Kapitulli i tretë
Dita e Jehovait—Një temë shumë e rëndësishme
1, 2. (a) Cilën temë jetike theksojnë 12 profetët? (b) Me cilat fjalë të drejtpërdrejta e përshkruan ditën e Jehovait disa nga 12 profetët?
«DITA e madhe e Jehovait është afër. Është afër dhe po shpejton shumë.» (Sofonia 1:14) Herë pas here, profetët e Perëndisë paralajmëruan për ditën e Jehovait që po afronte. Zakonisht theksonin se si duhej të ndikonte te njerëzit ardhja e kësaj dite: në jetën e përditshme, në moralin dhe në sjelljen e tyre. Në shpalljet e tyre kishte gjithmonë një ndjenjë urgjence. Si do të kishe reaguar, po t’i kishe dëgjuar me veshët e tu këto mesazhe?
2 Duke lexuar librat e 12 profetëve, do të shohësh se të gjithë, drejtpërdrejt ose jo, folën për ditën e Jehovait.a Prandaj, para se të vazhdosh me kapitujt pasues, ku do të shqyrtosh informacionet e vlefshme që dhanë këta profetë, mendo për temën e përsëritur në mesazhet e tyre: dita e Jehovait. Gjashtë nga profetët përdorën drejtpërdrejt këtë shprehje ose të tjera të ngjashme. Joeli e përshkroi me fjalë shumë të gjalla ‘ditën e madhe dhe të frikshme të Jehovait’. (Joeli 1:15; 2:1, 2, 30-32) Amosi u tha izraelitëve të bëheshin gati për t’u përballur me Perëndinë e tyre, sepse dita e Jehovait do të ishte një ditë terri. (Amosi 4:12; 5:18) Më vonë, Sofonia tha fjalët e cituara në paragrafin e parë. Dhe, kur po afrohej koha e shkatërrimit të Jerusalemit, Abdia paralajmëroi: «Dita e Jehovait kundër të gjitha kombeve është afër.»—Abdia 15.
3. Pse mund të themi se profetët e kohës pas mërgimit kishin si temë të librave të tyre ditën e Jehovait?
3 Do të shohësh se edhe dy profetë që u dërguan te judenjtë pas kthimit nga mërgimi, përdorën shprehje të ngjashme. Zakaria foli për ditën kur të gjitha kombet që dilnin kundër Jerusalemit, do të shfaroseshin. Ai përshkroi me tone të gjalla se çfarë do të ndodhte «një ditë që do të njihet si dita e Jehovait». (Zakaria 12:9; 14:7, 12-15) Po ashtu, Malakia i paralajmëroi shërbëtorët e Perëndisë për ardhjen e «ditës së madhe e të frikshme të Jehovait».—Malakia 4:1-5.
4. Si i referohen ditës së Jehovait disa nga 12 profetët?
4 Ndonëse nuk përdorën shprehjen «dita e Jehovait», edhe pjesa tjetër e 12 profetëve iu referua tërthorazi asaj dite. Hozea tha se Jehovai do t’i kërkonte llogari Izraelit, e më vonë edhe Judës. (Hozea 8:13, 14; 9:9; 12:2) Shpesh, mesazhet kishin lidhje me atë që bëri Jehovai në ato ditë. Për shembull, Jonai shpalli gjykimin e Perëndisë kundër Ninevisë, ndërsa Mikea përshkroi ç’do të ndodhte kur Perëndia të vepronte kundër popujve rebelë. (Jonai 3:4; Mikea 1:2-5) Naumi premtoi se Jehovai do të hakmerrej kundër atyre që e kundërshtonin. (Naumi 1:2, 3) Habakuku bëri thirrje për drejtësi dhe përshkroi «ditën e vuajtjes». (Habakuku 1:1-4, 7; 3:16) Disa mesazhe në këta libra treguan në mënyrë të qartë ngjarje ku do të përfshiheshin të krishterët e vërtetë. Për shembull, Hageu, një nga profetët e kohës pas mërgimit, paratha se kombet do të lëkundeshin. (Hageu 2:6, 7) Apostulli Pavël citoi fjalët e Hageut 2:6 për t’i nxitur të krishterët që të jenë në një gjendje të miratuar kur Perëndia të heqë qiejt e ligj simbolikë.—Hebrenjve 12:25-29; Zbulesa 21:1.
