Kapitulli i katërmbëdhjetë
‘Një bekim i tillë, sa të mos kesh më nevojë’
1, 2. (a) Cilën zgjedhje të dobishme mund të bëjë secili nga ne? (b) Përmbushja e cilës profeci ka lidhje me bekimet që mund të marrim?
KOHA jonë është kohë gjykimi dhe bekimi. Është një periudhë degradimi fetar, por edhe rivendosjeje të adhurimit të vërtetë. Sigurisht që ti do të doje bekimin, si edhe dobitë e tanishme e të ardhshme të rivendosjes frymore. Por si mund të jesh i sigurt se do t’i kesh? Përgjigjja ka të bëjë me një profeci që e pati përmbushjen kryesore pak pasi filluan «ditët e fundit» në vitin 1914. (2 Timoteut 3:1) Malakia paratha: «Në tempullin tim do të vijë Zotëria i vërtetë [Jehova] që ju po kërkoni dhe lajmëtari i besëlidhjes me të cilin kënaqeni. Ja, ai ka për të ardhur,—ka thënë Jehovai i ushtrive.»—Malakia 3:1.
2 Kjo profeci që është vendimtare në jetën e secilit prej nesh, gjendet në librin e fundit të 12 librave profetikë. Tani që kemi arritur në fund të shqyrtimit të tyre, ajo që shkroi Malakia na intereson edhe më shumë. Libri i tij ka udhëzime të rëndësishme, që na japin mundësi të gjithëve ne si shërbëtorë të Jehovait të marrim «një bekim të tillë, sa të mos [kemi] më nevojë». (Malakia 3:10) Le ta shqyrtojmë më nga afër kapitullin e tretë të librit të Malakisë.
KOHA PËR PASTRIM FRYMOR
3. Cilat ngjarje në popullin e lashtë të Perëndisë çuan në zgjedhjen e ‘Izraelit të Perëndisë’?
3 Rreth pesë shekuj pas kohës së Malakisë, Jehovai, i përfaqësuar nga Krishti (‘lajmëtari i besëlidhjes [abrahamike]’ i dërguar nga Perëndia), erdhi në tempullin e mirëfilltë në Jerusalem, për të gjykuar popullin me të cilin kishte bërë besëlidhjen. Në përgjithësi, ai komb kishte treguar se nuk ishte më i denjë për miratimin e Jehovait, prandaj Ai e hodhi poshtë. (Mateu 23:37, 38) Këtë e tregon ajo që ndodhi në vitin 70 të e.s. Mund të jesh po kaq i sigurt se, në vend të tyre, Perëndia zgjodhi «Izraelin e Perëndisë», një komb frymor prej 144.000 vetash, të marrë nga të gjitha kombet. (Galatasve 6:16; Romakëve 3:25, 26) E megjithatë, kjo nuk ishte përmbushja përfundimtare e profecisë së Malakisë. Kjo profeci ka të bëjë edhe me kohët tona, dhe ndikon drejtpërdrejt në shpresën për të pasur në të ardhmen «një bekim të tillë, sa të mos [kemi] më nevojë».
4. Cila pyetje donte përgjigje pas kurorëzimit të Jezuit në vitin 1914?
4 Përmbushja e profecive biblike vërteton se, në vitin 1914, Jezu Krishti u vendos si Mbret i Mbretërisë qiellore të Jehovait. Pastaj erdhi koha që Jezui të identifikonte grupin e të krishterëve që e meritonin miratimin hyjnor. Kush do ta kalonte provën e pastërtisë frymore? Përgjigjja tregohet në fjalët e Malakisë: «Kush do ta durojë ditën e ardhjes së tij dhe kush do të qëndrojë në këmbë kur të shfaqet ai? Sepse do të jetë si zjarri i rafinuesit.» (Malakia 3:2) Kur dhe si erdhi Jehovai në «tempullin» e vet për të dhënë gjykim?
