Festa që lanë gjurmë në historinë e Izraelit
«Tri herë në vit, çdo mashkull yti duhet të paraqitet para Jehovait, Perëndisë tënd, në vendin që do të zgjedhë ai . . . dhe askush nuk duhet të paraqitet duarbosh para Jehovait.»—LIGJI I PËRTËRIRË 16:16, BR.
1. Ç’mund të thuhet për rastet e festave në kohët biblike?
ÇFARË të vjen në mend kur mendon për një festë? Disa festa në kohët e lashta dalloheshin për teprimet në kënaqësi dhe për imoralitet. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për disa festa të kohëve moderne. Por festat e paraqitura në Ligjin e Perëndisë dhënë Izraelit, ishin ndryshe. Ndonëse ishin raste të gëzueshme, ato mund të përshkruheshin edhe si «kongrese të shenjta».—Levitiku 23: 2, BR.
2. (a) Çfarë u kërkohej të bënin meshkujve izraelitë tri herë në vit? (b) Sipas fjalës së përdorur në Ligjin e përtërirë 16:16, çfarë është një «festë»?
2 Burrat besimplotë izraelitë, shpesh të shoqëruar nga familjet e tyre, gjenin një kënaqësi freskuese në udhëtimin për në Jerusalem, ‘vendin që zgjodhi Jehovai’, dhe kontribuonin bujarisht në tri festa të mëdha. (Ligji i përtërirë 16:16, BR) Libri Studime mbi fjalët e Besëlidhjes së Vjetër, e përkufizon fjalën hebraike të përkthyer «festë» në Ligjin e përtërirë 16:16, si një «rast gëzimi të madh . . . në të cilin kremtoheshin me flijime dhe gosti disa momente të shënuara të favorit të Perëndisë».a
Vlera e festave të mëdha
3. Cilat bekime sillnin ndër mend tri festat vjetore?
3 Meqenëse shoqëria e tyre kishte karakter bujqësor, izraelitët vareshin nga bekimi në formën e shiut, që jepte Perëndia. Tri festat e mëdha në Ligjin e Moisiut përkonin me grumbullimin e të korrave të elbit në fillim të pranverës, e të korrave të grurit në pranverën e vonë dhe të pjesës tjetër të të korrave në verën e vonë. Këto ishin raste gëzimi dhe mirënjohjeje të madhe ndaj Mbajtësit të ciklit të shiut dhe Bërësit të tokës prodhuese. Por festat përfshinin shumë më tepër se kaq.—Ligji i përtërirë 11:11-14.
4. Cila ngjarje historike kremtohej me anë të festës së parë?
4 Festa e parë bëhej në muajin e parë të kalendarit të lashtë biblik, nga 15 deri më 21 nisan, e cila për ne përkon me fundin e marsit ose fillimin e prillit. Ajo quhej Festa e Kuleçëve të Ndormë dhe meqenëse vinte menjëherë pas Pashkës së 14 nisanit, quhej edhe «festa e pashkës». (Luka 2:41; Levitiku 23:5, 6) Kjo festë u kujtonte izraelitëve çlirimin e tyre nga pikëllimi në Egjipt, duke i quajtur kuleçët e ndormë, «buka e pikëllimit». (Ligji i përtërirë 16:3, BR) Ajo u kujtonte atyre se ikja nga Egjipti ishte bërë me kaq nxitim, saqë nuk kishte pasur fare kohë për t’i shtuar maja brumit dhe për të pritur sa të vinte. (Dalja [Eksodi] 12:34) Gjatë kësaj feste, në një shtëpi izraelite nuk duhej të gjendej asnjë bukë me maja. Çdo kremtues, përfshirë edhe banorin e huaj, që hante bukë me maja, duhej dënuar me vdekje.—Dalja 12:19.
