Çfarë të shtyn t’i shërbesh Perëndisë?
«Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!»—MARKU 12:30.
1, 2. Çfarë rezultatesh emocionuese po arrin vepra e predikimit?
VLERA e vërtetë e një automobili nuk përcaktohet vetëm nga pamja e tij e jashtme. Një e lyer mund t’ia zbukurojë pamjen e jashtme dhe një formë e bukur mund të tërheqë blerësin e mundshëm; por ato që kanë më shumë rëndësi janë gjërat që nuk duken që në shikim të parë: motori që vë në lëvizje automjetin bashkë me gjithë mekanizmat e tjera që e kontrollojnë.
2 Është e njëjta gjë me shërbimin e një të krishteri ndaj Perëndisë. Dëshmitarët e Jehovait kryejnë me bollëk vepra të mira. Çdo vit harxhohen më shumë se një miliard orë në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Përveç kësaj, drejtohen miliona studime biblike dhe ata që pagëzohen numërohen në qindra mijëra. Nëse je një lajmëtar i lajmit të mirë, ke marrë pjesë në këto statistika emocionuese edhe pse mund të duket në një masë të vogël. Mund të jesh i sigurt se «Perëndia nuk është i padrejtë që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij».—Hebrenjve 6:10, BR.
3. Përveç veprave, ç’gjë duhet të ketë rëndësi të veçantë për të krishterët dhe përse?
3 Megjithatë, vlera e shërbimit tonë kolektiv apo individual, nuk matet vetëm me shifra. Siç iu tha Samuelit, «njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën». (1. Samuelit 16:7) Po, për Perëndinë vlen fakti se si jemi përbrenda. Është e vërtetë se veprat janë të rëndësishme. Veprat e devotshmërisë së shenjtë e stolisin mësimin e Jehovait dhe tërheqin dishepuj të mundshëm. (Mateu 5:14-16; Titit 2:10; 2. Pjetrit 3:11) Megjithatë, veprat tona nuk thonë gjithçka. Jezui i ringjallur kishte shkak për t’u shqetësuar për kongregacionin në Efes, pavarësisht se kujtoheshin për vepra të mira. «Unë i njoh veprat e tua,—u tha ai atyre.—Por kam diçka kundër teje, sepse dashurinë tënde të parën e le.»—Zbulesa 2:1-4.
4. (a) Në ç’mënyrë mund të bëhet shërbimi ynë ndaj Perëndisë një rit i detyrueshëm? (b) Përse nevojitet një vetëshqyrtim lidhur me këtë?
4 Ekziston një rrezik. Me kalimin e një periudhe kohe, shërbimi ynë ndaj Perëndisë mund të bëhet si një rit i detyrueshëm. Një grua e krishterë e përshkroi situatën e saj në këtë mënyrë: «Dilja në shërbim, shkoja në mbledhje, studioja, lutesha, por gjithçka e bëja automatikisht, pa ndierë kurrë asgjë.» Pa dyshim, shërbëtorët e Perëndisë janë për t’u lavdëruar kur përpiqen, pavarësisht se ndihen «të rrëzuar» dhe «të pikëlluar». (2. Korintasve 4:9; 7:6) Gjithsesi, kur aktiviteti ynë i krishterë bëhet një rutinë e zakonshme, ne duhet të kontrollojmë brenda motorit, nëse mund të themi kështu. Edhe automjeti më i mirë ka nevojë për mirëmbajtje periodike; ngjashëm të gjithë të krishterët duhet të bëjnë rregullisht një vetëshqyrtim. (2. Korintasve 13:5) Të tjerët mund t’i shohin veprat tona, por nuk mund të dallojnë se çfarë i nxit veprimet tona. Prandaj, secili prej nesh duhet t’i bëjë vetes këtë pyetje: «Çfarë më shtyn t’i shërbej Perëndisë?»
