T’ia dalim mbanë në shmangien e grackës së lakmisë
«Ata që janë të vendosur për t’u pasuruar bien në tundim dhe në grackë.»—1. TIMOTEUT 6:9, NW.
1. Përse duhet të na interesojnë grackat?
FJALA «grackë» mund të të sjellë në mendje një gjuetar që ngre një kurth të fshehur për të kapur një pre që nuk dyshon. Megjithatë, Perëndia e ka bërë të qartë se për ne grackat më të rrezikshme nuk janë kurthet në kuptimin e vërtetë të fjalës, por ato që mund të na zënë në grackë frymësisht apo moralisht. Djalli është një mjeshtër në ngritjen e grackave të tilla.—2. Korintasve 2:11; 2. Timoteut 2:24-26.
2. (a) Si na ndihmon Jehovai për të shmangur grackat e rrezikshme? (b) Çfarë lloji i veçantë gracke do të merret në shqyrtim tani?
2 Jehovai na ndihmon duke identifikuar disa prej grackave të shumta dhe të ndryshme të Satanait. Për shembull, Perëndia paralajmëron se buzët ose goja jonë mund të bëhen një grackë nëse flasim pa mençuri, me ngut apo mbi gjëra që nuk duhet të flasim. (Proverbat 18:7; 20:25) Krenaria mund të jetë një grackë, si edhe shoqëria me njerëz që priren drejt zemërimit. (Proverbat 22:24, 25; 29:25) Por le t’i kthehemi një gracke tjetër: «Ata që janë të vendosur për t’u pasuruar bien në tundim dhe në grackë dhe në shumë dëshira të paarsyeshme dhe të dëmshme, të cilat i zhysin njerëzit në shkatërrim dhe rrënim.» (1. Timoteut 6:9, NW) Ajo që qëndron prapa kësaj gracke apo baza për të, mund të përmblidhet në një fjalë «lakmi». Edhe pse shpesh lakmia shfaqet nga vendosmëria për t’u pasuruar, ajo është një grackë me shumë aspekte.
Jehovai na paralajmëron për rrezikun
3, 4. Çfarë mësimesh përmban historia e lashtë e njerëzimit mbi lakminë?
3 Në themel, lakmia është një dëshirë e parregullt dhe e tepërt për të pasur më shumë, qofshin këto para, pushtet, seks apo diçka tjetër. Ne nuk jemi të parët që rrezikohemi prej grackës së lakmisë. Kohë më parë, në kopshtin e Edenit, në grackën e lakmisë ra Eva dhe më vonë edhe Adami. Shoku i Evës, që kishte më shumë eksperiencë në jetë se ajo, ishte mësuar personalisht prej Jehovait. Perëndia u kishte siguruar atyre një shtëpi parajsore. Ata mund t’u gëzoheshin të mirave të bollshme dhe ushqimeve të ndryshme, të prodhuara nga një tokë pa ndotje. Mund të prisnin fëmijë të përsosur, me të cilët do të mund të jetonin dhe t’i shërbenin Perëndisë në pafundësi. (Zanafilla 1:27-31; 2:15) A nuk duket e mjaftueshme kjo për të kënaqur një njeri?
4 Megjithatë, pasja me bollëk nuk e pengon lakminë që të bëhet një grackë. Eva ra në grackën e perspektivës për t’u bërë si Perëndia, duke pasur më shumë pavarësi dhe duke vendosur rregullat e veta. Duket se Adami dëshironte ta vazhdonte me çdo kusht shoqërinë me shoqen e tij të bukur. Nëse edhe ata njerëz të përsosur ranë në grackën e lakmisë, mund të imagjinojmë se sa e rrezikshme mund të jetë lakmia për ne.
5. Sa e rëndësishme është për ne shmangia e grackës së lakmisë?
5 Duhet të ruhemi që të mos biem në grackën e lakmisë, sepse apostulli Pavël na paralajmëron: «Nuk e dini që të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni. As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëthyes, as njerëz të dhënë pas qëllimesh jonatyrale, as burra që shkojnë me burra, as hajdutë, as lakmitarë . . . nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» (1. Korintasve 6:9, 10, NW) Pavli na thotë, gjithashtu: «Kurvëria dhe ndyrësia e çdo lloji dhe lakmia as të mos përmenden mes jush.» (Efesianëve 5:3, NW) Lakmia, pra, as që duhet të jetë argument bisede, për të kënaqur mishin tonë të papërsosur.