5. Cili privilegj mund të kujtohej me anë të festës së dytë dhe cilët duheshin përfshirë në gëzim?
5 Festa e dytë bëhej shtatë javë (49 ditë) pas 16 nisanit dhe binte ditën e 6-të të muajit të tretë, sivanit, i cili për ne përkon me fundin e majit. (Levitiku 23:15, 16) Ajo quhej Festa e Javëve (në kohën e Jezuit, ajo quhej edhe Pentekostë [Rrëshajë], domethënë «E pesëdhjeta» në greqisht) dhe bëhej afër me të njëjtën periudhë të vitit, kur Izraeli hyri në besëlidhjen e Ligjit në Malin Sinai. (Dalja 19:1, 2) Gjatë kësaj feste, izraelitë besimplotë mund të kenë medituar mbi privilegjin e tyre për të qenë të veçuar si komb i shenjtë i Perëndisë. Të qenët popull i veçantë i Perëndisë kërkonte bindje ndaj Ligjit të Perëndisë, të tillë si urdhri për të treguar kujdes të dashur për personat në kushte të pafavorshme, që edhe ata të mund të gëzonin festën.—Levitiku 23:22; Ligji i përtërirë 16:10-12.
6. Cilën përvojë i kujtonte popullit të Perëndisë festa e tretë?
6 E fundit nga tri festat e mëdha vjetore quhej Festa e Grumbullimeve ose Festa e Kasolleve. Ajo bëhej muajin e shtatë, tishri ose ethanimi, nga dita e 15-të deri në ditën e 21-të, që për ne përkon me fillimin e tetorit. (Levitiku 23:34) Gjatë kësaj kohe, populli i Perëndisë banonte jashtë shtëpisë ose mbi çati, nëpër streha (kasolle) të përkohshme të bëra me degë dhe gjethe pemësh. Kjo u kujtonte atyre udhëtimin 40-vjeçar nga Egjipti në Tokën e Premtuar, kur kombit iu desh të mësonte të mbështetej te Perëndia për nevojat e përditshme.—Levitiku 23:42, 43; Ligji i përtërirë 8:15, 16.
7. Si nxjerrim dobi nga një rishikim i kremtimeve të festave në Izraelin e lashtë?
7 Le të rishikojmë disa festa, që doli se lanë gjurmë në historinë e popullit të lashtë të Perëndisë. Kjo duhet të jetë diçka inkurajuese për ne sot, pasi edhe ne jemi të ftuar të mblidhemi rregullisht së bashku, çdo javë dhe tri herë në vit në asamble dhe kongrese të mëdha.—Hebrenjve 10:24, 25.
Në kohën e mbretërve davidikë
8. (a) Cili kremtim historik u mbajt në ditët e mbretit Solomon? (b) Cilin kulm të madh të Festës antitipike të Kasolleve mund të presim me padurim?
8 Një kremtim historik në kohën e Festës së Kasolleve u bë gjatë mbretërimit të mbarë të mbretit Solomon, birit të Davidit. «Një kongregacion shumë i madh» u mblodh nga skajet e Tokës së Premtuar për Festën e Kasolleve dhe për dedikimin e tempullit. (2. Kronikave 7:8, BR) Kur ai përfundoi, mbreti Solomon i la të iknin kremtuesit, të cilët «filluan të bekonin mbretin dhe të shkonin nëpër shtëpitë e tyre, duke u gëzuar dhe duke u ndjerë të kënaqur në zemër për gjithë mirësinë që kishte kryer Jehovai për Davidin, shërbëtorin e tij, dhe për Izraelin, popullin e tij». (1. Mbretërve 8:66, BR) Kjo ishte në të vërtetë një festë që la gjurmë. Sot, shërbëtorët e Perëndisë presin me padurim kulmin e madh të Festës antitipike të Kasolleve, në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Solomonit më të Madh, Jezu Krishtit. (Zbulesa 20:3, 7-10, 14, 15) Në atë kohë, njerëzit që jetojnë në çdo cep të tokës, përfshirë të ringjallurit dhe të mbijetuarit nga Harmagedoni, do të jenë të bashkuar në adhurimin e gëzueshëm të Perëndisë Jehova.—Zaharia 14:16.
9-11. (a) Ç’gjë çoi në një festë që la gjurmë në ditët e mbretit Hezekia? (b) Çfarë shembulli u la nga shumë persona të mbretërisë veriore prej dhjetë fisesh dhe çfarë na kujton ai sot?