Gjëra që pengojnë motivet e drejta
5. Sipas Jezuit, cili urdhër vinte para të gjithëve?
5 Kur e pyetën se cili ishte më i rëndësishmi nga ligjet që i ishin dhënë Izraelit, Jezui citoi një urdhër që përqendrohej jo në pamjen e jashtme, por në motivet e brendshme: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!» (Marku 12:28-30) Kështu, Jezui përcaktoi atë që duhet të jetë forca shtytëse e shërbimit tonë ndaj Perëndisë: dashurinë.
6, 7. (a) Në cilat mënyra e ka sulmuar Satanai me dinakëri rrethin familjar dhe përse? (2. Korintasve 2:11) (b) Si mund të ndikojë mënyra e rritjes në qëndrimin e një personi kundrejt autoritetit hyjnor?
6 Satanai dëshiron të pengojë aftësinë tonë për të kultivuar cilësinë themelore të dashurisë. Një metodë që ka përdorur për t’ia arritur kësaj, është sulmi kundër rrethit familjar. Përse? Sepse atje formohen shprehjet e para dhe më të qëndrueshme të dashurisë. Satanai e di mirë parimin se ajo që mësohet në fëmijëri mund të jetë e vlefshme në moshën e rritur. (Proverbat 22:6) Ai përpiqet me djallëzi të shtrembërojë konceptin tonë të dashurisë që në moshë të vogël. Si «perëndi i këtij sistemi gjërash», Satanai sheh të plotësohen qëllimet e tij tek shikon që shumë rriten në shtëpi, në të cilat nuk mbretëron dashuria, por janë bërë sheshe beteje për zemërimin, inatin dhe fyerjet.—2. Korintasve 4:4, BR; Efesianëve 4:31, 32; 6:4, shënimi BR; Kolosianëve 3:21.
7 Libri Si të bëhet e lumtur jeta familjare, vërente se mënyra në të cilën një baba e plotëson rolin prindëror «ka një ndikim të dukshëm në qëndrimin e mëvonshëm të fëmijëve kundrejt autoritetit, si atij njerëzor ashtu edhe hyjnor».a Një burrë i krishterë që është rritur nën dorën e rreptë të një babai të ashpër, pranon: «Për mua t’i bindem Jehovait është e lehtë, por ta dua është më e vështirë.» Pa dyshim, bindja është e domosdoshme, sepse në sytë e Perëndisë «bindja është më e mirë se flijimi». (1. Samuelit 15:22) Por, çfarë mund të na ndihmojë të shkojmë përtej bindjes së thjeshtë dhe të kultivojmë dashurinë ndaj Jehovait si forcën shtytëse të adhurimit tonë?
«Dashuria që ka Krishti na detyron»
8, 9. Në ç’mënyrë sakrifica shpërblerëse e Jezuit duhet të përforcojë dashurinë tonë për Jehovain?
8 Nxitja më e madhe për të kultivuar dashuri të sinqertë për Jehovain është çmueshmëria për sakrificën shpërblerëse të Jezu Krishtit. «Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij.» (1. Gjonit 4:9) Kur e kuptojmë dhe e çmojmë atë, kjo vepër dashurie nxit tek ne një reagim dashurie. «Ne e duam atë, sepse ai [Jehovai] na deshi i pari.»—1. Gjonit 4:19.
9 Jezui e pranoi me gatishmëri caktimin për të shërbyer si Shpëtues i njeriut. «Nga kjo e kemi njohur dashurinë, sepse ai dha shpirtin e vet për ne.» (1. Gjonit 3:16, BR; Gjoni 15:13) Dashuria vetëmohuese e Jezuit duhet të ngjallë një përgjigje çmueshmërie tek ne. Le të bëjmë një shembull: Ta zëmë se dikush të ka shpëtuar nga mbytja. A do të ktheheshe thjesht në shtëpi, të thaheshe dhe të harroje gjithçka? Sigurisht që jo. Do të ndiheshe borxhli ndaj personit që të shpëtoi. Në fund të fundit atij njeriu i detyron jetën. A i detyrohemi më pak Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit? Pa shpërblerjen secili prej nesh do të mbytej, si të themi në mëkat dhe vdekje. Në fakt, falë kësaj vepre të madhe dashurie, ne kemi shpresën për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore.—Romakëve 5:12, 18; 1. Pjetrit 2:24.
