ZARETANI
Përmendet për herë të parë te Josiu 3:16, ku tregohet për ujërat e Jordanit që u ngritën si digë me anë të një mrekullie «në Adam, në qytetin anash Zaretanit». Më tej, kur duheshin bërë objektet prej bakri për tempullin, Bibla tregon se ato u derdhën «në kallëpe argjile në krahinën e Jordanit, midis Sukotit dhe Zaretanit». (1Mb 7:46) Lugina e Jordanit ishte e pasur me argjilë, e kjo mundësonte derdhjen e bakrit në atë zonë.
Meqë vendndodhjen e Adamit e lidhin në përgjithësi me Tell-ed-Damijehun (në lindje të Jordanit, kundrejt pikës ku nis Vadi-Farʽahu) dhe meqë mendohet se Sukoti ndodhej rreth 13 km në veri-verilindje të Adamit, këto shkrime duhet të tregojnë se Zaretani ishte në perëndim të Jordanit, jo larg Adamit e Sukotit. Sipas disave, kreshta me lartësi 82 m që njihet si Karn-Sartabehu, e quajtur «pika e rëndësishme e referimit në luginën e Jordanit», është vendndodhja e mundshme e Zaretanit. (Encyclopædia Biblica, nga T. Shejni, Londër, 1903, vëll. IV, kol. 5382) Ajo ndodhet përballë Adamit, në anën tjetër të Jordanit, aty ku zë fill Vadi-Farʽahu.
Gjithsesi, është disi e vështirë që kjo vendndodhje e mundshme të përputhet me përshkrimin e krahinës së pestë administrative të Solomonit te 1 Mbretërve 4:12, ku flitet për ‘Tanakun, Megidon dhe gjithë Beth-Sheanin, që ndodhet pranë Zaretanit poshtë Jezreelit, nga Beth-Sheani në Abel-Meholah deri në rajonin e Jokmeamit’. Karn-Sartabehu ndodhet shumë më në jug se vendet e tjera të përmendura këtu dhe nuk është «pranë» Beth-Sheanit në kuptimin që të jetë fqinj me të. Një përkthim (Bibla e Jerusalemit, angl.) përpiqet ta rregullojë rendin e vendeve te 1 Mbretërve 4:12 me formulimin «gjithë Beth-Sheanin poshtë Jezreelit, nga Beth-Sheani në Abel-Meholah, që ndodhet pranë Zaretanit», duke e lidhur kështu Zaretanin me Abel-Meholahun, jo me Beth-Sheanin. Sidoqoftë, meqë flitet për «gjithë Beth-Sheanin», patjetër që nuk nënkuptohet thjesht qyteti, por një rajon. Nëse Zaretani lidhej vërtet me kreshtën e famshme Karn-Sartabeh, ndoshta rajoni i Beth-Sheanit përfshinte luginën përreth dhe shtrihej në jug deri në një pikë prej nga dukej Zaretani, kështu që bëhej fjalë për një rajon tjetër, por fqinj.
Vendndodhjet e tjera të sugjeruara për Zaretanin janë në lindje të Jordanit, prandaj nuk përputhen me kontekstin. Nga gërmimet e bëra në një prej tyre, në Tell-es-Saʽidijeh, doli në dritë një numër jashtëzakonisht i madh artikujsh bronzi (aliazh i formuar kryesisht nga bakri e kallaji), e kjo mund të dëshmojë se në këtë zonë Solomoni derdhte bakrin në kallëpe.
Në tregimin e 2 Kronikave 4:17, që është paralel me atë të 1 Mbretërve 7:46, në vend të ‘Zaretan’ thuhet ‘Zeredah’, që ndoshta ishte një variant i këtij emri.