Sipas Markut
14 Tani, dy ditë më vonë+ ishte Festa e Kalimit*+ dhe Festa e Bukëve Pa Maja.+ Krerët e priftërinjve dhe skribët po kërkonin një mënyrë si ta arrestonin* me dredhi dhe ta vritnin,+ 2 sepse thoshin: «Jo në festë, se mos bëhet ndonjë trazirë në popull.»
3 Kur Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simonit, të lebrosurit, ndërsa po hante,* erdhi një grua me një enë alabastri me vaj aromatik, nard të pastër, shumë të shtrenjtë. Ajo e hapi* enën dhe nisi t’ia derdhte vajin mbi kokë.+ 4 Atëherë disa nga ata i thanë njëri-tjetrit të indinjuar: «Pse të harxhohet kot ky vaj aromatik? 5 Ky vaj mund të ishte shitur më shumë se 300 denarë* e paratë t’u jepeshin të varfërve!» Prandaj ishin tepër të acaruar me atë grua.* 6 Por Jezui tha: «Lëreni të qetë. Pse e bezdisni? Ajo bëri një vepër të mirë ndaj meje.+ 7 Të varfrit do t’i keni gjithmonë+ dhe mund t’u bëni mirë sa herë të doni, kurse mua nuk do të më keni gjithmonë.+ 8 Ajo bëri atë që mundi; hodhi vaj aromatik mbi trupin tim për ta përgatitur që më parë për varrim.+ 9 Vërtet po ju them: kudo që të predikohet lajmi i mirë në mbarë botën,+ do të tregohet edhe ajo që bëri kjo grua, në kujtim të saj.»+
10 Tani, Judë Iskarioti, një nga të Dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve që ta tradhtonte e ta dorëzonte në duart e tyre.+ 11 Kur e dëgjuan, ata u kënaqën jashtë mase dhe i premtuan t’i jepnin monedha argjendi.+ Prandaj ai filloi të kërkonte një rast për ta tradhtuar.
12 Tani, ditën e parë të Festës së Bukëve Pa Maja,+ kur zakonisht ofronin flijimin e Festës së Kalimit,+ dishepujt e pyetën: «Ku dëshiron të shkojmë e të të përgatitim darkën e Festës së Kalimit?»+ 13 Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt dhe u tha: «Shkoni në qytet, dhe atje do t’ju dalë përpara një njeri duke mbajtur një enë balte për ujë. Shkoni pas tij+ 14 dhe, atje ku të hyjë ai, i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet: ‘Ku është dhoma e mysafirëve, që të ha darkën e Festës së Kalimit me dishepujt e mi?’” 15 Ai do t’ju tregojë sipër një dhomë të madhe, të mobiluar e të bërë gati. Atje përgatitni darkën për ne.» 16 Kështu dishepujt u nisën, hynë në qytet dhe e gjetën shtëpinë ashtu siç u kishte thënë ai, dhe përgatitën darkën e Festës së Kalimit.
