Libri biblik numër 19—Psalmet
Shkrimtarë: Davidi dhe të tjerë
Vendi ku u shkrua: i papërcaktuar
Shkrimi përfundoi: rr. 460 p.e.s.
1. Çfarë është libri i Psalmeve dhe ç’përmban ai?
PSALMET ishin libri i frymëzuar i këngëve që kishin adhuruesit e vërtetë të Jehovait në kohët e lashta; një përmbledhje me 150 këngë të shenjta ose psalme, të shoqëruara me muzikë dhe të përshtatura për adhurimin publik të Perëndisë Jehova në tempullin e tij në Jerusalem. Këto psalme nuk janë vetëm këngë lavdie kushtuar Jehovait, por përmbajnë edhe lutje përgjërimi për mëshirë e ndihmë, si dhe shprehje besimi e sigurie. Janë plot e përplot me falënderime e lavdërime dhe me shprehje të një gëzimi të madh, të jashtëzakonshëm. Disa janë përmbledhje historike që shqyrtojnë dashamirësinë e Jehovait dhe bëmat e tij të mëdha. Këto psalme janë mbushur me profeci, shumë prej të cilave janë përmbushur në mënyrë mahnitëse. Kanë shumë mësime të dobishme e ndërtuese, që të gjitha të shprehura me një gjuhë të përpunuar e me një imagjinatë që e prek thellë lexuesin. Psalmet janë një banket i bollshëm frymor, i përgatitur me shije dhe i shtruar para nesh në një formë tërheqëse.
2. (a) Ç’tituj janë përdorur për librin e Psalmeve dhe me ç’domethënie? (b) Ç’është një psalm?
2 Çfarë do të thotë titulli i librit dhe kush i shkroi Psalmet? Në Biblën hebraike, libri quhet Séfer Tehilím, që do të thotë «Libër me lavde» ose thjesht Tehilím, domethënë «Lavde». Kjo fjalë është shumësi i fjalës Tehiláh, që do të thotë «Lavd» ose «Këngë lavdie», e cila gjendet në mbishkrimin e Psalmit 145. Emri «Lavde» është më se i përshtatshëm, pasi në gjithë librin i thuren lavde Jehovait. Titulli «Psalmet» vjen nga Septuaginta greke, e cila përdori fjalën Psalmói, që përshkruan këngë të kënduara e të shoqëruara me muzikë. Kjo fjalë gjendet edhe në disa vargje te Shkrimet e Krishtere Greke, si te Luka 20:42 dhe Veprat 1:20. Një psalm është një këngë ose poezi e shenjtë, e përdorur për të lëvduar dhe adhuruar Perëndinë.
3. Ç’kuptojmë nga mbishkrimet për sa u përket shkrimtarëve?
3 Shumë psalme kanë mbishkrime dhe shpesh në to përmendet emri i shkrimtarit. Shtatëdhjetë e tre mbishkrime kanë emrin e Davidit, «njeriut të këndshëm të melodive të Izraelit». (2 Sam. 23:1) Pa dyshim, edhe Psalmet 2, 72 dhe Ps 95 u shkruan po ashtu nga Davidi. (Shih Veprat 4:25, Psalmin 72:20 dhe Hebrenjve 4:7.) Veç kësaj, Psalmet 10 dhe 71 duket se janë përkatësisht vazhdim i Psalmeve 9 e 70, prandaj mund të thuhet që edhe ato i ka shkruar Davidi. Dymbëdhjetë psalme mbajnë emrin e Asafit, që i referohet, me sa duket, shtëpisë së Asafit, pasi disa prej tyre flasin për ngjarje që kanë ndodhur pas kohës së tij. (Psal. 79; Ps 80; 1 Kron. 16:4, 5, 7; Ezd. 2:41) Njëmbëdhjetë psalme u atribuohen drejtpërdrejt bijve të Korahut. (1 Kron. 6:31-38) Psalmi 43 duket se është vazhdim i Psalmit 42, prandaj edhe ai mund t’u atribuohet bijve të Korahut. Përveç «bijve të Korahut», në mbishkrimin e Psalmit 88 përmendet edhe Hemanin, ndërsa në Psalmin 89 përmendet Etani si shkrimtar. Psalmi 90 i atribuohet Moisiut, i cili ka shumë mundësi të ketë shkruar edhe Psalmin 91. Psalmi 127 është i Solomonit. Pra, rreth 70 për qind, ose dy të tretat e psalmeve janë shkruar nga shkrimtarë të ndryshëm.
4. Cilën periudhë kohore përfshin shkrimi?
4 Libri i Psalmeve është libri më i gjatë në Bibël. Siç e tregojnë Psalmet 90, 126 dhe Ps 137, shkrimi i tij zgjati shumë kohë, të paktën që nga koha kur shkroi Moisiu (1513 p.e.s.-1473 p.e.s.) deri pas rivendosjes nga Babilonia, e ndoshta deri në kohën e Ezdrës (537 p.e.s.–rr. 460 p.e.s.). Kështu, duket se shkrimi ka zgjatur afërsisht një mijë vjet. Por, koha së cilës i referohet përmbajtja e librit është shumë më e madhe, duke filluar që nga koha e krijimit, dhe përmbledh historinë e veprimeve të Jehovait me shërbëtorët e tij deri kur u kompozuan psalmet e fundit.
