jehovai do t’i mbështetë e do t’i shpërblejë, nëse i binden atij. Megjithatë, ata duhet të përpiqen fuqimisht e të mësojnë me zell bijtë e tyre. Zgjedhja që ka përpara Izraeli, është e qartë: bindja sjell bekime, mosbindja, mallkime. Ata s’duhet ‘të shkojnë pas perëndive të tjera’. (11:26-28) Më pas, Moisiu u jep ca ligje specifike, të cilat do të kenë ndikim tek Izraeli teksa shkon të marrë në zotërim Tokën e Premtuar. Janë (1) ligje që prekin fenë dhe adhurimin; (2) ligje për drejtësinë, qeverisjen dhe luftën; dhe (3) ligje që rregullojnë jetën private e shoqërore të popullit.
20. Cilat pika nënvizojnë ligjet për adhurimin?
20 (1) Feja dhe adhurimi (12:1–16:17). Kur izraelitët të hyjnë në atë vend, çdo gjurmë e fesë së rreme—vendet e larta, altarët, kolonat, shtyllat e shenjta dhe shëmbëlltyrat—duhet të shkatërrohen plotësisht. Izraeli duhet të adhurojë vetëm në vendin që Jehovai do të zgjedhë të vendosë emrin e tij, dhe atje, ata të gjithë do të gëzojnë për të. Rregullat për ngrënien e mishit dhe flijimet përfshijnë përkujtues të përsëritur, sipas të cilëve ata s’duhet të hanë gjak. «Veç tregohu shumë i vendosur që të mos hash gjak. . . . Mos e ha, që të të shkojë mbarë ty dhe bijve të tu pas teje, sepse bën atë që është e drejtë në sytë e Jehovait.» (12:16, 23-25, 27; 15:23) Tani Moisiu jep një dënim të drejtpërdrejtë kundër idhujtarisë. Izraeli as duhet të pyesë për fenë e rreme. Nëse del që një profet është i rremë, ai duhet të vritet, kurse apostatët, qofshin edhe të afërm apo miq të dashur, madje edhe qytete të tëra, duhen shkatërruar. Më pas, jepen rregulla për ushqimin e pastër e të papastër, për pagimin e së dhjetës dhe për kujdesin për levitët. Interesat e borxhlinjve, të të varfërve dhe të skllevërve, duhen mbrojtur me dashuri. Së fundi, Moisiu bën një rishikim të festave vjetore, të cilat janë periudha për të falënderuar Jehovain për bekimin e tij: «Çdo mashkull i yti duhet të paraqitet para Jehovait, Perëndisë tënd, në vendin që ai do të zgjedhë, tri herë në vit: në festën e kuleçve të ndormë, në festën e javëve e në festën e kasolleve. Dhe asnjëri të mos paraqitet para Jehovait duarbosh.»—16:16.
21. Cilat ligje jepen për drejtësinë, dhe ç’profeci të rëndësishme thotë Moisiu?
21 (2) Drejtësia, qeverisja dhe lufta (16:18–20:20). Para së gjithash, Moisiu jep ligje që lidhen me gjykatësit dhe zyrtarët. Drejtësia është gjëja kryesore, kurse ryshfetet dhe gjykimi i shtrembëruar janë të urryera për Jehovain. Jepen edhe procedurat për shqyrtimin e dëshmive dhe për trajtimin e rasteve. «Ai që duhet të vdesë, të vritet nga dëshmia e dy ose tre dëshmitarëve.» (17:6) Vijojnë ligje që lidhen me mbretërit. Merren masa për priftërinjtë dhe për levitët. Spiritizmi është i jashtëligjshëm dhe ‘i pështirë për Jehovain’. (18:12) Me vështrimin larg, drejt së ardhmes, Moisiu deklaron: «Jehovai, Perëndia juaj, do t’ju japë një profet si unë nga gjiri juaj, nga vëllezërit tuaj—atë duhet të dëgjoni.» (18:15-19) Kurse profeti i rremë duhet të vdesë. Kjo pjesë mbyllet me ligje për qytetet e strehimit, për hakmarrësin e gjakut, si edhe për kualifikimet që të përjashtojnë nga shërbimi ushtarak dhe për rregullat e luftës.