9 Festa tjetër e jashtëzakonshme, për të cilën flitet në Bibël, erdhi pas sundimit të mbretit të lig Ashaz, i cili kishte mbyllur tempullin dhe e kishte çuar në apostazi mbretërinë e Judesë. Pasuesi i Ashazit ishte mbreti i mirë Hezekia. Në vitin e parë të mbretërimit të tij, në moshën 25-vjeçare, Hezekia filloi një program të madh restaurimi dhe reforme. Ai hapi menjëherë tempullin dhe mori masa për riparimin e tij. Pastaj, mbreti u dërgoi letra izraelitëve që jetonin në mbretërinë armiqësore veriore prej dhjetë fisesh të Izraelit, duke i ftuar të vinin dhe të kremtonin Pashkën dhe Festën e Kuleçëve të Ndormë. Shumë veta erdhën, megjithë talljet e të tjerëve.—2. Kronikave 30:1, 10, 11, 18.
10 A qe një sukses festa? Bibla thotë: «Kështu, bijtë e Izraelit që u gjetën në Jerusalem, mbajtën festën e kuleçëve të ndormë shtatë ditë, me gëzim të madh; levitët dhe priftërinjtë i ofronin lavde Jehovait ditë pas dite me instrumenta kumbuese.» (2. Kronikave 30:21, BR) Çfarë shembulli të shkëlqyer lanë ata izraelitë për popullin e Perëndisë sot, shumë prej të cilëve durojnë kundërshtimin dhe bëjnë një rrugë të gjatë për të marrë pjesë nëpër kongrese.
11 Për shembull, merr rastin e tri kongreseve krahinore «Devocion hyjnor», që u mbajtën në Poloni në vitin 1989. Mes 166.518 pjesëmarrësve ndodheshin grupe të mëdha nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe nga vende të tjera të Evropës Lindore, ku vepra e Dëshmitarëve të Jehovait, në atë kohë ishte e ndaluar. «Për disa prej atyre që morën pjesë nëpër këto kongrese,—thuhet në librin Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë (anglisht),b—ishte hera e parë që ndodheshin në një mbledhje të madhe prej më shumë se 15 ose 20 vetash të popullit të Jehovait. Zemrat e tyre gufonin nga çmueshmëria, tek shikonin dhjetëra mijë veta nëpër stadiume, të bashkuar me ta në lutje dhe me zëra të bashkuar në këngë lavdie për Jehovain.»—Faqe 279.
12. Ç’gjë çoi në festën që la gjurmë, gjatë mbretërimit të mbretit Josia?
12 Pas vdekjes së Hezekias, judenjtë ranë përsëri në adhurimin e rremë nën mbretërit Manase dhe Amon. Më pas erdhi mbretërimi i një mbreti tjetër të mirë, Josias së ri, i cili veproi me kurajë për rivendosjen e adhurimit të vërtetë. Në moshën 25-vjeçare, Josia urdhëroi të riparohej tempulli. (2. Kronikave 34:8) Ndërsa po bëhej riparimi, në tempull u gjet Ligji i shkruar nga Moisiu. Mbreti Josia u prek thellë nga ajo që lexoi në Ligjin e Perëndisë dhe mori masa që ai t’i lexohej gjithë popullit. (2. Kronikave 34:14, 30) Më pas, sipas asaj që ishte shkruar, ai organizoi kremtimin e Pashkës. Edhe mbreti la një shembull të shkëlqyer, duke kontribuar bujarisht për këtë rast. Si rezultat, Bibla thotë: «Në Izrael nuk ishte mbajtur kurrë një pashkë si ajo, që nga koha e profetit Samuel.»—2. Kronikave 35:7, 17, 18, BR.
13. Çfarë na kujtojnë sot kremtimet e festave nga Hezekia dhe nga Josia?
13 Reformat e Hezekias dhe të Josias janë paralele të rivendosjes së mrekullueshme të adhurimit të vërtetë, që ka ndodhur mes të krishterëve të vërtetë që prej hipjes në fron të Jezu Krishtit më 1914. Ashtu siç qe e vërtetë sidomos për reformat e Josias, kjo rivendosje e kohëve moderne u bazua në atë që shkruhet në Fjalën e Perëndisë. Gjithashtu, si paralele e ditëve të Hezekias dhe të Josias, shenjë dalluese e kësaj rivendosjeje në kohët moderne kanë qenë asambletë dhe kongreset, ku janë nxjerrë në pah shpjegime drithëruese të profecive të Biblës dhe aplikime të përshtatshme për kohën, të parimeve biblike. Gëzimit të këtyre rasteve për t’u mësuar, i është shtuar numri i madh i atyre që pagëzohen. Ashtu si izraelitët e penduar në ditët e Hezekias dhe të Josias, të sapopagëzuarit i kanë kthyer shpinën praktikave të liga të të ashtuquajturit krishterim dhe pjesës tjetër të botës së Satanait. Në vitin 1997, më shumë se 375.000 persona u pagëzuan në simbol të dedikimit të tyre ndaj Perëndisë së shenjtë, Jehovait: një mesatare prej më shumë se 1.000 persona në ditë.