5. (a) Në ç’mënyrë pasqyron organizim libri i Psalmeve? (b) Ç’informacion të mëtejshëm sigurojnë mbishkrimet? (c) Përse fjala «Sélah» s’ka nevojë të shqiptohet gjatë leximit?
5 Libri i Psalmeve pasqyron organizim. Vetë Davidi flet për «procesionet e Perëndisë tim, Mbretit tim, që hynin në vendin e shenjtë. Këngëtarët prinin, ata që u binin veglave me tela pas i ndiqnin, në mes ishin vashat që u binin dajreve. Në turma të mbledhura bekoni Perëndinë, Jehovain». (Psal. 68:24-26) Kjo shpjegon pse nëpër mbishkrime gjejmë shpesh shprehjen «Dirigjuesit», si dhe terma të shumtë poetikë e muzikorë. Disa mbishkrime shpjegojnë përdorimin ose qëllimin pse është shkruar një psalm, ose japin udhëzime muzikore. (Shih mbishkrimet e Psalmeve 6, 30, 38, 60, 88, 102 dhe 120.) Të paktën në 13 psalme të Davidit, si Psalmet 18 dhe 51, tregohen shkurtimisht ngjarjet që nxitën kompozimin e tyre. Tridhjetë e katër psalme nuk kanë fare mbishkrime. Fjala e vogël «Sélah», që del 71 herë në tekstin kryesor, mendohet në përgjithësi se është term teknik që përdorej në muzikë ose recitim, ndonëse domethënia e saj nuk është e sigurt. Disa thonë se tregon një pauzë për të medituar në heshtje gjatë këngës, ose si gjatë këngës, ashtu edhe gjatë pjesëve instrumentale. Prandaj, s’ka nevojë të shqiptohet gjatë leximit.
6. (a) Në sa vëllime të veçanta është ndarë libri i Psalmeve? (b) Me sa duket, kush e organizoi librin e Psalmeve derisa mori formën përfundimtare?
6 Që nga kohët e lashta, libri i Psalmeve është ndarë në pesë libra ose vëllime, si vijon: (1) Psalmet 1-41; (2) Psalmet 42-72; (3) Psalmet 73-89; (4) Psalmet 90-106; (5) Psalmet 107-150. Duket se grupimin fillestar të këtyre këngëve e ka bërë Davidi. Me sa duket, Ezdra, prift dhe «kopist i zoti i ligjit të Moisiut», u përdor nga Jehovai për të organizuar librin e Psalmeve në formën përfundimtare.—Ezd. 7:6.
7. Ç’aspekte të tjera të Psalmeve janë për t’u vërejtur?
7 Rritja shkallë-shkallë e kësaj përmbledhjeje mund të shpjegojë pse disa nga psalmet përsëriten në pjesë të ndryshme, si Psalmet 14 dhe 53; 40:13-17 dhe Ps 70; 57:7-11 dhe Ps 108:1-5. Secila nga pesë pjesët mbyllet me një doksologji, domethënë një dhënie lëvdimi për Jehovain. Katër prej këtyre janë përgjigjja e popullit, kurse e fundit është gjithë Psalmi 150.—Psal. 41:13, shënimi te Bibla me referime, anglisht.
8. Shpjego dhe ilustro stilin akrostik të kompozimit.
8 Në nëntë psalme përdoret një stil shumë i veçantë kompozimi, që quhet akrostik, për shkak të strukturës alfabetike. (Psalmet 9, 10, 25, 34, 37, 111, 112, 119 dhe 145) Në këtë strukturë, vargu ose vargjet e para të strofës së parë fillojnë me shkronjën e parë të alfabetit hebraik, álef (א); vargu ose vargjet e tjera me shkronjën e dytë, beth (ב), e kështu me radhë, duke përdorur të gjitha ose pothuajse të gjitha shkronjat e alfabetit hebraik. Kjo mund të ketë shërbyer për t’i kujtuar më lehtë psalmet. Për të kuptuar pse, mjafton të mendojmë që këngëtarët e tempullit duhej të mbanin mend këngë të gjata si Psalmi 119! Vlen të përmendet që një akrostik i emrit të Jehovait gjendet në Psalmin 96:11. Gjysma e parë e këtij vargu, në hebraisht, përbëhet nga katër fjalë, dhe shkronjat e para të fjalëve, po të lexohen nga e djathta në të majtë, janë katër bashkëtingëlloret hebraike të Tetragramit, JHVH (יהוה).
9. (a) Për shkak të cilit sfond, shumë pjesë të psalmeve i flasin drejtpërdrejt mendjes dhe zemrës? (b) Ç’gjë tjetër e shton fuqinë dhe bukurinë e tyre?
