Eunika dhe Loide: Mësuese shembullore
Si shërbëtorë të Jehovait, e dimë se sigurimi i një arsimimi të efektshëm fetar për fëmijët tanë është një përgjegjësi serioze. Edhe në kushtet më të favorshme, kjo detyrë mund të jetë e ngarkuar me të gjitha llojet e pengesave dhe të vështirësive. Kjo është edhe më e vështirë, kur një prind i krishterë e has këtë sfidë në një shtëpi të ndarë në aspektin fetar. Një situatë e tillë nuk është e re. Shkrimet na tregojnë për një prind, që u gjend në një pozitë të ngjashme në shekullin e parë të e.s.
Familja e një gruaje të quajtur Eunika jetonte në Listra, qytet në rajonin e Likaonisë, në Azinë e Vogël jugqendrore. Listra ishte një qytet i vogël provincial jo me ndonjë rëndësi të madhe. Ajo ishte një koloni romake e quajtur Julia Felix Gemina Lustra, e themeluar nga August Cezari, për t’iu kundërvënë aktivitetit të banditëve në zonat përreth. Eunika ishte një e krishterë judeje, që jetonte në një shtëpi të ndarë në aspektin fetar, me burrin e saj grek, djalin e saj, Timoteun, dhe nënën e saj, Loide.—Veprat 16:1-3.
Ka të ngjarë që në Listra të kishte pak judenj, përderisa Bibla nuk përmend asnjë sinagogë atje, megjithëse kishte një popullsi judeje në Ikoni, rreth 30 kilometra larg. (Veprat 14:19) Kështu që për Eunikën nuk duhet të ketë qenë e lehtë ta praktikonte besimin e saj. Fakti që Timoteu, pas lindjes nuk ishte rrethprerë, ka bërë që disa studiues të hedhin idenë se burri i Eunikës e kishte kundërshtuar këtë gjë.
Megjithatë, në bindjet e saj Eunika nuk ishte e vetme. Duket se Timoteu i mori mësimet mbi «shkrimet e shenjta», si prej mamasë së vet, ashtu dhe prej gjyshes nga mamaja, Loides.a Apostulli Pavël e nxiti Timoteun: «Vazhdo në gjërat që ke mësuar dhe që u binde për t’i besuar, duke ditur se nga cilët persona i mësove dhe se që prej foshnjërisë i ke njohur shkrimet e shenjta, të cilat janë në gjendje të të bëjnë të mençur për shpëtim me anë të besimit në lidhje me Krishtin Jezu.»—2. Timoteut 3:14, 15, BR.
Arsimim «që prej foshnjërisë»
Kur Pavli tha se arsimimi i Timoteut në lidhje me «shkrimet e shenjta» ishte dhënë «që prej foshnjërisë», duket se kjo donte të thoshte që kur ishte bebe. Kjo është në harmoni me përdorimin prej tij të një fjale greke (breʹphos), që në përgjithësi i referohet një të sapolinduri. (Krahaso Lukën 2:12, 16.) Kështu, Eunika e mori seriozisht detyrimin e dhënë prej Perëndisë, duke filluar menjëherë pas lindjes t’i jepte Timoteut atë stërvitje, që do ta ndihmonte të rritej drejt bërjes një shërbëtor i devotshëm i Perëndisë.—Ligji i përtërirë 6:6-9; Fjalët e urta 1:8.
Timoteu ishte «bindur për t’i besuar» të vërtetat nga Shkrimet. Sipas një fjalori grek, fjala që përdori këtu Pavli do të thotë «të jesh i bindur në mënyrë të patundur për; të jesh i siguruar për» diçka. Pa dyshim, janë dashur kohë dhe përpjekje të konsiderueshme për të rrënjosur një bindje të tillë të patundur në zemrën e Timoteut, duke e ndihmuar të arsyetojë mbi Fjalën e Perëndisë dhe të ushtrojë besim në të. Pra, me sa duket, si Eunika, ashtu edhe Loide, bënë një punë të madhe për ta mësuar Timoteun për sa u përket Shkrimeve. Ç’shpërblim korrën ato gra të perëndishme! Pavli mundi të shkruante për Timoteun: «Unë sjell ndër mend besimin që është në ty pa hipokrizi e që banoi më parë te gjyshja jote, Loide dhe te nëna jote Eunika, por i cili, jam i sigurt se është edhe te ty.»—2. Timoteut 1:5, BR.
Çfarë roli jetësor luajtën Eunika dhe Loide në jetën e Timoteut! Në lidhje me këtë, shkrimtari David Rid, pohon: «Nëse apostulli mendonte se s’kishte rëndësi asgjë tjetër përveç përvojës personale të kthimit në besim të Timoteut, do t’ia kishte kujtuar këtë menjëherë. Por gjëja e parë që pati për të thënë në lidhje me besimin e Timoteut, ishte se ky besim qe tashmë ‘i gjallë te Loide . . . dhe Eunika’.» Pohimi i Pavlit në lidhje me besimin e Loides, Eunikës dhe Timoteut tregon se shpesh arsimimi i hershëm biblik i dhënë në shtëpi nga prindërit, e madje edhe nga gjyshërit, është thelbësor në përcaktimin e perspektivave të ardhshme frymore të një të riu. A nuk duhet të mendojnë seriozisht pjesëtarët e familjes në lidhje me atë që po bëjnë për të përmbushur këtë përgjegjësi ndaj Perëndisë dhe fëmijëve të tyre?
