«Cila do të jetë shenja e pranisë sate?»
«Kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e mbarimit të sistemit të gjërave.»—MATEU 24:3, BR.
1, 2. Çfarë tregon se njerëzit janë të interesuar për të ardhmen?
SHUMICA e njerëzve interesohet për të ardhmen. A interesohesh edhe ti? Në një libër të tij (Future Shock), profesori Alvin Toffler vuri në dukje «shtimin e menjëhershëm të organizatave të dhëna pas studimit të së ardhmes». Ai shtoi: «Kemi parë të lindin komisione ekspertësh të interesuar për të ardhmen; kemi parë të shfaqen revista që flasin për të ardhmen, në Angli, në Francë, në Itali, në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara; kemi parë të përhapen kurse universitare për parashikime.» Megjithatë, Toffler përfundoi: «Natyrisht, askush nuk mund ‘ta njohë’ të ardhmen në mënyrë absolute.»
2 Një libër (Signs of Things to Come) thotë: «Falli, parashikimi i së ardhmes me anë të sferës së kristaltë, astrologjia, leximi i letrave të bixhozit, . . . janë të gjitha teknika pak a shumë të ndërlikuara që na japin një ide mbi atë se çfarë na rezervon e ardhmja jonë e veçantë.» Por në vend se të përdorim këto metoda njerëzore, duhet t’i drejtohemi një burimi më të sigurt—Jehovait.
3. Përse është e përshtatshme që t’i drejtohemi Perëndisë për të njohur të ardhmen?
3 Perëndia i vërtetë deklaroi: «Në të vërtetë ashtu siç e kam menduar ashtu do të jetë, dhe ashtu si kam vendosur, kështu ka për të ndodhur.» (Isaia 14:24, 27; 42:9) Po, Jehovai ka qenë në gjendje të këshillojë njerëzimin mbi atë që do të ndodhë, shpesh duke përdorur njerëz si zëdhënës. Njëri prej këtyre profetëve shkroi: «Sepse Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve.»—Amosi 3:7, 8; 2. Pjetrit 1:20, 21.
4, 5. (a) Përse Jezui mund të na jetë një ndihmë në lidhje me të ardhmen? (b) Cilën pyetje të përbërë i bënë apostujt Jezuit?
4 Jezu Krishti ishte profeti kryesor i Perëndisë. (Hebrenjve 1:1, 2) Prandaj, le të përqendrohemi mbi njërën nga profecitë më të rëndësishme të Jezuit, e cila parathotë gjëra që po ndodhin tani përreth nesh. Kjo profeci na lejon të kuptojmë atë që do të ndodhë së shpejti, kur sistemi i tanishëm i lig do të mbarojë dhe Perëndia do ta zëvendësojë me një parajsë tokësore.
5 Jezui provoi se ishte një profet. (Marku 6:4; Luka 13:33; 24:19; Gjoni 4:19; 6:14; 9:17) Prandaj, është e kuptueshme se përse apostujt, kur ishin ulur me të në Malin e Ullinjve, me pamjen poshtë nga Jeruzalemi, mundën ta pyesnin mbi të ardhmen: «Kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e mbarimit të sistemit të gjërave?»—Mateu 24:3; Marku 13:4, BR.
6. Cila lidhje ekziston midis Mateut 24, Markut 13 dhe Lukës 21; dhe cila pyetje duhet të ngjallë interesin tonë të zjarrtë?
6 Do ta gjesh pyetjen e tyre dhe përgjigjen e Jezuit në Mateun kapitulli 24, Marku 13 dhe Luka 21.a Në shumë aspekte këto janë tregime plotësuese, por nuk janë të njëjta. Për shembull, vetëm Luka përmend «murtaja nga një vend në tjetrin». (Luka 21:10, 11; Mateu 24:7; Marku 13:8) Sigurisht që duhet të pyesim: «Jezui po parathoshte ngjarje që do të vërtetoheshin vetëm gjatë jetës së dëgjuesve të tij, apo kishte në mendje edhe kohën tonë si dhe atë që përmban e ardhmja për ne?»