5, 6. (a) Çfarë gjeti Jehovai te shumica e atyre që thoshin se ishin adhurues të tij kur erdhi në tempullin frymor për hetim? (b) Për çfarë kishin nevojë shërbëtorët e mirosur me frymën e Perëndisë?
5 Është e qartë se Perëndia nuk erdhi në një tempull të bërë me gurë e llaç. Tempulli i fundit i tillë që kishte shërbyer për adhurimin e vërtetë, ishte shkatërruar në vitin 70 të e.s. Pra, Jehovai erdhi në një tempull frymor, që është rregulli me anë të të cilit njerëzit mund t’i afrohen dhe ta adhurojnë, në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit. (Hebrenjve 9:2-10, 23-28) S’ka dyshim se këtë tempull frymor nuk e përbënin kishat e të ashtuquajturit krishterim, sepse ato ishin pjesë e një sistemi fetar që ishte fajtor për gjakderdhje e kurvëri frymore, që nxiste mësimet e rreme, jo adhurimin e pastër. Jehovai ‘dëshmoi pa u vonuar’ kundër tyre, dhe ti e di se gjykimi i pafavorshëm që dha, ishte i drejtë. (Malakia 3:5) Gjithsesi, pasi u vendos Mbretëria e Perëndisë, kishte një grup të krishterësh të vërtetë që shërbenin në oborret e tempullit frymor të Perëndisë, të cilët e treguan besnikërinë ndaj Tij përmes sprovave të rënda. Po prapëseprapë, edhe ata të mirosur kishin nevojë për njëfarë pastrimi. Shkrimet e 12 profetëve bëjnë fjalë për një pastrim të tillë, pasi përmbajnë premtime inkurajuese për rivendosjen frymore e fizike të shërbëtorëve të Perëndisë. Malakia paratha se do të kishte një popull, të cilin Jehovai ‘do ta rafinonte si arin dhe argjendin’. Me siguri, ata kishin «për t’u bërë për Jehovain një popull që paraqit blatim me drejtësi».—Malakia 3:3.
6 Sipas dëshmive të bollshme që kemi, prej vitit 1918 e më tej, Jehovai bëri pastrimin e nevojshëm te të krishterët e mirosur, duke rafinuar adhurimin, praktikat dhe doktrinat e tyre.a Ata, si dhe ‘shumica e madhe’ që u bashkua më vonë me ta, kanë nxjerrë shumë dobi. (Zbulesa 7:9) Si grup i bashkuar, ata vazhdojnë të japin një «blatim me drejtësi» që ‘i pëlqen Jehovait’.—Malakia 3:3, 4.
7. Cilat pyetje mund t’i bëjmë me të drejtë vetes për qëndrimin që kemi para Perëndisë?
7 Kjo mund të thuhet për popullin e Perëndisë si grup, por ç’të themi për ne individualisht? Ndoshta mund të pyesësh veten: ‘A ka diçka që ende do rafinuar, në qëndrimin e në veprimet e mia? A kam ende nevojë të rafinoj sjelljen time, ashtu si Jehovai ka rafinuar të mirosurit e tij?’ Më parë, pamë që 12 profetët theksuan qoftë pikëpamjet dhe sjelljen negative, qoftë tiparet dhe veprimet pozitive. Kjo të ka dhënë më shumë mundësi të kuptosh se çfarë «kërkon në këmbim Jehovai nga ti». (Mikea 6:8) Vër re shprehjen «nga ti». Kjo thekson pse secili nga ne duhet të analizojë veten nëse ka nevojë për më tepër rafinim ose pastrim.
«JU LUTEM, MË VINI NË PROVË»
8. Cilën ftesë i bën Jehovai popullit të tij?
8 Shqyrto se çfarë thotë më tej Jehovai me anë të Malakisë, në kapitullin 3, vargu 10. Aty do të gjesh këtë ftesë të përzemërt: «Sillni gjithë të dhjetat në depo, që të ketë ushqim në shtëpinë time. Pastaj, ju lutem, më vini në provë për këtë,—ka thënë Jehovai i ushtrive,—po s’ju hapa portat e qiejve dhe po s’ju derdha një bekim të tillë, sa të mos keni më nevojë.» Kjo ftesë i bëhet popullit të Perëndisë si grup. Por, a mendon se është një ftesë që të bëhet edhe ty personalisht?