9 Këto poezi lirike të shenjta janë shkruar në vargje hebraike, pa rimë, dhe nga ana stilistike kanë një bukuri të pashoqe e një rrjedhshmëri ritmike të mendimit. I flasin drejtpërdrejt mendjes e zemrës dhe krijojnë tablo të gjalla. Larmia dhe thellësia e mrekullueshme, si e tematikës, ashtu dhe e ndjenjave të forta që shprehen, pjesërisht u detyrohen përvojave të jashtëzakonshme që kaloi Davidi, të cilat janë sfondi i shumë psalmeve. Pak njerëz kanë pasur një jetë kaq të larmishme: bari, luftëtar i vetëm përballë Goliadit, muzikant i oborrit, ikanak i rrethuar nga miq besnikë dhe tradhtarë, mbret dhe pushtues, baba i dashur me një familje të përçarë, njeri që e provoi dy herë brengën e mëkatit të rëndë, e megjithatë ishte gjithnjë adhurues i zjarrtë i Jehovait dhe e donte shumë Ligjin e Tij. Me një sfond të tillë, nuk habitemi që libri i Psalmeve përfshin gjithë spektrin e ndjenjave njerëzore! Fuqisë dhe bukurisë së madhe i japin një dorë edhe paralelizmat e kontrastet që janë kaq tipike për poezinë hebraike.—Psal. 1:6; 22:20; 42:1; 121:3, 4.
10. Ç’prova kemi për autenticitetin e Psalmeve?
10 Për autenticitetin e këtyre këngëve të lashta të lavdisë për Jehovain jep mjaft prova fakti që janë në përputhje të plotë me pjesën tjetër të Shkrimeve. Libri i Psalmeve citohet shumë herë nga shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke. (Psal. 5:9 [Rom. 3:13]; Psal. 10:7 [Rom. 3:14]; Psal. 24:1 [1 Kor. 10:26]; Psal. 50:14 [Mat. 5:33]; Psal. 78:24 [Gjoni 6:31]; Psal. 102:25-27 [Hebr. 1:10-12]; Psal. 112:9 [2 Kor. 9:9]) Vetë Davidi tha në këngën e fundit që kompozoi: «Fryma e Jehovait foli nëpërmjet meje, dhe fjala e tij ishte në gjuhën time.» E njëjta frymë kishte vepruar tek ai që nga dita kur e kishte mirosur Samueli. (2 Sam. 23:2; 1 Sam. 16:13) Edhe apostujt cituan nga Psalmet. Pjetri përmendi ‘shkrimin që fryma e shenjtë e tha që më parë me anë të Davidit’. Po ashtu, shkrimtari i letrës drejtuar hebrenjve përdori shumë citime nga Psalmet, të cilave ose iu referua si thënie të Perëndisë, ose u parapriu me fjalët «siç thotë fryma e shenjtë».—Vep. 1:16; 4:25; Hebr. 1:5-14; 3:7; 5:5, 6.
11. Në ç’mënyrë fjalët e Jezuit përbëjnë dëshminë kryesore për autenticitetin e Psalmeve?
11 Por, prova më e fortë e autenticitetit janë fjalët që Jezui, Zotëria i ringjallur, u tha dishepujve: «Ju thashë se të gjitha gjërat e shkruara për mua te ligji i Moisiut, te Profetët dhe te Psalmet do të përmbushen.» Në atë rast, Jezui i grupoi gjithë Shkrimet Hebraike sipas mënyrës që judenjtë e përdornin dhe e njihnin mirë. Kur përmendi Psalmet, përfshiu tërë pjesën e tretë të Shkrimeve, që quhet Hagiografa (ose Shkrimet e Shenjta), nga të cilat libri i parë ishin Psalmet. Këtë e vërtetojnë fjalët që u kishte thënë disa orë më parë dy dishepujve që ishin rrugës për në Emaus, kur «u shpjegoi në të gjitha Shkrimet gjërat që kishin të bënin me të».—Luka 24:27, 44.
PËRMBAJTJA E PSALMEVE
12. Si e përmendin menjëherë Psalmet temën e lumturisë e të Mbretërisë?
12 Libri i parë (Psalmet 1-41). E gjithë kjo pjesë, me përjashtim të Psalmeve 1, 2, 10 dhe 33, ka autorësinë e Davidit. Psalmi 1 prek që në fillim një pikë kryesore, pasi shpall të lumtur njeriun që, në dallim nga mëkatarët e paperëndishëm, gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait dhe e shqyrton atë ditë e natë për ta zbatuar. Kjo është hera e parë që te Psalmet përmendet lumturia. Psalmi 2 çelet me një pyetje sfiduese dhe tregon se si tërë mbretërit e tokës dhe zyrtarët e lartë mblidhen si një trup i vetëm «kundër Jehovait dhe të mirosurit të tij». Jehovai i përqesh dhe, më pas, u thotë tejet i nxehur: «E kam vënë mbretin tim në Sion, në malin tim të shenjtë.» Ai do të copëtojë e do të bëjë copë e çikë gjithë kundërshtarët. Prandaj ju, o mbretër e sundimtarë të tjerë, «shërbejini Jehovait me frikë» dhe pranoni Birin e tij që të mos zhdukeni! (Vrg. 2, 6, 11) Kështu, Psalmet përmendin menjëherë temën e Biblës: Mbretërinë.
