JOZEFI
[formë e shkurtuar e emrit Josifiah që do të thotë «Jah shtoftë (rrittë); Jah ka shtuar (rritur)»].
1. I pari nga dy djemtë që i lindën Jakobit nga Rakela, gruaja që donte shumë. (Zn 35:24) Kur lindi ai, Rakela, që deri atëherë kishte qenë shterpë, thirri me zë të lartë: «Perëndia ma hoqi poshtërimin!» Pastaj e quajti djalin Jozef dhe tha: «Jehovai më shtoi edhe një djalë», domethënë, një tjetër përveç Danit dhe Neftalit, të cilët Rakela i kishte pranuar si bijtë e vet, megjithëse i kishte lindur shërbyesja e saj, Bilhaja. (Zn 30:3-8, 22-24) Asokohe, Jakobi duhej të ishte 91 vjeç.—Krahaso Zn 41:46, 47, 53, 54; 45:11; 47:9.
Rreth gjashtë vjet më vonë, Jakobi iku me gjithë familjen nga Padan-Arami dhe u kthye në Kanaan. (Zn 31:17, 18, 41) Kur mori vesh se i vëllai, Esau, i kishte dalë përpara me 400 burra, Jakobi i shpërndau fëmijët, gratë dhe konkubinat. Rakelën dhe Jozefin i la në fund, ku ishin më të sigurt. (Zn 33:1-3) Kështu, Jozefi dhe e ëma u përkulën të fundit para Esaut.—Zn 33:4-7.
Më pas, Jozefi banoi me familjen në fillim në Sukot, pastaj në Sikem (Zn 33:17-19) dhe Bethel. (Zn 35:1, 5, 6) Më vonë, rrugës nga Betheli për në Efratah (Betlehem), Rakela, nëna e Jozefit, vdiq gjatë lindjes së Beniaminit.—Zn 35:16-19.
Gjysmëvëllezërit e urrejnë. Në moshën 17-vjeçare, Jozefi ruante dhentë bashkë me bijtë që i kishin lindur Jakobit nga Bilhaja dhe Zilpa. Megjithëse më i ri, Jozefi nuk bënte të këqija si vëllezërit e tij, madje i tregonte të atit çfarë bënin ata, pasi mendonte se ai duhej të ishte në dijeni.—Zn 37:2.
Jakobi e donte Jozefin më shumë se të gjithë djemtë e tjerë, se e kishte djalin e pleqërisë. Dashuria e Jozefit për drejtësinë mund të ketë bërë që i ati ta kishte në mënyrë të veçantë për zemër. Jakobi i bëri të birit një rrobë të gjatë vija-vija, ndoshta si ato që mbanin njerëzit e rangut të lartë. Mirëpo, gjysmëvëllezërit filluan ta urrenin Jozefin për këtë. Më vonë, kur u tregoi ëndrrën ku ai dilte mbi vëllezërit e tij, ata filluan ta urrenin edhe më shumë. Ëndrra e dytë e tij u la të kuptonin se para tij do të përkuleshin jo vetëm ata si vëllezër, por edhe i ati dhe e ëma (me sa duket jo Rakela, pasi kishte vdekur tashmë, por ndoshta familja ose gruaja kryesore e Jakobit që ishte gjallë). Jakobi e qortoi Jozefin që e tregoi këtë ëndërr dhe xhelozia e vëllezërve të tij u rrit edhe më shumë. Jozefi nuk foli për ëndrrat e tij, ngaqë ndihej më superior se të tjerët. Ai thjesht tregoi atë që i kishte zbuluar Perëndia. Ka mundësi që Jakobi ta ketë kuptuar natyrën profetike të ëndrrave të Jozefit, sepse ‘i mbajti mend fjalët e tij’.—Zn 37:3-11.
Një ditë, Jakobi, që asokohe ishte në Hebron, i kërkoi Jozefit të shkonte të shihte si ishin kopetë dhe vëllezërit, që kishin shkuar në afërsi të Sikemit. Duke pasur parasysh inatin e tyre, ky mision nuk do të ishte aspak i këndshëm për Jozefin. Megjithatë, ai tha pa ngurruar: «Ja ku jam.» Kështu, u nis nga ultësira e Hebronit drejt Sikemit. Atje, një burrë i tregoi se vëllezërit e tij ishin nisur drejt Dotanit, kështu Jozefi vazhdoi rrugën. Kur e panë nga larg, vëllezërit filluan të thurnin plane kundër tij duke thënë: «Ja tek po vjen ëndërrimtari! Ejani, ta vrasim, ta hedhim në një nga këto gropa uji. . . Pastaj të shohim se ç’do të bëhet me ëndrrat e tij.» (Zn 37:12-20) Megjithatë Rubeni që ishte i parëlinduri donte ta ndalonte planin e tyre vrastar. Ai i këshilloi të mos e vritnin Jozefin, por ta hidhnin në një gropë uji të tharë. Kur arriti Jozefi, ia hoqën rrobën e gjatë vija-vija dhe bënë siç tha Rubeni. Më vonë, ata dalluan nga larg një karvan ismaelitësh dhe Juda, në mungesë të Rubenit, ua mbushi mendjen të tjerëve që më mirë t’ua shitnin Jozefin atyre tregtarëve, sesa ta vritnin.—Zn 37:21-27.
E shesin si skllav. Sado që Jozefi iu përgjërua të kishin mëshirë për të, ata e shitën për 20 monedha argjendi. (Zn 37:28; 42:21) Më vonë, mashtruan Jakobin duke e bërë të besonte se Jozefin e kishte shqyer një kafshë e egër. Jakobi i moshuar ishte kaq i hidhëruar për humbjen e të birit, sa nuk pranonte ta ngushëllonin.—Zn 37:31-35.
