Megjithë sprovat, kapu fort pas besimit tënd!
«Konsiderojeni të gjithin një gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme.»—JAKOVIT 1:2, BR.
1. Megjithë çfarë, populli i Jehovait i shërben atij me besim dhe me ‘gëzim zemre’?
POPULLI i Jehovait shërben si Dëshmitar i tij, me besim në të dhe me ‘gëzim zemre’. (Ligji i përtërirë 28:47; Isaia 43:10) Ai e bën këtë, megjithëse është i rrethuar nga shumë sprova. Megjithë mundimet e tij, ai nxjerr ngushëllim nga fjalët: «Konsiderojeni të gjithin një gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme, duke e ditur se kjo cilësi e sprovuar e besimit tuaj prodhon qëndrueshmëri.»—Jakovit 1:2, 3, BR.
2. Çfarë dihet për shkrimtarin e letrës së Jakovit?
2 Ky pohim u shkrua rreth vitit 62 të e.s. nga dishepulli Jakov, gjysmëvëlla i Jezu Krishtit. (Marku 6:3) Jakovi ishte një plak në kongregacionin e Jerusalemit. Në fakt, ai, Kefa (Pjetri) dhe Gjoni «dukej se ishin shtylla», mbështetës të fuqishëm dhe të ngulitur fort të kongregacionit. (Galatasve 2:9, BR) Rreth vitit 49 të e.s., kur përpara ‘apostujve dhe pleqve’ u shtrua çështja e rrethprerjes, Jakovi bëri një propozim të bazuar në Shkrimet, që u adoptua nga ai trup udhëheqës i shekullit të parë.—Veprat 15:6-29.
3. Cilat ishin disa prej problemeve që hasën të krishterët e shekullit të parë dhe si mund të nxjerrim dobinë më të madhe nga letra e Jakovit?
3 Si një bari frymor që merakoset, Jakovi ‘e njihte pamjen e jashtme të tufës’. (Proverbat [Fjalët e urta] 27:23, BR) Ai e kuptonte se atëherë të krishterët ndodheshin përballë sprovash të rënda. Mënyra e të menduarit të disave kërkonte një ndreqje, sepse po mbanin me hatër të pasurit. Për një numër të krishterësh, adhurimi ishte thjesht një formalitet. Me gjuhën e tyre të pakontrolluar, disa po shkaktonin dëmtime. Një frymë sipas botës ishte duke pasur efekte dëmtuese dhe shumë të krishterë as nuk ishin të duruar dhe as nuk i kushtoheshin lutjes. Në fakt, disa të krishterë i kishte zënë sëmundja frymore. Letra e Jakovit i trajton çështje të tilla në një mënyrë ndërtuese dhe sot këshillat e tij janë po aq praktike sa edhe në shekullin e parë të e.s. Do të përfitojmë shumë, nëse këtë letër e konsiderojmë si të na ishte shkruar ne personalisht.a
Kur përjetojmë sprova
4. Si duhet t’i konsiderojmë sprovat?
4 Jakovi na tregon se si t’i konsiderojmë sprovat. (Jakovit 1:1-4, BR) Duke mos përmendur lidhjen e tij familjare me Birin e Perëndisë, me përulësi ai e quan veten «një skllav i Perëndisë dhe i Zotërisë Jezu Krisht». Jakovi u shkruan «dymbëdhjetë fiseve» të Izraelit frymor ‘të shpërndarë’, në fillim për shkak të persekutimit. (Veprat 8:1; 11:19; Galatasve 6:16; 1. Pjetrit 1:1) Si të krishterë, edhe ne jemi të persekutuar dhe ‘hasim sprova të ndryshme’. Por nëse mbajmë mend se sprovat që durojmë e forcojnë besimin tonë, do ta ‘konsiderojmë të gjithin një gëzim’, kur ato bien mbi ne. Nëse gjatë sprovave mbajmë integritetin tonë ndaj Perëndisë, kjo gjë do të na sjellë lumturi të qëndrueshme.
5. Çfarë mund të përfshijnë sprovat tona dhe çfarë ndodh kur i durojmë me sukses ato?
