Sipas Lukës
21 Tani, Jezui ngriti sytë dhe pa të pasurit që po hidhnin dhuratat e tyre në arkat* e thesarit.+ 2 Atje pa edhe një vejushë të varfër, që hodhi dy monedha me vlerë shumë të vogël*+ 3 dhe tha: «Vërtet po ju them se kjo vejushë e varfër hodhi më shumë se gjithë të tjerët,+ 4 sepse ata të gjithë hodhën dhurata nga tepricat, kurse ajo, në skamjen* e saj, hodhi gjithçka kishte për të jetuar.»+
5 Më vonë, kur disa po flisnin për tempullin, se si ishte stolisur me gurë madhështorë dhe me dhurata kushtuar Perëndisë,+ 6 ai tha: «Sa për këto gjëra që po shihni tani, do të vijnë ditët kur këtu nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrëzuar.»+ 7 Atëherë ata e pyetën: «Mësues, kur do të ndodhin vërtet këto gjëra dhe cila do të jetë shenja kur këto gjëra do të jenë afër?»+ 8 Ai u përgjigj: «Kujdes se mos mashtroheni,+ sepse shumë veta do të vijnë, dhe duke përdorur emrin tim, do të thonë: ‘Unë jam ai’ dhe ‘Koha e caktuar është afruar’, por ju mos shkoni pas tyre.+ 9 Për më tepër, kur të dëgjoni të flitet për luftëra dhe trazira,* mos u tmerroni sepse më parë duhet të ndodhin këto gjëra, por fundi nuk do të vijë menjëherë.»+
10 Pastaj tha: «Do të ngrihet komb kundër kombi+ dhe mbretëri kundër mbretërie,+ 11 do të ketë tërmete të mëdha, mungesa ushqimi dhe murtaja+ nga njëri vend në tjetrin; do të ketë fenomene të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli.
12 Por, para se të ndodhin gjithë këto gjëra, njerëzit do t’ju kapin, do t’ju përndjekin+ dhe do t’ju dorëzojnë në sinagoga e burgje. Për shkak të emrit tim do t’ju nxjerrin para guvernatorëve e mbretërve,+ 13 që të jepni dëshmi para tyre. 14 Jini, pra, të vendosur* të mos përgatitni që më parë çfarë do të thoni në mbrojtjen tuaj,+ 15 sepse unë do t’ju jap mençuri dhe fjalët e duhura, që gjithë kundërshtarët tuaj së bashku të mos jenë në gjendje t’ju kundërvihen ose t’ju kundërpërgjigjen.+ 16 Veç kësaj do t’ju tradhtojnë edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë, dhe ata do të jenë shkaktarët e vdekjes suaj.+ 17 Për shkak të emrit tim, të gjithë do t’ju urrejnë.+ 18 E megjithatë, asnjë fije floku nuk do t’ju humbasë.+ 19 Me qëndrueshmërinë tuaj do të shpëtoni jetën.*+
20 Megjithatë, kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë që kanë ngritur kampin përreth,+ dijeni se shkretimi i tij është afruar.+ 21 Atëherë ata që janë në Jude, të fillojnë të ikin me të shpejtë në male,+ ata që janë brenda qytetit, të largohen dhe ata që janë në fshatra, të mos hyjnë në qytet, 22 sepse në ato ditë do të vihet në vend drejtësia,* që të përmbushen të gjitha gjërat e shkruara. 23 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që kanë foshnjë në gji ato ditë,+ sepse do të ketë vështirësi* të mëdha në vend dhe një zemërim i furishëm do të bjerë kundër këtij populli! 24 Ata do të bien nga tehu i shpatës e do t’i çojnë robër nëpër të gjitha kombet,+ kurse Jerusalemin do ta shkelin kombet* me këmbë, derisa të përmbushen kohët e caktuara të kombeve.*+
25 Gjithashtu do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje,+ kurse në tokë, kombet do t’i zërë ankthi, sepse nuk do të dinë nga t’ia mbajnë nga gjëmimi dhe trazimi i detit. 26 Njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja e ankthshme se ç’do të ndodhë në tokën e banuar, sepse qiejt* do të shkunden. 27 Atëherë do të shohin Birin e njeriut+ duke ardhur në re me fuqi dhe lavdi të madhe.+ 28 Megjithatë, kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, drejtoni trupin dhe ngrini kokën lart, sepse çlirimi juaj po afrohet.»
29 Pastaj u tregoi një ilustrim: «Vëreni fikun dhe gjithë pemët e tjera.+ 30 Kur shihni se kanë lëshuar sythe, ju e dini se vera është afër. 31 Po ashtu edhe ju, kur t’i shihni të ndodhin këto gjëra, dijeni se Mbretëria e Perëndisë është afër. 32 Vërtet po ju them se ky brez nuk do të marrë fund kurrsesi, pa ndodhur të gjitha gjërat.+ 33 Qielli dhe toka do të marrin fund,* por fjalët e mia do të mbeten përgjithmonë.*+
34 Prandaj kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen kurrë zemrat nga të ngrënët dhe të pirët e tepërt,+ e nga ankthet e jetës,+ që ajo ditë të mos ju zërë befas si një lak,+ 35 sepse ajo do të vijë mbi të gjithë ata që banojnë në mbarë faqen e dheut. 36 Rrini zgjuar,+ duke u përgjëruar pareshtur,+ që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që duhet të ndodhin dhe të qëndroni para Birit të njeriut.»+
37 Kështu, ditën mësonte në tempull, kurse natën dilte dhe e kalonte në malin e quajtur Mali i Ullinjve. 38 Herët në mëngjes, gjithë njerëzit shkonin tek ai në tempull që ta dëgjonin.