ARTIKULLI I STUDIMIT 15
Çfarë mësojmë nga fjalët e fundit të Jezuit
«Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë kam miratuar. Dëgjojeni.»—MAT. 17:5.
KËNGA 17 «Po, dua!»
PËRMBLEDHJEa
1-2. Përshkruani në çfarë rrethanash i tha Jezui fjalët e fundit para vdekjes.
ËSHTË 14 nisan i vitit 33 të e.s. Pasi e përbaltin me akuza të rreme dhe e shpallin fajtor për një krim që s’e ka bërë, Jezuin e tallin, e torturojnë mizorisht dhe pastaj e gozhdojnë në një shtyllë torture. Gozhdët i shpojnë tejpërtej duart dhe këmbët. Çdo frymëmarrje, çdo fjalë që thotë, i shkakton dhimbje therëse. Por i duhet të flasë—ka gjëra të rëndësishme për të thënë.
2 Le të shqyrtojmë fjalët e Jezuit ndërsa po vdiste në shtyllën e torturës dhe mësimet që mund të nxjerrim prej tyre. Me fjalë të tjera, le ‘ta dëgjojmë’ Jezuin.—Mat. 17:5.
«O ATË, FALI»
3. Për cilët duhet ta ketë pasur fjalën Jezui kur tha «o Atë, fali»?
3 Çfarë tha Jezui? Kur po e gozhdonin në shtyllë, Jezui u lut: «O Atë, fali!» Cilët të falte? Mund ta kuptojmë nga fjalët që tha më pas: «Nuk dinë ç’po bëjnë.» (Luka 23:33, 34) Jezui duhet ta ketë pasur fjalën për ushtarët romakë që i ngulën gozhdët në duar e në këmbë. Ata nuk e dinin kush ishte në të vërtetë. Gjithashtu mund të ketë pasur ndër mend disa nga turma që kishin kërkuar të ekzekutohej, por që më vonë do të tregonin besim tek ai. (Vep. 2:36-38) Jezui nuk lejoi të mbushej me mëri e inat nga padrejtësitë që kishte hequr. (1 Pjet. 2:23) Përkundrazi, i kërkoi Jehovait t’i falte ata që po e vritnin.
4. Çfarë mund të mësojmë nga gatishmëria e Jezuit për t’i falur armiqtë e tij?
4 Ç’mund të mësojmë nga fjalët e Jezuit? Ashtu si Jezui, duhet të jemi të gatshëm t’i falim të tjerët. (Kolos. 3:13) Disa, duke përfshirë edhe të afërmit, mbase na kundërvihen ngaqë nuk i kuptojnë bindjet tona dhe mënyrën si jetojmë. Ata mund të na përbaltin me gënjeshtra, mund të na poshtërojnë në sy të të tjerëve, mund të shkatërrojnë literaturën tonë ose edhe të na kërcënojnë se do të na keqtrajtojnë fizikisht. Në vend që të ushqejmë mëri, mund t’i lutemi Jehovait t’u hapë sytë atyre që na përndjekin, në mënyrë që një ditë të përqafojnë të vërtetën. (Mat. 5:44, 45) Nganjëherë mund ta kemi të vështirë të falim, sidomos nëse na është bërë ndonjë padrejtësi e madhe. Por nëse lejojmë që mllefi dhe inati të lëshojnë rrënjë në zemër, do të dëmtojmë veten. Një motër thotë: «Mundohem të mbaj parasysh se gatishmëria për të falur nuk nënkupton se po e justifikoj atë që bëjnë të tjerët a se po i lejoj të më hipin në kurriz. Thjesht do të thotë që po zgjedh të mos ushqej në zemër mëri.» (Psal. 37:8) Kur vendosim të falim, po zgjedhim të mos helmohemi nga vuajtjet dhe padrejtësitë.—Efes. 4:31, 32.