9. Ç’lloj blatimesh dhe të dhjetash mund t’i japësh Jehovait?
9 Si mund t’i japësh Jehovait «të dhjetat» e tua? Natyrisht, nuk je i detyruar të japësh të dhjeta dhe të bësh flijime në kuptimin e mirëfilltë, siç përcaktohej në Ligj. Tani Perëndia pret nga ne blatime në kuptimin e figurshëm. Siç e trajtuam në kapitullin e mëparshëm, Pavli e përshkroi veprën e predikimit si një blatim. (Hozea 14:2) Pastaj, apostulli përmendi një lloj tjetër flijimi, me fjalët: «Mos harroni të bëni të mira dhe të ndani gjërat [materiale] me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me flijime të tilla.» (Hebrenjve 13:15, 16) Pra, është e qartë se «të dhjetat» që përmenden te Malakia 3:10 përfaqësojnë blatimet frymore dhe materiale. Si i krishterë i pagëzuar, ti i je kushtuar plotësisht Jehovait, megjithatë, e dhjeta paraqet pjesën e asaj që është jotja dhe ti ia jep Jehovait, pra e përdor në shërbim të tij. Ka të bëjë me kohën, energjitë, zotërimet dhe kontributet materiale që i përdor në shërbim të Jehovait.
10. Si mund ‘ta vësh në provë’ Jehovain në kuptimin e duhur?
10 Sa e përshtatshme është që këto të dhjeta simbolike t’ia japësh Jehovait me një ndjenjë përkushtimi dhe dashurie! Duhet të kesh, gjithashtu, një ndjenjë urgjence. Ti e kupton se dita e madhe e Jehovait po afrohet me të shpejtë dhe se ngjall «shumë frikë». (Joeli 2:1, 2, 11) Janë në rrezik jetë njerëzish. Perëndia bën një ftesë, së cilës mund t’i përgjigjesh personalisht. Ai të kërkon ‘ta vësh në provë’. Natyrisht, asnjë njeri s’duhet të guxojë ta vërë në provë Jehovain sikur të mos ishte i besueshëm. (Hebrenjve 3:8-10) Por, me përulësi mund ta vësh në provë në kuptimin e duhur. Si? Ai ka premtuar një bekim. Kur i bindesh, në njëfarë mënyre po e vë në provë Perëndinë, sikur të pyesje: ‘A do të më bekojë?’ Si përgjigje, ai e vë veten nën detyrimin për ta bërë këtë, duke mbajtur premtimin. Pra, fakti që Perëndia të lejon ‘ta vësh në provë’ duhet të ta forcojë bindjen se ai do të të bekojë me bollëk.
11, 12. Cilat bekime të Jehovait mbi popullin e tij, i ke provuar vetë?
11 Mund ta shohësh vetë se populli i Jehovait ka bërë blatime materiale dhe sakrifica frymore të bollshme. E Jehovai ka derdhur «një bekim të tillë, sa të mos [kenë] më nevojë». Ndoshta e ke vënë re këtë bekim mbi popullin e Perëndisë, të pasqyruar në rritjen e jashtëzakonshme që kanë pasur Dëshmitarët e Jehovait që nga fillimi i shekullit të 20-të e deri më sot. Ke parë gjithashtu rritjen e ndjeshme të kuptueshmërisë për «gjërat e thella të Perëndisë». (1 Korintasve 2:10; Proverbat 4:18) Por mendoje këtë edhe nga një këndvështrim tjetër: si ka ndikuar te ti personalisht ky bekim?