5 Sprovat tona përfshijnë hallet e zakonshme për njerëzimin. Për shembull, mund të na mundojë shëndeti i dobët. Tani Perëndia nuk kryen shërime të mrekullueshme, por ai u përgjigjet lutjeve tona për mençurinë dhe forcën e nevojshme, që t’i bëjmë ballë sëmundjes. (Psalmi 41:1-3) Ne vuajmë, gjithashtu, për hir të drejtësisë si Dëshmitarë të persekutuar të Jehovait. (2. Timoteut 3:12; 1. Pjetrit 3:14) Kur i durojmë me sukses sprova të tilla, besimi ynë provohet, duke u bërë një «cilësi e sprovuar». Kur besimi ynë triumfon, kjo «prodhon qëndrueshmëri». Besimi i bërë më i fortë nëpërmjet sprovave, do të na ndihmojë për të duruar sprova të ardhshme.
6. Si e ka ‘të plotë veprën e saj qëndrueshmëria’ dhe çfarë hapash praktike mund të ndërmerren kur jemi nën sprovë?
6 «Por,—thotë Jakovi,—qëndrueshmëria le ta ketë veprën e saj të plotë.» Nëse e lejojmë një sprovë të bëjë punën e vet, pa u përpjekur për t’i dhënë fund shpejt me anë të mënyrave jobiblike, qëndrueshmëria do të kryejë «veprën» e bërjes sonë të plotë si të krishterë, pa mungesë besimi. Sigurisht, nëse një sprovë zbulon ndonjë dobësi, duhet të kërkojmë ndihmën e Jehovait, për ta kapërcyer atë. Po sikur sprova të jetë tundimi për t’u angazhuar në imoralitet seksual? Le të lutemi në lidhje me atë problem dhe pastaj të veprojmë në harmoni me lutjet tona. Ndoshta mund të kemi nevojë të ndërrojmë vendin e punës apo të ndërmarrim hapa të tjerë, për të mbajtur integritetin ndaj Perëndisë.—Zanafilla 39:7-9; 1. Korintasve 10:13.
Kërkesa për mençuri
7. Si mund të ndihmohemi për t’i përballuar sprovat?
7 Jakovi na tregon se çfarë të bëjmë, nëse nuk e dimë si ta përballojmë një sprovë. (Jakovit 1:5-8, BR) Jehovai nuk do të na qortojë për mungesë mençurie dhe për faktin se i lutemi me besim për mençuri. Ai do të na ndihmojë për ta konsideruar në mënyrën e duhur një sprovë dhe për ta duruar atë. Shkrimet mund të na vijnë ndër mend me anë të bashkëbesimtarëve apo gjatë studimit të Biblës. Ngjarje të manovruara me anë të drejtimit hyjnor, mund të na aftësojnë për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë. Ne mund të udhëhiqemi nga fryma e Perëndisë. (Luka 11:13) Për të gëzuar dobi të tilla, natyrisht që duhet të qëndrojmë të lidhur fort me Perëndinë dhe popullin e tij.—Proverbat 18:1.
8. Pse një dyshues nuk do të marrë asgjë nga Jehovai?
8 Jehovai na jep mençuri për t’i përballuar sprovat, nëse ‘vazhdojmë t’ia kërkojmë me besim, pa dyshuar aspak’. Një dyshues «është si një dallgë deti e drejtuar prej erës dhe e hedhur gjithandej» në mënyrë të paparashikueshme. Po të jemi të paqëndrueshëm frymësisht, ‘nuk duhet të kujtojmë se do të marrim ndonjë gjë nga Jehovai’. Le të mos jemi «të pavendosur» dhe të «paqëndrueshëm» në lutje apo në aspekte të tjera. Përkundrazi, le të kemi besim tek Jehovai, Burimi i mençurisë.—Proverbat 3:5, 6.
