Jezui—Model i përkryer për t’u imituar
A DËSHIRON të jesh njeri më i mirë e më i lumtur? Apostulli Pavël na tregon si mund t’ia arrijmë. Ai shkroi: «Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1 Pjetrit 2:21) Vërtet, nga shqyrtimi i jetës së jashtëzakonshme të Jezuit mund të përfitojmë shumë. Kur mësojmë për Jezuin dhe jetojmë duke imituar shembullin e tij, pa dyshim që do të bëhemi njerëz më të mirë e më të lumtur. Le të shohim më nga afër disa tipare që e karakterizonin këtë njeri kaq të madh, dhe si mund të nxjerrim dobi nga shembulli i tij.
Jezui ishte i ekuilibruar. Vërtet Jezui tha se ‘s’kishte ku të mbështeste kokën’, por kjo nuk do të thoshte se hoqi dorë nga çdo gëzim i jetës. (Mateu 8:20) Për shembull, ai mori pjesë në gosti. (Luka 5: 29) Mrekullia e tij e parë e dokumentuar, kthimi i ujit në verë shumë të mirë gjatë një dasme, tregon se nuk ishte as i ftohtë me të tjerët e as asketik. (Gjoni 2:1-11) Megjithatë, Jezui tregoi qartë çfarë ishte më e rëndësishmja për të. Ai tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.»—Gjoni 4:34.
□ A e ke analizuar jetën tënde për të parë si mund të gjesh një ekuilibër mes synimit për të pasur gjëra materiale dhe synimit për t’u lidhur më ngushtë me Perëndinë?
Jezui ishte i afrueshëm. Në Bibël Jezui përshkruhet si njeri i përzemërt e miqësor. Ai nuk mërzitej kur njerëzit qanin hallet me të ose i bënin pyetje të vështira. Një herë, kur e kishte rrethuar një turmë, një grua që lëngonte prej 12 vjetësh preku rrobën e tij me shpresë që të bëhej më mirë. Edhe pse në pamje të parë sjellja e saj dukej e pavend, ai nuk e qortoi, por i tha me dashamirësi: «Bijë, besimi yt të shëroi.» (Marku 5:25-34) Edhe fëmijët ndiheshin rehat pranë tij, pa pasur frikë se ai do t’i shpërfillte. (Marku 10:13-16) Në bisedat që bënte me dishepujt, binin në sy çiltërsia dhe toni miqësor. Ata nuk ngurronin të lidheshin me të.—Marku 6:30-32.
□ A e kanë kollaj të tjerët të vijnë e të flasin me ty?
Ai i kuptonte ndjenjat e të tjerëve dhe ishte i dhembshur. Një nga virtytet më të shkëlqyera që binte në sy te Jezui, ishte aftësia e tij për ta vënë veten në vend të të tjerëve, për t’u bashkuar me ndjenjat e tyre dhe për t’u dhënë ndihmë konkrete. Apostulli Gjon tregon se, kur Jezui pa Marinë që vajtonte për vdekjen e vëllait të saj, Lazarit, Jezui ‘rënkoi në frymë e u trazua’ dhe «nuk i mbajti dot lotët». Të gjithë të pranishmit e kuptuan sa shumë e donte atë familje, dashuri të cilën nuk kishte turp ta shfaqte hapur. Për më tepër, sa i dhembshur u tregua duke e kthyer në jetë mikun e tij!—Gjoni 11:33-44.
Në një rast tjetër, Jezuit iu përgjërua një i sëmurë me lebër, një sëmundje e pështirë, për shkak të së cilës nuk i afrohej njeri: «Zotëri, po të duash, ti mund të më pastrosh.» Përgjigjja e Jezuit ishte vërtet prekëse: «Ai shtriu dorën, e preku dhe i tha: ‘Dua. Pastrohu.’» (Mateu 8:2, 3) Jezui nuk shëroi thjesht që të përmbushte një profeci. Ai donte të fshinte çdo lot nga sytë e tyre. Në gjithçka që bënte, udhëhiqej nga një prej thënieve të tij më mbresëlënëse: «Ashtu si dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, njësoj bëni edhe ju për ta.»—Luka 6:31
□ A pasqyron dhembshuri mënyra se si vepron me të tjerët?
