Kapitulli 32
Merr fund zemërimi i Perëndisë
1. Çfarë do të ketë ndodhur, kur të jenë derdhur deri në fund shtatë kupat, dhe cilat pyetje ngrihen për kupat?
GJONI na prezantoi një kapitull më parë engjëjt që ishin ngarkuar të derdhnin shtatë kupat. Ai tha se ‘ato ishin të fundit, sepse me to merrte fund zemërimi i Perëndisë’. (Zbulesa 15:1; 16:1) Këto plagë, që zbulojnë masat që ka marrë Jehovai për të ndëshkuar ligësinë në tokë, duhet të derdhen deri në fund. Kur të ketë përfunduar derdhja e kupave, gjykimet e Perëndisë do të jenë ekzekutuar plotësisht. Bota e Satanait s’do të jetë më! Ç’lajmërojnë këto plagë për njerëzimin dhe për qeveritarët e sistemit të lig sot? Çfarë mund të bëjnë të krishterët që të mos goditen nga plagët që do të bien mbi këtë botë të dënuar? Vërtet pyetje mjaft të rëndësishme, që tani do të marrin përgjigje. Të gjithë ata që presin me padurim të triumfojë drejtësia, me siguri do t’i kushtojnë shumë vëmendje asaj që pa Gjoni më pas.
Zemërimi i Jehovait kundër «tokës»
2. Çfarë ndodhi kur engjëlli i parë derdhi kupën në tokë dhe çfarë simbolizon fjala «tokë»?
2 Engjëlli i parë u hodh në veprim. «I pari shkoi dhe e derdhi kupën mbi tokë. Një ulcerë e keqe dhe e tmerrshme i zuri njerëzit që kishin damkën e bishës e që adhuronin shëmbëlltyrën e saj.» (Zbulesa 16:2) Njësoj si në tregimin që fliste për trumbetën e parë, ‘toka’ në këtë varg simbolizon sistemin politik në dukje të qëndrueshëm, që Satanai nisi të ndërtonte këtu në tokë që në kohën e Nimrodit, mbi 4.000 vjet më parë.—Zbulesa 8:7.
3. (a) Në ç’mënyrë shumë qeveri kanë kërkuar nga nënshtetasit e tyre një nënshtrim të barasvlershëm me adhurimin? (b) Me cilën organizatë e kanë zëvendësuar kombet Mbretërinë e Perëndisë? Çfarë pasojash kanë ata që e adhurojnë?
3 Në këto ditë të fundit, shumë qeveri kërkojnë nga nënshtetasit e tyre një nënshtrim të barasvlershëm me adhurimin. Ata këmbëngulin se atdheu qëndron mbi Perëndinë dhe se duhet të tregojnë besnikëri ndaj tij më shumë se ndaj çdo gjëje tjetër. (2 Timoteut 3:1; krahaso Lukën 20:25; Gjonin 19:15.) Që nga viti 1914, është bërë e zakonshme që kombet të thërrasin nën armë të rinjtë që të luftojnë ose të përgatiten për luftë, për luftën e përgjithshme që ka përgjakur faqet e historisë së ditëve tona. Gjithashtu, gjatë ditës së Zotërisë, kombet e zëvendësuan Mbretërinë e Perëndisë me shëmbëlltyrën e bishës, domethënë fillimisht me Lidhjen e Kombeve, e më pas me pasuesen e saj, Kombet e Bashkuara. Çfarë blasfemie të deklarosh, siç kanë bërë disa nga papët e fundit, se kjo organizatë njerëzore është shpresa e vetme e paqes për kombet! A nuk është ajo që i kundërvihet me vendosmëri Mbretërisë së Perëndisë?! Ata që e adhurojnë bëhen të papastër frymësisht e plot ulcerë, njësoj si egjiptianët që iu kundërvunë Jehovait në ditët e Moisiut dhe u goditën me plagë të dhembshme e ulcerë.—Dalja 9:10, 11.
4. (a) Çfarë thekson me forcë përmbajtja e kupës së parë të zemërimit të Perëndisë? (b) Si janë në sytë e Jehovait ata që marrin damkën e bishës?
4 Përmbajtja e kësaj kupe thekson me forcë se para cilës zgjedhje gjenden njerëzit: ose të durojnë mosmiratimin e botës, ose indinjatën e Jehovait. Njerëzit detyrohen të marrin damkën e bishës, përndryshe ‘askush s’është në gjendje të blejë ose të shesë, përveç atij që ka damkën, emrin e bishës ose numrin e emrit të saj’. (Zbulesa 13:16, 17) Por për këtë duhet paguar një çmim. Në sytë e Jehovait, ata që marrin damkën e bishës, janë sikur i ka goditur një «ulcerë e keqe dhe e tmerrshme». Që nga viti 1922, ata kanë marrë para të gjithëve damkën si njerëz që kanë hedhur poshtë Perëndinë e gjallë. Projektet e tyre politike s’kanë sukses, ndaj i ka mbytur ankthi. Ata janë të papastër frymësisht. Nëse nuk pendohen, kjo sëmundje «e keqe» do t’u sjellë vdekjen, sepse dita e gjykimit të Jehovait ka ardhur. S’ka si të jemi asnjanës, përkundrazi duhet të zgjedhim: ose të jemi pjesë e këtij sistemi të lig, ose t’i shërbejmë Jehovait përkrah Krishtit të tij.—Luka 11:23; krahaso Jakovin 4:4.
Deti bëhet gjak
5. (a) Çfarë ndodhi kur u derdh kupa e dytë? (b) Si i sheh Jehovai ata që gjenden në këtë «det»?
5 Më pas, e kishte radhën të derdhej kupa e dytë e zemërimit të Perëndisë. Çfarë do t’i sillte ajo njerëzimit? Gjoni tha: «I dyti e derdhi kupën mbi det, dhe ai u bë gjak, si gjaku i një të vdekuri. Çdo shpirt i gjallë vdiq, po, çdo gjë që ishte në det.» (Zbulesa 16:3) Njësoj si trumbeta e dytë, shënjestra e kësaj kupe është ‘deti’, ajo masë njerëzish rebelë që sikur vlon përbrenda e është larguar nga Jehovai. (Isaia 57:20, 21; Zbulesa 8:8, 9) Në sytë e Jehovait, ky «det» është bërë si gjaku dhe në të s’mund të gjallojë asnjë krijesë. Ja pse të krishterët s’duhet të jenë pjesë e kësaj bote. (Gjoni 17:14) Derdhja e kupës së dytë të zemërimit të Perëndisë, zbulon se të gjithë njerëzit që gjenden në këtë det, janë të vdekur në sytë e Jehovait. Në bazë të parimit të përgjegjësisë kolektive, ata janë fajtorë për gjakun e pafajshëm që është derdhur lumë. Kështu, kur të vijë dita e zemërimit të Jehovait, ata do të gjejnë vdekjen nga forcat e tij ekzekutuese.—Zbulesa 19:17, 18; krahaso Efesianëve 2:1; Kolosianëve 2:13.
Perëndia u jep të pinë gjak
6. Çfarë ndodhi kur u derdh kupa e tretë? Cilat fjalë u dëgjuan nga një engjëll dhe nga altari?
