Besimi na nxit për veprim!
«Ti e sheh se besimi [i Abrahamit] vepronte bashkë me veprat e tij dhe me anë të veprave të tij, besimi i tij u përsos.»—JAKOVIT 2:22, BR.
1, 2. Si do të veprojmë nëse kemi besim?
SHUMË persona thonë se kanë besim te Perëndia. Por megjithatë, thjesht besimi i shpallur është po aq i pajetë, sa dhe një kufomë. «Besimi, nëse nuk ka vepra, është i vdekur në vetvete»,—shkroi dishepulli Jakov. Ai tha, gjithashtu, se Abrahami me frikë Perëndie pati një besim që «vepronte bashkë me veprat e tij». (Jakovit 2:17, 22, BR) Çfarë domethënieje kanë fjalë të tilla për ne?
2 Nëse kemi besim të vërtetë, jo vetëm do të besojmë ato që dëgjojmë në mbledhjet e krishtere, por edhe do të japim dëshmi të besimit, sepse jemi Dëshmitarë aktivë të Jehovait. Po, besimi do të na shtyjë ta aplikojmë Fjalën e Perëndisë në jetë dhe do të na nxitë për veprim.
Hatri jo i pajtueshëm me besimin
3, 4. Si duhet të ndikojë besimi në mënyrën se si i trajtojmë të tjerët?
3 Nëse kemi besim të vërtetë te Perëndia dhe te Krishti, nuk do të mbajmë me hatër. (Jakovit 2:1-4, BR) Disa persona, të cilëve u shkroi Jakovi, nuk po shfaqnin paanshmërinë që kërkohet nga të krishterët e vërtetë. (Romakëve 2:11) Prandaj, Jakovi pyet: «Ju nuk po e mbani besimin e Zotërisë sonë Jezu Krisht, lavdinë tonë, me akte hatri, apo jo?» Nëse në një mbledhje shkonte një jobesimtar i pasur, me unaza floriri dhe me rroba që shkëlqejnë, si dhe një jobesimtar «i varfër me rroba të fëlliqura», që të dy duhej të priteshin mirë, por të pasurit i tregohej vëmendje e veçantë. Ata i ulnin «në një vend të mirë», ndërsa jobesimtarëve të varfër u thuhej të qëndronin në këmbë ose të uleshin përtokë, në këmbët e ndonjërit.
4 Jehovai siguroi sakrificën shpërblerëse të Jezu Krishtit, njësoj, si për të pasurit, ashtu edhe për të varfërit. (2. Korintasve 5:14) Prandaj, nëse do t’i bënim qejfin të pasurve, do të largoheshim nga besimi i Krishtit, i cili ‘u bë i varfër, që ne të bëheshim të pasur nëpërmjet varfërisë së tij’. (2. Korintasve 8:9, BR) Le të mos i vlerësojmë kurrë personat në këtë mënyrë, me motivin e gabuar të nderimit të njerëzve. Perëndia nuk është i anshëm, por nëse do të tregonim anshmëri, do të ishim ‘duke dhënë vendime të liga’. (Jobi 34:19) Me dëshirën për t’i pëlqyer Perëndisë, sigurisht që nuk do t’i dorëzohemi tundimit për të mbajtur me hatër apo për të ‘admiruar personalitete për hir të përfitimit tonë’.—Juda 4, 16, BR.
5. Cilët ka zgjedhur Perëndia për të qenë «të pasur në besim» dhe si veprojnë shpesh ata që janë të pasur materialisht?
5 Jakovi identifikon atë që është me të vërtetë i pasur dhe nxit që dashuria t’u tregohet me paanshmëri të gjithëve. (Jakovit 2:5-9, BR) ‘Perëndia ka zgjedhur të varfërit, për të qenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë.’ Është kështu, sepse shpesh të varfërit janë më të ndjeshëm ndaj lajmit të mirë. (1. Korintasve 1:26-29) Si klasë, ata që janë të pasur materialisht i shtypin të tjerët në lidhje me borxhet, pagat dhe veprimet ligjore. Ata flasin keq për Krishtin dhe na persekutojnë, sepse mbajmë emrin e tij. Por le të jetë vendosmëria jonë që t’i bindemi «ligjit mbretëror», i cili kërkon dashurinë për të afërmin, të qenët të dashur në mënyrë të barabartë, ndaj të pasurve dhe ndaj të varfërve. (Levitiku 19:18; Mateu 22:37-40) Meqenëse këtë e kërkon Perëndia, mbajtja me hatër është ‘kryerje mëkati’.
