Kapitulli 27
Lind Mbretëria e Perëndisë!
Vegimi 7—Zbulesa 12:1-17
Subjekti: Gruaja qiellore lind, Mikaeli lufton me Satanain dhe e hedh poshtë në tokë
Koha e përmbushjes: Nga kurorëzimi i Krishtit Jezu si Mbret në vitin 1914 deri në shtrëngimin e madh
1. Për çfarë do të na ndihmojë kuptueshmëria për shenjat e përshkruara në kapitujt 12 deri në 14 të Zbulesës?
SEKRETI i shenjtë i Perëndisë u zbulua. (Zbulesa 10:7) Mbretëria e Jehovait, e drejtuar nga Mesia i tij, tani është një realitet i gjallë. Ajo sundon. Ekzistenca e saj, nga njëra anë, do të thotë rrënim për Satanain dhe farën e tij dhe, nga ana tjetër, fitore e lavdishme për Farën e organizatës qiellore të Perëndisë. Megjithatë, engjëlli i shtatë vazhdonte t’i binte trumbetës, sepse kishte ende mjaft gjëra të tjera për të na zbuluar lidhur me mjerimin e tretë. (Zbulesa 11:14) Shenjat e përshkruara në kapitujt 12 deri në 14 të Zbulesës, do të na ndihmojnë të kuptojmë edhe më mirë gjithçka që lidhet me mjerimin e tretë dhe me plotësimin e sekretit të shenjtë të Perëndisë.
2. (a) Cilën shenjë madhështore pa Gjoni? (b) Kur u zbulua domethënia e kësaj shenje madhështore?
2 Gjoni pa një shenjë madhështore, që është me interes të jashtëzakonshëm për popullin e Perëndisë. Ajo na çon te një vegim profetik që të lë pa mend. Domethënia e tij u shpjegua për herë të parë në Kullën e Rojës të 1 marsit 1925, në anglisht, nën titullin «Lindja e kombit», e më pas në librin Çlirim që doli në anglisht në vitin 1926. Kjo rreze e shndritshme e kuptueshmërisë biblike shënoi një etapë historike në përparimin e veprës së Jehovait. Të lëmë Gjonin të na e përshkruajë këtë skenë ashtu siç e pa ai: «Një shenjë e madhe u duk në qiell: një grua e veshur me diell. Poshtë këmbëve kishte hënën, ndërsa mbi kokë kishte një kurorë me dymbëdhjetë yje, dhe ishte shtatzënë. Ajo thërret nga dhembjet dhe nga mundimet e lindjes.»—Zbulesa 12:1, 2.
3. Kush është gruaja që pa Gjoni në qiell?
3 Kjo ishte hera e parë që Gjoni pa një grua në qiell. Patjetër që nuk bëhet fjalë për një grua të vërtetë. Përkundrazi, ajo është një shenjë ose simbol. (Zbulesa 1:1) Por, çfarë simbolizon? Në profecitë hyjnore, gratë ndonjëherë paraqitin organizata «të martuara» me personalitete të shquara. Në Shkrimet Hebraike, kombi i Izraelit paraqitej si gruaja e Perëndisë Jehova. (Jeremia 3:14, shënimi.) Në Shkrimet Greke, kongregacioni i të krishterëve të mirosur është quajtur nusja e Qengjit. (Zbulesa 21:9-14) Edhe gruaja që pa Gjoni këtu ishte e martuar me dikë dhe ishte gati për të lindur. Kush ishte burri i saj? Vazhdimi i tregimit na mëson se fëmija i saj «u rrëmbye për te Perëndia dhe froni i tij». (Zbulesa 12:5) Kjo tregon se Jehovai i dha atësinë fëmijës. Pra, gruaja që pa Gjoni duhet të jetë «gruaja» e Jehovait.
4. Cilët janë bijtë e «gruas» së Perëndisë dhe si e quajti Pavli gruan që pa Gjoni?
4 Rreth tetë shekuj më parë, Jehovai i kishte thënë kësaj «gruaje»: «Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Jehovai.» (Isaia 54:5, 13) Jezui e citoi këtë profeci dhe tregoi se këta bij ishin ithtarët e tij besnikë, që më vonë formuan kongregacionin e të krishterëve të mirosur. (Gjoni 6:44, 45) Prandaj, anëtarët e këtij kongregacioni, që quhen bij të Perëndisë, janë edhe fëmijë të «gruas» së Perëndisë. (Romakëve 8:14) Apostulli Pavël i shtoi një hollësi të fundit këtij informacioni, kur tha: «Jerusalemi lart është i lirë dhe është nëna jonë.» (Galatasve 4:26) Pra, ‘gruaja’ që pa Gjoni, ishte «Jerusalemi lart».
5. Çfarë është Jerusalemi lart, përderisa «gruaja» e Jehovait kishte një kurorë me 12 yje?