6 Kupa e tretë e zemërimit të Perëndisë, njësoj si trumbeta e tretë, preku burimet e ujit të ëmbël. «I treti e derdhi kupën mbi lumenjtë e burimet e ujërave, dhe ato u bënë gjak. Dëgjova engjëllin që ishte mbi ujërat, të thoshte: ‘Ti, o Perëndi, Ai që ishte dhe që është, Besniku, je i drejtë, sepse i dhe këto vendime, ngaqë ata derdhën gjakun e të shenjtëve e të profetëve, dhe ti u dhe të pinin gjak. E meritojnë!’ Dëgjova altarin që tha: ‘Po, o Perëndi Jehova, o i Plotfuqishëm, të vërteta dhe të drejta janë vendimet e tua gjyqësore!’»—Zbulesa 16:4-7.
7. Ç’përfaqësojnë «lumenjtë e burimet e ujërave»?
7 Këta ‘lumenj e burime ujërash’ përfaqësojnë të ashtuquajturat burime këshillash e diturie të pranuara nga kjo botë, si filozofitë politike, ekonomike, shkencore, edukative, shoqërore dhe fetare, që i drejtojnë njerëzit në veprimet dhe vendimet e tyre. Ata nuk i drejtohen Jehovait, Burimit të jetës, për të njohur të vërtetën jetëdhënëse, por ‘gërmojnë sterna të prishura’ dhe pinë si të pangopur ‘mençurinë e kësaj bote [që] është marrëzi në sytë e Perëndisë’.—Jeremia 2:13; 1 Korintasve 1:19; 2:6; 3:19; Psalmi 36:9.
8. Në cilat mënyra është përlyer njerëzimi me faj gjaku?
8 Këto ‘ujëra’ të ndotura i kanë bërë njerëzit fajtorë gjaku, për shembull, duke i nxitur të derdhnin rrëke gjaku gjatë luftërave, që në shekullin e kaluar morën më shumë se 100 milionë jetë. Sidomos në vendet e krishterimit apostat, ku shpërthyen dy luftëra botërore, njerëzit ‘kanë nxituar të derdhin gjak të pafajshëm’, madje edhe vetë gjakun e dëshmitarëve të Perëndisë. (Isaia 59:7; Jeremia 2:34) Njerëzimi është përlyer me faj gjaku edhe nga keqpërdorimi i sasive të mëdha të gjakut për transfuzione, duke shkelur kështu ligjet e drejta të Jehovait. (Zanafilla 9:3-5; Levitiku 17:14; Veprat 15:28, 29) Lidhur me këtë, ai ka korrur tashmë dhembje, pasi transfuzionet e gjakut kanë përhapur rastet e SIDA-s, hepatitit dhe sëmundjeve të tjera. Gjithë ky faj gjaku do të shpaguhet plotësisht së shpejti, kur shkelësit ta paguajnë me dënimin kapital, duke u shtypur «në shtypësen e madhe të zemërimit të Perëndisë».—Zbulesa 14:19, 20.
9. Çfarë përfshin derdhja e kupës së tretë?
9 Në kohën e Moisiut, kur uji i Nilit u shndërrua në gjak, egjiptianët mundën të mbijetonin, duke kërkuar burime të tjera uji. (Dalja 7:24) Kurse sot, gjatë kësaj plage frymore, njerëzit s’mund të gjejnë ujë jetëshpëtues asgjëkundi në botën e Satanait. Derdhja e kupës së tretë përfshin shpalljen se «lumenjtë e burimet e ujërave» në këtë botë janë si gjaku, dhe u sjellin vdekjen frymore të gjithë njerëzve që pinë prej tyre. Nëse nuk kthehen te Jehovai, ata do të përballen me gjykimin e tij.—Krahaso Ezekielin 33:11.
10. Ç’kuptojmë nga fjalët që tha ‘engjëlli që ishte mbi ujërat’ dhe ç’dëshmi shton edhe ‘altari’?
10 ‘Engjëlli që ishte mbi ujërat’, domethënë engjëlli që derdhte këtë kupë në ujë, lartësonte Jehovain si Gjykatësin Universal, vendimet e të cilit janë të drejta e të pakthyeshme. Prandaj thoshte: «E meritojnë!» Pa dyshim, ai kishte parë me sytë e tij se sa gjak kanë derdhur e sa mizori kanë nxitur për mijëra vjet mësimet e rreme dhe filozofitë e kësaj bote të ligë. Ndaj ai e dinte se vendimi gjyqësor i Jehovait ishte i drejtë. Edhe ‘altari’ i Perëndisë foli. Te Zbulesa 6:9, 10 thuhet se shpirtrat e atyre që kishin vdekur si martirë, ishin rrëzë altarit. Pra, ‘altari’ është një tjetër dëshmi e fuqishme që vërteton drejtësinë e vendimeve të Jehovait.a Sigurisht, është më se me vend që ata që kanë derdhur rrëke gjaku dhe e kanë keqpërdorur, të detyrohen ta pinë vetë, si simbol të dënimit të tyre me vdekje nga Jehovai.
Dielli zhurit njerëzit me zjarr
11. Çfarë kishte si shënjestër kupa e katërt e zemërimit të Perëndisë, dhe ç’ndodhi kur ajo u derdh?
11 Kupa e katërt e zemërimit të Perëndisë kishte si shënjestër diellin. Gjoni tha: «I katërti e derdhi kupën mbi diellin, dhe dielli u la që t’i zhuriste njerëzit me zjarr. Njerëzit u zhuritën nga nxehtësia e madhe, e megjithatë blasfemuan emrin e Perëndisë, që ka autoritet mbi këto plagë, dhe nuk u penduan që t’i jepnin lavdi.»—Zbulesa 16:8, 9.
12. Cilët janë «dielli» i kësaj bote dhe çfarë iu lejua këtij «dielli»?
12 Sot, në përfundim të këtij sistemi, vëllezërit frymorë të Jezuit «shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre». (Mateu 13:40, 43) Jezui nga ana e vet është «dielli i drejtësisë». (Malakia 4:2) Kurse njerëzimi ka «diellin» e vet, qeveritarët që përçapen të shkëlqejnë, duke iu kundërvënë Mbretërisë së Perëndisë. Trumbeta e katërt shpallte se ‘dielli, hëna dhe yjet’ në qiejt e krishterimit apostat, në të vërtetë, ishin burim errësire, e jo drite. (Zbulesa 8:12) Kurse kupa e katërt e zemërimit të Perëndisë tregonte se ‘dielli’ i kësaj bote do të lëshojë një nxehtësi të padurueshme. Këta qeveritarë që shihen si «diell», ‘do t’i zhuritin’ njerëzit. Sipas vargut, këtij «dielli» do t’i lejohej kjo gjë. Me fjalë të tjera, Jehovai do ta lejonte një gjë të tillë, si pjesë të gjykimit të tij të zjarrtë mbi njerëzimin. Por, si janë zhuritur njerëzit?
