Libri biblik numër 36—Sofonia
Shkrimtari: Sofonia
Vendi ku u shkrua: Judë
Shkrimi përfundoi: para 648 p.e.s.
1. (a) Përse mesazhi i Sofonisë ishte i përshtatshëm për kohën e tij? (b) Si përshtatej me situatën e atëhershme domethënia e emrit të Sofonisë?
NË FILLIMET e mbretërimit të Josisë në Judë, (659 p.e.s.-629 p.e.s.), në një kohë kur adhurimi i Baalit ishte përhapur dhe ‘priftërinjtë e perëndive të huaja’ kishin marrë drejtimin në këtë adhurim të papastër, populli i Jerusalemit duhet të jetë tronditur nga mesazhi që shpallte profeti Sofonia. Edhe pse ka të ngjarë që të ketë qenë pasardhës i mbretit Hezekia, nga familja mbretërore e Judës, Sofonia ishte tepër kritik ndaj kushteve ku ndodhej kombi. (Sof. 1:1, 4) Ai kishte një mesazh dënimi. Populli i Perëndisë ishte bërë i pabindur dhe vetëm Jehovai mund t’i kthente te adhurimi i pastër e t’i bekonte, që të shërbenin si ‘një emër i mirë dhe lavdi mes gjithë popujve të dheut’. (3:20) Sofonia theksoi se vetëm falë ndërhyrjes hyjnore, një njeri mund të ishte ‘i fshehur ditën e zemërimit të Jehovait’. (2:3) Sa i përshtatshëm ishte pra emri i tij Cefanjáh (hebraisht), që do të thotë «Jehovai ka fshehur (ka ruajtur si thesar)»!
2. Si dhanë fryt përpjekjet e Sofonisë dhe përse kjo ishte vetëm diçka e përkohshme?
2 Përpjekjet e Sofonisë dhanë fryt. Mbreti Josia, që kishte hipur në fron në moshën tetëvjeçare, vitin e 12-të të mbretërimit filloi «të pastronte Judën e Jerusalemin». Ai çrrënjosi adhurimin e rremë, meremetoi «shtëpinë e Jehovait» dhe rivendosi kremtimin e Pashkës. (2 Kron., kap. 34, 35) Megjithatë, reformat e mbretit ishin vetëm të përkohshme, pasi vendin e tij e zunë më vonë tre nga djemtë e një nga nipat e tij, të cilët të gjithë bënë «atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait». (2 Kron. 36:1-12) Të gjitha këto përmbushën fjalët e Sofonisë: «Do ta drejtoj vëmendjen nga princat, bijtë e mbretit dhe . . . nga ata që po e mbushin shtëpinë e zotërinjve të tyre me dhunë e mashtrim.»—Sof. 1:8, 9.
3. Ku dhe kur profetizoi Sofonia, dhe cilin mesazh të dyfishtë përmban libri?
3 Nga sa u tha më lart, duket se «fjala e Jehovait . . . iu drejtua Sofonisë» diku aty para vitit 648 p.e.s., vitin e 12-të të Josisë. Vargu i parë jo vetëm që tregon se ai e shpalli mesazhin në Judë, por njohuria e hollësishme që shfaq për vendet dhe zakonet e Jerusalemit, dëshmon se ai banonte në Judë. Mesazhi i librit është i dyfishtë, kërcënues dhe ngushëllues. Në pjesën më të madhe, përqendrohet në ditën e Jehovait, një ditë tmerri që është afër, por njëkohësisht, parathotë se Jehovai do të rivendosë një popull të përulur, që ‘gjen strehë tek emri i Jehovait’.—1:1, 7-18; 3:12.
