Sipas Markut
10 Që andej, Jezui u ngrit dhe vajti në kufijtë e Judesë, matanë Jordanit. Turmat u mblodhën përsëri pranë tij dhe, siç e kishte zakon, ai filloi t’i mësonte.+ 2 Farisenjtë iu afruan dhe, për ta vënë në provë, filluan ta pyetnin nëse ishte e ligjshme që burri ta divorconte gruan.+ 3 Ai iu përgjigj: «Çfarë ju urdhëroi Moisiu?» 4 Ata i thanë: «Moisiu lejoi që burri të shkruante një certifikatë divorci e ta përzinte.»+ 5 Por Jezui ua ktheu: «Ai e shkroi këtë urdhërim ngaqë jeni zemërgur.+ 6 Megjithatë, që nga fillimi i krijimit ‘Ai i bëri ata mashkull dhe femër.+ 7 Për këtë arsye, burri do të lërë babanë e nënën,+ 8 dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’+ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. 9 Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»+ 10 Kur ishin prapë në shtëpi, dishepujt nisën ta pyetnin për këtë. 11 Ai u tha: «Kushdo që e divorcon gruan dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje*+ ndaj saj. 12 Edhe gruaja, nëse martohet me një tjetër, pasi e divorcon burrin, kryen kurorëshkelje.»+
13 Njerëzit filluan t’i sillnin fëmijët e vegjël që ai të vinte duart mbi ta,* por dishepujt i qortuan.+ 14 Sa i pa, Jezui u indinjua dhe u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos u mundoni t’i ndalni, sepse Mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si këta.+ 15 Vërtet po ju them: kushdo që nuk e pranon Mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë kurrsesi në të.»+ 16 Pastaj i mori në krahë fëmijët dhe filloi t’i bekonte duke vënë duart mbi ta.*+
17 Ndërsa po bëhej gati të ikte, dikush erdhi me vrap, i ra në gjunjë dhe e pyeti: «Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?»+ 18 Jezui i tha: «Pse më quan ‘i mirë’? Askush nuk është i mirë përveç njërit, Perëndisë.+ 19 Ti i njeh urdhërimet: ‘Mos vrit,+ mos kryej kurorëshkelje,+ mos vidh,+ mos jep dëshmi të rreme,+ mos e zhvat tjetrin,+ ndero babanë dhe nënën tënde.’»+ 20 Ky i tha: «Mësues, të gjitha këto i zbatoj, e madje që nga fëmijëria.» 21 Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të dhe vazhdoi: «Vetëm një gjë të mungon: shko, shit gjithçka që ke dhe jepua paratë të varfërve, e atëherë do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e bëhu dishepulli* im.»+ 22 Por ai u mërzit nga këto fjalë dhe iku i trishtuar, sepse kishte shumë zotërime.+
23 Pasi hodhi sytë përreth, Jezui u tha dishepujve: «Sa e vështirë do të jetë për ata që kanë pará, të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë!»+ 24 Por dishepujt u befasuan nga këto fjalë. Prandaj Jezui u tha përsëri: «Sa e vështirë është, o fëmijë të vegjël, të hysh në Mbretërinë e Perëndisë! 25 Është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër një vrimë gjilpëre, sesa një i pasur të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë.»+ 26 Ata u çuditën edhe më shumë dhe i thanë atij:* «Atëherë kush mund të shpëtojë?»+ 27 Jezui i pa drejt e në sy e u tha: «Me njerëzit kjo është e pamundur, por me Perëndinë nuk është kështu, sepse me Perëndinë gjithçka është e mundur.»+ 28 Pjetri filloi t’i thoshte: «Ja, ne lamë gjithçka dhe të ndoqëm.»+ 29 Jezui iu përgjigj: «Vërtet po ju them: nuk ka njeri që të ketë lënë shtëpi, vëllezër, motra, nënë, baba, fëmijë ose toka për hirin tim dhe për hir të lajmit të mirë,+ 30 e të mos marrë tani, në këtë kohë, 100-fish—shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë dhe toka, bashkë me përndjekje+—dhe në sistemin* që po vjen, jetën e përhershme. 31 Por shumë që janë të parët do të jenë të fundit, dhe të fundit do të jenë të parët.»+