Tregtarët e çuan Jozefin në Egjipt dhe ia shitën Potifarit, kreut të truprojës së faraonit. (Zn 37:28, 36; 39:1) Kjo blerje e Potifarit nga Egjipti nuk ishte e pazakontë, pasi papiruset e lashta tregojnë se skllevërit sirianë (Jozefi ishte gjysmë sirian [Zn 29:10; 31:20]) vlerësoheshin shumë në Egjipt.
Edhe kur u bë skllav, Jozefi u tregua po aq i papërtuar dhe i besueshëm, sa në kohën kur u shërbente me zell interesave të të atit. Gjithçka që bënte, i dilte mbarë sepse Jehovai e bekonte. Kjo bëri që Potifari t’i besonte administrimin e gjithë shtëpisë së tij. Pra, duket se Jozefi kishte marrë detyrën e administratorit, një post që në dokumentimet egjiptiane përmendet në lidhje me shtëpitë e mëdha të egjiptianëve me pozitë.—Zn 39:2-6.
I reziston tundimit. Ndërkohë, Jozefi ishte bërë një djalë shumë i hijshëm. Për pasojë, gruaja e Potifarit u marros pas tij. Ajo i kërkonte vazhdimisht të shtrihej me të. Mirëpo Jozefi, i stërvitur në udhën e drejtësisë, nuk pranonte duke thënë: «Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të mëkatoj kundër Perëndisë?» Megjithatë, Jozefi nuk ia hodhi me kaq. Gjetjet arkeologjike tregojnë se shtëpitë egjiptiane ishin ndërtuar në atë mënyrë që për të shkuar te qilarët, duhej kaluar nga pjesa kryesore. Nëse shtëpia e Potifarit ishte ndërtuar në mënyrë të këtillë, Jozefi duhet ta ketë pasur të pamundur të shmangte të gjitha kontaktet me gruan e Potifarit.—Zn 39:6-10.
Në fund gruaja e Potifarit shfrytëzoi një rast që, sipas saj, ishte i mirë. Një ditë kur nuk kishte njeri tjetër në shtëpi, përveç Jozefit që po merrej me punët e tij, ajo e zuri nga rroba dhe i tha: «Shtrihu me mua!» Por ai ia la rrobën në dorë dhe ia mbathi. Atëherë, ajo filloi të ulërinte e të bënte sikur Jozefi e kishte ngacmuar seksualisht. Kur i tregoi të shoqit, Potifarit, ai u xhindos dhe e futi Jozefin në shtëpinë-burg, në vendin ku mbaheshin nën arrest të burgosurit e mbretit.—Zn 39:11-20.
Në burg. Duket se fillimisht Jozefin e trajtuan ashpër në burg. «Atij ia munduan këmbët në vargonj, në hekura përfundoi shpirti i tij.» (Ps 105:17, 18) Megjithatë, më vonë, falë sjelljes së tij shembullore në rrethana mjaft të vështira dhe falë bekimit të Jehovait, kryezyrtari i burgut i besoi mbikëqyrjen e të burgosurve të tjerë. Edhe në këtë detyrë të besuar, Jozefi, ndonëse i burgosur, u tregua përsëri një administrues i zoti, i cili kujdesej që të kryhej e gjithë puna.—Zn 39:21-23.
Më vonë, dy zyrtarë të faraonit, kreun e kupëmbajtësve dhe kreun e bukëpjekësve, i futën në të njëjtin burg dhe Jozefin e ngarkuan t’u shërbente. Pas ca kohësh, secili pa një ëndërr, të cilën Jozefi ua shpjegoi, pasi ia atribuoi interpretimin Jehovait. Ëndrra e kupëmbajtësit tregonte se ai do të kthehej në pozitën e tij pas tri ditësh. Me shpresë se mos lirohej nga burgu, Jozefi i kërkoi kupëmbajtësit ta kujtonte e t’i fliste faraonit për të. I shpjegoi se e kishin rrëmbyer nga «vendi i hebrenjve» dhe s’kishte bërë asgjë që të meritonte burgun. Mbase që të mos i nxirrte namin e keq familjes, Jozefi parapëlqeu të mos tregonte se kush e bëri rrëmbimin. Më pas, interpretoi ëndrrën e bukëpjekësit dhe i shpjegoi se pas tri ditësh ai do të vdiste. Të dyja ëndrrat dolën tri ditë më pas, në rastin e ditëlindjes së faraonit. Pa dyshim, këto ngjarje e bindën edhe më shumë Jozefin për përmbushjen e ëndrrave të veta dhe e ndihmuan të vazhdonte të duronte. Tashmë kishin kaluar rreth 11 vjet që nga koha kur vëllezërit e kishin shitur.—Zn 40:1-22; krahaso Zn 37:2; 41:1, 46.
Para faraonit. Pasi u kthye në detyrë, kupëmbajtësi e harroi fare Jozefin. (Zn 40:23) Mirëpo, në fund të dy vjetëve, faraoni pa dy ëndrra, të cilat s’mundi t’i interpretonte asnjë nga priftërinjtë e Egjiptit që merreshin me magji dhe asnjë nga njerëzit e ditur. Pikërisht në këtë kohë, kupëmbajtësi i foli faraonit për Jozefin. Faraoni dërgoi menjëherë ta thërrisnin. Siç e kërkonte zakoni egjiptian, para se të shkonte te faraoni, Jozefi u rruajt dhe ndërroi rrobat. Edhe këtë herë, ai nuk mori asnjë meritë për vete, por tha se interpretimi i ëndrrave vinte nga Perëndia. Më pas, ai i shpjegoi se të dyja ëndrrat e faraonit tregonin se do të kishte shtatë vjet bollëk që do të pasoheshin nga shtatë vjet zi buke. Veç kësaj, ai sugjeroi disa masa për të përballuar zinë e bukës.—Zn 41:1-36.
