Të rinj që kujtojnë Krijuesin e tyre
«Kujto, pra, Krijuesin tënd të Madh në ditët e rinisë sate.»—EKLISIASTIU 12:1, BR.
1. Cilat fjalë të një 11-vjeçari zbulojnë se për të Krijuesi ynë është real?
SA BUKUR është kur të rinjtë flasin e veprojnë në një mënyrë që tregon se ata e konsiderojnë Perëndinë Jehova një person të vërtetë, të cilin e admirojnë dhe dëshirojnë t’i pëlqejnë. Një djalë 11-vjeçar tha: «Kur jam vetëm dhe shoh përtej dritares, vështroj se sa të mrekullueshme janë krijesat e Jehovait. Pastaj, përfytyroj se sa e bukur do të jetë Parajsa në të ardhmen dhe se në atë kohë do të kem mundësi të prek kafshët.» (Isaia 11:6-9) Ai shton: «Kur jam vetëm, i lutem Jehovait. Unë e di se ai nuk mërzitet me mua që i flas gjatë gjithë kohës. E di që ai është gjithmonë aty, duke më parë.» A është Krijuesi ynë për ty po aq real, sa është për këtë djalë?
Sa real është Perëndia për ty?
2. (a) Si mund të bëhet Krijuesi yt real për ty? (b) Çfarë roli mund të kenë prindërit, për të ndihmuar fëmijët që të kuptojnë se Perëndia është një person real?
2 Që Jehovai dhe premtimet e tij të jenë reale për ty, duhet që së pari të mësosh për të dhe për të ardhmen e mrekullueshme që ai të ofron në botën e re e të drejtë që përshkruan Bibla. (Zbulesa 21:3, 4) Nëse prindërit të kanë mësuar për këto gjëra, ke arsye për të qenë mirënjohës, pasi kjo të jep mundësinë të dëgjosh urdhrin e frymëzuar: «Kujto, pra, Krijuesin tënd të madh.» (Eklisiastiu 12:1) Një e re tha në lidhje me stërvitjen e saj të hershme nga prindërit: «Gjithçka në jetë, gjithmonë kishte të bënte me Jehovain. Ky ishte për mua çelësi që të kujtoja Krijuesin tim.» Një tjetër vajzë e re vërejti: «Gjithmonë do t’u jem mirënjohëse prindërve, që më mësuan se Jehovai është një person real. Ata më treguan se si ta dua atë dhe më folën për gëzimin në shërbimin e tij të plotë kohor.»
3, 4. Ç’mund të të ndihmojë për ta menduar Jehovain si një person real?
3 Megjithatë, shumë veta e kanë të vështirë ta perceptojnë Perëndinë si një person real, që interesohet për ta. A të ndodh edhe ty? Një i ri gjeti ndihmë për të menduar në mënyrë personale për Perëndinë, nga ky pohim në Kullën e Rojës: «Ne nuk e dimë se sa i madh është nga shtati Perëndia Jehova.» Natyrisht, pozita e Perëndisë nuk varet nga masa apo nga forma, siç thoshte edhe fraza vijuese në Kullën e Rojës se «Madhësia e tij e vërtetë qëndron në atë se çfarë lloj Perëndie është», në fakt, një Perëndi i besueshëm, i dhembshur, i dashur dhe falës.a (Dalja 34:6; Ligji i përtërirë 32:4; Psalmi 86:5; Jakovit 5:11) A ke nisur ta konsiderosh Jehovain si një person të tillë, si një mik të besuar, me të cilin mund të kesh një marrëdhënie të çmuar?—Isaia 41:8; Jakovit 2:23.
4 Jezui i ndihmoi ithtarët e tij të parë që të gëzonin një marrëdhënie personale me Perëndinë. Prandaj, kur shkroi në pritje të ringjalljes për në jetën qiellore, apostulli Gjon vërejti: «Do të jemi të ngjashëm me të [Perëndinë], sepse do ta shohim se si është ai.» (1. Gjonit 3:2; 1. Korintasve 15:44) Edhe sot, të rinjtë mund të jenë të ndihmuar për ta konsideruar Perëndinë si një person real, të cilin mund ta njohin mirë, edhe pse nuk mund ta shohin personalisht. Një i ri vërejti: «Prindërit më ndihmuan të kujtoja Jehovain, duke më bërë pyetje të shumta, si: ‘Çfarë do të thoshte Jehovai? Si do ta shpjegoje me vetë fjalët e tua? Ç’do të thotë kjo?’» A nuk na bëjnë pyetje të tilla si këto, që të mendojmë në lidhje me marrëdhënien tonë personale me Perëndinë?