Të pasurit dhe të varfërit mund të ngazëllojnë
9. Pse kemi arsye për ngazëllim, si adhurues të Jehovait?
9 Ndonëse varfëria është një prej sprovave tona, le të mbajmë ndër mend se si të krishterët e pasur, ashtu edhe ata të varfër, mund të ngazëllojnë. (Jakovit 1:9-11, BR) Përpara se të bëheshin ithtarë të Jezuit, shumica e të mirosurve kishin pak në aspektin material dhe përbuzeshin nga bota. (1. Korintasve 1:26) Por ata mund të ngazëllonin për «lartësimin» e tyre në lidhje me pozitën si trashëgimtarë të Perëndisë. (Romakëve 8:16, 17) Në të kundërt, njerëz të pasur që dikur nderoheshin, përjetojnë «poshtërimin» si ithtarë të Krishtit, sepse përçmohen nga bota. (Gjoni 7:47-52; 12:42, 43) Megjithatë, si shërbëtorë të Jehovait, të gjithë ne mund të ngazëllojmë, sepse pasuria botërore dhe pozita e lartë nuk janë asgjë në krahasim me pasuritë frymore që gëzojmë ne. Sa mirënjohës jemi që mes nesh nuk ka vend për krenari në lidhje me pozitën shoqërore!—Proverbat 10:22; Veprat 10:34, 35.
10. Si duhet ta konsiderojë një i krishterë pasurinë materiale?
10 Jakovi na ndihmon të kuptojmë se jeta jonë nuk varet nga pasuria dhe nga arritjet botërore. Ashtu si bukuria e një luleje nuk mund ta pengojë vdekjen e saj në «nxehtësinë përvëluese» të diellit, kështu edhe pasuria e një njeriu të pasur nuk mund ta zgjasë jetën e tij. (Psalmi 49:6-9; Mateu 6:27) Ai mund të vdesë ndërkohë që është në ndjekje të ‘rrugëve të tij të jetës’, ndoshta në biznes. Pra, e rëndësishme është të jemi «të pasur ndaj Perëndisë» dhe të bëjmë gjithçka mundemi për të çuar përpara interesat e Mbretërisë.—Luka 12:13-21; Mateu 6:33; 1. Timoteut 6:17-19.
Të lumtur janë ata që durojnë sprovat
11. Cilat janë perspektivat për ata që përballë sprovave kapen fort pas besimit të tyre?
11 Të pasur apo të varfër, ne mund të jemi të lumtur vetëm nëse i durojmë sprovat tona. (Jakovit 1:12-15, BR) Nëse i durojmë sprovat, me besimin të paprekur, ne mund të shpallemi të lumtur, sepse ka gëzim në bërjen e asaj që është e drejtë në sytë e Perëndisë. Duke u kapur fort pas besimit të tyre deri në vdekje, të krishterët e lindur nga fryma marrin «kurorën e jetës», pavdekësinë në qiej. (Zbulesa 2:10; 1. Korintasve 15:50) Nëse kemi shpresë tokësore dhe mbajmë besimin tonë te Perëndia, mund të presim me padurim jetën e përhershme në një tokë parajsore. (Luka 23:43; Romakëve 6:23) Sa i mirë është Jehovai ndaj të gjithë atyre që ushtrojnë besim në të!
12. Kur përjetojmë vështirësi, pse nuk duhet të themi se «Po provohem nga Perëndia»?
12 A është e mundur që vetë Jehovai të na provojë me anë të vështirësive? Jo. Ne nuk duhet të themi: «Po provohem nga Perëndia.» Jehovai nuk përpiqet të na shtyjë që të kryejmë mëkat, por sigurisht që na ndihmon dhe na jep forcën e nevojshme për të duruar sprovat, nëse mbetemi të palëkundur në besim. (Filipianëve 4:13) Perëndia është i shenjtë, kështu që ai nuk na vë në rrethana që do ta dobësonin rezistencën tonë ndaj keqbërjeve. Nëse futemi në një situatë të paperëndishme dhe kryejmë ndonjë mëkat, nuk duhet të fajësojmë atë, «sepse me gjëra të liga Perëndia nuk mund të provohet dhe as ai vetë nuk provon njeri». Ndonëse Jehovai mund ta lejojë një sprovë, që të na disiplinojë për të mirën tonë, ai nuk na provon me qëllim të lig. (Hebrenjve 12:7-11) Satanai mund të na tundojë për të vepruar gabim, por Perëndia mund të na çlirojë nga ky i lig.—Mateu 6:13.
