Veprat e Apostujve
20 Kur pushoi trazira, Pavli dërgoi të thërritnin dishepujt dhe, pasi i inkurajoi e u përshëndet me ta, mori rrugën drejt Maqedonisë. 2 Ai përshkoi ato rajone e u dha shumë zemër dishepujve që ishin atje, pastaj shkoi në Greqi. 3 Atje qëndroi tre muaj, por, kur po bëhej gati të lundronte për në Siri, judenjtë kurdisën një komplot kundër tij,+ ndaj vendosi të kthehej nëpërmjet Maqedonisë. 4 Atë e shoqëronin Sopatri, i biri i Pirros nga Berea, Aristarku+ me Sekundin nga Selaniku, Gaji nga Derba, Timoteu,+ si dhe Tikiku+ me Trofimin+ nga provinca e Azisë. 5 Ata vazhduan rrugën përpara dhe na pritën në Troadë. 6 Kurse ne, me të mbaruar Festa e Bukëve Pa Maja,+ lundruam nga Filipia dhe brenda pesë ditësh arritëm tek ata në Troadë, ku qëndruam shtatë ditë.
7 Ditën e parë të javës, kur u mblodhëm për të ngrënë,* Pavli iu drejtua atyre që ishin mbledhur dhe foli deri në mesnatë, pasi të nesërmen do të nisej. 8 Në dhomën e sipërme ku ishim mbledhur, kishte mjaft llamba. 9 Një djalë i ri që quhej Eutik, ishte ulur në dritare. Teksa Pavli fliste gjerë e gjatë, Eutiku ra në gjumë të thellë, dhe ngaqë e mundi gjumi, ra nga kati i tretë dhe e gjetën të vdekur. 10 Por Pavli zbriti poshtë, u përkul mbi të, e pushtoi+ dhe tha: «Mos u shqetësoni, sepse është gjallë!»+ 11 Pastaj u ngjit lart dhe filloi* të hante. Ai vazhdoi të bisedonte gjatë me ta, deri në agim, dhe në fund u nis. 12 Kështu ata e morën djalin, jashtëzakonisht të ngushëlluar që ishte gjallë.
13 Ne u nisëm përpara dhe lundruam me anije për në Asos. Në atë qytet do të merrnim edhe Pavlin në anije, sipas udhëzimeve të tij, sepse ai donte të shkonte atje në këmbë. 14 Kur na arriti në Asos, e morëm në anije dhe shkuam në Mitilenë. 15 Ditën tjetër lundruam dhe mbërritëm në afërsi të Kiosit. Të nesërmen u ndalëm pak në Samo dhe, një ditë më pas, mbërritëm në Milet. 16 Pavli kishte vendosur të lundronte pa u ndalur në Efes,+ që të mos humbte kohë në provincën e Azisë. Ai nxitonte që, po të ishte e mundur, të arrinte në Jerusalem+ për Festën e Ditës së Pesëdhjetë.
17 Megjithatë, nga Mileti dërgoi një mesazh në Efes për të thirrur pleqtë e kongregacionit. 18 Kur ata mbërritën, ai u tha: «Ju e dini mirë si jam sjellë mes jush që nga dita e parë që vura këmbë në provincën e Azisë,+ 19 duke shërbyer si skllav për Zotërinë gjithë përulësi*+ e me lot, si edhe me sprovat që kalova nga komplotet e judenjve. 20 E ndërkohë nuk ju fsheha asgjë, por ju thashë gjithçka dobiprurëse* dhe ju mësova publikisht+ e shtëpi më shtëpi.+ 21 Madje u dhashë dëshmi të plotë si judenjve, edhe grekëve, që të pendohen+ e të kthehen te Perëndia, dhe të kenë besim te Zotëria ynë Jezu.+ 22 E tani i shtyrë* nga fryma e shenjtë, jam rrugës për në Jerusalem, ndonëse nuk e di ç’do të më ndodhë atje; 23 di vetëm se, qytet më qytet, fryma e shenjtë më paralajmëron herë pas here se po më pret burgu dhe përndjekjet.*+ 24 Sidoqoftë, nuk e konsideroj të shtrenjtë jetën time, por dua veç të përfundoj vrapimin+ dhe shërbimin që më caktoi Zotëria Jezu, që të jap dëshmi të plotë për lajmin e mirë të mirësisë së pamerituar të Perëndisë.
25 Tani e di se të gjithë ju, të cilëve ju predikova për Mbretërinë, nuk do të më shihni më. 26 Prandaj, pikërisht sot ju marr si dëshmitarë se jam i pastër nga gjaku i të tërë njerëzve,+ 27 sepse jua tregova gjithë vullnetin* e Perëndisë.+ 28 Kushtojini vëmendje vetes+ dhe tërë kopesë, mes së cilës fryma e shenjtë ju emëroi mbikëqyrës,+ që të kullotni kongregacionin e Perëndisë,+ të cilin ai e bleu me gjakun e Birit të vet.+ 29 E di se pas ikjes sime do të hyjnë mes jush ujqër grabitqarë,*+ që nuk do ta trajtojnë kopenë me butësi, 30 dhe nga gjiri juaj do të ngrihen njerëz që do të thonë mësime të shtrembëruara për të tërhequr pas vetes dishepujt.+
31 Prandaj, rrini zgjuar e mos harroni se për tre vjet,+ natë e ditë, e kam këshilluar pa pushim secilin me lot. 32 E tani, ju lë nën kujdesin e Perëndisë dhe të fjalës së tij—e cila tregon për mirësinë e tij të pamerituar—fjalë që mund t’ju forcojë dhe t’ju japë trashëgiminë mes gjithë të shenjtëve.+ 33 Nuk lakmova argjendin, arin a veshjet e askujt.+ 34 Ju vetë e dini se me këto duar jam kujdesur për nevojat e mia+ dhe të atyre që ishin me mua. 35 Në gjithçka që bëra, ju tregova se, duke punuar fort,+ duhet të ndihmoni të dobëtit dhe të mbani mend fjalët e Zotërisë Jezu: ‘Ka më shumë lumturi të japësh+ se të marrësh.’»
36 Si tha këto, u ul në gjunjë me të gjithë dhe u lut. 37 Atëherë të gjithë shpërthyen në lot, iu hodhën Pavlit në qafë* dhe e puthën me përzemërsi,* 38 sepse ndien dhembje, sidomos ngaqë tha se nuk do ta shihnin më.+ Pastaj e përcollën deri tek anija.