Ç’do të thotë të kujtosh?
5. Cilët shembuj biblikë tregojnë se të kujtosh dikë, përfshin më shumë se vetëm të mbash mend emrin e tij?
5 Ti bindesh urdhrit, «Kujto, pra, Krijuesin tënd të Madh», do të thotë më shumë se sa vetëm të mendosh për Jehovain. Përfshin veprime, duke bërë atë që i pëlqen atij. Kur krimineli iu lut Jezuit, «kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde», ai dëshironte që Jezui të bënte diçka më shumë, se vetëm të kujtonte emrin e tij. Ai dëshironte që Jezui të vepronte, ta ringjallte. (Luka 23:42) Ngjashëm, Jozefi i burgosur priti njëfarë veprimi, kur i kërkoi kryekupëmbajtësit të faraonit që të kujtohej për të para faraonit. Gjithashtu, kur Jobi iu lut Perëndisë që ‘ta kujtonte’, ai po kërkonte që në një kohë të ardhme Perëndia të vepronte për ta ringjallur.—Jobi 14:13; Zanafilla 40:14, 23.
6. Si e përfshin fjala hebraike «kujtoj» dashurinë e përzemërt për një diçka apo person që kujtojmë?
6 Një autoritet thotë se fjala hebraike e përkthyer «kujtoj», përfshin shpesh «dashurinë e përzemërt të mendjes dhe veprimin që shoqëron sjelljen ndër mend». Përfshirja e «dashurisë së përzemërt» në fjalën «kujtoj», mund të shihet nga thirrjet e «turmës së përzier» në shkretëtirë: «Oh, sa e kujtojmë peshkun që hanim në Egjipt!» Sikurse Jobi u lut që Perëndia ta kujtonte në mënyrë të favorshme, edhe Ezekia, Nehemia, Davidi dhe një psalmist pa emër, gjithashtu, u lutën që Jehovai t’i kujtonte me dashuri të përzemërt, si shpërblim të besnikërisë së tyre.—Numrat 11:4, 5; 2. Mbretërve 20:3; Nehemia 5:19; 13:31; Psalmi 25:7; 106:4.
7. Nëse e kujtojmë Perëndinë me dashuri të përzemërt, si do të ndikojë kjo mbi sjelljen tonë?
7 Prandaj, mund të pyesim veten: «A e kujtojmë Krijuesin tonë me dashuri të përzemërt, duke shmangur çdo gjë që mund t’i shkaktojë dëm apo dhembje?» Një e re vërejti: «Mamaja më ndihmoi të kuptoja se Jehovai ka ndjenja, kështu që në një moshë të hershme unë isha e vetëdijshme se veprimet e mia ndikonin mbi të.» (Psalmi 78:40-42) Një vajzë tjetër shpjegoi: «E dija që veprimet e mia ose do të ndihmonin, ose do të pengonin në përgjigje të sfidës që Satanai i bëri Jehovait. Dëshiroja të gëzoja zemrën e Jehovait dhe kjo më ndihmoi e vazhdon të më ndihmojë edhe sot e kësaj dite.»—Proverbat 27:11.
8. (a) Cili synim do të tregojë se e kujtojmë Jehovain me dashuri të përzemërt? (b) Cilat pyetje do të konsiderojnë me mençuri të rinjtë?
8 Duhet pranuar që në këtë botë të ligë, nuk është gjithmonë e lehtë të kujtosh Jehovain, duke marrë plotësisht pjesë në aktivitete që atij i pëlqejnë. Megjithatë, sa mirë do të ishte sikur të imitoje Timoteun e ri nga shekulli i parë, për të mos përmendur mijëra të rinj me frikë Perëndie sot, duke kryer shërbimin e krishterë si pionier në kohë të plotë! (Veprat 16:1-3; 1. Selanikasve 3:2) Megjithatë, mund të lindin pyetjet: A do të ishe në gjendje të mbaje veten në shërbimin si pionier? Nëse martohesh, a i ke aftësitë për t’u kujdesur për pjesëtarët e familjes? (1. Timoteut 5:8) Këto janë pyetje të rëndësishme dhe është jetësore që të mendosh seriozisht mbi to.
Arsimim me një qëllim
9. Çfarë vendimi përballojnë të rinjtë në lidhje me arsimimin botëror?
9 Ndërsa shoqëria njerëzore bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar, mund të të nevojitet një sasi më e madhe dije, për të pasur një punë të përshtatshme që të mbash veten në veprën e pionierit. Ti mund të kesh vërejtur që edhe disa nga ata me arsimim universitar, është dashur të marrin një arsimim ekstra, për të fituar ato aftësi që çmohen nga punëdhënësit sot. Prandaj, sa shkollë do të bëni ju të rinj, që dëshironi t’i pëlqeni Perëndisë? Në mënyrë të përshtatshme, vendimi duhet marrë me urdhrin e frymëzuar në mendje: «Kujto, pra, Krijuesin tënd të Madh.»