5 Por, çfarë është saktësisht Jerusalemi lart? Përderisa Pavli tha se ai ishte «lart» dhe Gjoni e pa në qiell, është e qartë që nuk është një qytet në tokë. As nuk duhet ngatërruar me «Jerusalemin e Ri», pasi kjo organizatë është nusja e Krishti, jo gruaja e Jehovait. (Zbulesa 21:2) Ajo kishte mbi kokë një kurorë me 12 yje. Numri 12 simbolizon diçka të plotë në nivel organizativ.a Pra, këta 12 yje, me sa duket tregojnë se gruaja për të cilën po flasim është një organizatë në qiell, njësoj si ishte organizuar Jerusalemi i lashtë në tokë. Jerusalemi lart është organizata universale e Jehovait, e përbërë nga krijesa frymore, që është si grua për të, ngaqë i shërben dhe i siguron pasardhës.
6. (a) Çfarë tregon fakti që gruaja që pa Gjoni ishte e veshur me diell, kishte hënën poshtë këmbëve dhe kishte një kurorë me yje? (b) Çfarë simbolizojnë dhembjet e lindjes së gruas shtatzënë?
6 Gjoni e pa gruan të veshur me diell dhe me hënën poshtë këmbëve. Po t’i shtojmë këtij përshkrimi edhe kurorën me yje, ajo ishte e rrethuar plotësisht nga dritat qiellore. Hiri i Jehovait shkëlqente mbi të ditë e natë. Sa simbol i përshtatshëm për organizatën e madhërishme qiellore të Jehovait! Veç kësaj, ajo ishte shtatzënë dhe kishte dhembjet e lindjes. Thirrjet e saj për ndihmë Perëndisë, tregonin se kishte ardhur koha të lindte. Në Bibël, dhembjet e lindjes shpesh simbolizojnë mundin e madh që duhet derdhur për të arritur një rezultat të rëndësishëm. (Krahaso Psalmin 90:2; Proverbat 25:23; Isainë 66:7, 8.) Organizata qiellore e Jehovait pa dyshim ka provuar dhembje të tilla, kur po përgatitej për këtë lindje historike.
Një dragua i madh me ngjyrë të kuqe zjarr
7. Cila ishte shenja tjetër që pa Gjoni në qiell?
7 Çfarë pa Gjoni më pas? «Një tjetër shenjë u duk në qiell. Ja, një dragua i madh me ngjyrë të kuqe zjarr, me shtatë koka e dhjetë brirë dhe mbi kokat e tij kishte shtatë diadema. Bishti i tij tërhoqi zvarrë një të tretën e yjeve të qiellit dhe i hodhi poshtë në tokë. Dragoi qëndronte përpara gruas që gati po lindte, që kur të lindte, t’i gllabëronte fëmijën.»—Zbulesa 12:3, 4.
8. (a) Kush është dragoi i madh me ngjyrë të kuqe zjarr? (b) Çfarë tregojnë në lidhje me dragoin shtatë kokat, dhjetë brirët dhe një diademë në çdo kokë?
8 Ky dragua është Satanai, «gjarpri i hershëm». (Zbulesa 12:9; Zanafilla 3:15) Ai është një shkatërrimtar i pamëshirshëm—një dragua me shtatë kokë i aftë ta gllabërojë prenë e tij të tërën. Ç’pamje të çuditshme që ka! Shtatë kokat dhe dhjetë brirët tregojnë se ai është projektuesi i bishës politike, që do të përshkruhet në kapitullin 13 të Zbulesës. Edhe ajo ka shtatë koka dhe dhjetë brirë. Meqenëse Satanai ka një diademë në çdo kokë, pra shtatë gjithsej, mund të jemi të sigurt se fuqitë botërore që paraqit bisha kanë qenë të nënshtruara ndaj tij. (Gjoni 16:11) Dhjetë brirët janë një simbol i përshtatshëm i pushtetit të plotë që ka pasur ai në këtë botë.
9. Çfarë tregon fakti që bishti i dragoit «tërhoqi zvarrë një të tretën e yjeve të qiellit» deri poshtë në tokë?
9 Dragoi ka autoritet edhe në botën frymore. Me bishtin e tij, ai «tërhoqi zvarrë një të tretën e yjeve të qiellit». Yjet mund të përfaqësojnë engjëjt. (Jobi 38:7) ‘Një e treta’ duket se nënvizon që një numër i konsiderueshëm engjëjsh janë mashtruar nga Satanai. Njëherë që ranë nën pushtetin e tij, për ta s’ka qenë më e mundur të shpëtonin. S’mund të ktheheshin më në organizatën e shenjtë të Perëndisë, por u bënë demonë dhe, si të thuash, i tërhoqi zvarrë nga pas Satanai, mbreti ose sundimtari i tyre. (Mateu 12:24) Veç kësaj, Satanai i hodhi në tokë. Kjo i referohet patjetër kohës së Noesë para Përmbytjes, kur Satanai i nxiti bijtë e pabindur të Perëndisë të zbritnin në tokë dhe të bashkëjetonin me bijat e njerëzve. Këta ‘engjëj që mëkatuan’, Perëndia i ndëshkoi duke i hedhur në Tartar, domethënë në një gjendje që krahasohet me burgosjen.—Zanafilla 6:4; 2 Pjetrit 2:4; Juda 6.
