Libri biblik numër 12—2 Mbretërve
Shkrimtari: Jeremia
Vendi ku u shkrua: Jerusalem dhe Egjipt
Shkrimi përfundoi: 580 p.e.s.
Periudha përkatëse: rr. 920 p.e.s.–580 p.e.s.
1. Cilat ngjarje tregohen te 2 Mbretërve dhe çfarë shfajësuan ato?
LIBRI i dytë i Mbretërve vazhdon të gjurmojë historinë e trazuar të mbretërive të Izraelit e të Judës. Eliseu mori mantelin e Elijas dhe u bekua me dy pjesë të frymës së Elijas, duke kryer 16 mrekulli, në krahasim me 8 që kreu Elija. Ai vazhdoi të shpallte dënime për Izraelin apostat, ku vetëm Jehu shfaqi një shkreptimë të shkurtër zelli për Jehovain. Mbretërit e Izraelit u zhytën gjithnjë e më shumë në ligësi, derisa, më në fund, mbretëria veriore u shkërmoq para Asirisë në vitin 740 p.e.s. Në mbretërinë jugore të Judës, pak mbretër të spikatur, sidomos Jehozafati, Jehoasi, Hezekia dhe Josia, e zmbrapsën për njëfarë kohe valën e apostazisë, por përfundimisht Nabukodonosori ekzekutoi gjykimin e Jehovait dhe shkatërroi Jerusalemin, tempullin e tij dhe vendin e Judës në vitin 607 p.e.s. Kështu, profecitë e Jehovait u përmbushën dhe fjala e tij u shfajësua!
2. Ç’mund të themi për shkrimtarin e 2 Mbretërve, për faktin që ai është libër kanunor, dhe cilën periudhë mbulon?
2 Meqë 2 Mbretërve ishte fillimisht pjesë e së njëjtës rrotull me 1 Mbretërve, ato që janë thënë tashmë në lidhje me Jereminë si shkrimtar i librit, vlejnë edhe për këtë libër, e po kështu edhe provat që dëshmojnë se libri është pjesë e kanunit biblik dhe autentik. Ai përfundoi rreth vitit 580 p.e.s., dhe mbulon një periudhë që nis me mbretërimin e Ahaziahut në Izrael rreth vitit 920 p.e.s., dhe mbaron në vitin e 37-të të mërgimit të Jehojakinit, pra në vitin 580 p.e.s.—1:1; 25:27.
3. Cilat gjetje të spikatshme arkeologjike mbështetin librin e 2 Mbretërve?
3 Gjetjet arkeologjike që mbështetin tregimin e 2 Mbretërve, japin dëshmi të mëtejshme për vërtetësinë e tij. Një shembull i famshëm është Guri i Moabit, mbishkrimi i të cilit pasqyron versionin e mbretit moabit Mesha për luftën mes Moabit dhe Izraelit. (3:4, 5) Ose, obelisku prej guri gëlqeror të zi i mbretit asirian Shalmaneseri III, ku përmendet me emër mbreti izraelit Jehu, dhe që tani gjendet tani në Muzeun Britanik në Londër. Ekzistojnë edhe mbishkrimet e mbretit asirian Tiglath-Pileseri III (Puli), në të cilat përmenden disa mbretër të Izraelit e të Judës, përfshirë Menahemin, Akazin dhe Pekahun.—15:19, 20; 16:5-8.a
4. Ç’gjë provon se 2 Mbretërve është pjesë thelbësore e Shkrimeve?
4 Një provë e qartë e autenticitetit të librit është edhe çiltërsia e jashtëzakonshme me të cilën ai përshkruan ekzekutimin e gjykimit të Jehovait mbi popullin e vet. Shkatërrimi i plotë së pari i mbretërisë së Izraelit, dhe pastaj i mbretërisë së Judës, na bën të kuptojmë forcën shprehëse të gjykimit profetik të Jehovait, që gjendet te Ligji i përtërirë 28:15-29:28. Kur u shkatërruan këto mbretëri, «Jehovait iu ndez zemërimi kundër atij vendi dhe solli mbi të tërë mallkimet e shkruara në këtë libër». (Ligj. 29:27; 2 Mbret. 17:18; 25:1, 9-11) Ngjarje të tjera për të cilat flitet te 2 Mbretërve, janë qartësuar në libra të tjerë të Shkrimeve. Te Luka 4:24-27, pasi përmend Elijan dhe vejushën nga Zarefati, Jezui flet për Eliseun dhe Naamanin, dhe tregon se përse ai nuk u pranua si profet në vendin e vet. Kështu, që të dy këta libra, 1 Mbretërve dhe 2 Mbretërve, janë konsideruar si pjesë thelbësore e Shkrimeve të Shenjta.
PËRMBAJTJA E 2 MBRETËRVE
5. Ç’qortim dhe dënim shpall Elija për Ahaziahun dhe përse?
