Libri biblik numër 7—Gjykatësit
Shkrimtari: Samueli
Vendi ku u shkrua: Izrael
Shkrimi përfundoi: rr. 1100 p.e.s.
Periudha përkatëse: rr. 1450 p.e.s.–rr. 1120 p.e.s.
1. Pse ishte e jashtëzakonshme periudha e gjykatësve?
NË KËTË libër kemi një faqe plot aksion të historisë së Izraelit, ku shkëmbehen me njëra-tjetrën ngatërresat shkatërrimtare në fenë demonike me shpëtimet e mëshirshme që Jehovai i solli popullit të vet nëpërmjet gjykatësve të emëruar prej tij. Të ngjallin besim bëmat e fuqishme të Otnielit, Ehudit, Shamgarit dhe gjykatësve të tjerë. Sikurse thotë shkrimtari i Hebrenjve: «Nuk do të më dilte koha, po të vazhdoja të tregoja për Gideonin, Barakun, Samsonin, Jefteun, . . . që nëpërmjet besimit mundën mbretëri, vunë në veprim drejtësinë, . . . nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë trima në luftë dhe shpartalluan ushtritë e të huajve.» (Hebr. 11:32-34) Numrin e 12 gjykatësve besnikë të kësaj periudhe, e plotësojnë Tola, Jairi, Ibzani, Eloni dhe Abdoni. (Zakonisht, Samueli nuk llogaritet ndër gjykatësit.) Jehovai luftonte për gjykatësit në betejat e tyre, dhe fryma e tij i mbulonte kur kryenin trimëri. Gjithë meritën dhe lavdinë ia dhanë Perëndisë së tyre.
2. Përse emri në hebraisht i librit është i përshtatshëm?
2 Në përkthimin Septuaginta, libri quhet Kritái, kurse në Biblën në hebraisht është Shofetím, që përkthehet «Gjykatës». Shofetím rrjedh nga folja shafát, që do të thotë «të gjykosh, të hakmerresh, të ndëshkosh, të qeverisësh», kuptime që e shprehin më së miri funksionin e këtyre të caktuarve në mënyrë teokratike prej «Perëndisë, Gjykatësit të të gjithëve». (Hebr. 12:23) Ata ishin burra që, në çaste të veçanta, Jehovai i ngriti për të çliruar popullin e tij nga zgjedha e huaj.
3. Kur u shkrua libri i Gjykatësve?
3 Kur u shkrua libri i Gjykatësve? Dy shprehje të librit na ndihmojnë të gjejmë përgjigjen. E para thotë: «Përkundrazi ata [jebusitët] banojnë edhe sot e kësaj dite në Jerusalem.» (Gjyk. 1:21) Meqë mbreti David ua «mori kalanë e Sionit» jebusitëve vitin e tetë të mbretërimit të tij, d.m.th. në vitin 1070 p.e.s., i bie që libri i Gjykatësve të jetë shkruar përpara asaj date. (2 Sam. 5:4-7) Shprehja e dytë del katër herë: «Ato ditë nuk kishte mbret në Izrael.» (Gjyk. 17:6; 18:1; 19:1; 21:25) Prandaj, tregimi duhet të jetë shkruar në një kohë kur kishte një «mbret në Izrael», pra, pasi Sauli u bë mbreti i parë në vitin 1117 p.e.s. Kështu, libri duhet datuar mes viteve 1117 dhe 1070 p.e.s.
4. Kush ishte shkrimtari i Gjykatësve?
4 Kush ishte shkrimtari? Pa dyshim, ishte një shërbëtor i përkushtuar i Jehovait. Vetëm Samueli del në pah si mbështetësi kryesor i adhurimit të Jehovait në atë kohë tranzicioni nga periudha e gjykatësve në atë të mbretërve, dhe është i pari në vargun e profetëve besnikë. Si i tillë, Samueli ishte në mënyrë të logjikshme njeriu që do të shkruante historinë e gjykatësve.