13. Si e ‘ka zhuritur’ njerëzimin «dielli» i kësaj bote?
13 Pas Luftës I Botërore, krerët botërorë formuan Lidhjen e Kombeve, për të zgjidhur problemin e sigurisë ndërkombëtare, por përpjekjet e tyre qenë të kota. Atëherë u provuan forma të tjera qeverisëse, si fashizmi dhe nazizmi. Komunizmi fitonte gjithnjë e më shumë terren. Në vend që të përmirësonin jetesën e njerëzve, qeveritarët «diell» të këtyre sistemeve zunë ‘t’i zhuritnin njerëzit me nxehtësi të madhe’. Luftërat që u zhvilluan në Spanjë, Etiopi dhe Mançuri çuan në Luftën II Botërore. Siç e tregojnë faqet e historisë së ditëve tona, Musolini, Hitleri dhe Stalini ishin diktatorët përgjegjës që, drejtpërdrejt ose jo, shkaktuan vdekjen e dhjetëra milionë njerëzve, shumë prej të cilëve nënshtetas të tyre. Kohë më vonë, konfliktet ndërkombëtare dhe luftërat civile ‘zhuritën’ vende si Vietnami, Kamboxhia, Irani, Libani dhe Irlanda, si edhe disa vende në Amerikën Latine dhe në Afrikë. Gjithashtu, s’duhen lënë pa përmendur edhe konfliktet e vazhdueshme mes superfuqive, të cilat me armët e tyre të tmerrshme bërthamore janë në gjendje ta bëjnë hi tërë njerëzimin. Gjatë këtyre ditëve të fundit, njerëzimi ka qenë i ekspozuar ndaj një «dielli» vërtet zhuritës, ndaj qeveritarëve të vet të padrejtë. Këto fakte historike i nxori në dritë derdhja e kupës së katërt të zemërimit të Perëndisë, dhe populli i Perëndisë i shpalli në të katër anët e botës.
14. Kë kanë paraqitur gjithnjë Dëshmitarët e Jehovait si të vetmen zgjidhje për problemet e njerëzimit? Si e kanë pritur njerëzit në përgjithësi këtë mesazh?
14 Dëshmitarët e Jehovait kanë pohuar gjithnjë se e vetmja zgjidhje për problemet çoroditëse të njerëzimit është Mbretëria e Perëndisë, me të cilën Jehovai ka për qëllim të shenjtërojë emrin e tij. (Psalmi 83:4, 17, 18; Mateu 6:9, 10) Mirëpo, njerëzit në përgjithësi e kanë bërë veshin të shurdhër ndaj këtij mesazhi. Shumë nga ata që hedhin poshtë Mbretërinë, blasfemojnë edhe emrin e Perëndisë, ashtu siç bëri faraoni, kur nuk deshi të pranonte sovranitetin e Jehovait. (Dalja 1:8-10; 5:2) Duke mos treguar asnjë lloj interesi për Mbretërinë mesianike, këta kundërshtarë kanë zgjedhur vetë të vuajnë nën nxehtësinë përvëluese të ‘diellit’ të tyre, sundimit shtypës njerëzor.
Froni i bishës
15. (a) Ku u derdh kupa e pestë? (b) Çfarë është ‘froni i bishës’ dhe çfarë nxjerr në shesh derdhja e kupës mbi të?
15 Ku e derdhi engjëlli tjetër kupën e tij? «I pesti e derdhi kupën mbi fronin e bishës.» (Zbulesa 16:10a) ‘Bisha’ është sistemi politik i Satanait. ‘Froni i bishës’ nuk është i vërtetë, njësoj si edhe bisha nuk është një kafshë e vërtetë. Megjithatë, përmendja e fronit tregon se bisha ushtron autoritet mbretëror mbi njerëzimin, dhe kjo është në përputhje me faktin që bisha ka në secilin bri të saj një diademë mbretërore. Në fakt, ‘froni i bishës’ është themeli ose burimi i këtij autoriteti.b Bibla nxjerr në shesh burimin nga e merr në të vërtetë autoritetin mbretëror kjo bishë, kur thotë se «dragoi i dha bishës fuqinë e tij, fronin e tij dhe autoritet të madh». (Zbulesa 13:1, 2; 1 Gjonit 5:19) Pra, derdhja e kupës së pestë mbi fronin e bishës nxjerr në shesh rolin e vërtetë që ka luajtur dhe luan ende Satanai për të përkrahur e për të ndihmuar bishën.
16. (a) Kujt i shërbejnë kombet me vetëdije ose jo? Shpjego. (b) Si e pasqyron bota personalitetin e Satanait? (c) Kur do të kthehet përmbys froni i bishës?
16 Ç’gjë siguron vazhdimësinë e lidhjeve mes Satanait dhe kombeve? Kur tundoi Jezuin, Satanai i tregoi në një vegim të gjitha mbretëritë e botës dhe i ofroi ‘autoritet mbi të gjitha ato dhe lavdinë e tyre’. Por, ama, me një kusht: në fillim Jezui duhej të kryente një akt adhurimi para tij. (Luka 4:5-7) Mos vallë, qeveritë e kësaj bote e marrin autoritetin duke bërë më pak? Pa dyshim që jo. Sipas Biblës, Satanai është perëndia i këtij sistemi, ndaj me vetëdije ose jo, kombet i shërbejnë atij. (2 Korintasve 4:3, 4)c Kjo duket qartë në strukturën e sistemit botëror sot, që mbështetet te nacionalizmi mendjengushtë, urrejtja dhe egoizmi. Është organizuar siç e do Satanai: që ta mbajë njerëzimin nën darën e tij. Korrupsioni në qeveri, etja për pushtet, diplomacia mashtruese dhe gara e armatimeve, pasqyrojnë të gjitha personalitetin e poshtër të Satanait. Bota pajtohet me normat e padrejta të Satanait dhe kështu e ka bërë atë perëndi të saj. Froni i bishës do të kthehet përmbys, kur bisha të ekzekutohet dhe kur Fara e gruas së Perëndisë ta hedhë më në fund Satanain në humnerë.—Zanafilla 3:15; Zbulesa 19:20, 21; 20:1-3.
Errësirë dhe dhembje therëse
17. (a) Si lidhet derdhja e kupës së pestë me errësirën frymore që ka mbështjellë gjithmonë mbretërinë e bishës? (b) Çfarë bënë njerëzit kur u derdh kupa e pestë e zemërimit të Perëndisë?
17 Mbretëria e bishës ka qenë në errësirë frymore që kur doli në dritë. (Krahaso Mateun 8:12; Efesianëve 6:11, 12.) Kupa e pestë e demaskon edhe më fort këtë errësirë. Madje e paraqit atë në mënyrë shumë më dramatike, pasi kjo kupë e zemërimit të Perëndisë derdhet mbi vetë fronin e «bishës». «Mbretëria e saj u errësua, e ata zunë të kafshonin gjuhën nga dhembja, e megjithatë blasfemuan Perëndinë e qiellit për dhembjet e për ulcerat e tyre, dhe nuk u penduan për veprat që kishin bërë.»—Zbulesa 16:10b, 11.
18. Ç’gjë të përbashkët kishte trumbeta e pestë me kupën e pestë të zemërimit të Perëndisë?
