Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i dytë i Psalmeve
SI SHËRBËTORË të Jehovait, e dimë që do të kemi sprova. Apostulli Pavël shkroi: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim hyjnor në unitet me Krishtin Jezu, do t’i përndjekin.» (2 Timoteut 3:12) Çfarë do të na ndihmojë të durojmë sprovat dhe përndjekjet, duke treguar kështu integritetin tonë ndaj Perëndisë?
Për këtë mund të na ndihmojë përmbledhja e dytë e psalmeve. Nga Psalmi 42 deri në Psalmin 72 na tregohet se duhet të kemi besim të plotë te Jehovai dhe të mësojmë të presim që ai të na çlirojë, nëse duam t’i përballojmë sprovat me sukses. Sa mësim i vlefshëm! Mesazhi i librit të dytë të Psalmeve, ashtu si edhe i pjesës tjetër të Fjalës së Perëndisë, është vërtet ‘i gjallë dhe ushtron fuqi’ edhe sot.—Hebrenjve 4:12.
JEHOVAI ËSHTË «STREHË DHE FORCË» PËR NE
Një levit është në mërgim. I trishtuar se nuk mund të shkojë në shenjtëroren e Jehovait për ta adhuruar, ai ngushëllon veten duke thënë: «Pse bie në dëshpërim, o shpirti im, pse je i trazuar? Prit Perëndinë.» (Psalmi 42:5, 11; 43:5) Ky varg që përsëritet disa herë lidh tri strofat e Psalmeve 42 dhe 43, që së bashku formojnë një poemë. Psalmi 44 është një lutje përgjëruese në emër të Judës, që gjendej në vështirësi, me sa duket për shkak të kërcënimit të pushtuesve asirianë në ditët e mbretit Hezekia.
Psalmi 45, një këngë për martesën e një mbreti, është profetik sepse bën fjalë për Mbretin Mesianik. Tri psalmet vijuese e përshkruajnë Jehovain si «strehë dhe forcë», «Mbret madhështor në mbarë tokën» dhe si «një kala e sigurt». (Psalmi 46:1; 47:2; 48:3) Sa bukur e tregon Psalmi 49 që askush «nuk e shpengon dot kurrsesi qoftë edhe të vëllanë»! (Psalmi 49:7) Tetë psalmet e para të përmbledhjes së dytë mbajnë emrin e djemve të Korahut. Kurse i nënti, domethënë Psalmi 50, është kompozuar nga Asafi.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
44:19—Çfarë ishte ‘vendi i çakejve’? Ndoshta psalmisti po i referohej një fushe beteje, ku të vrarët bëhen ushqim për çakejtë.
45:13, 14a—Kush është «bija e mbretit» të cilën «do ta çojnë te mbreti»? Ajo është vajza e ‘Mbretit të përjetësisë’, Perëndisë Jehova. (Zbulesa 15:3) Ajo përfaqëson kongregacionin e lavdishëm të 144.000 të krishterëve, të cilët Jehovai i birëson duke i mirosur me frymën e tij. (Romakëve 8:16) Kjo ‘bijë’ e Jehovait, ‘e përgatitur si një nuse e stolisur për burrin e saj’ do të çohet te dhëndri, Mbreti Mesianik.—Zbulesa 21:2.
45:14b, 15—Kë përfaqësojnë ‘virgjëreshat’? Ato janë ‘shumica e madhe’ e adhuruesve të vërtetë që bashkohen me mbetjen e të mirosurve dhe e mbështetin. Meqenëse «dalin nga shtrëngimi i madh» gjallë, do të jenë në tokë kur përfundimisht të kryhet në qiell martesa e Mbretit Mesianik. (Zbulesa 7:9, 13, 14) Në atë rast ata do të mbushen me «gëzim dhe hare».
45:16—Në ç’kuptim paraardhësit e mbretit do të bëhen bijtë e tij? Kur Jezui lindi në tokë, ai pati paraardhës njerëzorë. Ata do të bëhen bijtë e tij kur t’i ringjallë gjatë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar. Disa prej tyre do të emërohen si «princa në mbarë tokën».