13. Çfarë mund të ndodhë nëse nuk e flakim një dëshirë të gabuar?
13 Ne kemi nevojë t’i kushtohemi lutjes, sepse një situatë mund të bëjë të lindë një dëshirë e gabuar, e cila mund të na shtyjë në mëkat. Jakovi thotë: «Secili provohet duke qenë i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet.» Ne nuk mund të fajësojmë Perëndinë për mëkatin tonë, nëse e kemi lënë zemrën të përqendrohet në një dëshirë mëkatare. Në qoftë se nuk e largojmë nga mendja një dëshirë të gabuar, ‘ajo bëhet pjellore’, ushqehet në zemër dhe «lind mëkatin». Kur mëkati kryhet, «sjell vdekjen». Kuptohet që duhet të ruajmë zemrën tonë dhe t’u rezistojmë prirjeve mëkatare. (Proverbat 4:23) Kaini u paralajmërua se mëkati po i vinte rrotull për ta mposhtur, por ai nuk i rezistoi. (Zanafilla 4:4-8) Kështu, pra, ç’të themi nëse jemi duke filluar të ndjekim një rrugë jobiblike? Sigurisht që duhet të jemi mirënjohës nëse pleqtë e krishterë përpiqen të na ndreqin, që të mos mëkatojmë kundër Perëndisë.—Galatasve 6:1.
Perëndia: Burimi i gjërave të mira
14. Në ç’kuptim mund të thuhet se dhuratat e Perëndisë janë «të përsosura»?
14 Duhet të mbajmë mend se Jehovai është Burimi, jo i sprovave, por i gjërave të mira. (Jakovit 1:16-18, BR) Jakovi iu drejtohet bashkëbesimtarëve si «vëllezër të dashur» dhe tregon se Perëndia është Dhënësi i ‘çdo dhurate të mirë dhe i çdo dhuntie të përsosur’. Dhuratat frymore dhe materiale të Jehovait janë «të përsosura», ose të plota, që nuk u mungon asgjë. Ato vijnë «nga lart», nga vendbanimi i Perëndisë në qiej. (1. Mbretërve 8:39) Jehovai është «Ati i dritave qiellore»: i diellit, hënës dhe yjeve. Ai na jep, gjithashtu, dritë dhe të vërtetë frymore. (Psalmi 43:3; Jeremia 31:35; 2. Korintasve 4:6) Ndryshe nga dielli, i cili ndërsa lëviz bën që hija të ndryshojë dhe që është në zenitin e tij vetëm në kulmin e ditës, Perëndia është gjithmonë në kulmin e tij për sa i përket sigurimit të asaj që është e mirë. Sigurisht që ai do të na pajisë për të përballuar sprovat, nëse përfitojmë në mënyrë të plotë nga sigurimet e tij frymore të dhëna përmes Fjalës së tij dhe «skllavit të besueshëm dhe të matur».—Mateu 24:45.
15. Cila është një prej dhuratave më të shkëlqyera të Jehovait?
15 Cila ka qenë njëra prej dhuratave më të shkëlqyera të Perëndisë? Dhënia e bijve frymorë me anë të frymës së shenjtë, të cilët punojnë në lidhje me lajmin e mirë, apo me «fjalën e së vërtetës». Ata që përjetojnë një lindje frymore janë «disa fryte të para», të zgjedhur nga mesi i njerëzimit, për të qenë «mbretër dhe priftër» qiellorë. (Zbulesa 5:10; Efesianëve 1:13, 14) Jakovi mund të ketë qenë duke menduar për frytin e parë të elbit të ofruar më 16 nisan, e cila ishte data kur Jezui ishte ringjallur dhe për ofertën prej dy bukësh gruri ditën e Rrëshajëve, kur u derdh fryma e shenjtë. (Levitiku 23:4-11, 15-17) Në atë rast, Jezui do të ishte fryti i parë dhe bashkëtrashëgimtarët e tij «disa fryte të para». Po sikur të kemi një shpresë tokësore? Atëherë, mbajtja e saj në mend do të na ndihmojë për t’u kapur fort pas besimit tonë në Dhënësin e «çdo dhurate të mirë», i cili ka bërë të mundur jetën e përhershme nën sundimin e Mbretërisë.
