Krishti është fuqia e Perëndisë
‘Krishti është fuqia e Perëndisë.’—1 KOR. 1:24.
1. Pse mund të thoshte Pavli se ‘Krishti është fuqia e Perëndisë’?
JEHOVAI e tregoi në mënyra mbresëlënëse fuqinë e tij me anë të Jezu Krishtit. Katër Ungjijtë japin hollësi besimforcuese për disa nga mrekullitë që kreu ai. S’diskutohet, Jezui bëri edhe shumë mrekulli të tjera. (Mat. 9:35; Luka 9:11) Po, fuqia e Perëndisë u tregua qartë me anë të tij. Pra është me vend ajo që tha Pavli: ‘Krishti është fuqia e Perëndisë.’ (1 Kor. 1:24) Por, ç’lidhje kanë mrekullitë e Jezuit me jetën tonë?
2. Ç’mund të mësojmë nga mrekullitë e Jezuit?
2 Apostulli Pjetër tha se Jezui bëri mrekulli, ose ‘çudira’. (Vep. 2:22) Veprat e fuqishme që kreu Jezui në tokë ishin një pamje paraprake e bekimeve edhe më të mëdha që do të gëzojmë nën mbretërimin e tij. Ato japin një tablo të mrekullive që do të bëjë Jezui në shkallë globale, në botën e re që premton Perëndia. Mrekullitë që kreu Jezui na ndihmojnë jashtë mase të njohim më thellë personalitetin e tij dhe të të Atit. Le të shqyrtojmë disa nga mrekullitë e Jezuit dhe të shohim si mund të ndikojnë në jetën tonë tani e në të ardhmen.
NJË MREKULLI QË NA MËSON TË JEMI BUJARË
3. (a) Përshkruaj rrethanat në të cilat Jezui kreu mrekullinë e parë. (b) Si doli në pah bujaria e Jezuit në Kanë?
3 Jezui bëri mrekullinë e parë në një dasmë në Kanë të Galilesë. Ka gjasa që numri i mysafirëve të ketë qenë më i madh nga ç’pritej. Sido që të ishte, vera mbaroi. Mes mysafirëve ndodhej edhe Maria, nëna e Jezuit. Pa dyshim që prej vitesh i kishte bluar në mendje premtimet profetike lidhur me të birin, të cilin e dinte se do të quhej «Bir i Më të Lartit». (Luka 1:30-32; 2:52) Mos vallë mendonte se ende nuk e kishte treguar plotësisht fuqinë e tij? Ajo që dimë me siguri është se në Kanë, Marisë dhe Jezuit iu dhimbs çifti i ri e nuk donin që ata të sikletoseshin. Jezui e dinte se prej tyre pritej të tregonin medoemos mikpritje. Prandaj, me anë të një mrekullie ktheu 380 litra ujë në ‘verë të mirë’. (Lexo Gjonin 2:3, 6-11.) A duhej ta bënte se s’bën Jezui këtë? Aspak. Thjesht merakosej për njerëzit dhe imitonte Atin e tij qiellor duke u treguar bujar.
4, 5. (a) Ç’na mëson mrekullia e parë e Jezuit? (b) Çfarë na mëson mrekullia në Kanë për të ardhmen?
4 Me anë të kësaj mrekullie, Jezui siguroi një sasi të bollshme vere, aq sa të kënaqej një grup goxha i madh. A e dallon ç’na mëson kjo mrekulli? Fakti që Jezui bëri me gjithë shpirt diçka kaq të bukur, na siguron se ndjenjat e njerëzve janë të rëndësishme për të e për Atin e tij. As Ati, as Biri nuk janë koprracë. A e përfytyron dot si do ta përdorë Jehovai fuqinë e tij plot bujari në botën e re për t’u shtruar një gosti të madhe ‘gjithë popujve’ anekënd botës?—Lexo Isainë 25:6.
5 Vetëm mendo. Po vjen koha kur do të plotësohen nevojat e dëshirat normale të çdo njeriu, si ushqimi i mirë dhe strehimi i përshtatshëm. Sa na gufon zemra kur mendojmë për gjërat e mira që Jehovai do të na japë plot bujari në tokën parajsore!