Apostujt donin të dinin
7. Për çfarë pyetën në veçanti apostujt dhe cili ishte qëllimi i përgjigjes së Jezuit?
7 Disa ditë përpara se të vritej, Jezui deklaroi se Perëndia e kishte hedhur tej Jeruzalemin, kryeqytetin e hebrenjve. Qyteti dhe tempulli i tij madhështor do të shkatërroheshin. Për këtë arsye, apostujt kërkuan një «shenjë të pranisë së Jezuit dhe të mbarimit të sistemit të gjërave». (Mateu 23:37-24:3, BR) Natyrisht, mbi të gjitha ata mendonin sistemin judaik dhe Jeruzalemin, nuk arrinin të kapnin rëndësinë e asaj që duhej të ndodhte. Megjithatë, kur iu dha përgjigjen në lidhje me vitin 70 të e.s., Jezui vështroi shumë më larg se ajo kohë në të cilën romakët shkatërruan Jeruzalemin.—Luka 19:11; Veprat 1:6, 7.
8. Cilat ishin disa nga ngjarjet që parashikoi Jezui?
8 Siç mund të lexosh në tri tregimet e Ungjijve, Jezui tha se do të ngrihej komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie, se do të kishte mungesa ushqimesh dhe tërmete, pamje të frikshme dhe shenja në qiell. Në vitet pasi Jezui dha atë shenjë (33 e.s.) dhe para se të shkatërrohej Jeruzalemi (66-70 e.s.) do të lindnin edhe profetë dhe Krishtër të rremë. Hebrenjtë do t’i persekutonin të krishterët që predikonin mesazhin e Jezuit.
9. Në ç’mënyrë u plotësua profecia e Jezuit në shekullin e parë të e.s.?
9 Këto aspekte të shenjës u shfaqën, siç vërteton edhe historiani Josif Flaviu. Ai shkroi se përpara sulmit të romakëve, Mesitë e rremë nxitën kryengritjen. Në Jude dhe kudo ranë tërmete të frikshme. Në pjesë të ndryshme të Perandorisë Romake shpërthyen luftëra. A pati mungesa të mëdha ushqimesh? Po, pati. (Krahaso Veprat 11:27-30.) Çfarë mund të themi për veprën e predikimit të Mbretërisë? Rreth vitit 60 apo 61 të e.s., kur u shkrua libri i Kolosianëve, «shpresa e atij lajmi të mirë» të Mbretërisë ishte dëgjuar kudo: në Afrikë, në Azi dhe në Evropë.b—Kolosianëve 1:23.
«ATËHERË» fundi
10. Përse duhet t’i kushtojmë kujdes fjalës greke toʹte dhe cila është domethënia e saj?
10 Në disa aspekte, Jezui i paraqiti ngjarjet e ardhshme sikur do të ndodhnin më vonë. Ai tha: «Ky lajm i mirë i Mbretërisë do të predikohet, . . . dhe atëherë do të vijë fundi.» Disa Bibla, zakonisht e përdorin «atëherë» me kuptimin e thjeshtë «pastaj». (Marku 14:15, 17; 13:23) Megjithatë, në Mateun 24:14 termi «atëherë» bazohet në ndajfoljen greke toʹte.c Studiuesit e greqishtes thonë se toʹte është një «ndajfolje dëftore e kohës», e përdorur «për t’i paraprirë një ngjarjeje të ardhshme». Prandaj, Jezui paratha se do të ndodhte predikimi i Mbretërisë dhe atëherë (‘pas kësaj’ apo ‘pastaj’) do të vinte fundi. Cili fund?
11. Në ç’mënyrë u përqendrua Jezui mbi ngjarjet që lidheshin direkt me shkatërrimin e Jeruzalemit?
11 Një përmbushje të profecisë së Jezuit mund ta gjejmë në ngjarjet që çuan në fundin e sistemit judaik. Luftëra, tërmete, mungesë ushqimesh dhe gjëra të tjera që Jezui paratha ndodhën me të vërtetë në ato tri dekada. Por, duke filluar nga Mateu 24:15, Marku 13:14 dhe Luka 21:20, lexojmë mbi ngjarje që lidheshin direkt me shkatërrimin e pashmangshëm të Jeruzalemit, me kohën kur fundi do të ishte në prag të derës.—Vërej në tabelë vijën teke të ndarë.