50:2—Pse Jerusalemi quhet «përsosmëria e bukurisë»? Këtu nuk bëhet fjalë për bukurinë e tij si qytet. Jerusalemi konsiderohej i bukur për rolin dhe madhështinë që i kishte dhënë Jehovai duke e caktuar si vendin e tempullit të vet dhe kryeqytetin e mbretërve të tij të mirosur.
Mësime për ne:
42:1-3. Ashtu si një drenushë dëshiron ujin në një zonë të thatë, ashtu digjej edhe leviti nga dëshira për Jehovain. Shqetësimi i tij, ngaqë nuk mund ta adhuronte Jehovain në shenjtëroren e Tij, ishte aq i madh, sa ‘lotët iu bënë ushqim ditë e natë’, pra nuk i hahej fare. A nuk duhet të rritim çmueshmërinë për adhurimin e Jehovait bashkë me të krishterët e tjerë?
42:4, 5, 11; 43:3-5. Nëse përkohësisht jemi larg kongregacionit të krishterë, për ndonjë arsye që nuk varet nga ne, momentet e bukura që kemi kaluar atje në të kaluarën do të na japin forcë. Megjithëse kjo mund të na e shtojë në fillim ndjenjën e vetmisë, do të na kujtojë edhe se Perëndia është streha jonë e se duhet të presim që ai të na çlirojë.
46:1-3. Pavarësisht nga fatkeqësitë që mund të na bien, duhet të kemi besim të patundur se «Perëndia është strehë dhe forcë për ne».
50:16-19. Çdokush që ka një të folur mashtrues dhe praktikon gjëra të poshtra nuk ka të drejtë të përfaqësojë Perëndinë.
50:20. Në vend që të vëmë tellallin për gabimet e të tjerëve, duhet t’i anashkalojmë ato.—Kolosianëve 3:13.
«O SHPIRTI IM, PRIT NË HESHTJE VEÇ PERËNDINË»
Ky grup i psalmeve fillon me lutjen nga zemra që bëri Davidi pasi kishte mëkatuar me Betshebën. Psalmet 52 deri 57 tregojnë se Jehovai do t’i çlirojë ata që e hedhin barrën e tyre mbi të dhe presin që t’i çlirojë. Ashtu siç shprehet në Psalmet 58-64, gjatë gjithë vuajtjeve të tij, Davidi e bën Jehovain strehën e tij. Ai këndon: «Por ti, o shpirti im, prit në heshtje veç Perëndinë, sepse ai të jep shpresë.»—Psalmi 62:5.
Miqësia e ngushtë me Çlirimtarin tonë duhet të na nxitë që ‘t’i këndojmë lavdisë së emrit të tij’. (Psalmi 66:2) Jehovai lavdërohet si dhënës bujar në Psalmin 65, si Perëndi i veprave të shpëtimit në Psalmet 67 dhe 68, dhe si ai që sjell shpëtimin në Psalmet 70 dhe 71.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
51:12—Te ‘fryma e gatshme’ e kujt kërkonte mbështetje Davidi? Kjo nuk i referohet as gatishmërisë së Perëndisë për të ndihmuar Davidin, e as frymës së shenjtë, por frymës së vetë Davidit, pra prirjes së tij mendore. Këtu ai po i lutet Perëndisë që t’i japë dëshirën për të bërë atë që është e drejtë.
53:1—Në ç’kuptim është ‘i pamend’ ai që mohon ekzistencën e Perëndisë? Kjo fjalë nuk nënkupton mungesë zgjuarsie. Por ky person është i pamend nga ana e normave morale, dhe kjo del qartë nga humbja e vlerave siç tregohet te Psalmi 53:1-4.