5. Si mund ta llogaritim periudhën kohore që përfshin libri i Gjykatësve?
5 Cilën periudhë përfshin libri i Gjykatësve? Këtë mund ta llogaritim me ndihmën e 1 Mbretërve 6:1. Sipas përkthimit DSF aty tregohet se Solomoni nisi ta ndërtonte shtëpinë e Jehovait vitin e katërt të mbretërimit të tij, që ishte edhe ‘i katërqind e tetëdhjeti vit pasi bijtë e Izraelit kishin dalë prej Egjiptit’. (Përderisa «i katërqind e tetëdhjeti» është një numëror rreshtor, nënkupton 479 vite të plota.) Periudhat e njohura kohore të përfshira në këta 479 vjet janë 40 vitet nën drejtimin e Moisiut në shkretëtirë (Ligj. 8:2), 40 vitet e mbretërimit të Saulit (Vep. 13:21), 40 vitet e mbretërimit të Davidit (2 Sam. 5:4, 5) dhe 3 vitet e para të plota të mbretërimit të Solomonit. Po të heqim shumën prej 123 vjetësh nga 479 vitet që tregohen te 1 Mbretërve 6:1, mbeten 356 vjet për periudhën mes hyrjes së Izraelit në Kanaan dhe fillimit të mbretërimit të Saulit.a Ngjarjet e shënuara në librin e Gjykatësve, që shtrihen kryesisht nga vdekja e Josiut deri në kohën e Samuelit, përfshijnë rreth 330 vjet nga kjo periudhë 356-vjeçare.
6. Ç’gjë provon se libri i Gjykatësve është autentik?
6 Autenticiteti i librit të Gjykatësve është përtej çdo dyshimi. Judenjtë e kanë pranuar gjithmonë si pjesë të kanunit të Biblës. Shkrimtarë të Shkrimeve Hebraike dhe të Krishtere Greke i janë referuar atij, si për shembull, te Psalmi 83:9-18; Isaia 9:4; 10:26; dhe Hebrenjve 11:32-34. Me çiltërsi, ky libër nuk fsheh asgjë nga të metat dhe zhytja e Izraelit në imoralitet e vese, ndërkohë që ngre lart dashamirësinë e Jehovait. Vetë Jehovai, dhe jo thjesht ndonjë gjykatës njerëzor, merr lavdinë si Çlirimtar i Izraelit.
7. (a) Si e mbështet arkeologjia tregimin e Gjykatësve? (b) Përse Jehovai dekretoi me të drejtë shfarosjen e adhuruesve të Baalit?
7 Vërtetësinë e librit të Gjykatësve e mbështetin edhe gjetjet arkeologjike. Më mbresëlënëset janë ato që lidhen me natyrën e fesë së Baalit të kananitëve. Përveç referimeve biblike, për adhurimin e Baalit dihej shumë pak derisa u bënë gërmime në qytetin e lashtë të Ugaritit (sot qyteti i Ras-Shamrasë në bregun sirian, përballë skajit verilindor të ishullit të Qipros) në fillim të vitit 1929. Atje u zbuluan karakteristika të tilla të fesë së Baalit, si materializmi, nacionalizmi ekstrem dhe adhurimi i seksit. Me sa duket, çdo qytet kananit kishte shenjtëroret e veta të Baalit dhe faltoret e njohura si vende të larta. Brenda faltoreve mund të ketë pasur shëmbëlltyra të Baalit, kurse pranë altarëve që ishin jashtë, u gjendën shtylla guri: me sa duket simbole falike të Baalit. Këto faltore laheshin nga gjaku i flijimeve të pështira në njerëz. Kur u ndotën nga adhurimi i Baalit, edhe izraelitët filluan të flijonin bijtë e bijat e tyre. (Jer. 32:35) Ekzistonte edhe një shtyllë e shenjtë që përfaqësonte nënën e Baalit, Asherahun. Perëndesha e pjellorisë, Ashtorethi, gruaja e Baalit, adhurohej me anë të riteve të fëlliqura seksuale ku burra e gra mbaheshin si prostituta tempulli «të shenjtëruara». S’habitemi që Jehovai kishte urdhëruar shfarosjen e adhurimit të Baalit dhe të ithtarëve të tij shtazarakë. «Ata të mos i dhimbsen syrit tënd. Mos u shërbe perëndive të tyre.»—Ligj. 7:16.b