6, 7. (a) Cilët shembuj të Biblës nënvizojnë forcën që mund të ketë lakmia? (b) Përse këta shembuj duhet të jenë një paralajmërim për ne?
6 Jehovai ka ruajtur shumë shembuj për të na lajmëruar mbi rrezikun e lakmisë. Le të kujtojmë lakminë e Akanit. Perëndia tha se Jerikoja duhej shkatërruar, por ari, argjendi, bakri dhe hekuri i saj do të ishin për thesarin e Tij. Ndoshta në fillim Akani kishte ndër mend ta zbatonte këtë urdhër, por lakmia e zuri atë në grackë. Pasi u fut në Jeriko, iu duk sikur kishte dalë për të psonisur, sidomos kur pa disa blerje me përfitim të pabesueshëm, duke përfshirë edhe një rrobë të bukur që dukej sikur ishte bërë tamam për të. Duke marrë ar dhe argjend me një vlerë prej qindra mijëra lekësh, ai mund të ketë menduar: «Çfarë fati! Është pothuajse një vjedhje.» Dhe pikërisht kështu ishte! Duke dëshiruar diçka që duhej shkatërruar apo dorëzuar, Akani vodhi Perëndinë dhe kjo i kushtoi atij jetën. (Josiu 6:17-19; 7:20-26) Shqyrto, gjithashtu, shembujt e Gehazit dhe Juda Iskariotit.—2. Mbretërit 5:8-27; Gjoni 6:64; 12:2-6.
7 Nuk duhet ta lëmë pas dore faktin se të tre të lartpërmendurit nuk ishin paganë që nuk i njihnin rregullat e Jehovait. Përkundrazi, kishin një lidhje të dedikuar me Perëndinë. Të gjithë ata kishin qenë dëshmitarë të mrekullive që duhet t’u kishin ngulitur atyre fuqinë e Perëndisë dhe rëndësinë e mbajtjes së favorit të tij. Megjithatë, gracka e lakmisë u bë rrënimi i tyre. Edhe ne mund ta rrënojmë lidhjen tonë me Perëndinë nëse e lëmë veten që të biem në grackën e lakmisë së çdo forme. Cilat forma apo lloje të lakmisë mund të na rrezikojnë veçanërisht?
Në grackën e lakmisë për pasuri dhe të mira materiale
8. Çfarë paralajmërimi jep Bibla në lidhje me pasurinë?
8 Shumica e të krishterëve i kanë të qarta paralajmërimet e Biblës ndaj zhvillimit të dashurisë për pasuritë, pra, ndaj dëshirës së zjarrtë për to. Përse të mos rishikojmë disa prej tyre, si ato që gjejmë në Mateun 6:24-33; Luka 12:13-21; dhe 1. Timoteut 6:9, 10? Edhe pse mund të mendosh se i pranon dhe i ndjek këto këshilla, a nuk ka mundësi që edhe Akani, Gehazi dhe Juda të kenë thënë se janë dakort me to? Është e qartë se duhet të shkojmë më tej se marrëveshja e thjeshtë mendore. Duhet të kemi kujdes që gracka e lakmisë për pasuri dhe të mira materiale të mos ndikojë mbi jetën tonë të përditshme.
9. Përse duhet ta shqyrtojmë qëndrimin tonë në lidhje me psonisjet?
9 Në jetën e përditshme na duhet të blejmë shpesh: ushqime, veshje dhe sende për shtëpinë. (Zanafilla 42:1-3; 2. Mbretërit 12:11, 12; Proverbat 31:14, 16; Luka 9:13; 17:28; 22:36) Por sistemi tregtar nxit dëshirën për të pasur më shumë dhe për gjëra të reja. Shumë reklama që mbushin gazetat, revistat dhe ekranet e televizorit, janë thirrje të maskuara për lakmi. E njëjta gjë mund të ekzistojë edhe nëpër dyqanet me bluza, xhaketa, fustane dhe kostume, me raftet plot këpucë të reja, aparate elektronikë dhe fotografikë. Të krishterët mund të pyesin veten: «A është bërë psonisja kënaqësia më e madhe apo kryesore e jetës sime? A më nevojiten me të vërtetë sendet e reja që shoh apo sistemi tregtar po hedh mbi mua farën e lakmisë?»—1. Gjonit 2:16.