‘Mëshira lartësohet mbi gjykimin’
6. Si do të ishim shkelës të ligjit, nëse nuk do t’i trajtonim me mëshirë të tjerët?
6 Nëse mbajmë me hatër në mënyrë të pamëshirshme, jemi shkelës të ligjit. (Jakovit 2:10-13, BR) Duke ndërmarrë një hap të gabuar në lidhje me këtë, ne bëhemi shkelës të të gjitha ligjeve të Perëndisë. Izraelitët që nuk kryen tradhti bashkëshortore, por që ishin hajdutë, u bënë shkelës të Ligjit të Moisiut. Si të krishterë, ne gjykohemi nga «ligji i një populli të lirë», nga Izraeli frymor në besëlidhjen e re, i cili e ka ligjin e saj në zemrën e vet.—Jeremia 31:31-33.
7. Përse ata që vazhdojnë të mbajnë me hatër nuk mund të presin mëshirë nga Perëndia?
7 Nëse deklarojmë se kemi besim, por këmbëngulim në mbajtjen me hatër, jemi në rrezik. Ata që nuk janë të dashur dhe që janë të pamëshirshëm, do ta kenë gjykimin e tyre pa mëshirë. (Mateu 7:1, 2) Jakovi thotë: «Mëshira lartësohet triumfalisht mbi gjykimin.» Nëse pranojmë udhëheqjen e frymës së shenjtë të Jehovait, duke treguar mëshirë në të gjitha marrëdhëniet tona me të tjerët, kur të gjykohemi, nuk do të dënohemi. Përkundrazi, do të përjetojmë mëshirën dhe kështu do të triumfojmë mbi drejtësinë e rreptë apo gjykimin e pafavorshëm.
Besimi prodhon vepra të shkëlqyera
8. Cila është gjendja e një personi që thotë se ka besim, por që i mungojnë veprat?
8 Përveçse na bën të dashur dhe të mëshirshëm, besimi prodhon vepra të tjera të shkëlqyera. (Jakovit 2:14-26, BR) Sigurisht, besimi i shpallur, të cilit i mungojnë veprat, nuk do të na shpëtojë. Vërtet, ne nuk mund të fitojmë një qëndrim të drejtë para Perëndisë me anë të veprave të Ligjit. (Romakëve 4:2-5) Jakovi e ka fjalën për veprat e motivuara jo nga një kod ligjor, por nga besimi dhe dashuria. Nëse jemi të nxitur nga cilësi të tilla, nuk do të themi thjesht shprehje të përzemërta për një bashkadhurues nevojtar. Ne do t’i japim ndihmë materiale një vëllai apo motre të zhveshur a të uritur. Jakovi pyet: ‘Nëse i thua një vëllai nevojtar: «Shko në paqe, ngrohu dhe ngopu», por nuk i jep gjërat e nevojshme për trupin e tij, ç’dobi ka kjo?’ Asnjë. (Jobi 31:16-22) Një «besim» i tillë është i pajetë!
9. Ç’gjë tregon se kemi besim?