«DO TË JESH ME MUA NË PARAJSË»
5. Çfarë i premtoi Jezui një krimineli që po ekzekutohej përkrah tij, dhe pse ia bëri atë premtim?
5 Çfarë tha Jezui? Përkrah Jezuit po ekzekutoheshin dy kriminelë. Në fillim, të dy nisën ta tallnin. (Mat. 27:44) Por më vonë, njëri ndryshoi qëndrim. Ai e kuptoi se Jezui nuk kishte bërë «asgjë të keqe». (Luka 23:40, 41) E ç’është më e rëndësishmja, shprehu besimin se Jezui do të kthehej në jetë dhe se një ditë do të mbretëronte. Ai i tha Shpëtimtarit që ishte në prag të vdekjes: «Jezu, më kujto kur të hysh në Mbretërinë tënde.» (Luka 23:42) Çfarë besimi tregoi ai burrë! Jezui iu përgjigj: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua [jo në Mbretërinë qiellore, por] në Parajsë.» (Luka 23:43) Të bie në sy se Jezui ia bëri premtimin atij personalisht duke përdorur përemrat «ti» dhe «mua». Jezui e dinte mirë se Ati i tij është i mëshirshëm, prandaj me fjalët që i tha atij krimineli që po vdiste, i dha shpresë.—Psal. 103:8.
6. Çfarë mësojmë nga fjalët që i tha Jezui kriminelit?
6 Ç’mund të mësojmë nga fjalët e Jezuit? Jezui është pasqyrim i përsosur i Atit të tij. (Hebr. 1:3) Jehovai do me gjithë zemër të na falë dhe të na tregojë mëshirë. E është gati ta bëjë këtë nëse jemi penduar sinqerisht për gabimet e së kaluarës dhe nëse tregojmë besim se falë gjakut që derdhi Jezu Krishti, mund të gëzojmë faljen e Jehovait. (1 Gjon. 1:7) Disa mbase e kanë të vështirë ta besojnë se Jehovai mund t’ua falë gabimet që kanë bërë në të kaluarën. Nëse ndihesh ndonjëherë kështu, mendo për këtë: pak para se të vdiste, Jezui tregoi mëshirë për një kriminel të dënuar me vdekje që sapo kishte nisur të besonte tek ai. Sa më shumë do t’u tregojë mëshirë Jehovai adhuruesve të tij besnikë që bëjnë çmos t’u binden urdhërimeve të tij!—Psal. 51:1; 1 Gjon. 2:1, 2.
«JA, BIRI YT! . . . JA, NËNA JOTE!»
7. Sipas Gjonit 19:26, 27, çfarë u tha Jezui Marisë dhe Gjonit, dhe pse i tha ato fjalë?
7 Çfarë tha Jezui? (Lexo Gjonin 19:26, 27.) Jezui ishte në merak për nënën e tij, që ka shumë të ngjarë të ishte vejushë. Vëllezërit dhe motrat e Jezuit ndoshta do t’i siguronin Marisë gjërat e nevojshme materiale. Por kush do t’i siguronte inkurajimin e nevojshëm që t’i qëndronte besnike Jehovait? Askund në Shkrime nuk tregohet se vëllezërit e tij ishin dishepuj në atë kohë. Kurse Gjoni ishte një apostull besnik dhe një nga miqtë e ngushtë të Jezuit. E Jezui i shihte si familjen e vet ata që e adhuronin Jehovain bashkë me të. (Mat. 12:46-50) Prandaj, i shtyrë nga dashuria dhe meraku për Marinë, i besoi Gjonit detyrën që të kujdesej për të, i sigurt se ai do ta ndihmonte Marinë të vazhdonte t’i shërbente Jehovait. Nënës së tij, Jezui i tha: «Ja, biri yt!» Dhe Gjonit i tha: «Ja, nëna jote!» Që nga ajo ditë, Gjoni u bë si një bir për Marinë dhe kujdesej për të si të ishte nëna e vet. Çfarë dashurie tregoi Jezui për atë grua të shtrenjtë që ishte përkujdesur plot dhembshuri për të qysh nga dita e lindjes e që po i rrinte pranë ditën e vdekjes!