10. Cilat organizata kundërshtare kanë dalë në pah dhe pse dragoi kërkon të gllabërojë fëmijën që do të lindë gruaja?
10 Pra, kanë dalë në pah qartësisht dy organizata kundërshtare: organizata qiellore e Jehovait, që paraqitet nga gruaja, dhe organizata demonike e Satanait, që sfidon sovranitetin e Perëndisë. Duhet zgjidhur çështja e rëndësishme e sovranitetit. Por si? Satanai, që ende i tërheq zvarrë demonët pas tij, është si një grabitqar i pangopur që ia ngul sytë një preje të mundshme. Ai pret që gruaja të lindë dhe të gllabërojë foshnjën që do të lindë, sepse e di që prej tij ai rrezikon seriozisht ekzistencën e tij dhe atë të botës ku sundon.—Gjoni 14:30.
Një fëmijë, një djalë
11. Si e përshkroi Gjoni lindjen e djalit nga gruaja, dhe pse ai është quajtur «një fëmijë, një djalë»?
11 Në vitin 1914, mori fund koha e caktuar nga Perëndia që kombet të sundonin pa ndërhyrjen e tij. (Luka 21:24) Atëherë, pikërisht në kohën e duhur, gruaja solli në jetë fëmijën: «Ajo lindi një fëmijë, një djalë, i cili do të sundojë mbi të gjitha kombet me një shkop të hekurt. Fëmija e saj u rrëmbye për te Perëndia dhe froni i tij. Kurse gruaja iku në shkretëtirë, ku kishte një vend të përgatitur nga Perëndia, që atje ta ushqenin për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.» (Zbulesa 12:5, 6) Ajo lindi «një fëmijë, një djalë». Në tekstin origjinal grek këtu Gjoni përdori dy terma, «një mashkull» dhe «një djalë». Pse? Për të treguar se foshnja do të ishte i zoti dhe do t’i kishte të gjitha aftësitë për t’i nënshtruar kombet me fuqinë e nevojshme. Gjithashtu, për të treguar se kjo lindje ishte një ngjarje e gëzueshme dhe e paharrueshme. Ajo do të luante një rol kyç në plotësimin e sekretit të shenjtë të Perëndisë. Jo më kot thuhej në varg se ky djalë ‘do të sundonte mbi të gjitha kombet me një shkop të hekurt’!
12. (a) Cilat premtime profetike ka bërë Jehovai në librin e Psalmeve? (b) Çfarë nënkupton fakti që gruaja lindi një djalë që ‘do të sundonte mbi të gjitha kombet me një shkop të hekurt’?
12 A nuk të tingëllojnë të njohura këto fjalë? Po, në fakt Jehovai bëri këtë premtim profetik për Jezuin: «Ti do t’i copëtosh me një skeptër të hekurt, e do t’i bësh copë e çikë si të ishin enë poçari.» (Psalmi 2:9) Gjithashtu, për të ishte profetizuar: «Nga Sioni, Jehovai do të zgjatë shkopin e forcës së tij dhe do t’i thotë: ‘Shko mes armiqve të tu dhe nënshtroji.’» (Psalmi 110:2) Pra, lindja që pa Gjoni lidhet drejtpërsëdrejti me Jezu Krishtin. Këtu nuk e kemi fjalën për lindjen e Jezuit nga virgjëresha para shekullit të parë të e.s.; as për ringjalljen e Jezuit në jetën qiellore në vitin 33 të e.s. Aq më pak nuk bëhet fjalë për transmigrimin e shpirtit. Përkundrazi, ka të bëjë me lindjen e Mbretërisë së Perëndisë në vitin 1914 si një mbretëri e vërtetë, me Jezuin në fron si Mbret, që tashmë gjendet në qiell nga afro 20 shekuj.—Zbulesa 12:10.
13. Çfarë tregonte ‘rrëmbimi i djalit për te Perëndia dhe froni i tij’?
