KAPITULLI 5
Shpërblesa—Dhurata më e madhe e Perëndisë
1, 2. (a) Kur ka vlerë për ty një dhuratë? (b) Pse shpërblesa është dhurata më e madhe që na ka bërë Perëndia?
CILA është dhurata më e bukur që ke marrë ndonjëherë? Një dhuratë nuk duhet të jetë medoemos e kushtueshme që të ketë vlerë për ty. Kur një dhuratë të sjell gëzim ose është tamam ajo që të nevojitet, pa dyshim je mirënjohës për të.
2 Perëndia na ka bërë dhurata të panumërta, por për njërën prej tyre kemi jashtëzakonisht nevojë. Ajo është dhurata më e madhe që Perëndia i ka bërë njerëzimit. Në këtë kapitull do të shohim se Jehovai dërgoi Birin e tij, Jezu Krishtin, që të jetojmë përgjithmonë. (Lexo Mateun 20:28.) Duke dërguar Birin e tij në tokë që të jepte jetën si shpërblesë, Jehovai ka treguar sa shumë na do.
ÇFARË ËSHTË SHPËRBLESA?
3. Pse vdesin njerëzit?
3 Shpërblesa është mjeti që përdor Jehovai për t’i çliruar njerëzit nga mëkati dhe vdekja. (Efesianëve 1:7) Që të kuptojmë pse ishte e domosdoshme shpërblesa, duhet të dimë çfarë ndodhi në kopshtin e Edenit mijëra vjet më parë. Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, mëkatuan dhe si pasojë vdiqën. Edhe ne vdesim ngaqë kemi trashëguar mëkatin nga Adami dhe Eva.—Shiko pikën 9 të Shtojcës.
4. Kush ishte Adami dhe cilën dhuratë i bëri Perëndia?
4 Kur krijoi njeriun e parë, Adamin, Jehovai i bëri një dhuratë tejet të çmuar: jetën e përsosur. Adami kishte mendje dhe trup të përsosur. Kjo do të thoshte se nuk do të sëmurej kurrë, nuk do të plakej kurrë dhe nuk do të vdiste kurrë. Meqë Jehovai e krijoi Adamin, ishte si një baba për të. (Luka 3:38) Jehovai komunikonte rregullisht me të. Perëndia i shpjegoi qartë çfarë priste prej tij dhe i caktoi një punë që i sillte kënaqësi.—Zanafilla 1:28-30; 2:16, 17.
5. Në ç’kuptim Adami u krijua «sipas imazhit të Perëndisë»?
5 Adami u krijua «sipas imazhit të Perëndisë». (Zanafilla 1:27) Pra Jehovai e krijoi me cilësi si të vetat, të tilla si: dashuria, mençuria, drejtësia dhe fuqia. Veç kësaj, Jehovai i dha Adamit vullnet të lirë. Pra, ai nuk ishte robot. Mund të zgjidhte të bënte atë që ishte e drejtë ose atë që ishte e gabuar. Po të kishte zgjedhur t’i bindej Perëndisë, Adami do të kishte jetuar përgjithmonë në parajsë.
6. Çfarë humbi Adami kur nuk iu bind Perëndisë? Si ndikoi kjo te ne?
6 Kur nuk iu bind Perëndisë dhe u dënua me vdekje, Adami humbi gjëra me vlerë të jashtëzakonshme: miqësinë e veçantë me Jehovain, jetën e përsosur dhe shtëpinë parajsore. (Zanafilla 3:17-19) Adami dhe Eva zgjodhën të mos i bindeshin Perëndisë, prandaj për ta s’kishte më shpresë. Për shkak të mosbindjes së Adamit, «mëkati hyri në botë . . . dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, e kështu vdekja u përhap te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar». (Romakëve 5:12) Duke mëkatuar, Adami ‘shiti’ veten dhe të gjithë ne si skllevër të mëkatit dhe të vdekjes. (Romakëve 7:14) A ka shpresë për ne? Po!
7, 8. Çfarë është një shpërblesë?
7 Çfarë është një shpërblesë? Në thelb, koncepti i shpërblesës përfshin dy aspekte. Së pari, një shpërblesë është shuma e parave që paguhet për të liruar një njeri të marrë peng ose për të riblerë diçka. Së dyti, një shpërblesë është shuma e parave që mbulon një dëm.