22. Cilat ligje për çështje private dhe shoqërore shqyrtohen?
22 (3) Jeta private dhe shoqërore (21:1–26:19). Vendosen ligje që prekin jetën e përditshme të izraelitëve për çështje të tilla, si: për dikë që gjendet i vrarë, për martesën me robinja, për të drejtën e të parëlindurit, për bijtë rebelë, për varjen në shtyllë të një krimineli, për provën e virgjërisë, për krimet seksuale, për tredhjen, për bijtë e jashtëligjshëm, për trajtimin e të huajve, për kushtet higjieno-sanitare, për pagimin e interesave dhe mbajtjen e zotimeve, për rrëmbimin e njerëzve, për huatë, për pagat dhe për kallëzat e mbetura nga korrja. Rrahja e një njeriu kufizohet vetëm me 40 të goditura. Demit nuk i duhet vënë gojëza gjatë shirjes. Përkufizohet procedura për detyrën që i takon kunatit. Duhen përdorur pesha të sakta, pasi padrejtësia është e pështirë për Jehovain.
23. Sipas Moisiut, cili do të jetë rezultati, nëse populli u bindet urdhërimeve të Perëndisë?
23 Përpara se ta mbyllë këtë fjalim të zjarrtë, Moisiu kujton se si Amaleku i goditi nga pas izraelitët e këputur nga lodhja kur po iknin nga Egjipti. Moisiu i jep urdhër Izraelit ‘të shuajë kujtimin e Amalekut nën qiell’. (25:19) Kur të hyjnë në atë vend, ata duhet të paraqitin me gëzim frytet e para të tokës, dhe të paraqitin të dhjetat me lutje falënderimi për Jehovain: «Tani shiko nga qielli, nga banesa jote e shenjtë, dhe bekoje popullin tënd, Izraelin, dhe tokën që na ke dhënë, siç iu betove paraardhësve tanë, këtë vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.» (26:15) Nëse i përmbushin këto urdhërime me gjithë zemër e me gjithë shpirt, Jehovai, nga ana e tij, ‘do t’i lartësojë mbi të gjitha kombet që ka bërë, e kështu ata do të jenë lavdia, fama dhe bukuria e tij, ndërkohë që bëhen një popull i shenjtë për Jehovain, Perëndinë e tyre, sikurse premtoi ai’.—26:19.
24. Cilat bekime dhe mallkime vë përpara Izraelit fjalimi i tretë?
24 Fjalimi i tretë i Moisiut (27:1–28:68). Në këtë pjesë, pleqtë e Izraelit dhe priftërinjtë bashkohen me Moisiun teksa rendit në mënyrë të plotë mallkimet e Jehovait në rast mosbindjeje, dhe bekimet në rast besnikërie. Jepen paralajmërime drithëruese për pasojat e tmerrshme të jobesnikërisë. Në rast se Izraeli, si komb i shenjtë i Jehovait, Perëndisë së vet, ia vë veshin zërit të Tij, do të gëzojë bekime të mrekullueshme, dhe gjithë popujt e tokës do të shohin se emri i Jehovait thirret mbi të. Por, në rast se dështojnë, Jehovai do të dërgojë mbi ta «mallkime, rrëmujë dhe ndëshkime». (28:20) Do të goditen me sëmundje që të ngjallin krupë, thatësirë dhe zi buke; armiqtë do t’i ndjekin e do t’i skllavërojnë, dhe ata do të shpërndahen e do të shfarosen nga vendi. Këto, dhe shumë mallkime të tjera, do të bien mbi ta nëse ‘nuk përmbushin me kujdes të gjitha fjalët e këtij ligji, të shkruara në këtë libër, që t’i frikësohen këtij emri të lavdishëm e që ngjall frikë, po, Jehovait, Perëndisë [së tyre]’.—28:58.
25. (a) Cilën besëlidhje bën tani Jehovai me Izraelin? (b) Cilën zgjedhje vë Moisiu përpara popullit?
25 Fjalimi i katërt i Moisiut (29:1–30:20). Tani Jehovai bën një besëlidhje me Izraelin në Moab. Kjo përmbledh Ligjin, që përsëritet e shpjegohet nga Moisiu, dhe që do t’i drejtojë izraelitët teksa hyjnë në Tokën e Premtuar. Betimi solemn që shoqëron besëlidhjen, thekson përgjegjësitë e kombit. Së fundi, Moisiu thërret si dëshmitarë qiellin dhe tokën kur e vë popullin përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit, dhe pastaj bën këtë nxitje: «Zgjidhni jetën, që të rroni ju dhe pasardhësit tuaj, duke dashur Jehovain, Perëndinë tuaj, duke dëgjuar zërin e tij e duke qëndruar të lidhur ngushtë me të, pasi ai është jeta juaj dhe ju jep bollëk ditësh, që të banoni në tokën që Jehovai u betua t’ua jepte paraardhësve tuaj, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.»—30:19, 20.