13 Jehovai s’do ta lejonte kurrë Satanain të gllabëronte gruan ose djalin e Tij të sapolindur. Me të lindur, djali ‘u rrëmbye për te Perëndia dhe froni i tij’. Në këtë mënyrë, ai u vu nën mbrojtjen e plotë të Jehovait, i cili do të tregonte kujdesin më të madh për Mbretërinë e sapolindur, mjetin që do të përdorte për të shenjtëruar emrin e Vet. Njëkohësisht, gruaja iku në një vend që Perëndia kishte përgatitur për të në shkretëtirë. Më vonë do të japim më shumë hollësi për këtë. Sa për Satanain, gjithçka ishte gati për një ngjarje të paharrueshme, që do t’ia bënte atij vërtet të pamundur të kërcënonte përsëri Mbretërinë në qiell. Cila ishte kjo ngjarje?
Luftë në qiell!
14. (a) Sipas Gjonit, cila ngjarje ia bëri të pamundur Satanait të kërcënonte përsëri Mbretërinë? (b) Ku gjendet i kufizuar tani Satanai dhe demonët e tij?
14 Gjoni vazhdoi: «Në qiell shpërtheu lufta: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit. Edhe dragoi bashkë me engjëjt e tij luftoi, por nuk fitoi, dhe për ta nuk pati më vend në qiell. Kështu, u hodh poshtë dragoi i madh, gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar. U hodh poshtë në tokë ai bashkë me engjëjt e tij.» (Zbulesa 12:7-9) Pra, dëbimi i Satanait nga qielli dhe hedhja e tij në tokë bashkë me demonët e tij, janë ngjarje të bujshme që e çojnë sekretin e shenjtë të Perëndisë drejt plotësimit. Ai që mashtroi tërë tokën e banuar, aq sa u bë perëndia i saj, më në fund e pa veten të kufizuar në afërsi të këtij planeti, ku edhe filloi rebelimi i tij i parë.—2 Korintasve 4:3, 4.
15, 16. (a) Kush është Mikaeli dhe si e dimë? (b) Pse ishte me vend që pikërisht Mikaeli ta hidhte Satanain nga qielli?
15 Kush e korri këtë fitore të madhe në emër të Jehovait? Bibla thotë se e bëri Mikaeli dhe engjëjt e tij. Por, kush është Mikaeli? Emri «Mikael» do të thotë «Kush është si Perëndia». Pra, Mikaeli duhet të jetë dikush që e ka merak shfajësimin e sovranitetit të Jehovait dhe jep prova se askush s’matet me Të. Në vargun 9 të Judës, ai quhet «kryeengjëlli Mikael». Vlen të përmendet se titulli ‘kryeengjëll’ përdoret edhe herë të tjera në Bibël vetëm për një person: Jezu Krishtin.b Pavli tha: «Zotëria do të zbresë nga qielli me një kushtrim, me zë kryeengjëlli dhe me trumbetën e Perëndisë.» (1 Selanikasve 4:16) Titulli ‘kryeengjëll’ do të thotë «prijës i engjëjve». Pra, s’është për t’u habitur, pse te Zbulesa thuhet «Mikaeli dhe engjëjt e tij». Ka vargje të tjera në Bibël ku flitet për engjëjt që i nënshtrohen një shërbëtori të drejtë të Perëndisë, dhe edhe këto i referohen Jezuit. Për shembull, Pavli tha se ‘kur të zbulohej nga qielli Zotëria Jezu, do të shfaqej tok me engjëjt e tij të fuqishëm’.—2 Selanikasve 1:7; shih edhe Mateun 24:30, 31; 25:31.
16 Këto shkrime biblike, si edhe të tjera na çojnë në përfundimin e pakundërshtueshëm se Mikaeli s’mund të jetë tjetër, veçse Zotëria Jezu Krisht në pozitën qiellore. Tani, gjatë ditës së Zotërisë, ai nuk mjaftohet vetëm duke i thënë Satanait: «Jehovai të qortoftë!» Përkundrazi, meqenëse kjo është kohë gjykimi, Jezui, në rolin e Mikaelit, e ka dëbuar nga qielli Satanain e lig dhe engjëjt demonikë. (Juda 9; Zbulesa 1:10) Ishte shumë me vend që këtë ta bënte pikërisht Ai, pasi ishte Mbreti i sapovendosur. Jezui është edhe Fara e premtuar në Eden, që do t’i shtypë përfundimisht kokën Gjarprit, dhe kjo do të sjellë zhdukjen e tij përgjithmonë. (Zanafilla 3:15) Duke e përzënë Satanain nga qielli, Jezui bëri një hap përpara për ta zhdukur atë përfundimisht.
«Gëzoni, o qiej!»
17, 18. (a) Çfarë reagimi pati në qiell, sipas Gjonit, pas hedhjes së Satanait nga qielli? (b) I kujt mund të ketë qenë zëri i fortë që dëgjoi Gjoni?
