Pyetje nga lexuesit
Çfarë duhet të bëjë një i krishterë kur i kërkohet të marrë pjesë në një trup gjykues?
Në disa vende, sistemi gjyqësor përdor trupa gjykues të zgjedhur nga një grup qytetarësh. Atje ku mbizotëron kjo gjë, një i krishterë duhet të vendosë se si të përgjigjet, kur i kërkohet të paraqitet për të marrë pjesë në një trup gjykues. Shumë të krishterë, kanë nxjerrë me ndërgjegje të qetë përfundimin se parimet biblike nuk ndalojnë paraqitjen për një gjë të tillë, ashtu si Shadraku, Meshaku dhe Abednego zbatuan direktivën e qeverisë babilonase për t’u paraqitur në fushën e Duras, apo ashtu si Jozefi dhe Maria që, sipas direktivës së autoriteteve romake, shkuan në Bethlehem. (Danieli 3:1-12; Luka 2:1-4) Megjithatë, ka disa faktorë që mund të merren në konsideratë nga të krishterët e sinqertë.
Përdorimi i trupave gjykues nuk ndodh kudo. Në disa vende, për çështjet civile dhe penale, vendimi merret nga një gjykatës profesionist apo nga një grup gjykatësish. Gjetkë, mbizotëron ai që njihet si ligji i zakonshëm dhe trupat gjykues janë pjesë e procesit gjyqësor. Por ende, pjesa më e madhe e njerëzve kanë vetëm një ide të turbullt mbi mënyrën e zgjedhjes së trupave gjykues dhe për atë që bëjnë ata. Prandaj, një shikim i hedhur mbi këto gjëra do të jetë i dobishëm, ndeshesh apo jo me pjesëmarrjen në një trup gjykues.
Pjesëtarët e popullit të Jehovait njohin si Gjykatës Suprem, Jehovain. (Isaia 33:22) Në Izraelin e lashtë, burra me përvojë që ishin të drejtë dhe të paanshëm, shërbenin si gjykatës për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të marrë vendime në lidhje me çështjet e ligjit. (Dalja 18:13-22; Levitiku 19:15; Ligji i përtërirë 21:18-21) Në kohën kur Jezui ndodhej në tokë, funksioni gjyqësor kryhej nga Sinedri, gjykata e lartë judeje. (Marku 15:1; Veprat 5:27-34) Nuk ekzistonte asnjë klauzolë që një jude i zakonshëm të ishte në një trup gjykues civil.
Vende të tjera përdorën trupa gjykues të përbërë nga qytetarë. Sokrati u gjykua nga 501 anëtarë të trupit gjykues. Gjykimi me anë të trupit gjykues ekzistonte edhe në Republikën Romake, megjithëse nën sundimin e perandorëve, ishte hequr. Më vonë, mbreti i Anglisë, Henri III, mori masën që i akuzuari të gjykohej nga fqinjët e tij. U mendua që meqenëse e njihnin të akuzuarin, gjykimi i tyre do të ishte më i drejtë sesa procedurat, sipas së cilave i akuzuari përpiqej të provonte pafajësinë e tij, duke luftuar apo duke mbijetuar nga ndonjë provë shumë e rëndë. Ndërsa kalonte koha, sistemi gjyqësor ndryshoi në një rregullim, sipas së cilit një grup qytetarësh duhej ta dëgjonte çështjen dhe ta merrte vendimin, duke u bazuar tek dëshmitë. Në lidhje me çështjet e dëshmisë, ata drejtoheshin nga një gjykatës profesionist.
Ekziston një varietet në llojet e trupave gjykues, në numrin e anëtarëve të tyre dhe në atë që përfshin marrja e një vendimi. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, një trup i madh gjykues, me nga 12 deri 23 anëtarë, vendos nëse ka dëshmi të mjaftueshme që një person të paditet për një shkelje kriminale; ai nuk përcakton fajësinë apo pafajësinë. Ngjashëm, në një trup gjykues ekspertize (trup gjykues hetimi), anëtarët e tij peshojnë dëshmitë, për të vendosur nëse është kryer apo jo një krim.
Kur pjesa më e madhe e njerëzve mendojnë trupin gjykues, kanë parasysh një grup prej 12 qytetarësh në një gjykim, të cilët dëgjojnë dëshmitë për të vendosur fajësinë ose pafajësinë, qoftë për një mosmarrëveshje civile apo për një çështje penale. Ky është trup gjykues i vogël, në kontrast me një trup gjykues të madh. Në përgjithësi, gjykata u dërgon njoftime që të paraqiten për të marrë pjesë në një trup gjykues, individëve të zgjedhur nga listat e votuesve, shoferëve me patentë apo të tjerëve si këta. Disa individë, si për shembull kriminelët e dënuar dhe ata që janë të paaftë mendërisht, mund të skualifikohen automatikisht. Në varësi nga ligji lokal, të tjerë, si: mjekë, klerikë, avokatë apo pronarë të aktiviteteve të vogla tregtare, mund të kërkojnë përjashtimin prej kësaj gjëje. (Disa mund të përjashtohen, sepse kanë kundërshtime personale të forta të ndërgjegjes, ndaj shërbimit në trupin gjykues. Megjithatë, autoritetet janë duke eliminuar gjithnjë e më shumë përjashtimet, kështu që të gjithë janë të detyruar të paraqiten në lidhje me pjesëmarrjen në një trup gjykues, ndoshta herë pas here gjatë viteve.