26. Cilat masa të fundit merr Moisiu para se të vdesë?
26 Detyra i lihet Josiut; kënga e Moisiut (31:1–32:47). Kapitulli 31 tregon për Moisiun që, pasi ka shkruar Ligjin dhe pasi ka dhënë udhëzimet për leximin e rregullt publik të tij, ia lë detyrën Josiut, dhe i thotë të jetë i guximshëm e i fortë. Pastaj, Moisiu përgatit një këngë kujtimi, përfundon së shkruari fjalët e Ligjit dhe merr masa që ai të vendoset përkrah arkës së besëlidhjes së Jehovait. Më pas, Moisiu ia thotë fjalët e këngës gjithë kongregacionit si një nxitje të fundit.
27. Cilin mesazh të fuqishëm përmban kënga e Moisiut?
27 Me sa çmueshmëri fillon kënga e Moisiut, duke identifikuar Burimin freskues të mësimit të tij! «Mësimi im do të pikojë si shiu, fjalët e mia do të bien si vesa, si shirat e buta përmbi bar, si shirat e bollshme mbi bimësinë. Se emrin e Jehovait do të shpall.» Po, pranoni madhështinë e «Perëndisë tonë», ‘Shkëmbit’. (32:2-4) Bëni të njohur veprën e tij të përsosur, udhët e tij të drejta, besueshmërinë, drejtësinë dhe ndershmërinë. Sa turp që izraelitët vepruan në atë mënyrë shkatërrimtare, edhe pse Jehovai i mbajti në krahët e vet në një shkretëtirë të pabanuar e të egër, duke i mbrojtur si bebëzën e syrit e duke qëndruar mbi ta si shqiponja mbi të vegjlit e vet! Ai e majmi popullin e vet, dhe e quajti Jeshurun, «I drejtë», kurse ata e bënë xheloz me perënditë e huaja, dhe u shndërruan në «bij te të cilët nuk ka besnikëri». (32:20) Hakmarrja dhe shpagimi i përkasin Jehovait. Ai vret e ai ngjall. Kur e mpreh shpatën vezulluese dhe kur dora e tij mbërthen gjykimin, ai ua shpaguan vërtet kundërshtarëve të vet. Sa besim duhet t’i ngjallë kjo popullit të tij! Ashtu si thotë kënga në kulmin e saj, është koha që të «gëzoni, ju kombe, me popullin e tij». (32:43) Cili poet në botë do t’i përqasej bukurisë së pashoqe, forcës dhe thellësisë së mendimit të kësaj kënge për Jehovain?!
28. Si lartësohet Jehovai në bekimin e fundit të Moisiut?
28 Bekimet e fundit të Moisiut (32:48–34:12). Tani Moisiu merr udhëzimet e fundit që lidhen me vdekjen e tij, por ende nuk e ka përfunduar shërbimin teokratik. Së pari, duhet të bekojë Izraelin, dhe teksa e bën këtë, lëvdon sërish Jehovain, Mbretin në Jeshurun, që rrezaton me moritë e tij të shenjta. Një nga një, çdo fis merr bekimet e veta, dhe pastaj Moisiu i thur lavde Jehovait, Madhështorit: «Perëndia i kohëve të lashta është streha jote, poshtë teje të presin krahët e tij të përjetshëm.» (33:27) Me një zemër plot çmueshmëri, ai i drejton më pas kombit fjalët e fundit: «Lum ti, o Izrael! Kush është si ti, popull i shpëtuar nga Jehovai?»—33:29.
29. Në ç’mënyrë spikati Moisiu?
29 Moisiu vdes, pasi ka parë Tokën e premtuar nga mali i Nebos, dhe Jehovai e varros në Moab; varri i tij mbetet sot e kësaj dite i panjohur dhe pa nderime. Ai jetoi 120 vjet, por «nuk e kishin lënë as sytë dhe as fuqitë». Jehovai e kishte përdorur për të kryer shenja e mrekulli të mëdha, dhe sikurse thuhet në kapitullin e fundit, «nuk pati më kurrë profet si Moisiu, me të cilin Jehovai foli sy për sy».—34:7, 10.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
