Kapitulli 10
Të kemi neveri për «gjërat e thella të Satanait»
TIATIRA
1. Ku ndodhej Tiatira në raport me kongregacionet e tjera dhe çfarë klime fetare kishte?
RRETH 65 kilometra në juglindje të Bergamasë (Pergamit) gjendet Akhisari, një qytet mjaft i begatë në Turqi. Rreth 1.900 vjet më parë, atje ishte Tiatira. Një mbikëqyrës udhëtues mund të shkonte shumë lehtë nga Pergami në Tiatirë nëpërmjet një rruge në brendësi të vendit dhe të vazhdonte udhën drejt kongregacioneve të tjera, për të cilat flet kapitulli i 3-të i Zbulesës: Sarda, Filadelfia dhe Laodicea. Ndryshe nga Pergami, Tiatira nuk duket se ka qenë një qendër e rëndësishme e kultit të perandorit, megjithatë kishte faltore dhe tempuj kushtuar perëndive pagane. Mbi të gjitha Tiatira ishte një qendër tregtare shumë e njohur.
2, 3. (a) Çfarë thonë Shkrimet për një grua nga Tiatira që u bë e krishterë? (b) Çfarë do të thoshte për të krishterët në Tiatirë se Jezui është «Biri i Perëndisë» dhe se «i ka sytë porsi flakë zjarri»?
2 Kur predikonte në Maqedoni, Pavli takoi një shitëse të purpurtash nga Tiatira, që quhej Lidia. Ajo bashkë me njerëzit e shtëpisë së saj e pranuan me gëzim mesazhin që predikonte Pavli dhe treguan një mikpritje të jashtëzakonshme. (Veprat 16:14, 15) Sipas tregimit biblik, ajo ishte e para nga Tiatira që u bë e krishterë. S’kaluan veç disa vjet, dhe në këtë qytet u formua një kongregacion. Pikërisht këtij kongregacioni Jezui i drejtoi mesazhin më të gjatë: «Engjëllit të kongregacionit në Tiatirë shkruaji: ‘Këto gjëra thotë Biri i Perëndisë, që i ka sytë porsi flakë zjarri dhe këmbët si bakër i kulluar.’»—Zbulesa 2:18.
3 Në disa raste, Jezui përdori shprehjen «Ati im», kur i referohej Jehovait. Por kësaj here, që është e vetmja në të gjithë librin e Zbulesës, ai përdori shprehjen «Biri i Perëndisë». (Zbulesa 2:27; 3:5, 21) Përdorimi i këtij titulli në këtë rast, ndoshta u solli ndër mend të krishterëve në Tiatirë lidhjen e ngushtë që gëzon Jezui me Jehovain. Ky Bir «i ka sytë porsi flakë zjarri». Këto fjalë ishin si një paralajmërim për të krishterët në Tiatirë se ai do të gjykonte dhe do të dënonte këdo që sipas tij ndotte kongregacionin. Duke përmendur për herë të dytë këmbët e tij si bakri që shndrit, ai nënvizoi shembullin e shkëlqyer të besnikërisë që la kur përshkoi me këmbët e tij tokën. S’ka dyshim që të krishterët e Tiatirës ia vunë veshin këshillës së tij. Këtë duhet të bëjmë edhe ne sot.—1 Pjetrit 2:21.
4, 5. (a) Për çfarë i lavdëroi me të drejtë Jezui të krishterët në Tiatirë? (b) Çfarë kanë të përbashkët kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait sot me kongregacionin e Tiatirës?
