Prije zemrën tënde drejt aftësisë shquese
«Jehovai vetë jep mençurinë; nga goja e tij del njohuria dhe aftësia shquese.»—PROVERBAT 2:6, BR.
1. Si mund ta prijmë zemrën tonë drejt aftësisë shquese?
JEHOVAI është Mësuesi ynë i Madh. (Isaia 30:20, 21) Por, çfarë duhet të bëjmë ne, për të përfituar nga «vetë njohuria e Perëndisë», e cila zbulohet në Fjalën e tij? Pjesërisht, ne duhet ‘të prijmë zemrën tonë drejt aftësisë shquese’, të kemi një dëshirë të zjarrtë për ta fituar e për ta shfaqur këtë cilësi. Për këtë arsye, ne duhet t’i drejtohemi Jehovait, pasi një njeri i mençur ka thënë: «Jehovai vetë jep mençurinë; nga goja e tij del njohuria dhe aftësia shquese.» (Proverbat 2:1-6, BR) Çfarë janë njohuria, mençuria dhe aftësia shquese?
2. (a) Çfarë është njohuria? (b) Si do ta përcaktoje mençurinë? (c) Çfarë është aftësia shquese?
2 Njohuria është njohja me faktet e fituara nga përvoja, vëzhgimi apo studimi. Mençuria është aftësia për ta vënë njohurinë në veprim. (Mateu 11:19) Mbreti Solomon tregoi mençuri, kur dy gra pretendonin të njëjtin fëmijë dhe për të zgjidhur grindjen, ai përdori njohurinë e një devotshmërie prej nëne ndaj fëmijës së vet. (1. Mbretërve 3:16-28) Aftësia shquese është «mprehtësia e gjykimit». Është «fuqia apo aftësia e mendjes, përmes së cilës ajo dallon një gjë nga një tjetër». (Webster’s Universal Dictionary) Nëse e prijmë zemrën tonë drejt aftësisë shquese, Jehovai do të na e japë atë përmes Birit të tij. (2. Timoteut 2:1, 7) Por, si mund të ndikojë aftësia shquese në aspekte të ndryshme të jetës?
Aftësia shquese dhe të folurit tonë
3. Si do t’i shpjegoje Proverbat 11:12, 13 dhe çfarë do të thotë të ‘të mungojë zemra’?
3 Aftësia shquese na ndihmon të kuptojmë se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur». (Eklisiastiu 3:7) Kjo cilësi na bën, gjithashtu, të vëmendshëm lidhur me atë se çfarë themi. Proverbat 11:12, 13 thotë: «Atij që i mungon zemra, ka përçmuar vetë të afërmin e tij, por njeriu me aftësi të gjerë shquese është ai që hesht. Ai që shkon vërdallë si një shpifës, zbulon të folurin konfidencial, por kush është i besueshëm në frymë mbulon një çështje.» (BR) Po, një burri apo një gruaje që përçmon një tjetër person «i mungon zemra». Sipas leksikografit Vilhelm Geseni, një individ i tillë është «pa kuptueshmëri». Atij apo asaj i mungon gjykimi i shëndoshë dhe përdorimi i termit «zemër» tregon se cilësitë pozitive të personit të brendshëm janë të mangëta. Nëse një person që pohon se është i krishterë e çon të folurën e tij apo të saj të shthurur deri në pikën e shpifjes apo të sharjes, pleqtë e emëruar duhet të veprojnë për t’i dhënë fund kësaj situate të pashëndetshme në kongregacion.—Levitiku 19:16; Psalmi 101:5; 1. Korintasve 5:11.
4. Çfarë bëjnë të krishterët e besueshëm dhe me aftësi shquese lidhur me informacionin konfidencial?