30. Në ç’mënyrë Ligji i përtërirë përbën një mbyllje të përshtatshme të Pentateukut?
30 Si libri i fundit i Pentateukut, Ligji i përtërirë lidh së bashku gjithçka që është bërë më parë për shpalljen dhe shenjtërimin e emrit të madh të Perëndisë Jehova. Vetëm ai është Perëndi, që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij dhe që nuk toleron asnjë rivalitet me perënditë-demonë të adhurimit të rremë fetar. Sot, të gjithë të krishterët duhet t’u kushtojnë sinqerisht vëmendje parimeve të larta, që përbëjnë bazën e ligjit të Perëndisë, e t’i binden atij, që të mos i zërë mallkimi i tij kur të mprehë shpatën vezulluese për t’u hakmarrë kundër kundërshtarëve të vet. Urdhërimi i tij i parë dhe më i madhi duhet të jetë si udhërrëfyes në jetën e tyre: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde.»—6:5.
31. Si e përmendin Ligjin e përtërirë pjesë të tjera të shkrimeve të frymëzuara, për të thelluar kuptueshmërinë për qëllimet e Perëndisë?
31 Pjesë të tjera të Shkrimeve i referohen shpesh Ligjit të përtërirë për të thelluar kuptueshmërinë për qëllimet hyjnore. Jezui iu referua edhe shkrimeve të tjera, përveç atyre që citoi për t’iu përgjigjur Tunduesit të tij. (Ligj. 5:16—Mat. 15:4; Ligj. 17:6—Mat. 18:16 dhe Gjoni 8:17) Këto referime shkojnë deri te Zbulesa, ku Jezui që tashmë ka marrë lavdi, paralajmëron së fundi që të mos shtohet e të mos hiqet asgjë nga rrotulla e profecisë së Jehovait. (Ligj. 4:2—Zbul. 22:18) Pjetri citon nga Ligji i përtërirë për të kopsitur argumentimin e tij të fuqishëm që Jezui është Krishti dhe Profeti më i madh se Moisiu, të cilin Jehovai kishte premtuar se do ta ngrinte në Izrael. (Ligj. 18:15-19—Vep. 3:22, 23) Pavli citon nga ky libër kur flet për shpërblimin e punëtorëve, për hetimin e plotë të një çështjeje nga goja e dëshmitarëve dhe për mësimin e fëmijëve.—Ligj. 25:4—1 Kor. 9:8-10 dhe 1 Tim. 5:17, 18; Ligj. 13:14 dhe 19:15—1 Tim. 5:19 dhe 2 Kor. 13:1; Ligj. 5:16—Efes. 6:2, 3.
32. Në cilat aspekte Josiu, Gideoni dhe profetët janë shembuj të shkëlqyer për ne?
32 Jo vetëm shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere, por edhe shërbëtorë të Perëndisë para epokës së krishterë nxorën mësime dhe morën zemër nga Ligji i përtërirë. Bëjmë mirë të ndjekim shembullin e tyre. Vini re bindjen e padiskutueshme të pasuesit të Moisiut, Josiut, për të shkatërruar qytetet gjatë pushtimit të Kanaanit, duke mos marrë fare plaçkë lufte, sikurse bëri Akani. (Ligj. 20:15-18 dhe 21:23—Jos. 8:24-27, 29) Gideoni, duke iu bindur Ligjit, largoi nga radhët e ushtrisë së tij ata që ‘kishin frikë dhe dridheshin’. (Ligj. 20:1-9—Gjyk. 7:1-11) Nga besnikëria ndaj ligjit të Jehovait, profetët e Izraelit e të Judës folën pa frikë e me guxim kundër kombeve të zhytura në mëkat e vese. Amosi ishte një shembull i shkëlqyer për këtë. (Ligj. 24:12-15—Amo. 2:6-8) Në kuptimin e mirëfilltë ka vërtet qindra shembuj që e lidhin Ligjin e përtërirë me pjesën tjetër të Fjalës së Perëndisë, dhe kjo tregon se ai është pjesë përbërëse dhe e dobishme e kësaj tërësie të harmonishme.
33. (a) Në ç’mënyrë Ligji i përtërirë frymëzon lavde për Jehovain? (b) Si tregon tabela shoqëruese se edhe kombe të botës i kanë pranuar parimet e ligjit të Perëndisë?