18 Trumbeta e pestë nuk ishte saktësisht e njëjtë me kupën e pestë të zemërimit të Perëndisë, pasi trumbeta njoftonte një plagë karkalecash. Megjithatë, vlen të përmendet se ajo plagë u shoqërua me errësimin e diellit dhe të ajrit. (Zbulesa 9:2-5) Ja çfarë lexojmë te Dalja 10:14, 15 për karkalecat që dërgoi Jehovai kundër Egjiptit: «Ata sollën një rrënim të madh. Karkaleca të tillë s’kishin ardhur kurrë më parë në këtë mënyrë, dhe as kanë për të ardhur kurrë më. Ata mbuluan mbarë sipërfaqen e vendit, deri ku të shihte syri, aq sa vendi u errësua.» Po, tërë vendi u errësua! Sot, pasi ka rënë trumbeta e pestë dhe është derdhur kupa e pestë e zemërimit të Perëndisë, errësira frymore e botës duket fare sheshit. Mesazhi pickues që shpall reja e karkalecave në ditët tona, u sjell torturë e dhembje të ligjve që ‘në vend të dritës, deshën errësirën’.—Gjoni 3:19.
19. Çfarë shkakton, sipas Zbulesës 16:10, 11, demaskimi i Satanait si perëndia i këtij sistemi të lig?
19 Si sundimtari i botës, Satanai ka sjellë shumë palumturi dhe vuajtje. Zia e bukës, luftërat, dhuna, krimet, abuzimi me drogën, imoraliteti, sëmundjet e transmetuara në rrugë seksuale, pandershmëria dhe hipokrizia fetare, janë vetëm disa nga karakteristikat e sistemit të lig të Satanait. (Krahaso Galatasve 5:19-21.) Por, prapëseprapë, demaskimi i Satanait si perëndia i këtij sistemi i vë në siklet ata që jetojnë sipas normave të tij dhe u sjell dhembje. Njerëzit, sidomos ata në gji të krishterimit apostat, «zunë të kafshonin gjuhën nga dhembja». Shumë njerëzve nuk u pëlqen që e vërteta demaskon mënyrën e tyre të jetesës. Disa ndihen të kërcënuar dhe përndjekin ata që e shpallin. Ata hedhin poshtë Mbretërinë e Perëndisë dhe shajnë emrin e shenjtë të Jehovait. Duket sheshit se në kuptimin fetar ata janë të sëmurë, të mbuluar nga ulcera, e për këtë blasfemojnë Perëndinë e qiellit. ‘Nuk pendohen për veprat që kanë bërë.’ S’mund të presim një kthim në masë para fundit të këtij sistemi.—Isaia 32:6.
Thahet lumi Eufrat
20. Si e prekën lumin Eufrat trumbeta e gjashtë dhe derdhja e kupës së gjashtë?
20 Trumbeta e gjashtë njoftoi zgjidhjen e ‘katër engjëjve që ishin lidhur në lumin e madh Eufrat’. (Zbulesa 9:14) Babilonia ka qenë historikisht qyteti i madh që ishte ngritur buzë lumit Eufrat. Në vitin 1919, zgjidhja e «katër engjëjve» u pasua nga rënia me mjaft pasoja e Babilonisë së Madhe. (Zbulesa 14:8) Pra, vlen të përmendet se edhe kupa e gjashtë e zemërimit të Perëndisë preku lumin Eufrat: «I gjashti e derdhi kupën mbi lumin e madh Eufrat, dhe ujërat e tij u thanë, që të përgatitej udha për mbretërit nga lindja e diellit.» (Zbulesa 16:12) Ja edhe një tjetër lajm i keq për Babiloninë e Madhe!
21, 22. (a) Si u thanë në vitin 539 p.e.s. ujërat e Eufratit që mbronin Babiloninë? (b) Cilët janë ‘ujërat’ ku rri ulur Babilonia e Madhe dhe në ç’kuptim po thahen këto «ujëra» sot?
21 Në lashtësi, kur Babilonia arriti kulmin e shkëlqimit të saj, ujërat e bollshme të Eufratit luanin një rol të rëndësishëm në sistemin e saj mbrojtës. Në vitin 539 p.e.s., ky lumë u tha, kur iu ndryshua drejtimi nga Kiri, komandanti i ushtrisë perse. Kështu, iu hap rruga Kirit pers dhe Darit med, mbretërve «nga lindja e diellit» (domethënë, nga krahu i lindjes), të futeshin në Babiloni dhe ta pushtonin. Në këtë çast kritik, lumi Eufrat nuk e mbrojti dot atë qytet të madh. (Isaia 44:27–45:7; Jeremia 51:36) Një gjë e ngjashme duhet t’i ndodhë edhe Babilonisë së sotme, sistemit botëror të fesë së rreme.
22 Babilonia e Madhe «rri ulur mbi shumë ujëra». Sipas Zbulesës 17:1, 15, këto ujëra simbolizojnë «popuj, turma, kombe dhe gjuhë», të gjithë besnikët që ajo i ka konsideruar si mbrojtje. Veçse këto «ujëra» po thahen. Në Evropën Perëndimore, ku më parë ajo kishte ndikim të madh, qindra milionë njerëz e shpërfillin hapur fenë. Në disa vende të tjera, për shumë vjet u ndoq haptazi politika e shkatërrimit të ndikimit fetar. Popullsia e atyre vendeve nuk bëri asgjë për ta mbrojtur. Njësoj do të jetë edhe me Babiloninë e Madhe. Kur t’i vijë koha të shkatërrohet, besnikët e saj, që do të jenë gjithnjë e më pak, nuk do t’i sigurojnë aspak mbrojtje. (Zbulesa 17:16) Pavarësisht se thotë që ka miliarda anëtarë, Babilonia e Madhe do ta shohë veten të pambrojtur para ‘mbretërve nga lindja e diellit’.
23. (a) Kush ishin mbretërit «nga lindja e diellit», në vitin 539 p.e.s.? (b) Kush janë «mbretërit nga lindja e diellit» gjatë ditës së Zotërisë dhe si do ta shkatërrojnë Babiloninë e Madhe?
23 Kush do të jenë këta mbretër? Në vitin 539 p.e.s., Jehovai përdori Darin med dhe Kirin pers, për të pushtuar qytetin e lashtë të Babilonisë. Në kohën tonë, gjatë ditës së Zotërisë, fetë e rreme të Babilonisë së Madhe do të shkatërrohen po ashtu nga qeveritarët në tokë. Por edhe kësaj here, do të jetë një gjykim nga Perëndia. Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti, «mbretërit nga lindja e diellit», do të shtinë në zemrën e qeveritarëve «mendimin» që t’i kthehen Babilonisë së Madhe dhe ta shkatërrojnë plotësisht. (Zbulesa 17:16, 17) Derdhja e kupës së gjashtë shpall botërisht se koha e ekzekutimit të këtij gjykimi nuk është e largët.
24. (a) Si është shpallur përmbajtja e gjashtë kupave të para të zemërimit të Jehovait dhe me çfarë rezultati? (b) Çfarë tregon Zbulesa, para se të na flasë për kupën e mbetur të zemërimit të Perëndisë?