8 Asnjë njeri nuk e paguante dot dëmin e jashtëzakonshëm që shkaktoi Adami kur mëkatoi dhe na dënoi me vdekje. Ama Jehovai gjeti mënyrën për të na çliruar nga mëkati dhe vdekja. Le të shohim si u sigurua shpërblesa dhe si mund të nxjerrim dobi prej saj.
SI E SIGUROI JEHOVAI SHPËRBLESËN?
9. Çfarë duhej për të paguar shpërblesën?
9 Asnjë nga ne s’do ta paguante dot kurrë shpërblesën për jetën e përsosur që humbi Adami. Pse jo? Sepse të gjithë jemi të papërsosur. (Psalmi 49:7, 8) Për të paguar shpërblesën duhej një jetë e përsosur njerëzore. Ja pse Bibla e quan «shpërblesë përkatëse» ose të barasvlershme. (1 Timoteut 2:6) Shpërblesa duhej të kishte të njëjtën vlerë me jetën që humbi Adami.
10. Si e siguroi Jehovai shpërblesën?
10 Si e siguroi Jehovai shpërblesën? Jehovai dërgoi në tokë Birin e tij më të çmuar. Ky Bir, Jezui, ishte krijimi i tij i parë. (1 Gjonit 4:9, 10) Jezui ishte i gatshëm të linte Atin dhe shtëpinë e tij në qiell. (Filipianëve 2:7) Jehovai e transferoi jetën e Jezuit nga qielli në barkun e Marisë. Kështu Jezui lindi si njeri i përsosur, pa mëkat.—Luka 1:35.
11. Si mund t’i çlironte njerëzit nga vdekja një njeri i vetëm?
11 Kur njeriu i parë, Adami, nuk iu bind Jehovait, të gjithë njerëzit humbën mundësinë për të pasur jetë të përsosur. A ishte e mundur që një njeri tjetër t’i çlironte të gjithë pasardhësit e Adamit nga vdekja? Po. (Lexo Romakëve 5:19.) Jezui, i cili nuk mëkatoi kurrë, dha jetën e tij të përsosur si shpërblesë. (1 Korintasve 15:45) Kjo jetë mund të përdorej për t’i çliruar pasardhësit e Adamit nga vdekja.—1 Korintasve 15:21, 22.
12. Pse duhej të vuante aq shumë Jezui?
12 Bibla tregon sa shumë vuajti Jezui para se të vdiste. E rrahën mizorisht me kamxhik, e gozhduan në një shtyllë torture dhe i shkaktuan një vdekje të ngadaltë e të dhimbshme. (Gjoni 19:1, 16-18, 30) Po pse duhej të vuante kaq shumë? Sepse Satanai kishte pohuar se asnjë njeri nuk do t’i qëndronte besnik Perëndisë përballë vështirësive ekstreme. Ama Jezui provoi se një njeri i përsosur mund t’i qëndrojë besnik Perëndisë edhe përballë vuajtjeve të papërshkrueshme. Imagjino sa krenar është ndier Jehovai për Jezuin!—Proverbat 27:11; shiko pikën 15 të Shtojcës.
13. Si u pagua shpërblesa?
13 Si u pagua shpërblesa? Në vitin 33 të e.s., më 14 nisan të kalendarit judaik, Jehovai lejoi që Jezui të vritej nga armiqtë e tij. (Hebrenjve 10:10) Tri ditë më pas, Jehovai e ringjalli Jezuin, jo si njeri, por si krijesë qiellore. Më vonë, kur Jezui u kthye në qiell, i paraqiti Jehovait si shpërblesë vlerën e jetës së përsosur njerëzore. E thënë thjesht, Jezui kishte të drejtë të jetonte si njeri i përsosur në tokë, por këtë të drejtë ia dha Jehovait, që më pas Jehovai t’ua jepte pasardhësve të Adamit. (Hebrenjve 9:24) Falë shpërblesës që siguroi Jehovai, kemi mundësinë të çlirohemi nga mëkati dhe vdekja.—Lexo Romakëve 3:23, 24.
ÇFARË DOBISH NA SJELL SHPËRBLESA?
14, 15. Çfarë duhet të bëjmë që të na falen mëkatet?
14 Që tani mund të nxjerrim dobi nga dhurata më e madhe e Perëndisë. Le të shohim dobitë që kemi sot dhe ato që do të kemi në të ardhmen.