I dyti në Egjipt për nga rëndësia. Faraoni pa te Jozefi 30-vjeçar një njeri mjaft të mençur për të administruar gjithçka gjatë kohës së bollëkut dhe të zisë së bukës. Kështu, e bëri Jozefin sundimtarin e dytë të Egjiptit e i dha unazën e vet me nënshkrim, rroba liri të hollë dhe një varëse floriri. (Zn 41:37-44, 46; krahaso Ps 105:17, 20-22.) Përdorimi i kësaj veshjeje zyrtare vërtetohet edhe nga mbishkrime e afreske egjiptiane. Po aq interesant është edhe fakti që disa kananitë, siç mësohet nga dokumente të lashta egjiptiane, patën pozita të larta në Egjipt dhe se ndryshimi i emrit të Jozefit në Zafenat-Paneah nuk është një rast i vetëm. Gjithashtu, Jozefit i dhanë për grua Asenatën, të bijën e priftit të Onit, Potiferait, (nga një term në gjuhën egjiptiane që do të thotë «ai të cilit perëndia i diellit Ra i ka dhënë»).—Zn 41:45.
Pas kësaj, Jozefi udhëtoi nëpër gjithë vendin e Egjiptit dhe u përgatit të administronte punët e shtetit. Më vonë, gjatë viteve të bollëkut, magazinoi sasi të mëdha ushqimi. Para se të fillonte zia e bukës, gruaja e tij, Asenata, lindi dy djem, Manaseun dhe Efraimin.—Zn 41:46-52.
Gjysmëvëllezërit shkojnë të blejnë ushqim. Pastaj filloi zia e bukës. Ajo u shtri përtej kufijve të Egjiptit, prandaj njerëz nga vendet përreth shkonin të blinin ushqim te Jozefi. Në fund, edhe dhjetë gjysmëvëllezërit e tij shkuan e u përkulën para tij, duke përmbushur kështu pjesërisht dy ëndrrat që kishte parë Jozefi. (Zn 41:53–42:7) Megjithatë, ata nuk e njohën Jozefin, pasi kishte veshur rrobën mbretërore dhe fliste me ta me anë të një përkthyesi. (Zn 42:8, 23) Duke u hequr sikur nuk i njihte, Jozefi i akuzoi se ishin spiunë. Ata u mbrojtën duke e siguruar se ishin dhjetë vëllezër, që e kishin lënë të atin dhe vëllanë e vogël në shtëpi, e se një vëlla tjetër nuk e kishin më. Mirëpo Jozefi vazhdoi t’i akuzonte se ishin spiunë dhe i futi në burg. Ditën e tretë u tha: «Po të bëni kështu, do të jetoni. Unë i frikësohem Perëndisë së vërtetë. Nëse jeni të ndershëm, njëri nga ju të rrijë në burg i lidhur [me sa duket në burgun ku kishin qëndruar të dhjetë], ndërsa ju të tjerët shkoni, çoni drithë në shtëpitë tuaja, që po vuajnë nga zia e bukës. Pastaj më sillni vëllanë tuaj më të vogël, që fjalët tuaja të dalin të vërteta; atëherë s’keni për të vdekur.»—Zn 42:9-20.
Kthesa që morën ngjarjet i shtyu vëllezërit e Jozefit të mendonin se Perëndia po i ndëshkonte ngaqë e kishin shitur të vëllanë si skllav vite më parë. Ata folën për fajin e tyre para vëllait, të cilin akoma nuk e kishin njohur. Duke dëgjuar fjalët e tyre që tregonin pendim, Jozefi u prek aq shumë sa i erdhi për të qarë dhe iu desh të largohej. Kur u kthye, dha urdhër që Simeonin ta mbanin të lidhur, derisa të tjerët të ktheheshin me vëllanë e vogël.—Zn 42:21-24.
Gjysmëvëllezërit kthehen me Beniaminin. Kur nëntë gjysmëvëllezërit e Jozefit i treguan Jakobit çfarë u kish ndodhur në Egjipt dhe zbuluan se secili i kishte paratë në torbën e vet, të gjithë u trembën shumë, kurse Jakobi shfreu gjithë dhembjen e tij. Vetëm ngaqë zia e bukës ishte e rëndë dhe Juda e siguroi se do ta kthente Beniaminin shëndoshë e mirë, Jakobi vendosi ta linte djalin e vogël të shkonte në Egjipt me vëllezërit e vet.—Zn 42:29–43:14.
Me të mbërritur në Egjipt, ata u bashkuan sërish me Simeonin dhe për habinë e tyre, të gjithë ishin të ftuar të drekonin me administruesin e ushqimit. Kur erdhi Jozefi, ata i paraqitën një dhuratë, ranë përmbys para tij dhe pasi iu përgjigjën pyetjeve për të atin, u përkulën përsëri para tij. Sapo pa Beniaminin, vëllanë e tij të një gjaku, Jozefi u mallëngjye aq shumë, sa u largua që të shpërthente në lot. Kur arriti ta kontrollonte veten, kërkoi të shërbehej dreka. 11 vëllezërit ishin ulur sipas moshës në një tavolinë veç, dhe racionet e Beniaminit ishin pesë herë më të mëdha se ato të të tjerëve. Ka mundësi që Jozefi ta ketë bërë këtë për të parë nëse vëllezërit e tij kishin ndonjë xhelozi të fshehur. Por ata nuk dhanë asnjë shenjë xhelozie.—Zn 43:15-34.