12. Si u përfshinë ushtritë romake në përmbushjen e Mateut 24:15?
12 Në përgjigje të revoltës së hebrenjve në vitin 66 të e.s., romakët nën udhëheqjen e Çestius Galus marshuan drejt Jeruzalemit dhe e rrethuan këtë qytet që konsiderohej i shenjtë nga hebrenjtë. (Mateu 5:35) Me gjithë kundërsulmet e hebrenjve, romakët ia dolën mbanë të hynin në qytet. Në këtë mënyrë, filluan «të vendoseshin në vendin e shenjtë», siç kishte parathënë Jezui në Mateun 24:15 dhe në Markun 13:14. Pastaj ndodhi një surprizë. Edhe pse e kishin rrethuar qytetin, romakët u tërhoqën papritur. Të krishterët e kuptuan menjëherë përmbushjen e profecisë së Jezuit dhe tërheqja u lejoi atyre të iknin nga Judea në malet përtej Jordanit. Historia thotë se ata vepruan kështu.
13. Përse të krishterët ishin në gjendje t’i vinin veshin paralajmërimit të Jezuit për t’u larguar?
13 Por nëse romakët ishin tërhequr nga Jeruzalemi, përse atëherë duhej të iknin? Fjalët e Jezuit treguan se gjithë sa kishte ndodhur ishte prova që tregonte se «shkretimi i Jeruzalemit ishte afër». (Luka 21:20) Po, shkretimi. Ai paratha «një mjerim që nuk kishte ndodhur që nga fillimi dhe nuk do të ndodhte më». Rreth tre vjet e gjysmë më vonë, në vitin 70 të e.s., Jeruzalemi pësoi në fakt një «mjerim të madh» nga dora e ushtrive romake nën komandën e gjeneralit Titi. (Mateu 24:21; Marku 13:19) Por, përse Jezui do ta përshkruante atë si më të madhin nga çdo mjerim i mëparshëm ose i ardhshëm?
14. Përse mund të themi se ajo që ndodhi në Jeruzalem në vitin 70 të e.s. ishte një «mjerim i madh» që nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe as që do të ndodhte më pas?
14 Jeruzalemi ishte shkretuar nga babilonasit në vitin 607 p.e.s. dhe qyteti ka qenë arenë e luftimeve të tjera të tmerrshme gjatë shekullit tonë. Por ajo që ndodhi në vitin 70 të e.s. ishte një mjerim i madh në një kuptim të veçantë. Me një fushatë prej rreth pesë muajsh, ushtarët romakë të Titit i shpartalluan hebrenjtë. Ata vranë rreth 1.100.000 veta dhe bënë skllevër rreth 100.000 të tjerë. Për më tepër, romakët shkatërruan Jeruzalemin. Kjo tregoi se sistemi hebre i mëparshëm i aprovuar i adhurimit, që ishte përqendruar në tempullin e tyre, mori fund përfundimisht. (Hebrenjve 1:2) Po, ngjarjet e vitit 70 të e.s. me të drejtë mund të konsideroheshin si një «mjerim që nuk ka ndodhur [në atë qytet, komb dhe sistem] që nga fillimi i botës, jo, as nuk do të ndodhë më».—Mateu 24:21, BR.d
Siç u profetizua, kishte akoma për të ndodhur
15. (a) Cilat ngjarje paratha Jezui se do të vinin pas mjerimit mbi Jeruzalem? (b) Duke parë Mateun 24:23-28, çfarë përfundimi duhet të nxjerrim mbi përmbushjen e profecisë së Jezuit?
15 Megjithatë, Jezui nuk e kufizoi parashikimin e tij në mjerimin e shekullit të parë. Bibla tregon se do të ndodhnin shumë gjëra pas atij mjerimi, siç të bën të mendosh edhe përdorimi i ndajfoljes toʹte apo «atëherë», në Mateun 24:23 dhe në Markun 13:21. Çfarë duhej të ndodhte në periudhën pas vitit 70 të e.s.? Pasi të ndodhte ai mjerim mbi sistemin judaik, do të shfaqeshin Krishtër dhe profetë të tjerë të rremë. (Krahaso Markun 13:6 me 13:21-23.) Historia konfirmon se gjatë shekujve, pas shkatërrimit të Jeruzalemit në vitin 70 të e.s., kanë dalë shumë të tillë, megjithëse nuk i kanë mashtruar njerëzit që kanë një pamje të mprehtë frymore dhe që kërkojnë të dallojnë «praninë» e Krishtit. (Mateu 24:27, 28) Megjithatë, ngjarjet e ndodhura pas mjerimit të vitit 70 të e.s. janë një tregues i faktit që Jezui vështronte përtej atij mjerimi që ishte vetëm një përmbushje fillestare.
16. Çfarë aspekti i shton profecisë së Jezuit Luka 21:24 dhe çfarë domethënie ka kjo?