9 Ndoshta shoqërohemi deri në njëfarë mase me popullin e Perëndisë, por vetëm veprat me gjithë zemër mund ta mbështetin deklaratën tonë se kemi besim. Shumë mirë nëse e kemi hedhur poshtë doktrinën e Trinitetit dhe besojmë se ka vetëm një Perëndi të vërtetë. Por megjithatë, thjesht të besosh diçka, nuk është besim. «Demonët besojnë» dhe «dridhen» nga frika, sepse i pret shkatërrimi. Nëse kemi me të vërtetë besim, ai do të na nxitë të kryejmë vepra të tilla si predikimin e lajmit të mirë dhe sigurimin e ushqimit dhe të veshjes për bashkëbesimtarët nevojtarë. Jakovi pyet: «A do ta dish, o njeri bosh [jo i mbushur me njohurinë e saktë të Perëndisë], se besimi i veçuar nga veprat është joaktiv?» Po, besimi kërkon veprim.
10. Përse Abrahami është quajtur «babai i të gjithë atyre që kanë besim»?
10 Besimi i patriarkut të perëndishëm, Abrahamit, e nxiti atë për veprim. Si «babai i të gjithë atyre që kanë besim», ai u «deklarua i drejtë me anë të veprave, pasi e kishte ofruar Isakun, birin e tij, mbi altar». (Romakëve 4:11, 12; Zanafilla 22:1-14) Po sikur Abrahamit t’i kishte munguar besimi se Perëndia mund ta ringjallte Isakun dhe ta përmbushte premtimin e Tij për një farë nëpërmjet tij? Atëherë Abrahami nuk do të ishte përpjekur kurrë ta ofronte birin e tij. (Hebrenjve 11:19, BR) Ishte me anë të veprave të bindura të Abrahamit që «besimi i tij u përsos», apo u bë i plotë. Me anë të kësaj, «u përmbush shkrimi [Zanafilla 15:6], që thotë: ‘Abrahami e vuri besimin te Jehovai dhe kjo iu llogarit si drejtësi’». Veprat e Abrahamit në përpjekjen për të ofruar Isakun, vërtetuan deklaratën e hershme të Perëndisë se Abrahami ishte i drejtë. Me anë të veprave të besimit, ai tregoi dashurinë e tij për Perëndinë dhe arriti të quhej «mik i Jehovait».
11. Çfarë dëshmie besimi kemi në rastin e Rahabës?
11 Abrahami provoi «që një njeri duhet deklaruar i drejtë me anë të veprave dhe jo vetëm me anë të besimit». Kjo qe e vërtetë edhe për Rahabën, një prostitutë në Jeriko. Ajo «u deklarua e drejtë me anë të veprave, pasi kishte pritur me mikëpritje lajmëtarët [izraelitë] dhe i kishte nisur nga një rrugë tjetër», kështu që ata u ikën armiqve të tyre kanaanitë. Përpara se të takonte spiunët e Izraelit, ajo e pranoi Jehovain si Perëndinë e vërtetë dhe fjalët e saj të mëpastajme, si dhe braktisja e prostitucionit, dhanë dëshmi të besimit të saj. (Josiu [Jozueu] 2:9-11; Hebrenjve 11:31) Pas këtij shembulli të dytë të besimit të treguar me anë të veprave, Jakovi thotë: «Në të vërtetë, ashtu si trupi pa frymë është i vdekur, kështu edhe besimi pa vepra është i vdekur.» Kur një person është i vdekur, nuk ka forcë gjallëruese, apo «frymë» në të dhe nuk kryen asgjë. Thjesht besimi i shpallur, është po aq i pajetë dhe i pavlefshëm, sa dhe një trup i vdekur. Por, nëse kemi besim të vërtetë, ai do të na nxitë në veprime të perëndishme.
Kontrolloje gjuhën!
12. Çfarë duhet bërë nga pleqtë në kongregacion?