Jo të gjithë ata që paraqiten për të marrë pjesë në një trup gjykues, ulen medoemos si anëtarë të trupit gjykues në një gjykim. Nga një grup personash, të cilëve u është kërkuar të marrin pjesë në një trup gjykues, disa zgjidhen në mënyrë të rastësishme si anëtarë të mundshëm të trupit gjykues për një çështje të veçantë. Më pas, gjykatësi identifikon palët dhe avokatët e tyre, si dhe përshkruan natyrën e çështjes. Ai dhe avokatët shqyrtojnë çdo anëtar të mundshëm të trupit gjykues. Ky është momenti për të folur hapur, nëse një person ka një arsye ndërgjegjeje për të mos e kryer këtë shërbim, për shkak të natyrës së asaj çështjeje.
Grupi duhet të reduktohet deri në numrin që do të marrë pjesë realisht, gjatë gjykimit të asaj çështjeje. Gjykatësi do të heqë ndonjë person, paanshmëria e të cilit mund të jetë e dyshimtë, për shkak të një interesi të mundshëm në lidhje me çështjen. Gjithashtu, avokatët e secilës palë, kanë prerogativën për të larguar disa prej anëtarëve të trupit gjykues. Ndonjëri, që është hequr nga ai grup i trupit gjykues, kthehet tek grupi i kandidatëve për në trupat gjykues, në pritje të një zgjedhjeje të rastit për çështje të tjera. Disa të krishterë, në këtë situatë, e kanë përdorur kohën për të bërë dëshmi joformale. Pas disa ditëve, pjesëmarrja e një personi në trupin gjykues përmbushet, ka marrë apo s’ka marrë pjesë me të vërtetë si një anëtar i trupit gjykues.
Të krishterët përpiqen ‘të merren me gjërat e tyre’ dhe jo të përzihen «në punët e të tjerëve». (1. Selanikasve 4:11; 1. Pjetrit 4:15) Kur një jude i kërkoi Jezuit që të gjykonte një çështje në lidhje me trashëgiminë, ai iu përgjigj: «O njeri, kush më vuri mua gjykatës ose ndarës përmbi ju?» (Luka 12:13, 14) Jezui erdhi për të shpallur lajmin e mirë të Mbretërisë, jo për të arbitruar çështjet ligjore. (Luka 4:18, 43) Përgjigjja e Jezuit mund ta ketë nxitur atë njeri që për zgjidhjen e grindjeve të përdorte metodën që ishte vendosur në Ligjin e Perëndisë. (Ligji i përtërirë 1:16, 17) Ndonëse pika të tilla janë të vlefshme, t’i përgjigjesh një direktive që të paraqitesh për të marrë pjesë në një trup gjykues, është ndryshe nga të qenët i përzier në punët e të tjerëve. Kjo është më e ngjashme me situatën e tre shokëve të Danielit. Qeveria babilonase i urdhëroi ata që të paraqiteshin në fushën e Durasit dhe veprimi i tyre në përputhje me të nuk dhunoi Ligjin e Perëndisë. Ajo që ata bënë më pas, siç e tregon Bibla, është një çështje tjetër.—Danieli 3:16-18.
Pasi shërbëtorët e Jehovait pushuan së qëni nën Ligjin e Moisiut, atyre iu desh që të kishin të bënin me gjykatat botërore në vende të ndryshme. Apostulli Pavël i nxiti «shenjtorët» në Korint, që të zgjidhnin mosmarrëveshjet brenda kongregacionit. Edhe pse iu referua gjykatësve të gjykatave botërore, si «të padrejtë», Pavli nuk e mohoi se gjykata të tilla kanë një vend të caktuar në trajtimin e çështjeve botërore. (1. Korintasve 6:1) Ai e mbrojti veten e tij në vendin ku mbahej gjyqit romak, madje duke ia apeluar çështjen Cezarit. Kuptohet se gjykatat botërore, në thelb nuk janë të gabuara.—Veprat 24:10; 25:10, 11.
Gjykatat botërore, janë një funksion i «autoriteteve të larta». Autoritete të tilla, «qëndrojnë të vendosura në pozitat e tyre relative nga Perëndia», si dhe bëjnë e imponojnë ligje. Pavli shkroi: «Ai është shërbëtor i Perëndisë për ty, për të mirën tënde. Por, nëse bën atë që është e keqe, ki frikë: sepse jo pa qëllim ai mban shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës për të shprehur zemërim kundër atij që praktikon atë që është e keqe.» Të krishterët nuk «kundërshtojnë autoritetin» ndërsa ai kryen funksione të tilla ligjore, sepse nuk duan të ‘marrin qëndrim kundër tij’ dhe të gjykohen.—Romakëve 13:1-4, BR; Titit 3:1.