16 Nëse do të krahasonim Mateun 24:15-28 dhe Markun 13:14-23 me Lukën 21:20-24, do të gjenim një tregues të dytë që tregon se profecia e Jezuit shtrihej shumë më tej se shkatërrimi i Jeruzalemit. Mos harro se vetëm Luka i kishte përmendur murtajat. Ngjashëm, vetëm ai e përfundoi këtë pjesë me fjalët e Jezuit: «Jeruzalemi do të shkelet nga kombet, derisa të plotësohen kohët e caktuara të kombeve [“kohët e paganëve”, King James Version].»e (Luka 21:24, BR) Babilonasit e kishin shfronësuar mbretin e fundit të hebrenjve në vitin 607 p.e.s. dhe që atëherë Jeruzalemi, që përfaqësonte Mbretërinë e Perëndisë, ishte shkelur. (2. Mbretërve 25:1-26; 1. Kronikat 29:23; Ezekieli 21:25-27) Në Lukën 21:24, Jezui tregoi se kjo situatë do të vazhdonte në të ardhmen, derisa të vinte koha e caktuar prej Perëndisë për të rivendosur Mbretërinë.
17. Cili është treguesi i tretë që profecia e Jezuit duhej të shtrihej në të ardhmen e largët?
17 Ka pastaj një tregues të tretë se Jezui po tregonte një përmbushje të largët: sipas Shkrimeve, Mesia duhej të vdiste, të ringjallej dhe pas kësaj do të ulej në të djathtën e Perëndisë, derisa i Ati ta dërgonte për të nënshtruar. (Psalmi 110:1, 2) Jezui e përmendi se duhej të ulej në të djathtë të Atit të tij. (Marku 14:62) Apostulli Pavël konfirmoi se Jezui i ringjallur ishte në të djathtën e Jehovait në pritje të kohës në të cilën do të bëhej Mbret dhe Ekzekutues hyjnor.—Romakëve 8:34; Kolosianëve 3:1; Hebrenjve 10:12, 13.
18, 19. Çfarë ndikimi ka Zbulesa 6:2-8 mbi profecinë paralele të Ungjijve?
18 Për një tregues të katërt dhe përfundimtar se profecia e Jezuit mbi përfundimin e sistemit të gjërave ka një aplikim që shkon përtej shekullit të parë, mund t’i drejtohemi Zbulesës, kapitulli 6. Duke shkruar disa dekada pas vitit 70 të e.s., apostulli Gjon përshkroi një skenë tërheqëse kalorësish në veprim. (Zbulesa 6:2-8) Ky vizion profetik i «ditës së Zotërisë»—i ditës së pranisë së tij—e identifikon shekullin e njëzetë si një kohë me luftëra të rëndësishme (vargu 4), me mungesë të përhapur ushqimesh (vargjet 5 dhe 6) dhe me «plagë vdekjeprurëse» (vargu 8). Është e qartë se kjo përputhet me atë që paratha Jezui në Ungjill dhe tregon se profecia e tij duhej të kishte një plotësim më të madh në këtë «ditë të Zotërisë».—Zbulesa 1:10.
19 Kush është i informuar mirë e di se shenja e përbërë, e parathënë në Mateun 24:7-12 dhe në Zbulesën 6:2-8, është bërë e dukshme në kohën tonë që nga shpërthimi i parë i luftës botërore në 1914-ën. Dëshmitarët e Jehovait kanë lajmëruar në të gjithë botën që plotësimi i dytë dhe më i madh i profecisë së Jezuit po ndodh pikërisht tani, siç shihet nga luftërat brutale, tërmetet shkretuese, zitë tragjike të bukës dhe nga sëmundjet që kanë marrë dhenë. Mbi këtë pikë të fundit një revistë (U.S. News & World Report, 27 korrik 1992) thotë: «Epidemia e SIDA-s . . . po shkakton miliona viktima dhe shpejt mund të bëhet goditja më e rëndë dhe më katastrofike e historisë. Në shekullin XIV murtaja vrau rreth 25 milion të mjerë. Por në vitin 2000, nga 30 deri në 110 milion njerëz do të jenë mbajtës të HIV-it, virusit që provokon SIDA-n, në krahasim me 12 milion që janë sot. Në mungesë të një kurimi, të gjithë shkojnë drejt vdekjes së sigurt.»
20. Çfarë do të përfshinte përmbushja e parë e Mateut 24:4-22 dhe cila përmbushje tjetër është e qartë?
