MËSIMI 37
Çfarë thotë Bibla për punën dhe paratë?
A ndihesh ndonjëherë në ankth për punën ose për paratë? Mund të jetë e vështirë të kujdesemi për nevojat tona dhe njëkohësisht të adhurojmë Jehovain, siç e meriton. Megjithatë, Bibla na jep këshilla praktike që mund të na ndihmojnë.
1. Çfarë thotë Bibla për punën?
Perëndia do që të gjejmë kënaqësi në punë. Bibla thotë se ‘për njeriun s’ka asgjë më të mirë se të kënaqet me mundin e vet’. (Eklisiastiu 2:24) Jehovai punon fort. Kur punojmë edhe ne pa u lodhur si Jehovai, i sjellim kënaqësi atij, por kënaqemi edhe vetë.
Puna është e rëndësishme, por nuk duhet ta lejojmë kurrë të bëhet më e rëndësishme se adhurimi që i bëjmë Jehovait. (Gjoni 6:27) Nëse vëmë Jehovain në vend të parë, ai na premton se do të kujdeset për nevojat tona fizike.
2. Ç’pikëpamje duhet të kemi për paratë?
Edhe pse Bibla e pranon se ‘paraja është mbrojtje’, na paralajmëron se ajo nuk mjafton për të na bërë të lumtur. (Eklisiastiu 7:12) Prandaj, na nxit të mos kemi dashuri për paratë, por ‘të jemi të kënaqur me atë që kemi’. (Lexo Hebrenjve 13:5.) Kur kënaqemi me aq sa kemi, nuk do të zhgënjehemi nga etja për pasuri. Kështu nuk do të hyjmë në borxhe të panevojshme. (Proverbat 22:7) Gjithashtu do t’i qëndrojmë larg bixhozit dhe nuk do të ndjekim strategji financiare që premtojnë pasurim të menjëhershëm.
3. Si mund t’i përdorim paratë për të mirën e të tjerëve?
Jehovai është një Perëndi bujar, ndaj e imitojmë kur jemi ‘bujarë dhe nuk kursehemi për të tjerët’. (1 Timoteut 6:18) Mund t’i përdorim paratë për të mirën e të tjerëve, kur mbështetim kongregacionin dhe kur ndihmojmë ata që kanë nevojë, sidomos bashkëbesimtarët. Jehovait i intereson më tepër motivi përse japim, dhe jo sasia. Kur japim me bujari nga zemra, jemi të lumtur dhe i sjellim kënaqësi Jehovait.—Lexo Veprat 20:35.
SHQYRTO MË TEJ
Shiko të mirat që vijnë kur kemi pikëpamjen e duhur për punën dhe kur kënaqemi me aq sa kemi.
4. Të nderojmë Jehovain kur jemi në punë
Miqësia me Jehovain duhet të ndikojë te qëndrimi që kemi ndaj punës. Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjet që vijojnë.
Nga ajo që pe në video, çfarë të bëri më shumë përshtypje te qëndrimi dhe sjellja e Xhejzonit në punë?
Si arriti ai të kishte pikëpamjen e duhur për punën?
Lexoni Kolosianëve 3:23, 24 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Pse ka rëndësi qëndrimi që kemi ndaj punës?
Puna është e rëndësishme, por asnjëherë nuk duhet të bëhet më e rëndësishme se adhurimi ynë ndaj Jehovait
5. Është për të mirën tonë të kënaqemi me aq sa kemi
Shumë njerëz s’ngopen së grumbulluari para. Por, Bibla na nxit të veprojmë ndryshe. Lexoni 1 Timoteut 6:6-8 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Për çfarë na nxit Bibla?
Mund të jemi të lumtur edhe nëse kemi fare pak. Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.
Pse janë të lumtura këto familje, ndonëse nuk kanë shumë para?
Po nëse kemi shumë para, por na duket sikur nuk na mjaftojnë? Për të treguar sa e rrezikshme është kjo pikëpamje, Jezui bëri një ilustrim. Lexoni Lukën 12:15-21 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Çfarë mësimi nxjerrim nga ilustrimi i Jezuit?—Shih vargun 15.
Lexoni Proverbat 10:22 dhe 1 Timoteut 6:10 e krahasojini. Më pas diskutoni për këto pyetje:
Si mendon, cila ka më shumë rëndësi: miqësia me Jehovain apo një thes me para? Pse?
Çfarë problemesh vijnë kur dikush rend pas parasë?
6. Jehovai do të kujdeset për nevojat tona
Kur kemi probleme me punën dhe paratë, besimi te Jehovai mund të na vihet në provë. Për të parë si mund të përballojmë prova të tilla besimi, shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjet që vijojnë.
Çfarë sfidash hasi vëllai në video?
Si ia doli t’i kapërcente këto sfida?
Lexoni Mateun 6:25-34 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Çfarë premton Jehovai për ata që e vlerësojnë miqësinë me të më shumë se çdo gjë tjetër?
DISA THONË: «Më duhet të punoj shumë për bukën e gojës. Nuk arrij dot t’i ndjek të gjitha mbledhjet.»
Cili shkrim të bind se të vësh adhurimin e Jehovait në vend të parë, është gjithmonë vendimi më i mirë?
PËRMBLEDHJE
Puna dhe paratë janë të nevojshme, por nuk duhet të na shpërqendrojnë kurrë nga shërbimi që i bëjmë Jehovait.
Si do të përgjigjeshe?
Si mund të kesh një pikëpamje të ekuilibruar për punën?
Çfarë të mirash vijnë kur kënaqesh me aq sa ke?
Si mund të tregosh që nuk ke asnjë dyshim se Jehovai kujdeset për shërbëtorët e tij?
EKSPLORO
A është e vërtetë që Bibla thotë se paraja është diçka e keqe?
«A janë paratë rrënja e çdo gjëje të keqe?» (Artikull në jw.org)
Mëso ç’lloj dhuratash i japin kënaqësi Perëndisë.
A është e vërtetë se s’ka asgjë të keqe të luash bixhoz?
Shqyrto çfarë e shtyu një burrë, që ishte bixhozçi dhe hajdut, të ndryshonte.
«Isha i apasionuar pas garave me kuaj» (Kulla e Rojës, 1 nëntor 2011)