10. (a) Si mund të bëjmë që shpërblerja të ndikojë personalisht mbi ne? (b) Si na detyron dashuria që ka Krishti?
10 Medito mbi shpërblerjen. Zbatoja vetes, siç bëri Pavli: «Ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.» (Galatasve 2:20) Ky meditim do të sjellë një nxitje të sinqertë, sepse Pavli u shkroi Korintasve: «Dashuria që ka Krishti na detyron, sepse . . . ai vdiq për të gjithë, që ata që jetojnë, të mund të jetojnë jo më për vete, por për atë që vdiq për ta dhe u ringjall.» (2. Korintasve 5:14, 15, BR) Bibla Diodati i Ri thotë se dashuria e Krishtit «na shtrëngon». Kur mendojmë mbi dashurinë e Krishtit, ndihemi të detyruar, të nxitur thellë e madje të shtrënguar. Na prek zemrën dhe na nxit të veprojmë. Përkthimi i J. B. Filips e parafrazon kështu: «Dashuria e Krishtit është vetë zemreku i veprimeve tona.» Çdo lloj tjetër nxitjeje nuk do të sjellë fryte të qëndrueshme tek ne, siç tregohet nga shembulli i farisenjve.
«Ruhuni nga majaja e farisenjve»
11. Përshkruaj qëndrimin e farisenjve kundrejt veprave fetare.
11 Farisenjtë ia hoqën gjallërinë adhurimit të Perëndisë. Në vend që t’i kushtonin rëndësi dashurisë për Perëndinë, ata vinin në dukje veprat si njësi matëse për gjendjen individuale frymore. Shqetësimi i tyre për rregullat e vogla i bëri ata të dukeshin të drejtë nga jashtë, por nga brenda ishin «plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish».—Mateu 23:27.
12. Pasi Jezui shëroi një njeri, si treguan farisenjtë se ishin me zemër të pandjeshme?
12 Në një rast, Jezui shëroi me dhembshuri një burrë të cilit i ishte fishkur dora. Sa i lumtur duhet të ketë qenë ky njeri kur u shërua sa hap e mbyll sytë nga një sëmundje që sigurisht i shkaktonte shqetësime fizike dhe emocionale! Megjithatë, farisenjtë nuk u gëzuan bashkë me të. Përkundrazi, ata kundërshtuan me sofizëm se Jezui kishte dhënë ndihmë të shtunën. Pasi farisenjtë shqetësoheshin për intepretimin teknik të Ligjit, ata nuk e kishin aspak frymën e Ligjit. S’është aspak për t’u habitur që Jezui ishte «i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre»! (Marku 3:1-5) Për më tepër, ai paralajmëroi dishepujt e tij: «Ruhuni nga majaja e farisenjve dhe saducenjve.» (Mateu 16:6) Veprimet dhe qëndrimet e tyre tregohen në Bibël për dobinë tonë.
13. Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga shembulli i farisenjve?
13 Shembulli i farisenjve na mëson se duhet të kemi një pikëpamje të arsyeshme mbi veprat. Vërtet, veprat janë të domosdoshme, sepse «besimi, pa vepra, është i vdekur». (Jakovit 2:26) Megjithatë, njerëzit e papërsosur kanë prirjen për t’i gjykuar të tjerët nga ajo që bëjnë dhe jo nga fakti se si janë. Ndonjëherë edhe veten e gjykojmë në këtë mënyrë. Mund të ngarkohemi kaq shumë me punë, sikur të ishte ky kriteri i vetëm i gjendjes sonë frymore. Mund të harrojmë rëndësinë e shqyrtimit të motiveve tona. (Krahaso 2. Korintasve 5:12.) Mund të bëhemi si ata persona striktë e të ashpër ndaj ligjit që ‘sitin mushkonjën dhe kapërdijnë devenë’, duke iu bindur çdo shkronje, ndërkohë që shkelnin qëllimin e tij.—Mateu 23:24.