8. Çfarë mund të mësojmë nga fjalët që u tha Jezui Marisë dhe Gjonit?
8 Ç’mund të mësojmë nga fjalët e Jezuit? Lidhja që kemi me vëllezërit e motrat, mund të jetë më e fortë se lidhjet me pjesëtarët e familjes. Të afërmit mund të na kundërvihen ose edhe të na kthejnë shpinën. Por, siç premtoi Jezui, duke qëndruar të lidhur ngushtë me Jehovain dhe organizatën e Tij, ‘do të marrim 100-fishin’ e asaj që kemi humbur. Shumë veta do të na bëhen si një bir, bijë, nënë ose baba i dashur. (Mar. 10:29, 30) Si ndihesh që bën pjesë në këtë familje të bashkuar nga besimi dhe dashuria—nga dashuria për Jehovain e për njëri-tjetrin?—Kolos. 3:14; 1 Pjet. 2:17.
«PERËNDIA IM, PSE MË KE BRAKTISUR?»
9. Çfarë na tregojnë fjalët e Jezuit te Mateu 27:46?
9 Çfarë tha Jezui? Pak para se të vdiste, Jezui thirri: «Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?» (Mat. 27:46) Bibla nuk e shpjegon pse e tha këtë Jezui. Gjithsesi, le të shohim çfarë mund të mësojmë nga fjalët e tij. Së pari, kur tha ato fjalë, Jezui po përmbushte profecinë që gjendet te Psalmi 22:1.b Veç kësaj, fjalët e tij e bënë të qartë se Jehovai nuk kishte vënë «një gardh mbrojtës rreth» Birit të vet. (Jobi 1:10) Jezui kuptoi se Ati po e linte krejtësisht në duart e armiqve të tij që të sprovohej deri në cakun e fundit—si nuk është sprovuar kurrë asnjë njeri. Gjithashtu, me ato fjalë theksoi se ishte i pafajshëm dhe s’kishte bërë asnjë krim që ta kishte hak vdekjen.
10. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga fjalët që i tha Jezui Atit të tij?
10 Ç’mund të mësojmë nga fjalët e Jezuit? Një mësim është se nuk duhet të presim që Jehovai të na mbrojë nga gjithë vështirësitë që na sprovojnë besimin. Ashtu si Jezui që u sprovua deri në cakun e fundit, edhe ne duhet të jemi të përgatitur të qëndrojmë besnikë, deri në vdekje po të jetë nevoja. (Mat. 16:24, 25) Megjithatë, kemi garancinë se Perëndia nuk do të lejojë të sprovohemi përtej asaj që mund të mbajmë. (1 Kor. 10:13) Një mësim tjetër është se, ashtu si Jezui, edhe ne mund të vuajmë padrejtësisht. (1 Pjet. 2:19, 20) Ne nuk na përndjekin ngaqë kemi bërë diçka të gabuar, por ngaqë nuk jemi pjesë e botës dhe japim dëshmi për të vërtetën. (Gjoni 17:14; 1 Pjet. 4:15, 16) Jezui e kuptoi për ç’arsye lejoi Jehovai që të vuante. Por ndryshe nga ai, adhuruesit besnikë që heqin sprova, ndonjëherë vrasin mendjen pse lejon Jehovai të ndodhin disa gjëra. (Hab. 1:3) Perëndia ynë i mëshirshëm dhe i duruar e kupton se atyre nuk u mungon besimi, por kanë nevojë për ngushëllimin që mund t’ua japë vetëm ai.—2 Kor. 1:3, 4.
