Sipas Lukës
23 Kështu, të gjithë pa përjashtim u ngritën dhe e çuan Jezuin te Pilati,+ 2 dhe nisën ta akuzonin:+ «Këtë njeri e gjetëm duke kthyer përmbys kombin tonë, duke ndaluar njerëzit që t’i paguajnë taksat Cezarit+ dhe duke u vetëquajtur mbret, Krishti.»+ 3 Pilati e pyeti: «A je ti Mbreti i judenjve?» Ai iu përgjigj: «Ti vetë po thua.»+ 4 Atëherë Pilati u tha krerëve të priftërinjve dhe turmave: «Unë nuk gjej asnjë bazë për ta dënuar këtë njeri.»+ 5 Por ata ngulnin këmbë e thoshin: «Me mësimet e tij po nxit trazira në popull, anembanë Judesë, duke filluar që nga Galilea e madje deri këtu.» 6 Me ta dëgjuar këtë, Pilati pyeti nëse ai njeri ishte galileas. 7 Pasi mori vesh që ishte nën juridiksionin e Herodit,+ e dërgoi tek ai, i cili ishte në Jerusalem ato ditë.
8 Kur pa Jezuin, Herodi u gëzua shumë, se kishte kohë që donte ta shikonte Jezuin, ngaqë kishte dëgjuar shumë për të,+ dhe shpresonte që ai të bënte ndonjë mrekulli* në sytë e tij. 9 Kështu Herodi filloi ta pyeste fije e për pe, por Jezui nuk i ktheu asnjë përgjigje.+ 10 Mirëpo krerët e priftërinjve dhe skribët ngriheshin vazhdimisht dhe e akuzonin gjithë mllef. 11 Atëherë Herodi bashkë me ushtarët e vet, e trajtuan me përçmim,+ u tallën me të+ duke i hedhur krahëve një veshje madhështore dhe pastaj e dërguan përsëri te Pilati. 12 Po atë ditë, Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, edhe pse më parë kishin qenë armiq.
13 Atëherë Pilati mblodhi krerët e priftërinjve, qeveritarët dhe popullin 14 e u tha: «Ju ma sollët këtë njeri dhe thatë se nxit popullin në revoltë. Ja pra, unë e mora në pyetje në sytë tuaj, por nuk gjeta asnjë bazë për akuzat që ngrini kundër këtij njeriu.+ 15 Në fakt, as Herodi nuk gjeti gjë, sepse na e ktheu prapë neve. Ju e shihni pra, ai nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. 16 Prandaj do ta ndëshkoj+ dhe do ta lë të lirë.» 17 *——18 Por e gjithë turma thërriste: «Hiqe qafe këtë njeri* dhe na liro Barabën!»+ 19 (Barabën e kishin burgosur për nxitje kryengritjeje në qytet dhe për vrasje.) 20 Pilati i bëri përsëri thirrje turmës, sepse donte ta lironte Jezuin.+ 21 Atëherë ata filluan të ulërinin: «Vëre në shtyllë! Vëre në shtyllë!»*+ 22 Ai u tha për herë të tretë: «Pse, ç’të keqe ka bërë ky njeri? Nuk gjeta asgjë që të meritojë vdekjen. Prandaj do ta ndëshkoj dhe do ta lë të lirë.» 23 Por ata ngulnin këmbë dhe kërkonin me zë të lartë që të ekzekutohej.* Bërtitnin aq shumë,+ 24 saqë Pilati u dorëzua dhe dha vendimin që kërkesa e tyre të plotësohej. 25 Ai liroi atë njeri që po kërkonin, atë që e kishin futur në burg për kryengritje dhe për vrasje, kurse Jezuin e çoi ta ekzekutonin, sipas vullnetit të tyre.
26 Kur po e largonin, ushtarët kapën Simonin nga Kirena, që po kthehej nga ara, dhe i vunë shtyllën e torturës* që ta mbante dhe të ecte pas Jezuit.+ 27 Atë po e ndiqte një turmë e madhe nga populli dhe shumë gra që i binin gjoksit me grushte nga hidhërimi dhe vajtonin. 28 Jezui u kthye nga gratë dhe u tha: «Bija të Jerusalemit, mos qani më për mua. Përkundrazi, qani për veten dhe për fëmijët tuaj,+ 29 sepse, ja, po vijnë ditët kur do të thonë: ‘Lum shterpat, barqet që nuk lindën dhe gjinjtë që nuk mëndën!’+ 30 Atëherë do të fillojnë t’u thonë maleve: ‘Bini mbi ne!’, dhe kodrave: ‘Na mbuloni!’+ 31 Nëse i bëjnë këto gjëra kur pema është e njomë, ç’do të ndodhë kur të thahet?»