13. Ç’gjë tjetër bie në sy në përmbledhjen e parë të psalmeve?
13 Në përmbledhjen e parë bien në sy lutjet, qofshin kërkesa ose falënderime. Psalmi 8 vë në kontrast madhështinë e Jehovait me vogëlsinë e njeriut, kurse Psalmi 14 nxjerr në shesh marrëzinë e njerëzve që s’pranojnë t’i nënshtrohen autoritetit të Perëndisë. Psalmi 19 tregon se si krijimi i mrekullueshëm që ka bërë Perëndia Jehova shpall lavdinë e tij, kurse vargjet 7-14 ngrenë lart shpërblimet dhe dobitë e atyre që zbatojnë ligjin e përsosur të Perëndisë, të cilat pasqyrohen më pas në një shkallë më të madhe në Psalmin 119. Psalmi 23 pranohet botërisht si një nga kryeveprat e letërsisë, por ai është edhe më i mrekullueshëm për nga thjeshtësia dhe bukuria e shprehjeve të besnikërisë e besimit te Jehovai. Oh, banofshim të gjithë ‘në shtëpinë e Jehovait, Bariut të Madh, çdo ditë të jetës sonë’! (23:1, 6) Psalmi 37 ka këshilla të mira për ata që i frikësohen Perëndisë e që jetojnë mes keqbërësve, kurse Psalmi 40 shpreh kënaqësinë që sjell bërja e vullnetit të Perëndisë, siç bëri edhe Davidi.
14. Ç’thuhet për shpengimin në librin e dytë të Psalmeve dhe cilat lutje të Davidit gjejmë aty?
14 Libri i dytë (Psalmet 42-72). Kjo pjesë hapet me tetë psalme korahite. Psalmet 42 dhe 43 u atribuohen bijve të Korahut, pasi së bashku ato formojnë faktikisht një poemë të vetme me tri strofa, që lidhen me një varg që përsëritet. (42:5, 11; 43:5) Psalmi 49 thekson pamundësinë e njeriut për të gjetur vetë një shpërblerës dhe tregon se Perëndia është mjaft i fortë për ta shpenguar njeriun «nga dora e Sheolit». (Vrg. 15) Psalmi 51 është një lutje e Davidit pas mëkatit të tmerrshëm që kreu me Betshebën, gruan e Uriahut, hititit, dhe tregon pendimin e tij të sinqertë. (2 Sam. 11:1–12:24) Kjo pjesë mbyllet me një psalm «për Solomonin», një lutje që mbretërimi i tij të ketë paqe dhe bekimin e Jehovait.—Psal. 72.
15. Çfarë thotë libri i tretë për historinë e Izraelit, gjykimet e Jehovait dhe besëlidhjen për Mbretërinë?
15 Libri i tretë (Psalmet 73-89). Të paktën dy nga këta, Psalmet 74 dhe 79, u kompozuan pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. Aty vajtohet për këtë katastrofë të madhe dhe përfshihen lutje që Jehovai ta ndihmojë popullin e vet ‘për hir të emrit të tij’. (79:9) Psalmi 78 tregon historinë e Izraelit që nga koha e Moisiut deri kur Davidi «nisi t’i kulloste me një zemër me integritet» (vrg. 72), kurse Psalmi 80 tregon se Jehovai është ‘Bariu i vërtetë i izraelit’. (Vrg. 1) Psalmet 82 dhe 83 janë kërkesa të fuqishme për Jehovain, që të ekzekutojë gjykimet e tij kundër armiqve të vet e atyre të popullit të tij. Këto kërkesa s’janë aspak hakmarrëse, por kanë si qëllim «që [njerëzit] të kërkojnë emrin tënd, o Jehova . . . , [dhe] ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun». (83:16, 18) Psalmi 89 është i fundit i kësaj pjese dhe nxjerr në pah ‘shprehjet e dashamirësisë së Jehovait’, të cilat spikatin në mënyrë të veçantë në besëlidhjen e tij me Davidin. Kjo besëlidhje siguron brez pas brezi një trashëgimtar në fronin e Davidit, i cili do të sundojë para Jehovait në jetë të jetëve!—Vrg. 1, 34-37.