5 Ahaziahu, mbret i Izraelit (1:1-18). Ky bir i Akabit, rrëzohet në shtëpinë e vet dhe vritet keq. Prandaj, nis lajmëtarë që të pyesë Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit, nëse do ta marrë veten. Elija i kap rrugës lajmëtarët dhe i kthen te mbreti, të cilin e qorton ngaqë nuk ka pyetur Perëndinë e vërtetë dhe i thotë që, përderisa nuk i ishte drejtuar Perëndisë së Izraelit, do të vdesë patjetër. Kur mbreti dërgon kreun e një pesëdhjetësheje bashkë me burrat e tij që të kapë Elijan e ta sjellë para mbretit, Elija bën të zbresë nga qielli zjarr që i përpin. Njësoj ndodh edhe me kreun e një tjetër pesëdhjetësheje e me burrat e tij. Mbreti dërgon edhe 50 burra të tjerë, bashkë me kreun e tyre, dhe kësaj here Elija ua kursen jetën falë kërkesës me respekt të kreut të tyre. Elija shkon bashkë me ta te mbreti dhe shpall përsëri dënimin me vdekje për Ahaziahun. Mbreti vdes pikërisht ashtu si kishte thënë Elija. Jehorami, vëllai i Ahaziahut, bëhet mbret i Izraelit, pasi Ahaziahu nuk ka asnjë djalë që t’i zërë vendin.
6. Në cilat rrethana Elija ndahet nga Eliseu dhe si bëhet shumë shpejt e dukshme se «fryma e Elijas» kishte kaluar tek Eliseu?
6 Eliseu zë vendin e Elijas (2:1-25). Ka ardhur koha që Elija të merret. Eliseu nuk i ndahet në udhëtimin që ai bën nga Gilgali në Bethel, në Jeriko, e së fundi përtej Jordanit. Elija i ndan ujërat e Jordanit duke i rrahur me veshjen e vet zyrtare. Eliseu sheh një karrocë lufte të zjarrtë dhe kuaj të zjarrtë që qëndrojnë mes tij dhe Elijas. Me anë të një stuhie Elija ngjitet lart, kurse Eliseu, sipas premtimit, merr dy pjesë të frymës së Elijas. Menjëherë bëhet e qartë se «fryma e Elijas» kishte kaluar tek ai. (2:15) Ai merr veshjen e Elijas që kishte rënë dhe e përdor që të ndajë përsëri ujërat. Më pas, bën të shëndetshëm ujin e keq të Jerikosë. Udhës për në Bethel, ca djem të vegjël nisin ta qesëndisin: «Ngjitu, o tullac! Ngjitu, o tullac!» (2:23) Eliseu i thërret Jehovait dhe nga pylli dalin dy arusha që vrasin 42 rrugaçë të vegjël.
7. Pse e shpëton Jehovai Jehozafatin dhe Jehoramin?
7 Jehorami, mbret i Izraelit (3:1-27). Ky mbret vazhdon të bëjë atë që është e keqe në sytë e Jehovait dhe vazhdon udhën e mëkateve të Jeroboamit. Për ca kohë, mbreti i Moabit i kishte paguar haraç Izraelit, por tani ai rebelohet. Jehorami ngrihet të luftojë kundër Moabit dhe në ndihmë të tij vjen Jehozafati, mbreti i Judës, dhe mbreti i Edomit. Rrugës për në betejë, ushtritë e tyre përshkojnë një terren pa ujë dhe gati sa nuk marrin fund. Tre mbretërit zbresin tek Eliseu që të pyesin Jehovain, Perëndinë e tij. Për hir të Jehozafatit besnik, Jehovai i shpëton dhe u jep fitoren mbi Moabin.
8. Ç’mrekulli të tjera kryen Eliseu?
8 Mrekulli të tjera të Eliseut (4:1–8:15). Meqë huadhënësit kanë ardhur t’ia marrin dy djemtë si skllevër, e veja e njërit prej bijve të profetëve, shkon t’i kërkojë ndihmë Eliseut. Me anë të një mrekullie, ai shumon atë pak vaj që gruaja kishte në shtëpi. Ajo e shet e kështu arrin të paguajë borxhet. Një grua shunamite e ka kuptuar se Eliseu është profet i Perëndisë së vërtetë, prandaj, bashkë me të shoqin, bëjnë një dhomë që ai ta përdorë sa herë që vjen në Shunem. Falë mirëdashjes së saj, Jehovai e bekon me një djalë. Disa vjet më vonë, djali sëmuret e vdes. Gruaja kërkon menjëherë Eliseun. Ai shkon bashkë me të në shtëpinë e saj dhe, falë fuqisë së Jehovait, e sjell djalin në jetë. Kur kthehet te bijtë e profetëve në Gilgal, me anë të një mrekullie, Elija heq ‘vdekjen që ishte në kazan’ dhe i bën të padëmshëm kungujt helmues. Më pas ai ushqen njëqind burra me 20 bukë elbi, madje edhe ‘tepron’.—4:40, 44.
9. Ç’mrekulli ndodhin në rastin e Naamanit dhe kokës së sëpatës?
9 Kreu i ushtrisë siriane, Naamani, është i lebrosur. Një robinjë e vogël izraelite i thotë gruas së Naamanit se në Samari është një profet që mund ta shërojë. Naamani merr udhën për tek Eliseu, mirëpo, në vend që ta takonte personalisht, Eliseu vetëm i çon fjalë që të shkojë e të lahet shtatë herë në lumin Jordan. Naamani indinjohet nga ajo që duket si mungesë respekti. A nuk janë lumenjtë e Damaskut më të mirë se ujërat e Izraelit? Megjithatë, shoqëruesit arrijnë t’ia mbushin mendjen që t’i bindet Eliseut e kështu shërohet. Eliseu s’pranon të marrë dhurata, kurse shërbëtori i tij, Gehazi, vrapon pas Naamanit dhe i kërkon një dhuratë në emër të Eliseut. Kur kthehet e përpiqet të mashtrojë Eliseun, Gehazin e mbulon lebra. Eliseu kryen një mrekulli tjetër kur bën që një kokë sëpate të dalë mbi ujë.