15 Na falen mëkatet. Është e vështirë të bëjmë gjithnjë atë që është e drejtë. Të gjithë themi ose bëjmë gjëra të gabuara. (Kolosianëve 1:13, 14) Por si mund të na falen mëkatet? Duhet të ndiejmë vërtet keqardhje dhe t’i lutemi me përulësi Jehovait që të na falë. Pastaj mund të jemi të sigurt që Perëndia do të na falë.—1 Gjonit 1:8, 9.
16. Ç’duhet të bëjmë që të kemi ndërgjegje të pastër?
16 Mund të kemi ndërgjegje të pastër. Kur ndërgjegjja na thotë se kemi bërë ndonjë gabim, ndihemi fajtorë, madje të pandreqshëm e të pavlerë. Por nuk ka pse të dorëzohemi. Nëse i përgjërohemi Jehovait të na falë, mund të jemi të sigurt se ai na dëgjon e na fal. (Hebrenjve 9:13, 14) Jehovai dëshiron t’i tregojmë çdo problem dhe dobësi që kemi. (Hebrenjve 4:14-16) Si rrjedhojë mund të kemi ndërgjegje të pastër para Perëndisë.
17. Cilat bekime mund të marrim falë vdekjes së Jezuit?
17 Kemi shpresë të jetojmë përgjithmonë. «Paga që paguan mëkati, është vdekja, kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» (Romakëve 6:23) Falë vdekjes së Jezuit mund të jetojmë përgjithmonë dhe të kemi shëndet të përsosur. (Zbulesa 21:3, 4) Por çfarë duhet të bëjmë për t’i marrë këto bekime?
A DO TË TREGOSH MIRËNJOHJE PËR SHPËRBLESËN?
18. Nga e dimë se Jehovai na do?
18 Mendo sa thellë prekesh kur të bëjnë një dhuratë të bukur. Shpërblesa ia kalon çdo dhurate, ndaj duhet t’i jemi thellësisht mirënjohës Jehovait për të. Gjoni 3:16 thotë se «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur». Po, Jehovai na do kaq shumë, sa dha për ne Birin e tij të shtrenjtë, Jezuin. E dimë që edhe Jezui na do, sepse u tregua i gatshëm të vdiste për ne. (Gjoni 15:13) Ji i sigurt se dhurata e shpërblesës është provë që Jehovai dhe Jezui të duan vërtet.—Galatasve 2:20.
19, 20. (a) Si mund të bëhesh mik i Jehovait? (b) Si mund ta tregosh se ke besim te flijimi shpërblyes i Jezuit?
19 Tani që ke mësuar për dashurinë e pafund të Jehovait, si mund të tregosh mirënjohje për shpërblesën? Pikësëpari duke njohur Jehovain e duke u lidhur ngushtë me të. (Gjoni 17:3) Teksa vepron kështu, do të thellosh dashurinë për të, do të kesh dëshirë t’i pëlqesh atij dhe do të bëhesh mik me të. Prandaj, vazhdo të mësosh për Jehovain duke studiuar Biblën.—1 Gjonit 5:3.
20 Trego besim te flijimi shpërblyes i Jezuit. Bibla thotë se «ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme». (Gjoni 3:36) Çfarë do të thotë të tregosh besim? Do të thotë të veprosh sipas mësimeve të Jezuit. (Gjoni 13:15) Pra nuk mjafton vetëm të themi se besojmë te Jezui. Duhet ta tregojmë besimin me vepra. Te Jakovi 2:26 thuhet: «Besimi pa vepra është i vdekur.»
21, 22. (a) Pse duhet të jemi të pranishëm çdo vit në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në kapitujt 6 dhe 7?
21 Ji i pranishëm në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit. Natën para se të vdiste, Jezui tha se duhet ta kujtojmë vdekjen e tij. Këtë e bëjmë çdo vit. Ky rast quhet Përkujtimi ose ‘Darka e Zotërisë’. (1 Korintasve 11:20; Mateu 26:26-28) Jezui dëshiron të mos harrojmë se ai dha jetën e përsosur si shpërblesë për ne. «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim»,—tha ai. (Lexo Lukën 22:19.) Prania jote në Përkujtim tregon se e vlerëson shpërblesën dhe dashurinë e pashoqe që kanë Jehovai e Jezui për ne.—Shiko pikën 16 të Shtojcës.
22 Shpërblesa është dhurata më e madhe që mund të na bëjnë ndonjëherë. (2 Korintasve 9:14, 15) Kjo dhuratë e çmuar do t’u sjellë dobi edhe miliona njerëzve që kanë vdekur. Në kapitujt 6 dhe 7 do të tregohet si është e mundur kjo.