ÇFARË ËSHTË DITA E JEHOVAIT?
5, 6. Sipas profetëve, si do të jetë dita e Jehovait?
5 Është më se e arsyeshme të duash të dish se si do të jetë dita e Jehovait. Ndoshta pyet: ‘A ndikon dita e Jehovait në mënyrën si jetoj tani dhe në të ardhmen time?’ Siç treguan profetët, dita e Jehovait është një periudhë kohe kur ai ndërmerr veprime kundër armiqve të tij për të ekzekutuar gjykimin kundër tyre, pra, një ditë beteje. Kjo ditë e frikshme, ka të ngjarë të shoqërohet me dukuri qiellore të çuditshme. «Dielli dhe hëna patjetër do të errësohen dhe yjet do të humbasin shndritjen e tyre.» (Joeli 2:2, 11, 30, 31; 3:15; Amosi 5:18; 8:9) Çfarë do të ndodhë këtu në tokë ku jetojmë ne? Mikea tha: «Malet kanë për t’u shkrirë poshtë [Jehovait] dhe ultësirat do të treten si dylli nga zjarri, si ujëra që derdhen në rrëpirë.» (Mikea 1:4) Ky përshkrim mund të jetë i figurshëm, por përfundimi që nxjerrim është se veprimet e Perëndisë do të kenë pasoja shkatërrimtare mbi tokën dhe banorët e saj. Megjithatë, jo për të gjithë njerëzit. Të njëjtët profetë përshkruan bekimet e shumta për ata që ‘kërkojnë të mirën’ dhe si rrjedhim, jetojnë.—Amosi 5:14; Joeli 3:17, 18; Mikea 4:3, 4.
6 Disa profetë të tjerë nga të 12-tët bënë përshkrime edhe më të gjalla të ditës së Jehovait. Habakuku përshkroi me shumë zjarr se si Jehovai do t’i thërrmojë «malet e përjetshme» dhe do t’i përkulë «kodrat e përhershme», që përfaqësojnë organizatat njerëzore, të cilat mund të duken të qëndrueshme. (Habakuku 3:6-12) Po, dita e Jehovait është «ditë e një zemërimi të furishëm, ditë ankthi e brenge, ditë shtrëngate e shkretimi, ditë errësire e zymtësie, ditë resh e terri të zi».—Sofonia 1:14-17.
7. Cila mynxyrë është parathënë, dhe ç’përmbushje mund të ketë?
7 Përfytyro çfarë mynxyre do t’u bjerë atyre që luftojnë kundër Perëndisë! «Mishi do t’u kalbet teksa qëndrojnë në këmbë, sytë do t’u kalben në zgavra dhe gjuha do t’u kalbet në gojë.» (Zakaria 14:12) Sido që të përmbushet ky vegim, drejtpërdrejt ose jo, kuptohet se do të thotë tragjedi për shumë njerëz. Edhe sikur të mos jetë në kuptimin e mirëfilltë, sidoqoftë, gjuha e armiqve të Perëndisë do të kalbet, në kuptimin që s’do të dëgjohen më fjalët e tyre sfiduese. Dhe çdo përfytyrim i tyre për të bashkuar forcat e për t’u sulur kundër popullit të Perëndisë, do të turbullohet.
PSE NJË PERËNDI I DASHUR VEPRON KËSHTU?
8, 9. (a) Çfarë duhet të mbash parasysh, për të kuptuar pse vepron Jehovai kundër të ligjve? (b) Si lidhet besnikëria jote në jetën e përditshme me këtë veprim që do të ndërmarrë Jehovai?