4. Nga se provohet që libri i Sofonisë është autentik dhe i frymëzuar nga Perëndia?
4 Autenticiteti i këtij libri profetik as që mund të diskutohet. Jerusalemi u shkatërrua në vitin 607 p.e.s., më shumë se 40 vjet pasi Sofonia e kishte parathënë. Për këtë kemi jo vetëm fjalën e historisë, por edhe vetë provat që Bibla përmban, të cilat tregojnë se kjo ngjarje ndodhi pikërisht si kishte profetizuar Sofonia. Pak pas shkatërrimit të Jerusalemit, Jeremia shkroi librin e Vajtimeve, ku përshkroi tmerret që kishte parë me sytë e tij, ndërkohë që i kishte ende të gjalla në mendje. Nga krahasimi i disa vargjeve duket që mesazhi i Sofonisë është vërtet «i frymëzuar nga Perëndia». Sofonia paralajmëron për nevojën për t’u penduar «para se të vijë mbi ju zemërimi i zjarrtë i Jehovait», kurse Jeremia flet për diçka që ka ndodhur tashmë, kur thotë: «Jehovai . . . e derdhi zemërimin e tij të zjarrtë.» (Sof. 2:2; Vajt. 4:11) Sofonia parathotë se Jehovai ‘do t’i brengosi njerëzit dhe ata do të ecin si të verbër. Gjaku i tyre do të shpërndahet si pluhur’. (Sof. 1:17) Jeremia flet për këtë si për një fakt të kryer: «Ata endeshin rrugëve si të verbër. Janë ndotur me gjak.»—Vajt. 4:14; krahaso edhe Sofoninë 1:13—Vajtimet 5:2; Sofoninë 2:8, 10—Vajtimet 1:9, 16 dhe Va 3:61.
5. Si tregon historia që profecia e Sofonisë u përmbush me saktësi?
5 Edhe historia flet për shkatërrimin e kombeve pagane, Moabit, Amonit dhe Asirisë, përfshirë edhe kryeqytetin e saj, Ninevinë, pikërisht siç e kishte parathënë edhe Sofonia nën drejtimin e Perëndisë. Ashtu si profeti Naum paratha shkatërrimin e Ninevisë (Nau 1:1; 2:10), edhe Sofonia shpalli se Jehovai «Ninevinë do ta kthejë në shkreti, në vend të thatë si shkretëtira». (Sof. 2:13) Ky shkatërrim ishte kaq i plotë, sa, më pak se 200 vjet më vonë, historiani Herodoti e përmendi Tigrin si «lumi mbi të cilin ngrihej dikur qyteti i Ninevisë».a Rreth vitit 150 të e.s. shkrimtari grek Luciani shkroi se «tani prej tij s’ka mbetur asnjë gjurmë».b Një fjalor biblik (The New Westminster Dictionary of the Bible, 1970, faqja 669) thotë se ushtrive sulmuese «u erdhi shumë në ndihmë një vërshim i papritur i lumit Tigër, që mori me vete një pjesë të madhe të murit të qytetit dhe e la vendin të pambrojtur. . . . Aq i plotë ishte shkretimi, sa në kohët e grekëve e të romakëve Ninevia ishte bërë pothuajse një mit. E megjithatë, një pjesë e qytetit dergjej nën pirgjet që dukeshin si plehra». Në faqen 627, i njëjti vëllim tregon se edhe Moabi u shkatërrua ashtu siç ishte profetizuar: «Moabitët i nënshtroi Nabukodonosori.» Jozefi raporton edhe nënshtrimin e Amonit.c Mirëpo, me kalimin e kohës, moabitët dhe amonitët u zhdukën si popull.
6. Përse Sofonisë i takon me të drejtë vendi që ka në kanunin e Biblës?
6 Judenjtë i kanë dhënë gjithnjë Sofonisë vendin që i takon me të drejtë në kanunin e Shkrimeve të frymëzuara. Shpalljet e bëra nga ai në emër të Jehovait, janë përmbushur në mënyrë të spikatshme, duke shfajësuar kështu Jehovain.
PËRMBAJTJA E SOFONISË
7. Ç’nënkupton dita e madhe e Jehovait për armiqtë e tij?
7 Dita e Jehovait është afër (1:1-18). Libri hapet me një dënim. «Unë do të shfaros çdo gjë nga faqja e dheut,—thotë Jehovai.» (1:2) Asgjë nuk do të shpëtojë, as njerëz, as kafshë. Adhuruesit e Baalit, priftërinjtë e perëndive të huaja, ata që adhurojnë qiejt nga tarracat, ata që përziejnë adhurimin e Jehovait me atë të Malkamit, ata që largohen nga Jehovai dhe ata që s’kanë interes për ta kërkuar—të gjithë kanë për t’u shfarosur. Profeti urdhëron: «Heshtni para Zotërisë Sovran Jehova, sepse dita e Jehovait është afër.» (1:7) Jehovai ka përgatitur një flijim. Princat, njerëzit e dhunshëm, mashtruesit dhe ata me zemër indiferente—do të thirren të gjithë. Pasuritë dhe zotërimet e tyre do të shfarosen. Dita e madhe e Jehovait është afër. Ajo «është ditë e një zemërimi të furishëm, ditë ankthi e brenge, ditë shtrëngate e shkretimi, ditë errësire e zymtësie, ditë resh e terri të zi». Gjaku i atyre që mëkatojnë kundër Jehovait, do të shpërndahet si pluhur. «As argjendi e as ari i tyre nuk do të mund t’i çlirojë ditën e zemërimit të furishëm të Jehovait.» Zjarri i zellit të tij do të gllabërojë tërë tokën.—1:15, 18.