«KAM ETJE»
11. Pse i tha Jezui fjalët që gjenden te Gjoni 19:28?
11 Çfarë tha Jezui? (Lexo Gjonin 19:28.) Pse tha Jezui «kam etje»? «Që të përmbushej shkrimi»—domethënë profecia që gjendet te Psalmi 22:15 e që thotë: «Fuqia më është shterur si një copë e tharë qeramike; gjuha më është ngjitur pas qiellzës.» Veç kësaj, pas tërë vuajtjeve që kishte hequr—duke përfshirë dhimbjet agonike në shtyllën e torturës—Jezui duhet të ketë qenë goxha i etur dhe kishte nevojë për ndihmë që të shuante etjen.
12. Çfarë mund të mësojmë nga fjalët e Jezuit «kam etje»?
12 Ç’mund të mësojmë nga fjalët e Jezuit? Jezui nuk e shihte si shenjë dobësie ta shprehte atë që ndiente; as ne nuk duhet ta shohim si dobësi. Mbase tërë jetën kemi preferuar të mos u tregojmë të tjerëve për çfarë kemi nevojë. Por nëse një ditë do të na nevojitet ndihmë, nuk duhet të ngurrojmë t’u kërkojmë ndihmë të tjerëve. Për shembull, nëse jemi në moshë të shkuar ose të sëmurë, mund të na duhet t’i kërkojmë një miku që të na shoqërojë me makinë për të blerë ca ushqime ose për të shkuar te mjeku. Nëse na ka mbytur dëshpërimi ose shkurajimi, mund të jetë e nevojshme t’i kërkojmë një plaku ose një bashkëbesimtari të pjekur të na dëgjojë a të na japë zemër me ‘një fjalë të mirë’. (Prov. 12:25) Të mos harrojmë se vëllezërit e motrat na duan dhe dëshirojnë të na ndihmojnë «në ditë të vështira». (Prov. 17:17) Ama nuk na e lexojnë dot mendjen. Ata mund të mos e dinë se na nevojitet ndihmë nëse nuk hapim gojën t’ua themi.
«U KRYE!»
13. Çfarë kreu Jezui duke mbajtur integritetin deri në vdekje?
13 Çfarë tha Jezui? Më 14 nisan, rreth orës tre pasdite, Jezui thirri: «U krye!» (Gjoni 19:30) Jezuin e ndanin vetëm pak çaste nga vdekja dhe kishte kryer gjer më një atë që priste Jehovai prej tij. Duke mbajtur integritetin deri në vdekje, Jezui kreu disa gjëra. Së pari, provoi se Satanai është gënjeshtar. Ai tregoi se një njeri i përsosur mund ta mbajë integritetin në mënyrë të përsosur, çfarëdo marifeti a sulmi të përdorë Satanai. Së dyti, Jezui dha jetën e tij si shpërblesë. Vdekja e tij flijuese u hapi rrugën njerëzve të papërsosur të kenë miqësi me Perëndinë dhe perspektivën e jetës së përhershme. Së treti, Jezui provoi se Jehovai e ushtron me drejtësi sovranitetin dhe e pastroi emrin e Atit të tij nga çdo akuzë.
14. Për çfarë duhet të jemi të vendosur? Shpjegoni.
14 Ç’mund të mësojmë nga fjalët e Jezuit? Duhet të jemi të vendosur ta mbajmë integritetin çdo ditë të jetës. Të mendojmë për atë që tha vëlla Maksuell Frendi, që shërbente si instruktor në Shkollën Watchtower të Galadit. Kur mbajti një fjalim për besnikërinë në një kongres ndërkombëtar, ai tha: «Diçka që mund ta thuash a ta bësh sot, mos e lër për nesër. A je i sigurt se do të ketë një të nesërme? Jeto çdo ditë si të ishte shansi yt i fundit për të treguar se je i denjë të jetosh përgjithmonë.» Jetofshim çdo ditë si të ishte shansi ynë i fundit për të mbajtur integritetin! Atëherë, edhe nëse ndodh të gjendemi përballë vdekjes, mund të themi me plot gojën: «Jehova, jam përpjekur me gjithë shpirt të mbaj integritetin, të provoj se Satanai është gënjeshtar e të shfajësoj emrin dhe sovranitetin tënd!»