PËRMBAJTJA E GJYKATËSVE
8. Në sa pjesë ndahet logjikshëm libri i Gjykatësve?
8 Libri ndahet logjikshëm në tri pjesë. Dy kapitujt e parë përshkruajnë kushtet e Izraelit në atë kohë. Kapitujt 3 deri në 16 përshkruajnë çlirimet që sollën 12 gjykatës. Kapitujt 17 deri 21 përshkruajnë disa ngjarje që lidhen me konflikte të brendshme në Izrael.
9. Cilin sfond na japin dy kapitujt hyrës të Gjykatësve?
9 Kushtet në Izrael në kohën e gjykatësve (1:1–2:23). Fiset e Izraelit përhapen teksa vendosen nëpër territoret që u janë caktuar. Por, në vend që t’i dëbojnë krejtësisht kananitët, shumë prej tyre i futin në punë të detyruar dhe i lejojnë të banojnë mes tyre. Për këtë arsye, engjëlli i Jehovait thotë: «Ata do të bëhen lak për ju dhe perënditë e tyre do të shërbejnë si karrem.» (2:3) Kështu, kur lind një brez i ri që nuk e njeh Jehovain dhe veprat e tij, shpejt populli e braktis atë dhe nis t’u shërbejë Baalëve e perëndive të tjera. Përderisa dora e Jehovait është kundër tyre dhe u sjell të këqija, ata ‘e kanë punën pisk’. Ngaqë janë kokëfortë dhe nuk pranojnë t’i dëgjojnë gjykatësit, Jehovai nuk dëbon më asnjë nga kombet që ka lënë për ta vënë në provë Izraelin. Ky sfond na ndihmon të kuptojmë ngjarjet e mëvonshme.—2:15.
10. Falë cilës fuqi gjykon Otnieli, dhe me ç’rezultat?
10 Gjykatësi Otniel (3:1-11). Të gjendur në pikë të hallit, nën robërinë e kananitëve, bijtë e Izraelit nisin t’i thërrasin Jehovait për ndihmë. Ai u cakton si gjykatës të parë, Otnielin. A gjykon Otnieli falë fuqisë a mençurisë njerëzore? Jo, pasi lexojmë: «Fryma e Jehovait erdhi mbi të», që të nënshtronte armiqtë e Izraelit. «Pas kësaj, vendi nuk pati më trazira për dyzet vjet.»—3:10, 11.
11. Si e përdor Jehovai Ehudin për të çliruar Izraelin?
11 Gjykatësi Ehud (3:12-30). Pasi bijtë e Izraelit kanë kaluar 18 vjet nën sundimin e Eglonit, mbretit të Moabit, Jehovai e dëgjon sërish thirrjen e tyre për ndihmë, dhe u cakton si gjykatës Ehudin. Kur merr leje për një bisedë sekrete me mbretin, Ehudi mëngjarash nxjerr nga manteli një shpatë të bërë vetë dhe e vret Eglonin, duke ia ngulur shpatën thellë në barkun e dhjamur. Izraeli rreshtohet me të shpejtë përkrah Ehudit në luftë kundër Moabit, dhe vendi gëzon përsëri prehje nga Perëndia për 80 vjet.
12. Nga duket se fitorja e Shamgarit vjen nga fuqia e Jehovait?
12 Gjykatësi Shamgar (3:31). Shamgari e shpëton Izraelin duke vrarë 600 filistinë. Që fitorja vjen nga dora e Jehovait, duket nga arma që përdor ai: një hosten qesh i zakonshëm.