6. Për kë e përdori Jezui fuqinë mrekullibërëse, dhe si mund ta imitojmë në këtë aspekt?
6 Të mendojmë pak për momentin kur Djalli e tundoi Jezuin t’i kthente gurët në bukë. Krishti nuk pranoi të përdorte fuqinë mrekullibërëse që të kënaqte dëshirat e veta. (Mat. 4:2-4) Ama e përdori këtë fuqi për të plotësuar nevojat e të tjerëve. Si ta imitojmë merakun altruist të Jezuit? Ai i nxiti shërbëtorët e Perëndisë ‘ta bënin zakon të jepnin’. (Luka 6:38) A mund të shfaqim cilësinë fisnike të bujarisë duke i ftuar të tjerët në shtëpinë tonë për ndonjë vakt e gosti frymore? A mund të japim me bujari nga koha jonë pas një mbledhjeje e të ndihmojmë dikë në nevojë, si për shembull të dëgjojmë një vëlla tek praktikon fjalimin? Si mund t’i ndihmojmë ata që kanë nevojë për mbështetje në shërbim? Tregojmë se kemi mësuar nga Jezui kur u ofrojmë me bujari të tjerëve ndihmë materiale e frymore me aq sa kemi në dorë.
«TË GJITHË HËNGRËN DHE U NGOPËN»
7. Cilët do të ekzistojnë për sa kohë të jetë ky sistem?
7 Varfëria nuk është diçka e re. Jehovai i tha Izraelit të lashtë se në vend s’do të mungonin kurrë të varfrit. (Ligj. 15:11) Shekuj më vonë, Jezui pranoi: «Të varfrit do t’i keni gjithmonë.» (Mat. 26:11) A nënkuptonte kjo se në tokë do të kishte përherë të varfër? Jo, e kishte fjalën se të varfrit do të ekzistonin për aq kohë sa të ishte ky sistem i korruptuar. Sa zemër që marrim kur kuptojmë se mrekullitë e Jezuit janë shenjë e kohëve më të bukura që na presin nën Mbretërinë e tij, kur të gjithë do të ngopemi e do të kënaqemi!
8, 9. (a) Ç’e shtyu Jezuin të ushqente mijëra veta me anë të një mrekullie? (b) Ç’të prek nga mrekullia me anë të së cilës u sigurua ushqim për mijëra veta?
8 Psalmisti tha për Jehovain: «Ti hap dorën dhe plotëson dëshirën e çdo krijese.» (Psal. 145:16) Duke pasqyruar cilësitë e të Atit, ‘Krishti, fuqia e Perëndisë’, e hapi shpesh dorën dhe ua plotësoi dëshirat dishepujve. Me këtë nuk donte të tregonte vetëm se kishte fuqi. Ai prihej nga meraku i përzemërt për të tjerët. Le të shqyrtojmë Mateun 14:14-21. (Lexoje.) Dishepujt e Jezuit shkuan tek ai që ta pyetnin për punën e ushqimit. Ndoshta ata vetë kishin uri, por shqetësoheshin më tepër për turmën e rraskapitur që po i grinte uria, pasi e kishte shoqëruar në këmbë Jezuin nga qytetet. (Mat. 14:13) Ç’do të bënte ai?
9 Jezui ushqeu me pesë bukë e dy peshq rreth 5.000 burra, përveç grave e fëmijëve. A nuk prekemi kur mendojmë si e përdori Jezui fuqinë për të bërë mrekulli, duke u kujdesur me dhembshuri për familje të tëra, ku përfshiheshin edhe të vegjlit? Bibla thotë se turmat «hëngrën dhe u ngopën». Nga kjo kuptojmë se kishte ushqim me bollëk. Jezui nuk u dha thjesht një kafshatë bukë, por me dashuri u siguroi një vakt që do t’i mbante për rrugën e gjatë deri në shtëpi. (Luka 9:10-17) Dhe jo vetëm kaq, por me ushqimin që teproi, u mblodhën 12 shporta.
10. Ç’ndryshim do të ndodhë së shpejti për sa i përket varfërisë?