4 Jezui kishte arsye t’i lavdëronte të krishterët në Tiatirë me fjalët: «I njoh veprat e tua, dashurinë, besimin, shërbimin dhe qëndrueshmërinë tënde, dhe e di që veprat e tua të fundit janë më shumë se të mëparshmet.» (Zbulesa 2:19) Ndryshe nga efesianët, të krishterët e mirosur në këtë qytet nuk e kishin humbur dashurinë e fillimit për Jehovain. Ata kishin besim të fortë. Veç kësaj, veprat e tyre ishin më shumë se të mëparshmet, dhe njësoj si tri kongregacionet për të cilat u fol më parë, të krishterët në Tiatirë po tregonin qëndrueshmëri. Kjo është shumë e vërtetë edhe për të gjitha kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës, që kanë arritur gati 100.000! Në to spikat dashuria për Jehovain, kurse zelli në shërbim i jep jetë e gjallëri organizatës, duke nxitur të vjetër e të rinj. Një numër gjithnjë e në rritje Dëshmitarësh jepen pa kursim pas shërbimit si pionier, duke e përdorur me mençuri kohën që mbetet për të shpallur shpresën e lavdishme të Mbretërisë së Perëndisë që po vjen.—Mateu 24:14; Marku 13:10.
5 Për dekada me radhë, shumë besnikë nga mbetja e të mirosurve dhe nga shumica e madhe kanë treguar një qëndrueshmëri shembullore në shërbim të Perëndisë, ndërkohë që bota përreth kridhej gjithnjë e më thellë në terrin e pashpresë. Prandaj, le të tregojmë guxim edhe ne! Zbulesa vërteton atë që kanë thënë profetët e mëparshëm të Perëndisë. «Dita e madhe e Jehovait është afër. Është afër dhe po shpejton shumë.»—Sofonia 1:14; Joeli 2:1; Habakuku 2:3; Zbulesa 7:9; 22:12, 13.
‘Gruaja Jezebelë’
6. (a) Përveç tipareve të lavdërueshme, ç’problem që kërkonte vëmendje të menjëhershme pikasi Jezui në kongregacionin e Tiatirës? (b) Kush ishte Jezebela dhe a kishte të drejtë të pretendonte se ishte profeteshë?
6 Duke zhbiruar me sytë e tij të zjarrtë, Jezui pikasi diçka që kërkonte vëmendje të menjëhershme. «Megjithatë,—i tha ai kongregacionit të Tiatirës,—kam diçka kundër teje: ti e toleron gruan Jezebelë, që e quan veten profeteshë dhe i mëson e i mashtron skllevërit e mi që të kryejnë kurvëri dhe të hanë gjëra të flijuara idhujve.» (Zbulesa 2:20) Në shekullin e 10-të p.e.s., gruas së mbretit Akab, mbretëreshës Jezebelë, që adhuronte Baalin, i kishte dalë nami si vrasëse, kurorëshkelëse dhe mizore. Jehu, i mirosuri i Jehovait, e ekzekutoi. (1 Mbretërve 16:31; 18:4; 21:1-16; 2 Mbretërve 9:1-7, 22, 30, 33) Jezebela idhujtare as që kishte të drejtë të pretendonte se ishte profeteshë. Ajo s’ishte si Miriami dhe Debora, që shërbyen si profetesha të besueshme në Izrael. (Dalja 15:20, 21; Gjykatësit 4:4; 5:1-31) Për më tepër, fryma e Jehovait nuk e kishte nxitur të profetizonte si bëri me Anën e shkuar në moshë dhe me katër bijat e Filip ungjillëzuesit.—Luka 2:36-38; Veprat 21:9.
7. (a) Për cilin ndikim e kishte fjalën Jezui kur përmendi «gruan Jezebelë»? (b) Si mund ta kenë justifikuar disa gra brenda kongregacionit sjelljen e tyre kryeneçe?
7 Qartë, pra, ‘gruaja Jezebelë’ që thoshte se ishte profeteshë në Tiatirë, shtirej si e tillë. Ajo nuk kishte mbështetjen e frymës së Perëndisë. Po cila ishte ajo? Ka të ngjarë të ishte një grua ose një grup grash që me paturpësi ndikonin për keq në kongregacion. Ndoshta ca nga këto gra kishin çuar disa anëtarë të kongregacionit në imoralitet. Por jo vetëm kaq, ato mund ta kenë justifikuar me pafytyrësi sjelljen e tyre kryeneçe, duke keqinterpretuar disa shkrime. Bënin vërtet profeci të rreme! Me ndikimin e tyre, ato kishin tërhequr edhe të krishterë të tjerë në rrugën e ‘kurvërisë, ndyrësisë, urisë seksuale, dëshirave të dëmshme dhe lakmisë, që është idhujtari’. (Kolosianëve 3:5) Ato i nxitnin anëtarët e kongregacionit të bënin një jetë imorale dhe egoiste, si ajo që tani pranohet ose para së cilës mbyllet një sy në shumicën e feve të «krishterimit».