4 Ndryshe nga ata, të cilëve ‘u mungon zemra’, individët me «aftësi të gjerë shquese», heshtin kur është e përshtatshme për ta bërë. Ata nuk nxjerrin një gjë të thënë në mirëbesim. (Proverbat 20:19) Duke ditur se të folurit e shkujdesur mund të shkaktojë dëm, personat me aftësi shquese janë «të besueshëm në frymë». Ata janë besnikë ndaj bashkëbesimtarëve dhe nuk përhapin gjërat konfidenciale që mund të jenë një rrezik për ta. Nëse të krishterët me aftësi shquese marrin një informacion konfidencial të çdo lloji që ka të bëjë me kongregacionin, e mbajnë atë sekret derisa organizata e Jehovait ta shohë të udhës për ta bërë atë të ditur me anë të mjeteve të saj të botimit.
Aftësia shquese dhe sjellja jonë
5. Si e shikojnë ‘budallenjtë’ sjelljen e shthurur dhe përse?
5 Proverbat e Biblës na ndihmojnë që të përdorim aftësinë shquese dhe të shmangim sjelljen e pahijshme. Për shembull, Proverbat 10:23 thotë: «Për budallain mbajtja e një sjelljeje të shthurur është si një sport, por mençuria është për njeriun me aftësi shquese.» (BR) Ata, sjellja e shthurur e të cilëve është «si një sport», janë të verbër përpara faktit që sjellja e tyre është e gabuar dhe shpërfillin Perëndinë si ai, të cilit të gjithë duhet t’i japin llogari. (Romakëve 14:12) Këta ‘budallenj’ arsyetojnë shtrembër, deri në atë pikë sa supozojnë se Perëndia nuk e shikon keqbërjen e tyre. Me anë të veprimeve të tyre, ata thonë në fakt: «Nuk ka Jehova.» (Psalmi 14:1-3, BR; Isaia 29:15, 16) Duke mos u drejtuar nga parimet hyjnore, ata nuk kanë aftësi shquese dhe nuk mund të japin një gjykim të drejtë mbi gjërat.—Proverbat 28:5.
6. Përse sjellja e shthurur është marrëzi dhe si do ta konsiderojmë atë, nëse kemi aftësi shquese?
6 «Njeriu me aftësi shquese» e kupton se sjellja e shthurur nuk është një «sport», një lojë. Ai e di se ajo nuk i pëlqen Perëndisë dhe mund të shkatërrojë marrëdhënien me të. Një sjellje e tillë është prej budallai, sepse ajo u grabit njerëzve respektin për veten, shkatërron martesat, dëmton si mendjen edhe trupin dhe çon në humbjen e gjendjes frymore. Prandaj, le ta prijmë zemrën tonë drejt aftësisë shquese dhe të shmangim sjelljen e shthurur a imoralitetin e çdo lloji.—Proverbat 5:1-23.
Aftësia shquese dhe fryma jonë
7. Cilat janë disa nga pasojat fizike të zemërimit?
7 Prirja e zemrës sonë drejt aftësisë shquese, na ndihmon, gjithashtu, për të mbajtur nën kontroll frymën tonë. «Ai që është i ngadalshëm në zemërim, është plot me aftësi shquese,—thotë Proverbat 14:29,—por ai që është i padurueshëm, lartëson marrëzinë.» (BR) Një arsye për të cilën një person me aftësi shquese përpiqet të shmangë zemërimin e pakontrolluar, është fakti se ai ka ndikime të këqija fizike mbi vetë personin. Ai mund të ngrejë tensionin e gjakut dhe mund të shkaktojë sëmundje në aparatin e frymëmarrjes. Mjekët e kanë përmendur zemërimin dhe tërbimin si ndjenja që rëndojnë apo shkaktojnë të tilla sëmundje, si astma, sëmundje të lëkurës, probleme të aparatit tretës dhe ulcera.