10. Si shfaqet epërsia e forcave të Jehovait dhe si i spraps Eliseu sirianët?
10 Eliseu paralajmëron mbretin e Izraelit për një komplot të sirianëve për ta vrarë, prandaj mbreti i Sirisë dërgon forca ushtarake në Dotan që të kapin Eliseun. Tek sheh qytetin e rrethuar nga ushtritë siriane, shërbëtorin e Eliseut e zë frika. Mirëpo Eliseu i jep zemër: «Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më shumë se ata që janë me ta.» Pastaj i lutet Jehovait që ta lërë shërbëtorin të shohë forcat e mëdha që janë me Eliseun. ‘Ja, rajoni malor është plot me kuaj dhe karroca të zjarrta lufte rreth e qark Eliseut.’ (6:16, 17) Kur sirianët sulmojnë, profeti i lutet përsëri Jehovait që u verbon mendjet. Eliseu i çon para mbretit të Izraelit, por në vend që t’i vrasin, ai i thotë mbretit që t’u japë për të ngrënë e t’i kthejë në vendin e tyre.
11. Si përmbushen profecitë e Eliseut për sirianët dhe Ben-Hadadin?
11 Më vonë, Ben-Hadadi, mbreti i Sirisë, rrethon Samarinë dhe në vend pllakos një zi buke e madhe. Mbreti i Izraelit fajëson për këtë Eliseun, mirëpo profeti parathotë se të nesërmen do të kenë ushqim me bollëk. Natën, Jehovai bën që sirianët të dëgjojnë zhurmën e një ushtrie të madhe, prandaj ia mbathin dhe lënë në dorë të izraelitëve gjithë ç’kishin. Pas ca kohësh, Ben-Hadadi sëmuret. Kur dëgjon se në Damask ndodhet Eliseu, mbreti dërgon njerëz që ta pyesin nëse do të shërohet. Përgjigjja e Eliseut tregon se mbreti do të vdesë dhe në vendin e tij do të mbretërojë Hazaeli. Hazaeli e merr vete në dorë këtë punë duke vrarë mbretin e duke marrë mbretërinë.
12. Ç’mbret është Jehorami, biri i Jehozafatit?
12 Jehorami, mbreti i Judës (8:16-29). Ndërkohë, në Judë mbretëron Jehorami, biri i Jehozafatit. Ai nuk është më i mirë se mbretërit e Izraelit dhe bën atë që është e keqe në sytë e Jehovait. Ai ka marrë për grua bijën e Akabit, Atalinë, dhe vëllai i saj, që quhet po ashtu Jehoram, mbretëron në Izrael. Kur Jehorami i Judës vdes, mbret i Jerusalemit bëhet i biri, Ahaziahu.
13. Ç’fushatë të rrufeshme ndërmerr Jehu pasi miroset?
13 Jehu, mbreti i Izraelit (9:1–10:36). Eliseu dërgon një nga bijtë e profetëve që të mirosë Jehun si mbret të Izraelit dhe i ngarkon detyrën që të shkatërrojë gjithë shtëpinë e Akabit. Jehu nuk humbet kohë. Ai niset për te Jehorami, mbreti i Izraelit, që ndodhet në Jezreel për të marrë veten nga plagët e luftës. Roja sheh një mori njerëzish që po vijnë, prandaj njofton mbretin: «Mënyra se si kalorësi e nget karrocën, ngjan me atë të Jehut, nipit të Nimshit, sepse e nget si i çmendur.» (9:20) Jehorami i Izraelit dhe Ahaziahu i Judës pyesin se me ç’qëllime po vjen Jehu. Jehu përgjigjet: «Ç’paqe mund të ketë përderisa vazhdojnë kurvëritë e Jezebelës, nënës sate, dhe shtrigëritë e saj të shumta?» (9:22) Jehorami përpiqet t’ia mbathë, por Jehu i lëshon një shigjetë mu në zemër. Trupi i tij bie atje, në fushën e Nabotit, si një shpagim tjetër për gjakun e pafajshëm që ka derdhur Akabi. Më pas, Jehu dhe njerëzit e tij vihen në ndjekje të Ahaziahut dhe e vrasin në Megido. Dy mbretër vdesin në fushatën e parë të rrufeshme të Jehut.
14. Si përmbushet profecia e Elijas për Jezebelën?
14 Tani e ka radhën Jezebela! Jehu triumfues i drejton kuajt për në Jezreel, ku i shfaqet në dritare Jezebela e lyer në mënyrë tepër joshëse. Mirëpo Jehut s’i bën asnjë përshtypje. «Hidheni poshtë!»—u thotë ai disa shërbëtorëve. Atë e hedhin poshtë dhe gjaku i saj spërkat muret dhe kuajt që e shkelin me këmbë. Kur shkojnë ta marrin që ta varrosin, gjejnë vetëm kafkën, këmbët dhe pëllëmbët e duarve. Kështu përmbushet profecia e Elijas: ‘Do ta hanë qentë dhe do të përfundojë si pleh në pjesën e tokës së Jezreelit.’—2 Mbret. 9:33, 36, 37; 1 Mbret. 21:23.