17 Gjoni foli për gëzimin që ngjalli në qiell lajmi i bujshëm i dëbimit të Satanait. «Unë dëgjova një zë të fortë në qiell që tha: ‘Tani erdhi shpëtimi, fuqia, mbretëria e Perëndisë tonë dhe autoriteti i Krishtit të tij, sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, i cili i padit ata ditë e natë para Perëndisë tonë! Ata e mundën me anë të gjakut të Qengjit dhe të fjalës së dëshmisë së tyre, dhe nuk e deshën shpirtin as përballë vdekjes. Prandaj, gëzoni, o qiej, dhe ju që banoni në ta!’»—Zbulesa 12:10-12a.
18 I kujt ishte zëri i fortë që dëgjoi Gjoni? Bibla nuk e thotë. Megjithatë, sipas Zbulesës 11:17, një thirrje e ngjashme u dëgjua nga 24 pleqtë e ringjallur në pozitat e tyre në qiell, të cilët nga atje mund të përfaqësojnë 144.000 të shenjtët. (Zbulesa 11:18) Përderisa shërbëtorët e mirosur të Perëndisë, që janë ende në tokë dhe përndiqen, quhen ‘vëllezërit tanë’, këto fjalë mund të kenë ardhur fare mirë nga i njëjti burim. Pa dyshim, tani mund të dëgjohen edhe zërat e këtyre besnikëve, pasi ringjallja e tyre ndodhi pak kohë pasi Satanai dhe demonët e tij u hodhën nga qielli.
19. (a) Për çfarë i hap rrugën Jezuit plotësimi i sekretit të shenjtë të Perëndisë? (b) Çfarë tregon quajtja e Satanait «paditësi i vëllezërve tanë»?
19 Plotësimi i sekretit të shenjtë të Perëndisë kërkon që Jezui të ketë autoritet në Mbretërinë e Jehovait. Kjo i hap rrugën Perëndisë që të plotësojë qëllimin e tij madhështor për t’u sjellë çlirimin besnikëve të tij. Jezui nuk do t’u sjellë shpëtim vetëm dishepujve të tij në tokë sot që i frikësohen Perëndisë, por edhe miliona e miliona të vdekurve që janë në kujtesën e Perëndisë. (Luka 21:27, 28) Quajtja Satanait «paditësi i vëllezërve tanë», tregon qartë se, megjithëse akuzat e tij kundër Jobit dolën të rreme, ai ka vazhduar të vërë në dyshim integritetin e shërbëtorëve të Perëndisë në tokë. Me sa duket, ai e ka thënë shumë herë që njeriu është gati të japë gjithë ç’ka për shpirtin e tij. Sa të pavërteta kanë dalë fjalët e tij!—Jobi 1:9-11; 2:4, 5.
20. Si e kanë mundur Satanain të krishterët e mirosur?
20 Të krishterët e mirosur që quhen të drejtë falë ‘gjakut të Qengjit’, kanë vazhduar të japin dëshmi për Perëndinë dhe për Jezu Krishtin edhe përballë përndjekjeve. Për më shumë se 120 vjet, klasa e Gjonit e ka drejtuar vëmendjen e njerëzve te çështjet e mëdha që kanë lidhje me fundin e kohëve të caktuara të kombeve në vitin 1914. (Luka 21:24) Tani përkrah tyre shërben edhe shumica e madhe. Asnjë nga këta besnikë nuk ‘frikësohet nga ata që vrasin trupin, por s’mund të vrasin shpirtin’, siç e kanë treguar shumë e shumë herë ngjarjet e përjetuara në kohën tonë nga Dëshmitarët e Jehovait. Ata e kanë mundur Satanain me fjalët dhe me sjelljen e mirë si të krishterë, duke treguar përherë se ai është gënjeshtar. (Mateu 10:28; Proverbat 27:11; Zbulesa 7:9) Sa të lumtur duhet të jenë të krishterët e mirosur që janë ringjallur në qiell, sepse atje nuk është më Satanai që akuzonte vëllezërit e tyre! Është koha që tërë ushtria engjëllore t’i përgjigjet me gëzim thirrjes: «Gëzoni, o qiej, dhe ju që banoni në ta!»
Mjerim nga rivali!
21. Si i ka sjellë mjerim Satanai tokës dhe detit?
21 I acaruar për shkak të mjerimit të tretë, tani Satanai është i vendosur t’i sjellë vuajtje njerëzimit me këtë mjerim që i shkon për shtat sojit të tij: «Mjerë ti tokë e ti det, sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!» (Zbulesa 12:12b) Pas dëbimit të Satanait nga qielli, vërtet mund të thuhej «mjerë ti tokë», pasi ajo po rrënohej nga njerëzit egoistë nën pushtetin e tij. (Ligji i përtërirë 32:5) Politika që ndjek Satanai ‘nënshtro ose shkatërro’, i sjell edhe më shumë mjerim tokës simbolike, domethënë strukturës së shoqërisë njerëzore, si edhe detit simbolik, domethënë masave të trazuara të njerëzve. Gjatë dy luftërave botërore, tërbimi i Satanait u pasqyrua në tërbimin e kombeve nën pushtetin e tij, dhe shpërthime të tilla të egërsisë demonike janë shfaqur deri në ditët tona, por kjo s’do të zgjatë shumë. (Marku 13:7, 8) Megjithatë, sado të tmerrshme të jenë strategjitë e Djallit, ato nuk do të krahasohen kurrë me pasojat shkatërrimtare që do të sjellë për organizatën e dukshme të Satanait mjerimi i tretë që do të shkaktojë Mbretëria e Perëndisë.