Jezui ishte i arsyeshëm dhe shqyrtonte njeriun e brendshëm. Pavarësisht se vetë nuk gabonte, Jezui nuk pretendoi kurrë përsosmëri nga të tjerët, nuk e mbajti veten si më të madh dhe nuk veproi pa e kuptuar tërësisht situatën. Njëherë, një grua, «që në qytet njihej si mëkatare», shprehu besimin dhe mirënjohjen e saj duke ia larë këmbët me lot. Jezui nuk e pengoi, dhe kjo e habiti të zotin e shtëpisë i cili e gjykonte rëndë atë grua. Ngaqë e kuptoi sinqeritetin e saj, Jezui nuk e dënoi për mëkatet që kishte kryer. Përkundrazi, i tha: «Besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe.» Reagimi i ngrohtë i Jezuit ka shumë të ngjarë ta ketë nxitur këtë grua të braktiste jetën që bënte më parë.—Luka 7:37-50.
□ A njihesh si njeri që është i gatshëm të lavdërojë dhe që nuk nxiton të gjykojë?
Ai nuk mbante anë dhe tregonte respekt. Jezui e kishte më për zemër dishepullin e tij Gjon, ndoshta ngaqë u përputheshin karakteret ose ngaqë mund të kenë pasur lidhje gjaku.a Megjithatë ai kurrë nuk i mbajti anën dhe as e favorizoi. (Gjoni 13:23) Në fakt, kur Gjoni dhe vëllai i tij, Jakovi, i kërkuan vendet më të mira në Mbretërinë e Perëndisë, Jezui u tha: «Nuk më takon mua t’ju ul në të djathtën dhe në të majtën time.»—Marku 10:35-40.
Jezui i respektonte gjithmonë të tjerët. Nuk kishte paragjykime, siç kishin të tjerët në atë kohë. Për shembull, gratë zakonisht konsideroheshin si më të ulëta se burrat. E megjithatë Jezui u tregoi respektin që u takonte. Ai u identifikua për herë të parë haptazi se ishte Mesia para një gruaje, që nuk ishte as hebreje por samaritane. Një person të tillë hebrenjtë e përçmonin, e jo më ta përshëndetnin. (Gjoni 4:7-26) Gjithashtu, privilegjin si dëshmitare të para të ringjalljes së tij Jezui ua dha grave.—Mateu 28:9, 10.
□ A i trajton me paanësi njerëzit e racave, gjinive, gjuhëve ose kombësive të ndryshme?
Ai ishte i përgjegjshëm si bir e si vëlla. Me sa duket Jozefi, babai adoptues, vdiq kur Jezui ishte ende i ri. Prandaj, ka shumë mundësi që ai t’i ketë mbështetur nënën dhe vëllezërit e motrat më të vogla duke punuar si zdrukthëtar. (Marku 6:3) Gjithashtu, pak para se të vdiste, i la amanet dishepullit Gjon, që të kujdesej për nënën e tij.—Gjoni 19:26, 27.
□ A mund të imitosh Jezuin duke marrë përsipër përgjegjësi familjare?
Jezui ishte mik i vërtetë. Mik si ai nuk kishte. Përse themi kështu? Ai nuk i hodhi poshtë miqtë vetëm ngaqë bënin gabime, madje as kur i përsëritnin ato. Herë-herë ata bënin gjëra që Jezuit nuk i pëlqenin. Megjithatë, ai tregoi se ishte mik i vërtetë duke u përqendruar te cilësitë e tyre të mira, në vend që të dyshonte se kishin motive të këqija. (Marku 9:33-35; Luka 22:24-27) Jezui jo vetëm që nuk u diktonte dishepujve mendimet e veta, por i ftonte të shpreheshin lirshëm.—Mateu 16:13-15.
Ç’është më e rëndësishmja, ai i donte miqtë e tij. (Gjoni 13:1) Por deri në ç’pikë? Ai tha: «Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet.» (Gjoni 15:13) Vërtet, a mund të japë dikush për miqtë diçka më të shtrenjtë se jetën?