Ndoshta Pavli po mendonte edhe për llojin e ambientit familjar që kishin krijuar Loide dhe Eunika. Apostulli mund të ketë shkuar për vizitë në shtëpinë e tyre, gjatë qëndrimit të tij të parë në Listra, rreth viteve 47-48 të e.s. Ka mundësi që të dyja gratë të jenë kthyer në atë kohë në krishterim. (Veprat 14:8-20) Ndoshta marrëdhëniet e ngrohta dhe të lumtura që gëzoi në atë familje, ndikuan në zgjedhjen e fjalëve që përdori Pavli, kur iu referua Loides si «gjyshes» së Timoteut. Sipas studiuesit Sesla Spik, termi grek që përdori ai (mamʹme, në kontrast me termin klasik dhe të respektueshëm teʹthe), është «fjala që përdor një fëmijë për të shprehur dashurinë» për gjyshen e tij, e cila në këtë kontekst përcjell një «nuancë familjariteti dhe përzemërsie».
Nisja e Timoteut
Se cila ishte gjendja civile e Eunikës, kur Pavli vizitoi Listrën për herë të dytë (rreth vitit 50 të e.s.), nuk është e qartë. Shumë studiues mendojnë se ajo ishte e ve. Sidoqoftë, nën udhëheqjen e mamasë dhe të gjyshes së tij, Timoteu ishte bërë në atë kohë një djalosh shumë i mirë, ndoshta te të 20-at. Për të «jepnin dëshmi të mirë vëllezërit e Listrës dhe të Ikonit». (Veprat 16:2) Është e dukshme se në zemrën e Timoteut ishte ngulitur dëshira për të përhapur lajmin e mirë të Mbretërisë, sepse pranoi ftesën e Pavlit për të udhëtuar me të dhe me Silën në udhëtimin e tyre misionar.
Imagjino se si ndiheshin Eunika dhe Loide, kur Timoteu ishte gati për t’u larguar. Ato e dinin se gjatë vizitës së parë të Pavlit në qytetin e tyre, apostullin e kishin goditur me gurë dhe e kishin menduar të vdekur. (Veprat 14:19) Kështu që për to s’duhet të ketë qenë e lehtë ta linin të ikte Timoteun e ri. Ka të ngjarë që ato të kenë pyetur veten se sa kohë do të qëndronte larg dhe nëse do të kthehej shëndoshë e mirë apo jo. Pavarësisht nga këto ankthe të mundshme, pa dyshim që mamaja dhe gjyshja e tij e inkurajuan ta pranonte këtë privilegj të veçantë shërbimi, që do të bënte të mundur t’i shërbente më plotësisht Jehovait.
Mësime të vlefshme
Nga një shqyrtim i vëmendshëm i Eunikës dhe i Loides mund të mësohet shumë. Besimi i nxiti ato që t’i jepnin Timoteut një edukatë frymësisht të shëndetshme. Shembulli i pjekur dhe i qëndrueshëm i devocionit hyjnor që lënë gjyshërit për nipat dhe mbesat e tyre, si dhe për të tjerët, mund t’i sjellë patjetër dobi të gjithë kongregacionit të krishterë. (Titit 2:3-5) Ngjashëm, shembulli i Eunikës u kujton nënave me burra jobesimtarë përgjegjësinë dhe shpërblimet e dhënies së mësimit frymor fëmijëve të tyre. Bërja e kësaj mund të kërkojë hera-herës kurajë të madhe, sidomos kur babai nuk i ka me sy të mirë bindjet fetare të së shoqes. Kjo kërkon edhe takt, sepse gruaja e krishterë duhet ta respektojë kryesinë e burrit të saj.
Besimi, përpjekjet dhe vetëmohimi i Loides dhe i Eunikës u shpërblyen, sepse e panë Timoteun të bënte progres frymor, deri në atë pikë sa u bë një misionar dhe mbikëqyrës i shkëlqyer. (Filipianëve 2:19-22) Ngjashëm, sot për t’u mësuar fëmijëve tanë të vërtetat biblike, kërkohet kohë, durim dhe vendosmëri, por rezultati i shkëlqyer bën që të gjitha përpjekjet t’ia vlejnë me të vërtetë. Shumë të rinj të krishterë shembullorë, të cilëve u janë mësuar «shkrimet e shenjta që prej foshnjërisë» në një shtëpi të ndarë në aspektin fetar, i sjellin gëzim të madh prindit të tyre të perëndishëm. Sa i vërtetë është proverbi që thotë se «ajo që lind një të mençur, do të jetë e gëzuar»!—Fjalët e urta 23:23-25, BR.
Apostulli Gjon tha për fëmijët e tij frymorë: «Nuk ka gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën.» (3. Gjonit 4) Sigurisht, ndjenjën e shprehur në këto fjalë, e kanë shumë nga ata që kanë provuar se janë si Eunika dhe Loide, dy mësuese shembullore.
[Shënimi]
a Që Loide nuk ishte gjyshja e Timoteut nga babai, tregohet nga përkthimi siriak «mamaja e mamasë» në 2. Timoteut 1:5.