13. Cilat ngjarje dramatike arrijnë kulmin me këngën e fitores të Barakut e të Deborës?
13 Gjykatësi Barak (4:1–5:31). Më vonë, Izraeli bie nën zgjedhën e mbretit kananit Jabinit, dhe të kreut të ushtrisë së tij, Siserës, të cilët mburren me 900 karrocat e tyre me kosa të hekurta. Kur Izraeli nis t’i thërrasë Jehovait, Ai u cakton si gjykatës Barakun, që mbështetet me mjeshtëri nga profetesha Debora. Që Baraku dhe ushtria e tij të mos kenë fare shkak për t’u mburrur, Debora shpall se beteja do të bëhet nën drejtimin e Jehovait, dhe profetizon: «Jehovai do ta shesë Siserën në duart e një gruaje.» (4:9) Baraku mbledh në malin Tabor burra nga Neftali e Zabuloni. Ushtria e tij prej 10.000 burrash zbret në betejë. Në këtë ditë, fiton besimi i fortë. ‘Jehovai e bën rrëmujë Siserën me tërë karrocat e luftës dhe ushtrinë e tij’, duke i përmbytur me një rrebesh shiu në luginën e Kishonit. «Nuk mbeti as edhe një.» (4:15, 16) Masakrës ia vë kapakun Jaela, gruaja e Heberit, kenitit, e cila vret Siserën, që ia mbath për t’u fshehur në tendën e saj, duke ia ngulur kunjin e tendës në tëmtha derisa e fut në tokë. «Kështu Perëndia e mposhti Jabinin.» (4:23) Debora dhe Baraku ngazëllejnë duke kënduar dhe lëvdojnë fuqinë e pamposhtur të Jehovait, i cili bëri që edhe yjet nga orbitat e tyre të luftonin kundër Siserës. Vërtet, është një kohë ‘për të bekuar Jehovain’! (5:2) Për dyzet vjet më pas ka paqe.
14, 15. Cilën shenjë të mbështetjes së Jehovait merr Gideoni, dhe si përforcohet më shumë kjo mbështetje kur shfarosen përfundimisht midianitët?
14 Gjykatësi Gideon (6:1–9:57). Bijtë e Izraelit bëjnë sërish atë që është e keqe, prandaj vendi shkretohet nga mësymjet e midianitëve. Nëpërmjet engjëllit të vet, Jehovai cakton si gjykatës Gideonin, dhe vetë Jehovai i jep siguri me këto fjalë: «Do të jem unë me ty.» (6:16) Veprimi i parë i guximshëm i Gideonit, është rrëzimi i altarit të Baalit në qytetin e tij. Pastaj, ushtritë e përbashkëta të armikut kalojnë në Jezreel, dhe ‘fryma e Jehovait pushton Gideonin’, që thërret Izraelin në betejë. (6:34) Me anë të provës së bashkës së leshit, të cilën e lë jashtë në lëmë që të laget nga vesa, Gideoni merr një shenjë të dyfishtë që tregon se Perëndia është me të.
15 Jehovai i thotë Gideonit se ushtria e tij prej 32.000 burrash, është tepër e madhe, dhe falë saj njerëzit mund të mburren për fitoren. Të parët që kthehen në shtëpi, janë ata që kanë frikë, dhe mbeten 10.000 veta. (Gjyk. 7:3; Ligj. 20:8) Pastaj, pas provës së pirjes së ujit, eliminohen edhe gjithë të tjerët, përveç 300 burrave syçelë e vigjilentë. Natën, Gideoni shkon të vëzhgojë kampin midianit, dhe merr zemër kur dëgjon një burrë tek interpreton një ëndërr, sipas së cilës «kjo nuk është gjë tjetër veçse shpata e Gideonit . . . Perëndia i vërtetë e ka dhënë Midianin dhe tërë kampin në duart e tij». (Gjyk. 7:14) Gideoni adhuron Perëndinë dhe i rreshton burrat e tij në tri grupe përreth kampit midianit. Papritur, heshtja e natës trandet nga gjëmimi i brirëve, nga copëtimi i shtambave të mëdha, nga flakërima e pishtarëve dhe nga britmat e 300 burrave të Gideonit: «Shpata e Jehovait dhe e Gideonit!» (7:20) Në kampin armik bëhet katrahurë. Ushtarët luftojnë kundër shoqi-shoqit dhe ia mbathin. Izraeli u vihet pas, duke i vrarë bashkë me princat e tyre. Tani, populli i Izraelit i kërkon Gideonit të sundojë mbi ta, por ai nuk pranon dhe thotë: «Mbi ju . . . do të mbretërojë Jehovai.» (8:23) Megjithatë, me prenë e luftës ai bën një efod, që më pas e përnderojnë së tepërmi dhe kthehet në një grackë për Gideonin dhe për shtëpinë e tij. Vendi ka prehje për 40 vitet kur Gideoni është gjykatës.