17 Pasi ra mbrëmja, ai erdhi bashkë me të Dymbëdhjetët.+ 18 Ndërsa ishin shtruar në tryezë dhe po hanin, Jezui tha: «Vërtet po ju them se njëri nga ju që po ha me mua, do të më tradhtojë.»+ 19 Ata u trishtuan dhe nisën t’i thoshin njëri pas tjetrit: «Nuk jam unë, apo jo?» 20 Ai u përgjigj: «Është një nga të Dymbëdhjetët, ai që ngjyen bukën bashkë me mua në çanak,*+ 21 sepse Biri i njeriut po ikën, ashtu siç është shkruar për të, por mjerë ai njeri që e tradhton Birin e njeriut!+ Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur.»+
22 Ndërsa hanin, ai mori një bukë, bëri një lutje,* e theu, ua dha atyre dhe u tha: «Merreni, kjo përfaqëson trupin tim.»+ 23 Pastaj mori një kupë, falënderoi Perëndinë, ua dha, dhe të gjithë pinë nga ajo.+ 24 Ai u tha: «Kjo përfaqëson gjakun tim,+ ‘gjakun e besëlidhjes’,+ që do të derdhet në dobi të shumë vetave.+ 25 Vërtet po ju them: nuk do të pi më kurrë nga kjo verë, deri ditën kur ta pi të re në Mbretërinë e Perëndisë.» 26 Në fund, pasi kënduan lavde,* dolën dhe shkuan në Malin e Ullinjve.+
27 Jezui u tha: «Të gjithëve ju do t’ju lëkundet besimi për shkakun tim, sepse është shkruar: ‘Do të godas bariun+ dhe delet do të hallakaten.’+ 28 Por, pasi të ngrihem nga të vdekurit, do të shkoj përpara jush në Galile.»+ 29 Mirëpo Pjetri iu përgjigj: «Edhe sikur të gjithëve t’u lëkundet besimi për shkakun tënd, mua kurrë nuk do të më lëkundet besimi!»+ 30 Jezui ia ktheu: «Vërtet po të them: sot, po, pikërisht këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë.»+ 31 Por ai këmbëngulte: «Edhe sikur të më duhej të vdisja bashkë me ty, kurrsesi nuk do të të mohoja!» Të njëjtën gjë filluan të thoshin edhe gjithë dishepujt e tjerë.+
32 Pastaj vajtën në një vend të quajtur Getsemani, dhe ai u tha dishepujve: «Uluni këtu, ndërkohë që unë lutem.»+ 33 Me vete mori Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin.+ Ai filloi të ndiente dhembje e ankth të madh 34 dhe u tha atyre: «Më dhemb shpirti,+ madje për vdekje. Rrini këtu dhe qëndroni vigjilentë.»+ 35 Pastaj shkoi pak më përpara, u përkul me fytyrë përtokë dhe nisi të lutej që, po të ishte e mundur, të mos e përjetonte atë orë* të vështirë. 36 Dhe vazhdoi të thoshte: «Abba,* o Atë,+ gjithçka është e mundur për ty. Le të mos pi nga* kjo kupë. Megjithatë, jo si dëshiroj unë, por si dëshiron ti.»+ 37 Kur u kthye, i gjeti duke fjetur, dhe i tha Pjetrit: «Simon, po fle? Nuk pate forcë të qëndroje vigjilent as edhe një orë?+ 38 Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht, që të mos tundoheni.+ Sigurisht, zemra* është gati, por trupi* është i dobët.»+ 39 Iku përsëri dhe u lut me të njëjtat fjalë.+ 40 U kthye prapë dhe i gjeti duke fjetur, sepse u ishin rënduar sytë, prandaj nuk dinin si t’i përgjigjeshin. 41 U kthye për të tretën herë dhe u tha: «Në një kohë si kjo, ju flini dhe pushoni?! Mjaft fjetët! Erdhi ora!+ Ja, Birin e njeriut e kanë tradhtuar dhe e kanë dorëzuar në duart e mëkatarëve. 42 Ngrihuni, le të shkojmë. Tradhtari im është afër.»+