12 Ka pasur një kohë kur ndoshta shkoje në kishë ose sapo kishe filluar të ndiqje mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Sa të vërteta themelore të Biblës arrije të kuptoje atëherë? Tani krahasoje këtë me ato çfarë ke mësuar që nga ajo kohë dhe që mund t’i argumentosh drejtpërdrejt nga Shkrimet. Ose mendo për gjërat më të thella që ke arritur të kuptosh, duke përfshirë profecitë që po përmbushen tani. Shqyrto edhe përparimin që ke bërë për t’i zbatuar në praktikë disa vargje biblike. Sa shumë hapa përpara ke bërë! Në rastin tënd, mund të thuash, ashtu si apostulli Pjetër: «Ne e kemi fjalën profetike më të sigurt.» (2 Pjetrit 1:19) Pika është: ti personalisht je ‘mësuar nga Jehovai’ dhe je mes popullit që ndjek krishterimin e vërtetë e që dëshiron t’i shërbejë përgjithmonë Atij. (Isaia 54:13) Tashmë mund ta thuash me plot gojën se ai të ka bekuar shumë.
EMRI YT NË LIBRIN E JETËS
13. Si mund ta ketë një njeri emrin të regjistruar në librin e kujtimit të Perëndisë?
13 Disa bekime të tjera të Jehovait përmenden te Malakia 3:16: «Në atë kohë, ata që kishin frikë nga Jehovai folën me njëri-tjetrin, secili me shokun e tij. Jehovai u kushtoi vëmendje dhe i dëgjoi. Një libër kujtimi nisi të shkruhej para tij për ata që kishin frikë nga Jehovai dhe për ata që mendojnë thellë për emrin e tij.» Këtë «frikë nga Jehovai» e shfaqin si të mirosurit, ashtu edhe shumica e madhe. A nuk e quan privilegj të jesh Dëshmitar i Jehovait, pjesëtar i një populli të lumtur që mendon thellë për emrin e tij dhe e madhëron këtë emër në gjithë botën? Sa i lumtur duhet të jesh që ke sigurinë se Jehovai e mban mend besnikërinë tënde!—Hebrenjve 6:10.
14. Si të kanë ndihmuar librat e 12 profetëve të kuptosh se cilat qëndrime e praktika urren Jehovai?
14 Por, si mund të kualifikohesh ti personalisht për ta pasur emrin në atë «libër kujtimi» që tani po shkruhet para Jehovait? Le të kujtojmë disa nga këshillat e mençura që kemi gjetur në librat e 12 profetëve. Kemi kuptuar më shumë për sjelljen, cilësitë dhe qëndrimet që nuk i pëlqejnë Jehovait. Për shembull, profetët na paralajmëruan për disa praktika që Perëndia thotë se janë në kundërshtim me normat e tij të drejta dhe mund të na rrënojnë jetën, si ‘sjellja e shthurur’ dhe «fryma e kurvërisë». (Hozea 4:12; 6:9) Perëndia i urren ata që sillen pabesisht me bashkëshortin ose, edhe më gjerë, me pjesëtarët e tjerë të familjes. (Malakia 2:15, 16) Jehovai i frymëzoi profetët të theksonin se ai nuk e do fare dhunën, e çfarëdo forme qoftë. (Amosi 3:10) Po ashtu, i nxiti të theksonin se duhej shmangur padrejtësia ose pandershmëria në biznes dhe në çështjet financiare. (Amosi 5:24; Malakia 3:5) Gjithashtu, 12 librat theksojnë sa e rëndësishme është që burrat të cilëve u është dhënë autoritet, të mos lejojnë t’u mjegullohet gjykimi nga anshmëria ose nga interesat egoiste.—Mikea 7:3, 4.