Ji një ‘zbatues i fjalës’
16. Pse duhet të jemi ‘të shpejtë në të dëgjuar, por të ngadalshëm në të folur dhe në zemërim’?
16 Po përjetojmë apo jo pikërisht tani sprova të besimit tonë, ne duhet të jemi ‘zbatues të fjalës’. (Jakovit 1:19-25, BR) Ne kemi nevojë të jemi ‘të shpejtë në të dëgjuarin’ e fjalës së Perëndisë, duke qenë zbatues të bindur të saj. (Gjoni 8:47) Nga ana tjetër, le të jemi «të ngadalshëm në të folur», duke i matur me kujdes fjalët tona. (Proverbat 15:28; 16:23) Jakovi mund të jetë duke na nxitur që të mos jemi të shpejtë për të thënë se sprovat tona e kanë origjinën nga Perëndia. Ne jemi të këshilluar edhe që të jemi «të ngadalshëm në zemërim, sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë». Nëse zemërohemi për atë që thotë dikush, le t’i ‘ulim nervat’, që të shmangim një përgjigje inatçore. (Efesianëve 4:26, 27) Një frymë zemërimi që mund të na shkaktojë probleme dhe të bëhet një sprovë për të tjerët, nuk mund të prodhojë atë që kërkon prej nesh besimi në Perëndinë tonë të drejtë. Veç kësaj, nëse jemi «të bollshëm në aftësi shquese», do të jemi «të ngadalshëm ndaj zemërimit» dhe vëllezërit e motrat tona do të ndihen të tërhequr ndaj nesh.—Proverbat 14:29, BR.
17. Çfarë kryhet me anë të heqjes së të keqes nga zemra dhe nga mendja?
17 Sigurisht që kemi nevojë të jemi të lirë nga «çdo fëlliqësi», nga çdo gjë që Perëndia e neverit dhe që nxit zemërimin. Përveç kësaj, ne duhet ‘të flakim tej atë gjë që është me tepri, të keqen’. Të gjithë ne duhet ta spastrojmë jetën tonë nga çdo papastërti e mishit apo e frymës. (2. Korintasve 7:1; 1. Pjetrit 1:14-16; 1. Gjonit 1:9) Heqja e së keqes nga mendja dhe zemra, na ndihmoi të ‘pranonim me butësi mbjelljen e fjalës’ të së vërtetës. (Veprat 17:11, 12) Pavarësisht nga sa kohë jemi të krishterë, duhet të vazhdojmë të lejojmë që në ne të mbillet më shumë e vërtetë biblike. Pse? Sepse me anë të frymës së Perëndisë, fjala e mbjellë prodhon «personalitetin e ri», që arrin në shpëtim.—Efesianëve 4:20-24, BR.
18. Si ndryshon ai që është vetëm një dëgjues i fjalës nga ai që është, gjithashtu, një zbatues i saj?
18 Si e tregojmë se fjala është udhërrëfyesja jonë? Duke qenë ‘zbatues të bindur të fjalës dhe jo vetëm dëgjues’. (Luka 11:28) «Zbatuesit» kanë një besim që prodhon vepra të tilla si aktivitet të zellshëm në shërbimin e krishterë dhe pjesëmarrje të rregullt në mbledhjet e popullit të Perëndisë. (Romakëve 10:14, 15; Hebrenjve 10:24, 25) Një dëgjues i thjeshtë i fjalës, «është si një njeri që shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë». Ai i hedh një sy, pastaj ikën dhe harron se çfarë mund të nevojitet për të ndrequr paraqitjen e tij të jashtme. Si ‘zbatues të fjalës’, ne studiojmë dhe i bindemi me kujdes «ligjit të përsosur» të Perëndisë, i cili përfshin çdo gjë që ai kërkon prej nesh. Kështu, liria që gëzojmë është tamam e kundërta e skllavërimit ndaj mëkatit dhe vdekjes, sepse ajo çon në jetë. Prandaj, le të ‘këmbëngulim në ligjin e përsosur’, duke e shqyrtuar atë me hollësi dhe duke iu bindur në mënyrë të vazhdueshme. Vetëm mendo! Si ‘zbatues të veprës, jo dëgjues harraq’, ne kemi gëzimin që rezulton nga favori i Perëndisë.—Psalmi 19:7-11.