20 Prandaj, çfarë përfundimi duhet të nxjerrim në lidhje me përgjigjen që i dha Jezui pyetjes së apostujve? Profecia e tij parathoshte saktësisht ngjarjet që çuan në shkatërrimin e Jeruzalemit dhe përmendte disa gjëra që do të ndodhnin pas vitit 70 të e.s. Por pjesa më e madhe e asaj që tha duhej të kishte një plotësim të dytë dhe më të madh në të ardhmen dhe do të arrinte kulmin në mjerimin e madh që do t’i japë fund sistemit të lig të tanishëm. Kjo do të thotë se ajo që paratha Jezui në Mateun 24:4-22, si dhe në tregimet paralele të Markut dhe Lukës, u plotësua nga viti 33 i e.s. deri në mjerimin e vitit 70 të e.s. Por, po këto vargje do të kishin një plotësim të dytë, që do të përfshinte një mjerim shumë më të madh në të ardhmen. Ky plotësim më i madh po ndodh tani; ne mund ta shohim atë çdo ditë.f
Në çfarë do të çonin?
21, 22. Ku e gjejmë një tregues profetik që na bën të kuptojmë se duhej të ndodhnin edhe zhvillime të tjera?
21 Jezui nuk e përfundoi profecinë e tij duke përmendur profetët e rremë që do të kryenin shenja mashtruese gjatë periudhës së gjatë, derisa «kohët e caktuara të kombeve të plotësoheshin». (Luka 21:24; Mateu 24:23-26; Marku 13:21-23) Ai vazhdoi të thoshte se do të ndodhnin gjëra të tjera të çuditshme, gjëra që do të shiheshin në të gjithë tokën. Këto do të shoqëroheshin me ardhjen e Birit të njeriut në fuqi dhe lavdi. Marku 13:24-27 është përfaqësues i vazhdimit të profecisë së tij:
22 «Por në ato ditë, pas atij mjerimi, dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të japë më dritën e saj dhe yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë që ndodhen në qiej do të tunden. Dhe atëherë do të shohin Birin e njeriut të vijë nëpër re, me fuqi të madhe dhe lavdi. Dhe pastaj ai do të dërgojë engjëjt dhe do të grumbullojë të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga skajet e tokës deri në skajet e qiellit.» (BR).
23. Përse duhet ta kërkojmë përmbushjen e Mateut 24:29-31 shumë kohë pas shekullit të parë të e.s.?
23 Biri i njeriut, që është Jezu Krishti i ringjallur, nuk erdhi në mënyrë spektakulare pas fundit shkatërrues të sistemit judaik në vitin 70 të e.s. Dhe sigurisht, të gjitha fiset e tokës nuk e njohën atë, siç vëren Mateu 24:30, as engjëjt e qiellit nuk i mblodhën të gjithë të mirosurit e krishterë nga e tërë toka. Prandaj, kur do të plotësohej kjo pjesë e mëtejshme e profecisë së mrekullueshme të Jezuit? A po plotësohet vallë në ngjarjet që ndodhin përreth nesh pikërisht tani, apo për më tepër na jep mendjehollësi hyjnore për të dalluar gjërat që mund të presim në të ardhmen e afërt? Patjetër që duam të dimë, sepse Luka përmban këtë nxitje të Jezuit: «Kur këto gjëra të fillojnë të ndodhin, çohuni dhe ngrini kokat lart, sepse lirimi juaj është afër».—Luka 21:28, BR.
[Shënimet]
a Disa pjesë të këtyre kapitujve mund të gjenden në tabelën në faqen 14 dhe 15; vijat ndajnë grupet e pjesëve paralele.
b Për citime historike mbi këto ngjarje shiko Kullën e Rojës të 15 janarit 1970, faqe 43-45, angl.
c Toʹte shfaqet mbi 80 herë në Mateun (9 herë në kapitullin 24) dhe 15 herë në librin e Lukës. Marku e përdori toʹte vetëm gjashtë herë, katër prej të cilave kishin lidhje me «shenjën».
d Shkrimtari britanik Matthew Henry komentoi: «Shkatërrimi i Jeruzalemit prej kaldeasve qe absolutisht i frikshëm, por ky e tejkaloi. Kërcënoi zhdukjen e përgjithshme të të gjithë . . . hebrenjve.»