14. Në ç’mënyrë ishin farisenjtë si një kupë apo pjatë e papastër?
14 Ajo që nuk kuptonin farisenjtë është se nëse një person e do Jehovain me të vërtetë, veprat e devotshmërisë së vërtetë vijnë natyrshëm. Gjendja frymore vjen nga brenda jashtë. Jezui i denoncoi fuqishëm farisenjtë për mendimet e tyre të gabuara lidhur me këtë, duke thënë: «Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse pastroni anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot me grabitje dhe teprime. Farise i verbër! Pastro më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që edhe përjashta të jetë e pastër.»—Mateu 23:25, 26.
15. Cito disa shembuj që tregojnë se Jezui shikon përtej dukjes së jashtme.
15 Pamja e jashtme e një kupe, e një pjate apo edhe e një ndërtese nuk tregojnë çdo gjë. Dishepujt e Jezuit kishin mbetur me gojë hapur para bukurisë së tempullit të Jeruzalemit, të cilin Jezui e quajti «shpellë kusarësh», për atë që ndodhte brenda. (Marku 11:17; 13:1) Situata e tempullit është e ngjashme me situatën e miliona njerëzve që e quajnë veten të krishterë, siç tregon historia e të ashtuquajturit krishterim. Jezui tha se do t’i gjykonte disa që në emrin e tij kryenin «vepra të fuqishme», por që do të përfundonin si «punëtorë të paligjshmërisë». (Mateu 7:22, 23) Në ndryshim të dukshëm, ai tha për një vejushë që kontribuoi me një sasi të papërfillshme parash në tempull: «Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët. . . . ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar.» (Marku 12:41-44) Gjykime të palogjikshme? Jo, aspak. Në të dyja situatat, Jezui pasqyroi pikëpamjen e Jehovait. (Gjoni 8:16) Ai pa motivet pas veprave dhe gjykoi në pajtim me to.
«Secili sipas aftësisë»
16. Përse nuk duhet ta krahasojmë gjithmonë aktivitetin tonë me atë të një të krishteri tjetër?
16 Nëse motivet tona janë të drejta, nuk ka nevojë për të bërë krahasime të vazhdueshme. Për shembull, nuk vlen të përpiqemi me frymë konkurruese për të harxhuar në shërbim po aq kohë sa një i krishterë tjetër apo për të arritur të njëjtat rezultate në predikim. Jezui tha ta duash Jehovain me gjithë zemrën, mendjen, shpirtin dhe forcën tënde dhe jo me atë të tjetrit. Aftësitë, qëndrueshmëria dhe rrethanat e çdo personi ndryshojnë. Nëse situata të lejon, dashuria do të të nxisë të harxhosh më shumë kohë në shërbim, ndoshta edhe si pionier në kohë të plotë. Por, kur lufton me një sëmundje, koha që harxhon në shërbim, mund të jetë më pak sesa dëshiron. Mos u shkurajo! Besnikëria ndaj Perëndisë nuk matet nga orët. Motivet e drejta do të të japin arsye për gëzim. Pavli shkroi: «Secili të analizojë veprën e tij dhe atëherë do të ketë arsye të mburret vetëm për veten e tij dhe jo lidhur me tjetrin.»—Galatasve 6:4.
17. Trego shkurtimisht me fjalët e tua shëmbëlltyrën e talentave.
17 Le të shohim shëmbëlltyrën e Jezuit mbi talentat, sipas Mateut 25:14-30. Një burrë që duhej të bënte një udhëtim jashtë vendit, mblodhi skllevërit e tij dhe u besoi pasurinë. «Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy dhe një tjetri një; secilit sipas zotësisë së tij.» Kur zotëria u kthye për të bërë llogaritë me skllevërit, çfarë pa? Skllavi të cilit i kishte dhënë pesë talenta, kishte fituar pesë më shumë. Ngjashëm, skllavi të cilit i kishte dhënë dy talenta, kishte fituar dy talenta më shumë. Skllavi të cilit i kishte dhënë një talentë, e kishte groposur atë dhe nuk kishte bërë asgjë për të rritur pasurinë e zotërisë së tij. Si e vlerësoi zotëria situatën?