Shumë më tepër sesa adhurues formalë
19, 20. (a) Sipas Jakovit 1:26, 27, çfarë kërkon prej nesh adhurimi i pastër? (b) Cilët janë disa shembuj të adhurimit të pandotur?
19 Nëse duam të gëzojmë favorin hyjnor, kemi nevojë të mos harrojmë se adhurimi i vërtetë nuk është thjesht një formalitet. (Jakovit 1:26, 27, BR) Ne mund të mendojmë se jemi ‘adhurues formalë’ të pranueshëm të Jehovait, por ajo që ka vërtet rëndësi është vlerësimi që i bën ai secilit prej nesh. (1. Korintasve 4:4) Një e metë serioze mund të jetë dështimi për ‘t’i vënë fre gjuhës’. Do të ishim duke mashtruar veten nëse do të mendonim se Perëndia është i kënaqur me adhurimin tonë, në qoftë se shpifim për të tjerët, themi gënjeshtra, apo e keqpërdorim gjuhën në mënyra të tjera. (Levitiku 19:16; Efesianëve 4:25) Sigurisht që për asnjë arsye, nuk dëshirojmë që «forma e adhurimit tonë» të jetë «e kotë» dhe e papranueshme për Perëndinë.
20 Megjithëse Jakovi nuk citon çdo aspekt të adhurimit të pastër, ai thotë se ky adhurim përfshin ‘kujdesin për jetimët dhe të vejat në mundimet e tyre’. (Galatasve 2:10; 6:10; 1. Gjonit 3:18) Kongregacioni i krishterë tregon interesim të veçantë në marrjen e masave për të vejat. (Veprat 6:1-6; 1. Timoteut 5:8-10) Meqenëse Perëndia është Mbrojtësi i të vejave dhe i atyre pa baba, le të bashkëpunojmë me të, duke bërë atë që mundemi për t’i ndihmuar frymësisht dhe materialisht. (Ligji i përtërirë 10:17, 18) Adhurim i pastër do të thotë, gjithashtu, «ta mbash veten pa njollë nga bota», nga shoqëria e padrejtë njerëzore, që shtrihet nën pushtetin e Satanait. (Gjoni 17:16; 1. Gjonit 5:19) Prandaj, le të mbetemi të lirë nga sjellja e paperëndishme e botës, që të mund të lavdërojmë Jehovain dhe të jemi të dobishëm në shërbimin e tij.—2. Timoteut 2:20-22.
21. Në lidhje me letrën e Jakovit, cilat pyetje të mëtejshme meritojnë shqyrtim nga ana jonë?
21 Këshillat e Jakovit që kemi shqyrtuar deri tani, duhet të na ndihmojnë për të duruar sprovat dhe për t’u kapur fort pas besimit tonë. Ato duhet të rritin çmueshmërinë tonë për Dhënësin e dashur të dhuratave të mira. Gjithashtu, fjalët e Jakovit na ndihmojnë të praktikojmë adhurimin e pastër. Për ç’gjë tjetër na e tërheq vëmendjen ai? Çfarë hapash të mëtejshme mund të ndërmarrim, për të provuar se kemi besim të vërtetë në Jehovain?
[Shënimi]
a Gjatë studimit personal apo familjar të këtij artikulli dhe të dy të tjerëve që e pasojnë, do të vëreni se është veçanërisht dobiprurëse të lexoni çdo pjesë të cituar të letrës së Jakovit, e cila të forcon besimin.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Çfarë do të na ndihmojë për t’i duruar sprovat?
◻ Megjithë sprovat, pse mund të ngazëllojnë të krishterët?
◻ Si mund të jemi zbatues të fjalës?
◻ Çfarë përfshin adhurimi i pastër?
[Figura në faqen 9]
Kur je nën sprovë, ushtro besim te fuqia e Jehovait, për t’iu përgjigjur lutjeve
[Figurat në faqen 10]
«Zbatuesit e fjalës» po shpallin Mbretërinë e Perëndisë anembanë botës