8. (a) Si mund të gjendet mbrojtja? (b) Ç’mjerime shpallen kundër kombeve?
8 Kërkoni Jehovain; kombet do të shkatërrohen (2:1-15). Para se dita të kalojë si byku, ju zemërbutë «kërkoni Jehovain . . . kërkoni drejtësinë, kërkoni zemërbutësinë; dhe ka mundësi «të jeni të fshehur ditën e zemërimit të Jehovait». (2:3) Fjalët e Jehovait vazhdojnë dhe shpallin mjerime për vendin e filistinëve, që më vonë do të bëhet «vendi i atyre që kanë mbetur nga shtëpia e Judës». Vendet krenare të Moabit dhe Amonit do të shkretohen si Sodoma dhe Gomorra «sepse poshtëruan popullin e Jehovait të ushtrive dhe u mbajtën me të madh para tij». Bashkë me ta do të marrin fund edhe perënditë e tyre. (2:7, 10) «Shpata» e Jehovait do të vrasë edhe etiopasit. Po Asiria në veri dhe kryeqyteti i saj, Ninevia? Do të bëhet një shkretëtirë e zhveshur, një vend ku do të rrinë egërsirat. ‘Oh, sa do të habiten me të’, aq sa «kush të kalojë aty pranë do të fërshëllejë» i çuditur.—2:12, 15.
9. (a) Përse thuhet mjerë edhe Jerusalemi dhe cili është vendimi gjyqësor i Jehovait kundër kombeve? (b) Me ç’nota gëzimi mbyllet profecia?
9 Jerusalemit rebel i kërkohet llogari; mbetja e përulur bekohet (3:1-20). Mjerë edhe Jerusalemi, qyteti rebel që shtyp! Princat e tij, «si luanë që ulërijnë», dhe profetët e tij, «njerëz të pabesë», nuk kanë besuar te Jehovai, Perëndia i tyre. Ai do t’u kërkojë plotësisht llogari. A do t’i frikësohen Jehovait banorët e tij dhe a do ta pranojnë disiplinën? Jo, sepse «nxituan t’u bënin tërë të këqijat të tjerëve». (3:3, 4, 7) Vendimi gjyqësor i Jehovait është të mbledhë kombet e të derdhë mbi ta gjithë zemërimin e tij të zjarrtë, dhe tërë toka të gllabërohet nga zjarri i zellit të tij. Por, ka edhe një premtim të mrekullueshëm! Jehovai ‘do t’ua ndryshojë popujve gjuhën në një gjuhë të kulluar, që të gjithë të thërrasin emrin e Jehovait e t’i shërbejnë atij sup më sup’. (3:9) Ata që gëzojnë gjithë fodullëk do të hiqen, kurse një mbetje e përulur, që vepron me drejtësi, do të gjejë strehë tek emri i Jehovait. Në Sion shpërthejnë britma të gëzuara, britma hareje, dha ka gëzim e ngazëllim, sepse Jehovai, Mbreti i Izraelit, gjendet mes tyre. S’është koha të kenë frikë, as t’i lëshojë zemra, sepse Jehovai do t’i shpëtojë e do të ngazëllojë për ta me dashuri e gëzim. «Do t’ju jap një emër të mirë dhe lavdi mes gjithë popujve të dheut, kur të kthej para syve tuaj ata që ishin marrë robër,—thotë Jehovai.»—3:20.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
10. Ç’dobi solli profecia e Sofonisë në ditët e mbretit Josia?