16. Si e lartëson libri i katërt pozitën e Jehovait si mbret dhe mënyrën si e ka përmbushur besëlidhjen?
16 Libri i katërt (Psalmet 90-106). Ashtu si libri i tretë, edhe ky përmban 17 psalme. Ai çelet me një lutje të Moisiut, që vë në kontrast të plotë ekzistencën e përjetshme të Perëndisë me jetën e shkurtër të njeriut vdekatar. Psalmi 92 lartëson cilësitë më të larta të Jehovait. Pastaj vjen një grup i shkëlqyer, Psalmet 93-100, që nisin me thirrjen kumbuese: «Jehovai është bërë mbret!» Prandaj, «të gjithë ju banorët e tokës» jeni të ftuar t’i ‘këndoni Jehovait, të bekoni emrin e tij . . . , se Jehovai është i madh dhe i denjë të lëvdohet shumë’. «I madh është Jehovai në Sion.» (93:1; 96:1, 2, 4; 99:2) Psalmet 105 dhe 106 falënderojnë Jehovain për bëmat e tij të mrekullueshme në favor të popullit të tij dhe për mënyrën besnike në të cilën ai ka përmbushur besëlidhjen që bëri me Abrahamin, duke u dhënë vendin pasardhësve së tij, pavarësisht nga murmuritjet dhe shkarjet e tyre të panumërta në mëkat.
17. Ç’interes të veçantë paraqet Psalmi 104 dhe cila temë përsëritet nga ky psalm e më pas?
17 Psalmi 104 është me interes të veçantë. Ai lartëson Jehovain për lavdinë dhe shkëlqimin me të cilin ai është veshur, si dhe përshkruan mençurinë e shprehur në veprat e prodhimet e tij të shumta në tokë. Pastaj, del me forcë tema e gjithë librit të Psalmeve, teksa shfaqet për herë të parë thirrja: «Lëvdoni Jah!» (Vrg. 35) Kjo thirrje drejtuar adhuruesve të vërtetë për t’i dhënë Jehovait lavdinë që meriton emri i tij, në hebraisht shprehet vetëm me një fjalë halelu-Jáh ose «Halelujah», një fjalë mjaft e njohur sot për njerëzit kudo nëpër botë. Që nga ky varg e më tej, kjo shprehje del 24 herë dhe disa psalme ose hapen, ose mbyllen me të.
18. (a) Ç’refren thekson Psalmi 107? (b) Cilat janë ato që quhen Psalmet e Halelit?
18 Libri i pestë (Psalmet 107-150). Psalmi 107 na paraqet një përshkrim të çlirimeve të ndryshme që ka bërë Jehovai, të shoqëruar me refrenin melodik: «Prandaj, le ta falënderojnë Jehovain për dashamirësinë e tij dhe për gjërat e mrekullueshme që ka bërë për të mirën e bijve të njerëzve.» (Vrg. 8, 15, 21, 31) Psalmet 113 deri 118 njihen si Psalmet e Halelit. Sipas Mishnës, këto psalme këndoheshin nga judenjtë gjatë Pashkës dhe festave të Ditës së Pesëdhjetë, të Kasolleve dhe të Kushtimit.
19. Si dallojnë nga njëri-tjetri Psalmet 117 dhe 119? Cilat janë disa veçori të Psalmit 119?
19 Thjeshtësia përbën forcën e Psalmit 117, që është psalmi më i shkurtër dhe kapitulli më i shkurtër i Biblës. Kurse Psalmi 119 është psalmi dhe kapitulli më i gjatë i gjithë Biblës, dhe ka gjithsej 176 vargje në 22 strofa alfabetike me nga 8 vargje secila. Në të gjitha këto vargje (me përjashtim të vargut 90 dhe 122) përmendet në ndonjëfarë mënyre fjala ose ligji i Perëndisë Jehova, dhe në të gjitha strofat përsëriten disa, në mos të gjitha, shprehjet (ligj, përkujtues, urdhra, urdhërim, vendime gjyqësore) e Psalmit 19:7-14. Fjala e Perëndisë përmendet më shumë se 170 herë në formën e një prej këtyre 7 shprehjeve: urdhërime, vendime gjyqësore, ligj, urdhra, rregull, përkujtues dhe fjalë.
20, 21. (a) Ç’janë Këngët e Ngjitjeve? (b) Si tregojnë ato se Davidi e kuptonte nevojën për një adhurim të bashkuar?
20 Më pas, kemi një grup tjetër psalmesh, 15 Këngët e Ngjitjeve, Psalmet 120-134. Kjo shprehje është përkthyer në mënyra të ndryshme, ngaqë domethënia e saj nuk kuptohet plotësisht. Disa thonë që shprehja ka të bëjë me përmbajtjen më të ngritur të këtyre psalmeve, edhe pse nuk duket se ka ndonjë arsye të qartë për t’i ngritur këto psalme më lartë se të tjerat. Shumë komentues sugjerojnë se titulli rrjedh nga përdorimi i këtyre këngëve nga adhuruesit që udhëtonin, ose ‘ngjiteshin’, për në Jerusalem për festat vjetore, dhe nga fakti që rruga për në kryeqytet ishte si një ngjitje, ngaqë qyteti ndodhej lart në malet e Judës. Davidi veçanërisht e kuptonte mirë nevojën që kishte populli i Perëndisë për të qenë i bashkuar në adhurim. Ai u gëzua kur dëgjoi ftesën: «Shkojmë në shtëpinë e Jehovait»; dhe fiset u ngjitën ‘që të falënderonin emrin e Jehovait’. Për këtë arsye ai u lut për paqen, sigurinë dhe begatinë e Jerusalemit: «Për hir të shtëpisë së Jehovait, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.»—Psal. 122:1, 4, 9.