16. Ç’dënim merr Abimeleku uzurpator?
16 Abimeleku, një nga bijtë e Gideonit, që i lindi nga një konkubinë, uzurpon pushtetin pas vdekjes së Gideonit, dhe vret 70 gjysmëvëllezërit e tij. Arrin të shpëtojë vetëm Jotami, djali më i vogël i Gideonit, i cili jep dënimin për Abimelekun që nga maja e malit Gerizim. Me anë të parabolës së pemëve, ai e krahason «mbretërimin» e Abimelekut me një ferrë të ulët. S’kalon shumë kohë dhe Abimeleku përfshihet në konflikte të brendshme në Sikem. Ai vdes në mënyrë poshtëruese, pasi vritet nga një grua që, nga kulla e Tebezit, i hedh në kokë një gur mulliri, dhe i thyen kafkën.—Gjyk. 9:53; 2 Sam. 11:21.
17. Ç’thotë tregimi për gjykatësit Tola dhe Jair?
17 Gjykatësit Tola dhe Jair (10:1-5). Këta vijnë më pas që të çlirojnë me fuqinë e Jehovait, dhe gjykojnë përkatësisht 23 dhe 22 vjet.
18. (a) Si i çliron Jefteu? (b) Cilin zotim mban me besnikëri Jefteu? Si?
18 Gjykatësi Jefte (10:6–12:7). Izraeli i kthehet me kokëfortësi idhujtarisë, prandaj, zemërimi i flaktë i Jehovait ndizet sërish kundër kombit. Tanimë populli gjendet nën zgjedhën e amonitëve e të filistinëve. Jefteu thirret nga mërgimi që të drejtojë Izraelin në luftë. Por, kush është gjykatësi i vërtetë në këtë luftë? Përgjigjen na e japin vetë fjalët e Jefteut: «Jehovai që është Gjykatës le të gjykojë sot mes bijve të Izraelit dhe bijve të Amonit!» (11:27) Fryma e Jehovait zbret mbi të, dhe ai zotohet se, kur të kthehet nga Amoni me fitore, do t’ia kushtojë Jehovait atë që do të dalë i pari për ta takuar nga shtëpia e tij. Jefteu e mposht Amonin, dhe bën një masakër të madhe. Kur kthehet në shtëpi në Mizpah, vajza e vet del e para për ta takuar gjithë gëzim për fitoren që i dha Jehovai. Jefteu e plotëson zotimin, sigurisht, jo si paganët që bënin flijime njerëzore sipas riteve të Baalit, por duke e kushtuar vajzën e tij të vetme që të shërbejë posaçërisht në shtëpinë e Jehovait për lavdinë e Tij.
19. Cilat ngjarje çojnë deri në provën «Shiboleth»?
19 Mirëpo burrat e Efraimit protestojnë ngaqë nuk i thirrën të luftonin kundër Amonit dhe e kërcënojnë Jefteun, që detyrohet t’i sprapsë. Gjithsej vriten 42.000 efraimitë, shumë prej të cilëve në vaun e Jordanit ku zbulohen ngaqë nuk arrijnë të thonë dot saktësisht fjalëkalimin «Shiboleth». Jefteu gjykon në Izrael për gjashtë vjet.—12:6.
20. Cilët janë tre gjykatësit që përmenden më pas?
20 Gjykatësit Ibzan, Elon dhe Abdon (12:8-15). Për këta gjykatës flitet pak, dhe periudhat kur gjykojnë përfshijnë përkatësisht shtatë, dhjetë dhe tetë vjet.
21, 22. (a) Ç’vepra të fuqishme kryen Samsoni, dhe me fuqinë e kujt? (b) Si e kapin filistinët Samsonin? (c) Cilat ngjarje arrijnë kulmin me bëmën me të madhe të Samsonit, dhe kush kujtohet për të në atë çast?
