Njohja e fesë së vërtetë sjell përgjegjësi
«Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e mbajnë atë!»—LUKA 11:28, BR.
1. Pasi e kanë identifikuar fenë e vërtetë, cilët lloj njerëzish e ndërtojnë jetën e tyre mbi të?
NUK mjafton vetëm të identifikojmë fenë e vërtetë. Nëse jemi njerëz që e duam të drejtën dhe të vërtetën, pasi ta kemi gjetur fenë e vërtetë, do të ndërtojmë jetën tonë mbi të. Feja e vërtetë nuk është thjesht një filozofi mendore; është një mënyrë jetese.—Psalmi 119:105; Isaia 2:3; krahaso Veprat 9:2.
2, 3. (a) Si e theksoi Jezui rëndësinë e kryerjes së vullnetit të Perëndisë? (b) Çfarë përgjegjësie mbetet mbi këdo që e njeh fenë e vërtetë?
2 Jezu Krishti theksoi rëndësinë e kryerjes së asaj që Perëndia e ka zbuluar si vullnetin e Tij. Në përfundim të atij që është bërë i njohur si Predikimi në Mal, Jezui bëri të ditur se jo të gjithë ata që i drejtohen atij si Zotëri (pra, që quhen të krishterë) do të hyjnë në Mbretëri; do të hyjnë vetëm ata që bëjnë vullnetin e Atit të tij. Të tjerët, tha ai, do të hidhen tej si «bërës të paligjshmërive». Përse paligjshmëri? Sepse siç pohon Bibla, moskryerja e vullnetit të Perëndisë është mëkat dhe i gjithë mëkati është paligjshmëri. (Mateu 7:21-23; 1. Gjonit 3:4; krahaso Romakëve 10:2, 3.) Një person mund ta njohë fenë e vërtetë, ai mund t’i lavdërojë ata që e mësojnë atë dhe mund të flasë mirë për ata që e praktikojnë, por ai ka gjithashtu edhe përgjegjësinë për ta zbatuar atë në jetën e tij. (Jakovit 4:17) Nëse e pranon këtë përgjegjësi, do të shohë se jeta e tij do të pasurohet dhe do të provojë një gëzim që nuk mund ta ketë në asnjë mënyrë tjetër.
3 Në artikullin paraprak, shqyrtuam gjashtë prej shenjave identifikuese të fesë së vërtetë. Secila prej tyre na ndihmon jo vetëm për të identifikuar fenë e vërtetë, por na paraqet personalisht edhe sfidat dhe përgjegjësitë. Në ç’mënyrë?
Si i përgjigjesh Fjalës së Perëndisë?
4. (a) Pasi kanë filluar të shoqërohen me Dëshmitarët e Jehovait, çfarë vërejnë shumë shpejt të rinjtë mbi përdorimin e Biblës nga Dëshmitarët? (b) Si ndikon mbi shërbëtorët e Jehovait fakti se janë të ushqyer mirë frymësisht?
4 Ndërsa Dëshmitarët e Jehovait studiojnë Biblën me të interesuar të rinj, shumë prej këtyre të fundit e kuptojnë menjëherë se ajo që u është mësuar vjen nga Bibla. Duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre, nuk u referohen doktrinave të kishave, traditave njerëzore apo mendimeve të njerëzve me influencë. Vetë Fjala e Perëndisë është autoriteti. Kur shkojnë nëpër Sallat e Mbretërisë, ata vërejnë se edhe atje Bibla është teksti kryesor. Ata që kërkojnë me sinqeritet të vërtetën, nuk kanë nevojë për shumë kohë që të kuptojnë se një faktor kryesor i gëzimit që shohin midis Dëshmitarëve të Jehovait është fakti se ata janë të ushqyer mirë frymësisht me Fjalën e Perëndisë.—Isaia 65:13, 14.
5. (a) Çfarë sfide u paraqitet atyre që vëzhgojnë Dëshmitarët e Jehovait? (b) Si mund ta kenë edhe ata gëzimin e Dëshmitarëve?
5 Nëse e pranon këtë, si reagon? Nëse ke kapur kuptimin e saj, nuk mund të kesh të drejtë duke qëndruar si një vëzhgues i thjeshtë pasiv, as nuk duhet të kesh dëshirë për të qenë i tillë. Bibla tregon se ata që janë «vetëm dëgjues», por jo «bërës të fjalës», janë duke ‘mashtruar vetveten’. (Jakovit 1:22) Ata mashtrojnë vetveten, pasi nuk arrijnë të kuptojnë se pavarësisht nga ajo që mund të thonë, mosbindja ndaj Perëndisë tregon se ata nuk e duan me të vërtetë atë. Pranimi i besimit që nuk mbështetet nga veprat është një besim i vdekur. (Jakovit 2:18-26; 1. Gjonit 5:3) Përkundrazi, ai që nga dashuria për Jehovain nxitet për të qenë një «bërës i fjalës», «do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet». Po, ashtu siç shpjegoi Jezu Krishti, «lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e mbajnë atë»!—Jakovit 1:25; Luka 11:28; Gjoni 13:17.