21 Psalmi 132 flet për betimin e Davidit se nuk do të gjente prehje derisa të gjente një vend ku të pushonte Jehovai, i përfaqësuar nga arka e besëlidhjes. Pasi Arka vendoset në Sion, Jehovai përshkruhet me fraza të bukura poetike teksa thotë se ka zgjedhur Sionin si ‘vendin ku do të pushoj gjithmonë. Këtu do të banoj, se e dua atë me zjarr’. Ai e pranon këtë qendër të adhurimit, «sepse Jehovai urdhëroi që atje të jetë bekimi». «Të bekoftë Jehovai nga Sioni.»—132:1-6, 13, 14; 133:3; 134:3; shih edhe Psalmin 48.
22. (a) Si lartësohet Jehovai si i denjë për lëvdim? (b) Si arrin kulmin tema e lavdishme e librit në psalmet e fundit?
22 Psalmi 135 lartëson Jehovain si Perëndinë e denjë për lëvdim, që bën gjithçka që i pëlqen, ndryshe nga idhujt e kotë e të pavlerë, bërësit e të cilëve do të katandisen njësoj si ata. Psalmi 136 është bërë për t’u kënduar në formë antifonike, ku çdo varg përfundon: «Sepse dashamirësia e tij zgjat përjetë.» Këto forma antifonike duket se janë përdorur në disa raste. (1 Kron. 16:41; 2 Kron. 5:13; 7:6; 20:21; Ezd. 3:11) Psalmi 137 tregon se me sa zjarr e dëshironin Sionin judenjtë kur ndodheshin të mërguar në Babiloni, si dhe dëshmon se ata nuk i harruan këngët, ose psalmet, e Sionit edhe pse ishin larg vendlindjes. Psalmi 145 lëvdon mirësinë dhe pozitën e Jehovait si mbret, duke treguar se ai «i ruan të gjithë ata që e duan, kurse të ligjtë do t’i shfarosë të tërë». (Vrg. 20) Së fundi, si një përmbyllje nxitëse, Psalmet 146-150 prekin përsëri temën e lavdishme të librit, secili duke filluar e duke mbaruar me fjalët: «Lëvdoni Jah!» Kjo melodi lëvdimi arrin kulmin e saj madhështor në Psalmin 150, ku vetëm brenda gjashtë vargjeve, 13 herë i bëhet thirrje gjithë krijimit të lëvdojë Jehovain.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
23. (a) Ç’mesazh të gjallë përmbajnë Psalmet? (b) Si lartësohet emri dhe sovraniteti i Jehovait?
23 Për shkak të bukurisë dhe stilit të përkryer, psalmet e Biblës meritojnë të përfshihen ndër veprat më të mëdha letrare në çfarëdo gjuhe. Megjithatë, ato janë shumë më tepër se një vepër letrare. Janë një mesazh i gjallë nga Sovrani Suprem i gjithë universit, nga vetë Perëndia Jehova. Na japin gjykim të thellë për mësimet themelore të Biblës, duke folur në radhë të parë e mbi të gjitha për Jehovain, Autorin e tyre. Ai shfaqet shumë qartë si Krijuesi i universit dhe i gjithçkaje në të. (8:3-9; 90:1, 2; 100:3; 104:1-5, 24; 139:14) Emri Jehova lartësohet vërtet në librin e Psalmeve, ku shfaqet rreth 700 herë. Veç kësaj, forma e shkurtuar «Jah» gjendet 43 herë, kështu që, gjithsej, emri i Perëndisë përmendet mesatarisht rreth 5 herë në çdo Psalm. Për më tepër, Jehovai përmendet rreth 350 herë si ʼElohím ose Perëndi. Sundimin suprem të Jehovait e tregon shprehja «Zotëri Sovran», e cila përmendet në një numër psalmesh.—68:20; 69:6; 71:5; 73:28; 140:7; 141:8.
24. Ç’thuhet te Psalmet për njeriun e vdekshëm dhe ç’këshilla të shëndetshme jepen?