10. Cili është arsimimi më i mirë që mund të marrim?
10 Natyrisht, ti ke dëshirë të ndjekësh atë që edhe shumë autoritete nga bota e konsiderojnë si arsimimin më të mirë, atë që vjen nga një studim i kujdesshëm i Fjalës së Perëndisë. Shkrimtari gjerman Johan Volfgang Gëte vërejti: «Sa më i madh të jetë përparimi intelektual i [një populli], aq më e plotë do të jetë mundësia për ta përdorur Biblën si themel dhe si instrument të arsimimit.» Po, një studim i Biblës do të të pajisë për jetën më mirë, se çdo lloj tjetër arsimimi!—Proverbat 2:6-17; 2. Timoteut 3:14-17.
11. (a) Cila është puna më e rëndësishme që mund të bëjmë? (b) Përse një e re zgjodhi që të merrte njëfarë arsimimi?
11 Meqë njohuria e Perëndisë është jetëdhënëse, puna më e rëndësishme që mund të bësh sot është ndarja e kësaj njohurie me të tjerët. (Proverbat 3:13-18; Gjoni 4:34; 17:3) Megjithatë, për ta bërë këtë me efektshmëri, ke nevojë të arsimohesh në mënyrat thelbësore. Duhet të jesh në gjendje të mendosh qartë, të flasësh me logjikë, si dhe të shkruash e të lexosh mirë, aftësi këto që mësohen në shkollë. Prandaj, merri seriozisht lëndët që bën në shkollë, siç bëri Treisi, një e re nga Florida, SHBA, e cila mori diplomën e shkollës së mesme me fletë lavdërimi. Ajo tregoi shpresën e saj: «Gjithmonë kam pasur si synim të jem në shërbim të plotë kohor të Perëndisë tim Jehova dhe shpresoj që arsimimi të më ndihmojë në arritjen e këtij synimi.»
12. Nëse zgjedhim një arsimim shtesë, në përmbushjen e cilit qëllim mund të ndihmojë ai?
12 A ke menduar përse shkon në shkollë? A është kryesisht për t’u pajisur që të bëhesh një shërbëtor i efektshëm i Jehovait? Nëse po, duhet të bësh një shqyrtim serioz të faktit se sa mirë e plotëson arsimimi yt këtë qëllim. Pasi të jesh konsultuar me prindërit, mund të vendosni që të ndjekësh shkollën edhe përtej minimumit që kërkon ligji. Një arsimim i tillë shtesë mund të të ndihmojë në gjetjen e një pune, me të cilën të mbash veten dhe akoma të kesh kohë dhe energji, për të marrë pjesë plotësisht në aktivitetin e Mbretërisë.—Mateu 6:33.
13. Si e kanë treguar qëllimin e tyre në jetë dy të krishtere ruse, të cilat kanë ndjekur një arsimim shtesë?
13 Disa që ndjekin një arsimim shtesë, angazhohen në shërbimin e plotë kohor, madje edhe gjatë kohës kur ndjekin një shkollë të mëtejshme. Le të shqyrtojmë Nadian dhe Marinën, dy adoleshente në Moskë, Rusi. Që të dyja u pagëzuan në prill 1994 dhe filluan të shërbenin si pioniere ndihmëse. Pak më pas morën diplomën e shkollës së mesme dhe u futën në një program dyvjeçar llogaritjeje. Në maj 1995 filluan si pioniere të rregullta, duke mbajtur megjithatë mesataren më të lartë në klasën e tyre të llogaritjes. Për më tepër, ishin në gjendje të drejtonin, mes tyre, një mesatare prej 14 studimesh biblike çdo javë, ndërkohë që shkonin edhe në shkollë. Vajzat shpresojnë që arsimimi i tyre si llogaritare t’u mundësojë që të gjejnë një punë të përshtatshme, në mënyrë që të mund të mbajnë veten në shërbimin e plotë kohor.