Njësoj si herën e parë, Jozefi ia futi përsëri secilit paratë në torbë (Zn 42:25) dhe, përveç kësaj, urdhëroi që kupën e tij të argjendtë ta futnin në torbën e Beniaminit. Pasi kishin bërë një copë rrugë, Jozefi urdhëroi t’i kapnin dhe i akuzoi se kishin vjedhur kupën e tij të argjendtë. Ndoshta për t’i bindur për vlerën e madhe që kishte ajo kupë për Jozefin dhe për natyrën e rëndë të «krimit» të tyre, përgjegjësi i shtëpisë së Jozefit duhej t’u thoshte: «A nuk e dini se kjo është kupa ku pi zotëria im, dhe që e përdor me mjeshtëri për të interpretuar oguret?» (Zn 44:1-5) Përderisa e gjithë kjo ishte pjesë e një rrengu, pa dyshim s’ka vend për të menduar se Jozefi e përdorte vërtet kupën e argjendtë për të interpretuar oguret. Me sa duket, Jozefi donte të shtirej vërtet si administruesi i një vendi ku adhurimi i vërtetë nuk njihej.
Vëllezërit duhet të kenë mbetur krejt të shtangur kur kupa u gjet në torbën e Beniaminit. Me rroba të shqyera, u kthyen te shtëpia e Jozefit dhe u përkulën para tij. Jozefi u tha se të gjithë, përveç Beniaminit, ishin të lirë të shkonin. Por ata nuk deshën të niseshin, duke treguar kështu se nuk e kishin më atë frymë smirëkeqe që i kishte shtyrë ta shitnin vëllanë 22 vjet më parë. Me fjalë prekëse, Juda mbrojti çështjen e tyre dhe propozoi të rrinte ai në vend të Beniaminit, përndryshe babai i tyre do të vdiste nga hidhërimi po të mos e shihte Beniaminin të kthehej.—Zn 44:6-34.
Jozefi tregon kush është. Jozefi u prek aq shumë nga përgjërimi i Judës, sa s’e mbajti dot më veten. I urdhëroi të gjithë të huajt të dilnin dhe pastaj u tregoi vëllezërve se kush ishte. Ai nuk ushqente mëri kundër tyre, megjithëse e kishin trajtuar shumë keq më parë. Përkundrazi, u tha: «Tani mos u hidhëroni dhe mos u zemëroni me veten ngaqë më shitët këtu, sepse Perëndia më dërgoi përpara jush për t’ju ruajtur jetën. Ky është viti i dytë i zisë së bukës në tokë, por do të ketë edhe pesë të tjera, gjatë të cilave as do të lërohet, as do të korret. Prandaj, Perëndia më dërgoi përpara jush, që t’ju ruante pasardhës në tokë dhe t’ju mbante gjallë me anë të një shpëtimi madhështor. Kështu, nuk më dërguat ju këtu, por Perëndia i vërtetë.» (Zn 45:1-8) Falja e Jozefit ishte e sinqertë, sepse qau dhe i puthi të gjithë vëllezërit.—Zn 45:14, 15.
Pas kësaj, me urdhër të faraonit, Jozefi u siguroi vëllezërve qerre që të sillnin Jakobin dhe gjithë familjen e tij në Egjipt. Madje, u dha dhurata dhe ushqime për udhë. Kur u nisën, i nxiti me fjalët: «Mos e pezmatoni njëri-tjetrin udhës.»—Zn 45:16-24.
Babai i Jozefit shkon në Egjipt. Në fillim, Jakobi s’arrinte ta besonte se i biri, Jozefi, ishte ende gjallë. Por, kur më në fund u bind, Jakobi 130-vjeçar thirri me zë të lartë: «Ah, më lini të shkoj e ta shoh, përpara se të vdes!» Më vonë, në Beer-Shebë, rrugës për në Egjipt bashkë me familjen e tij, Jakobi mori nëpërmjet një vegimi sigurinë se Perëndia e miratonte shpërnguljen e tij. Gjithashtu, i tha: «Jozefi do të t’i mbyllë sytë me dorën e vet.» Pra, Jozefi do të ishte ai që do t’ia mbyllte sytë Jakobit kur të vdiste. Përderisa këtë zakonisht e bënte i parëlinduri, Jehovai zbuloi në këtë mënyrë se Jozefi do të merrte të drejtën e të parëlindurit.—Zn 45:25–46:4.
Pasi Juda, që ishte dërguar përpara, e njoftoi për mbërritjen e të atit, Jozefi bëri gati karrocën dhe i doli para Jakobit në Goshen. Më pas, vajti te faraoni me pesë nga vëllezërit e tij. Sipas udhëzimeve të Jozefit, ata u prezantuan si barinj dhensh dhe kërkuan të banonin si të ardhur në Goshen. Faraoni ua plotësoi kërkesën. Më pas, Jozefi ia prezantoi Jakobin faraonit dhe e vendosi të atin me familjen e tij në pjesën më të mirë të vendit. (Zn 46:28–47:11) Kështu, nga dashuria Jozefi shfrytëzoi me mençuri paragjykimin që kishin egjiptianët për barinjtë. Si pasojë, familja e Jakobit nuk rrezikonte të ndotej nga ndikimi egjiptian dhe as të shkrihej plotësisht me egjiptianët nëpërmjet martesave. Që nga ky moment, Jakobi dhe gjithë familja e tij vareshin nga Jozefi. (Zn 47:12) Faktikisht, të gjithë u përkulën para Jozefit si kryeministri i faraonit, duke përmbushur kështu në mënyrë të jashtëzakonshme ëndrrat profetike të Jozefit.