8. Ku mund të na çojë të qenët të padurueshëm dhe si mund të na ndihmojë aftësia shquese në këtë aspekt?
8 Ne nuk duhet të përdorim aftësi shquese dhe të jemi «të ngadalshëm në zemërim», vetëm për të shmangur dëmtimin e shëndetit. Të qenët të padurueshëm mund të çojë në veprime të marrëzishme, për të cilat do të na vijë keq. Aftësia shquese na bën të mbajmë parasysh se çfarë mund të rezultojë nga një e folur e shfrenuar apo një sjellje e nxituar, e në këtë mënyrë na mbron që të mos ‘lartësojmë marrëzinë’, duke bërë diçka jo të mençur. Aftësia shquese na ndihmon në mënyrë të veçantë, që të kuptojmë se tërbimi mund të sjellë çrregullime në procesin tonë të të menduarit, e kështu nuk mund të përdorim gjykim të shëndoshë. Kjo gjë do të dëmtonte aftësinë tonë për të bërë vullnetin hyjnor dhe për të jetuar sipas parimeve të drejta të Perëndisë. Po, dhënia pas zemërimit të pakontrolluar, dëmton frymësisht. Në fakt, ‘shpërthimet e zemërimit’ janë klasifikuar mes ‘veprave [të neveritshme] të mishit’, të cilat nuk do të na lejonin për të trashëguar Mbretërinë e Perëndisë. (Galatasve 5:19-21) Kështu, pra, si të krishterë me aftësi shquese, le të jemi ‘të shpejtë në të dëgjuar, të ngadalshëm në të folur dhe të ngadalshëm në zemërim’.—Jakovit 1:19.
9. Si mund të na ndihmojnë aftësia shquese dhe dashuria vëllazërore për të zgjidhur mosmarrëveshjet?
9 Nëse zemërohemi, aftësia shquese mund të tregojë se duhet të heshtim, për të shmangur një konflikt. Proverbat 17:27 thotë: «Kush i përmban thëniet e tij, zotëron njohurinë dhe njeriu me aftësi shquese është i qetë në frymë.» (BR) Aftësia shquese dhe dashuria vëllazërore do të na ndihmojnë për të parë nevojën e kontrollimit të nxitjes për të llomotitur diçka që të lëndon. Nëse ka ndodhur tashmë një shpërthim zemërimi, dashuria dhe përulësia do të na nxisin që të kërkojmë ndjesë dhe të ndreqemi. Por të supozojmë se dikush na ka ofenduar. Atëherë, të flasim me të vetëm për vetëm me butësi e përulësi dhe me synimin kryesor për të mbështetur paqen.—Mateu 5:23, 24; 18:15-17.
Aftësia shquese dhe familja jonë
10. Çfarë roli luajnë mençuria dhe aftësia shquese në jetën familjare?
10 Anëtarët e familjes duhet të tregojnë mençuri dhe aftësi shquese, pasi këto cilësi do të ndërtojnë një familje. Proverbat 24:3, 4 thotë: «Me anë të mençurisë do të ndërtohet një familje dhe me anë të aftësisë shquese ajo do të vendoset patundshmërisht. Me anë të njohurisë, dhomat e brendshme do të mbushen me çdo gjë me vlerë, të çmuar e të këndshme.» (BR) Mençuria dhe aftësia shquese janë si blloqe të shkëlqyera ndërtimi për një jetë të suksesshme familjare. Aftësia shquese i ndihmon prindërit e krishterë, për të zbuluar ndjenjat dhe shqetësimet e fëmijëve të tyre. Një person që ka aftësi shquese, është në gjendje të komunikojë, të dëgjojë dhe të fitojë mendjehollësi lidhur me ndjenjat dhe mendimet e bashkëshortit të tij apo të saj.—Proverbat 20:5.
11. Si mund ‘ta ndërtojë shtëpinë e saj’ një grua e martuar me aftësi shquese?
11 Mençuria dhe aftësia shquese janë në mënyrë të padiskutueshme jetësore për një jetë të lumtur familjare. Për shembull, Proverbat 14:1 thotë: «Gruaja që është vërtet e mençur, ka ndërtuar shtëpinë e saj, por budallaqja e shemb me duart e veta.» (BR) Një grua e martuar e mençur dhe me aftësi shquese, që i nënshtrohet siç duhet burrit të saj, do të punojë pa u lodhur, për të mirën e familjarëve dhe me anë të kësaj do të ndihmojë në ndërtimin e familjes së vet. Një gjë që do të ‘ndërtojë shtëpinë e saj’ është fakti që ajo flet gjithmonë mirë për të shoqin e në këtë mënyrë rrit respektin e të tjerëve për të. Një grua e aftë dhe me aftësi shquese, e cila ka frikë me nderim ndaj Jehovait, fiton lavdi për veten.—Proverbat 12:4; 31:28, 30.