Pas mërgimit
14. Ç’gjë çoi në një festë që la gjurmë, në vitin 537 p.e.s.?
14 Pas vdekjes së Josias, kombi iu kthye përsëri adhurimit të rremë degradues. Më në fund, në vitin 607 p.e.s., Jehovai e dënoi popullin e tij, duke sjellë ushtritë babilonase kundër Jerusalemit. Qyteti dhe tempulli i tij u shkatërruan, ndërsa toka u shkretua. Pasuan 70 vjet të robërisë së hebrenjve në Babiloni. Më pas, Perëndia rigjallëroi një mbetje të penduar hebrenjsh, të cilët u kthyen në Tokën e Premtuar, për të rivendosur adhurimin e vërtetë. Ata mbërritën në qytetin e rrënuar të Jerusalemit në muajin e shtatë të vitit 537 p.e.s. Gjëja e parë që bënë ishte ngritja e një altari, për të ofruar flijime të rregullta të përditshme, siç paraqitej në besëlidhjen e Ligjit. Kjo u bë tamam në kohë për një kremtim tjetër historik. «Pastaj, ata mbajtën festën e kasolleve, sipas asaj që ishte shkruar.»—Ezdra 3:1-4, BR.
15. Cila punë shtrihej përpara për mbetjen e rivendosur në vitin 537 p.e.s. dhe në ç’mënyrë ekzistonte një situatë paralele në vitin 1919?
15 Para këtyre mërgimtarëve të kthyer, shtrihej një punë e madhe: rindërtimi i tempullit të Perëndisë dhe i Jerusalemit me muret e tij. Ekzistonte një kundërshtim i madh nga ana e fqinjëve smirëzinj. Kur po ndërtohej tempulli, kjo ishte një «ditë gjërash të vogla». (Zaharia 4:10) Situata ishte paralele me kushtet e të krishterëve të mirosur besimplotë, në vitin 1919. Në atë vit të paharrueshëm, ata u liruan nga robëria frymore prej Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. Ata numëronin vetëm disa mijëra dhe hasën një botë armiqësore. A do të ishin në gjendje armiqtë e Perëndisë të ndalnin ecjen përpara të adhurimit të vërtetë? Përgjigjja e kësaj pyetjeje sjell ndër mend kremtimet e dy festave të fundit të regjistruara në Shkrimet Hebraike.
16. Ç’gjë ishte domethënëse në lidhje me një festë në vitin 515 p.e.s.?
16 Tempulli u rindërtua përfundimisht në muajin adar të vitit 515 p.e.s., tamam në kohë për festën pranverore në nisan. Bibla thotë: «Ata vazhduan të mbanin me gëzim për shtatë ditë festën e kuleçëve të ndormë, sepse Jehovai i bëri të gëzonin dhe ai kishte kthyer zemrën e mbretit të Asirisë ndaj tyre, për të forcuar duart e tyre në punën e shtëpisë së Perëndisë së vërtetë, të Perëndisë së Izraelit.»—Ezdra 6:22, BR.
17, 18. (a) Cila festë që la gjurmë u arrit në vitin 455 p.e.s.? (b) Në ç’mënyrë jemi në një situatë të ngjashme sot?
17 Gjashtëdhjetë vjet më vonë, në vitin 455 p.e.s., u arrit një ngjarje tjetër që la gjurmë. Festa e Kasolleve atë vit, shënoi përfundimin e rindërtimit të mureve të Jerusalemit. Bibla thotë: «Çdo kongregacion i atyre që ishin kthyer nga robëria, bëri kasolle dhe filloi të banonte në kasolle, sepse bijtë e Izraelit nuk kishin vepruar në këtë mënyrë që prej ditëve të Jozueut, birit të Nunit, e deri në atë ditë, kështu që pati një gëzim shumë të madh.»—Nehemia 8:17, BR.