6. Nëse e vlerësojmë me të vërtetë Fjalën e Perëndisë, cilat raste do të përpiqemi personalisht t’i mbajmë fort?
6 Ky gëzim do të thellohet, ndërsa rritesh në njohurinë e vullnetit të Perëndisë dhe zbaton gjërat e tjera që mëson. Sa përpjekje duhet të bësh për të studiuar Fjalën e Perëndisë? Dhjetra mijëra individë që kanë qenë analfabetë kanë punuar shumë për të mësuar të lexojnë, duke e bërë këtë pikërisht që të kishin mundësi të lexonin Shkrimet dhe t’ua mësonin edhe njerëzve të tjerë. Të tjerë ngrihen herët çdo mëngjes që të kenë çdo ditë mundësinë për të kaluar ca kohë duke lexuar Biblën apo studime që ndihmojnë, si për shembull Kullën e Rojës. Nëse personalisht e lexon vazhdimisht Biblën apo shikon shkrimet e cituara në materialet e tjera të studimit, kushtoju shumë vëmendje ligjeve dhe urdhërimeve të Jehovait dhe përpiqu të kuptosh parimet e shumta që përmbajnë ato për drejtimin tonë. Medito mbi atë që zbulon çdo pjesë në lidhje me Perëndinë, me qëllimin e tij dhe me mënyrën se si sillet ai me njerëzimin. Lejo kohë që kjo gjë të mbrujë zemrën tënde. Shqyrto nëse ka disa mënyra në të cilat mund t’i zbatosh edhe më shumë këshillat e Biblës në jetën tënde personale.—Psalmi 1:1, 2; 19:7-11; 1. Selanikasve 4:1.
A është e plotë devotshmëria jote ndaj Jehovait?
7. (a) Si mund të ndikojë doktrina e Trinitetit mbi përpjekjet e njerëzve për të adhuruar Perëndinë? (b) Ç’mund të ndodhë kur një person mëson të vërtetën mbi Jehovain?
7 Për miliona njerëz ka qenë një lehtësim të mësojnë se Perëndia i vërtetë nuk është një Trinitet. Shpjegimi se «kjo është një mister» nuk i ka kënaqur kurrë ata. Si do të mund t’i afroheshin ata një Perëndie të pakuptueshëm? Si rezultat i këtij mësimi, ata kishin prirjen për të mos përfillur Atin (emrin e të cilit nuk e dëgjuan kurrë në kishë) dhe për të adhuruar Jezuin si Perëndi ose ta drejtonin adhurimin e tyre ndaj Marijes (për të cilën i kishin mësuar se ishte «nëna e Perëndisë»). Por zemrat e tyre u përgjigjën me kënaqësi kur një nga Dëshmitarët e Jehovait hapi Biblën dhe u tregoi emrin personal të Perëndisë, Jehova. (Psalmi 83:18) Një grua nga Venezuela u ngazëllye kaq shumë kur i treguan emrin hyjnor, saqë me të vërtetë e përqafoi Dëshmitaren e re që ndau këtë të vërtetë të çmuar me të dhe pranoi të kishte një studim biblik. Kur mësojnë se Jezui foli për Atin e tij si «Perëndia im dhe Perëndia juaj» dhe se iu drejtua Atit të tij si «të vetmit Perëndi të vërtetë», këta njerëz e kuptojnë se ajo që Bibla mëson mbi Perëndinë nuk është e pakuptueshme. (Gjoni 17:3; 20:17) Ndërsa njohin cilësitë e Jehovait, ata ndihen të tërhequr drejt tij, fillojnë t’i luten dhe duan t’i pëlqejnë atij. Cili është rezultati?
8. (a) Çfarë kanë bërë miliona njerëz, për shkak të dashurisë së tyre për Jehovain dhe të dëshirës për t’i pëlqyer atij? (b) Përse pagëzimi i krishterë ka rëndësi jetësore?