Pasojat e zisë së bukës tek egjiptianët. Zia e bukës vazhdonte dhe egjiptianët pak nga pak harxhuan gjithë paratë e bagëtitë për të blerë ushqim. Në fund, shitën edhe tokat e u bënë skllevër të faraonit. Atëherë, Jozefi i sistemoi nëpër qytete, pa dyshim, për të lehtësuar shpërndarjen e drithit. Megjithatë, duket se ky sistemim nëpër qytete ishte një masë e përkohshme. Përderisa egjiptianët duhej të ktheheshin tek arat e tyre për t’i mbjellë, logjikisht duhej të ktheheshin të banonin përsëri në shtëpitë e mëparshme. Sipas dekretit të nxjerrë nga Jozefi, kur toka të jepte përsëri prodhim, një të pestën e tij egjiptianët duhej t’ia jepnin faraonit në këmbim të përdorimit të tokës. Sidoqoftë, priftërinjtë përjashtoheshin nga ky dekret.—Zn 47:13-26.
Jakobi bekon bijtë e Jozefit. Rreth 12 vjet pasi përfundoi zia e bukës, Jozefi i çoi dy bijtë e tij, Manaseun dhe Efraimin, para Jakobit. Pikërisht atëherë Jakobi tregoi se e drejta e të parëlindurit i takonte Jozefit dhe Efraimi e Manaseu konsideroheshin të barabartë me bijtë e Jakobit. Kështu, nga Jozefi do të dilnin dy fise që do të kishte secili trashëgiminë e vet. Kur po bekonte Efraimin dhe Manaseun, Jakobi e vuri dorën e djathtë tek Efraimi që ishte më i vogli, edhe pse kjo gjë nuk i pëlqeu Jozefit. Duke përzgjedhur Efraimin, ai tregoi në mënyrë profetike se vëllai më i vogël do të bëhej më i madh.—Zn 47:28, 29; 48:1-22; shih edhe Lp 21:17; Js 14:4; 1Kr 5:1.
Jakobi bekon Jozefin dhe bijtë e tjerë. Më vonë, kur ishte në shtratin e vdekjes, Jakobi i thirri të gjithë bijtë pranë vetes dhe e bekoi secilin. Jozefin e krahasoi me ‘lastarin e një peme frytdhënëse’. ‘Pema frytdhënëse’ ishte vetë patriarku Jakob dhe Jozefi u bë një nga degët kryesore. (Zn 49:22) Megjithëse harkëtarët do ta sulmonin dhe do të ushqenin mëri kundër tij, harku i Jozefit ‘do të mbetej i patundur dhe duart e tij do të ishin të forta e të zhdërvjellëta’. (Zn 49:23, 24) Këto fjalë ai mund t’i ketë thënë për Jozefin personalisht. Gjysmëvëllezërit e tij ushqenin mëri kundër tij dhe ishte sikur ta kishin qëlluar për ta shkatërruar. Megjithatë, Jozefi ua shpagoi me mëshirë dhe dashamirësi, cilësi që krahasoheshin me shigjetat që vranë mërinë e tyre. Harkëtarët armiq nuk arritën ta vritnin Jozefin, as ta dobësonin përkushtimin e tij ndaj drejtësisë dhe përzemërsisë vëllazërore.
Megjithatë, në kuptimin profetik, fjalët e Jakobit mund të zbatoheshin për fiset që do të vinin nga dy bijtë e Jozefit, Efraimi dhe Manaseu, dhe për betejat e tyre të ardhshme. (Krahaso Lp 33:13, 17; Gjy 1:23-25, 35.) Vlen të përmendet se Josiu (Hoshea; Jehosiu), pasues i Moisiut dhe prijës në luftën kundër kananitëve, erdhi nga fisi i Efraimit. (Nu 13:8, 16; Js 1:1-6) Një tjetër pasardhës i Jozefit, Gideoni nga fisi i Manaseut, mundi midianitët me ndihmën e Jehovait. (Gjy 6:13-15; 8:22) Gjithashtu, Jefteu, me sa duket edhe ai nga fisi i Manaseut, mposhti amonitët.—Gjy 11:1, 32, 33; krahaso Gjy 12:4; Nu 26:29.
Në episodet e jetës së Jozefit gjejnë paralele edhe aspekte të tjera të bekimit profetik të Jakobit. Kur Jozefi, në vend që të merrte hak, plotësoi nevojat e gjithë shtëpisë së Jakobit, ose Izraelit, ai ishte si një bari dhe gur mbështetjeje për Izraelin. Përderisa Jehovai i kishte drejtuar gjërat që ai të ishte në atë pozitë, Jozefi kishte dalë nga duart e «të Fuqishmit të Jakobit». Duke qenë se kishte ardhur nga Perëndia, Jozefi kishte ndihmën e Jehovait. Ai ishte me të Plotfuqishmin në kuptimin që ishte në krah të Jehovait dhe, falë kësaj, gëzonte bekimin e tij.—Zn 49:24, 25.