24 Gjashtë kupat e para të zemërimit të Jehovait përmbajnë një mesazh që të shkund. Prandaj shërbëtorët e Perëndisë në tokë, të ndihmuar nga engjëjt, s’kursejnë asgjë që ta shpallin përmbajtjen e këtyre kupave në mbarë tokën. Kështu, të gjitha pjesët e sistemit mbarëbotëror të Satanait janë paralajmëruar siç duhet, dhe Jehovai i jep çdo njeriu mundësinë të kthehet te drejtësia e të mbetet gjallë. (Ezekieli 33:14-16) Ka mbetur edhe një kupë e zemërimit të Perëndisë pa derdhur. Para se të na flasë për të, Zbulesa tregon si Satanai dhe veglat e tij në tokë po orvaten ta pengojnë shpalljen e gjykimeve të Jehovait.
Mblidhen të shkojnë drejt Harmagedonit
25. (a) Çfarë tha Gjoni për ‘shprehjet e frymëzuara’ të ndyra, që ngjanin me bretkosat? (b) Si ka pasur një vërshim «bretkosash» ose ‘shprehjesh të frymëzuara të ndyra’ gjatë ditës së Zotërisë, dhe me çfarë rezultati?
25 Gjoni tha: «Pastaj pashë tri shprehje të frymëzuara të ndyra, që ngjanin me bretkosa, të cilat dolën nga goja e dragoit, nga goja e bishës dhe nga goja e profetit të rremë. Në të vërtetë, ato janë shprehje të frymëzuara nga demonët dhe kryejnë shenja e shkojnë te mbretërit e mbarë tokës së banuar, që t’i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm.» (Zbulesa 16:13, 14) Në kohën e Moisiut, Jehovai e goditi faraonin e Egjiptit me një plagë të neveritshme bretkosash, dhe «vendi nisi të binte erë të qelbur». (Dalja 8:5-15) Gjatë ditës së Zotërisë, ka pasur një vërshim «bretkosash» të neveritshme, ndonëse kanë ardhur nga një burim tjetër. Kanë qenë ‘shprehjet e frymëzuara të ndyra’ me origjinë satanike, që simbolizojnë qartë propagandën që bëhet për të manipuluar të gjithë qeveritarët, «mbretërit», që të hidhen kundër Perëndisë Jehova. Kështu Satanai sigurohet që ata s’do të lëkunden nga derdhja e kupave të zemërimit të Perëndisë, por do të mbajnë me vendosmëri anën e tij, kur të nisë ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’.
26. (a) Cilat ishin tri burimet nga do të vinte propaganda satanike? (b) Ç’është ‘profeti i rremë’ dhe si e dimë?
26 Kjo propagandë vjen nga ‘dragoi’ (Satanai) dhe ‘bisha’ (organizata politike e Satanait në tokë), krijesa që i kemi ndeshur gjatë trajtimit të librit të Zbulesës. Por, ç’është ‘profeti i rremë’? Vetëm si emër ai është i pahasur më parë. Disa kapituj më parë, na u përshkrua një bishë me dy brirë si të qengjit, që kryente shenja të mëdha para bishës me shtatë kokë. Kjo krijesë shtiracake vepronte si profet për bishën. Ajo nxiste adhurimin e bishës, e madje i bëri edhe një shëmbëlltyrë. (Zbulesa 13:11-14) Bisha me dy brirë si të qengjit duhet të jetë e njëjtë me ‘profetin e rremë’ që përmendi Gjoni në këtë varg. Këtë e vërteton vazhdimi i profecisë, ku lexojmë se profeti i rremë, njësoj si bisha me dy brirë, «kreu para saj [bishës me shtatë kokë] shenjat me të cilat mashtroi ata që morën damkën e bishës dhe ata që adhurojnë shëmbëlltyrën e saj».—Zbulesa 19:20.
27. (a) Cilin paralajmërim në kohën e duhur dha Jezu Krishti? (b) Ç’paralajmërim dha Jezui kur ishte në tokë? (c) Si e mbështeti apostulli Pavël paralajmërimin e Jezuit?
27 Të rrethuar nga gjithë kjo propagandë satanike, fjalët që shkroi Gjoni më pas janë vërtet në kohë: «Ja, unë po vij si një hajdut. Lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e tij, që të mos ecë lakuriq e njerëzit të shohin turpin e tij!» (Zbulesa 16:15) Kush do të vinte «si një hajdut»? Vetë Jezui që do të vijë në një orë të pacaktuar si Ekzekutuesi i Jehovait. (Zbulesa 3:3; 2 Pjetrit 3:10) Kur ishte në tokë, Jezui e krahasoi ardhjen e tij me atë të një hajduti dhe tha: «Prandaj, qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj. Prandaj, edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut vjen në një orë që ju s’e mendoni.» (Mateu 24:42, 44; Luka 12:37, 40) Apostulli Pavël e mbështeti këtë paralajmërim me fjalët: «Dita e Jehovait vjen tamam si një hajdut natën. Kur të thonë: ‘Paqe dhe siguri!’, atëherë një shkatërrim i beftë do të bjerë në çast mbi ta.» Pas çdo shpalljeje të rremë për «Paqe dhe siguri» qëndron Satanai.—1 Selanikasve 5:2, 3.
28. Ç’paralajmërim dha Jezui se si t’u bëjmë ballë presioneve të botës dhe ç’është «ajo ditë» që të krishterët nuk duan t’i zërë «si një lak»?
28 Jezui paralajmëroi edhe kundër atyre presioneve që u bën të krishterëve kjo botë e nginjur me propagandë satanike. Ai tha: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga të ngrënët e tepërt, nga pirja e tepërt dhe nga ankthet e jetës, që ajo ditë të mos bjerë befas mbi ju si një lak. . . . Rrini zgjuar dhe bëni përgjërime gjithë kohën, që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që do të ndodhin dhe të qëndroni para Birit të njeriut.» (Luka 21:34-36) «Ajo ditë» është ‘dita e madhe e Perëndisë së Plotfuqishëm’. (Zbulesa 16:14) Ndërsa «ajo ditë» e shfajësimit të sovranitetit të Jehovait afrohet, bëhet gjithnjë e më e vështirë përballimi i anktheve të jetës. Të krishterët duhet të ruhen e të rrinë syçelë derisa të vijë ajo ditë.
29, 30. (a) Çfarë do të thoshte paralajmërimi i Jezuit se ata që kapeshin në gjumë do të turpëroheshin duke u hequr «rrobat»? (b) Si i identifikojnë rrobat ata që i kanë veshur? (c) Si mund t’i humbë një njeri «rrobat» dhe çfarë do të sillte kjo?
29 Çfarë do të thoshte paralajmërimi se ata që kapeshin në gjumë, turpëroheshin duke u marrë «rrobat»? Çdo prift ose levit në Izraelin e lashtë, që kishte radhën e rojës në tempull, kishte një përgjegjësi të madhe. Sipas disa komentuesve judenj, nëse dikush kapej duke fjetur gjatë rojës, mund t’i hiqeshin rrobat dhe t’i digjeshin, kështu ai turpërohej para të gjithëve.
30 Te Zbulesa 16:15 Jezui paralajmëroi se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe sot. Priftërinjtë dhe levitët përfaqësonin vëllezërit e mirosur të Jezuit. (1 Pjetrit 2:9) Megjithatë paralajmërimi i Jezuit vlen edhe për shumicën e madhe. Rrobat për të cilat po fliste Gjoni, i identifikojnë ata që i kanë veshur si të krishterë, si Dëshmitarë të Jehovait. (Krahaso Zbulesën 3:18; 7:14.) Nëse lejojmë që presionet e botës së Satanait të na vënë në gjumë ose në gjendje joaktive, ka të ngjarë që t’i humbasim rrobat, me fjalë të tjera të mos identifikohemi më si të krishterë të pastër. Kjo do të ishte e turpshme. Madje do të rrezikonim të humbnim plotësisht.