58:3-5—Në ç’kuptim të ligjtë janë si gjarpri? Gënjeshtrat që thonë për të tjerët janë si helmi i gjarprit. Ata «helmojnë» reputacionin e mirë të të tjerëve. Ashtu «si kobra që i mbyll veshët», të ligjtë nuk pranojnë drejtim apo korrigjim.
58:7—Në ç’kuptim të ligjtë ‘treten dhe i marrin me vete ujërat që rrjedhin’? Davidi ndoshta po mendonte për ujërat e disa luginave në Tokën e Premtuar. Aq shpejt sa fryhen ujërat në këto lugina pas një përmbytjeje të menjëhershme, aq shpejt edhe thahen. Davidi po lutej për zhdukjen sa më të shpejtë të të ligjve.
68:13—Ç’do të thotë shprehja «një pëllumb me krahë argjendi dhe me pendë si ar verdhosh»? Disa pëllumba ngjyrë hiri kanë disa pupla me reflekse. Nën rrezet e arta të diellit ato marrin një shkëlqim të metaltë. Ndoshta Davidi po i krahasonte luftëtarët fitimtarë të Izraelit që ktheheshin nga beteja me një pëllumb të tillë, me krahë të fortë dhe vezullues. Siç sugjerojnë disa studiues, ky përshkrim mund t’i referohet një vepre arti ose ndonjë trofeu të marrë si plaçkë lufte. Sido që të jetë, Davidi e kishte fjalën për fitoret që Jehovai i kishte dhënë popullit të tij kundër armiqve.
68:18—Cilët ishin ‘dhuratat në njerëz’? Këta burra ishin zgjedhur nga robërit gjatë pushtimit të Tokës së Premtuar. Këta u caktuan më vonë për të ndihmuar levitët në punën e tyre.—Ezdra 8:20.
68:30—Çfarë do të thotë kërkesa ‘për të qortuar kafshët që rrinë mes kallamave’? Duke folur me një gjuhë të figurshme për armiqtë e popullit të Jehovait si të ishin kafshë të egra, Davidi i kërkon Perëndisë që t’i qortojë ose të mbajë nën kontroll forcën e tyre për të bërë keq.
69:23—Çfarë do të thotë shprehja: «bëj që mesi t’u dridhet»? Muskujt e mesit ose të barkut luajnë një rol kryesor kur sforcohemi për të bërë diçka të vështirë, si për shembull kur ngremë diçka ose mbajmë diçka të rëndë. Dridhja e mesit nënkupton humbje fuqie. Davidi po lutej që armiqtë e tij të humbitnin fuqinë.
Mësime për ne:
51:1-4, 17. Bërja e një mëkati nuk duhet të na largojë nga Perëndia Jehova. Nëse pendohemi, mund të kemi besim në mëshirën e tij.
51:5, 7-10. Nëse kemi mëkatuar, mund t’i kërkojmë falje Jehovait për shkak të gjendjes mëkatare që kemi trashëguar. Gjithashtu duhet të lutemi që të na pastrojë, të na përtërijë, të na ndihmojë që të heqim prirjet mëkatare nga zemra dhe të na japë një frymë të palëkundur.
51:18. Mëkatet e Davidit rrezikuan mirëqenien e gjithë kombit. Kështu që ai u lut që Sioni të gjente hir në sytë e Perëndisë. Kur kryejmë një mëkat serioz, shpesh kjo sjell sharje për emrin e Jehovait dhe për kongregacionin. Duhet t’i lutemi Perëndisë për të rregulluar dëmet që mund të kemi shkaktuar.
52:8. Mund të jemi «si një pemë ulliri e harlisur në shtëpinë e Perëndisë»—pranë Jehovait dhe frytdhënës në shërbim të tij—duke iu bindur dhe duke e pranuar me gatishmëri disiplinën e tij.—Hebrenjve 12:5, 6.
55:4, 5, 12-14, 16-18. Komploti i birit të tij, Absalomit, dhe tradhtia e këshilltarit të besuar, Ahithofelit, i shkaktuan shumë vuajtje Davidit. Megjithatë kjo nuk ia pakësoi besimin që kishte te Jehovai. Kështu edhe ne nuk duhet të lejojmë që vuajtjet emocionale të na e dobësojnë besimin te Perëndia.