Bekimin e Jehovait do ta kishin edhe fiset që do të vinin nga Jozefi nëpërmjet Efraimit dhe Manaseut. Jakobi tha: «[I Plotfuqishmi] do të derdhë mbi ty bekimet e qiejve atje lart, bekimet e ujërave të thella që shtrihen poshtë dhe bekimet e gjinjve e të barkut.» (Zn 49:25) Këto fjalë i siguronin pasardhësit e Jozefit se do të kishin rezerva uji të mjaftueshme që do të vinin nga qielli e nga nëntoka dhe se do të ishin një popullsi e madhe.—Krahaso Lp 33:13-16; Js 17:14-18.
Bekimet e Jakobit për Jozefin, djalin që e donte shumë, do të ishin si stoli për dy fiset që do të vinin prej tij. Këto bekime do t’ua kalonin bekimeve të pyjeve e të krojeve që hijeshojnë malet e përjetshme dhe kodrat e përhershme. Ato do të ishin të përjetshme e do të qëndronin mbi kryet e Jozefit dhe të atyre që do të vinin prej tij aq gjatë sa malet e kodrat.—Zn 49:26; Lp 33:16.
Jozefi ishte «zgjedhur ndër vëllezërit e tij», sepse Perëndia e veçoi që të përmbushte një rol të veçantë. (Zn 49:26) Ai dallohej për virtytet dhe për aftësitë e tij si mbikëqyrës dhe organizues. Pra, ishte me vend që mbi kokën e tij të zbritnin bekime të veçanta.
Pasi i bekoi të gjithë bijtë e tij, Jakobi vdiq. Atëherë, Jozefi u përkul mbi fytyrën e të atit dhe e puthi. Për t’i plotësuar Jakobit dëshirën që të varrosej në shpellën e Makpelahut, Jozefi u kërkoi mjekëve egjiptianë ta balsamosnin trupin e të atit që të ishte gati për udhëtimin drejt Kanaanit.—Zn 49:29–50:13.
Qëndrimi kundrejt të vëllezërve. Pas varrimit të Jakobit, vëllezërit e Jozefit, të cilët vazhdonte t’i brente ndërgjegjja, kishin frikë se mos Jozefi merrte hak, ndaj iu përgjëruan që t’i falte. Kur i dëgjoi, Jozefi shpërtheu në lot, i ngushëlloi dhe i siguroi se s’kish pse të kishin frikë: «Mos kini frikë. Mos jam gjë Perëndia unë? Ju kishit ndër mend të më bënit keq, por Perëndia kishte ndër mend diçka të mirë, që të bënte atë që po ndodh sot: pra që të ruante gjallë shumë njerëz. Prandaj, mos kini frikë. Unë do të vazhdoj t’ju mbaj me bukë, ju dhe fëmijët tuaj.»—Zn 50:14-21.
Vdekja. Jozefi rrojti edhe rreth 54 vite të tjera pas vdekjes së të atit dhe arriti moshën 110-vjeçare. Ai pati gëzimin të shikonte disa nga stërnipërit e tij. Para se të vdiste, Jozefi kërkoi me besim që, kur të dilnin nga Egjipti, izraelitët t’i çonin eshtrat e tij në Kanaan. Pas vdekjes, trupin e Jozefit e balsamosën dhe e futën në qivur.—Zn 50:22-26; Js 24:32; He 11:22.
Emri i Jozefit merr rëndësi. Falë pozitës së rëndësishme të Jozefit mes bijve të Jakobit, ishte më se e përshtatshme që emri i tij ndonjëherë të përdorej për të treguar të gjitha fiset e Izraelit (Ps 80:1) ose ata që formuan mbretërinë veriore. (Ps 78:67; Am 5:6, 15; 6:6) Emri i tij gjendet edhe në profecitë biblike. Në vegimin profetik të Ezekielit, trashëgimia e Jozefit kishte dy pjesë (Ezk 47:13), njëra nga portat e qytetit «Vetë Jehovai është atje» mban emrin e Jozefit (Ezk 48:32, 35) dhe kur flitet për ribashkimin e popullit të Jehovait, Jozefi përmendet si kreu i një pjese të kombit dhe Juda si kreu i pjesës tjetër. (Ezk 37:15-26) Në profecinë e Abdisë tregohej se «shtëpia e Jozefit» do të merrte pjesë në shkatërrimin e «shtëpisë së Esaut» (Ab 18), kurse te Zakaria tregohej se Jehovai do ta shpëtonte «shtëpinë e Jozefit». (Za 10:6) Jozefi shfaqet si një nga fiset e Izraelit frymor në vend të Efraimit.—Zb 7:8.
Përmendja e Jozefit te Zbulesa 7:8 nënkupton se profecia që tha Jakobi në shtratin e vdekjes do të zbatohej edhe për Izraelin frymor. Prandaj, vlen të përmendet se i Fuqishmi i Jakobit, Perëndia Jehova, dha Krishtin Jezu si Bariun e Shkëlqyer që dha jetën për «delet». (Gjo 10:11-16) Veç kësaj, Krishti Jezu është guri i qoshes mbi të cilin është ngritur tempulli i Perëndisë i përbërë nga izraelitët frymorë. (Ef 2:20-22; 1Pj 2:4-6) Për më tepër, ky Bari dhe ky Gur është me Perëndinë e Plotfuqishëm.—Gjo 1:1-3; Ve 7:56; He 10:12; krahaso Zn 49:24, 25.