«NË DORËN TËNDE PO E LË FRYMËN TIME»
15. Për çfarë ishte i sigurt Jezui, sipas Lukës 23:46?
15 Çfarë tha Jezui? (Lexo Lukën 23:46.) Me besim të plotë, Jezui tha: «O Atë, në dorën tënde po e lë frymën time!» Jezui e dinte se e ardhmja e tij varej nga Jehovai dhe ishte i sigurt se Ati i tij do ta kujtonte.
16. Çfarë të mëson historia e një Dëshmitari 15-vjeçar?
16 Ç’mund të mësojmë nga fjalët e Jezuit? Ji i gatshëm ta lësh jetën tënde në duart e Jehovait. Këtë mund ta bësh vetëm nëse ‘beson te Jehovai me gjithë zemër’. (Prov. 3:5) Mendo për shembullin e Xhoshuas, një Dëshmitar 15-vjeçar që kishte një sëmundje vdekjeprurëse. Xhoshua nuk i pranoi ato procedura mjekësore që shkelnin ligjin e Perëndisë. Pak para se të vdiste, i tha mamasë: «Mami, unë jam në duart e Jehovait. . . . Një gjë ta them me bindje të plotë: jam i sigurt se Jehovai do të më kthejë në jetë. Ai ma ka lexuar zemrën dhe e di sa e dua.»c Secili nga ne bën mirë të pyesë veten: «Sikur të përballesha me një situatë ku e kam jetën në rrezik dhe më sprovohet besimi, a do ta lija jetën time në duart e Jehovait, i sigurt se ai do të më kujtojë?»
17-18. Çfarë mësimesh kemi nxjerrë nga fjalët e fundit të Jezuit? (Shih edhe kutinë «Çfarë na mësojnë fjalët e fundit të Jezuit».)
17 Çfarë mësimesh të fuqishme nxjerrim nga fjalët e fundit të Jezuit! Ato na kujtojnë sa rëndësi ka t’i falim të tjerët dhe të kemi besim se Jehovai do të na falë. Kemi privilegjin të jemi pjesë e një familjeje të mrekullueshme me vëllezër e motra që janë gati të na bëhen krah. Veçse, kur na nevojitet ndihmë, duhet të marrim iniciativën ta kërkojmë. E çfarëdo sprove të na bjerë, nuk kemi pikë dyshimi se Jehovai do të na ndihmojë t’i bëjmë ballë. E kuptojmë edhe sa rëndësi ka ta jetojmë çdo ditë si të ishte dita e fundit që kemi mundësi të mbajmë integritetin, të bindur se jeta jonë është e sigurt në duart e Jehovait.
18 Vërtet, fjalët që tha Jezui ndërsa po vdiste në shtyllën e ekzekutimit janë plot domethënie! Kur i zbatojmë dita-ditës mësimet që kemi nxjerrë prej tyre, i vëmë veshin asaj që na tha Jehovai për Birin e tij: «Dëgjojeni.»—Mat. 17:5.
KËNGA 126 Rri zgjuar, qëndro i patundur, bëhu i fuqishëm
a Siç tregon Mateu 17:5, Jehovai dëshiron që ta dëgjojmë Birin e tij. Në këtë artikull do të shohim disa mësime që mund të nxjerrim nga fjalët e Jezuit kur po vdiste në shtyllën e torturës.
b Që të kuptosh për cilat arsye mund ta ketë cituar Jezui Psalmin 22:1, shih «Pyetje nga lexuesit» në këtë numër.
c Shih artikullin «Besimi i Xhoshuas—Një fitore për të drejtat e fëmijëve» në revistën Zgjohuni! të 22 janarit 1995 (anglisht).