15. Cilët takon Jehu rrugës për në Samari dhe si ndryshojnë nga njëri-tjetri këto takime?
15 Më pas, Jehu urdhëron vrasjen e 70 bijve të Akabit, dhe kokat e tyre i vendos stivë te porta e Jezreelit. Gjithë puthadorët e Akabit në Jezreel vriten. Tani, përpara, drejt kryeqytetit të Izraelit, Samarisë! Rrugës ai takon 42 vëllezërit e Ahaziahut që po udhëtojnë për në Jezreel dhe s’dinë gjë fare se ç’po ndodh. Ata i kapin dhe i vrasin. Por tani dikush tjetër u del përpara. Jehonadabi, biri i Rekabit, del që të takojë Jehun. Jehu e pyet: «A je me gjithë zemër me mua, ashtu si jam unë me ty?» Jehonadabi ia kthen: «Po, jam.» Atëherë Jehu e merr me vete në karrocën e tij, që Jehonadabi të shohë me sytë e vet se Jehu ‘nuk lejon asgjë që të matet me Jehovain’.—2 Mbret. 10:15, 16.
16. Sa rrënjësor është veprimi i Jehut kundër shtëpisë së Akabit dhe Baalit?
16 Kur mbërrin në Samari, Jehu shfaros gjithë ç’kishte mbetur nga Akabi, ashtu si kishte thënë Jehovai nëpërmjet Elijas. (1 Mbret. 21:21, 22) Por, ç’ndodhi me fenë e pështirë të Baalit? Jehu shpall: «Akabi e adhuroi pak Baalin, por Jehu do ta adhurojë edhe më shumë.» (2 Mbret. 10:18) Ai thërret në tempullin e Baalit gjithë këta adhurues demonësh, i vesh me rroba që të dallohen dhe sigurohet që mes tyre të mos ketë asnjë adhurues të Jehovait. Pastaj, urdhëron njerëzit e tij që të futen e t’i vrasin të gjithë dhe të mos u shpëtojë kush. Tempullin e Baalit e shembin dhe atë vend e kthejnë në nevojtore, që mbetet e tillë deri në ditët e Jeremisë. ‘Kështu Jehu e shfaros Baalin nga Izraeli.’—10:28.
17. Ku dështon Jehu dhe si fillon Jehovai të ndëshkojë Izraelin?
17 Mjerisht, edhe vetë Jehu i zellshëm dështon. Ku? Ai vazhdon të ndjekë viçat e artë që ndërtoi Jeroboami në Bethel e Dan. Ai ‘nuk tregon kujdes që të ecë me gjithë zemër në ligjin e Jehovait, Perëndisë së Izraelit’. (10:31) Megjithatë, për hir të asaj që ka bërë kundër shtëpisë së Akabit, Jehovai premton se pasardhësit e tij do të mbretërojnë në Izrael deri në brezin e katërt. Në ditët e Jehut, Jehovai nis të shfarosë pjesën lindore të mbretërisë dhe sjell kundër Izraelit mbretin e Sirisë, Hazaelin. Pasi mbretëron për 28 vjet, Jehu vdes dhe vendin e tij e zë i biri, Jehoahazi.
18. Në ç’mënyrë ndalet komploti i Atalisë në Judë dhe ç’vlen të përmendet në lidhje me mbretërimin e Jehoasit?
18 Jehoasi, mbret i Judës (11:1–12:21). Mbretëresha-mëmë, Atalia, është bijë e së ëmës, Jezebelës, nga gjaku e nga fryma. Kur dëgjon për vdekjen e të birit, Ahaziahut, ajo jep urdhër të ekzekutohet gjithë familja mbretërore dhe uzurpon fronin. Nga vdekja shpëton vetëm Jehoasi, djali foshnjë i Ahaziahut, të cilin e fshehin. Vitin e shtatë të mbretërimit të Atalisë, prifti Jehojada miros Jehoasin si mbret dhe ekzekuton Atalinë. Jehojada drejton popullin në adhurimin e Jehovait, udhëzon mbretin e ri për detyrat që ka ndaj Jehovait dhe merr masa që të meremetojnë shtëpinë e Jehovait. Jehoasi spraps një sulm të Hazaelit, mbretit të Sirisë duke i bërë disa dhurata. Pasi sundon për 40 vjet në Jerusalem, Jehoasi vritet nga shërbëtorët e vet dhe Amaziahu, i biri, nis të mbretërojë në vend të tij.
19. (a) Cili adhurim i rremë vazhdon gjatë mbretërimit të Jehoahazit dhe Jehoasit në Izrael? (b) Si e përfundon Eliseu rrugën e tij si profet i Jehovait?