24 Në kontrast me Perëndinë e përjetshëm, për njeriun vdekatar tregohet se lind në mëkat dhe ka nevojë për një shpengues, e gjithashtu thuhet se kur vdes, kthehet «në pluhur» dhe zbret në Sheol, në varrin e përbashkët të njerëzimit. (6:4, 5; 49:7-20; 51:5, 7; 89:48; 90:1-5; 115:17; 146:4) Libri i Psalmeve thekson nevojën që t’i vëmë veshin ligjit të Perëndisë dhe të kemi besim te Jehovai. (1:1, 2; 62:8; 65:5; 77:12; 115:11; 118:8; 119:97, 105, 165) Paralajmëron kundër arrogancës dhe ‘mëkateve që nuk dallohen’ (19:12-14; 131:1) dhe nxit shoqëritë e ndershme e të shëndetshme. (15:1-5; 26:5; 101:5) Tregon se sjellja e drejtë të sjell miratimin e Jehovait. (34:13-15; 97:10) Jep një shpresë të mrekullueshme, duke thënë se «shpëtimi i takon Jehovait», dhe për njerëzit që i frikësohen, pohon se ai ‘do ta çlirojë shpirtin e tyre nga vdekja’. (3:8; 33:19) Kjo na çon tek aspekti profetik.
25. (a) Me çfarë është i mbushur plot libri i Psalmeve? (b) Si e përdori Pjetri librin e Psalmeve për të identifikuar Davidin më të Madh?
25 Libri i Psalmeve është i mbushur plot me profeci që përqendrohen te Jezu Krishti, ‘biri i Davidit’, dhe te roli që do të luajë ai si i Mirosuri i Jehovait dhe Mbret.a (Mat. 1:1) Me lindjen e kongregacionit të krishterë në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., fryma e shenjtë filloi t’u jepte kuptueshmëri apostujve në lidhje me përmbushjen e këtyre profecive. Pikërisht atë ditë, Pjetri citoi disa herë nga Psalmet, kur po zhvillonte temën e fjalimit të tij të mirënjohur. Kjo temë kishte të bënte me një individ: «Jezuin, nazareasin.» Pjesa e fundit e fjalimit të tij bazohet pothuajse e gjitha në citime nga Psalmet, që tregojnë se Krishti Jezu është Davidi më i Madh dhe se Jehovai nuk do ta linte shpirtin e Jezuit në Hades, por do ta ngrinte nga të vdekurit. Jo, «Davidi në të vërtetë nuk u ngjit në qiej», por, siç ishte parathënë te Psalmi 110:1, Zotëria e tij u ngjit. Kush është Zotëria i Davidit? Pjetri arrin pikën kulmore të fjalimit të tij dhe, me shumë forcë, thotë: ‘Ky Jezu, të cilin ju e vutë në shtyllë!’—Vep. 2:14-36; Psal. 16:8-11; 132:11.
26. Nga duket se fjalimi i Pjetrit pati dobi?
26 A pati ndonjë dobi fjalimi i Pjetrit që bazohej te Psalmet? Pagëzimi i rreth 3.000 vetave, që iu shtuan kongregacionit të krishterë po atë ditë, s’ka nevojë për koment.—Vep. 2:41.
27. Si e interpretoi ‘fryma e shenjtë’ Psalmin 2?
27 Pak kohë më pas, në një mbledhje speciale, dishepujt iu lutën Jehovait dhe cituan Psalmin 2:1, 2. Ata thanë se kjo ishte përmbushur kur sundimtarët, të bashkuar, iu kundërvunë ‘Jezuit, shërbëtorit të shenjtë, të cilin Perëndia e mirosi’. Tregimi vazhdon se «të gjithë u mbushën me frymën e shenjtë».—Vep. 4:23-31.
28. (a) Ç’argument zhvillon Pavli te kapitujt 1 deri 3 të Hebrenjve duke përdorur Psalmet? (b) Ç’bazë siguron Psalmi 110:4 për diskutimin që bën Pavli për priftërinë sipas Melkisedekut?
28 Tani le të shqyrtojmë letrën drejtuar hebrenjve. Në dy kapitujt e parë, kemi shumë citime nga Psalmet që tregojnë se Jezui, si Bir qiellor i kurorëzuar i Perëndisë, qëndron më lart se engjëjt. Duke përdorur Psalmin 22:22 dhe referime të tjera, Pavli tregon se Jezui ka një kongregacion ‘vëllezërish’, pjesë e farës së Abrahamit dhe «pjesëmarrës të thirrjes qiellore». (Hebr. 2:10-13, 16; 3:1) Pastaj, duke filluar te Hebrenjve 6:20 e duke vazhduar në gjithë kapitullin e 7-të, apostulli shtjellon më tej pozitën tjetër që ka Jezui si «kryeprift sipas mënyrës së Melkisedekut». Kjo ka të bëjë me betimin e Perëndisë te Psalmi 110:4, të cilit Pavli i referohet herë pas here, për të treguar epërsinë e pozitës së Jezuit si prift mbi pozitën e Aaronit. Pavli shpjegon se, sipas betimit të Jehovait, Jezu Krishti është prift, jo në tokë, por në qiell, dhe «mbetet prift në amshim», pra dobitë e shërbimit të tij priftëror do të jenë të përjetshme.—Hebr. 7:3, 15-17, 23-28.
29. Cilit shembull të jashtëzakonshëm përkushtimi duhet t’i kushtojmë vëmendje, siç thuhet te Psalmet dhe siç shpjegohet te Hebrenjve 10:5-10?