15. Cilat janë disa nga dobitë që do të marrësh duke ndjekur këshillat e 12 profetëve?
15 Por profetët nuk u mjaftuan vetëm duke na drejtuar vëmendjen te gjërat që duhet të shmangim. Ata theksuan dobitë që mund të kemi po të mbajmë normat e Perëndisë. Do të kemi një marrëdhënie më të ngushtë me Jehovain. (Mikea 4:5) Kongregacioni ynë do të jetë më i qëndrueshëm e më i zellshëm ndërsa drejtësia lulëzon. Martesat do të jenë më të forta dhe familjet më të bashkuara, më të përqendruara te gjërat frymore. (Hozea 2:19; 11:4) Duke vepruar me drejtësi dhe ndershmëri, do të fitojmë respektin e të tjerëve. Duke imituar mëshirën e Jehovait, do të shfaqim dhembshuri dhe dashamirësi, e po njësoj do të na e kthejnë vëllezërit e motrat tona. (Mikea 7:18, 19) Po, do të jemi të rrethuar nga njerëz me mendje frymore, vëllezër e motra që e duan të vërtetën dhe paqen e, mbi të gjitha, do të kemi fituar miqësinë e Jehovait. (Zakaria 8:16, 19) A nuk je dakord se këto janë bekime që tashmë po i provon?
16. Cili dallim është i dukshëm sot, dhe çfarë do të nënkuptojë kjo gjë në ditën e gjykimit nga Jehovai?
16 Si rrjedhojë e asaj që sapo kemi shqyrtuar, është më se e vërtetë se ‘dallimi mes të drejtit dhe të ligut’, domethënë, mes të krishterëve të vërtetë dhe atyre të rremë, sot është më i dukshëm se kurrë. (Malakia 3:18) Ne po përpiqemi të jetojmë në lartësinë e normave të Jehovait, ndërkohë që bota në përgjithësi po zhytet gjithnjë e më thellë në llucën e paperëndishmërisë. E ti e di se ky dallim do të ketë pasoja serioze, kur të vijë «dita e madhe e Jehovait».—Sofonia 1:14; Mateu 25:46.
17. Si mund ta përdorësh tani e tutje informacionin e këtij libri?
17 Është e qartë, pra, se këshillat e 12 profetëve vlejnë për çdo kohë. Kur gjendesh përballë sfidave ose vendimeve specifike, të nxitim të rishikosh informacionin praktik që është paraqitur në kapitujt e këtij libri. Kështu mund të tregosh dëshirën tënde të vazhdueshme për t’u mësuar në udhët e Jehovait dhe ‘për të ecur në shtigjet e tij’. (Mikea 4:2) Megjithatë, ecja në këtë udhë nuk përfshin vetëm të tashmen. Ti patjetër dëshiron me zjarr që emri yt të shkruhet një herë e përgjithmonë në librin e kujtimit të Jehovait. Librat e 12 profetëve mund të të ndihmojnë për këtë.
BESIMI ÇON NË SHPËTIM
18. Cilën kërkesë thelbësore gjejmë te Joeli 2:32, dhe çfarë i shtoi apostulli Pavël kësaj kërkese?
18 Duke nënvizuar një faktor kryesor që mund të të sjellë miratimin e përhershëm të Perëndisë, Joeli tha: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» (Joeli 2:32) Dy apostuj, Pjetri dhe Pavli, e përmendën këtë kërkesë jetësore. (Veprat 2:21; Romakëve 10:13) Pavli i shtoi kësaj kërkese një aspekt tjetër kur pyeti: «Si do ta thërrasin atë, tek i cili nuk kanë treguar besim?» (Romakëve 10:14) Sa për ty, me siguri që dëshiron ta thërrasësh emrin e Jehovait dhe të tregosh besim tek ai, tani e përgjithmonë!
19. Çfarë përfshin të thërrasim emrin e Jehovait?