12 Edhe të flasësh apo të mësosh të tjerët mund të sigurojë dëshmi të besimit, por ekziston nevoja për vetëpërmbajtje. (Jakovit 3:1-4, BR) Si mësues në kongregacion, pleqtë kanë një përgjegjësi me peshë ndaj Perëndisë dhe duhet t’i japin atij llogari deri në një. Prandaj, ata duhet të shqyrtojnë me përulësi motivet dhe kualifikimet e tyre. Përveç njohurisë dhe aftësisë, këta burra duhet të kenë një dashuri të thellë për Perëndinë dhe për bashkëbesimtarët. (Romakëve 12:3, 16; 1. Korintasve 13:3, 4) Pleqtë duhet t’i bazojnë këshillat e tyre tek Shkrimet. Nëse një plak do të gabonte në ato që u mëson të tjerëve dhe kjo do të rezultonte në probleme për ta, ai do të gjykohej në mënyrë të pafavorshme nga Perëndia, me anë të Krishtit. Prandaj pleqtë duhet të jenë të përulur dhe studiozë, duke iu përmbajtur besueshmërisht Fjalës së Perëndisë.
13. Pse gabojmë në fjalë?
13 Edhe mësuesit e shkëlqyer, madje, të gjithë ne, «gabojmë shumë herë», për shkak të papërsosmërisë. Të gabuarit në të folur është njëra prej mangësive më të shpeshta dhe me potencial më dëmtues. Jakovi thotë: «Nëse dikush nuk gabon në të folur, ky është një njeri i përsosur, në gjendje për t’i vënë fre edhe gjithë trupit të tij.» Ndryshe nga Jezu Krishti, ne nuk kemi një kontroll të përsosur të gjuhës. Nëse do ta kishim, do të mund të kontrollonim edhe gjymtyrët e tjera të trupit tonë. Në fund të fundit, frerët dhe gojëzat i bëjnë kuajt të shkojnë atje ku i drejtojmë ne dhe me anë të një timoni të vogël, edhe një anije e madhe e shtyrë nga erëra të fuqishme, mund të drejtohet ashtu siç dëshiron timonieri.
14. Si e thekson Jakovi nevojën e përpjekjeve, për ta kontrolluar gjuhën?
14 Të gjithë ne duhet të pranojmë me ndershmëri se për të kontrolluar gjuhën nevojitet një përpjekje e vërtetë. (Jakovit 3:5-12, BR) Në krahasim me një kalë, një fre është i vogël; kështu është edhe një timon në krahasim me një anije. Kur krahasohet me trupin njerëzor gjuha është e vogël, «por megjithatë, mburret për gjëra të mëdha». Përderisa Shkrimet e bëjnë të qartë se Perëndisë nuk i pëlqen mburrja, le të kërkojmë ndihmën e tij për t’u përmbajtur prej saj. (Psalmi 12:3, 4; 1. Korintasve 4:7) Le ta përmbajmë gjuhën tonë edhe kur na provokojnë, duke mos harruar se për t’i vënë flakën një pyllnaje, duhet vetëm një shkëndijë. Siç tregon Jakovi, «gjuha është një zjarr» me aftësinë për të shkaktuar dëme të mëdha. (Proverbat [Fjalët e urta] 18:21) Ja pse një gjuhë e pakontrolluar «përbën një botë padrejtësie»! Çdo tipar i lig i kësaj bote të paperëndishme, lidhet me gjuhën e pakontrolluar. Ajo është përgjegjëse për gjëra të tilla dëmtuese si shpifja dhe mësimet e rreme. (Levitiku 19:16; 2. Pjetrit 2:1) Si mendon ti? A nuk duhet të na nxitë besimi ynë që të punojmë shumë për kontrollimin e gjuhës sonë?
15. Çfarë dëmi mund të bëhet nga gjuha e pafre?
15 Një gjuhë e pafre ‘na njollos’ plotësisht. Për shembull, nëse na kapin herë pas here duke gënjyer, mund të bëhemi të njohur si gënjeshtarë. Por, si ‘ia vë flakën rrotës së jetës së natyrshme’ një gjuhë e pakontrolluar? Duke e bërë jetën si një rreth vicioz. Vetëm nga një gjuhë e pakontrolluar, mund të shqetësohet një kongregacion i tërë. Jakovi përmend «Gehenën», luginën e Hinomit. Dikur e përdorur për flijimet e fëmijëve, ajo u bë një plehërishtë për zhdukjen me zjarr të hedhurinave të Jerusalemit. (Jeremia 7:31) Kështu që Gehena është simbol i asgjësimit. Në njëfarë kuptimi, Gehena ia ka huazuar fuqinë e saj shkatërrimtare gjuhës së pakontrolluar. Nëse nuk i vëmë fre gjuhës sonë, ne vetë mund të bëhemi viktima të zjarrit që kemi ndezur. (Mateu 5:22) Madje mund të nxirremi nga kongregacioni, për sharje të ndonjë personi.—1. Korintasve 5:11-13.