19 Jehoahazi dhe Jehoasi, mbretër të Izraelit (13:1-25). I biri i Jehut, Jehoahazi, vazhdon të adhurojë idhujt, prandaj Izraeli bie nën sundimin e Sirisë, edhe pse Jehoahazi mbetet në fron. Me kalimin e kohës, Jehovai i çliron izraelitët, por ata vazhdojnë adhurimin e viçit të vendosur nga Jeroboami. Kur Jehoahazi vdes, i biri, Jehoasi, merr vendin e tij si mbret i Izraelit, ndërkohë që Jehoasi tjetër vazhdon të mbretërojë në Judë. Jehoasi i Izraelit vazhdon të adhurojë idhujt njësoj si i ati. Kur ai vdes, në vend të tij mbretëron i biri, Jeroboami. Gjatë mbretërimit të Jehoasit, Eliseu sëmuret dhe vdes pasi bën edhe profecinë e fundit që thotë se Jehoasi do të mundë Sirinë tri herë, dhe kjo përmbushet plotësisht. Mrekullia e fundit që lidhet me Eliseun, ndodh pasi ai ka vdekur, kur një njeri të vdekur e hedhin në varrin e tij dhe ngjallet sapo prek shtrat e Eliseut.
20. Përshkruaj mbretërimin e Amaziahut në Judë.
20 Amaziahu, mbret i Judës (14:1-22). Amaziahu bën atë që është e drejtë në sytë e Jehovait, mirëpo nuk shkatërron vendet e larta që përdoreshin në adhurim. Ai mundet në një betejë nga Jehoasi i Izraelit. Pasi mbretëron për 29 vjet, atë e vrasin me anë të një komploti. Në vend të tij bëhet mbret Azariahu, i biri.
21. Ç’ndodh në Izrael gjatë mbretërimit të Jeroboamit II?
21 Jeroboami II, mbret i Izraelit (14:23-29). Edhe Jeroboami tjetër, që bëhet mbret i Izraelit, vazhdon adhurimin e rremë që vendosi paraardhësi i tij. Ai mbretëron në Samari për 41 vjet dhe ia del mbanë të rimarrë territoret e humbura të Izraelit. Pas tij, në fron hipën i biri, Zakaria.
22. Ç’tregohet për mbretërimin e Azariahut në Judë?
22 Azariahu (Uziahu), mbret i Judës (15:1-7). Azariahu sundon për 52 vjet. Ai është i drejtë në sy të Jehovait, por nuk arrin të shkatërrojë vendet e larta. Më vonë, Jehovai e godet me lebër dhe Jotami, i biri, kujdeset për detyrat mbretërore dhe bëhet mbret pas vdekjes së Azariahut.
23. Ç’të këqija bien mbi Izraelin teksa shtohet edhe kërcënimi asirian?
23 Zakaria, Shalumi, Menahemi, Pekahia dhe Pekahu, mbretër të Izraelit (15:8-31). Ashtu si kishte premtuar Jehovai, froni i Izraelit i mbetet shtëpisë së Jehut deri në brezin e katërt, kur mbretëron Zakaria. (10:30) Në përputhje me këtë premtim, ai bëhet mbret në Samari, mirëpo gjashtë muaj më vonë një vrasës i merr jetën. Shalumi, që uzurpon fronin, mbretëron vetëm për një muaj. Adhurimi i rremë, vrasjet dhe intrigat godasin Izraelin, teksa Menahemi, Pekahia dhe Pekahu zënë njëri pas tjetrit fronin e mbretërisë. Gjatë mbretërimit të Pekahut, Asiria e shtrëngon vendin si me një darë të hekurt. Hoshea vret Pekahun, dhe bëhet mbreti i fundit i Izraelit.
24. Pas vdekjes së Jotamit, si mëkaton për sa i përket adhurimit Akazi i Judës?
24 Jotami dhe Akazi, mbretër të Judës (15:32–16:20). Jotami praktikon adhurimin e pastër, por lejon edhe vendet e larta. Akazi, i biri, imiton mbretërit fqinj të Izraelit dhe praktikon atë që është e keqe në sytë e Jehovait. Kur gjendet nën sulmin e mbretërve të Izraelit e të Sirisë, ai thërret për ndihmë mbretin e Asirisë. Asirianët i vijnë në ndihmë dhe pushtojnë Damaskun, kurse Akazi shkon atje që të takojë mbretin e Asirisë. Akazi sheh atje altarin e adhurimit dhe urdhëron që të ndërtohet një i ngjashëm në Jerusalem sipas atij modeli. Kështu, ai nis të paraqesë flijime mbi të dhe jo mbi altarin prej bakri në tempullin e Jerusalemit. Vendin e tij si mbret i Judës e zë i biri, Hezekia.
25. Si përfundon Izraeli në robëri dhe përse?
25 Hoshea, mbreti i fundit i Izraelit (17:1-41). Izraeli gjendet tanimë nën sundimin e Asirisë. Hoshea rebelohet dhe kërkon ndihmën e Egjiptit. Megjithatë, vitin e nëntë të mbretërimit të tij, Izraeli pushtohet nga Asiria dhe mbreti merret rob. Në këtë mënyrë merr fund mbretëria dhjetëfisëshe e Izraelit. Përse? «Sepse bijtë e Izraelit kishin mëkatuar kundër Jehovait, Perëndisë së tyre . . . U shërbenin idhujve të pështirë, për të cilët Jehovai u kishte thënë: ‘Mos e bëni këtë gjë.’ Prandaj Jehovait iu ndez kaq shumë zemërimi kundër Izraelit, saqë i hoqi sysh.» (17:7, 12, 18) Asirianët sjellin popuj nga lindja për të banuar vendin. Ata nisin ‘t’i frikësohen Jehovait’, por ndërkohë vazhdojnë të adhurojnë edhe perënditë e veta.—17:33.
