Libri i dytë i Samuelit
15 Pas gjithë këtyre gjërave, Absalomi mori një karrocë, disa kuaj dhe 50 burra që të vraponin para tij.+ 2 Ai ngrihej herët dhe qëndronte në anë të rrugës që të çonte te porta e qytetit.+ Sa herë që dikush kishte ndonjë çështje ligjore, të cilën duhej ta paraqiste te mbreti për gjykim,+ Absalomi e thërriste dhe e pyeste: «Nga je?» Ai përgjigjej: «Shërbëtori yt është nga njëri prej fiseve të Izraelit.» 3 Absalomi i thoshte: «Shiko, kjo që kërkon ti është e drejtë dhe me vend, por s’ka kush e dëgjon çështjen tënde te mbreti.» 4 Pastaj shtonte: «Ah, sikur të më emëronin mua gjykatës të vendit! Atëherë kushdo që do të kishte ndonjë çështje ligjore a gjyq mund të vinte tek unë, dhe unë do të sigurohesha që t’i jepej e drejta.»
5 Dhe, kur dikush afrohej që të përkulej para tij, Absalomi zgjaste dorën, e kapte dhe e puthte.+ 6 Absalomi e bënte këtë me gjithë izraelitët që vinin te mbreti për të kërkuar drejtësi. Kështu Absalomi u vidhte zemrat njerëzve të Izraelit.+
7 Në fund të katër vjetëve,* Absalomi i tha mbretit: «Të lutem, më lër të shkoj në Hebron+ dhe të plotësoj zotimin që mora para Jehovait, 8 sepse kur banonte në Geshur+ të Sirisë, shërbëtori yt mori këtë zotim solemn:+ ‘Nëse Jehovai më kthen në Jerusalem, do të bëj një blatim për* Jehovain.’» 9 Atëherë mbreti i tha: «Shko në paqe.» Kështu ai u ngrit e shkoi në Hebron.
10 Tani, Absalomi dërgoi spiunë nëpër të gjitha fiset e Izraelit dhe u tha: «Me të dëgjuar tingullin e bririt, njoftoni: ‘Absalomi është bërë mbret në Hebron!’»+ 11 Në Hebron me Absalomin kishin shkuar edhe 200 burra nga Jerusalemi, të cilët i kishte ftuar Absalomi dhe kishin shkuar pas tij pa dyshuar gjë, sepse nuk e dinin çfarë po ndodhte. 12 Veç kësaj, kur bëri flijimet, Absalomi dërgoi njerëz në Giloh+ të thërritnin gilonitin Ahithofel,+ këshilltarin e Davidit.+ Komploti sa vinte e bëhej më i vrullshëm, dhe numri i njerëzve që mbështetnin Absalomin vazhdonte të rritej.+
13 Pas ca kohësh, një spiun vajti te Davidi dhe i tha: «Tani zemra e njerëzve të Izraelit është me Absalomin.» 14 Menjëherë Davidi u tha gjithë shërbëtorëve që ishin me të në Jerusalem: «Ngrihuni dhe t’ia mbathim,+ sepse asnjëri prej nesh s’do të shpëtojë nga duart e Absalomit! Nxitoni, se mos na arrin e na heq qafe dhe e kalon tërë qytetin në teh të shpatës!»+ 15 Shërbëtorët e mbretit i thanë: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që të vendosë zotëria ynë, mbreti.»+ 16 Kështu mbreti iku me familjen e vet që i shkonte pas, por la dhjetë konkubina+ që të kujdeseshin për shtëpinë.* 17 Mbreti vazhdoi rrugën me gjithë popullin që e ndiqte, dhe pastaj u ndalën në Beth-Merhak.
