Libri i dytë i Mbretërve
17 Në vitin e 12-të të mbretërimit të Akazit, mbretit të Judës, Hoshea,+ biri i Elahut, u bë mbret i Izraelit në Samari, ku mbretëroi 9 vjet. 2 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, por jo aq sa mbretërit e Izraelit para tij. 3 Shalmaneseri, mbreti i Asirisë, erdhi për të luftuar kundër tij,+ dhe Hoshea u bë shërbëtori i tij e filloi t’i paguante haraç.+ 4 Megjithatë, mbretit të Asirisë i ra në vesh se Hoshea ishte përfshirë në një komplot duke i dërguar lajmëtarë Soit, mbretit të Egjiptit,+ dhe nuk ia kishte paguar haraçin mbretit të Asirisë si në vitet e mëparshme. Prandaj mbreti i Asirisë e futi në burg dhe e mbajti të lidhur atje.
5 Mbreti i Asirisë pushtoi gjithë vendin; erdhi në Samari dhe e mbajti të rrethuar për tre vjet. 6 Në vitin e 9-të të mbretërimit të Hoshesë, mbreti i Asirisë e pushtoi Samarinë+ dhe Izraelin e çoi në mërgim+ në Asiri. Ai i detyroi izraelitët të banonin në Halah e në Habor, pranë lumit Gozan,+ dhe në qytetet e medëve.+
7 Kjo ndodhi sepse populli i Izraelit kishte mëkatuar kundër Jehovait, Perëndisë së tij, që e nxori nga Egjipti duke e çliruar nga zgjedha e faraonit, mbretit të Egjiptit.+ Izraelitët adhuruan* perëndi të tjera,+ 8 ndoqën zakonet e kombeve që Jehovai i kishte dëbuar përpara tyre dhe zakonet që kishin vendosur mbretërit e Izraelit.
9 Izraelitët shkuan pas gjërave që nuk ishin të drejta në sytë e Jehovait, Perëndisë së tyre. Ndërtuan vende të larta në të gjitha qytetet,+ nga kullat e rojës deri te qytetet e fortifikuara.* 10 Ata ngritën kolona të shenjta dhe shtylla të shenjta*+ në çdo kodër të lartë dhe nën çdo pemë të harlisur.+ 11 Në tërë vendet e larta paraqitnin tym blatimesh, ashtu si kishin bërë kombet që Jehovai i kishte dëbuar para tyre.+ Bënin gjëra të liga për ta fyer Jehovain.
12 U shërbenin idhujve të pështirë,*+ edhe pse Jehovai u kishte thënë: «Mos e bëni këtë gjë!»+ 13 Me anë të gjithë profetëve dhe vegimtarëve,* Jehovai e paralajmëronte Izraelin dhe Judën:+ «Kthehuni nga udhët tuaja të liga!+ Zbatoni urdhërimet e normat e mia, sipas gjithë ligjit që u urdhërova paraardhësve tuaj dhe që jua dërgova me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve.» 14 Mirëpo ata nuk dëgjonin, por mbetën po aq kokëfortë sa* paraardhësit e tyre që nuk kishin treguar besim te Jehovai, Perëndia i tyre.+ 15 Ata i hidhnin poshtë rregullat e tij dhe besëlidhjen+ që kishte bërë me paraardhësit e tyre, si dhe përkujtuesit me të cilët i kishte paralajmëruar.+ Adhuruan idhuj të kotë+ e u bënë të kotë edhe vetë,+ duke imituar kombet përreth, që Jehovai i kishte urdhëruar të mos i imitonin.+
16 Ata braktisën tërë urdhërimet e Jehovait, Perëndisë së tyre, dhe bënë statuja prej metali* të dy viçave,+ si dhe një shtyllë të shenjtë.*+ U përkulën para gjithë ushtrisë së qiejve+ e i shërbyen Baalit.+ 17 Bijtë dhe bijat e tyre i dogjën në zjarr,*+ u morën me fall+ e kërkuan ogure,* dhe vazhdimisht u dhanë pas* asaj që ishte e keqe në sytë e Jehovait për ta fyer atë.
