Letra drejtuar kolosianëve
2 Vërtet, dua të kuptoni ç’betejë të madhe po bëj për ju, për ata në Laodice+ dhe për gjithë të tjerët që nuk më kanë parë personalisht.* 2 Gjithë këtë e bëj që t’u ngushëllohen zemrat,+ që të jenë të lidhur në mënyrë të harmonishme me dashuri,+ që të kenë gjithë pasuritë që vijnë kur kuptohet qartë e me siguri të plotë e vërteta dhe që të fitojnë njohurinë e saktë për sekretin e shenjtë të Perëndisë, domethënë, Krishtin.+ 3 Tek ai janë fshehur me kujdes të gjitha thesaret e mençurisë e të njohurisë.+ 4 Këtë po e them që askush të mos ju mashtrojë me argumente gjoja bindëse. 5 E ndonëse nuk jam mes jush fizikisht, jam me zemër,* dhe gëzoj kur shoh sa të rregullt jeni+ dhe sa i patundur është besimi juaj te Krishti.+
6 Prandaj, ashtu siç e pranuat Krishtin Jezu, Zotërinë, vazhdoni të ecni në unitet me të, 7 të rrënjosur e të ndërtuar në themelin që është Krishti,+ të palëkundur në besim,+ sikurse u mësuat, dhe falënderoni pareshtur Perëndinë.+
8 Ruhuni se mos ndokush ju robëron* nëpërmjet filozofisë e mashtrimeve boshe,+ sipas traditës njerëzore, sipas gjërave elementare të botës, e jo në përputhje me mësimet e Krishtit, 9 sepse tek ai shfaqen plotësisht* të gjitha cilësitë e Perëndisë.+ 10 Kështu edhe juve nuk ju mungon asgjë* falë tij, i cili është kreu i çdo qeverie dhe autoriteti.+ 11 Në unitet me të, edhe ju u rrethpretë me një rrethprerje që s’bëhet nga duart e njeriut, por me rrethprerjen e Krishtit,+ po, duke e zhveshur trupin nga dëshirat mëkatare.*+ 12 Në fakt, ju u varrosët me të në pagëzimin e tij,+ e ngaqë jeni në unitet me të, u ngritët+ së bashku nëpërmjet besimit në veprat e fuqishme të Perëndisë, i cili e ngriti atë nga të vdekurit.+
13 Për më tepër, edhe pse ishit të vdekur për shkak të shkeljeve* e të parrethprerjes suaj, Perëndia ju dha jetë bashkë me të.+ Me zemërmirësi, ai na i fali të gjitha shkeljet+ 14 dhe e fshiu dokumentin e shkruar me dorë,+ i cili përbëhej nga dekrete+ dhe ishte kundër nesh;+ këtë Ai e hoqi duke e gozhduar në shtyllën e torturës.*+ 15 E me anë të shtyllës së torturës,* i zhveshi qeveritë e autoritetet dhe i paraqiti botërisht si të mposhtura+ në një marshim triumfues.
16 Prandaj, askush të mos ju gjykojë për atë që hani e që pini,+ për kremtimin e ndonjë feste, të hënës së re+ a të sabateve.+ 17 Këto gjëra janë një hije e gjërave që do të vijnë,+ kurse realiteti i përket Krishtit.+ 18 Mos lejoni askënd që gjen kënaqësi te përulësia e shtirur, tek adhurimi i engjëjve* e që ngul këmbë* në gjërat që ka parë, t’ju privojë nga çmimi.+ Njerëz të tillë krekosen më kot, për shkak të prirjes mëkatare të mendjes së tyre, 19 dhe nuk mbahen fort te kreu,+ falë të cilit i gjithë trupi ushqehet, lidhet në mënyrë të harmonishme me anë të nyjave* e të ligamenteve dhe vazhdon të rritet sipas rritjes që vjen nga Perëndia.+
20 E nëse vdiqët bashkë me Krishtin për sa u përket gjërave elementare të botës,+ pse jetoni atëherë sikur të ishit ende në botë? Pse vazhdoni t’u nënshtroheni urdhërimeve+ 21 «mos merr, mos shijo, mos prek» 22 për gjëra që marrin fund nga përdorimi, kur janë veçse urdhërime e mësime njerëzish?+ 23 Edhe pse duken si të mençura, ato janë thjesht një formë e vetimponuar adhurimi, një përulësi e shtirur, një trajtim i ashpër i trupit,+ por nuk kanë kurrfarë vlere në luftën kundër dëshirave të trupit mëkatar.*