10 Sot nevojat bazë të qindra miliona vetave nuk plotësohen për shkak të qeverisjes së padrejtë. Edhe disa nga vëllezërit tanë, ndonëse s’vdesin urie, nuk ‘ngopen’ plotësisht. Gjithsesi po afrohet koha kur njerëzimi i bindur do të jetojë në një botë pa korrupsion e varfëri. Po të kishe fuqi, a nuk do t’i plotësoje nevojat e gjithë njerëzve? Perëndia i Plotfuqishëm ka si fuqinë, edhe dëshirën për të bërë pikërisht këtë, dhe do ta bëjë së shpejti. Po, në horizont duket lehtësimi.—Lexo Psalmin 72:16.
11. Pse je i bindur se së shpejti Krishti do ta përdorë fuqinë anekënd tokës, dhe për çfarë të motivon kjo?
11 Kur ishte në tokë, Jezui shërbeu vetëm tre vjet e gjysmë në një territor relativisht të vogël. (Mat. 15:24) Kurse si Mbret i lartësuar, territori i tij do të shtrihet në të katër cepat e tokës. (Psal. 72:8) Mrekullitë e tij na sigurojnë se ka aftësi dhe dëshirë që të përdorë autoritetin për të mirën tonë. Ndonëse ne nuk bëjmë dot mrekulli, mund t’u tregojmë të tjerëve tërë entuziazëm çfarë thotë Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Profecitë biblike garantojnë se na presin kohë më të mira. Si Dëshmitarë të kushtuar të Jehovait, të bekuar me këtë njohuri të çmuar për të ardhmen, a nuk ndihemi borxhlinj ndaj të tjerëve? (Rom. 1:14, 15) Meditimi për lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë le të na nxitë t’ua tregojmë të tjerëve.—Psal. 45:1; 49:3.
USHTROJNË KONTROLL MBI FORCAT E NATYRËS
12. Pse mund të jemi të sigurt se Jezui e njeh me imtësi ekologjinë e tokës?
12 Perëndia krijoi tokën e gjërat në të teksa kishte përkrah si «kryemjeshtër» Birin e tij të vetëmlindur. (Prov. 8:22, 30, 31; Kolos. 1:15-17) Prandaj, Jezui e njeh me imtësi ekologjinë e tokës. Di si t’i përdorë, t’i administrojë e t’i shpërndajë me drejtësi e siç duhet të mirat e tokës.
13, 14. Jepni një shembull që tregon se Krishti mund të ushtrojë kontroll mbi forcat e natyrës.
13 Kur ishte në tokë, Jezui tregoi se është ‘fuqia e Perëndisë’ duke ushtruar kontroll mbi forcat e natyrës. Të shohim çfarë bëri gjatë një stuhie të fortë, që dukej se kërcënonte jetën e dishepujve. (Lexo Markun 4:37-39.) Një studiues biblik thotë: «Fjala greke [për «stuhi» te Marku 4:37] përdoret për një tufan a uragan të tërbuar. Nuk i referohet kurrë një shkulmi të vetëm ere . . . por një stuhie që shpërthen nga re të zeza shtrëngate në shkulma ere të tërbuar, plot rrebeshe e që batërdis ç’të gjejë para.» Tregimi i Mateut e përshkruan këtë stuhi si ‘një stuhi të madhe’.—Mat. 8:24.
14 Përfytyro skenën: Krishti është i rraskapitur nga një ditë e ngarkuar në shërbim. Dallgët përplasen në barkë duke hedhur stërkala e shkumë. Por, me gjithë zhurmën e stuhisë dhe lëkundjet e forta të barkës, Jezui ende fle. Ka nevojë për pushim. Të frikësuar gjer në palcë, dishepujt e zgjojnë dhe ulërasin: «Na shpëto se mbaruam!» (Mat. 8:25) Kur Jezui zgjohet, urdhëron erën dhe detin: «Pusho! Hesht!» Dhe era e tërbuar fashitet. (Mar. 4:39) Me këto fjalë Jezui urdhëron erën dhe detin të qetësohen e të mos tërbohen më. Ç’ndodhi sakaq? «U bë një qetësi e madhe.» Ç’fuqi të jashtëzakonshme tregoi Jezui!