16. Çfarë duhet të bëjmë, duke pasur parasysh dëmin që mund të vijë nga një gjuhë e pakontrolluar?
16 Siç mund ta dish nga leximi i Fjalës së Perëndisë, Jehovai dekretoi se njeriu duhet ta ketë në nënshtrim krijimin shtazor. (Zanafilla 1:28) Çdo lloj krijese është zbutur. Për shembull, skifterët e stërvitur janë përdorur në gjueti. ‘Gjërat që zvarriten’, të cilat i përmendi Jakovi, mund të përfshijnë gjarpërinj të kontrolluar nga magjistarë gjarpërinjsh. (Psalmi 58:4, 5) Njeriu mund të kontrollojë edhe balenat, por si njerëz mëkatarë nuk mund të zbutim plotësisht gjuhën. Gjithsesi, ne duhet të shmangim bërjen e vërejtjeve fyese, therrëse apo shpifëse. Një gjuhë e pakontrolluar mund të jetë një vegël e rrezikshme, e mbushur me helm vdekjeprurës. (Romakëve 3:13) Mjerisht, gjuha e mësuesve të rremë i largoi disa të krishterë të hershëm nga Perëndia. Pra, le të mos ia lejojmë asnjëherë vetes të mposhtemi nga shprehje apostate me vrer, të thëna apo të shkruara qofshin.—1. Timoteut 1:18-20; 2. Pjetrit 2:1-3.
17, 18. Cilës mungese të konsekuencës i referohet Jakovit 3:9-12 dhe ç’duhet të bëjmë në lidhje me këtë?
17 Besimi tek Perëndia dhe dëshira për t’i pëlqyer atij, mund të na mbrojnë nga apostazia dhe mund të na pengojnë ta përdorim gjuhën në një mënyrë jokonsekuente. Duke iu referuar mungesës së konsekuencës së disave, Jakovi thotë se ‘me gjuhën ne bekojmë Atin tonë, Jehovain, dhe mallkojmë njerëzit që kanë ardhur në ekzistencë në ngjashmëri të Perëndisë’. (Zanafilla 1:26) Jehovai është Ati ynë, sepse ai «u jep të gjithë personave jetë, frymëmarrje dhe çdo gjë». (Veprat 17:24, 25, BR) Në kuptimin frymor, ai është edhe Ati i të krishterëve të mirosur. Të gjithë ne jemi «në ngjashmëri të Perëndisë», për sa i përket cilësive mendore dhe morale, që përfshijnë dashurinë, drejtësinë dhe mençurinë, të cilat na dallojnë nga kafshët. Atëherë, si duhet të veprojmë nëse kemi besim tek Jehovai?
18 Nëse do të mallkonim njerëzit, kjo do të thoshte se do të thërritnim apo do të luteshim që mbi ta të zbriste e liga. Meqenëse nuk jemi profetë të frymëzuar hyjnisht, të autorizuar për t’u lutur që të bjerë e liga mbi ndonjë, një i folur i tillë do të ishte dëshmi e urrejtjes, që do ta bënte të kotë bekimin e Perëndisë nga ana jonë. Nuk është e përshtatshme që «bekimi dhe mallkimi» të dalin të dyja nga e njëjta gojë. (Luka 6:27, 28; Romakëve 12:14, 17-21; Juda 9) Sa mëkatare do të ishte t’i këndonim lavdi Perëndisë nëpër mbledhje dhe më vonë të flitnim keq për bashkëbesimtarët! Uji i ëmbël dhe i hidhur nuk mund të burojnë nga i njëjti burim. Ashtu si «një pemë fiku nuk mund të nxjerrë ullinj apo një hardhi, fiq», uji i kripur nuk mund të nxjerrë ujë të ëmbël. Diçka nuk shkon frymësisht nëse ne, që duhet të flasim atë që është e mirë, nxjerrim vazhdimisht fjalë të hidhura. Nëse kemi rënë në këtë praktikë, le të lutemi për ndihmën e Jehovait, që të pushojmë së foluri në një mënyrë të tillë.—Psalmi 39:1.