e Shumë veta vërejnë një ndryshim në tregimin e Lukës pas kreut 21:24 të ungjillit të tij. Dr. Leon Morris vëren: «Jezui vazhdon të flasë për kohët e paganëve. . . . Siç mendon shumica e studiuesve, vëmendja tani zhvendoset mbi ardhjen e Birit të njeriut.» Profesori R. Ginns shkruan: «Ardhja e Birit të njeriut—(Mt 24:29-31; Mr 13:24-27). Përmendja e ‘kohëve të paganëve’ siguron një parathënie për këtë temë; Perspektiva [e Lukës] shtrihet tani përtej shkatërrimit të Jeruzalemit, në të ardhmen.»
f Profesori Walter L. Liefeld shkruan: «Sigurisht që është e mundur të mendojmë se parashikimet e Jezuit përfshijnë dy faza: (1) ngjarjet e vitit 70 pas Krishtit në lidhje me tempullin dhe (2) ato në të ardhmen e largët, të përshkruara me terma më apokaliptike.» Komentuesi i botuar nga J. R. Dummelow thotë: «Shumë nga vështirësitë kryesore të këtij fjalimi madhështor zhduken nëse mbahet parasysh se aty Zotëria ynë nuk iu referua një ngjarjeje të vetme, po dy dhe se e para ishte tipike e së dytës. . . . Veçanërisht [Luka] 21:24, që flet për ‘kohët e paganëve’, . . . vendos një interval të pacaktuar midis rënies së Jeruzalemit dhe fundit të botës.»
A të kujtohet?
◻ Si u përmbush deri në vitin 70 të e.s. përgjigjja që Jezui i dha pyetjes që gjendet në Mateun 24:3?
◻ Si na ndihmon përdorimi i fjalës toʹte për të kuptuar profecinë e Jezuit?
◻ Në ç’kuptim pati në shekullin e parë një «mjerim të madh», të tillë që s’kishte ndodhur më parë?
◻ Cilat janë dy aspektet e veçanta të profecisë së Jezuit, të përmendura vetëm nga Luka, që na përfshijnë edhe ne sot?
◻ Cilët tregues të bëjnë të mendosh për një përmbushje të dytë dhe më të madhe të profecisë në Mateun 24:4-22?
[Tabela në faqet 14, 15]
4 Jezui u tha atyre: «Shikoni që askush të mos ju mashtrojë; 5 sepse shumë njerëz do të vijnë në emrin tim, duke thënë: ‛Unë jam Krishti’ dhe do të mashtrojnë shumicën. 6 Do të dëgjoni për luftëra dhe raporte luftërash; shikoni të mos tmerroheni. Sepse këto gjëra duhet të ndodhin, por akoma nuk është fundi.
7 Sepse do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie, dhe do të ketë mungesa ushqimi dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin. 8 Të gjitha këto janë fillim i dhembjeve të mjerimit.
9 Atëherë njerëzit do t’ju dorëzojnë në mjerim dhe do t’ju vrasin dhe do të jeni objekte të urrejtjes nga të gjitha kombet për shkak të emrit tim. 10 Atëherë, gjithashtu shumë do të pengohen dhe do të tradhtojnë njëri-tjetrin dhe do të urrejnë njëri-tjetrin. 11 Dhe do të ngrihen shumë profetë të rremë dhe do të mashtrojnë shumicën; 12 dhe për shkak të rritjes së paligjshmërisë, dashuria e shumicës do të ftohet. 13 Por ai që do të durojë deri në fund do të shpëtojë. 14 Dhe ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar për dëshmi në të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.
------------------------------------------------------------------
15 Prandaj, kur të vëreni gjënë e neveritshme që shkakton shkretim, siç ishte thënë përmes profetit Daniel, që qëndron në vendin e shenjtë, (lexuesi le të përdorë mendjehollësi) 16 atëherë ata në Judejë le të fillojnë të ikin në male. 17 Njeriu mbi çati le të mos zbresë poshtë për të marrë plaçkat nga shtëpia e tij; 18 dhe njeriu në fushë le të mos kthehet në shtëpi për të marrë rrobat e tij të jashtme. 19 Mjerë gruaja shtatzënë në ato ditë dhe ajo që ushqen foshnjën! 20 Vazhdoni të luteni që ikja juaj të mos ndodhë në kohë dimri e as ditën e shtunë; 21 sepse atëherë do të jetë mjerim i madh i tillë që nuk ka ndodhur kurrë qysh nga fillimi i botës e deri tani, jo, as do të ndodhë përsëri. 22 Në fakt, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë trup s’do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve ato ditë do të shkurtohen.