18, 19. (a) Përse nuk e krahasoi zotëria skllavin të cilit i kishte dhënë dy talenta me skllavin të cilit i kishte dhënë pesë talenta? (b) Çfarë na mëson shëmbëlltyra e talentave mbi lavdërimin dhe krahasimin? (c) Përse skllavi i tretë u gjykua në mënyrë të pafavorshme?
18 Së pari, le të shohim skllevërit të cilëve iu dhanë përkatësisht pesë dhe dy talenta. Secilit prej këtyre skllevërve, zotëria u tha: «Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik.» A do t’ia kishte thënë këtë skllavit që i kishte dhënë pesë talenta, sikur ai të kishte fituar vetëm dy? E pamundur! Nga ana tjetër, ai nuk i tha skllavit që fitoi dy talenta: «Përse nuk fitove pesë? Ja, shiko sa shumë ka fituar për mua shoku yt i skllavërisë!» Jo, zotëria i dhembshur, që të jep përfytyrimin e Jezuit, nuk bëri krahasime. Ai ia dha talentat «secilit sipas zotësisë së tij» dhe nuk priste t’i kthehej asgjë më tepër sesa secili mund të jepte. Të dy skllevërit morën të njëjtat lavdërime, sepse të dy punuan me gjithë shpirt për zotërinë e tyre. Të gjithë kemi ç’të mësojmë nga kjo.
19 Pa dyshim, skllavi i tretë nuk mori lavdërime. Përkundrazi, u hodh jashtë në errësirë. Pasi i ishte dhënë vetëm një talent, nuk pritej nga ai që të sillte aq shumë sa skllavi me pesë talente. Megjithatë, ai as nuk u përpoq. Gjykimi i pafavorshëm që mori i detyrohej në fund të fundit qëndrimit «të ligë dhe të plogët» të zemrës, që zbulonte një mungesë dashurie për zotërinë.
20. Si i shikon Jehovai kufizimet tona?
20 Jehovai pret nga ne që ta duam me gjithë forcën tonë, megjithatë, sa inkurajuese është që «ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur». (Psalmi 103:14) Proverbat 21:2 thotë se «Jehovai vlerëson zemrat» e jo statistikat. Ai kupton çdo kufizim që nuk varet nga ne, qoftë ai financiar, fizik, emocional apo të çfarëdo lloji. (Isaia 63:9) Ndërkohë, ai pret nga ne që të përdorim të gjitha burimet që mund të kemi. Jehovai është i përsosur, por në marrëdhëniet me adhuruesit e tij të papërsosur, ai nuk kërkon përsosmëri. Ai nuk është i paarsyeshëm në marrëdhëniet e tij dhe as jorealist në atë që pret prej nesh.
21. Çfarë rezultatesh të mira do të kemi, nëse shërbimi ynë ndaj Perëndisë nxitet nga dashuria?
21 Të duash Jehovain me gjithë zemër, shpirt, mendje dhe forcë, «vlen më tepër se sa gjithë olokaustet dhe flijimet». (Marku 12:33) Nëse nxitemi nga dashuria, atëherë do të bëjmë gjithçka që mundemi në shërbim të Perëndisë. Pjetri shkroi se nëse cilësitë hyjnore, duke përfshirë dashurinë, «ekzistojnë në ju dhe janë me bollëk, ato do t’ju ndalojnë të jeni joaktivë dhe të pafrytshëm lidhur me njohurinë e saktë të Zotërisë sonë Jezu Krisht».—2. Pjetrit 1:8, BR.
[Shënimi]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc, (angl.).
Rishikim
◻ Cila duhet të jetë forca nxitëse në shërbimin që i bëjmë Perëndisë?
◻ Si na detyron dashuria e Krishtit t’i shërbejmë Jehovait?
◻ Cilin shqetësim të farisenjve duhet të shmangim?
◻ Përse nuk është e mençur të krahasojmë shërbimin tonë me atë të të krishterëve të tjerë?
[Figurat në faqen 16]
Aftësitë, qëndrueshmëria dhe rrethanat e një individi ndryshojnë