31. (a) Si e thekson Zbulesa 16:16 nevojën që të krishterët të qëndrojnë zgjuar? (b) Në cilin përfundim kanë dalë disa krerë fetarë lidhur me Harmagedonin?
31 Nevoja që të krishterët të qëndrojnë zgjuar bëhet edhe më e ngutshme, kur shohim që vargu tjetër i Zbulesës i afrohet edhe më shumë përmbushjes: «Ato [shprehjet e frymëzuara nga demonët] i mblodhën ata [mbretërit e tokës, ose qeveritarët] së bashku në vendin që në hebraisht quhet Harmagedon.» (Zbulesa 16:16) Termi Harmagedon, që njerëzit në përgjithësi e quajnë Armagedon, përmendet vetëm një herë në Bibël, megjithatë, ka ndezur imagjinatën e njerëzve. Udhëheqësit botërorë u thonë njerëzve të ruhen nga një Harmagedon i mundshëm bërthamor. Gjithashtu, meqenëse termi Harmagedon është lidhur me qytetin e lashtë të Megidos, ku në kohët biblike janë zhvilluar shumë beteja të vendimtare, disa krerë fetarë kanë dalë në përfundimin se lufta përfundimtare në tokë do të zhvillohet në atë zonë të kufizuar të globit. Por kjo është shumë larg nga e vërteta.
32, 33. (a) Me çfarë ka të bëjë termi Harmagedon, përderisa nuk është një vend gjeografik? (b) Cilat janë disa shprehje të tjera biblike që ngjajnë me termin «Harmagedon» ose lidhen me të? (c) Kur është koha që engjëlli i shtatë të derdhë kupën e fundit të zemërimit të Perëndisë?
32 Fjala Harmagedon do të thotë «mali i Megidos». Megjithatë nuk ka të bëjë me një vend të mirëfilltë, por me një situatë në të cilën të gjitha kombet mblidhen për t’u hedhur kundër Perëndisë Jehova dhe ai i shkatërron përfundimisht. Është fjala për një situatë mbarëbotërore. (Jeremia 25:31-33; Danieli 2:44) Harmagedoni ngjan me «shtypësen e madhe të zemërimit të Perëndisë», me «ultësirën e vendimit» ose me «ultësirën e Jehozafatit», ku kombet mblidhen që të ekzekutohen nga Jehovai. (Zbulesa 14:19; Joeli 3:12, 14) Gjithashtu, Harmagedoni lidhet me ‘tokën e Izraelit’, ku shkatërrohen ushtritë satanike të Gogut të Magogut, dhe me vendin «ndërmjet detit të madh dhe malit të shenjtë të Stolisë», ku mbreti i veriut shkon «drejt fundit të tij» nga dora e Mikaelit, princit të madh.—Ezekieli 38:16-18, 22, 23; Danieli 11:45–12:1.
33 Kur «kuakjet» e propagandës së Satanait dhe veglave të tij tokësore t’i kenë manipuluar gjërat për t’i çuar kombet drejt kësaj situate, është koha që engjëlli i shtatë të derdhë kupën e fundit të zemërimit të Perëndisë.
«Mori fund!»
34. Ku e derdhi kupën engjëlli i shtatë dhe cilat fjalë dolën «nga shenjtërorja, nga froni»?
34 «I shtati e derdhi kupën në ajër. Atëherë, një zë i fortë doli nga shenjtërorja, nga froni, dhe tha: ‘Mori fund!’»—Zbulesa 16:17.
35. (a) Ç’është ‘ajri’ për të cilin flet Zbulesa 16:17? (b) Ç’shprehu engjëlli i shtatë, kur e derdhi kupën në ajër?
35 ‘Ajri’ ishte elementi i fundit jetësor që u godit me plagë. Por këtu nuk bëhej fjalë për ajrin që thithim. Ky ajër nuk kishte bërë asgjë që të meritonte gjykimet ndëshkuese të Jehovait, njësoj siç nuk i meritonte gjykimet nga dora e Jehovait toka, deti, burimet e ujit të ëmbël ose dielli. Përkundrazi, bëhej fjalë për ‘ajrin’ që përmendi Pavli kur e quajti Satanain «sundimtarin e autoritetit të ajrit». (Efesianëve 2:2) Është ‘ajri’ satanik që thith bota sot, fryma ose prirja mendore që karakterizon tërë sistemin e lig të tij, të menduarit satanik që depërton në çdo aspekt të jetës së njerëzve që janë jashtë organizatës së Jehovait. Kështu, kur e derdhi kupën në ajër, engjëlli i shtatë shprehu zemërimin e furishëm të Perëndisë kundër Satanait, kundër organizatës së tij dhe kundër gjithçkaje që i nxit njerëzit t’i mbajnë anën Satanait në sfidën kundër sovranitetit të Jehovait.
36. (a) Ç’paraqitin shtatë plagët? (b) Çfarë tregon shpallja e Jehovait: «Mori fund!»
36 Kjo plagë bashkë me gjashtë të mëparshmet paraqitin tërë gjykimet e Jehovait kundër Satanait dhe sistemit të tij. Ato janë si këmbanat e vdekjes për Satanain dhe farën e tij. Kur të derdhet kupa e fundit, vetë Jehovai do të thotë: «Mori fund!» S’ka më asgjë tjetër për të thënë. Kur përmbajtja e kupave të zemërimit të Jehovait të jetë shpallur derisa Jehovai të thotë mjaft, ai s’do të vonojë të ekzekutojë gjykimet e shpallura nga këto mesazhe.
37. Si e përshkroi Gjoni çfarë do të ndodhte pas derdhjes së kupës së shtatë të zemërimit të Perëndisë?
37 Gjoni vazhdoi: «U dëgjuan vetëtima, zëra e bubullima, dhe ra një tërmet aq i madh sa nuk kishte rënë kurrë më parë, që kur ka pasur njerëz në tokë. Po, kaq shumë u përhap dhe kaq i madh ishte ai tërmet! Qyteti i madh u nda në tri pjesë dhe qytetet e kombeve u shembën. Perëndisë iu kujtua Babilonia e Madhe, që t’i jepte kupën me verën e zemërimit të tij të furishëm. Po kështu, të gjithë ishujt ikën dhe malet nuk u gjetën më. Mbi njerëzit ra nga qielli një breshër i madh, me kokrrat gati sa pesha e një talente. Njerëzit blasfemuan Perëndinë për shkak të plagës së breshrit, sepse kjo plagë ishte jashtëzakonisht e madhe.»—Zbulesa 16:18-21.
38. Çfarë tregon (a) tërmeti i madh’? (b) fakti që «qyteti i madh», Babilonia e Madhe, u nda në «tri pjesë»? (c) fakti që «të gjithë ishujt ikën dhe malet nuk u gjetën më»? (ç) ‘plaga e breshrit’?