32 Ndërsa ishin rrugës, Jezui po shkonte përpara tyre drejt Jerusalemit, ja pse dishepujt ishin të çuditur, kurse të tjerët që po udhëtonin pas tyre, i zuri frika. Ai i mori të Dymbëdhjetët edhe një herë mënjanë dhe nisi t’u thoshte përsëri ç’do t’i ndodhte pas pak:+ 33 «Ja, ne po ngjitemi në Jerusalem dhe Birin e njeriut do ta dorëzojnë në dorë të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje dhe do t’ua dorëzojnë njerëzve të kombeve,* 34 që do ta tallin, do ta pështyjnë, do ta fshikullojnë e do ta vrasin, por pas tri ditësh ai do të ngrihet nga të vdekurit.»+
35 Jakovi dhe Gjoni, bijtë e Zebedeut,+ iu afruan dhe i thanë: «Mësues, duam që të bësh diçka për ne.»+ 36 Ai i pyeti: «Çfarë doni të bëj për ju?» 37 Ata iu përgjigjën: «Na lejo të ulemi njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde kur të marrësh lavdi.»+ 38 Por Jezui ua ktheu: «Ju nuk e dini çfarë po kërkoni. A mund ta pini kupën që po pi unë ose të pagëzoheni me pagëzimin që po pagëzohem unë?»+ 39 Ata i thanë: «Po, mundemi.» Atëherë Jezui u tha: «Kupën që po pi unë, do ta pini, edhe me pagëzimin që po pagëzohem unë, do të pagëzoheni.+ 40 Megjithatë nuk më takon mua t’ju ul në të djathtën a në të majtën time. Ai vend u takon atyre që ua ka bërë gati Ati im.»
41 Kur dëgjuan për këtë, dhjetë të tjerët u indinjuan me Jakovin dhe Gjonin.+ 42 Por Jezui i thirri pranë dhe u tha: «Ju e dini se ata që konsiderohen si sundimtarë të kombeve, sillen si zotër me to dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë autoritet mbi kombet.+ 43 Mirëpo mes jush nuk duhet të jetë kështu. Kushdo që dëshiron të bëhet i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juaj,+ 44 dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari ndër ju, të jetë skllavi i të gjithëve, 45 sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë+ dhe të japë jetën* e vet si shpërblesë për shumë njerëz.»+
46 Kështu arritën në Jeriko. Më pas, kur ai, dishepujt dhe një turmë mjaft e madhe po dilnin nga Jerikoja, buzë rrugës ishte ulur një lypës i verbër, Bartimeu (i biri i Timeut).+ 47 Sa dëgjoi se ishte Jezui, nazareasi, ai filloi të thërriste: «Jezu, Bir i Davidit,+ ki mëshirë për mua!»+ 48 Por shumë e urdhëruan rreptësisht të mos fliste, kurse ai thërriste edhe më fort: «Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!» 49 Atëherë Jezui u ndal dhe tha: «Thuajini të vijë këtu.» Ata e thirrën të verbrin dhe i thanë: «Merr zemër! Ngrihu, ai po të kërkon.» 50 Ai hodhi tej mantelin e vet, u ngrit vrik në këmbë dhe shkoi te Jezui. 51 Jezui e pyeti: «Çfarë do që të bëj për ty?» I verbri iu përgjigj: «Rabóni,* të më kthehet shikimi.» 52 Prandaj Jezui i tha: «Shko, besimi yt të shëroi.»+ Menjëherë atij iu kthye shikimi+ dhe filloi ta ndiqte rrugës.