8. (a) Çfarë tha Jezui për ‘Jezebelën’ në Tiatirë? (b) Si është ndier në kohën tonë ndikimi i pavend i grave?
8 Jezui u tha pleqve në Tiatirë: «I dhashë kohë të pendohej, por ajo nuk do që të pendohet për kurvërinë e saj. Ja, jam gati ta hedh në një shtrat lëngatash, kurse ata që kryejnë kurorëshkelje me të, në shtrëngim të madh, veç në u pendofshin për veprat që bënë të shtyrë nga ajo.» (Zbulesa 2:21, 22) Ashtu si Jezebela, që me ç’duket kishte dalë mbi Akabin e më pas kishte përbuzur Jehun e caktuar nga Perëndia si ekzekutues, me ndikimin e tyre gratë e Tiatirës ndoshta përpiqeshin të manipulonin burrat e tyre dhe pleqtë. Me sa duket pleqtë në Tiatirë po e toleronin këtë ndikim të pavend të grave si Jezebela e dikurshme. Fjalët e Jezuit përbënin një paralajmërim të fuqishëm për to, por edhe për kongregacionin mbarëbotëror të popullit të Jehovait sot. Disa gra të tilla autoritare në kohën tonë i kanë shtyrë burrat e tyre të bëhen apostatë, e madje kanë arritur deri aty sa të ngrenë padi kundër shërbëtorëve besnikë të Jehovait.—Krahaso Judën 5-8.
9. (a) Pse fjalët e Jezuit për Jezebelën nuk e cenojnë emrin e mirë të të gjitha grave në kongregacion? (b) Kur shfaqet ndikimi i Jezebelës?
9 Kjo nuk cenon aspak emrin e mirë të grave besnike në kongregacionin e krishterë. Në ditët tona, pjesa më e madhe e veprës së dëshmisë kryhet nga motrat tona besnike. Falë studimeve biblike që drejtojnë, kongregacionet tona po mbushen gjithnjë e më shumë me dishepuj të rinj. Ato kanë bekimin e Perëndisë, siç thuhet te Psalmi 68:11: «Jehovai jep urdhrin. Gratë që shpallin lajmin e mirë, janë një ushtri e madhe.» Gruaja e respektueshme dhe e butë, e cila «ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë», mund të ndikojë për mirë te burri i saj. (1 Pjetrit 3:1-4) Mbreti Lemuel i lavdëroi gratë e afta dhe punëtore. (Proverbat 31:10-31) Ndikimi i Jezebelës shfaqet vetëm kur një grua nuk mban vendin e vet, duke joshur burrat, duke kundërshtuar ose duke mos pranuar kryesinë e tyre.—Efesianëve 5:22, 23; 1 Korintasve 11:3.
10. (a) Pse u gjykua Jezebela dhe fëmijët e saj? (b) Në ç’rrezik gjenden ata që bëhen fëmijë të Jezebelës dhe ç’duhet të bëjnë?