------------------------------------------------------------------
23 Atëherë nëse ndokush ju thotë: ‛Shikoni! Këtu është Krishti’ ose ‛Atje!’, mos besoni. 24 Sepse do të ngrihen Krishtër dhe profetë të rremë dhe do të japin shenja dhe mrekulli që të mashtrojnë, nëse është e mundur, madje edhe të zgjedhurit. 25 Shikoni! Ju kam paralajmëruar. 26 Prandaj, nëse njerëzit ju thonë: ‛Shikoni! Ai është në shkretëtirë’, mos dilni jashtë; ‛Shikoni! Ai është në dhomat e brendëshme’, mos i besoni. 27 Sepse, ashtu si vetëtima del prej lindjes dhe shkëlqen deri në perëndim, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut. 28 Kudo që është mishi, aty do të mblidhen shqiponjat.
------------------------------------------------------------------
------------------------------------------------------------------
29 Menjëherë pas mjerimit të atyre ditëve dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të japë dritën e saj dhe yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të shemben. 30 Dhe atëherë shenja e Birit të njeriut do të shfaqet në qiell dhe atëherë të gjitha fiset e tokës do të godasin veten me ankime dhe do të shohin Birin e njeriut të vijë mbi retë e qiellit, me forcë e lavdi të madhe. 31 Dhe ai do të dërgojë engjëjt e tij me tingull të fortë trombe dhe do të mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga njëri skaj i qiejve në tjetrin.» (BR)
5 Kështu Jezui filloi t’u thoshte: «Shikoni me kujdes që askush të mos ju mashtrojë. 6 Shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: ‛Unë jam’ dhe do të mashtrojnë shumë njerëz. 7 Përveç kësaj, kur të dëgjoni për luftëra dhe raporte luftërash, mos u tmerroni; këto gjëra duhet të ndodhin, por akoma nuk është fundi.
8 Sepse do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie, dhe do të ketë tërmete nga njëri vend në tjetrin, do të ketë mungesa ushqimi. Këto janë fillimi i dhembjeve të mjerimit.
9 Por ju, ruajeni veten; njerëzit do t’ju dorëzojnë në gjyqet lokale dhe do t’ju rrahin në sinagoga dhe do të qëndroni para guvernatorëve dhe mbretërve për hirin tim, për dëshmi të tyre. 10 Po ashtu, në të gjitha kombet së pari duhet të predikohet lajmi i mirë. 11 Por kur t’ju çojnë për t’ju dorëzuar, mos u shqetësoni që më parë se ç’do të thoni; por çfarëdo që ju jepet në atë çast, atë thuajeni, sepse nuk jeni ju që flisni, por fryma e shenjtë. 12 Gjithashtu, vëllai do ta dorëzojë të vëllanë për vdekje dhe babai fëmijën, dhe fëmijët do të ngrihen kundër prindërve dhe do t’i vrasin; 13 dhe do të jeni objekt i urrejtjes nga të gjithë njerëzit për shkakun e emrit tim. Por ai që duron deri në fund do të shpëtojë.
------------------------------------------------------------------
14 Megjithatë, kur të vëreni gjënë e neveritshme që shkakton shkretim, duke qëndruar ku nuk duhet (lexuesi le të përdorë mendjehollësi), atëherë ata që janë në Judejë le të ikin në male. 15 Njeriu mbi çati le të mos zbresë poshtë për të marrë plaçkat nga shtëpia e tij; 16 dhe njeriu në fushë le të mos kthehet në shtëpi për të marrë rrobat e tij të jashtme. 17 Mjerë gruaja shtatzënë dhe ajo që ushqen foshnjën në ato ditë! 18 Vazhdoni të luteni që kjo të mos ndodhë në kohën e dimrit; 19 sepse ato ditë do të jenë ditë të një mjerimi të tillë që nuk ka ndodhur qysh nga fillimi i krijimit që Perëndia krijoi e deri në atë kohë, dhe s’do të ndodhë përsëri. 20 Në fakt, po të mos i shkurtonte Jehovai ditët, asnjë mish s’do të shpëtonte. Por, për shkak të të zgjedhurve që ai ka zgjedhur, i ka shkurtuar ditët.