29 Më tej, te Hebrenjve 10:5-10 na thuhet se Jezui ishte plotësisht i vetëdijshëm që vullneti i Perëndisë për të ishte rruga e flijimit dhe se ai ishte i vendosur që ta plotësonte këtë vullnet. Kjo bazohet te fjalët e Davidit në Psalmin 40:6-8. Kjo frymë shembullore përkushtimi është me dobi shumë të madhe për të gjithë ne që duhet ta shqyrtojmë dhe ta imitojmë për të pasur miratimin e Perëndisë.—Shih edhe Psalmin 116:14-19.
30. Në ç’mënyrë të hollësishme ishte parathënë te Psalmet rruga që do të ndiqte Jezui, dhe ç’ngushëllim duhet të ketë marrë ai prej tyre?
30 Rruga që ndoqi Jezui, e cila arriti kulmin në vuajtjen e tmerrshme që duroi në shtyllën e torturës, ishte parathënë në Psalme me shumë hollësi. Ja disa prej tyre: i dhanë uthull për të pirë, hodhën short për petkun e tij, e keqtrajtuan mizorisht nga duart dhe nga këmbët, e përqeshën dhe, në angështi të madhe mendore, thirri me përgjërim: «Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?» (Mat. 27:34, 35, 43, 46; Psal. 22:1, 7, 8, 14-18; 69:20, 21) Siç tregohet te Gjoni 19:23-30, edhe gjatë atyre orëve, Psalmet duhet të kenë qenë një ngushëllim i madh dhe udhëheqje për Jezuin, meqë e dinte se të gjitha këto shkrime duheshin përmbushur deri në një. Jezui e dinte se Psalmet flitnin edhe për ringjalljen dhe lartësimin e tij. Pa dyshim, ai kishte në mendje këto gjëra kur, bashkë me dishepujt, «kënduan lavde» ose psalme, natën e fundit para se të vdiste.—Mat. 26:30.
31. Ç’parathotë libri i Psalmeve për Farën e Mbretërisë dhe kongregacionin e Jezuit?
31 Kështu, libri i Psalmeve tregon qartë se ‘biri i Davidit’ dhe Fara e Mbretërisë është Krishti Jezu, që tani është lartësuar si Mbret dhe Prift në Sionin qiellor. Hapësira nuk na lejon të bëjmë një përshkrim të hollësishëm të të gjitha vargjeve nga Psalmet që citohen në Shkrimet e Krishtere Greke e që u plotësuan tek i Mirosuri i Jehovait. Megjithatë, ja disa shembuj: Psal. 78:2—Mat. 13:31-35; Psal. 69:4—Gjoni 15:25; Psal. 118:22, 23—Mar. 12:10, 11 dhe Vep. 4:11; Psal. 34:20—Gjoni 19:33, 36; Psal. 45:6, 7—Hebr. 1:8, 9. Gjithashtu, kongregacioni me ithtarë të vërtetë të Jezuit ishte parathënë në Psalme, jo si individë, por si një grup i mbledhur nga të gjitha kombet dhe i miratuar nga Perëndia për të marrë pjesë në veprën e lëvdimit të emrit të Jehovait.—Psal. 117:1—Rom. 15:11; Psal. 68:18—Efes. 4:8-11; Psal. 95:7-11—Hebr. 3:7, 8; 4:7.
32. (a) Ç’na zbulon studimi i Psalmeve për shfajësimin e Jehovait dhe përmbushjen e qëllimeve të Mbretërisë? (b) Të vetëdijshëm për pozitën e tij si mbret, si duhet të tregojmë besnikëri dhe mirënjohje?
32 Studimi i Psalmeve na e shton shumë kuptueshmërinë dhe vlerësimin për pozitën e Perëndisë Jehova si mbret, që Ai e ushtron përmes Farës së premtuar dhe Trashëgimtarit të Mbretërisë për lavdinë dhe shfajësimin e Tij. Qofshim gjithnjë mes atyre besnikëve që ngazëllojnë në ‘shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë së Jehovait’, për të cilët flitet në Psalmin 145, që quhet «lavd i Davidit»: «Do t’u shpallin bijve të njerëzve veprat e fuqishme dhe lavdinë e shkëlqimin e mbretërisë sate. Mbretëria jote vazhdon përjetë, sundimi yt do të vazhdojë për tërë brezat që do të vijnë.» (Psal. 145:5, 11-13) Në përputhje me psalmin profetik, shkëlqimi i Mbretërisë së vendosur të Perëndisë, nën drejtimin e Krishtit, po bëhet i njohur që tani te bijtë e njerëzve, në çdo komb. Sa mirënjohës duhet të jemi për këtë Mbretëri dhe për Mbretin e saj! Janë vërtet të përshtatshme fjalët përmbyllëse të Psalmeve: «Çdo gjë që merr frymë, le të lëvdojë Jah! Lëvdoni Jah!»—150:6.
[Shënimi]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 710, 711, anglisht.