21 Gjykatësi Samson (13:1–16:31). Edhe një herë Izraeli bie në duart e filistinëve. Kësaj radhe Jehovai cakton si gjykatës Samsonin. Prindërit e kushtojnë atë si një nazire që nga lindja, dhe kjo kërkon që mbi flokët e tij të mos kalojë kurrë brisku. Jehovai e bekon teksa rritet, dhe ‘pas ca kohësh, fryma e Jehovait nis ta shtyjë që të veprojë’. (13:25) Sekreti i forcës së tij nuk qëndron te muskujt njerëzorë, por te fuqia që i jep Jehovai. Kur ‘fryma e Jehovait nis të veprojë tek ai’, ai merr fuqi të vrasë një luan me duart e veta, dhe më vonë ua shpaguan filistinëve tradhtinë duke vrarë 30 prej tyre. (14:6, 19) Kur filistinët vazhdojnë të sillen me të pabesë kundrejt Samsonit që fejohet me një vajzë filistine, ky merr 300 dhelpra, i lidh bisht më bisht, u vë pishtarë të ndezur midis bishtave dhe i lëshon të djegin arat me drithë, vreshtat dhe ullishtet e filistinëve. Pastaj bën kërdinë mes filistinëve, «duke bërë pirgje me këmbët e me kofshët e tyre». (15:8) Filistinët u mbushin mendjen disa izraelitëve, burra të Judës, që ta lidhin Samsonin e ta dorëzojnë në duart e tyre, por edhe një herë ‘fryma e Jehovait nis të veprojë tek ai’, dhe litarët me të cilët e kanë lidhur shkrinë, si të thuash, dhe i bien nga duart. Samsoni vret një mijë filistinë, «një pirg e dy pirgje»! (15:14-16) Arma shkatërrimtare? Nofulla e një gomari të sapongordhur. Jehovai e freskon shërbëtorin e tij të rraskapitur, duke nxjerrë ujë nga një burim me anë të një mrekullie, në fushë të betejës.
22 Më pas, Samsoni e kalon natën në shtëpinë e një prostitute në Gaza ku filistinët e rrethojnë pa u ndier. Mirëpo, edhe një herë fryma e Jehovait është me të kur ai ngrihet në mesnatë, shkul dyert e portës së qytetit dhe mbajtëset anësore dhe i çon deri në majë të një mali përballë Hebronit. Pas kësaj, ai bie në dashuri me Delilën e pabesë. Ajo bëhet me dashje vegël në duart e filistinëve, dhe ia sjell shpirtin në majë të hundës, aq sa më në fund ai i zbulon se kushtimi i tij si nazire për Jehovain, që simbolizohet nga flokët e gjatë, është burimi i vërtetë i forcës së madhe që ka. Kur ai është në gjumë, ajo i pret flokët. Kësaj here është e kotë të zgjohet që të luftojë, sepse ‘Jehovai e ka braktisur’. (16:20) Filistinët e kapin, i nxjerrin sytë dhe e vënë të bluajë si skllav në burgun e tyre. Gjatë një feste të madhe për nder të perëndisë së tyre Dagonit, filistinët e nxjerrin Samsonin që t’i argëtojë. Ata e nënvlerësojnë faktin që ndërkohë flokët e tij janë bërë sërish të dendur dhe e lejojnë të mbështetet midis dy shtyllave kryesore të shtëpisë që përdoret për adhurimin e Dagonit. Samsoni i thërret Jehovait: «O Zotëri Jehova, të lutem, kujtohu për mua dhe më jep forcë vetëm këtë herë!» Jehovai kujtohet për të. Samsoni i kap shtyllat dhe ‘përkulet me fuqi’—me fuqinë që i jep Jehovai—‘dhe shtëpia bie, saqë ata që vret kur vdes, janë më të shumtë se ata që ka vrarë kur qe gjallë’.—16:28-30.