------------------------------------------------------------------
21 Atëherë, nëse ndokush ju thotë: ‛Shikoni! Këtu është Krishti’, ‛Shikoni! Atje është’, mos besoni. 22 Sepse do të ngrihen Krishtër dhe profetë të rremë dhe do të japin shenja dhe mrekulli që të fusin në rrugë të gabuar, nëse është e mundur, të zgjedhurit. 23 Atëherë, kini kujdes; të gjitha gjërat jua kam thënë që më parë.
------------------------------------------------------------------
------------------------------------------------------------------
24 Por në ato ditë, pas atij mjerimi, dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të japë më dritën e saj 25 dhe yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë që ndodhen në qiej do të tunden. 26 Dhe atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur nëpër re me fuqi të madhe dhe lavdi. 27 Dhe atëherë ai do të dërgojë engjëjt dhe do të grumbullojë të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga skajet e tokës deri në skajet e qiellit.» (BR)
8 Ai tha: «Shikoni të mos mashtroheni; sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: ‛Jam unë’ dhe ‛Koha e caktuar është afruar’. Mos shkoni pas tyre. 9 Përveç kësaj, kur dëgjoni mbi luftëra dhe çrregullime, mos u tmerroni. Sepse duhet të ndodhin këto gjëra së pari, por fundi s’do të ndodhë menjëherë».
10 Atëherë ai vazhdoi duke u thënë: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie; 11 dhe do të ketë tërmete të mëdha dhe nga njëri vend në tjetrin murtaja dhe mungesa ushqimi; dhe do të ketë pamje të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli.
12 Por para të gjitha këtyre gjërave njerëzit do të shtrijnë duart mbi ju dhe do t’ju persekutojnë, duke ju dorëzuar në sinagoga dhe burgje, do të tërhiqeni zvarrë para mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim. 13 Kjo do t’ju ndodhë për dëshmi. 14 Prandaj, vendosni në zemrat tuaja që të mos bëni prova më parë se si të mbroheni, 15 sepse unë do t’ju jap gojë dhe mençuri, së cilës të gjithë kundërshtarët tuaj së bashku s’do të jenë të aftë t’i rezistojnë apo ta kundërshtojnë. 16 Përveç kësaj, do t’ju dorëzojnë madje edhe prindërit dhe vëllezërit dhe kushërinjtë dhe shokët dhe disa prej jush do t’i dorëzojnë në vdekje; 17 do të jeni objekt i urrejtjes nga të gjithë njerëzit për shkak të emrit tim. 18 Megjithatë, asnjë flok i kokës s’do t’ju humbasë. 19 Duke treguar durim do të fitoni shpirtrat tuaj.
------------------------------------------------------------------
20 Përveç kësaj, kur të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë ta dini se është afruar shkatërrimi i tij. 21 Atëherë, ata që janë në Judejë le të fillojnë të ikin në male dhe ata në qendër të saj le të tërhiqen dhe ata në fshatra le të mos hyjnë në të; 22 sepse këto janë ditë për ndarjen e drejtësisë, që të gjitha gjërat e shkruara të mund të plotësohen. 23 Mjerë gruaja shtatzënë dhe ajo që ushqen foshnjën në ato ditë! Sepse do të ketë varfëri të madhe mbi tokë dhe zemërim në këta njerëz; 24 dhe do të bien nga tehu i shpatës dhe do të çohen në robëri në të gjitha kombet;
------------------------------------------------------------------
dhe Jeruzalemi do të shkelet nga kombet, derisa të plotësohen kohërat e caktuara të kombeve.
------------------------------------------------------------------
------------------------------------------------------------------
25 Po ashtu, do të ketë shenja në diell dhe në hënë dhe në yje dhe mbi tokë ankth i kombeve, duke mos ditur për dalje, për shkak të stuhisë së detit dhe shqetësimit të tij, 26 ndërsa njerëzve do t’u bjerë të fikët për shkak të frikës dhe pritjes së gjërave që vijnë mbi tokën e banuar; sepse fuqitë e qiejve do të lëkunden. 27 Dhe atëherë ata do të shohin Birin e njeriut duke ardhur në re me fuqi dhe lavdi të madhe. 28 Por kur këto gjëra të fillojnë të ndodhin, çohuni dhe ngrini kokat lart, sepse lirimi juaj është afër.» (BR)
[Figura në faqen 10]
Mjerimi i vitit 70 të e.s. ishte më i madhi që kishte pllakosur ndonjëherë mbi Jeruzalemin dhe sistemin hebre