18 Gjithë shërbëtorët që u larguan me të* e gjithë keretitët, peletitët+ dhe gititët,+ 600 burra që e kishin ndjekur prej Gathit,+ po kalonin para syve të mbretit.* 19 Pastaj mbreti i tha gititit Itá:+ «Pse të vish edhe ti me ne? Kthehu dhe rri me mbretin e ri, sepse ti je i huaj, madje ke mërguar nga vendi yt. 20 Dje erdhe, prandaj si mund të të kërkoj që sot të endesh me mua kush e di se ku?! Kthehu e merr me vete edhe njerëzit e tu. Jehovai të tregoftë dashuri* dhe qoftë besnik me ty!»+ 21 Por Itai iu përgjigj mbretit: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron dhe siç është e vërtetë që rron zotëria im, mbreti, kudo që të jetë zotëria im, mbreti, qoftë për jetë a për vdekje, atje do të jetë edhe shërbëtori yt!»+ 22 Atëherë Davidi i tha Itait:+ «Dakord, kalo matanë.» Kështu, gititi Itá kaloi matanë luginës bashkë me gjithë njerëzit dhe fëmijët që ishin me të.
23 Tërë vendi qante me të madhe ndërsa populli kalonte matanë, dhe mbreti po qëndronte pranë luginës së Kidronit;+ populli po kalonte matanë për te rruga e shkretëtirës. 24 Aty ishte edhe Sadoku+ bashkë me tërë levitët+ që mbanin arkën+ e besëlidhjes së Perëndisë së vërtetë;+ ata e ulën Arkën e Perëndisë së vërtetë. Aty ishte edhe Abiatari,+ ndërsa gjithë populli arriti të kalonte matanë qytetit. 25 Por mbreti i tha Sadokut: «Çoje prapë në qytet Arkën e Perëndisë së vërtetë.+ Nëse kam miratimin e Jehovait, ai do të më kthejë dhe do të më lërë ta shoh atë dhe vendin ku qëndron ajo.+ 26 Por nëse thotë: ‘Nuk jam i kënaqur me ty’, atëherë le të bëjë me mua si t’i duket më mirë.» 27 Mbreti vazhdoi t’i thoshte Sadokut: «Ti je parashikues,+ apo jo? Ti dhe Abiatari kthehuni në paqe në qytet dhe merrni me vete dy djemtë tuaj Ahimazin, djalin tënd, dhe Jonatanin,+ djalin e Abiatarit. 28 Unë do të pres te vau* i Jordanit derisa të më dërgoni fjalë e të më njoftoni.»+ 29 Kështu Sadoku dhe Abiatari e çuan prapë në Jerusalem Arkën e Perëndisë së vërtetë dhe qëndruan atje.
30 Davidi u ngjit në Malin* e Ullinjve,+ e ndërsa ngjitej, qante; ai kishte mbuluar kokën dhe ecte këmbëzbathur. Edhe ata që ishin me mbretin mbuluan kokën, e ndërsa ngjiteshin, qanin. 31 Atëherë Davidit i treguan: «Mes atyre që po komplotojnë+ me Absalomin+ është edhe Ahithofeli.» Me të dëgjuar këtë, Davidi tha: «O Jehova,+ të lutem, ktheji në marrëzi këshillat* e Ahithofelit!»+
32 Kur mbërriti në kreshtën ku populli përkulej para Perëndisë, Davidit i doli përpara Hushai,+ arkiti,+ me veshjen e gjatë të shqyer e me dhé mbi kokë. 33 Por Davidi i tha: «Po të vish me mua, do të më bëhesh barrë. 34 Prandaj kthehu në qytet dhe thuaji Absalomit: ‘Unë jam shërbëtori yt, o mbret. Në të kaluarën isha shërbëtor i babait tënd, por tani jam shërbëtori yt.’+ Kështu do të më ndihmosh dhe do t’i bësh të kota këshillat e Ahithofelit.+ 35 Priftërinjtë Sadok e Abiatar do të jenë atje me ty. Çfarëdo që të dëgjosh në shtëpinë e mbretit, tregojua Sadokut dhe Abiatarit, priftërinjve.+ 36 Me ta janë edhe dy djemtë e tyre: Ahimazi,+ djali i Sadokut, dhe Jonatani,+ djali i Abiatarit. Me anë të tyre më dërgoni fjalë për çdo gjë që dëgjoni.» 37 Kështu Hushai, miku* i Davidit,+ hyri në qytet ndërkohë që Absalomi po hynte në Jerusalem.