23. Cilat ngjarje përmenden në kapitujt 17 deri 21, dhe kur ndodhin ato?
23 Tanimë mbërrijmë në kapitujt 17 deri 21, që përshkruajnë disa konflikte të brendshme që mjerisht godasin Izraelin gjatë kësaj periudhe. Këto ngjarje ndodhin shumë herët në periudhën e gjykatësve, dhe kjo duket ngaqë Jonatani dhe Finehasi, nipër të Moisiut e të Aaronit, janë ende gjallë.
24. Në ç’mënyrë disa danitë ndjekin një fe të pavarur?
24 Mikea dhe danitët (17:1–18:31). Mikea, një burrë nga Efraimi, bën një vend të pavarur adhurimi, një «shtëpi perëndish» idhujtarie, ku ka një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një prift levit. (17:5) Disa burra nga fisi i Danit kalojnë andejpari, teksa udhëtojnë drejt veriut në kërkim të trashëgimisë. Ata i grabitin Mikesë sendet fetare dhe priftin, dhe marshojnë tutje për në veri që të shkatërrojnë qytetin e Laishit, i cili nuk e pret fare një gjë të tillë. Në vend të tij ndërtojnë qytetin e Danit ku vendosin shëmbëlltyrën e gdhendur të Mikesë. Kështu, gjatë gjithë kohës që shtëpia e adhurimit të vërtetë të Jehovait qëndron në Shiloh, ata ndjekin një fe që e zgjedhin me kokën e vet.
25. Si arrin kulmin në Gibeah lufta e brendshme e Izraelit?
25 Mëkati i Beniaminit në Gibeah (19:1–21:25). Tregimi që dokumentohet më tej, e nxit Hozenë të shkruajë më vonë: «Ti ke mëkatuar që nga ditët e Gibeahut, o Izrael.» (Hoz. 10:9) Rrugës për t’u kthyer në shtëpi, bashkë me konkubinën e tij, një levit nga Efraimi e kalon natën te një burrë i moshuar në Gibeah të Beniaminit. Ca njerëz pa pikë vlere të qytetit rrethojnë shtëpinë dhe kërkojnë të kenë marrëdhënie seksuale me levitin. Megjithatë, pranojnë të marrin konkubinën në vend të tij dhe e përdhunojnë gjithë natën. Të nesërmen, atë e gjejnë të vdekur në prag të derës. Leviti e merr me vete në shtëpi trupin e saj, e ndan në 12 copa dhe i shpërndan nëpër gjithë Izraelin. Kësisoj, 12 fiset vihen në provë. A do ta ndëshkojnë Gibeahun dhe të zhdukin këtë imoralitet nga Izraeli? Beniamini e toleron këtë krim të shëmtuar. Fiset e tjera mblidhen në Mizpah para Jehovait, ku vendosin të hedhin short e të ngrihen kundër Beniaminit në Gibeah. Pasi munden në dy beteja të përgjakshme, fiset e tjera ia dalin mbanë, duke ngritur një pritë, dhe praktikisht e shfarosin krejt fisin e Beniaminit. Vetëm 600 burra arrijnë t’ia mbathin në shkrepin e Rimonit. Më vonë, Izraeli ndien keqardhje për fisin që u këput. Më pas, beniaminitëve që mbijetojnë, u krijohet mundësia të gjejnë gra mes bijave të Jabesh-Galaadit dhe të Shilohut. Me kaq mbyllet një histori luftërash e intrigash në Izrael. Siç thonë përsëri fjalët mbyllëse të Gjykatësve: «Ato ditë nuk kishte mbret në Izrael. Gjithsecili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij.»—Gjyk. 21:25.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
26. Cilat paralajmërime të fuqishme nga libri i Gjykatësve zbatohen edhe për ditët tona?
26 Libri i Gjykatësve nuk është aspak një dokumentim i thjeshtë i luftërave dhe i gjakderdhjes. Ai lartëson Jehovain si Çlirimtarin e madh të popullit të vet. Tregon si shprehet mëshira dhe shpirtgjerësia e tij e pakrahasueshme ndaj popullit që mban emrin e tij kur ata i afrohen me zemër të penduar. Libri i Gjykatësve është sidomos i dobishëm kur flet për mbrojtjen e drejtpërdrejtë të adhurimit të Jehovait, paralajmërimet e fuqishme kundër marrëzisë së fesë demonike, lidhjet ndërfetare dhe shoqërimin me njerëz imoralë. Dënimi i ashpër që i dha Jehovai adhurimit të Baalit, duhet të na nxitë të qëndrojmë të pandotur nga barasvlerësit e tij modernë: materializmi, nacionalizmi dhe imoraliteti seksual.—2:11-18.