22, 23. (a) Çfarë ndodhi, sipas Gjonit, pasi dragoi u hodh në tokë? (b) Si është e mundur që dragoi e përndjek «gruan që lindi djalin»?
22 Që nga dëbimi i tmerrshëm i Satanait, vëllezërit e Krishtit, që janë ende në tokë, kanë duruar mizorinë e tërbimit të tij. Gjoni shkroi: «Kur dragoi pa se e hodhën poshtë në tokë, përndoqi gruan që lindi djalin. Por gruas iu dhanë dy krahët e shqiponjës së madhe, që të fluturonte drejt shkretëtirës, në vendin e përgatitur për të, ku ushqehet për një kohë, dy kohë dhe një gjysmë kohe, larg gjarprit.»—Zbulesa 12:13, 14.
23 Këtu vegimi rikthehet te mendimi i vargut 6, që thoshte se pas lindjes së fëmijës, gruaja iku në shkretëtirë larg dragoit. Ne mund të pyesim si mund ta përndiqte dragoi gruan, nëse ajo do të ishte në qiell, kurse dragoi poshtë në tokë. S’duhet të harrojmë se gruaja ka fëmijë këtu në tokë, që përbëjnë farën e saj. Nga vazhdimi i vegimit do të mësojmë se Satanai do ta tregonte tërbimin e tij kundër gruas, duke përndjekur farën e saj. (Zbulesa 12:17) Çfarëdo që t’i bënte ai farës së gruas këtu në tokë, do të ishte sikur t’ia kishte bërë vetë gruas. (Krahaso Mateun 25:40.) Edhe shokët e farës në tokë, që po shtohen dita-ditës, do të përndiqeshin.
Një komb i ri
24. Cila përvojë e Studentëve të Biblës ishte e ngjashme me çlirimin e izraelitëve nga Egjipti?
24 Gjatë Luftës së Parë Botërore, vëllezërit e Jezuit vazhduan me besnikëri dhe aq sa ishte e mundur të jepnin dëshmi. Ata e bënë këtë përballë kundërshtimit gjithnjë e në rritje që ngjalli Satanai dhe këlyshët e tij keqdashës. Në fund, dëshmia publike e Studentëve të Biblës u ndal vërtet. (Zbulesa 11:7-10) Kjo ndodhi, kur përjetuan diçka të ngjashme me izraelitët në Egjipt, të cilët njësoj si këta u përballën me një shtypje të madhe. Pikërisht atëherë, Jehovai i nxori andej me të shpejtë, si mbi krahët e shqiponjave, e i çoi në një vend të sigurt në shkretëtirën e Sinait. (Dalja 19:1-4) Po njësoj, pas përndjekjes së hidhur të viteve 1918-1919, Jehovai i çliroi dëshmitarët e tij, që përfaqësonin gruan e vet, duke i çuar në një gjendje të tillë frymore që për ta ishte po aq e sigurt sa shkretëtira për izraelitët. Kjo ishte sikur lutjet e tyre kishin marrë përgjigje.—Krahaso Psalmin 55:6-9.
25. (a) Çfarë solli në jetë Jehovai në vitin 1919, njësoj si kishte bërë për izraelitët në shkretëtirë? (b) Cilët e përbëjnë këtë komb dhe ç’gjendje kanë arritur?
25 Në shkretëtirë, Jehovai i bëri izraelitët një komb, duke u përmbushur nevojat frymore dhe fizike. Po ashtu, duke filluar nga viti 1919, Jehovai e bëri farën e gruas një komb frymor. Ai s’duhet ngatërruar me Mbretërinë mesianike që ka sunduar në qiell që nga viti 1914. Jo, ky komb i ri përbëhet nga mbetja e dëshmitarëve të mirosur në tokë, të cilët në vitin 1919 u lartësuan në një gjendje të lavdishme frymore. Duke marrë «furnizime të mjaftueshme me ushqim në kohën e duhur», ata u forcuan për veprën që i priste.—Luka 12:42; Isaia 66:8.
26. (a) Sa zgjati periudha e kohës që përmendet te Zbulesa 12:6, 14? (b) Cili ishte qëllimi i periudhës prej tre vjetësh e gjysmë, kur filloi dhe kur mbaroi?
