Sipas Mateut
16 Atje iu afruan farisenjtë e saducenjtë dhe, për ta vënë në provë, i kërkuan që t’u tregonte një shenjë nga qielli.+ 2 Ai iu përgjigj: «Kur bie mbrëmja, ju thoni: ‘Do të jetë mot i mirë, sepse qielli është flakë i kuq’, 3 dhe në mëngjes: ‘Sot do të jetë mot i keq dhe do të bjerë shi, sepse qielli është flakë i kuq, por i vranët.’ Ju dini t’i interpretoni dukuritë e qiellit, por nuk ditkeni t’i interpretoni shenjat e kohëve?! 4 Ky brez i lig dhe kurorëshkelës* vazhdon të kërkojë një shenjë, por nuk do t’i jepet asnjë shenjë,+ përveç shenjës së Jonait.»+ Pas kësaj, ai iku dhe i la pas.
5 Edhe dishepujt kaluan në bregun tjetër, mirëpo harruan të merrnin bukë me vete.+ 6 Jezui u tha: «Mbajini sytë hapur dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve.»+ 7 Atëherë ata nisën të flisnin me njëri-tjetrin: «Po ne nuk kemi marrë fare bukë me vete.» 8 Jezui e vuri re këtë dhe u tha: «Sa pak besim keni! Pse po flisni mes jush që s’keni bukë? 9 Akoma nuk e kuptoni për çfarë po ju flas? A nuk ju kujtohen pesë bukët në rastin e 5.000 vetave dhe sa shporta mblodhët?+ 10 Po shtatë bukët në rastin e 4.000 vetave dhe sa shporta të mëdha mblodhët?+ 11 Si nuk e kuptoni që nuk ju fola për bukë, por që të ruheni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve?!»+ 12 Atëherë ata e kuptuan se ai nuk u tha të ruheshin nga majaja e bukës, por nga mësimet e farisenjve dhe të saducenjve.
13 Kur shkoi në rajonin e Cezaresë së Filipit, Jezui i pyeti dishepujt: «Çfarë thonë njerëzit: kush është Biri i njeriut?»+ 14 Ata thanë: «Disa thonë Gjon Pagëzori,+ të tjerë Elija,+ disa të tjerë Jeremia ose një nga profetët.» 15 Ai i pyeti: «Po ju, ç’thoni: kush jam unë?» 16 Simon Pjetri iu përgjigj: «Ti je Krishti,+ Biri i Perëndisë së gjallë.»+ 17 Atëherë Jezui ia ktheu: «Lum ti, o Simon, bir i Jonait, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi dhe gjaku,* por Ati im që është në qiej.+ 18 Gjithashtu, po të them: ti je Pjetri,*+ dhe mbi këtë shkëmb+ unë do të ndërtoj kongregacionin* tim dhe portat e Varrit* nuk do të triumfojnë mbi të. 19 Unë do të të jap çelësat e Mbretërisë së qiejve dhe çdo gjë që do të lidhësh në tokë, tashmë do të jetë lidhur në qiej, dhe çdo gjë që do të zgjidhësh në tokë, tashmë do të jetë zgjidhur në qiej.» 20 Pastaj ai i urdhëroi prerazi dishepujt që të mos i tregonin askujt se ai ishte Krishti.+
21 Që nga ajo kohë, Jezui nisi t’u shpjegonte dishepujve se ai duhej të shkonte në Jerusalem dhe të hiqte shumë vuajtje nga duart e pleqve, të krerëve të priftërinjve e të skribëve, dhe të vritej, por ditën e tretë do të ngrihej nga të vdekurit.+ 22 Prandaj Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortonte: «Ji i mirë me veten, Zotëri. Ti nuk ke pse të përfundosh kështu.»+ 23 Por Jezui i ktheu shpinën dhe i tha: «Rri prapa meje, Satana!* Ti je pengesë* për mua, se nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.»+
24 Pastaj Jezui u tha dishepujve: «Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë shtyllën e vet të torturës* dhe të më ndjekë vazhdimisht,+ 25 sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën* e vet, do ta humbasë, por kushdo që e humbet jetën* e vet për hirin tim, do ta shpëtojë.+ 26 Vërtet, ç’dobi ka njeriu nëse fiton gjithë botën, por humbet jetën?*+ Apo çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës?*+ 27 Në fakt, Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij, dhe atëherë do ta shpërblejë secilin sipas sjelljes.+ 28 Vërtet po ju them se disa nga këta që po qëndrojnë këtu, nuk do ta provojnë kurrsesi vdekjen pa e parë më parë Birin e njeriut të vijë në Mbretërinë e tij.»+