Në drejtpeshimin e këndvështrimeve, të krishterët duhet të shqyrtojnë nëse mund t’u nënshtrohen apo jo disa kërkesave të bëra nga Cezari. Pavli këshilloi: «Jepuni të gjithave [autoriteteve të larta] detyrimet ndaj tyre, atij që kërkon taksën, taksën; atij që kërkon haraçin, haraçin; atij që kërkon frikën, një frikë të tillë.» (Romakëve 13:7, BR) Kjo është më se e qartë për sa i përket një takse në para. (Mateu 22:17-21) Nëse Cezari thotë se qytetarët duhet të japin nga koha dhe përpjekjet e tyre për të pastruar rrugët apo për të kryer një punë tjetër, që ndodhet mes funksioneve të Cezarit, çdo i krishterë duhet të vendosë nëse do t’i nënshtrohet apo jo.—Mateu 5:41.
Disa të krishterë e kanë konsideruar shërbimin në një trup gjykues, si t’i japin Cezarit atë që i përket Cezarit. (Luka 20:25) Kur merr pjesë në një trup gjykues, ke për detyrë që të dëgjosh dëshmitë dhe të japësh një opinion të ndershëm mbi çështjet e faktit apo ato të ligjit. Për shembull, në një trup gjykues të madh, anëtarët e tij vendosin nëse dëshmitë justifikojnë faktin që dikush është sjellë për t’u gjykuar; ata nuk përcaktojnë fajësinë. Po në një gjykim të zakonshëm? Në një çështje civile, një trupi gjykues mund t’i duhet të vendosë dëmshpërblimin ose kompensimin. Në një çështje penale, ata duhet të përcaktojnë nëse dëshmitë mbështetin apo jo një vendim fajësie. Disa herë ata rekomandojnë se cili dënim i parashikuar nga ligji duhet zbatuar. Atëherë, qeveria përdor autoritetin e saj «për të shprehur zemërim mbi personin që praktikon atë që është e keqe» ose «për t’i dhënë dënimin një keqbërësi».—1. Pjetrit 2:14, BR.
Ç’mund të thuhet nëse një i krishterë ndjen se ndërgjegjja e tij nuk ia lejon që të shërbejë në një trup gjykues të veçantë? Bibla nuk e përmend pjesëmarrjen në një trup gjykues, pra ai nuk mund të thotë: ‘Është në kundërshtim me fenë time që unë të shërbej në çfarëdo trupi gjykues.’ Në varësi nga çështja, ai mund të thotë se shërbimi në një trup gjykues për një çështje të veçantë, është kundër ndërgjegjes së tij personale. Mund të jetë kështu, nëse një çështje përfshin imoralitetin seksual, abortin, vrasjen pa paramendim apo një çështje tjetër, për të cilën mënyra e tij e të menduarit është formuar nga njohuria biblike, jo thjesht nga ligji botëror. Megjithatë, në realitet, është krejtësisht e mundur që gjykimi për të cilin është zgjedhur ai, të mos përfshijë çështje të tilla.
Një i krishterë i pjekur do të reflektonte, gjithashtu, mbi faktin nëse do të merrte ndonjë përgjegjësi për dënimin e dhënë nga gjykatësit. (Krahaso Zanafillën 39:17-20; 1. Timoteut 5:22.) Nëse një vendim fajësie është i gabuar dhe është vendosur dënimi me vdekje, a do të merrte një i krishterë në trupin gjykues një pjesë të fajit të gjakut? (Dalja 22:2; Ligji i përtërirë 21:8; 22:8; Jeremia 2:34; Mateu 23:35; Veprat 18:6) Në gjykimin e Jezuit, Pilati deshi të ishte «i pafajshëm për gjakun e këtij njeriu». Judenjtë thanë menjëherë: «Le të bjerë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë.»—Mateu 27:24, 25, BR.
Nëse një i krishterë paraqitet për të marrë pjesë në një trup gjykues, siç është dekretuar nga qeveria, por për shkak të ndëgjegjes së tij personale refuzon që të shërbejë në një çështje të veçantë, pavarësisht nga këmbëngulja e gjykatësit, i krishteri duhet të jetë i përgatitur për të përballuar pasojat, qoftë kjo një gjobë apo burgim.—1. Pjetrit 2:19.
Në analizë të fundit, çdo i krishterë që përballon pjesëmarrjen në një trup gjykues, duhet të përcaktojë se çfarë rruge do të ndjekë, duke u bazuar në kuptueshmërinë e tij të Biblës dhe në ndërgjegjen e vet. Disa të krishterë janë paraqitur për të marrë pjesë në një trup gjykues dhe kanë shërbyer në disa të tillë. Të tjerë janë ndjerë të shtyrë për të refuzuar, madje edhe përballë dënimit. Çdo i krishterë duhet të vendosë vetë për veten se çfarë do të bëjë dhe të tjerët nuk duhet ta kritikojnë vendimin e tij.—Galatasve 6:5.