26, 27. (a) Në ç’mënyrë Hezekia i Judës bën atë që është e drejtë në sytë e Jehovait? (b) Si i përgjigjet Jehovai lutjes së Hezekisë dhe i spraps asirianët? (c) Ç’përmbushje e mëtejshme e profecisë së Isaisë ndodh?
26 Hezekia, mbret i Judës (18:1–20:21). Hezekia bën atë që është e drejtë në sytë e Jehovait, në përputhje me gjithçka që kishte bërë Davidi, paraardhësi i tij. Ai çrrënjos adhurimin e rremë, shemb vendet e larta dhe, meqë populli tanimë e ka kthyer në një objekt adhurimi, shkatërron edhe gjarprin prej bakri që kishte bërë Moisiu. Mbreti i Asirisë, Senakeribi, sulmon Judën dhe pushton shumë qytete të fortifikuara. Hezekia përpiqet ta ndalë duke pranuar të paguajë një haraç të rëndë, mirëpo Senakeribi dërgon një zyrtar të lartë me titullin e rabshakehut, i cili afrohet deri te muret e Jerusalemit, u kërkon që të dorëzohen dhe vë në lojë Jehovain në sy të të gjithë popullit. Profeti Isaia e siguron Hezekinë besnik me një mesazh gjykimi kundër Senakeribit. «Kështu thotë Jehovai: ‘Mos u frikëso.’» (19:6) Teksa Senakeribi vazhdon me kërcënimet e veta, Hezekia i lutet Jehovait: «Por tani, o Jehova, të lutem, na shpëto nga duart e tij, që tërë mbretëritë e tokës ta dinë se vetëm ti, o Jehova, je Perëndi.»—19:19.
27 A iu përgjigj Jehovai kësaj lutjeje jo egoiste? Së pari, përmes Isaisë, ai çon mesazhin se «zelli i Jehovait» do t’i sprapsë armiqtë. (19:31) Më pas, po atë natë, ai dërgon engjëllin e vet që vret 185.000 asirianë në kamp. Në mëngjes, «të gjithë ata ishin kufoma». (19:35) Senakeribi kthehet i mundur dhe banon në Ninevi. Atje, perëndia i vet, Nisroku, e lë përsëri në baltë, pasi, teksa ishte përkulur që ta adhuronte, bijtë e vet e vrasin dhe përmbushin kështu profecinë e Isaisë.—19:7, 37.
28. Për çfarë njihet Hezekia, por ku mëkato ai?
28 Hezekia sëmuret për vdekje, por Jehovai e dëgjon sërish lutjen e tij dhe ia zgjat jetën edhe 15 vjet. Mbreti i Babilonisë dërgon lajmëtarë me disa dhurata, dhe Hezekia merr guximin t’u tregojë atyre gjithë shtëpinë e tij të thesarit. Kështu, Isaia profetizon se një ditë gjithçka që ndodhet në shtëpinë e tij, do të çohet në Babiloni. Hezekia vdes, dhe mbetet i njohur për fuqinë e tij dhe për tunelin që ndërtoi për të furnizuar me ujë qytetin e Jerusalemit.
29. Ç’lloj idhujtarie vendos Manaseu, për çfarë gjëme paralajmëron Jehovai dhe ç’mëkat tjetër kryen Manaseu?
29 Manaseu, Amoni dhe Josia, mbretër të Judës (21:1–23:30). Manaseu zë vendin e të atit, Hezekisë, dhe mbretëron për 55 vjet, duke bërë në një masë të madhe atë që është e keqe në sytë e Jehovait. Ai rikthen vendet e larta të adhurimit të rremë, ngre altarë për Baalin, bën një shtyllë të shenjtë ashtu si dhe Akabi, dhe e kthen shtëpinë e Jehovait në një vend idhujtarie. Jehovai paralajmëron se do të sjellë një gjëmë mbi Jerusalemin, ashtu si kishte bërë me Samarinë, dhe se ‘do ta pastronte mirë e mirë e do ta kthente përmbys’. Përveç këtyre, Manaseu «derdhi edhe shumë gjak të pafaj». (21:13, 16) Vendin e tij e zë i biri, Amoni, i cili, për dy vjet, vazhdon të bëjë atë që është e keqe, derisa vdes nga dora e disa vrasësve.