10 Për «gruan Jezebelë» Jezui vazhdoi: «Fëmijët e saj do t’i vras me një plagë vdekjeprurëse, që të gjitha kongregacionet ta dinë se unë jam ai që shqyrton veshkat dhe zemrat, dhe secilit nga ju do t’i jap sipas veprave të veta.» (Zbulesa 2:23) Jezui i la kohë të pendohej Jezebelës dhe fëmijëve të saj, por ata nuk deshën të hiqnin dorë nga sjellja e tyre imorale, ndaj duhej të merrnin gjykimin e merituar. Ky është një mesazh i fuqishëm edhe për të krishterët sot. Ata që imitojnë Jezebelën, burra a gra qofshin, duke shkelur parimet e Biblës mbi kryesinë dhe moralin e duke shpërfillur me kokëfortësi rregullin teokratik, bëhen fëmijët e saj. Sjellja e tyre tregon se janë të sëmurë frymësisht dhe jashtëzakonisht në rrezik. Sigurisht, nëse ndonjëri nga këta u kërkon pleqve në kongregacion të luten për të, «lutja e besimit do ta shërojë të pamundurin, dhe Jehovai do ta ngrejë», po të jetë i përulur dhe të veprojë në përputhje me lutjet që janë bërë për të. Nga ana tjetër, asnjeri, kushdo qoftë, të mos pandehë se mund t’ia hedhë Perëndisë ose Krishtit, duke u përpjekur të fshehë veprime imorale ose duke u hequr si i zellshëm në shërbim.—Jakovi 5:14, 15.
11. Si ndihmohen kongregacionet sot të rrinë syçelë ndaj rrezikut që paraqit ndikimi i palejueshëm i grave?
11 Shumica e anëtarëve nëpër kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait sot, janë të vetëdijshëm për këtë rrezik. Pleqtë rrinë syçelë për të dalluar çdo qëndrim joteokratik dhe shkelje. Ata përpiqen të ndihmojnë ata burra e gra që i janë futur një rruge të rrezikshme, me qëllim që të forcohen frymësisht e të ndreqen para se të jetë tepër vonë. (Galatasve 5:16; 6:1) Me dashuri dhe vendosmëri, mbikëqyrësit e krishterë frenojnë çdo përpjekje nga ana e grave për të formuar grupazhe të ngjashme me ato që përkrahin lëvizjet për lirinë e grave. Veç kësaj, botimet e Dëshmitarëve të Jehovait japin vazhdimisht këshilla në kohën e duhur për gjëra të tilla.a
12. Si tregon klasa e Gjonit sot të njëjtin zell si Jehu?
12 Kur bëhet fjalë për raste të imoralitetit të rëndë dhe sidomos kur ky është kthyer në praktikë, mëkatarët e papenduar duhet të përjashtohen. A të kujtohet me ç’zell hoqi Jehu çdo gjurmë të ndikimit të Jezebelës në Izrael? Njësoj edhe klasa e Gjonit sot vepron me vendosmëri, duke dhënë shembullin për ‘Jehonadabët’, shokët e tyre, dhe duke qenë krejtësisht të ndryshëm nga shërbëtorët tolerantë të «krishterimit» të sotëm.—2 Mbretërve 9:22, 30-37; 10:12-17.
13. Çfarë do të ndodhë me ata që nuk i kanë bërë ballë ndikimit të keq të grave?
13 Duke qenë Lajmëtari dhe Gjykatësi i Jehovait, Biri i Perëndisë ka të drejtë të identifikojë Jezebelën e kohës sonë dhe ta hedhë në shtratin e lëngatave, pasi sëmundja e saj frymore është vërtet e pashërueshme. (Malakia 3:1, 5) Ata që nuk i kanë bërë ballë këtij ndikimi të keq të grave, do të kenë shtrëngim të madh njësoj si ajo, madje, do të përjetojnë dhembjen e përjashtimit, që do t’i largojë nga kongregacioni i krishterë si të ishin të vdekur. Po të mos pendohen, të kthehen e të pranohen sërish në gjirin e kongregacionit, ata do të vdesin edhe fizikisht nga ‘plaga vdekjeprurëse’, në mos tani patjetër në shtrëngimin e madh. Deri atëherë, kanë kohë të bëjnë përpjekjet e duhura që të jenë sërish pjesë e kongregacionit, duke u penduar vërtet për të këqijat që kanë bërë.—Mateu 24:21, 22; 2 Korintasve 7:10.