55:22. Si ia hedhim barrën Jehovait? Këtë e bëjmë (1) duke iu lutur për ndonjë problem që kemi, (2) duke kërkuar drejtim e mbështetje në Fjalën dhe organizatën e tij, si edhe (3) duke bërë atë që kemi mundësi për të lehtësuar situatën.—Proverbat 3:5, 6; 11:14; 15:22; Filipianëve 4:6, 7.
56:8. Jehovai di jo vetëm situatat që kalojmë, por edhe se si ndikojnë ato në anën tonë emocionale.
62:11. Perëndia nuk ka nevojë të marrë forcë nga ndonjë burim energjie. Ai vetë është burimi i energjisë. ‘Forca i përket atij.’
63:3. «Dashamirësia [e Perëndisë] është më e mirë se jeta», sepse jeta nuk ka kuptim pa të. Prandaj është e mençur të zhvillojmë miqësinë me Jehovain.
63:6. Nata mund të jetë kohë e shkëlqyer për meditim, pasi gjatë natës jemi të qetë dhe asgjë nuk na shpërqendron.
64:2-4. Thashethemet dashakeqe mund të prishin emrin e mirë të një të pafajshmi. As nuk duhet t’i dëgjojmë e as t’i përhapim këto thashetheme.
69:4. Për hir të paqes, ndonjëherë mund të na duhet ‘të kthejmë mbrapsht’ e të kërkojmë falje, edhe nëse nuk jemi të sigurt që e kemi gabim.
70:1-5. Jehovai i dëgjon kërkesat tona urgjente për ndihmë. (1 Selanikasve 5:17; Jakovi 1:13; 2 Pjetrit 2:9) Edhe pse Perëndia mund të lejojë që sprova të vazhdojë, ai do të na japë mençuri për ta përballuar dhe forcë për ta duruar. Ai nuk lejon që të tundohemi përtej asaj që mund të mbajmë.—1 Korintasve 10:13; Hebrenjve 10:36; Jakovi 1:5-8.
71:5, 17. Davidi zhvilloi guximin dhe fitoi forcën duke u mbështetur te Jehovai që në rini, madje para se të përballej me Goliadin, gjigantin filistin. (1 Samuelit 17:34-37) Është mirë që të rinjtë të mbështeten te Jehovai në çdo gjë që bëjnë.
«Lavdia e tij le të mbushë mbarë tokën»
Psalmi 72, kënga e fundit në përmbledhjen e dytë të psalmeve, bën fjalë për sundimin e Solomonit, duke na dhënë një parafytyrim të kushteve që do të ekzistonin nën mbretërimin e Mesisë. Sa bekime të mrekullueshme përshkruhen atje: paqe pa fund, pa shtypje, pa dhunë dhe në tokë do të ketë drithë me bollëk. A do të jemi ndër ata që do t’i gëzojnë këto dhe bekime të tjera të Mbretërisë? Mund të jemi, nëse, ashtu si psalmisti, presim me kënaqësi që Jehovai të veprojë, duke e bërë atë strehën dhe forcën tonë.
«Lutjet e Davidit, . . . përfundojnë» me fjalët: «Bekuar qoftë Perëndia Jehova, Perëndia i Izraelit! Vetëm ai bën vepra të mrekullueshme. Bekuar qoftë emri i tij i lavdishëm në jetë të jetëve! Lavdia e tij le të mbushë mbarë tokën! Amin, po, Amin!» (Psalmi 72:18-20) Le të bekojmë edhe ne me gjithë zemër Jehovain dhe të lavdërojmë emrin e tij të lavdishëm.
[Figura në faqen 9]
A e dini se kush është «bija e mbretit»?
[Figura në faqet 10, 11]
Jerusalemi është quajtur «përsosmëria e bukurisë». A e dini pse?