32 Bashkë me të po çonin për të ekzekutuar edhe dy burra të tjerë, dy kriminelë.+ 33 Kur mbërritën në vendin e quajtur Kafka,+ e gozhduan në shtyllë përkrah këtyre kriminelëve, me njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.+ 34 Por Jezui po thoshte: «O Atë, fali se nuk dinë ç’po bëjnë!» Ndërkohë hodhën short për të ndarë rrobat e tij.+ 35 Populli rrinte e bënte sehir, ndërsa krerët gjithë përçmim e tallnin: «Të tjerët i shpëtoi. Le të shpëtojë veten po qe se ky është Krishti i Perëndisë, i Zgjedhuri.»+ 36 Edhe ushtarët e vinin në lojë. Ata iu afruan, i dhanë verë të thartë për të pirë+ 37 dhe i thanë: «Nëse je Mbreti i judenjve, shpëto veten.» 38 Përveç kësaj, sipër kokës i vunë këtë mbishkrim: «Ky është Mbreti i judenjve.»+
39 Pastaj njëri nga kriminelët që ishte vënë në shtyllë atje,+ nisi ta tallte: «A nuk je Krishti ti?! Atëherë shpëto veten, na shpëto edhe ne.» 40 Por tjetri i tha me ton qortues: «Nuk ke fare frikë nga Perëndia, as tani që ke marrë të njëjtin dënim si ai?! 41 Ne e kemi hak, sepse po marrim atë që meritojmë për gjërat që bëmë. Kurse ky s’ka bërë asgjë të keqe.» 42 Pastaj tha: «Jezu, më kujto kur të hysh në Mbretërinë tënde.»+ 43 Jezui iu përgjigj: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.»+
44 Edhe pse ishte pak a shumë ora e gjashtë,* gjithë vendin e mbuloi errësira deri në orën e nëntë,*+ 45 sepse s’kishte më dritë dielli. Atëherë perdja* e shenjtërores+ u ça mes për mes.+ 46 Jezui thirri me zë të lartë: «O Atë, në dorën tënde po e lë frymën* time!»+ Pasi tha këto fjalë, vdiq.*+ 47 Ngaqë pa ç’ndodhi, centurioni* filloi t’i jepte lavdi Perëndisë dhe tha: «Vërtet, ky njeri ishte i drejtë.»+ 48 Edhe gjithë turma që ishte mbledhur atje për këtë ngjarje të jashtëzakonshme, kur pa ç’ndodhi, u kthye në shtëpi duke goditur gjoksin me grushte nga hidhërimi. 49 Gjithashtu, të gjithë ata që e njihnin, si edhe gratë që e kishin shoqëruar që nga Galilea, po qëndronin larg e po shikonin këto gjëra.+
50 Pastaj erdhi një burrë i quajtur Jozef, anëtar i Këshillit, njeri i mirë dhe i drejtë.+ 51 (Ky burrë nuk kishte votuar në favor të intrigave dhe të veprimeve të tyre.) Ai ishte nga Arimatea, një qytet i Judesë, dhe po priste Mbretërinë e Perëndisë. 52 Jozefi vajti te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezuit. 53 Pastaj e zbriti nga shtylla,+ e mbështolli me një copë linoje cilësore dhe e vuri në një varr* të gërmuar në shkëmb,+ në të cilin nuk ishte vënë ende asnjeri. 54 Tani ishte Dita e Përgatitjes*+ dhe pas pak fillonte Sabati.+ 55 Megjithatë, gratë që e kishin shoqëruar Jezuin që nga Galilea, shkuan atje, panë varrin* dhe si ia kishin vënë trupin.+ 56 Pastaj ikën që të përgatitnin bimë dhe vajra aromatikë.* Por natyrisht, në Sabat+ pushuan, sipas urdhërimit.