26 Sa zgjati ky pushim për farën e gruas së Perëndisë? Zbulesa 12:6 thotë 1.260 ditë. Zbulesa 12:14 e quan këtë periudhë një kohë, dy kohë dhe një gjysmë kohe, domethënë tre kohë e gjysmë. Në fakt, të dyja shprehjet nënkuptojnë tre vjet e gjysmë, të cilët në hemisferën veriore filluan në pranverë të 1919-s deri në vjeshtë të 1922-shit. Për klasën e rivendosur të Gjonit, kjo ishte një periudhë rimëkëmbjeje e riorganizimi përtëritës.
27. (a) Sipas Gjonit, çfarë bëri dragoi pas vitit 1922? (b) Me ç’qëllim volli Satanai një lumë përndjekjesh kundër Dëshmitarëve?
27 Dragoi nuk u dorëzua me kaq! «Gjarpri volli pas gruas ujë si një lumë, që kjo të mbytej në të.» (Zbulesa 12:15) Çfarë nënkupton ‘uji si lumë’ ose ‘një sasi shumë e madhe uji’? (ECM) Mbreti i lashtë David i quajti të ligjtë që e kundërshtonin «një lumë njerëzish pa pikë vlere». (Psalmi 18:4, 5, 16, 17) Ajo që ngjalli Satanai, ishte si përndjekje nga ‘njerëz pa pikë vlere’. Pas vitit 1922, Satanai volli një lumë përndjekjesh kundër Dëshmitarëve. (Mateu 24:9-13) Kjo përfshiu edhe dhunë fizike, ‘telashe të kurdisura me anë të dekretit’, burgosje, e madje ekzekutime me varje, vrasje dhe prerje koke. (Psalmi 94:20) I poshtëruar, Satanai, të cilit i ishte mohuar hyrja në organizatën qiellore të gruas së Perëndisë, nisi të sulmonte si i tërbuar anëtarët e mbetjes së farës në tokë për t’i shkatërruar, qoftë drejtpërsëdrejti, qoftë duke i bërë të humbnin hirin e Perëndisë me ndonjë vepër jobesnikërie. Por ata u treguan besnikë si Jobi, i cili tha: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë gjersa të vdes.»—Jobi 27:5.
28. Si e arriti kulmin lumi i përndjekjeve gjatë Luftës II Botërore?
28 Ky lumë përndjekjesh mizore arriti kulmin gjatë Luftës II Botërore. Në Evropë, u burgosën nëpër kampet naziste të përqendrimit dhe nëpër burgje rreth 12.000 Dëshmitarë, 2.000 prej të cilëve gjetën vdekjen. Dëshmitarët besnikë në Itali, Japoni, Kore dhe Tajvan vuajtën një trajtim të ngjashëm çnjerëzor nën zgjedhën e kapove të atjeshëm të luftës. Edhe në vendet e ashtuquajtura demokratike, grupe të Aksionit Katolik sulmonin Dëshmitarët, i lyenin me zift, i mbulonin me pupla dhe i përzinin nga qyteti. Asambletë që mbanin Dëshmitarët ndërpriteshin dhe fëmijët e Dëshmitarëve përjashtoheshin nga shkolla.
29. (a) Si e përshkroi Gjoni lehtësimin që do të vinte kur s’e pritnin? (b) Si ‘i erdhi në ndihmë toka gruas’? (c) Çfarë ka vazhduar të bëjë dragoi?
29 Megjithatë çlirimi u erdhi atëherë kur s’e pritnin. «Por gruas i erdhi në ndihmë toka, që hapi gojën dhe përpiu lumin që dragoi volli nga goja. Dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi të luftonte me mbetjen e farës së saj, të cilët zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe janë caktuar të japin dëshmi për Jezuin.» (Zbulesa 12:16, 17) «Toka», domethënë elementet brenda vetë sistemit të Satanait, përpiu «lumin». Gjatë viteve 40, Dëshmitarët korrën disa fitore ligjore në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara dhe qeveritë e vendeve të tjera, fitore që përkrahën lirinë e adhurimit. Në fund, për lehtësimin e Dëshmitarëve që kishin vuajtur nën diktatura të egra, kombet aleate përpinë përbindëshin nazi-fashist. Megjithatë, kjo nuk u dha fund përndjekjeve, pasi tërbimi i dragoit ka vazhduar deri më sot dhe ai vazhdon të luftojë kundër atyre që «janë caktuar të japin dëshmi për Jezuin». Në shumë vende, Dëshmitarë besnikë ende janë të burgosur dhe disa madje vdesin për shkak të integritetit. Megjithatë, në disa prej këtyre vendeve, autoritetet e zbutin herë pas here shtypjen dhe Dëshmitarët gëzojnë një liri më të madhe.c Pra, në përmbushje të profecisë, toka vazhdon të përpijë lumin e përndjekjeve.