Aftësia shquese dhe drejtimi ynë në jetë
12. Si e konsiderojnë marrëzinë ata, të cilëve ‘u mungon zemra’ dhe përse?
12 Aftësia shquese na ndihmon për të mbajtur një drejtim të përshtatshëm në të gjitha çështjet tona. Kjo gjë tregohet në Proverbat 15:21, ku thuhet: «Marrëzia gëzon atë, të cilit i mungon zemra, por njeriu me aftësi shquese është ai që shkon drejt përpara.» (BR) Si duhet ta kuptojmë këtë proverb? Një drejtim i marrëzishëm apo prej budallai përbën një shkak gëzimi për burrat, gratë dhe të rinjtë e pandjeshëm. Atyre ‘u mungon zemra’, duke mos pasur motiv të mirë dhe janë kaq të pamençur, sa gëzojnë në marrëzi.
13. Çfarë shqoi Solomoni në lidhje me të qeshurën dhe mendjelehtësinë?
13 Solomoni, mbret i Izraelit me aftësi shquese, mësoi se mendjelehtësia do të thotë shumë pak. Ai pranoi: «Unë thashë në zemrën time: ‘Eja tani, dua të të vë në provë me gëzimin dhe ti do të gëzosh ëndjen.’ Por ja, edhe kjo është kotësi. Për të qeshurit kam thënë: “Është një marrëzi dhe për gëzimin: ‘Kujt i shërben?’”» (Eklisiastiu 2:1, 2) Si një njeri me aftësi shquese, Solomoni kuptoi se gazi dhe e qeshura në vetvete nuk janë të kënaqshme, pasi ato nuk sjellin lumturi të vërtetë e të qëndrueshme. E qeshura mund të na ndihmojë për të harruar përkohësisht problemet tona, por më pas ato mund të dalin përsëri në sipërfaqe në një shkallë edhe më të madhe. Solomoni mund të fliste me të drejtë për të qeshurën si «një marrëzi». Përse? Sepse e qeshura e pamend errëson gjykimin e shëndoshë. Mund të na bëjë që t’i shohim me lehtësi çështjet që janë shumë serioze. Ai lloj gëzimi që shoqërohet me fjalët dhe veprimet e një palaçoje në oborrin e mbretit, nuk mund të paraqitet si diçka e vlefshme. Dallimi i rëndësisë së eksperimentit të Solomonit me të qeshurën dhe me gazin, na ndihmon për të mos qenë «dashurues të kënaqësive, në vend se dashurues të Perëndisë».—2. Timoteut 3:1, 4, BR.
14. Si ecën njeriu me aftësi shquese «drejt përpara»?
14 Në ç’mënyrë njeriu me aftësi shquese shkon «drejt përpara»? Aftësia shquese frymore dhe zbatimi i parimeve hyjnore, i çon njerëzit drejt një rruge të drejtë, të ndershme. Një përkthim thotë troç: «Marrëzia është hare për një të patru, por një njeri inteligjent do të shkojë drejt.» (Byington) «Njeriu me aftësi shquese» bën shtigje të drejta për këmbët e tij dhe është në gjendje të bëjë dallimin mes të drejtës dhe të gabuarës, ngaqë zbaton Fjalën e Perëndisë në jetë.—Hebrenjve 5:14; 12:12, 13.
Gjithmonë drejtoju Jehovait për aftësi shquese
15. Çfarë mësojmë nga Proverbat 2:6-9?