38 Edhe kësaj here, Jehovai vepron me dukuri të dukshme kundër njerëzve, siç e tregojnë ‘vetëtimat, zërat e bubullimat’. (Krahaso Zbulesën 4:5; 8:5.) Njerëzimi do të tronditet si kurrë më parë, si nga një tërmet shkatërrues. (Krahaso Isainë 13:13; Joelin 3:16.) Kjo tronditje e tmerrshme do ta copëtojë ‘qytetin e madh’, Babiloninë e Madhe, dhe do ta ndajë në «tri pjesë», që nënkupton rrënimin e tij të pandreqshëm. Do të shemben edhe «qytetet e kombeve». «Të gjithë ishujt» dhe «malet»—institucionet dhe organizatat që duken me themele kaq të forta në këtë sistem—do të zhduken. «Një breshër i madh», shumë më i madh se ai që goditi Egjiptin gjatë plagës së shtatë, me kokrrat gati sa pesha e një talente, do të godasë rëndë njerëzimin.d (Dalja 9:22-26) Ka të ngjarë që ndëshkimi me këtë rrebesh uji të ngrirë të nënkuptojë shprehje jashtëzakonisht të rënda gjykimi nga ana e Jehovait, që tregojnë se fundi i këtij sistemi ka ardhur më në fund. Por Jehovai mund të hedhë fare mirë edhe breshër për të kryer veprën e tij shkatërruese.—Jobi 38:22, 23.
39. Pavarësisht nga derdhja e shtatë plagëve, çfarë do të vazhdojë të bëjë pjesa më e madhe e njerëzve?
39 Pra, bota e Satanait do të përballet me gjykimet e drejta të Jehovait. Deri në fund, pjesa më e madhe e njerëzimit do të sfidojë dhe do të blasfemojë Perëndinë. Njësoj si në rastin e faraonit të lashtë, zemra e tyre nuk do të zbutet as nga plagët e përsëritura, as nga kulmi i tyre vdekjeprurës. (Dalja 11:9, 10) Të mos presim që një numër i madh njerëzish të ndryshojë zemrën minutën e fundit. Edhe duke dhënë frymë, ata s’do të lënë gjë pa thënë kundër Perëndisë që ka deklaruar: «Kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.» (Ezekieli 38:23) Sidoqoftë, sovraniteti i Perëndisë së Plotfuqishëm Jehova do të jetë shfajësuar.
[Shënimet]
a Për shembuj të tjerë, ku gjërat e pajeta shërbejnë si dëshmitarë ose japin dëshmi, krahaso Zanafillën 4:10; 31:44-53; Hebrenjve 12:24.
b Fjala ‘fron’ përdoret në kuptim të ngjashëm në këto fjalë profetike që iu drejtuan Jezuit: «Perëndia është froni yt përjetë, po, përgjithmonë.» (Psalmi 45:6) Jehovai është burimi ose themeli i autoritetit mbretëror të Jezuit.
c Shih edhe Jobin 1:6, 12; 2:1, 2; Mateun 4:8-10; 13:19; Lukën 8:12; Gjonin 8:44; 12:31; 14:30; Hebrenjve 2:14; 1 Pjetrit 5:8.
d Nëse Gjoni kishte në mendje talentën greke, çdo kokërr breshri peshonte rreth 20 kilogramë. Tamam breshër që shkatërronte ç’të gjente.
[Kutia në faqen 221]
«Mbi tokë»
Klasa e Gjonit e ka shpallur zemërimin e furishëm të Jehovait kundër ‘tokës’ me deklarata të tilla:
«Pas shekuj të tërë përpjekjesh, partitë politike kanë treguar se janë të paafta t’u bëjnë ballë kushteve ekzistuese e të zgjidhin problemet shqetësuese. Ekonomistët dhe burrat e shtetit, edhe pse e kanë studiuar me zell çështjen, po shohin se nuk janë të aftë të bëjnë asgjë.»—Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë, 1920, faqja 61, anglisht.
«S’ka asnjë qeveri sot në tokë që të kënaqë ndonjë pjesë të arsyeshme të botës. Shumë vende sundohen nga diktatorë. Praktikisht e gjithë bota ka falimentuar.»—Një qeveri e dëshirueshme, 1924, faqja 5, anglisht.
«Mënyra e vetme për të çliruar botën e për të bërë që të lulëzojë paqja e drejtësia . . . është t’i jepet fund këtij sistemi.»—Ky lajm i mirë për mbretërinë, 1954, faqja 25, anglisht.
«Rregulli i tanishëm botëror dallohet për shtimin e mëkatit, padrejtësisë dhe rebelimin kundër Perëndisë e vullnetit të tij. . . . Ai është i pareformueshëm. Prandaj, duhet të marrë fund!»—Kulla e Rojës, 15 nëntor 1981, faqja 6, anglisht.
[Kutia në faqen 223]
«Mbi det»
Deklaratat e mëposhtme janë vetëm disa nga ato që klasa e Gjonit ka botuar gjatë viteve për të shpallur zemërimin e furishëm të Perëndisë kundër ‘detit’ të trazuar e rebel të njerëzve të paperëndishëm që janë larguar nga Jehovai:
«Historia e çdo kombi tregon se gjithmonë ka pasur luftë klasash. Pakica kundër shumicës. . . . Këto luftëra kanë sjellë revolucione të shumta, vuajtje të mëdha dhe gjakderdhje pa fund.»—Qeveria, 1928, faqja 244, anglisht.
Kur të vijë bota e re, «‘deti’ simbolik i njerëzve të trazuar, rebelë e të paperëndishëm, nga i cili, kohë më parë, doli ‘bisha’ që u përdor nga Djalli, do të zhduket».—Kulla e Rojës, 15 shtator 1967, faqja 567, anglisht.
«Shoqëria njerëzore e tanishme është e sëmurë frymësisht. Askush s’mund t’i bëjë derman, sepse Fjala e Perëndisë tregon se kjo sëmundje po e çon atë drejt vdekjes.»—Paqja dhe siguria e vërtetë: Nga cili burim?, 1973, faqja 131, anglisht.
[Kutia në faqen 224]
«Mbi lumenjtë e burimet»
Plaga e tretë ka demaskuar «lumenjtë e burimet e ujërave» me deklarata të tilla:
«Klerikët, që pretendojnë se janë mësues të doktrinave [të Krishtit], kanë shenjtëruar luftën. Kënaqen kur portretet dhe statujat e tyre paraqiten përkrah atyre të luftëtarëve gjakatarë.»—Kulla e Rojës, 15 shtator 1924, faqja 275, anglisht.
«Spiritizmi bazohet në një pavërtetësi të madhe, në gënjeshtrën se pas vdekjes jeta vazhdon dhe se shpirti i njeriut është i pavdekshëm.»—Ç’thonë Shkrimet për ‘jetën pas vdekjes’?, 1955, faqja 51, anglisht.
«Ujërat që njerëzit kanë pirë nga lumenjtë e filozofive njerëzore, teoricienëve politikë, organizatorëve socialë, këshilltarëve ekonomikë dhe mbrojtësve të traditave fetare, nuk kanë dhënë ndonjë freskim që të gjallëron vërtet jetën. . . . Madje këto ujëra i kanë çuar ata, të dhunojnë ligjet e Krijuesit për shenjtërinë e gjakut dhe të marrin pjesë në përndjekjet fetare.»—Rezolutë e miratuar në Kongresin Ndërkombëtar «Lajmi i mirë i përhershëm», 1963.