8 Ndoshta ke dëgjuar njerëz që thonë: ‘Po si ka mundësi që një Perëndi i dashur të sjellë shkatërrim të tillë mbi armiqtë e vet? A duhet me domosdo që Perëndia të bëjë kërdinë në tokë? A nuk nxiti Jezui që të vazhdojmë të duam edhe armiqtë, për të treguar se jemi bij të Atit tonë në qiell?’ (Mateu 5:44, 45) Për t’u përgjigjur, mund t’ua drejtosh vëmendjen pikërisht te fillimi i problemeve të njerëzimit. Perëndia e krijoi çiftin e parë njerëzor sipas shëmbëlltyrës së tij dhe në ngjashmëri me të, domethënë të përsosur. Por ata futën në familjen njerëzore, pra, në jetën tonë, mëkatin dhe vdekjen. Morën anën e Satana Djallit në çështjen që u ngrit për të përcaktuar kush ka të drejtën absolute të sundojë mbi njerëzimin. (Zanafilla 1:26; 3:1-19) Gjatë shekujve, Satanai është përpjekur të tregojë se, po t’u jepet ndonjë shtysë për të vepruar ndryshe, njerëzit nuk do t’i shërbejnë Jehovait. Siç e di, Satanai ka dështuar. Jezu Krishti dhe shumë shërbëtorë të tjerë të Jehovait kanë mbajtur integritetin ndaj Perëndisë dhe kanë treguar se i shërbejnë Atij nga dashuria. (Hebrenjve 12:1-3) Me siguri, të vijnë në mend edhe shumë të tjerë që po i shërbejnë me besnikëri Perëndisë tani.
9 Edhe ti vetë je i përfshirë në këtë çështje, që do të përfundojë kur Jehovai të zhdukë gjithë ligësinë. Për shembull, ndërsa lexon këta 12 libra, do të vëresh se disa nga profetët folën për jetën luksoze të atyre njerëzve që po linin pas dore adhurimin e Jehovait. Profetët e këshilluan popullin e Perëndisë që ‘të shqyrtonin me gjithë zemër udhët e tyre’ dhe të ndryshonin mënyrën se si jetonin. (Hageu 1:2-5; 2:15, 18; Amosi 3:14, 15; 5:4-6) Pra, profetët po u tregonin njerëzve si të jetonin. Ata që e pranuan këtë ftesë, treguan se kishin Jehovain si Sovran të tyrin, duke e nxjerrë kështu Satanain gënjeshtar. Jehovai do të tregohet besnik me këta njerëz kur të shfarosë armiqtë e tij.—2 Samuelit 22:26.
10. Në ç’mënyrë fjalët që tha Mikea përbëjnë një arsye më tepër pse Jehovai duhet të veprojë?
10 Ka edhe një arsye tjetër pse Perëndia duhet të veprojë. Kthehu me mendje në shekullin e tetë para erës sonë, kur në Judë profetizoi Mikea. Duke folur si të ishte ai vetë kombi, Mikea e krahason gjendjen e tij me një vresht ose pemëtore pas vjeljes, kur s’ka më rrush a fiq. E tillë ishte gjendja e shoqërisë judaike, ku s’gjeje njerëz të drejtë. Izraelitët ndiqnin bashkëkombësit e tyre, duke ndenjur në pritë për të derdhur gjak. Udhëheqësit dhe gjykatësit e tyre donin me çdo kusht të përfitonin vetë. (Mikea 7:1-4) Si do të ndiheshe, po të jetoje në një situatë të tillë? Me siguri do të të vinte keq për viktimat e pafajshme. Mendo atëherë sa keq i vjen Jehovait për të shtypurit! Sot Ai po e heton njerëzimin. Si mendon, çfarë po sheh? Shtypësit po përfitojnë paturpësisht nga të tjerët dhe po i sulmojnë me dhunë. Sa për njerëzit besnikë, ata janë të paktë në krahasim me popullsinë e botës. Por, të mos dëshpërohemi. Nga dashuria për njerëzit e pafajshëm, Jehovai do të vërë drejtësi.—Ezekieli 9:4-7.
11. (a) Çfarë do të sjellë dita e Jehovait për ata që i frikësohen atij? (b) Si ndikoi te ninevitët mesazhi paralajmërues i Jonait?
11 Qartë pra, dita e Jehovait do të sjellë shkatërrimin e armiqve të tij dhe çlirimin e atyre që i frikësohen e i shërbejnë.b Mikea paratha se kombet do të vërshonin në malin e shtëpisë së Jehovait, dhe kjo do të sillte paqe e unitet botëror. (Mikea 4:1-4) Në atë kohë, a pati ndikim në jetën e njerëzve fakti që profetët po shpallnin ditën e Jehovait? Te disa, po. Sill ndër mend se, kur Jonai shpalli gjykimin kundër Ninevisë, banorët e ligj e të dhunshëm të atij qyteti «nisën të tregonin besim te Perëndia» dhe «hoqën dorë nga rruga e keqe». Rrjedhimisht, Jehovait i erdhi keq dhe nuk e solli në atë kohë gjëmën që kishte thënë. (Jonai 3:5, 10) Pa dyshim, mesazhi për ditën e gjykimit që do të sillte shumë shpejt Jehovai, pati ndikim në jetën e ninevitëve!