Vepro me mençurinë nga lart
19. Nëse jemi të udhëhequr nga mençuria qiellore, si mund të ndikojmë te të tjerët?
19 Të gjithë ne kemi nevojë për mençuri, që të themi dhe të bëjmë gjëra që u kanë hije atyre që kanë besim. (Jakovit 3:13-18, BR) Nëse kemi frikë nderuese nga Perëndia, ai na jep mençuri qiellore, aftësinë për ta përdorur drejt njohurinë. (Proverbat 9:10; Hebrenjve 5:14) Fjala e tij na mëson se si të shfaqim «një butësi që i përket mençurisë». Meqenëse jemi të butë, ne nxitim paqen e kongregacionit. (1. Korintasve 8:1, 2) Ata që mburren se janë mësues të mëdhenj të bashkëbesimtarëve, ‘gënjejnë kundër të vërtetës së krishterë’, e cila e dënon egoizmin e tyre. (Galatasve 5:26) «Mençuria» e tyre është «tokësore», karakteristikë e njerëzve mëkatarë të larguar nga Perëndia. Ajo është «shtazore», duke qenë produkt i prirjeve mishore. Ja pse është madje edhe «demonike», sepse frymërat e liga janë krenare! (1. Timoteut 3:6) Prandaj, le të veprojmë me mençuri dhe përulësi, që të mos bëjmë asgjë për krijimin e një atmosfere, në të cilën ‘gjëra të poshtra’, të tilla si shpifja dhe hatri, mund të lulëzojnë.
20. Si do ta përshkruaje mençurinë qiellore?
20 «Mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë», që na bën të pastër moralisht dhe frymësisht. (2. Korintasve 7:11) Ajo është «paqësore», që na nxit për të ndjekur paqen. (Hebrenjve 12:14) Mençuria qiellore na bën të «arsyeshëm», jo dogmatikë dhe jo të zorshëm në marrëdhëniet me të tjerët. (Filipianëve 4:5, BR) Mençuria nga lart është «e gatshme për t’u bindur», duke nxitur bindjen ndaj mësimit hyjnor dhe bashkëpunimin me organizatën e Jehovait. (Romakëve 6:17) Mençuria nga lart na bën, gjithashtu, të mëshirshëm dhe të dhembshur. (Juda 22, 23) Duke qenë plot me «fryte të mira», ajo nxit interesimin për të tjerët dhe veprimet në harmoni me mirësinë, drejtësinë dhe të vërtetën. (Efesianëve 5:9) Si paqebërës, ne gëzojmë «frytin e drejtësisë», që lulëzon në kushte paqësore.
21. Sipas Jakovit 2:1-3:18, për çfarë veprimesh duhet të na nxitë besimi ynë tek Perëndia?
21 Është e qartë, atëherë, se besimi na nxit për veprim. Ai na bën të paanshëm, të mëshirshëm dhe aktivë në vepra të shkëlqyera. Besimi na ndihmon të kontrollojmë gjuhën dhe të veprojmë me mençuri qiellore. Por këto nuk janë e gjitha ajo që mund të mësojmë nga kjo letër. Jakovi ka këshilla të mëtejshme, që mund të na ndihmojnë për t’u sjellë në një mënyrë që u ka hije atyre që kanë besim tek Jehovai.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Ç’gjë është e gabuar në mbajtjen me hatër?
◻ Si janë të lidhura besimi dhe veprat?
◻ Pse është kaq e rëndësishme ta kontrollosh gjuhën?
◻ Si është mençuria qiellore?