8 Gjatë dhjetë vjetëve të kaluar, 2.528.524 persona në gjashtë kontinente dhe nëpër ishuj ia kanë dedikuar jetën Jehovait dhe pastaj e kanë simbolizuar dedikimin e tyre me pagëzimin në ujë. A ke qenë edhe ti një prej tyre, apo po përgatitesh për t’u pagëzuar tani? Pagëzimi është një moment i rëndësishëm në jetën e çdo të krishteri të vërtetë. Jezui i urdhëroi ithtarët e tij që të bënin dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve dhe t’i pagëzonin. (Mateu 28:19, 20) Meriton të vërehet gjithashtu edhe fakti se menjëherë pas pagëzimit të vetë Jezuit, Jehovai foli vetë prej qiejve, duke thënë: «Ti je Biri im, i dashuri; ty të kam miratuar.»—Luka 3:21, 22, BR.
9. Ç’kërkohet nga ana jonë për të mbajtur një marrëdhënie të miratuar me Jehovain?
9 Një marrëdhënie e miratuar me Jehovain është diçka që duhet mbajtur gjallë. Nëse ke hyrë në një marrëdhënie të tillë, duke u dedikuar dhe duke u pagëzuar, atëherë shmang çdo gjë që do të dëmtonte atë. Mos lejo që ankthet e jetës dhe shqetësimi mbi gjërat materiale ta hedhin në vend të dytë këtë marrëdhënie. (1. Timoteut 6:8-12) Në të vërtetë, jeto në përputhje me këshillën e Proverbave 3:6: «Pranoje [Jehovain] në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.»
Sa thellë ndikon dashuria e Krishtit mbi ty?
10. Përse adhurimi që i bëjmë Jehovait, nuk na bën që të lëmë pas dore Jezuin?
10 Natyrisht, çmueshmëria e duhur për Jehovain si Perëndi i vetëm i vërtetë, nuk e bën një person që të mos përfillë Jezu Krishtin. Përkundrazi, Zbulesa 19:10 thotë: «Dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë.» Nga Zanafilla deri te Zbulesa, profecitë e frymëzuara sigurojnë hollësira në lidhje me rolin e Jezu Krishtit në qëllimin e Jehovait. Ndërsa një person njihet me këto hollësira, shfaqet një pamje mahnitëse, e lirë prej shtrembërimeve dhe keqinterpretimeve që kanë dalë si rezultat i mësimeve të rreme të të ashtuquajturit krishterim.
11. Në ç’mënyrë ndikoi mbi një grua nga Polonia mësimi i vërtetë i Biblës mbi Birin e Perëndisë?
11 Kapja e së vërtetës mbi Birin e Perëndisë mund të ndikojë thellësisht mbi një person. Kështu ndodhi me Danutën, një grua nga Polonia. Ajo kishte pasur lidhje me Dëshmitarët e Jehovait për tetë vjet dhe ishte gëzuar me ato që mësonin ata, por nuk po e bënte adhurimin e vërtetë mënyrën e vet të jetesës. Më vonë, mori një kopje të librit Njeriu më i madh i cili ka jetuar ndonjëherë, që paraqet jetën e Jezuit në një mënyrë të lehtë për t’u kuptuar.a Në mbrëmje vonë, ajo e hapi librin, duke pasur si qëllim për të lexuar vetëm një kapitull. Megjithatë, deri në agim, kur e kishte mbaruar së lexuari librin, ajo nuk e la atë mënjanë. Shpërtheu në lot. «Jehova, më fal»,—u lut ajo. Nga sa kishte lexuar, ajo e kuptoi më qartë se kurrë më parë dashurinë e treguar nga Jehovai dhe Biri i tij. E kuptoi se për tetë vjet kishte qenë mosmirënjohëse, duke iu larguar ndihmës që Perëndia i kishte ofruar me durim. Në 1993-shin, ajo u pagëzua në simbol të dedikimit të saj ndaj Jehovait, në bazë të besimit në Jezu Krishtin.
12. Si ndikon njohuria e saktë e Jezu Krishtit mbi jetën tonë?
12 «Njohja e saktë e Zotërisë tonë, Jezu Krisht» shoqërohet me të qenët një i krishterë aktiv dhe frytdhënës. (2. Pjetrit 1:8, BR) Deri në ç’masë ke pjesë në këtë aktivitet, duke ndarë me të tjerët mesazhin e Mbretërisë? Sasia e asaj që mund të bëjnë individët, ndikohet nga shumë rrethana. (Mateu 13:18-23) Disa rrethana ne nuk mund t’i ndryshojmë; të tjera po. Çfarë do të na nxisë për të identifikuar dhe për të bërë ato ndryshime që mund t’i bëjmë? Apostulli Pavël shkroi: «Dashuria e Krishtit na shtrëngon»; me fjalë të tjera, dashuria që ai tregoi duke dhënë jetën e tij për ne, është kaq e jashtëzakonshme, saqë çmueshmëria jonë për të rritet, vetë zemrat tona preken thellësisht. Si rrjedhojë, e kuptojmë se nuk do të ishte e drejtë nga ana jonë të vazhdonim në kërkim të qëllimeve egoiste dhe të jetonim më tepër për të kënaqur veten. Përkundrazi, i rregullojmë punët tona për të vënë në vend të parë veprën që Krishti mësoi se duhej të bënin dishepujt e tij.—2. Korintasve 5:14, 15.