SI NDIKON TE TI AJO DITË?
12, 13. (a) Për cilët profetizuan 12 profetët? (b) Pse mund të thuhet që fjalët profetike të 12 profetëve, do të kishin përmbushje edhe në të ardhmen?
12 ‘Po, por ata profetë jetuan shekuj më parë,—mund të kundërshtojë dikush.—Ç’lidhje kanë me mua mesazhet e tyre për ditën e Jehovait?’ Vërtet, ata profetë jetuan kohë më përpara, madje shumë vjet para se të lindte Jezui, megjithatë, ne duhet të shqyrtojmë se si lidhen fjalët e tyre për ditën e Jehovait me këtë shekull të 21-të. Ç’dobi praktike mund të nxjerrim nga fjalët që thanë ata për ditën e madhe të Jehovait? Ka diçka thelbësore që na ndihmon të shohim lidhjen që ekziston, si dhe dobinë e këtyre mesazheve. Duhet të kuptojmë se profetët paralajmëruan për ditën e Jehovait kundër Izraelit, Judës, kombeve përreth dhe disa fuqive botërore të asaj kohe.c Ajo që na intereson është se ato profeci u përmbushën! Asirianët e pushtuan vërtet Samarinë; Juda u shkretua në vitin 607 p.e.s. dhe kombet armike përreth u shkatërruan shumë shpejt pas kësaj. Me kalimin e kohës, fuqia botërore asiriane dhe ajo babilonase ranë, e gjithçka ndodhi në përmbushje të profecive specifike.
13 Mendo tani për festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., shumë kohë pas përmbushjes së parë të pjesës më të madhe të atyre profecive. Atë ditë, apostulli Pjetër tha se derdhja e frymës së shenjtë të Perëndisë ishte përmbushje e profecisë së Joelit. Pastaj, Pjetri citoi nga libri i Joelit: «Dielli do të errësohet, dhe hëna do të kthehet në gjak para se të mbërrijë dita e madhe dhe e ndritur e Jehovait.» (Veprat 2:20) Kjo tregon se do të kishte edhe përmbushje të tjera të profecive për ditën e Jehovait. Sa për profecinë e Joelit, ajo pati një përmbushje të dytë në vitin 70 të e.s. kur ushtria romake shkatërroi Jerusalemin. Ajo ishte me siguri një kohë errësire dhe gjakderdhjeje!
14, 15. (a) Pse mund të themi se profecitë për ditën e Jehovait janë me rëndësi për ne sot? (b) Kur mund të presim që të vijë dita e Jehovait?
14 Gjithsesi, profecia e Joelit dhe profeci të tjera për ditën e Jehovait, do të kenë edhe një përmbushje përfundimtare, e cila ka të bëjë me ne që jetojmë në shekullin e 21-të. Pse themi kështu? Pjetri i këshilloi të krishterët ta mbajnë «gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait». Pastaj apostulli tha: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.» (2 Pjetrit 3:12, 13) Pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 70 të e.s., nuk u vendosën menjëherë qiej të rinj (një qeveri e re teokratike) dhe një tokë e re (një shoqëri me njerëz të drejtë nën këtë qeveri). Prandaj, fjalët profetike për ditën e Jehovait duhet të kenë një përmbushje tjetër. Po, këto profeci kanë të bëjnë me ne që po jetojmë në «kohë kritike»!—2 Timoteut 3:1.
15 Tabloja e përgjithshme që përshkruajnë për ditën e Jehovait këta 12 libra profetikë, na bën të mendojmë për fjalët e Jezu Krishtit: «Do të ketë një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri.» Ai tha se «menjëherë pas» fillimit të këtij shtrëngimi të madh, «dielli do të errësohet e hëna nuk do të japë dritën e saj. Yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen». (Mateu 24:21, 29) Kjo na ndihmon të identifikojmë kohën kur do të vijë dita e Jehovait. Është pikërisht para nesh. Shkrimet tregojnë se në shtrëngimin e madh do të shkatërrohet «Babilonia e Madhe», perandoria botërore e fesë së rreme. Pastaj, kulmi i shtrëngimit të madh do të jetë kur dita e Jehovait t’i zhdukë armiqtë e tij nga faqja e dheut.—Zbulesa 17:5, 12-18; 19:11-21.