10 Mbreti Josia ishte një nga ata që ia vuri veshin mesazhit paralajmërues të Sofonisë dhe përfitoi shumë nga ai. Ai iu fut një fushate të madhe reformimi fetar. Kjo nxori në dritë librin e Ligjit, i cili kishte humbur kur shtëpia e Jehovait ishte lënë pas dore. Josia u pikëllua së tepërmi kur nga ky libër i lexuan për pasojat e mosbindjes, dhe kjo vërtetoi me gojën e një dëshmitari tjetër, Moisiut, atë që Sofonia kishte kohë që po e profetizonte. Josia e përuli veten para Perëndisë, e për pasojë Jehovai i premtoi se shkatërrimi i parathënë nuk do të ndodhte në ditët e tij. (Ligj., kap. 28-30; 2 Mbret. 22:8-20) Vendi shpëtoi nga shkatërrimi! Por jo për shumë kohë, sepse bijtë e Josisë nuk ndoqën shembullin e mirë që u la ai. Megjithatë, për Josinë dhe popullin e tij, fakti që i kushtuan vëmendje ‘fjalës së Jehovait që iu drejtua Sofonisë’, u solli vërtet shumë dobi.—Sof. 1:1.
11. (a) Përse këshillat e shëndetshme të Sofonisë kanë lidhje me Predikimin në Mal dhe me letrën e Pavlit drejtuar hebrenjve? (b) Përse Sofonia tha «ka mundësi që të jeni të fshehur»?
11 Në Predikimin e tij të famshëm në Mal, Jezu Krishti, profeti më i madh i Perëndisë, e mbështeti Sofoninë si një profet të vërtetë të Perëndisë, kur tha disa fjalë që, në mënyrë mbresëlënëse, janë të ngjashme me këshillën e Sofonisë në kapitullin 2, vargu 3: «Kërkoni Jehovain të gjithë ju zemërbutët e dheut . . . kërkoni drejtësinë, kërkoni zemërbutësinë.» Kurse Jezui nxiti: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë.» (Mat. 6:33) Ata që kërkojnë në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë, duhet të ruhen nga indiferenca për të cilën paralajmëroi Sofonia kur foli për «ata që sprapsen duke u larguar nga Jehovai; [për] ata që nuk e kërkuan Jehovain dhe që nuk e pyetën» dhe për ata që thonë: ‘Jehovai nuk bën as mirë, as keq.’ (Sof. 1:6, 12) Në letrën e tij drejtuar hebrenjve, Pavli flet për një ditë gjykimi që po vjen dhe paralajmëron që të mos sprapsemi. Pastaj shton: «Megjithatë, ne nuk jemi lloji që sprapset për shkatërrim, por lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit.» (Hebr. 10:30, 37-39) Profeti nuk u drejtohet atyre që heqin dorë ose që janë mosmirënjohës, por atyre që me butësi e me ngulm kërkojnë Jehovain me besim, u thotë: «Ka mundësi që të jeni të fshehur ditën e zemërimit të Jehovait.» Përse thuhet «ka mundësi»? Sepse shpëtimi përfundimtar varet nga udha që ndjek individi. (Mat. 24:13) Është gjithashtu një përkujtues që s’duhet ta marrim si të mirëqenë mëshirën e Perëndisë. Profecia e Sofonisë nuk lë asnjë pikëpyetje për befasinë me të cilën do të bjerë ajo ditë mbi ata që nuk e presin.—Sof. 2:3; 1:14, 15; 3:8.
12. Ç’bazë për guxim u jep Sofonia atyre që ‘kërkojnë Jehovain’?
12 Kështu pra, ky është një mesazh që paralajmëron shkatërrim për ata që mëkatojnë kundër Jehovait, por që paraqet disa pamje paraprake të shkëlqyera të bekimeve që do të gëzojnë ata që të penduar ‘kërkojnë Jehovain’. Këta të penduar mund të marrin zemër, sepse Sofonia thotë: «Mbreti i Izraelit, Jehovait, gjendet mes teje.» Për Sionin nuk është koha të ketë frikë apo ta lëshojë zemra, në gjendje joaktiviteti. Është koha të ketë besim te Jehovai. «Si i Fuqishëm do të të shpëtojë. Do të ngazëllojë për ty. Nga dashuria që ka, ai do të qëndrojë i heshtur. Do të gëzojë për ty dhe do të lëshojë britma lumturie.» Të lumtur janë edhe ata që ‘kërkojnë në radhë të parë mbretërinë e tij’, teksa presin mbrojtjen dhe bekimet e tij të përjetshme!—3:15-17.
[Shënimet]
a Cyclopedia, nga autorët Meklintok dhe Strong, ribotim i vitit 1981, vëll. VII, faqja 112.
b Lucian, përkthyer në anglisht nga A. M. Harmoni, 1968, vëll. II, faqja 443.
c Antikitete judaike, vëll. X, faqet 181, 182 (kap. ix, par. 7).