□ A e ruan miqësinë edhe kur të acarojnë ose të ofendojnë?
Ai ishte i guximshëm dhe burrë i vërtetë. Jezui ishte e kundërta e njeriut të dobët e pasiv që shohim në piktura e skulptura. Në Ungjij ai përshkruhet si burrë i fortë dhe energjik. Në dy raste dëboi nga tempulli tregtarët me gjithë ç’kishin. (Marku 11:15-17; Gjoni 2:14-17) Një herë tjetër, kur një turmë erdhi për ta arrestuar «Jezuin, nazareasin», ai doli me guxim përpara për t’u identifikuar dhe për të mbrojtur dishepujt e tij, duke thënë pa frikë: «Unë jam. Prandaj, nëse më kërkoni mua, lërini të ikin këta.» (Gjoni 18:4-9) Kështu, nuk habitemi që Pilati, kur pa me sytë e vet guximin e Jezuit të arrestuar dhe të keqtrajtuar, pranoi se ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm e i guximshëm.—Gjoni 19:4, 5.
□ A vepron me vendosmëri e guxim kur e di ç’duhet të bësh?
Këto cilësi të rralla, si dhe të tjera, e bëjnë Jezuin modelin e përsosur për t’u imituar. Nëse lejojmë që sjellja e tij të ndikojë te ne, do të jemi njerëz më të mirë e më të lumtur. Për këtë arsye edhe apostulli Pjetër i nxit të krishterët të ndjekin me kujdes gjurmët e Jezuit. A përpiqesh edhe ti të ndjekësh sa më me kujdes gjurmët e tij?
Më shumë se një model
Megjithatë, Jezui ishte shumë më tepër se një model për t’u imituar. Ai tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Ai jo vetëm u mësoi njerëzve të vërtetën për Perëndinë, duke u dhënë mundësi që t’i afroheshin, por edhe bëri të mundur që besimtarët të fitonin jetën.—Gjoni 3:16.
Në lidhje me këtë të fundit, Jezui tha: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz.» (Mateu 20:28) Duke ofruar jetën e tij si flijim, Jezui vuri gurin e themelit për njerëzit që të gëzonin jetën e përhershme. Atëherë, çfarë duhet të bëjmë ne personalisht që të përfitojmë nga kjo masë? Jezui shpjegoi: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.
Po, që të fitosh jetën e përhershme, duhet të marrësh njohuri për Jezuin, të imitosh mënyrën e tij të jetesës dhe të tregosh besim te vdekja e tij flijuese. Të nxitim që të studiosh burimin e kësaj njohurie, Biblën, dhe të përpiqesh të zbatosh gjërat që thuhen aty, ashtu siç bëri edhe Jezui.b
Jeta model e Jezuit na mëson se ç’lloj njerëzish duhet të jemi. Vdekja e tij flijuese mund të na çlirojë nga mëkati dhe nga paga e tij, vdekja. (Romakëve 6:23) Sa e trishtueshme do të ishte gjendja jonë pa ndikimin e fuqishëm të Jezu Krishtit! Mos lejo që shqetësimet dhe ankthet e jetës të të heqin mundësinë për të shqyrtuar dhe për të ndjekur me kujdes shembullin e njeriut më të madh që ka jetuar ndonjëherë—Jezu Krishtit.
[Shënimet]
a Ka të ngjarë që Saloma, nëna e Gjonit, dhe Maria, nëna e Jezuit, të kenë qenë motra. Krahaso Mateun 27:55, 56 me Markun 15:40 dhe Gjonin 19:25.
b Për një përshkrim të hollësishëm të jetës së Jezuit në tokë, shih librin Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia dhe figurat në faqen 7]
◼ Jezui nuk mbante anë dhe tregonte respekt për të gjithë
◼ Jezui ishte mik i vërtetë, madje deri në vdekje
◼ Ai ishte i guximshëm
A përpiqesh të ndjekësh sa më me kujdes gjurmët e Jezuit?
[Figurat në faqen 5]
Jezui ishte i ekuilibruar . . .
kuptonte ndjenjat e të tjerëve . . .
ishte i dhembshur