15. Si e ka treguar Perëndia i Plotfuqishëm se mund të ushtrojë kontroll mbi natyrën?
15 Burimi i fuqisë së Krishtit është vetë Jehovai, ndaj kemi arsye të besojmë se Perëndia i Plotfuqishëm është absolutisht i aftë të ushtrojë kontroll mbi forcat e natyrës. Ja nja dy shembuj. Para Përmbytjes, Jehovai deklaroi: «Pas shtatë ditësh do të bëj të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e dyzet net.» (Zan. 7:4) Po ashtu te Dalja 14:21 lexojmë: ‘Me anë të një ere të fortë nga lindja, Jehovai bëri që deti të tërhiqej.’ Dhe te Jonai 1:4 thuhet: «Jehovai bëri që në det të ngrihej një erë e fortë dhe një furtunë aq e madhe sa anija ishte gati të shkatërrohej.» Sa lehtësohemi kur e dimë se Jehovai mund të ushtrojë kontroll mbi natyrën! Qartë, e ardhmja e planetit Tokë është në duar të sigurta.
16. Pse na ngrihet zemra peshë kur e dimë se Krijuesi dhe Biri i tij i parëlindur kanë fuqi ta mbajnë nën kontroll natyrën?
16 Zemra na ngrihet peshë kur mendojmë thellë për fuqinë marramendëse të Krijuesit dhe të ‘kryemjeshtrit’ të tij. Kur vëmendja e tyre të drejtohet plotësisht në tokë gjatë 1.000 vjetëve, të gjithë njerëzit do të jetojnë të sigurt. Katastrofat e tmerrshme natyrore do t’i përkasin së shkuarës. Në botën e re asnjë s’ka pse të trembet nga tajfunet, tsunamet, vullkanet apo tërmetet. Sa bukur është të mendojmë për kohën kur forcat e natyrës nuk do të vrasin a nuk do të plagosin njeri, sepse «tenda e Perëndisë [do të jetë] me njerëzit»! (Zbul. 21:3, 4) Të mos kemi pikë dyshimi se fuqia e Perëndisë e treguar nga Krishti do të mbajë nën kontroll natyrën gjatë Mijëvjeçarit.
TË IMITOJMË PERËNDINË DHE KRISHTIN QË TANI
17. Cila është një mënyrë si mund të imitojmë Perëndinë dhe Krishtin që tani?
17 Natyrisht, ndryshe nga Jehovai e Jezui, ne s’kemi aq fuqi sa t’i parandalojmë katastrofat natyrore, ama njëfarë fuqie e kemi. Si e përdorim? Një mënyrë është duke zbatuar Proverbat 3:27. (Lexoje.) Kur vëllezërit tanë hasin vështirësi, mund t’u japim zemër e t’i mbështetim fizikisht, emocionalisht e frymësisht. (Prov. 17:17) Për shembull, mund t’i ndihmojmë të marrin veten nga një katastrofë natyrore. Pasi një uragan i dëmtoi rëndë shtëpinë, një vejushë u shpreh nga zemra: «I jam kaq mirënjohëse Jehovait që jam pjesë e organizatës së tij jo vetëm për mbështetjen fizike, por edhe për atë frymore.» Shiko ç’tha edhe një motër beqare që u ndie e pashpresë dhe e pështjelluar kur pa si i ishte katandisur shtëpia nga një stuhi. Pasi mori ndihmë, tha: «S’arrij ta përshkruaj! Nuk gjej fjalë të them si ndihem vërtet. . . . Faleminderit, o Jehova!» Mbushemi me gëzim që jemi pjesë e një vëllazërie që merakoset sinqerisht për nevojat e të tjerëve. Ndihemi kaq të lumtur që Jehovai, bashkë me Jezu Krishtin, interesohet vërtet për popullin e Tij.
18. Ç’të bën përshtypje për motivin që e shtynte Jezuin të kryente mrekulli?
18 Gjatë shërbimit, Jezui vërtetoi se është ‘fuqia e Perëndisë’. Por, çfarë e motivoi ta përdorte këtë fuqi? S’e përdori kurrë që t’u bënte përshtypje të tjerëve ose për ndonjë përfitim personal. Mrekullitë që kreu Jezui zbulojnë dashurinë që ka për familjen njerëzore. Këtë do ta trajtojmë në artikullin tjetër.