33 Thelbi i Ligjit të përtërirë frymëzon lavde për Perëndinë Sovran, Jehovain. Kudo përgjatë tij theksohet kjo pikë: ‘Adhuroni Jehovain; përkushtojuni vetëm atij.’ Edhe pse të krishterët nuk janë më nën Ligj, parimet ku mbështetet ai nuk janë shfuqizuar. (Gal. 3:19) Sa shumë mund të mësojnë të krishterët e vërtetë nga ky libër i fuqishëm i ligjit të Perëndisë, me mësimin e tij progresiv, çiltërsinë dhe thjeshtësinë e paraqitjes! Edhe disa nga kombet e botës e kanë pranuar se sa i shkëlqyer është ligji suprem i Jehovait, duke përfshirë shumë nga rregullat e Ligjit të përtërirë në kodet e tyre ligjore. Tabela shoqëruese jep disa shembuj interesantë të ligjeve që kanë përdorur apo nga kanë nxjerrë parimet.
34. Ç’lidhje ka mes kësaj «përsëritjeje të Ligjit» dhe Mbretërisë së Perëndisë?
34 Për më tepër, ky shpjegim i Ligjit tërheq vëmendjen te Mbretëria e Perëndisë dhe rrit çmueshmërinë për të. Në ç’mënyrë? Kur ishte ende në tokë, Mbreti i emëruar, Jezu Krishti, e njihte më së miri librin dhe e aplikoi atë, sikurse duket nga referimet mjeshtërore që përdori. Kur të shtrijë sundimin e Mbretërisë së tij anembanë tokës, ai do të qeverisë në përputhje me parimet e drejta të po këtij «ligji», dhe të gjithë ata që do të arrijnë të marrin bekime nëpërmjet tij, si «fara» e Mbretërisë, duhet t’u binden këtyre parimeve. (Zan. 22:18; Ligj. 7:12-14) Është e dobishme dhe e leverdisshme të fillojmë t’u bindemi atyre që tani. Aspak i dalë mode, ky «ligj» 3.500-vjeçar na flet sot me një ton të fuqishëm, dhe do të vazhdojë të flasë deri në botën e re nën Mbretërinë e Perëndisë. U shenjtëroftë gjithnjë emri i Jehovait mes popullit të tij, teksa zbaton gjithë udhëzimet e dobishme të Pentateukut, që në mënyrë të lavdishme arrin kulmin me Ligjin e përtërirë, pa dyshim një pjesë e frymëzuar dhe motivuese e ‘të gjithë Shkrimit’!
[Shënimet]
a Shih listën «Quotations from the Old Testament» te The New Testament in Original Greek, nga B. F. Uestkoti dhe F. Xh. A. Horti, 1956, faqet 601-618.
b Ligji i përtërirë 3:9, shënimi te Bibla me referime, anglisht.
c Halley’s Bible Handbook, 1988, Henri H. Hallei, faqja 56.
[Tabela në faqen 41]
DISA PRECEDENTË LIGJORË TE LIGJI I PËRTËRIRËd
I. Ligje personale dhe familjare Kapitujt dhe vargjet
A. Marrëdhëniet personale
1. Prindër dhe fëmijë 5:16
2. Marrëdhëniet martesore 22:30; 27:20, 22, 23
3. Ligje për divorcin 22:13-19, 28, 29
B. Të drejtat e pronësisë 22:1-4
II. Ligje kushtetuese
A. Kualifikimet dhe detyrat 17:14-20
e mbretit
B. Rregulla ushtarake
2. Krerët më të vegjël 20:9
III. Sistemi gjyqësor
A. Detyrat e gjykatësve 16:18, 20
B. Gjykata më e lartë e apelit 17:8-11
IV. Ligje për krimet
A. Krime kundër shtetit
1. Ryshfete, shtrembërimi 16:19, 20
i drejtësisë
2. Dëshmia e rreme 5:20
B. Krime kundër moralit
1. Kurorëshkelja 5:18; 22:22-24
2. Martesa e jashtëligjshme 22:30; 27:20, 22, 23
C. Krime kundër personit
1. Vrasja dhe sulmet 5:17; 27:24
2. Përdhunimi dhe joshja 22:25-29
V. Ligje humanitare
A. Mirëdashje për kafshët 25:4; 22:6, 7
C. Kodi për sigurinë në ndërtim 22:8
E. Masa filantropike 14:28, 29; 15:1-11;
për nevojtarët 16:11, 12; 24:19-22
[Shënimet]
d Israel’s Laws and Legal Precedents, 1907, C. F. Kent, faqet vii deri xvii; shih edhe Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 214-220, anglisht.