30. Përse dhe si kthehet Josia te Jehovai me gjithë zemër?
30 Tani populli bën mbret birin e Amonit, Josinë. Gjatë mbretërimit të tij 31-vjeçar, ai e frenon për pak kohë turravrapin e Judës drejt shkatërrimit pasi ‘ecën plotësisht në gjurmët e Davidit, paraardhësit të tij’. (22:2) Ai nis të meremetojë shtëpinë e Jehovait, ku kryeprifti gjen librin e Ligjit. Në këtë libër vërtetohet se kombi do të shkatërrohet për shkak të mosbindjes ndaj Jehovait, kurse Josia sigurohet se, për shkak të besnikërisë së tij, kjo nuk do të ndodhë gjatë jetës së tij. Ai pastron shtëpinë e Jehovait dhe gjithë vendin nga adhurimi i demonëve dhe e shtrin këtë fushatë për shkatërrimin e idhujve deri në Bethel, ku shemb altarin e ngritur nga Jeroboami dhe përmbush profecinë e 1 Mbretërve 13:1, 2. Ai rivendos edhe kremtimin e Pashkës për Jehovain. «Para tij nuk ka pasur asnjë mbret që të jetë kthyer te Jehovai me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe gjithë forcë, duke vepruar sipas tërë ligjit të Moisiut.» (23:25) Gjithsesi, zemërimi i Jehovai mbetet akoma i ndezur për shkak të mëkateve të Manaseut. Josia vdes në një betejë me mbretin e Egjiptit në Megido.
31. Ç’dështime pëson Juda pas vdekjes së Josisë?
31 Jehoahazi, Jehojakimi dhe Jehojakini, mbretër të Judës (23:31–24:17). Pas një mbretërimi trevjeçar, biri i Josisë, Jehoahazi, merret rob nga mbreti i Egjiptit, dhe në vend të tij hipën në fron i vëllai, Eliakimi, të cilit ia ndryshojnë emrin në Jehojakim. Ai ndjek udhën e keqe të etërve të tij dhe i nënshtrohet Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, kundër të cilit rebelohet tre vjet më vonë. Pas vdekjes së tij, nis të mbretërojë i biri, Jehojakini. Nabukodonosori rrethon Jerusalemin, e pushton dhe i çon thesaret e shtëpisë së Jehovait në Babiloni, «ashtu si kishte thënë Jehovai». (24:13; 20:17) Jehojakini dhe mijëra nënshtetas të tij çohen në mërgim në Babiloni.
32. Cilat ngjarje dramatike çojnë deri në shkretimin e Jerusalemit dhe të krejt vendit?
32 Zedekia, mbreti i fundit i Judës (24:18–25:30). Nabukodonosori bën mbret ungjin e Jehojakinit, Mataniahun, të cilit ia ndryshon emrin në Zedekia. Ai mbretëron për 11 vjet në Jerusalem dhe vazhdon të bëjë atë që është e keqe në sytë e Jehovait. Pastaj rebelohet kundër Babilonisë, prandaj vitin e nëntë të Zedekisë, Nabukodonosori dhe tërë ushtria e tij vijnë dhe ngrenë rrethimin përgjatë gjithë murit të Jerusalemit. Pas 18 muajsh qytetin e batërdis zija e bukës. Muret çahen dhe Zedekinë e kapin, teksa përpiqet t’ia mbathë. Ia vrasin bijtë para syve, ndërsa atë vetë e verbojnë. Një muaj më pas, gjithë shtëpive kryesore të qytetit, madje edhe shtëpisë së Jehovait dhe shtëpisë së mbretit, u vihet zjarri dhe muret e qytetit shemben. Pjesën më të madhe të të mbijetuarve i çojnë në mërgim në Babiloni. Gedaliahu emërohet guvernator i atyre pak njerëzve nga shtresa e ulët që qëndrojnë nëpër fushat e Judës. Mirëpo edhe atë e vrasin, dhe njerëzit ia mbathin për në Egjipt. Kështu, që nga muaji i shtatë i vitit 607 p.e.s. vendi dergjet i shkretë në kuptimin e plotë të fjalës. Fjalët e fundit të 2 Mbretërve na tregojnë se si mbreti i Babilonisë i tregon mëshirë Jehojakinit vitin e 37-të të robërisë së tij.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
33. Çfarë shembujsh të shkëlqyer kemi në librin e 2 Mbretërve?
33 Edhe pse përshkruan rënien fatale të mbretërive të Izraelit e të Judës, libri i 2 Mbretërve është plot me shembuj të bekimeve që Jehovai ka derdhur mbi ata që treguan dashuri për të dhe për parimet e tij të drejta. Ashtu si vejusha nga Zarefati përpara saj, edhe gruaja shunamite u bekua me bollëk ngaqë i tregoi mikpritje profetit të Perëndisë. (4:8-17, 32-37) Aftësia që ka Jehovai për të siguruar gjithnjë atë që është e nevojshme, u duk kur Eliseu ushqeu njëqind burra me 20 bukë, një mrekulli e ngjashme me ato që do të kryente më vonë edhe Jezui. (2 Mbret. 4:42-44; Mat. 14:16-21; Mar. 8:1-9) Është për t’u përmendur edhe bekimi i Jonadabit që u ftua të shkonte bashkë me Jehun në karrocën e tij për të parë shkatërrimin e adhuruesve të Baalit. Përse u bekua? Sepse ndërmori veprime pozitive dhe doli për të përshëndetur Jehun e zellshëm. (2 Mbret. 10:15, 16) Së fundi, Hezekia dhe Josia janë shembuj të shkëlqyer për përulësinë dhe respektin e duhur që treguan për emrin dhe Ligjin e Jehovait. (19:14-19; 22:11-13) Këta janë shembuj të shkëlqyer për t’u ndjekur.