19 Të thërrasësh emrin e Jehovait nuk përfshin vetëm ta dish e ta përdorësh emrin e Perëndisë. (Isaia 1:15) Sipas kontekstit të Joelit 2:32, duhet pendim i vërtetë dhe besim se Jehovai fal. (Joeli 2:12, 13) Të thërrasim emrin e Perëndisë do të thotë ta njohim me të vërtetë atë, të kemi besim tek ai, t’i bindemi dhe ta vëmë në vendin e parë në jetën tonë. Po, shërbimi ndaj Jehovait bëhet gjëja kryesore për ne. Kjo pastaj na ndihmon shumë për të pasur një jetë të kënaqshme e të gjatë, që është një bekim nga Perëndia.—Mateu 6:33.
20. Cilin shpërblim të mrekullueshëm mund të kesh kur tregon besim?
20 Me anë të Habakukut, Jehovai tha: «I drejti do të vazhdojë të jetojë falë besimit.» (Habakuku 2:4) Sigurohu që ta ngulitësh këtë gjë thellë në mendje e në zemër, pasi është një nga të vërtetat themelore të Biblës. Pavli e përmendi tri herë këtë varg në shkrimet e tij të frymëzuara.b (Romakëve 1:16, 17; Galatasve 3:11, 14; Hebrenjve 10:38) Kjo e vërtetë kërkon që të tregosh besim në flijimin që bëri Jezu Krishti për mëkatet tona. Jezui shpjegoi: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, . . . të ketë jetë të përhershme.» Gjithashtu, lexojmë: «Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16, 36) Me anë të këtij flijimi sigurohet shërimi që vetëm Shpenguesi ynë mund ta japë. Pasi dokumentoi thënien e Jehovait se çfarë do të nënkuptojë dita e Tij e madhe për botën e ligë të Satanait, Malakia vazhdoi: «Për ju që keni frikë nga emri im ka për të shkëlqyer dielli i drejtësisë, që sjell shërim në krahët e tij.» Po, Jezui do të shkëlqejë e do të sjellë shërim. Këtu përfshihet edhe shërimi frymor që po përjetojmë tani. Por sa emocionuese është të mendojmë se përfshin edhe shërimin e plotë fizik që do të përjetojmë në botën e re!—Malakia 4:2.
21. Pse mund të kesh besim në aftësinë e Jehovait për të përmbushur vullnetin e tij?
21 Është e domosdoshme të tregojmë besim edhe në aftësinë e Perëndisë për të plotësuar vullnetin e tij. Në ditët e Mikesë ishte e vështirë t’u zije besë njerëzve të tjerë. Profeti tha: «Mos kini besim te shokët. Mos u zini besë as miqve të ngushtë.» Gjithsesi, Mikea s’e kishte të vështirë t’i zinte besë Jehovait; as ti nuk duhet ta kesh të vështirë. Mikea tha: «Por unë do t’i mbaj sytë te Jehovai.» (Mikea 7:5, 7) Ndryshe nga njerëzit, që sillen në mënyrë të paparashikueshme, Jehovai e ka vullnetin dhe fuqinë që ta përmbushë qëllimin e tij për shfajësimin e sovranitetit të vet dhe për lumturinë e përhershme të njerëzve me besim.
22. Ç’përfundim do të kenë ata që e thërrasin emrin e Jehovait me besim?
22 Edhe ti, me plot gojën, mund të thuash fjalët që tha Habakuku: «Unë për vete do të ngazëlloj falë Jehovait, do të gëzohem falë Perëndisë së shpëtimit tim.» (Habakuku 3:18) Profeti Joel na tregon një arsye pse gëzojnë ata që e thërrasin emrin e Jehovait me besim. Ai, si edhe Pavli, thotë se ata ‘do të shpëtojnë’. (Joeli 2:32; Romakëve 10:13) Të shpëtosh në ç’kuptim? Besimi që po tregon, tashmë të ka shpëtuar nga intrigat e Satanait dhe nga përvojat e shumta të hidhura që duhet të përjetojnë të ligjtë. (1 Pjetrit 1:18) Por, më tepër se kaq, mund të presësh me besim shpëtimin në fundin katastrofik të këtij sistemi të lig. Kjo do të të hapë rrugën për një sërë bekimesh që përmendën 12 profetët.