Paralele mes Jozefit dhe Krishtit. Mund të vëmë re shumë paralele mes jetës së Jozefit dhe asaj të Krishtit Jezu. Ashtu si Jozefi ishte veçuar si biri që i ati e kishte veçanërisht për zemër, njësoj ishte edhe me Jezuin. (Krahaso Mt 3:17; He 1:1-6.) Gjysmëvëllezërit e Jozefit u treguan armiqësorë me të. Po ashtu, edhe Jezuin nuk e pranuan të vetët, judenjtë (Gjo 1:11), dhe gjysmëvëllezërit e tij në fillim nuk treguan besim tek ai. (Gjo 7:5) Jozefi iu bind me gatishmëri të atit kur i kërkoi të shkonte për të parë si ishin gjysmëvëllezërit e tij; Jezui u tregua i gatshëm të vinte në tokë. (Fi 2:5-8) Përvojat e hidhura që përjetoi Jozefi ngaqë e pranoi këtë mision, krahasohen me ato që vuajti Jezui, sidomos kur e keqtrajtuan dhe në fund e vranë në shtyllën e torturës. (Mt 27:27-46) Ashtu si Jozefin gjysmëvëllezërit ia shitën një karvani midianito-ismaelitësh, edhe Jezuin judenjtë e dorëzuan tek autoritetet romake që ta ekzekutonin. (Gjo 18:35) Edhe Jozefi, edhe Jezui u rafinuan dhe u përgatitën për rolet e tyre jetëshpëtuese përmes vuajtjesh. (Ps 105:17-19; He 5:7-10) Ngritja e Jozefit në pozitën e administruesit të ushqimit në Egjipt, pozitë që i dha mundësi të shpëtonte jetë, është paralele me lartësimin e Jezuit dhe rolin e tij si Shpëtimtari i judenjve dhe i jojudenjve. (Gjo 3:16, 17; Ve 5:31) Komploti i vëllezërve të Jozefit për t’i bërë atij keq doli se ishte mënyra e Perëndisë për t’i shpëtuar që të mos vdisnin nga uria. Po ashtu, vdekja e Jezuit siguroi bazën e shpëtimit.—Gjo 6:51; 1Ko 1:18.
2. I ati i Igalit nga fisi i Isakarit, të cilin Moisiu e dërgoi të vëzhgonte vendin kur ishin në shkretëtirën e Paranit.—Nu 13:2, 3, 7.
3. Levit nga «bijtë e Asafit» i zgjedhur me short gjatë mbretërimit të Davidit për të shërbyer në të parin nga 24 grupet e muzikantëve.—1Kr 25:1, 2, 9.
4. ‘Biri i Jonamit’; paraardhës i Krishtit Jezu nga linja gjenealogjike e nënës së tij, Marisë. (Lu 3:30) Ishte pasardhës i Davidit dhe jetoi para shkatërrimit të Jerusalemit nga babilonasit.
5. Një nga ata që ndoqën këshillën e Ezdrës për të larguar gratë e huaja bashkë me bijtë e tyre.—Ezd 10:10-12, 42, 44.
6. Prift nga shtëpia atërore e Shebaniahut në kohën e kryepriftit Jojakim, guvernatorit Nehemia dhe priftit Ezdra.—Ne 12:12, 14, 26.
7. ‘Biri i Matatisë’ dhe paraardhës i Jezu Krishtit nga ana e nënës së tij. (Lu 3:24, 25) Ai jetoi vite pas mërgimit në Babiloni.
8. Djali i një burri me emrin Jakob; babai birësues i Krishtit Jezu, burri i Marisë, me të cilën, më vonë, pati të paktën katër bij, Jakovin, Jozefin, Simonin e Judën, si dhe disa vajza. (Mt 1:16; 13:55, 56; Lu 4:22; Gjo 1:45; 6:42) Jozefin e quanin edhe bir të Helit (Lu 3:23), pasi me sa duket ky ishte emri i vjehrrit të tij. Përherë i bindur ndaj drejtimit hyjnor, Jozefi i drejtë i përmbahej ngushtësisht Ligjit të Moisiut dhe u nënshtrohej dekreteve të Cezarit.
Të ardhurat e Jozefit, me zanat zdrukthëtar dhe banues në Nazaret, ishin mjaft të kufizuara. (Mt 13:55; Lu 2:4; krahaso Lu 2:24 me Le 12:8.) Ai ishte fejuar me një virgjëreshë të quajtur Mari (Lu 1:26, 27), por ajo mbeti shtatzënë me anë të frymës së shenjtë para se të martoheshin. Jozefi nuk donte që ajo të turpërohej para të gjithëve, prandaj mendoi të divorcohej prej saj fshehurazi. (Shih DIVORCI.) Megjithatë, pasi engjëlli i Jehovait iu shfaq në ëndërr dhe i dha shpjegime, Jozefi e mori në shtëpi Marinë si gruan e tij të ligjshme. Ai nuk pati marrëdhënie me të derisa lindi djali i ngjizur me një mrekulli nga Perëndia.—Mt 1:18-21, 24, 25.
Për t’iu bindur dekretit të Cezar Augustit lidhur me regjistrimin e popullsisë të secilit individ në qytetin e vet, Jozefi, si pasardhës i mbretit David, udhëtoi bashkë me Marinë për në Betlehem të Judesë. Atje Maria lindi Jezuin dhe e vuri në një grazhd, pasi s’kishte vend tjetër ku të rrinte. Atë natë, disa barinj që ishin njoftuar për lindjen nga një engjëll, vajtën për të parë foshnjën e sapolindur. Rreth 40 ditë më vonë, siç e kërkonte Ligji i Moisiut, Jozefi dhe Maria e paraqitën Jezuin në tempullin e Jerusalemit bashkë me një flijim. Si Jozefi, edhe Maria u çuditën kur dëgjuan fjalët profetike të Simeonit të moshuar për gjërat e mëdha që do të bënte Jezui.—Lu 2:1-33; krahaso Le 12:2-4, 6-8.