«Nga njerëzit nuk mund të presim shpëtimin me anë të shkencës, por shkatërrimin e vetë racës njerëzore. . . . Nuk mund të shpresojmë se gjithë psikologët dhe psikiatrët e botës do të ndryshojnë mënyrën e të menduarit të njerëzve . . . Nuk mund të presim që të formohet ndonjë forcë policore ndërkombëtare . . . që ta bëjë këtë tokë një vend të sigurt jetese.»—Shpëtimi i racës njerëzore—Nëpërmjet Mbretërisë, 1970, faqja 5, anglisht.
[Kutia në faqen 225]
«Mbi diellin»
Teksa «dielli» i sundimit njerëzor e ka ‘zhuritur’ njerëzimin gjatë ditës së Zotërisë, klasa e Gjonit e ka drejtuar vëmendjen te ngjarjet që po ndodhin me deklarata si këto:
«Sot, Hitleri dhe Musolini, këta diktatorë despotikë, kërcënojnë paqen në mbarë botën dhe po shkatërrojnë lirinë me mbështetjen e plotë të hierarkisë katolike romake.»—Fashizëm ose liri, 1939, faqja 12, anglisht.
«Gjatë gjithë historisë motoja që kanë ndjekur diktatorët ka qenë: Nënshtro ose shkatërro! Mirëpo rregulli që do të zbatohet tani në gjithë tokën nga Mbreti i vendosur i Perëndisë, Jezu Krishti, është ky: Nënshtrohuni ose shkatërrohuni!»—Kur të gjitha kombet të bashkohen nën Mbretërinë e Perëndisë, 1961, faqe 23, anglisht.
«Që nga viti 1945 më shumë se 25 milionë njerëz janë vrarë në pothuajse 150 luftëra përreth globit.»—Kulla e Rojës, 15 janar 1980, faqja 6, anglisht.
«Kombeve të botës . . . u interesojnë fare pak përgjegjësitë ose rregullat e sjelljes ndërkombëtare. Që të arrijnë synimet e tyre, disa kombe ndihen plotësisht të justifikuara të përdorin çfarëdolloj mjeti që e quajnë të nevojshëm: masakrat, vrasjet, rrëmbimet, vënie bombash etj. . . . Edhe për sa kohë kombet do t’ia lejojnë njëra-tjetrës këtë sjellje të pakuptimtë e të papërgjegjshme?»—Kulla e Rojës, 15 shkurt 1985, faqja 4, anglisht.
[Kutia në faqen 227]
«Mbi fronin e bishës»
Dëshmitarët e Jehovait ia kanë çjerrë maskën fronit të bishës dhe kanë shpallur dënimin që Jehovai ka dhënë për të me deklarata të tilla:
«Sundimtarët dhe udhëheqësit politikë të kombeve janë nën ndikimin e forcave të liga mbinjerëzore, që me një marshim vetëvrasës po i shtyjnë ata në mënyrë të parezistueshme drejt konfliktit përfundimtar të Harmagedonit.»—Pas Harmagedonit, bota e re e Perëndisë, 1953, faqja 8, anglisht.
«‘Bisha’ e qeverive njerëzore joteokratike e merr fuqinë, autoritetin dhe fronin nga Dragoi. Kështu që duhet t’i përmbahet kësaj linje, linjës së Dragoit.»—Pas Harmagedonit, bota e re e Perëndisë, 1953, faqja 15, anglisht.
«Kombet pagane mund ta gjejnë veten vetëm . . . përkrah Kryearmikut të Perëndisë, Satana Djallit.»—Rezoluta e miratuar në Kongresin Ndërkombëtar «Fitore Hyjnore», 1973.
[Kutia në faqen 229]
«Ujërat e tij u thanë»
Që tani mbështetja për fenë babilonase po shteron në shumë vende. Kjo tregon se ç’do të ndodhë kur të nisin sulmin «mbretërit nga lindja e diellit».
«Një sondazh në shkallë vendi [në Tajlandë] zbuloi se 75 për qind e njerëzve që banojnë në zonat urbane nuk shkojnë fare në tempujt budistë për të dëgjuar predikimet, kurse numri i njerëzve nga zonat rurale që vizitojnë tempujt po bie në mënyrë të vazhdueshme me gati 50 për qind.»—Bangkok Post, 7 shtator 1987, faqja 4.
«Taoizmi e ka humbur magjinë e vet tërheqëse në vendin [Kinë] ku lindi dy mijëvjeçarë më parë. . . . Të gjendur pa mjetet e tyre magjike, nëpërmjet të cilave ata vetë dhe paraardhësit e tyre fitonin turma të mëdha ithtarësh, pjesëtarët e klasës priftërore po e shohin veten pa pasardhës dhe kontinenti është praktikisht përballë shuarjes së taoizmit si fe tradicionale.»—The Atlanta Journal and Constitution, 12 shtator 1982, faqja 36-A.
«Japonia . . . ka një nga grupimet më të mëdha në botë me misionarë të huaj, pothuajse 5.200, e megjithatë . . . më pak se 1% e popullsisë është e krishterë. . . . Një prift françeskan që punon këtu që nga vitet 50 . . . beson se ‘koha e misionarëve të huaj në Japoni ka ikur’.»—The Wall Street Journal, 9 korrik 1986, faqja 1.
Në Angli, gjatë tri dekadave të shkuara, «rreth 2.000 kisha anglikane, nga 16.000 që janë gjithsej, janë mbyllur për shkak të mospërdorimit. Numri i të pranishmëve në ceremonitë fetare është nga më të ulëtit ndër vendet që quhen të krishtere. . . . ‘Tani s’mund të thuhet më se Anglia është një vend i krishterë’, tha [peshkopi i Durhamit]».—The New York Times, 11 maj 1987, faqja A4.
«Pas një debati të zjarrtë që zgjati orë të tëra, parlamenti [i Greqisë] miratoi sot ligjin që i lejon qeverisë socialiste të marrë në zotërim prona të stërmëdha të mbajtura nga Kisha Ortodokse Greke . . . Për më tepër, sipas ligjit, njerëz jo klerikë kanë nën kontroll ato këshilla dhe komitete të kishave që janë përgjegjëse për administrimin e investimeve më fitimprurëse të kishës, si hotelet, guroret e mermerit dhe komplekset e zyrave.»—The New York Times, 4 prill 1987, faqja 3.
[Figurat në faqen 222]
Katër kupat e para të zemërimit të Perëndisë sjellin plagë të ngjashme me ato që sollën katër trumbetat e para
[Figura në faqen 226]
Kupa e pestë zbulon sheshit se froni i bishës ka të bëjë me autoritetin që i ka dhënë Satanai kësaj bishe
[Figurat në faqen 231]
Propaganda demonike po i mbledh qeveritarët e tokës drejt Harmagedonit, situatës përfundimtare, ku Jehovai do të derdhë mbi ta gjykimet e tij
[Figura në faqen 233]
Ata që kanë lejuar të ndikohen nga ‘ajri’ i ndotur i Satanait, do të përballen me ekzekutimin e gjykimeve të drejta të Jehovait