10. Cila grackë e lakmisë mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për burrat?
10 Nëse psonisja duket si një grackë e zakonshme për gratë, fitimi i parave është e tillë për shumë burra. Jezui e ilustroi këtë grackë me një pasanik që kishte të ardhura të mira, por që ishte i vendosur «të prishte hambarët e vjetër dhe të ndërtonte më të mëdhenj, për të grumbulluar në ta të gjithë grurin dhe rezervat». Jezui nuk la asnjë hije dyshimi mbi rrezikun: «Kujdes! Ruhuni nga çdo lloj lakmie.» (Luka 12:15-21, ECM) Jemi apo jo të pasur, duhet ta dëgjojmë këtë këshillë.
11. Si mund të bjerë një i krishterë në grackën e lakmisë për më shumë para?
11 Lakmia për më tepër para ose për gjëra që mund të blihen me to, shpeshherë është e fshehur. Mund të të paraqitet një plan për t’u pasuruar me shpejtësi, ndoshta një rast i rrallë në jetë për të arritur sigurinë financiare me anë të një investimi të rrezikshëm. Dikush mund të jetë i tunduar për të fituar para nëpërmjet veprimeve tregtare të dyshimta apo ilegale. Kjo dëshirë ziliqare mund të bëhet mbizotëruese, duke u kthyer në një grackë. (Psalmi 62:10; Proverbat 11:1; 20:10) Disa pjesëtarë të kongregacionit e kanë filluar biznesin me shpresë që vëllezërit e tyre, me besim, të bëhen klientët e tyre kryesorë. Nëse objektivi i tyre nuk është thjesht sigurimi i një produkti apo kryerja e një shërbimi të nevojshëm «duke u lodhur, duke bërë me duart e tyre atë që është punë e mirë», por fitimi i parave me shpejtësi dhe në kurriz të të krishterëve të tjerë, atëherë ata po veprojnë me lakmi. (Efesianëve 4:28; Proverbat 20:21; 31:17-19, 24; 2. Selanikasve 3:8-12) Lakmia për para i ka shtyrë disa në lojëra bixhozi si llotaritë dhe bastet sportive. Të tjerë, duke mos i kuptuar ndjenjat e të tjerëve dhe duke qenë të paarsyeshëm, nxitohen për të ngritur padi me shpresë që të fitojnë një çmim apo shpërblim të madh.
12. Si e dimë se lakmia për para mund të mposhtet?
12 Këto që pamë janë fusha në të cilat duhet të bëjmë një vetëshqyrtim, që të mund të shohim me ndershmëri nëse lakmia është duke vepruar tek ne. Edhe nëse po, ne mund të ndryshojmë. Mos harroni se Zakeu ndryshoi. (Luka 19:1-10) Nëse dikush e kupton se lakmia për pasuri apo të mira materiale po bëhet problem për të, duhet të jetë i vendosur që ashtu si Zakeu t’i shpëtojë grackës.—Jeremia 17:9.
Lakmia në aspekte të tjera të jetës
13. Cilën grackë të lakmisë na sjell ndër mend Psalmi 10:18?
13 Shumëkush e ka më të lehtë të shohë rrezikun e lakmisë në lidhje me pasurinë dhe të mirat materiale, sesa në mënyra të tjera në të cilat ajo mund të shfaqet. Një fjalor greqisht thotë se grupi i fjalëve i përkthyer «lakmi» apo «zili» ka kuptimin e «të dashurit më shumë», si në kuptimin e pushtetit dhe për të mirat materiale. Po, ne mund të biem në lakun e lakmisë për të ushtruar pushtet mbi të tjerët, ndoshta duke dashur që ata të dridhen nën autoritetin tonë.—Psalmi 10:18.
14. Në cilat fusha dëshira për pushtet mund të jetë e dëmshme?
14 Që prej kohëve të lashta njerëzit e papërsosur kanë ndjerë kënaqësi duke pasur pushtet mbi të tjerët. Perëndia parashikoi se një prej rezultateve të trishtueshme të mëkatit njerëzor, do të ishte edhe fakti se shumë burra do të «sundonin» mbi gratë e tyre. (Zanafilla 3:16) Megjithatë, ky problem është shtrirë edhe përtej fushës martesore. Mijëra vjet më vonë, një shkrimtar i Biblës vërejti se «një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar». (Eklisiastiu 8:9, Dio) Ndoshta ti e di se sa e vërtetë është kjo në çështjet politike dhe ushtarake, por a ka mundësi që edhe në çështjet tona të kemi dëshirë për më tepër pushtet apo kontroll personal?
