A je ‘i rrënjosur dhe i vendosur në një themel të qëndrueshëm’?
A KE parë ndonjëherë një pemë të madhe ndërsa e godasin erërat e stuhishme? Forca që ushtrohet ndaj pemës është shumë e madhe, e megjithatë ajo qëndron. Pse? Sepse ka një sistem rrënjor të fortë të mbërthyer në tokë. Ne mund të jemi si ajo pemë. Kur luftojmë me sprova të stuhishme në jetë, edhe ne mund të qëndrojmë nëse mbetemi «të rrënjosur dhe të vendosur në një themel të qëndrueshëm». (Efes. 3:14-17) Cili është ky themel i qëndrueshëm?
Fjala e Perëndisë thotë se ‘vetë Krishti Jezu është guri i qoshes’ së themelit të kongregacionit të krishterë. (Efes. 2:20; 1 Kor. 3:11) Si të krishterë, inkurajohemi që ‘të vazhdojmë të ecim në unitet me të, të rrënjosemi, të ndërtohemi në të e të bëhemi të qëndrueshëm në besim’. Nëse veprojmë kështu, do të jemi në gjendje t’u qëndrojmë të gjitha sulmeve kundër besimit tonë—përfshirë edhe atyre që vijnë në formën e ‘argumenteve mbushamendëse’ të cilat bazohen te ‘mashtrimet boshe’ të njerëzve.—Kolos. 2:4-8.
«Gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia»
Por, si mund ‘të rrënjosemi dhe të bëhemi të qëndrueshëm në besim’? Një mënyrë e rëndësishme për t’i lëshuar rrënjët tona thellë në tokë, është nëpërmjet studimit të zellshëm të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë. Jehovai do që ‘të rrokim me mendje bashkë me gjithë të shenjtët se cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia’ e së vërtetës. (Efes. 3:18) Prandaj, asnjë i krishterë nuk duhet të kënaqet vetëm me një kuptueshmëri sipërfaqësore, pra duke ditur vetëm «gjërat elementare» që gjenden në Fjalën e Perëndisë. (Hebr. 5:12; 6:1) Përkundrazi, secili prej nesh duhet të ketë dëshirë të zjarrtë që të thellojë kuptueshmërinë për të vërtetat biblike.—Prov. 2:1-5.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se një bagazh i madh njohurie mjafton për të qenë «të rrënjosur dhe të vendosur» në të vërtetën. Edhe Satanai e di se çfarë përmban Bibla. Përkundrazi, nevojitet diçka më shumë. Kemi nevojë ‘të njohim dashurinë e Krishtit, e cila e tejkalon njohurinë’. (Efes. 3:19) Sidoqoftë, kur studiojmë sepse e duam Jehovain dhe të vërtetën, rritja e njohurisë së saktë për Fjalën e Perëndisë do të na e forcojë besimin.—Kolos. 2:2.
Provo kuptueshmërinë tënde
Pse të mos provosh që tani nëse i kupton disa nga të vërtetat jetësore që gjenden në Bibël? Kështu mund të nxitesh të jesh më i kujdesshëm kur bën studimin personal të Biblës. Si shembull, lexo vargjet hyrëse të letrës së apostullit Pavël drejtuar efesianëve. (Shih kutinë «Letra drejtuar Efesianëve».) Pasi të lexosh këto vargje, pyet veten: «A e kuptoj domethënien e frazave që janë me germa të pjerrëta në kuti?» Le t’i shqyrtojmë ato një nga një.
Të paravendosur «përpara themelimit të botës»
Pavli u shkroi bashkëbesimtarëve: «[Perëndia] paravendosi që të na birësonte nëpërmjet Jezu Krishtit.» Po, Jehovai vendosi të birësonte disa njerëz që të bëheshin pjesë e familjes së tij qiellore të përsosur. Këta bij të birësuar të Perëndisë do të sundonin si mbretër dhe priftërinj me Krishtin. (Rom. 8:19-23; Zbul. 5:9, 10) Kur në fillim sfidoi sovranitetin e Jehovait, Satanai la të kuptohej se kishte mangësi te krijesat njerëzore që bëri Perëndia. Por, sa e përshtatshme ishte që Jehovai zgjodhi pikërisht disa krijesa njerëzore që të kishin një rol në pastrimin përfundimtar të universit nga çdo ligësi, përfshirë edhe nga burimi i së keqes, Satana Djalli. Megjithatë, Jehovai nuk paravendosi se cilët individë do të birësonte. Përkundrazi, Perëndia vendosi se do të ishte një grup ose klasë njerëzish që do të sundonin me Krishtin në qiell.—Zbul. 14:3, 4.
Por, për cilën ‘botë’ e kishte fjalën Pavli kur u shkroi të bashkëkrishterëve se ata, si grup, ishin zgjedhur «përpara themelimit të botës»? Ai nuk po fliste për kohën para krijimit të tokës ose të njerëzve nga Perëndia. Kjo do të cenonte drejtësinë. Si mund të ishin përgjegjës për veprimet e tyre Adami dhe Eva nëse Perëndia, pa i krijuar ende, do të kishte paravendosur se ata do të mëkatonin? Atëherë, në cilin moment vendosi Perëndia se si ta ndreqte situatën që u krijua kur Adami dhe Eva u bashkuan me Satanain në rebelimin e tij kundër sovranitetit të Perëndisë? Jehovai e bëri këtë vetëm pasi prindërit tanë të parë u rebeluan, por para se të vinte në ekzistencë një botë me njerëz të papërsosur që mund të shpengoheshin.