15 Për të ndjekur një rrugë të drejtë në jetë, të gjithë ne duhet të pranojmë papërsosmërinë tonë dhe t’i drejtohemi Jehovait për aftësi shquese frymore. Proverbat 2:6-9 thotë: «Jehovai vetë jep mençurinë; nga goja e tij del njohuria dhe aftësia shquese. Për të drejtët ai do të ruajë si një thesar mençuri praktike; për ata që ecin në integritet ai është një mburojë, duke vëzhguar shtigjet e gjykimit dhe ai do të ruajë vetë rrugën e besnikëve të tij. Në atë rast do të kuptosh drejtësinë, gjykimin dhe ndershmërinë, gjithë rrugën e asaj që është e mirë.» (BR)—Krahaso Jakovit 4:6.
16. Përse nuk ka mençuri, aftësi shquese apo këshillë në kundërshtim me Jehovain?
16 Duke pranuar se varemi nga Jehovai, na jepet mundësia që të përpiqemi përulësisht për të shquar vullnetin e tij, duke gërmuar thellë në Fjalën e tij. Ai zotëron mençuri në kuptimin absolut dhe këshilla e tij është gjithmonë e dobishme. (Isaia 40:13; Romakëve 11:34) Në fakt, çdo këshillë që kudërshton Fjalën e Perëndisë s’ka vlerë. Sipas përkthimit Bota e Re, në Proverbat 21:30 thuhet: «Nuk ka as mençuri, as ndonjë aftësi shquese, as ndonjë këshillë në kundërshtim me Jehovain.» (Krahaso Proverbat 19:21.) Vetëm aftësia shquese frymore, e zhvilluar përmes një studimi të Fjalës së Perëndisë me ndihmën e botimeve të siguruara nga «skllavi i besueshëm dhe i matur», do të na ndihmojë që të ndjekim një rrugë të përshtatshme në jetë. (Mateu 24:45-47, BR) Le ta vëmë, pra, mënyrën tonë të jetesës në harmoni me këshillën e Jehovait, duke ditur se pavarësisht se sa bindëse mund të duket një këshillë e kundërt, ajo nuk mund të barazohet me Fjalën e tij.
17. Çfarë mund të rezultojë nëse jepet një këshillë e gabuar?
17 Të krishterët me aftësi shquese, të cilët japin këshilla, e kuptojnë se ajo duhet të bazohet fuqimisht në Fjalën e Perëndisë dhe se është i nevojshëm studimi i Biblës dhe meditimi përpara se t’i jepet përgjigje një pyetjeje. (Proverbat 15:28) Nëse pyetjet mbi çështje serioze marrin përgjigje të gabuara, si rezultat mund të vijë një dëm i madh. Prandaj, pleqtë e krishterë kanë nevojë për aftësi shquese frymore dhe duhet të luten për drejtimin e Jehovait, kur përpiqen për të ndihmuar frymësisht bashkëbesimtarët.
Tepro në aftësinë shquese frymore
18. Si mund të na ndihmojë aftësia shquese, për të mbajtur ekuilibrin tonë frymor, nëse në kongregacion lind një problem?
18 Për t’i pëlqyer Jehovait, ne kemi nevojë për «aftësi shquese në çdo gjë». (2. Timoteut 2:7, BR) Studimi i Biblës me etje dhe pajtimi me drejtimin e frymës dhe organizatës së Perëndisë, do të na ndihmojë për të shquar se ç’duhet bërë, kur përballojmë situata që mund të na çojnë në një rrugë të gabuar. Për shembull, ta zëmë se sipas mendimit tonë, diçka në kongregacion nuk është trajtuar siç duhet. Aftësia shquese frymore do të na ndihmojë për të parë se kjo nuk përbën një arsye, për të mos u shoqëruar më me popullin e Jehovait dhe për të lënë shërbimin ndaj Perëndisë. Mendo për privilegjin që kemi për t’i shërbyer Jehovait, për lirinë frymore që gëzojmë dhe për gëzimin që mund të vijë nga shërbimi ynë si lajmëtarë të Mbretërisë. Aftësia shquese frymore na mundëson për të pasur një perspektivë të drejtë dhe për të kuptuar se i jemi dedikuar Perëndisë dhe duhet ta çmojmë marrëdhënien tonë me të, pavarësisht se çfarë bëjnë të tjerët. Nëse nuk mund të bëjmë asgjë në mënyrë teokratike për të zgjidhur një problem, duhet të presim me durim që Jehovai të rregullojë situatën. Në vend se ta lëmë apo të jepemi pas dëshpërimit, le të «presim Perëndinë».—Psalmi 42:5, 11, BR.