Duket se ca kohë më pas, Marinë dhe djalin e saj të vogël që banonin në një shtëpi në Betlehem, e vizituan disa astrologë nga Lindja. (Megjithëse nga Luka 2:39 mund të duket sikur Jozefi dhe Maria u kthyen në Nazaret menjëherë pasi paraqitën Jezuin në tempull, nuk duhet harruar se ky shkrim është pjesë e një tregimi shumë të përmbledhur.) Ndërhyrja hyjnore pengoi që vizita e astrologëve të shkaktonte vdekjen e Jezuit. I paralajmëruar në një ëndërr se Herodi po mundohej ta gjente fëmijën për ta vrarë, Jozefi iku me gjithë familjen në Egjipt, siç e udhëzoi Perëndia.—Mt 2:1-15.
Pas vdekjes së Herodit, engjëlli i Jehovait iu shfaq përsëri në një ëndërr Jozefit dhe i tha: «Ngrihu, merre fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit.» Por, kur mori vesh se Arkelau, i biri i Herodit, mbretëronte në vend të të atit, ai pati frikë të kthehej në Jude, dhe «meqë në ëndërr kishte marrë një paralajmërim hyjnor, u tërhoq në territorin e Galilesë dhe shkoi të banonte në qytetin e Nazaretit».—Mt 2:19-23.
Çdo vit, Jozefi e merrte familjen me vete në Jerusalem për festën e Pashkës. Njëherë, pas një dite udhë nga Jerusalemi për në Nazaret, Jozefi dhe Maria kuptuan se Jezui, asokohe 12 vjeç, nuk ishte me ta. E kërkuan me ngulm gjithandej dhe, më në fund, e gjetën në tempull, në Jerusalem, tek dëgjonte e pyeste mësuesit.—Lu 2:41-50.
Shkrimet nuk thonë se deri në ç’masë e stërviti Jozefi Jezuin. Megjithatë, s’ka dyshim se ai dha ndihmesë të madhe që Jezui të rritej në mençuri. (Lu 2:51, 52) Ai i mësoi edhe zanatin e zdrukthëtarit, pasi Jezui njihej edhe si «biri i zdrukthëtarit» (Mt 13:55), edhe si «zdrukthëtari».—Mr 6:3.
Në Shkrime nuk saktësohet koha kur vdiq Jozefi. Por duket se ai vdiq para Jezuit. Nëse ai do të ishte gjallë Pashkën e vitit 33 të e.s., s’ka kuptim që, kur ishte në shtyllë, Jezui t’ia besonte apostullit Gjon kujdesin për Marinë.—Gjo 19:26, 27.
9. Gjysmëvëlla i Jezu Krishtit. (Mt 13:55; Mr 6:3) Njësoj si vëllezërit e tjerë, në fillim Jozefi nuk tregoi besim te Jezui. (Gjo 7:5) Megjithatë, më vonë, gjysmëvëllezërit e Jezuit, përfshirë pa dyshim edhe Jozefin, u bënë besimtarë. Ata përmenden bashkë me apostujt dhe të tjerët pasi Jezui u ngrit në qiell, prandaj, ka shumë mundësi që ata të kenë qenë mes grupit të 120 dishepujve që u mblodhën në një dhomë të sipërme në Jerusalem, kur Matia u zgjodh me short në vend të Judë Iskariotit të pabesë. Duket se më vonë, gjatë festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., po ky grup i përbërë nga rreth 120 veta mori frymën e shenjtë të Perëndisë.—Ve 1:9–2:4.
10. Një pasanik nga Arimatea, qytet i Judesë, dhe anëtar i nderuar i Këshillit të Sinedrit. Ndonëse njeri i mirë dhe i drejtë që priste Mbretërinë e Perëndisë, nga frika e judenjve që nuk besonin, Jozefi nuk u shfaq haptazi si dishepull i Jezu Krishtit. Megjithatë, ai nuk votoi në favor të veprimit të padrejtë që ndërmori Sinedri kundër Krishtit Jezu. Më vonë, ai i kërkoi me guxim Pilatit trupin e Jezuit dhe, bashkë me Nikodemin, e përgatiti për varrim dhe e futi në një varr të ri të gërmuar në shkëmb. Varri gjendej në një kopsht afër vendit ku u vu në shtyllë dhe ishte pronë e Jozefit nga Arimatea.—Mt 27:57-60; Mr 15:43-46; Lu 23:50-53; Gjo 19:38-42.
11. Kandidat, bashkë me Matian, për të shërbyer në rolin që kishte lënë bosh Judë Iskarioti i pabesë. Jozefi që quhej edhe Barsaba (ndoshta emri i familjes ose thjesht një emër tjetër) dhe ishte mbiquajtur Just, ishte dëshmitar i veprës, i mrekullive dhe i ringjalljes së Jezu Krishtit. Megjithatë, para festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., në vend të Judë Iskariotit, nuk u zgjodh me short Jozefi, por Matia, i cili «u llogarit me njëmbëdhjetë apostujt».—Ve 1:15–2:1.
12. Një levit i mbiquajtur Barnaba me prejardhje nga Qipro. (Ve 4:36, 37) Ai bashkëpunoi ngushtë me apostullin Pavël.—Shih BARNABA.
[Figura në botimin e shtypur]
Vizatim në një varr të gjetur në Tebë, ku paraqitet vjelja dhe shtypja e rrushit, që përkon me tregimin biblik që thotë se faraoni kishte një kryekupëmbajtës
[Figura në botimin e shtypur]
Korrja dhe grumbullimi i drithit të vizatuara në një varr egjiptian. Zanafilla flet për korrje të bollshme drithi në Egjipt