14. Pavarësisht nga sasia e arsimimit botëror që zgjedhim, cila duhet të jetë gjëja më e rëndësishme në jetën tonë?
14 Nëse po ndjek një arsimim botëror përtej atij që kërkon ligji, shqyrto me mençuri arsyen se përse po vepron kështu. Ndoshta për të bërë një emër e të fitosh pasuri materiale? (Jeremia 45:5; 1. Timoteut 6:17) Apo ke si synim ta përdorësh arsimimin shtesë, për të marrë më shumë pjesë në shërbim të Jehovait? Lidia, një e re që zgjodhi të ndiqte një arsimim të mëtejshëm, shprehu një përqendrim të shkëlqyer mbi çështjet frymore, duke shpjeguar: «Të tjerët ndjekin arsimimin e lartë dhe lejojnë që materializmi t’i pengojë, duke e harruar kështu Perëndinë. Personalisht, marrëdhënia që kam me Perëndinë është për mua gjëja më e rëndësishme.» Sa qëndrim i lavdërueshëm për të gjithë ne!
15. Si ndryshonte sfondi arsimor ndërmjet të krishterëve të shekullit të parë?
15 Është domethënës fakti që të krishterët e shekullit të parë kishin një sfond të ndryshëm arsimor. Apostujt Pjetër dhe Gjon, për shembull, ishin konsideruar si «të pamësuar dhe pa arsim», meqë nuk ishin stërvitur në shkollat e rabinëve. (Veprat 4:13) Nga ana tjetër, apostulli Pavël kishte marrë atë që sot do të krahasohej me një arsimim universitar. Gjithsesi, Pavli nuk e përdori atë arsimim për të tërhequr vëmendjen nga vetja; përkundrazi, ishte për të një përfitim, ndërsa u predikonte njerëzve nga shtresa të ndryshme të shoqërisë. (Veprat 22:3; 1. Korintasve 9:19-23; Filipianëve 1:7) Ngjashëm, Manaeni, i cili «kishte qenë edukuar me Herodin tetrark», ishte mes atyre që drejtonin kongregacionin në Antioki.—Veprat 13:1, DSF.
Përse të mbarështosh me mençuri të ardhurat e tua?
16. (a) Përse mund të jetë më e vështirë për të kujtuar Krijuesin tonë, nëse jemi në borxhe? (b) Si e zbulon një nga ilustrimet e Jezuit rëndësinë për t’i vënë gishtin kokës para se të shpenzojmë?
16 Nëse nuk arrin të mbarështosh me mençuri të ardhurat e tua, mund ta kesh më të vështirë të kujtosh Krijuesin tënd, duke bërë çfarë atij i pëlqen. Sepse po të zhytesh në borxhe, mund të thuhet se ke një tjetër zotëri. Bibla shpjegon: «Kush merr para borxh, bëhet skllav i kreditorit të tij.» (Proverbat 22:7, ECM) Një nga ilustrimet e Jezuit nënvizon rëndësinë për t’i vënë gishtin kokës para se të shpenzojmë. «Kush nga ju, pra,—tha Jezui,—kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar? Që atëherë, kur t’i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen.»—Luka 14:28, 29.
17. Përse shpesh është e vështirë të kontrollojmë shpenzimet?
17 Prandaj, me mençuri do të përpiqesh të jetosh sipas parimit biblik: «Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveçse ta doni njëri-tjetrin.» (Romakëve 13:8) Por kjo është e vështirë të bëhet, sidomos kur gjendesh përballë me një furnizim të vazhdueshëm me prodhime të reja, për të cilat reklamat pohojnë se ke vërtet nevojë. Një prind, i cili ishte përpjekur të ndihmonte fëmijët që të ushtronin aftësi shquese, vërejti: «Kemi kaluar shumë kohë, duke biseduar se ç’është një nevojë dhe ç’është një dëshirë.» Në përgjithësi, shkollat kanë dështuar të mësojnë gjëra të tilla, duke dhënë pak ose aspak mësim në lidhje me si të mbarështohen të ardhurat në mënyrë të përgjegjshme. «Kemi marrë diplomën e shkollës së mesme, duke ditur më shumë për trekëndëshat dybrinjënjëshëm, se për mënyrën si të kursejmë paratë»,—vërejti një punëtore sociale. Çfarë do të të ndihmojë, pra, që të harxhosh me mençuri?
18. Cili është një çelës në mbarështimin e mençur të të ardhurave dhe përse?
18 Dëgjimi i këshillës, «kujto, pra, Krijuesin tënd të Madh», është një çelës për mbarështimin e mençur të të ardhurave të tua. Kjo ndodh ngaqë kur i bindesh këtij urdhri, përparësia jote është që t’i pëlqesh Jehovait dhe dashuria jote e përzemërt për të ndikon mbi mënyrën se si i shpenzon paratë. Në përputhje me këtë, ti nuk do të lejosh që dëshirat personale të ndërhyjnë në dhënien e devotshmërisë me gjithë shpirt Perëndisë. (Mateu 16:24-26) Do të përpiqesh të mbash një sy «të thjeshtë», d.m.th., të përqendruar qartësisht në Mbretërinë e Perëndisë dhe në kryerjen e vullnetit të tij. (Mateu 6:22-24) Në këtë mënyrë, do ta konsiderosh nxitjen hyjnore për «të nderuar Jehovain me gjërat e tua të vlefshme», si një privilegj të gëzueshëm.—Proverbat 3:9, BR.