18 Prandaj Jehovai u zemërua kaq shumë me Izraelin, saqë e flaku larg vetes.+ Ai nuk la asnjë, përveç fisit të Judës.
19 As Juda nuk i zbatoi urdhërimet e Jehovait, Perëndisë së vet,+ por ndoqi të njëjtat zakone si Izraeli.+ 20 Jehovai i hodhi poshtë të gjithë pasardhësit e Izraelit, i poshtëroi dhe i dha në duart e zhvatësve, derisa i flaku tej nga prania e tij. 21 Ai e shkëputi Izraelin nga shtëpia e Davidit, dhe ata bënë mbret Jeroboamin, birin e Nebatit.+ Por Jeroboami e largoi Izraelin nga Jehovai, dhe e nxiti të kryente një mëkat të rëndë. 22 Izraelitët vazhduan të kryenin të gjitha mëkatet që kishte bërë Jeroboami.+ Nuk hoqën dorë prej tyre, 23 derisa Jehovai e flaku larg vetes Izraelin, ashtu si kishte shpallur me anë të gjithë shërbëtorëve të tij, profetëve.+ Kështu Izraelin e nxorën nga vendi i vet dhe e çuan në mërgim në Asiri,+ ku ndodhet deri sot e kësaj dite.
24 Pas kësaj, mbreti i Asirisë solli njerëz nga Babilonia, Kutahu, Ava, Hamathi dhe nga Sefarvaimi+ që të banonin në qytetet e Samarisë, në vend të izraelitëve. Ata shtinë në dorë Samarinë e banuan në qytetet e saj. 25 Kur filluan të banonin atje, nuk e adhuronin Jehovain,* prandaj Jehovai dërgoi luanë+ që vranë disa prej njerëzve. 26 Mbretit të Asirisë i raportuan: «Kombet që i çove në mërgim dhe i vendose në qytetet e Samarisë nuk e njohin fenë* e Perëndisë së vendit. Prandaj ai vazhdon të dërgojë luanë, të cilët po i vrasin njerëzit, sepse asnjë prej tyre nuk e njeh fenë e Perëndisë së vendit.»
27 Atëherë mbreti i Asirisë urdhëroi: «Të dërgohet një nga priftërinjtë e mërguar. Të kthehet e të banojë atje që t’u mësojë fenë e Perëndisë së vendit.» 28 Kështu një nga priftërinjtë e mërguar nga Samaria u kthye që të banonte në Bethel+ dhe filloi t’u mësonte atyre se si të adhuronin Jehovain.*+
29 Megjithatë, secili komb bëri perëndinë* e tij dhe e vuri në shenjtëroret e vendeve të larta që kishin bërë samaritanët, secili në qytetin ku banonte. 30 Burrat e Babilonisë bënë Sukot-Benotin, burrat e Kutit bënë Nergalin, kurse burrat e Hamathit+ bënë Ashimën. 31 Avitët bënë Nibazin dhe Tartakun. Sefarvaimët i digjnin bijtë e vet në zjarrin e bërë për Adramelekun dhe Anamelekun, perënditë e Sefarvaimit.+ 32 Ndonëse e adhuronin Jehovain, ata emëruan njerëz të zakonshëm si priftërinj për vendet e larta. Këta kryenin shërbime në shenjtëroret e vendeve të larta.+ 33 Pra, ata adhuronin Jehovain, por adhuronin edhe perënditë e veta, sipas fesë* së kombeve nga ishin shpërngulur.+
34 Deri sot e kësaj dite, ata kanë ndjekur fetë* e mëparshme. Asnjë nuk ka adhuruar Jehovain* dhe asnjë nuk ka zbatuar normat e tij, vendimet e tij gjyqësore, Ligjin dhe urdhërimet që Jehovai u kishte dhënë bijve të Jakobit, të cilit më pas ia ndryshoi emrin në Izrael.+ 35 Kur Jehovai bëri një besëlidhje me ta,+ i urdhëroi: «Mos adhuroni perëndi të tjera, mos u përkulni para tyre, mos u shërbeni dhe mos bëni flijime për to.+ 36 Por duhet të më adhuroni mua, Jehovain,+ që ju nxora nga Egjipti me forcën time të madhe dhe me krahun tim të fuqishëm,*+ para meje përkuluni dhe mua më bëni flijime. 37 Zbatoni gjithmonë me kujdes rregullat, vendimet gjyqësore, Ligjin dhe urdhërimet që shkrova për ju.+ Mos adhuroni perëndi të tjera. 38 Mos harroni besëlidhjen që kam bërë me ju+ dhe mos adhuroni perëndi të tjera, 39 por më adhuroni mua, Jehovain, Perëndinë tuaj, sepse unë do t’ju çliroj nga dora e tërë armiqve tuaj.»
40 Mirëpo ata nuk u bindën dhe ndoqën fetë* e mëparshme.+ 41 Prandaj, këto kombe adhuronin Jehovain,+ por ndërkohë u shërbenin edhe shëmbëlltyrave të tyre të skalitura. Si bijtë, ashtu edhe nipërit e tyre, kanë vepruar tamam si paraardhësit e tyre, deri sot e kësaj dite.