Të ndarë nga bota—Deri në ç’masë?
13. Përse nuk duhet të kemi asnjë pjesë me një fe që është pjesë e botës?
13 Nuk është e vështirë të shohim famën që ka i ashtuquajturi krishterim dhe fetë e tjera, pasi duan të jenë pjesë e botës. Fonde nga kishat janë përdorur për të financuar aktivitete revolucionare. Priftërinjtë janë bërë edhe luftëtarë guerilas. Ditë pas dite, gazetat botojnë artikuj mbi fraksione fetare në pjesë të ndryshme të tokës që luftojnë me njëra-tjetrën. Duart e tyre pikojnë gjak. (Isaia 1:15) Dhe kudo në botë, kleri kërkon të manipulojë skenën politike. Adhuruesit e vërtetë nuk kanë pjesë në këtë gjë.—Jakovit 4:1-4.
14. (a) Çfarë duhet të shmangim personalisht nëse duam të qëndrojmë të ndarë nga bota? (b) Çfarë do të na ndihmojë që të shmangim rënien në grackat e qëndrimeve dhe praktikave botërore?
14 Por ndarja nga bota përfshin shumë më tepër se kaq. Bota karakterizohet nga dashuria për paratë dhe për gjërat që mund të blihen me to, nga dëshira për famë personale dhe nga një kërkim i pareshtur i kënaqësive, bashkë me gjëra të tilla si mungesa e kujdesit të sinqertë për të tjerët, gënjeshtrat dhe të folurit fyes, rebelimi ndaj autoriteteve dhe dështimi në shfaqjen e vetëkontrollit. (2. Timoteut 3:2-5; 1. Gjonit 2:15, 16) Për shkak të vetë papërsosmërisë sonë, ndoshta ndonjëherë, në ndonjë mënyrë, mund të pasqyrojmë disa nga këto aspekte. Çfarë mund të na ndihmojë në luftën tonë për të shmangur këto gracka? Duhet që t’i kujtojmë vetes se kush qëndron prapa gjithë kësaj. «Mbarë bota është nën pushtetin e Djallit.» (1. Gjonit 5:19, DSF) Pavarësisht se sa joshëse mund të duket ndonjë mënyrë dhe pavarësisht se sa shumë njerëz jetojnë në atë mënyrë, kur shohim se prapa saj qëndron kryekundërshtari i Jehovait, Satana Djalli, ne e kuptojmë me të vërtetë se sa e neveritshme është ajo.—Psalmi 97:10.
Sa larg shkon dashuria jote?
15. Si të ka ndihmuar dashuria altruiste që ke vënë re, për të identifikuar fenë e vërtetë?
15 Kur fillove të shoqëroheshe fillimisht me Dëshmitarët e Jehovait, dashuria që shfaqnin midis tyre pa dyshim të ka bërë për vete, për shkak të ndryshimit të saj me frymën e botës. Rëndësia që i jep dashurisë altruiste e bën adhurimin e pastër të Jehovait të ndryshëm nga format e tjera të adhurimit. Ndoshta mund të ketë qenë kjo që të ka bindur se Dëshmitarët e Jehovait praktikojnë në fakt fenë e vërtetë. Vetë Jezu Krishti tha: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:35.
16. Çfarë mundësish mund të kemi individualisht për të zgjeruar dashurinë tonë?