«Sipas pasurisë së dashamirësisë së tij të pamerituar»
Pse Pavli tha se masat që shqyrtuam në vargjet hyrëse të Letrës drejtuar Efesianëve, u morën ‘sipas pasurisë së dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’? Ai e tha këtë për të theksuar se Jehovai nuk ishte i detyruar të shpengonte njerëzimin mëkatar.
Nga natyra, asnjë prej nesh nuk ka ndonjë meritë falë së cilës mund të fitojë shpengimin. Por, nga dashuria e thellë për familjen njerëzore, Jehovai mori masa të veçanta për të na shpëtuar. Po të mbajmë parasysh papërsosmërinë dhe gjendjen tonë mëkatare, shpengimi ynë është vërtet, siç tha Pavli, dashamirësi e pamerituar.
Sekreti i shenjtë për qëllimin e Perëndisë
Në fillim, Perëndia nuk e zbuloi se si do të ndreqte dëmin që solli Satanai. Ky ishte ‘një sekret i shenjtë’. (Efes. 3:4, 5) Më vonë, me themelimin e kongregacionit të krishterë, Jehovai zbuloi hollësi se si do ta plotësonte qëllimin e tij fillestar për njerëzimin dhe tokën. Pavli shpjegoi se ‘kur u mbushën kohët e caktuara’, Perëndia vuri në veprim «një administrim», domethënë një mënyrë të administrimit të gjërave, e cila do të çojë në bashkimin e të gjitha krijesave të Tij me aftësi për të arsyetuar.
Faza e parë e këtij bashkimi nisi në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur Jehovai filloi të mblidhte ata që do të sundonin me Krishtin në qiell. (Vep. 1:13-15; 2:1-4) Faza e dytë do të ishte mbledhja e atyre që do të jetojnë në një tokë parajsore nën Mbretërinë mesianike të Krishtit. (Zbul. 7:14-17; 21:1-5) Termi «administrim» nuk i referohet Mbretërisë mesianike, pasi kjo Mbretëri u vendos në vitin 1914. Përkundrazi, termi i referohet mënyrës si do t’i drejtonte gjërat Perëndia që të përmbushte qëllimin e tij për të rivendosur unitetin në mbarë universin.
Ji ‘tërësisht i rritur në aftësitë për të kuptuar’
Sigurisht, zakonet e mira të studimit personal do të të ndihmojnë të kuptosh plotësisht ‘gjerësinë, gjatësinë, lartësinë dhe thellësinë’ e së vërtetës. Por pa dyshim, mënyra e sotme e jetesës plot nxitim ia bën më të lehtë Satanait t’i dobësojë, madje t’i prishë, këto zakone studimi. Mos lejo ta bëjë këtë me ty! Përdor ‘aftësinë intelektuale’ që të ka dhënë Perëndia që të bëhesh ‘tërësisht i rritur në aftësitë për të kuptuar’. (1 Gjon. 5:20; 1 Kor. 14:20) Sigurohu që të kuptosh pse i beson gjërat që beson dhe që të mund të japësh gjithnjë ‘një arsye për shpresën tënde’.—1 Pjet. 3:15.
Imagjino sikur të ishe i pranishëm në Efes kur u lexua për herë të parë letra e Pavlit. A nuk do të të kishin nxitur fjalët e tij që të dëshiroje të rriteshe «në njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë»? (Efes. 4:13, 14) Me siguri që po! Prandaj, le të të nxitin në të njëjtën mënyrë sot fjalët e frymëzuara të Pavlit. Dashuria e thellë për Jehovain dhe njohuria e saktë për Fjalën e tij, do të të ndihmojnë të qëndrosh patundshmërisht ‘i rrënjosur dhe i vendosur në themelin e qëndrueshëm’ të Krishtit. Kështu do të mund të qëndrosh gjatë çdo stuhie që Satanai mund të ngrejë kundër teje para se të vijë fundi i plotë i kësaj bote të ligë.—Psal. 1:1-3; Jer. 17:7, 8.
[Kutia dhe figura në faqen 27]
«Letra drejtuar Efesianëve»
«I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht, sepse na ka bekuar me çdo bekim frymor në vendet qiellore në unitet me Krishtin, ashtu si na zgjodhi në unitet me të përpara themelimit të botës, që ne të jemi të shenjtë dhe të patëmetë përpara tij në dashuri. Sepse, ai paravendosi që të na birësonte nëpërmjet Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet, që ai të marrë lavdi për dashamirësinë e tij të pamerituar e të lavdishme, të cilën na e dha dashamirësisht me anë të Birit të tij të dashur. Falë tij ne kemi çlirimin nëpërmjet shpërblesës me anë të gjakut të vet, po, faljen e shkeljeve tona, sipas pasurisë së dashamirësisë së tij të pamerituar. Ai na e dha atë me bollëk, me plot mençuri dhe gjykim të shëndoshë, duke na bërë të njohur sekretin e shenjtë të vullnetit të tij. Në përputhje me pëlqimin e tij, ai pati si qëllim në vetvete një administrim, kur të mbusheshin kohët e caktuara, domethënë të mblidhte përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat në tokë.»—Efes. 1:3-10.