Të rinj të denjë për t’u imituar
19. Si e kanë kujtuar të rinjtë në të shkuarën Krijuesin e tyre?
19 Lumturisht, shumë të rinj, në të shkuarën e në të tashmen, e kanë kujtuar Krijuesin e tyre. Samueli i vogël qëndroi i patundur në shërbimin në tabernakull, pavarësisht nga ndikimi imoral i atyre me të cilët shërbente. (1. Samuelit 2:12-26) Një joshëse tunduese, gruaja e Potifarit, nuk arriti ta grishte Jozefin e ri që të kryente kurvëri. (Zanafilla 39:1-12) Edhe pse s’ishte veçse «një djalosh», Jeremia predikoi me guxim përballë kundërshtimit të ashpër. (Jeremia 1:6-8) Një vajzë e vogël izraelite drejtoi një kryekomandant të fuqishëm të ushtrisë siriane, që të kërkonte ndihmë në Izrael, ku ai mundi të mësonte për Jehovain. (2. Mbretërve 5:1-4) Danieli i ri dhe shokët e tij mbajtën besimin e tyre, kur u sprovuan në lidhje me ligjet e Perëndisë për dietën. Gjithashtu, të rinjtë Sadraku, Mesaku dhe Abednegu, zgjodhën më mirë të hidheshin në një furrë të zjarrtë, se të bënin kompromis me besnikërinë e tyre ndaj Perëndisë, duke adhuruar përpara një shëmbëlltyre.—Danieli 1:8, 17; 3:16-18; Dalja 20:5.
20. Si e kanë kujtuar Krijuesin e tyre shumë të rinj sot?
20 Sot, më shumë se 2.000 të rinj të moshave nga 19 në 25 vjeç, shërbejnë në selinë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait në shtetin e Nju Jorkut, SHBA. Ata janë vetëm një pjesë e vogël e dhjetëra mijëra të rinjve, të cilët po kujtojnë Krijuesin e tyre anembanë botës. Ashtu si Jozefi në kohën e lashtë, ata s’kanë pranuar të kompromentojnë pastërtinë e tyre morale. Shumë i janë bindur Perëndisë në vend të njerëzve, kur janë detyruar të zgjedhin se cilit do t’i shërbejnë. (Veprat 5:29) Në vitin 1946, në Poloni, 15-vjeçarja Henrika Zur u torturua, kur nuk pranoi të kryente një akt të idhujtarisë fetare. «Mendo ç’të duash përbrenda,—i thoshte një nga torturuesit,—vetëm bëj shenjën e kryqit katolik.» Pasi nuk pranoi, e morën zvarrë në një pyll dhe e qëlluan, pa i prekur shpresën e sigurt për jetën e përhershme!b
21. Cilën ftesë do të ishte e mençur të pranonim dhe cili do të jetë rezultati?
21 Sa e gëzuar duhet të jetë zemra e Jehovait nga të rinjtë, që e kanë kujtuar atë gjatë shekujve! A do t’i përgjigjesh ftesës së tij, «Kujto, pra, Krijuesin tënd të Madh»? Vërtet, ai meriton që ta mbash në mendje! Mendo përditë për gjërat që ai ka bërë për ty dhe që akoma do të bëjë dhe pranoje ftesën e tij: «Biri im, ji i mençur dhe gëzoma zemrën, që të mund t’i përgjigjem atij që më sfidon me përbuzje.»—Proverbat 27:11, BR.
[Shënimet]
a Kulla e Rojës, 15 dhjetor 1953, faqe 750, angl.
b Shiko Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait, 1994, faqe 217-218, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
A të kujtohet?
◻ Si mund të ndihmohen të rinjtë, për ta konsideruar Perëndinë si një person real?
◻ Ç’do të thotë të kujtosh Krijuesin tënd?
◻ Cilit qëllim duhet t’i shërbejë arsimimi ynë?
◻ Përse është jetësor mbarështimi me mençuri i të ardhurave tona?
◻ Cilët të rinj janë të denjë për t’u imituar?
[Figura në faqen 17]
A ke menduar se përse shkon në shkollë?
[Figura në faqen 18]
A po mëson të mbarështosh të ardhurat me mençuri?