18 Ç’rivendosje e paharrueshme e adhurimit të vërtetë të Perëndisë, megjithë kundërshtimin e egër! Sot, situata është e ngjashme. Megjithë valët e persekutimit dhe të kundërshtimit, vepra madhështore e predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë ka arritur deri në skajet e tokës dhe mesazhet e gjykimit të Perëndisë kanë kumbuar në të katër anët. (Mateu 24:14) Vulosja përfundimtare e 144.000 të mbeturve po afrohet. Mbi pesë milionë shokë të tyre nga «delet e tjera», janë grumbulluar nga të gjitha kombet në «një kope të vetme» me mbetjen e mirosur. (Gjoni 10:16; Zbulesa 7:3, 9, 10) Ç’përmbushje e mrekullueshme e pamjes profetike të Festës së Kasolleve! Kjo vepër madhështore grumbullimi do të vazhdojë në botën e re, kur miliarda të ringjallur do jenë të ftuar për t’u bashkuar në kremtimin e Festës antitipike të Kasolleve.—Zaharia 14:16-19.
Në shekullin e parë të e.s.
19. Ç’gjë e bëri të jashtëzakonshme Festën e Kasolleve në vitin 32 të e.s.?
19 Mes kremtimeve më të jashtëzakonshme të festave të regjistruara në Bibël, ishin pa dyshim ato ku mori pjesë Biri i Perëndisë, Jezu Krishti. Për shembull, të marrim rastin e pjesëmarrjes së Jezuit në Festën e Kasolleve (apo të Tabernakujve) në vitin 32 të e.s. Ai e përdori atë rast për t’u mësuar të tjerëve të vërteta të rëndësishme dhe e mbështeti mësimin e tij me anë të citimit nga Shkrimet Hebraike. (Gjoni 7:2, 14, 37-39) Një veçori e rregullt në këtë festë, ishte zakoni i ndezjes së katër shandanëve të mëdhenj në një oborr të brendshëm të tempullit. Kjo i kontribuonte gëzimit të aktiviteteve të festës, që vazhdonin deri natën vonë. Me sa duket, Jezui e ka pasur fjalën për këto drita të mëdha, kur tha: «Unë jam drita e botës. Ai që më ndjek, patjetër që nuk do të ecë në errësirë, por do të zotërojë dritën e jetës.»—Gjoni 8:12, BR.
20. Pse ishte e jashtëzakonshme Pashka në vitin 33 të e.s.?
20 Pastaj erdhi Pashka dhe Festa e Kuleçëve të Ndormë e vitit domethënës 33 të e.s. Në atë Ditë Pashke, Jezui u ekzekutua nga armiqtë e tij dhe u bë Qengji antitipik i Pashkës, i cili vdiq për të hequr «mëkatin e botës». (Gjoni 1:29; 1. Korintasve 5:7, BR) Tri ditë më vonë, më 16 nisan, Perëndia e ringjalli Jezuin me një trup të pavdekshëm frymor. Kjo përkonte me ofrimin e fryteve të para të korrjes së elbit, siç përshkruhej nga Ligji. Kështu, Zotëria i ringjallur Jezu Krisht u bë «fryti i parë i atyre që kishin rënë në gjumë në vdekje».—1. Korintasve 15:20, BR.
21. Çfarë ndodhi në Rrëshajët e vitit 33 të e.s.?
21 Një festë vërtet e jashtëzakonshme ishte Rrëshaja në vitin 33 të e.s. Atë ditë, shumë hebrenj dhe prozelitë ishin mbledhur në Jerusalem, duke përfshirë edhe 120 dishepuj të Jezuit. Ndërkohë që festa vazhdonte, Zotëria i ringjallur Jezu Krisht derdhi frymën e shenjtë mbi të 120-t. (Veprat 1:15; 2:1-4, 33) Në këtë mënyrë ata u mirosën dhe u bënë kombi i ri i zgjedhur i Perëndisë, nëpërmjet besëlidhjes së re të ndërmjetësuar nga Jezu Krishti. Gjatë asaj feste, kryeprifti hebre i ofronte Perëndisë dy bukë me maja, të bëra nga fryti i parë i korrjes së grurit. (Levitiku 23:15-17) Këto bukë me maja paraqesin 144.000 njerëzit e papërsosur, të cilët Jezui i ‘bleu për Perëndinë’, që të shërbejnë si «një mbretëri dhe priftërinj . . . për të sunduar si mbretër mbi tokën». (Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 3, BR) Me anë të dy bukëve me maja mund të tipizohet, gjithashtu, fakti që këta sundimtarë qiellorë vijnë nga dy degë të njerëzimit mëkatar, hebrenjtë dhe johebrenjtë.