19. (a) Cili ishte thelbi i lutjes së Pavlit për filipianët? (b) Si mund të na ndihmojë aftësia shquese, nëse nuk e kuptojmë plotësisht diçka?
19 Aftësia shquese frymore na ndihmon që të mbetemi besnikë ndaj Perëndisë dhe popullit të tij. Pavli u tha të krishterëve në Filipi: «Kjo është ajo për të cilën vazhdoj të lutem, që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohurinë e saktë dhe në aftësinë e plotë shquese; që të mund të siguroheni për gjërat më të rëndësishme, me qëllim që të mund të jeni të patëmetë e të mos pengoni të tjerët deri në ditën e Krishtit.» (Filipianëve 1:9, 10, BR) Për të arsyetuar siç duhet, ne duhet të kemi «njohuri të saktë dhe aftësi të plotë shquese». Fjala greke e përkthyer këtu «aftësi shquese» do të thotë «dallim i ndjeshëm moral». Kur mësojmë diçka, duam të dallojmë marrëdhënien e saj me Perëndinë dhe Krishtin e të meditojmë se si e lartëson personalitetin dhe sigurimet e Jehovait. Kjo gjë rrit aftësinë shquese dhe çmueshmërinë tonë, për atë që kanë bërë për ne Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti. Nëse nuk e kuptojmë plotësisht diçka, aftësia shquese do të na ndihmojë që të kuptojmë se nuk duhet ta braktisim besimin tonë në të gjitha gjërat e rëndësishme që kemi mësuar për Perëndinë, Krishtin dhe për qëllimin hyjnor.
20. Si mund të teprojmë në aftësinë shquese frymore?
20 Do të teprojmë në aftësi shquese frymore, nëse i harmonizojmë gjithmonë mendimet dhe veprimet tona me Fjalën e Perëndisë. (2. Korintasve 13:5) Duke e bërë këtë në një mënyrë ndërtuese, ndihmohemi për të qenë të përulur, jo kryeneçë dhe kritikë ndaj të tjerëve. Aftësia shquese do të na ndihmojë që të nxjerrim dobi nga korrigjimi dhe të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme. (Proverbat 3:7) Kështu, pra, me dëshirën për t’i pëlqyer Jehovait, le të përpiqemi për t’u mbushur me njohuri të saktë nga Fjala e tij. Kjo gjë do të na japë mundësi për të dalluar të drejtën nga e gabuara, për të përcaktuar se çfarë është vërtet e rëndësishme dhe për t’u kapur besnikërisht pas marrëdhënies sonë të çmuar me Jehovain. E gjithë kjo është e mundur, nëse e prijmë zemrën tonë drejt aftësisë shquese. E megjithatë, nevojitet edhe diçka tjetër. Ne duhet të lejojmë që aftësia shquese të jetë një mbrojtje për ne.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Përse duhet ta prijmë zemrën tonë drejt aftësisë shquese?
◻ Si mund të ndikojë aftësia shquese në të folurën dhe në sjelljen tonë?
◻ Çfarë ndikimi mund të ketë aftësia shquese mbi frymën tonë?
◻ Përse duhet t’i drejtohemi gjithmonë Jehovait për aftësi shquese?
[Figura në faqen 13]
Aftësia shquese na ndihmon të mbajmë nën kontroll frymën tonë
[Figura në faqen 15]
Solomoni, një mbret me aftësi shquese e kuptoi se mendjelehtësia nuk është vërtet e kënaqshme