14. (a) Si i përdor Jezui pleqtë për të trajtuar disa probleme, për shembull ndonjë ndikim të Jezebelës? (b) Si duhet t’i mbështetë kongregacioni pleqtë që trajtojnë probleme të tilla?
14 «Të gjitha kongregacionet» duhet ta dinë se Jezui shqyrton «veshkat», domethënë ndjenjat më të thella, dhe ‘zemrën’, që është njeriu i brendshëm, duke përfshirë edhe motivet më të fshehta. Për këtë qëllim ai përdor njerëz të besuar, yjet ose ndryshe pleqtë, të cilët trajtojnë disa probleme, si për shembull ndonjë ndikim të Jezebelës që mund të shfaqet. (Zbulesa 1:20) Pasi shqyrtojnë fund e krye ndonjë çështje të këtij lloji dhe japin vendimin, askush s’ka pse të zhbirojë si dhe pse është marrë ky vendim. Të gjithë duhet të pranojnë me përulësi gjykimin e pleqve dhe të vazhdojnë t’i mbështetin yjet e kongregacionit. Besnikëria ndaj Jehovait dhe masave të tij organizative shpërblehet. (Psalmi 37:27-29; Hebrenjve 13:7, 17) Urimi ynë për ty është: paç bekimin e Jezuit, kur t’i japë secilit sipas veprave të tij!—Galatasve 5:19-24; 6:7-9.
«Mbani fort atë që keni»
15. (a) Çfarë u tha Jezui atyre që nuk ishin korruptuar nga Jezebela? (b) Ç’gjë tregon se jo të gjithë ata që thoshin se ishin të krishterë në vitin 1918, ishin korruptuar nga krishterimi apostat?
15 Më pas, Jezui ua ngrohu zemrën me këto fjalë: «Megjithatë, gjithë ju të tjerëve në Tiatirë, që nuk e keni atë mësim, pikërisht juve që, siç thoni, nuk i njihni ‘gjërat e thella të Satanait’, po ju them: nuk po vë mbi ju asnjë barrë tjetër. Vetëm mbani fort atë që keni, derisa të vij unë.» (Zbulesa 2:24, 25) Në Tiatirë kishte besnikë që nuk u ndotën nga ndikimi i Jezebelës. Po ashtu, gjatë 40 vjetëve para vitit 1918 e më pas, mes atyre që e quanin veten të krishterë, jo të gjithë e toleruan imoralitetin dhe korrupsionin kaq të përhapur në «krishterim». Një grup i vogël i Studentëve të Biblës, që sot njihet si Dëshmitarët e Jehovait, u përpoq të ndihmonte anëtarët e Kishave të dallonin origjinën jo të krishtere të shumë doktrinave të «krishterimit». Ai vetë i la pas të gjitha bindjet dhe praktikat babilonase të krishterimit apostat. Këtu përfshihet edhe mësimi liberal i ‘gruas Jezebelë’.
16. Megjithëse Jezui dhe Trupi Udhëheqës i të krishterëve të shekullit të parë nuk shtoi asnjë barrë tjetër, cilave gjëra duhet t’u rrimë larg?
16 Edhe anëtarët e klasës së Gjonit i kanë inkurajuar shokët e tyre, shumicën e madhe, të ruhen nga ndikimet imorale, si ato të botës së ulët të zbavitjes. S’ka pse ta shohim apo ta provojmë vetë degradimin, qoftë nga kureshtja, qoftë gjoja për të ditur se ç’gjëra duhet të shmangim. Është e mençur t’u qëndrojmë larg ‘gjërave të thella të Satanait’. Jezui tha: «Nuk po vë mbi ju asnjë barrë tjetër.» Këto fjalë të sjellin ndër mend dekretin që nxori Trupi Udhëheqës i të krishterëve të shekullit të parë: «Frymës së shenjtë dhe neve na u duk mirë të mos ju shtonim asnjë barrë tjetër, përveç këtyre gjërave të nevojshme: të vazhdoni të rrini larg nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga kafshët e mbytura dhe nga kurvëria. Nëse ruheni me kujdes nga këto, do t’ju vejë mbarë.» (Veprat 15:28, 29) Për të pasur një gjendje të mirë frymore, duhet t’i rrimë larg fesë së rreme, keqpërdorimit të gjakut (si transfuzioneve të gjakut) dhe imoralitetit. Kjo sjell edhe mbrojtjen e shëndetit fizik.