34. Ç’na mëson libri i 2 Mbretërve për respektin kundrejt shërbëtorëve të emëruar zyrtarisht dhe për fajin e gjakut?
34 Jehovai nuk toleron asnjë mungesë respekti kundrejt shërbëtorëve që ka emëruar zyrtarisht. Kur disa rrugaçë u tallën me profetin e Jehovait, Eliseun, Ai ua ktheu me të shpejtë. (2:23, 24) Veç kësaj, Jehovai respekton gjakun e të pafajshmëve. Gjykimi i tij ra me forcë mbi shtëpinë e Akabit jo vetëm për shkak të adhurimit të Baalit, por edhe për shkak të gjakderdhjes që e shoqëronte atë. Prandaj, Jehu u miros që të hakmerrej «ndaj Jezebelës për gjakun e gjithë shërbëtorëve të Jehovait». Kur ekzekutoi gjykimin kundër Jehoramit, Jehu u kujtoi njerëzve të tij fjalët e Jehovait që tregonin se kjo po ndodhte për shkak të ‘gjakut të Nabotit dhe gjakut të bijve të tij’. (9:7, 26) Po kështu, faji i gjakut që shkaktoi Manaseu, vulosi përfundimisht gjykimin kundër Judës. Përveç mëkatit të adhurimit të rremë, Manaseu ‘e mbushi Jerusalemin me gjak nga njëri cep në tjetrin’. Edhe pse më vonë Manaseu u pendua për rrugën e tij të keqe, faji i gjakut mbeti. (2 Kron. 33:12, 13) As mbretërimi i mirë i Josisë dhe zhdukja e idhujtarisë prej tij, nuk mundën ta shlyenin fajin e përbashkët të gjakut që trashëguan nga mbretërimi i Manaseut. Vite më vonë, kur Jehovai nisi të ngrinte ekzekutues kundër Jerusalemit, ai shpalli se, për shkak të ‘gjakut të pafaj me të cilin [Manaseu] e kishte mbushur Jerusalemin, Jehovai nuk pranoi ta falte’. (2 Mbret. 21:16; 24:4) Në mënyrë të ngjashme, Jezui tha se Jerusalemi i shekullit të parë të e.s. do të merrte fund sepse priftërinjtë e tij ishin bij të atyre që derdhën gjakun e profetëve dhe ‘që të binte mbi ta gjithë gjaku i të drejtëve, që është derdhur mbi tokë’. (Mat. 23:29-36) Perëndia po e paralajmëron botën se ai do të marrë hak për gjakun e pafajshëm që është derdhur, sidomos për gjakun ‘e atyre që janë therur, për shkak të fjalës së Perëndisë’.—Zbul. 6:9, 10.
35. (a) Si konfirmohet se Elija, Eliseu dhe Isaia janë profetë të vërtetë? (b) Në lidhje me Elijan, ç’thotë Pjetri për profecinë?
35 Libri i 2 Mbretërve tregon edhe për sigurinë e pagabueshme me të cilën Jehovai i përmbush gjykimet e veta profetike. Tre profetë të shquar janë vënë në qendër të vëmendjes: Elija, Eliseu dhe Isaia. Libri tregon se profecitë e secilit janë përmbushur në mënyrë të jashtëzakonshme. (2 Mbret. 9:36, 37; 10:10, 17; 3:14, 18, 24; 13:18, 19, 25; 19:20, 32-36; 20:16, 17; 24:13) Elija konfirmohet si një profet i vërtetë kur shfaqet në shpërfytyrimin në mal bashkë me profetin Moisi dhe me Profetin më të Madh, Jezu Krishtin. (Mat. 17:1-5) Duke folur për madhështinë e atij rasti, Pjetri tha: «Prandaj, ne e kemi fjalën profetike më të sigurt, dhe ju bëni mirë që i kushtoni vëmendje si një llambe që ndriçon në një vend të errët, në zemrat tuaja, derisa të agojë dita e të ngrihet ylli i mëngjesit.»—2 Pjet. 1:19.
36. Përse pati mëshirë Jehovai për popullin e tij dhe si thellohet besimi ynë te Mbretëria e Farës?
36 Ngjarjet e dokumentuara në librin e 2 Mbretërve tregojnë qartë se gjykimi i Jehovait kundër gjithë atyre që praktikojnë fenë e rreme dhe kundër gjithë atyre që derdhin me dashje gjak të pafajshëm, është shfarosja. Megjithatë, Jehovai i tregoi hir dhe pati mëshirë për popullin e vet «për hir të besëlidhjes së tij me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin». (2 Mbret. 13:23) E ruajti «për hir të Davidit, shërbëtorit të tij». (8:19) Po kështu, ai do t’u tregojë mëshirë atyre që sot kthehen tek ai. Teksa rishikojmë tregimet dhe premtimet e Biblës, me ç’besim të thellë e presim Mbretërinë e «birit të Davidit», Jezu Krishtit, Farës së premtuar, ku gjakderdhja dhe ligësia nuk do të ekzistojnë më!—Mat. 1:1; Isa. 2:4; Psal. 145:20.
[Shënimi]
a Të fitojmë gjykim të thellë mbi Shkrimet, vëll. 1, faqet 152, 325, anglisht; vëll. 2, faqet 908, 1101, anglisht.