22. (a) Pse të krishterët nuk i kremtojnë festat e besëlidhjes së Ligjit? (b) Çfarë do të marrim në shqyrtim në artikullin vijues?
22 Kur besëlidhja e re u vu në veprim në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., domethënia qe se besëlidhja e vjetër e Ligjit kishte pushuar së pasuri vlerë në sytë e Perëndisë. (2. Korintasve 3:14; Hebrenjve 9:15; 10:16) Kjo nuk do të thotë se të krishterët e mirosur janë pa ligj. Ata vihen nën ligjin hyjnor të mësuar nga Jezu Krishti dhe të shkruar në zemrat e tyre. (Galatasve 6:2) Prandaj, tri festat vjetore, duke qenë pjesë të besëlidhjes së vjetër të Ligjit, nuk kremtohen nga të krishterët. (Kolosianëve 2:16, 17) Megjithatë, ne mund të mësojmë shumë nga qëndrimi i shërbëtorëve të Perëndisë para krishterimit, kundrejt festave dhe mbledhjeve të tjera të tyre për adhurim. Në artikullin vijues, do të marrim në shqyrtim shembuj që pa dyshim do të na motivojnë të gjithëve që të çmojmë nevojën për të qenë të rregullt në ndjekjen e mbledhjeve të krishtere.
[Shënimet]
a Shiko edhe Mendjehollësi mbi Shkrimet, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc., vëllimi 1, faqe 820, kolona 1, paragrafi 1 dhe 3, në «Festival», anglisht.
b Botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc.
Pyetje për rishikim
◻ Cilit qëllim i shërbyen tri festat e mëdha të Izraelit?
◻ Çfarë i karakterizoi festat në kohën e Hezekisë dhe të Josias?
◻ Çfarë feste që la gjurmë u kremtua në vitin 455 p.e.s. dhe pse është inkurajuese për ne?
◻ Ç’gjë ishte domethënëse në lidhje me Pashkën dhe Rrëshajët në vitin 33 të e.s.?
[Kutia në faqen 12]
Një mësim feste për ne sot
Të gjithë ata që duan të nxjerrin dobi për një kohë të pafundme nga flijimi mëkatshlyerës i Jezuit, duhet të jetojnë në harmoni me atë që paraqet Festa e Kuleçëve të Ndormë. Kjo festë antitipike është kremtimi i gëzueshëm i të krishterëve të mirosur për çlirimin e tyre prej kësaj bote të ligë dhe i lirimit të tyre prej dënimit të mëkatit, nëpërmjet shpërblerjes së Jezuit. (Galatasve 1:4; Kolosianëve 1:13, 14) Festa e mirëfilltë zgjaste shtatë ditë, numër ky i përdorur në Bibël për të simbolizuar plotësinë frymore. Festa antitipike zgjat për sa kohë vazhdon të jetë në tokë kongregacioni i të krishterëve të mirosur dhe duhet kremtuar me «sinqeritet dhe të vërtetë». Kjo do të thotë të ruhemi në mënyrë të vazhdueshme nga majaja e figurshme. Në Bibël, majaja është përdorur për të simbolizuar mësimet e korruptuara, hipokrizinë dhe të keqen. Adhuruesit e vërtetë të Jehovait duhet të tregojnë urrejtje për një maja të tillë, duke mos e lejuar të korruptojë jetën e tyre, si dhe duke mos e lejuar të ndotë kthjelltësinë e kongregacionit të krishterë.—1. Korintasve 5:6-8; Mateu 16:6, 12.
[Figura në faqen 9]
Një tufë e të korrave të reja të elbit ofrohej çdo vit më 16 nisan, ditën që u ringjall Jezui
[Figura në faqen 10]
Jezui mund ta ketë pasur fjalën për dritat e festës, kur e quajti veten «drita e botës»