43 Menjëherë, ndërsa po fliste, mbërriti Juda, një nga të Dymbëdhjetët. Bashkë me të erdhi edhe një turmë me shpata dhe hunj nëpër duar, që e kishin dërguar krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë.+ 44 Tradhtari kishte rënë dakord me ta se do t’u bënte një shenjë: «Atë që do të puth, ai është; arrestojeni dhe merreni me roja.» 45 Juda vajti drejt e tek ai, iu afrua dhe i tha: «Rabi!», pastaj e puthi miqësisht. 46 Kështu e kapën dhe e arrestuan. 47 Mirëpo, një nga ata që ishin aty, nxori shpatën, goditi skllavin e kryepriftit dhe i preu veshin.+ 48 Por Jezui u tha: «Paskeni ardhur të më arrestoni me shpata dhe hunj, sikur të isha kusar?!+ 49 Ditë për ditë isha me ju në tempull dhe mësoja,+ e megjithatë ju nuk më arrestuat. Sidoqoftë, kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet.»+
50 Atëherë të gjithë e braktisën dhe ia mbathën.+ 51 Megjithatë një djalë i ri, që kishte hedhur në trup veç një rrobë linoje cilësore, nisi ta ndiqte nga afër. Ata u përpoqën ta kapnin, 52 por ai e la pas rrobën dhe ia mbathi gjysmë i zhveshur.*
53 Tani, Jezuin e çuan te kryeprifti,+ dhe atje u mblodhën tërë krerët e priftërinjve, pleqtë e skribët.+ 54 Kurse Pjetri e ndoqi atë nga larg deri në oborrin e kryepriftit dhe u ul bashkë me shërbëtorët e shtëpisë e po ngrohej afër një zjarri bubulak.+ 55 Ndërkohë, krerët e priftërinjve dhe gjithë Sinedri po kërkonin dëshmitarë kundër Jezuit, që ta ekzekutonin, por nuk po gjenin asnjë.+ 56 Në të vërtetë, shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër tij,+ por dëshmitë e tyre nuk përputheshin. 57 U ngritën edhe disa të tjerë dhe nisën të jepnin këtë dëshmi të rreme kundër tij: 58 «E kemi dëgjuar të thotë: ‘Unë do ta rrëzoj këtë tempull të bërë nga duart e njeriut dhe për tri ditë do të ndërtoj një tjetër, por jo nga duart e njeriut.’»+ 59 Megjithatë as në këtë pikë, dëshmitë e tyre nuk përputheshin.
60 Kështu kryeprifti u ngrit në këmbë përpara tyre dhe e pyeti Jezuin: «S’po jep asnjë përgjigje? Nuk e dëgjon ç’po dëshmojnë këta kundër teje?»+ 61 Por ai nuk bënte zë dhe nuk përgjigjej fare.+ Kryeprifti nisi ta pyeste përsëri: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?» 62 Atëherë Jezui u përgjigj: «Unë jam. Ju do ta shihni Birin e njeriut+ të ulur në të djathtën+ e të Fuqishmit* dhe duke ardhur në retë e qiellit.»+ 63 Menjëherë kryeprifti shqeu rrobat dhe tha: «Ç’na duhen më dëshmitarët?!+ 64 Ju e dëgjuat blasfeminë.* Ç’mendoni?»* Të gjithë gjykuan se meritonte vdekjen.+ 65 Disa filluan ta pështynin,+ ia mbuluan fytyrën, i gjuanin me grushte dhe i thoshin: «Profetizo!» Pastaj nëpunësit e gjyqit, pasi i ranë me shuplaka në fytyrë, e larguan që atje.+
66 Tani, ndërkohë që Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi një nga shërbëtoret e kryepriftit.+ 67 Kur vuri re Pjetrin që po ngrohej, ajo ia nguli sytë dhe i tha: «Edhe ti ishe me nazareasin, me këtë Jezuin.» 68 Por ai e mohoi dhe tha: «As atë nuk e njoh, as ty s’po të marr vesh ç’po thua.» Pastaj shkoi te porta e oborrit.* 69 Shërbëtorja e pa atje dhe përsëri filloi t’u thoshte atyre që ishin aty pranë: «Ky është një nga ata.» 70 Ai e mohoi sërish. Pas pak, ata që ishin aty pranë, nisën t’i thoshin edhe një herë Pjetrit: «E sigurt që edhe ti je një nga ata, sepse je galileas.» 71 Por ai filloi të mallkonte veten e të betohej: «Nuk e njoh këtë njeri për të cilin flitni.» 72 Dhe menjëherë një gjel këndoi për herë të dytë.+ Pjetrit i erdhën ndër mend fjalët e Jezuit: «Para se të këndojë gjeli dy herë, ti do të më mohosh tri herë.»+ Ai s’u përmbajt dot dhe shpërtheu në lot.