17. (a) Si i tundon sot Satanai njerëzit me ‘gjëra të thella’? (b) Cili duhet të jetë qëndrimi ynë ndaj ‘gjërave të thella’ të botës së sofistikuar të Satanait?
17 Sot, Satanai ka të tjera ‘gjëra të thella’, si spekulime dhe filozofi të ndërlikuara që gudulisin intelektin. Përveç arsyetimeve liberale dhe imorale, «gjërat e thella të Satanait» përfshijnë edhe spiritizmin e teorinë e evolucionit. Si i sheh këto ‘gjëra të thella’ Krijuesi i gjithëdijshëm? Fjalët e tij i citon apostulli Pavël: «Do t’i jap fund mençurisë së të mençurve.» Kurse «gjërat e thella të Perëndisë» janë të thjeshta, të qarta dhe shpresëdhënëse. Të krishterët e mençur i shmangin «gjërat e thella» të botës së sofistikuar të Satanait. Mos harro, «bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë».—1 Korintasve 1:19; 2:10; 1 Gjonit 2:17.
18. Ç’bekime u premtoi Jezui të krishterëve të mirosur që qëndrojnë besnikë deri në fund? Ç’privilegj do të kenë këta të ringjallur në Harmagedon?
18 Më pas, Jezui u dha zemër të krishterëve në Tiatirë me këto fjalë të ngrohta, të cilat inkurajojnë edhe të krishterët e mirosur sot: «Atij që del fitimtar dhe që ndjek udhën time deri në fund, do t’i jap autoritet mbi kombet, njëlloj si mora unë autoritet nga Ati im. Ai do të sundojë mbi njerëzit me një shkop të hekurt, dhe ata do të bëhen copë-copë posi enë argjile.» (Zbulesa 2:26, 27) Çfarë privilegji! Autoriteti që u jepet të mirosurve që dalin fitimtarë kur ringjallen, është pjesëmarrja përkrah Jezuit në shkatërrimin me një «shkop të hekurt» të kombeve rebele në Harmagedon. Kur Krishti t’i bëjë copë e çikë armiqtë e vet si të ishin enë prej balte, armët e fuqishme bërthamore të këtyre kombeve shumë-shumë do të kërcasin sa kërcet një fishekzjarr i lagur.—Psalmi 2:8, 9; Zbulesa 16:14, 16; 19:11-13, 15.
19. (a) Kush është ‘ylli i mëngjesit’ dhe si do t’u ofrojë veten atyre që dalin fitimtarë? (b) Çfarë inkurajimi merr shumica e madhe?
19 Jezui shtoi: «Atij do t’i jap yllin e mëngjesit.» (Zbulesa 2:28) Jezui e shpjegoi më vonë se çfarë ishte ky ‘yll’, kur tha: «Unë jam rrënja dhe pasardhës i Davidit, si dhe ylli i shndritshëm i mëngjesit.» (Zbulesa 22:16) Po, pikërisht Jezui përmbushi profecinë e Jehovait që doli me pahir nga goja e Balaamit: «Një yll do të dalë nga Jakobi, një skeptër do të ngrihet nga Izraeli.» (Numrat 24:17) Atëherë, si do t’ua japë Jezui «yllin e mëngjesit» atyre që dalin fitimtarë? Me sa duket, duke u ofruar atyre veten, duke pranuar që të ketë me ta një marrëdhënie shumë të afërt e intime. (Gjoni 14:2, 3) A nuk është kjo një nxitje e fuqishme për të qëndruar?! Një nxitje e fuqishme është edhe për shumicën e madhe, që e kupton se «ylli i shndritshëm i mëngjesit» së shpejti do të përdorë fuqinë e tij mbretërore për të rivendosur Parajsën këtu në tokë!