15, 16. Në cilat aspekte një i krishterë mund të bjerë në grackën e dëshirës për më shumë pushtet? (Filipianëve 2:3)
15 Të gjithë kemi të bëjmë me njerëz të tjerë: në rrethin familjar, në punë apo në shkollë, midis miqve dhe në kongregacion. Herë pas here apo edhe shpesh, mund të kemi përparësinë për të vendosur se çfarë duhet bërë apo si dhe kur duhet bërë. Në vetvete kjo s’ka asgjë të keqe apo të gabuar. Megjithatë, a ndiejmë kënaqësi të veçantë në ushtrimin e autoritetit që mund të kemi? A na pëlqen që e vendosim ne fjalën e fundit dhe a kërkojmë shumë e më shumë? Udhëheqësit apo krerët botërorë shpesh e tregojnë këtë shprehi duke mbajtur rreth vetes njerëz servilë, që nuk japin kurrë mendime të ndryshme dhe që nuk e sfidojnë dëshirën (lakminë) e superiorëve të tyre për pushtet.
16 Kjo është një grackë që duhet shmangur kur kemi të bëjmë me vëllezër të krishterë. Jezui tha: «Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet. Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj.» (Mateu 20:25, 26) Kjo përulësi duhet të jetë e dukshme kur pleqtë e kongregacionit kanë të bëjnë me njëri-tjetrin, me shërbëtorët ndihmës dhe me kopenë. A mund të pasqyrohet dëshira për pushtet, për shembull, nga një mbikëqyrës drejtues që konsultohet me pleqtë e tjerë vetëm për çështje dytësore, ndërsa vendimet kyçe i merr gjithmonë vetë? A dëshiron me të vërtetë që t’i ndajë detyrat? Probleme mund të lindin edhe nëse një shërbëtor ndihmës që mban mbledhjen për shërbimin në fushë ngul këmbë pa arsye në rregullat e tij, madje duke vënë ligje.—1. Korintasve 4:21; 9:18; 2. Korintasve 10:8; 13:10; 1. Selanikasve 2:6, 7.
17. Përse është e përshtatshme që të shqyrtojmë edhe ushqimin kur flasim mbi grackën e lakmisë?
17 Ushqimi është një tjetër fushë në të cilën shumë veta bien në grackën e lakmisë. Sigurisht, është e natyrshme që të kënaqemi kur hamë apo pimë; Bibla flet pozitivisht për këtë gjë. (Eklisiastiu 5:18) Megjithatë, nuk është e pazakontë që gjatë një periudhe kohore të zhvillohet në lidhje me të një dëshirë që shkon përtej asaj që është e arsyeshme dhe e mjaftueshme. Nëse kjo nuk do të ishte një fushë e përshtatshme mbi të cilën të mendonin shërbëtorët e Perëndisë, përse Fjala e Jehovait në Proverbat 23:20, thotë: «Mos rri me ata që pijnë verë as me grykësit dhe mishngrënësit.» (Dio) Megjithatë, si mund ta shmangim këtë grackë?
18. Çfarë vetëshqyrtimi mund të bëjmë në lidhje me të ngrënat dhe të pirat?
18 Perëndia nuk sugjeron që njerëzit e tij të mbajnë një regjim të rreptë ushqimi. (Eklisiastiu 2:24, 25) Por ai nuk dëshiron që të ngrënët dhe të pirët të bëhen pjesë zotëruese e bisedave dhe e planeve tona. Mund të pyesim veten: «A më ndodh shpesh që të jem veçanërisht i entuziazmuar kur përshkruaj një drekë ku kam marrë pjesë apo që jam duke e përgatitur? A flas gjithmonë vetëm për të ngrëna dhe për të pira?» Një tjetër tregues mund të jetë kur jemi në një drekë që s’e kemi përgatitur vetë apo ku nuk kemi paguar, ndoshta kur jemi si mysafirë në një shtëpi tjetër apo kur në ndonjë asamble të krishterë shpërndahet ushqim. A na ndodh që në këto raste të hamë më tepër se zakonisht? Të mos harrojmë se Esau i dha shumë rëndësi ushqimit, duke dëmtuar vazhdimisht veten.—Hebrenjve 12:16.