27. Si mund të përfitojmë sot nga shembulli i mirë i gjykatësve?
27 Shqyrtimi i besimit të patrembur e të guximshëm të gjykatësve duhet të ngjallë në zemrën tonë një besim të ngjashëm. S’habitemi që te Hebrenjve 11:32-34, për ta flitet me një ndjenjë të tillë të flaktë miratimi! Ata luftuan për shenjtërimin e emrit të Jehovait, por jo falë fuqisë së tyre. E dinin fare mirë burimin e forcës së tyre, frymën e Jehovait, dhe e pranuan përulësisht këtë. Po njësoj, edhe ne sot mund të marrim «shpatën e frymës», Fjalën e Perëndisë, me besimin se Perëndia do të na japë fuqi, ashtu si bëri me Barakun, Gideonin, Samsonin dhe me të tjerë. Po, tek kapërcejmë pengesa të mëdha, me ndihmën e frymës së Jehovait, ne mund të jemi po aq të fortë frymësisht, sa ishte Samsoni fizikisht, nëse i lutemi Jehovait dhe mbështetemi tek ai.—Efes. 6:17, 18; Gjyk. 16:28.
28. Si na e drejton vëmendjen libri i Gjykatësve te shenjtërimi i emrit të Jehovait nëpërmjet Farës së Mbretërisë?
28 Profeti Isaia i referohet librit të Gjykatësve në dy raste, për të treguar se Jehovai, pa asnjë dyshim, do të copëtojë zgjedhën që armiqtë e Tij kanë vendosur mbi popullin e tij, ashtu sikurse bëri në ditët e Midianit. (Isa. 9:4; 10:26) Kjo na sjell ndër mend edhe këngën e Deborës e të Barakut që mbyllet me këtë lutje të zjarrtë: «Kështu vdekshin të gjithë armiqtë e tu, o Jehova! Ata që të duan qofshin si dielli kur lind me tërë forcën e tij!» (Gjyk. 5:31) Cilët janë ata që e duan Perëndinë? Jezu Krishti tregoi se janë trashëgimtarët e Mbretërisë, prandaj përdori një shprehje të ngjashme te Mateu 13:43: «Në atë kohë, të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre.» Kështu, libri i Gjykatësve na e drejton vëmendjen te koha kur Gjykatësi i drejtë dhe Fara e Mbretërisë, Jezui, do të ushtrojë pushtet. Nëpërmjet tij, Jehovai do t’i sjellë lavdi emrit të vet e do ta shenjtërojë në përputhje me lutjen e psalmistit për armiqtë e Perëndisë: «Bëj me ta si me Midianin dhe me Siserën, si me Jabinin në luginën e përroit të Kishonit . . . që ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.»—Psal. 83:9, 18; Gjyk. 5:20, 21.
[Shënimet]
a Shumica e përkthimeve moderne dëshmojnë se shprehja «rreth katërqind e pesëdhjetë vjet» që është përdorur te Veprat 13:20, nuk përkon me periudhën e gjykatësve, por i paraprin asaj; duket që ato vite përfshijnë periudhën nga lindja e Isakut në vitin 1918 p.e.s., deri në ndarjen e Tokës së Premtuar në vitin 1467 p.e.s. (Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 462, anglisht) Radha në të cilën përmenden gjykatësit te Hebrenjve 11:32, është e ndryshme nga ajo që paraqitet në librin e Gjykatësve. Por ky fakt nuk tregon domosdoshmërisht se ngjarjet në librin e Gjykatësve nuk ndjekin një linjë kronologjike, sikundër është e sigurt që Samueli nuk erdhi pas Davidit.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 228, 229, 948, anglisht.