Të mbajmë integritetin
20. Cilat zhvillime në fetë e «krishterimit» na kujtojnë disa nga dobësitë që kishte kongregacioni i Tiatirës?
20 Ky mesazh duhet t’i ketë inkurajuar shumë të krishterët në Tiatirë. Merre me mend: vetë Biri i Perëndisë që kishte marrë lavdi në qiell, u kishte folur për disa nga problemet e tyre! Me siguri, të paktën disa prej tyre në atë kongregacion iu përgjigjën mirë kujdesit të dashur të bariut të tyre. Ky mesazh, që është më i gjati nga të shtatë mesazhet, na ndihmon edhe ne sot të identifikojmë kongregacionin e vërtetë të krishterë. Në vitin 1918, kur Jezui erdhi në tempullin frymor të Jehovait për të gjykuar, shumica e organizatave që pretendonin se ishin të krishtere, ishin fëlliqur nga idhujtaria dhe imoraliteti frymor. (Jakovi 4:4) Disa i bazonin bindjet e tyre te mësimet e disa grave me karakter të fortë të shekullit të 19-të, si Elen Uaiti e Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë dhe Meri Bejkër Edi, ithtare e Shkencës së Krishterë. Madje kohët e fundit, shumë gra kanë filluar të predikojnë nga katedra e priftit. (Shih 1 Timoteut 2:11, 12.) Në format e ndryshme të katolicizmit, shpesh Maria merr më shumë nderim se Perëndia dhe Krishti, ndërkohë që vetë Jezui nuk ia dha këtë lloj nderimi. (Gjoni 2:4; 19:26) A janë vërtet të krishtere organizata si këto që pranojnë një ndikim të tillë të palejueshëm nga gratë?
21. Ç’mësime nxjerr secili prej nesh nga mesazhi i Jezuit për kongregacionin e Tiatirës?
21 Të krishterët si individë, nga klasa e Gjonit ose nga delet e tjera, bëjnë mirë t’ia vënë veshin këtij mesazhi. (Gjoni 10:16) Disa mund të tundohen të ndjekin një rrugë të rehatshme, si dishepujt e Jezebelës së Tiatirës. Të tjerë mund të tundohen të bëjnë kompromis. Sot, për shembull, duhet të përballemi me çështje të tilla, si ngrënia e produkteve me gjak ose transfuzionet e gjakut. Disa mund të mendojnë se zelli në shërbimin në fushë ose privilegji për të bërë fjalime, u jep të drejtë të jenë më pak striktë në fusha të tjera, si në shikimin e filmave të dhunshëm dhe imoralë në televizor a në videokaseta, ose në abuzimin me alkoolin. Paralajmërimi që u dha Jezui të krishterëve në Tiatirë na tregon se nuk duhet t’i japim vetes kaq shumë liri. Jehovai do që të jemi të pastër, t’i shërbejmë me gjithë shpirt dhe të mos jemi të përçarë, si shumë të krishterë në Tiatirë.
22. Sa e rëndësishme është sipas Jezuit të dëgjojmë me vëmendje?
22 Në fund Jezui tha: «Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë fryma kongregacioneve.» (Zbulesa 2:29) Jezui i përsëriti për të katërtën herë këto fjalë që ngjajnë me një refren dhe që do të përmbyllin tri mesazhet e ardhshme të tij. Po ti, a ke veshë gati për të dëgjuar? Nëse po, vazhdo të dëgjosh me vëmendje këshillat që Perëndia me frymën e vet vazhdon të japë nëpërmjet kanalit të tij.
[Shënimi]
a Për shembull, shih artikullin «Gratë e krishtere besnike—Adhuruese të çmuara të Perëndisë», në Kullën e Rojës të 1 nëntorit 2003.
[Figurat në faqen 51]
Sot, pjesën më të madhe të veprës së dëshmisë, e kryejnë motrat tona besnike, që mbështetin me modesti autoritetin teokratik