16. Cilën përmbushje kryesore do të kenë profecitë për ditën e Jehovait?
16 Dëshmitarët e Jehovait i kanë dalluar karakteristikat themelore të përmbushjeve të profecive për ditën e Jehovait. Shpesh, dhe në mënyra të ndryshme, Jerusalemi apostat, Samaria renegate, edomitët armiqësorë, asirianët e dhunshëm dhe babilonasit, paraqitën në mënyrë profetike karakteristika të fesë së rreme. Gjithë fetë e tilla do të shkatërrohen në fazën fillestare të shtrëngimit të madh. Në ‘ditën e madhe dhe të frikshme të Jehovait’, që do të pasojë, do t’u vijë fundi të dashurve politikë dhe tregtarë të feve të rreme.—Joeli 2:31.
JI GATI!
17, 18. (a) Pse shpalli mjerime Amosi për ata që ‘e dëshironin me zjarr ditën e Jehovait’? (b) Çfarë do të ndodhte me ata që s’ishin të përgatitur për ditën e Jehovait?
17 Ngaqë mesazhet e gjykimit kanë të bëjnë kryesisht me fetë e rreme, disa të krishterë mund të mendojnë se nuk do të ndikohen nga përmbushja e këtyre profecive. Megjithatë, ajo që u tha Amosi izraelitëve ka vlerë praktike për të gjithë: «Mjerë ata që e dëshirojnë me zjarr ditën e Jehovait!» Në ditët e Amosit, disa izraelitë mendonin se dita e Jehovait do të sillte vetëm bekime për ta, besonin se do të ishte dita kur Perëndia do të vepronte në mbrojtje të popullit të tij. Madje, ata e dëshironin me zjarr atë ditë! Por Amosi vazhdoi duke thënë se, për njerëzit egoistë, dita e Jehovait do të ishte «terr, dhe jo dritë». Po, ata izraelitë do të ishin objekti i zemërimit të Jehovait!—Amosi 5:18.
18 Pastaj, Amosi përshkroi çfarë do t’u ndodhte atyre që e dëshironin me zjarr ditën e Jehovait. Mendo një njeri që po ikën me vrap për të shpëtuar nga një luan, por i del përpara një ari. Duke ikur me vrap për të shpëtuar nga ariu, ai strehohet në një shtëpi. Duke iu marrë fryma, mbyll derën e shtëpisë dhe mbështetet në mur, por e kafshon një gjarpër. Në njëfarë kuptimi, ky do të jetë fundi i atyre që s’janë vërtet gati për ditën e Jehovait.—Amosi 5:19.
19. Në cilat mënyra praktike duhet të përgatitemi për ditën e Jehovait?
19 A e kupton vlerën praktike që mund të ketë për ty ky informacion? Sill ndër mend se Amosi po ia drejtonte këto fjalë një populli që kishte një marrëdhënie të veçantë me Perëndinë, pasi i ishte kushtuar Atij. Megjithëkëtë, ata duhej të rregullonin disa gjëra në lidhje me qëndrimin dhe veprimet e tyre. A nuk ia vlen të shqyrtosh jetën tënde dhe të shohësh nëse je gati për atë ditë të rëndësishme apo ke nevojë të bësh disa rregullime? Si mund të tregosh se je vërtet gati? Sigurisht, jo siç kanë bërë disa njerëz në disa vende, duke ndërtuar strehime të nëndheshme, duke depozituar ushqime bazë, duke mësuar si të kullojnë ujin ose duke grumbulluar monedha floriri. Sofonia thotë: «As argjendi e as ari i tyre nuk do të mund t’i çlirojë ditën e zemërimit të furishëm të Jehovait.» Pra, nuk e tregojmë se jemi gati duke grumbulluar gjëra materiale. (Sofonia 1:18; Proverbat 11:4; Ezekieli 7:19) Përkundrazi, duhet të jemi zgjuar frymësisht dhe të jetojmë çdo ditë si njerëz që janë gati. Na duhet qëndrimi i duhur, si edhe veprimet që pasqyrojnë këtë qëndrim. Mikea tha: «Unë do t’i mbaj sytë te Jehovai. Do të rri në pritje të Perëndisë së shpëtimit tim.»—Mikea 7:7.