30. (a) Çfarë është arritur të bëhet falë lehtësimit që ka sjellë toka? (b) Çfarë sjell integriteti i popullit të Perëndisë?
30 Ja pra, si ka sjellë një lehtësim të mjaftueshëm toka, dhe kjo i ka dhënë mundësi veprës së Perëndisë që të përhapet në rreth 235 vende dhe të mbledhë më tepër se gjashtë milionë predikues besnikë të lajmit të mirë. Bashkë me anëtarët e mbetur të farës së gruas, një shumicë e madhe ndërkombëtare me besimtarë të rinj po zbaton urdhërimet e Perëndisë, duke u ndarë nga bota, duke mbajtur një moral të lartë, duke treguar dashuri për vëllezërit dhe duke dhënë dëshmi për Mbretërinë mesianike. Integriteti i tyre i jep një përgjigje të mirë sfidës së Satanait që shpifi për Perëndinë, përgjigje që është kambana e vdekjes për vetë atë dhe sistemin e tij.—Proverbat 27:11.
[Shënimet]
a Krahaso 12 fiset e kombit të Izraelit, 12 apostujt, 12 fiset e Izraelit frymor, 12 portat, 12 engjëjt dhe 12 gurët e themelit të Jerusalemit të Ri.—Zbulesa 21:12-14.
b Megjithatë, Zbulesa 12:9 flet për ‘dragoin e madh me engjëjt e tij’. Pra, Djalli jo vetëm hiqet si perëndi, por mundohet të jetë edhe kryeengjëlli, megjithëse Bibla nuk ia ka dhënë kurrë këtë titull.
c Gjykatat e larta të shumë vendeve janë shprehur në favor të Dëshmitarëve të Jehovait. Në kutinë e faqes 92, citohen disa prej vendimeve të tyre.
[Kutia në faqen 185]
«Toka . . . hapi gojën»
Valët e përndjekjes nga Satanai janë përplasur egërsisht mbi të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre në shumë vende. Megjithatë, shpesh disa zhvillime brenda vetë sistemit të Satanait kanë bërë që këto valë të përpijnë ata vetë.
Vala e sulmit nga turmat dhe burgosjet në Shtetet e Bashkuara u përpi në një shkallë të madhe nga disa vendime të favorshme që mori Gjykata e Lartë gjatë viteve 40.
1945: Përndjekja mizore në vende të kontrolluara nga Gjermania dhe Japonia u ndal falë fitores së forcave aleate në Luftën II Botërore.
Kur vepra e Dëshmitarëve të Jehovait u ndalua në Republikën Domenikane, Dëshmitarët e Jehovait u burgosën, u fshikulluan dhe u rrahën me qytën e pushkëve. Në vitin 1960, një mosmarrëveshje mes diktatorit Rafael Truhijo dhe Kishës Katolike të Romës solli heqjen e ndalimit për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait.
Pushkatimet, djegiet, përdhunimet, rrahjet, torturat dhe vrasjet e Dëshmitarëve gjatë luftës civile në Nigeri u ndalën në vitin 1970, kur forcat qeveritare morën në zotërim provincën separatiste ku ndodhnin këto gjëra.
Në Spanjë policët futeshin me forcë në shtëpitë e të krishterëve, të cilët i gjobitnin dhe i burgosnin për «krimin» se flitnin për Perëndinë dhe mbanin mbledhje të krishtere. Në vitin 1970, kur qeveria ndryshoi politikën e vet kundrejt feve jokatolike, kjo përndjekje mori fund dhe Dëshmitarët e Jehovait u lejuan të regjistroheshin ligjërisht.
Në Portugali qindra shtëpi u bastisën pa asnjë lloj mandati. Dëshmitarët u rrahën fizikisht dhe u flakën burgjeve, kurse Biblat e tyre u konfiskuan. Ky terrorizëm ‘u përpi’ kur një revolucion ushtarak në vitin 1974 solli ndryshimin e qeverisë dhe u miratua një ligj që garantonte lirinë e mbledhjeve.
Në Argjentinë, ku sundonte një qeveri ushtarake, fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait përjashtoheshin nga shkollat, kurse Dëshmitarët anembanë vendit arrestoheshin ngaqë predikonin lajmin e mirë. Kjo përndjekje mori fund në vitin 1984, kur qeveria e asaj kohe njohu ligjërisht Shoqatën e Dëshmitarëve të Jehovait.
[Tabela në faqen 183]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
1914 Lindja e Mbretërisë
1919 Lindja e kombit të ri
1919-1922 Periudha e rimëkëmbjes
1922- Valë përndjekjesh
[Figurat në faqen 182]
Mjerë ti tokë!