19. Si mund të bëhet lakmia një problem në lidhje me kënaqësitë seksuale?
19 Pavli na ndriçon edhe mbi një grackë tjetër: «Kurvëria dhe ndyrësia e çdo lloji dhe lakmia as të mos përmenden mes jush, siç u ka hije njerëzve të shenjtë.» (Efesianëve 4:17-19, NW; 5:3) Në fakt, lakmia për kënaqësi seksuale mund të zhvillohet. Natyrisht, kjo kënaqësi në mënyrë të përshtatshme mund të shprehet brenda lidhjes martesore. Kjo dashuri e afërt, bashkë me këtë kënaqësi, luan rolin e vet duke ndihmuar burrin dhe gruan që t’i qëndrojnë besnikë njëri-tjetrit gjatë viteve të martesës. Megjithatë, pak njerëz do të mohonin se sot bota i jep një emfazë ekstreme seksit, duke e paraqitur si normale atë që pasqyron lakminë e përmendur prej Pavlit. Kjo ide e gabuar mbi kënaqësinë seksuale, adoptohet lehtë veçanërisht nga ata që ekspozohen me imoralitetin dhe nudizmin që sot është i zakonshëm në shumë filma, video dhe revista, si dhe në vendet e dëfrimit.
20. Si mund ta tregojnë të krishterët veten të gatshëm ndaj rrezikut të lakmisë në çështjet seksuale?
20 Tregimi i mëkatit të Davidit me Betshebën, tregon se edhe një prej shërbëtorëve të Perëndisë mund të bjerë në grackën e lakmisë seksuale. Edhe pse i lirë për të gëzuar kënaqësinë brenda martesës së tij, Davidi e la të rritej dëshirën e paligjshme seksuale. Duke vërejtur se sa tërheqëse ishte gruaja e Uriahut, i lëshoi fre mendimit për të provuar kënaqësi të paligjshme me të dhe e bëri. (2. Samueli 11:2-4; Jakovit 1:14, 15) Sigurisht që duhet ta shmangim këtë lloj lakmie. Edhe brenda martesës është e përshtatshme që të shmangim lakminë. Kjo do të përfshijë hedhjen tej të praktikave ekstreme seksuale. Një burrë i vendosur për të shmangur lakminë në këtë fushë, duhet të jetë sinqerisht i interesuar për shoqen e tij, në mënyrë që zgjedhja që ata do të bëjnë në planifikimin familjar të mos nxjerrë kënaqësinë e tij si më të rëndësishme se shëndeti i tanishëm apo i ardhshëm i së shoqes.—Filipianëve 2:4.
Vazhdoni me vendosmëri në shmangien e lakmisë
21. Përse trajtimi i argumentit të lakmisë nuk duhet të na shkurajojë?
21 Jehovai nuk nxjerr ndëshkime apo paralajmërime i shtyrë nga mosbesimi. Ai e di se shërbëtorët e tij të devotshëm duan t’i shërbejnë me besnikëri dhe ka besim se shumica më e madhe do të vazhdojë të bëjë kështu. Në lidhje me popullin e tij në përgjithësi, ai mund të shprehet njësoj siç i tha Satanait në lidhje me Jobin: «E ke vënë re shërbëtorin tim Job? Sepse mbi dhè nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t’i largohet së keqes.» (Jobi 1:8, Dio) Ati ynë i dashur dhe besnik qiellor, na mbron nga grackat e rrezikshme, siç janë ato në lidhje me format e lakmisë, sepse ai do që të vazhdojmë të panjollosur dhe besnikë ndaj tij.
22. Çfarë duhet të bëjmë nëse studimi ynë ka zbuluar një fushë ku rrezikohemi apo jemi të dobët personalisht?
22 Të gjithë ne kemi trashëguar prirjen drejt lakmisë dhe mund ta kemi zhvilluar këtë më tej nën ndikimin e botës së ligë. Ç’mund të themi nëse gjatë këtij studimi mbi lakminë—për pasuri, të mira materiale, pushtet dhe autoritet, për ushqim apo kënaqësi seksuale—ke parë disa fusha dobësie? Atëherë, merre për zemër këshillën e Jezuit: «Nëse dora jote të bëhet pengesë, prije; është shumë më mirë për ty të hysh në jetë sakat, sesa me të dyja duart të hidhesh në gehenë.» (Marku 9:43, NW) Bëj çfarëdolloj ndryshimi të nevojshëm në shprehi apo dhe interesa. Shmange grackën vdekjeprurëse të lakmisë. Në këtë mënyrë, me ndihmën e Perëndisë mund «të hysh në jetë».
Pyetjet për përsëritje
◻ Përse duhet të shqetësohemi mbi grackën e lakmisë?
◻ Në cilat mënyra lakmia për pasuri apo të mira materiale mund të na zërë në grackë?
◻ Në ç’mënyrë lakmia mund të përbëjë një rrezik të vërtetë edhe në fusha të tjera të jetës?
◻ Çfarë qëndrimi duhet të mbajmë me çfarëdolloj dobësie që kemi në lidhje me lakminë?