20. Cilët faktorë nuk na e ndryshojnë qëndrimin pritës që kemi?
20 Nëse ke këtë qëndrim pritës, do të japësh prova se je gati dhe se i mban sytë te dita e Jehovait. Nuk do të jesh në merak për datën kur mund të vijë ajo ditë dhe as se sa kohë ke pritur për të. Të gjitha profecitë që janë dhënë për atë ditë, do të përmbushen në kohën e duhur sipas Jehovait, dhe nuk do të vonojnë. Jehovai i tha Habakukut: «Vegimi është ende për kohën e caktuar dhe vazhdon të nxitojë duke gulçuar drejt fundit e nuk do të gënjejë. Edhe sikur të vonojë [nga pikëpamja njerëzore], rri në pritje të tij, sepse pa dyshim do të dalë i vërtetë. Nuk do të vonojë [nga pikëpamja e Jehovait].»—Habakuku 2:3.
21. Si mund të nxjerrësh dobi nga ajo që do të shqyrtohet në këtë libër?
21 Në këtë libër, do të mësosh se si të tregosh një qëndrim pritës për Perëndinë e shpëtimit. Çfarë dobish do të nxjerrësh nga ky lexim? Kryesisht libri do të përqendrohet në një pjesë të Biblës që ndoshta s’e njeh edhe aq mirë, te 12 të ashtuquajturit Profetë të Vegjël. Pra, do të kuptosh disa pika interesante që do të të nxitin të menduarit. Për shembull, në pjesën 2, do të shqyrtosh se si ‘ta kërkosh Jehovain’ që të jetosh. (Amosi 5:4, 6) Duke u bazuar te këta 12 libra, mund të kuptosh si ta njohësh më mirë Jehovain dhe ta kesh më të qartë në mendje sa e rëndësishme është t’i shërbesh atij, madje edhe më plotësisht. Me ndihmën e këtyre profetëve, pa dyshim do të thellosh kuptueshmërinë që ke për personalitetin e Jehovait. Në pjesën 3, do të shohësh edhe më qartë se çfarë pret Jehovai nga ti, në mënyrën si sillesh me familjarët dhe me të tjerët. Kjo mund të të ndihmojë të jesh gati për ditën e tij të madhe. Së fundi, në pjesën 4, do të shqyrtosh këshillat e profetëve për qëndrimin që duhet të kesh ndërsa afrohet gjithnjë e më tepër dita e Jehovait. Do të mësosh edhe si mund të ndikojnë këto këshilla te shërbimi yt i krishterë. Me siguri do të kënaqesh shumë duke shqyrtuar mesazhin e profetëve që tregon se si mund të jetë e ardhmja jote.
22. Si do të doje të reagoje ndaj këshillave që gjenden në librat e 12 profetëve?
22 Të kujtohet mesazhi urgjent i Sofonisë, që u citua në fillim të këtij kapitulli? (Sofonia 1:14) Ky mesazh ndikoi në jetën e mbretit Josia, që ishte i ri në moshë. Josia filloi ta kërkonte Jehovain kur s’ishte veçse 16 vjeç. Kur mbushi të 20-at, nisi një fushatë kundër adhurimit të idhujve, në përputhje me nxitjen që i bëri Sofonia popullit të Judës e të Jerusalemit. (2 Kronikave 34:1-8; Sofonia 1:3-6) A ka ndikuar në jetën tënde të përditshme, po aq sa edhe te Josia, paralajmërimi për ditën e Jehovait? Le të shohim se si mund ta ndihmojnë 12 profetët secilin prej nesh.
a Si Isaia, bashkëkohës me grupin e parë të 12 profetëve, ashtu dhe Ezekieli, bashkëkohës me grupin e dytë, paralajmëruan për ditën e Jehovait.—Isaia 13:6, 9; Ezekieli 7:19; 13:5; shih kapitullin e dytë të këtij libri, paragrafët 4-6.
b Për ta vërtetuar më tej këtë aspekt pozitiv, të lutemi lexo këto shkrime: Hozea 6:1; Joeli 2:32; Abdia 17; Naumi 1:15; Habakuku 3:18, 19; Sofonia 2:2, 3; Hageu 2:7; Zakaria 12:8, 9 dhe Malakia 4:2.
c Disa nga 12 profetët thanë profeci jo vetëm kundër një kombi, por kundër disave.