16 A të identifikon kjo cilësi edhe ty si një dishepull i Krishtit? A ka mënyra në të cilat mund të zgjerohesh në shfaqjen e dashurisë tënde? Pa asnjë dyshim, të gjithë ne mund të zgjerohemi. Dashuria është shumë më tepër sesa miqësi me të tjerët në Sallën e Mbretërisë. Dhe nëse do t’u tregonim dashuri vetëm atyre që na duan, sa të ndryshëm do të ishim prej botës? «Kini para së gjithash një dashuri të madhe për njëri tjetrin»,—nxit Bibla. (1. Pjetrit 4:8) Ndaj kujt duhet të tregojmë dashuri më të madhe? A ka ndonjë vëlla apo motër të krishterë, prejardhja e të cilëve është e ndryshme nga e jona dhe mënyra në të cilat ata i bëjnë disa gjëra na acaron? A ka ndonjë që për shkak të ndonjë sëmundjeje apo moshës së shkuar nuk është në gjendje të ndjekë rregullisht mbledhjet? A është bashkëshorti ynë? Apo mos vallë është një nga prindërit tanë të moshuar? Disa që i kishin shfaqur mirë frytet e frymës, përfshirë edhe dashurinë, janë ndier sikur kanë nisur t’i mësojnë nga e para, kur janë ndeshur me situatat shumë të vështira që mund të sjellë përkujdesja më e madhe që kërkon një anëtar i familjes i gjymtuar rëndë. Natyrisht, edhe kur ballafaqohemi me situata të tilla, dashuria jonë duhet të shtrihet përtej njerëzve tanë të shtëpisë.
Sa e rëndësishme është për ty dhënia e dëshmisë mbi Mbretërinë?
17. Çfarë duhet të ndihemi të nxitur për të bërë tani, nëse personalisht kemi përfituar nga vizitat e Dëshmitarëve të Jehovait?
17 Një mënyrë e rëndësishme në të cilën mund të tregojmë dashuri për njerëzit e tjerë është duke u dëshmuar atyre mbi Mbretërinë e Perëndisë. Vetëm një grup njerëzish po e kryen këtë vepër që paratha Jezui. (Marku 13:10) Këta janë Dëshmitarët e Jehovait. Ne personalisht kemi përfituar prej kësaj. Tani, është privilegji ynë të ndihmojmë të tjerët. Nëse kemi pikëpamjen e Perëndisë mbi këtë çështje, kjo vepër do të ketë rëndësi në jetën tonë.
18. Si mund të ndikojë leximi i librit Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë mbi pjesëmarrjen tonë në dhënien e dëshmisë mbi Mbretërinë?
18 Tregimi rrëqethës se si ka shkuar mesazhi i Mbretërisë në pjesët më të largëta të tokës gjatë këtyre ditëve të fundit, gjendet në librin Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë. (angl.) Nëse është në dispozicion në gjuhën tënde, mos vono ta lexosh. Dhe ndërsa lexon, merr veçanërisht shënime për të gjitha mënyrat në të cilat disa individë kanë marrë pjesë në dhënien e dëshmisë mbi Mbretërinë. A ka disa shembuj që mund t’i imitosh? Për çdonjërin nga ne janë hapur shumë mundësi. Le të na nxitë dashuria që kemi për Jehovain, për të bërë një përdorim sa më të mirë të tyre.
19. Si kemi nxjerrë dobi kur kemi pranuar përgjegjësinë që sjell njohja e fesë së vërtetë?
19 Nëse e përdorim, pra, veten tonë për kryerjen e vullnetit të Perëndisë, gjejmë përgjigjen edhe për pyetjen: «Ç’domethënie ka jeta?» (Zbulesa 4:11) Nuk ecim më si të verbër, të mbetur me ndjenjë zbrazëtie. Nuk ekziston asnjë karrierë, së cilës mund t’i kushtosh veten, që mund të të sjellë kënaqësi më të madhe, sesa vënia me gjithë shpirt e vetes në shërbim të Perëndisë Jehova. Dhe sa e ardhme e madhe që na pret! Një jetë e përhershme me gëzim në botën e tij të re, ku do të jemi në gjendje t’i përdorim plotësisht aftësitë tona në përputhje me qëllimin e dashur për të cilin Perëndia e krijoi njerëzimin.
[Shënimi]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Përse është jetësore për një fe pranimi i Biblës si Fjalë e Perëndisë dhe nderimi i Jehovait si Perëndi i vërtetë?
◻ Çfarë na mëson feja e vërtetë për sa i përket rolit të Jezuit si Shpërblerës?
◻ Përse të krishterët e vërtetë duhet të rrinë të ndarë nga bota dhe të praktikojnë dashuri altruiste?
◻ Çfarë roli ka dëshmia mbi Mbretërinë në fenë e vërtetë?
[Figurat në faqen 16]
Pagëzimi është hap jetësor në pranimin e përgjegjësive të adhurimit të vërtetë. Çdo muaj, më se 25.000 veta kudo në botë ndërmarrin këtë hap
Rusi
Senegal
Papua Guinea e Re
SH.B.A.
[Figurat në faqen 17]
Ndarja e së vërtetës së Biblës me të tjerët është pjesë e adhurimit të vërtetë
SH.B.A.
Brazil
SH.B.A.
Hong Kong