PAMJE PARAPRAKE TË PARAJSËS
23, 24. (a) Çfarë përshkrimesh për parajsën bënë 12 profetët? (b) Si ka ndikuar në pikëpamjen tënde për të ardhmen, ajo që shkruan 12 profetët?
23 Për ata që ‘kanë frikë nga Jehovai’, do të ketë bekime të përhershme. (Malakia 3:16) Disa nga 12 profetët bënë përshkrime të gjalla të parajsës tokësore që do të vijë së shpejti, përshkrime që të mbushin me gëzim e të bëjnë ta presësh me padurim atë. Për shembull, Mikea shkroi: «Kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë.» (Mikea 4:4) Vërtet, nën Mbretërinë e Perëndisë do të ndihesh i sigurt dhe do të korrësh frytet e punës sate.
24 Nuk është thjesht një ëndërr të presësh fundin e sëmundjeve, hidhërimit dhe vdekjes. Mendo sa të gëzuar do të jenë ata që do të rikthehen në jetë, me shpresën për të arritur përsosmërinë njerëzore! Do të provojnë në kuptimin e plotë të fjalës, këtu në tokë, atë që tregohet te Hozea 13:14: «Nga dora e Sheolit do t’i shpengoj, nga vdekja do t’i rimëkëmb. Ku janë thumbat e tu, o Vdekje? Ku është fuqia jote shkatërruese, o Sheol?» Pavli e zbatoi këtë shkrim për ringjalljen qiellore.—1 Korintasve 15:55-57.
25. Çfarë ndjenjash do të provosh në botën e re?
25 Nuk duhet të jetë tepër e vështirë të besosh se do të ketë një ringjallje këtu në tokë. (Zakaria 8:6) Kur Amosi dhe Mikea parathanë që populli i Perëndisë do të kthehej nga mërgimi, kjo mund të jetë dukur e vështirë për t’u besuar. E megjithatë, ti e di që ndodhi vërtet. (Amosi 9:14, 15; Mikea 2:12; 4:1-7) Ata që u kthyen, thanë: «Na u duk si ëndërr. Goja jonë u mbush me gaz, dhe gjuha jonë me britma hareje. . . . Ajo që bëri Jehovai me ne, është madhështore. Ne jemi mbushur me gëzim.» (Psalmi 126:1-3) Kështu do të ndihesh edhe ti në botën e re, pasi të provosh «një bekim të tillë, sa të mos [kesh] më nevojë».
Shërbëtorët e Jehovait janë të rrethuar nga njerëz që e duan të vërtetën dhe drejtësinë
26. Çfarë i pret ata që jetojnë duke mbajtur në mend ditën e Jehovait?
26 Pasi «dita e Jehovait» ta ketë pastruar tokën nga ligësia, «mbretëria do të bëhet e Jehovait» në një kuptim më të plotë. (Abdia 15, 21) A nuk do të jetë ky një bekim i mrekullueshëm për të gjithë nënshtetasit e tij këtu në tokë? Ti mund të jesh ndër ata te të cilët do të zbatohen fjalët e kapitullit të tretë të Malakisë 3: «Ata kanë për t’u bërë të mitë,—ka thënë Jehovai i ushtrive.— . . . Unë do të tregoj dhembshuri për ta, ashtu sikurse një njeri tregon dhembshuri për birin e tij që i shërben.» (Malakia 3:17) Pra, falë besnikërisë sate që të jep tani shpresën për të shpëtuar, atëherë do të marrësh «një bekim të tillë, sa të mos [kesh] më nevojë». Sa shpresë e mrekullueshme!
a Për informacione të mëtejshme, shih Kullën e Rojës, 15 qershor 1987, faqet 14-20, anglisht.
b Pavli e mori shkrimin nga Septuaginta greke, ku formulimi i fjalëve ndryshon paksa nga teksti hebraik.