Sipas Mateut
14 Në atë kohë Herodi, sundimtari i krahinës,* dëgjoi për Jezuin+ 2 dhe u tha shërbëtorëve të tij: «Ky është Gjon Pagëzori. Ai është ngritur nga të vdekurit, prandaj është në gjendje të kryejë gjithë këto vepra të fuqishme.»+ 3 Herodi* e kishte arrestuar Gjonin, e kishte vënë nën vargonj dhe e kishte futur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, të vëllait,+ 4 ngaqë ai i thoshte: «Nuk është e ligjshme ta kesh atë për grua.»+ 5 Megjithatë, edhe pse donte ta vriste, ai kishte frikë nga turma, sepse ata e mbanin për profet.+ 6 Mirëpo, kur po festohej ditëlindja+ e Herodit, e bija e Herodiadës kërceu atje, dhe Herodit i pëlqeu aq shumë,+ 7 sa u betua se do t’i jepte ç’t’i kërkonte. 8 Atëherë, e shtyrë nga e ëma, ajo i tha: «Më jep këtu, në një tabaka, kokën e Gjon Pagëzorit.»+ 9 Edhe pse kjo s’i pëlqeu, mbreti urdhëroi t’i jepej koka e Gjonit për shkak të betimit që kishte bërë në sytë e atyre që po hanin* me të. 10 Kështu dërgoi njerëz në burg që t’i pritnin kokën Gjonit. 11 Pastaj kokën e Gjonit e sollën në një tabaka dhe ia dhanë vajzës, e cila ia çoi së ëmës. 12 Më vonë, dishepujt e tij erdhën, morën kufomën dhe e varrosën; pastaj shkuan dhe njoftuan Jezuin. 13 Kur dëgjoi këtë, Jezui u largua me varkë në një vend të veçuar, që të qëndronte vetëm. Por kur e morën vesh, turmat u nisën nga qytetet e tyre dhe e ndoqën në këmbë.+
14 Kur zbriti nga varka, Jezui pa një turmë të madhe dhe u prek thellë,*+ prandaj i shëroi të sëmurët.+ 15 Por kur ra mbrëmja, dishepujt vajtën dhe i thanë: «Vendi është i veçuar dhe tashmë është bërë vonë. Thuaju njerëzve të shkojnë nëpër fshatra, që të blejnë diçka për të ngrënë.»+ 16 Megjithatë Jezui u tha: «S’kanë pse të ikin. Jepuni ju diçka për të ngrënë.» 17 Ata i thanë: «S’kemi asgjë këtu, përveç pesë bukëve dhe dy peshqve.» 18 Ai u tha: «M’i sillni këtu.» 19 Pastaj i tha turmës të shtrohej në bar. Mori pesë bukët e dy peshqit dhe falënderoi Perëndinë*+ duke ngritur sytë nga qielli. Pastaj theu bukët, ua dha dishepujve, dhe ata ia dhanë turmës. 20 Kështu të gjithë hëngrën dhe u ngopën. Pastaj mblodhën copat që kishin tepruar: 12 shporta plot.+ 21 Dhe ata që hëngrën, ishin rreth 5.000 burra, përveç grave dhe fëmijëve.+ 22 Atëherë, pa vonuar, ai u tha dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, ndërkohë që ai niste turmat.+
23 Pasi i nisi turmat, u ngjit vetëm në mal që të lutej.+ Kur ra mbrëmja, ai ishte atje vetëm. 24 Ndërkaq, varka ishte ende qindra metra* larg tokës dhe përplasej nga dallgët, sepse erën e kishin kundër. 25 Por në orët e para të mëngjesit,* ai vajti te dishepujt duke ecur mbi det. 26 Kur e vunë re që po ecte mbi det, ata u trembën dhe thanë: «Është një vegim!»* Dhe filluan të bërtisnin nga frika. 27 Menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë, mos kini frikë.»+ 28 Pjetri u përgjigj: «Zotëri, po të jesh ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë.» 29 Ai i tha: «Eja!» Prandaj Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë dhe shkoi drejt Jezuit. 30 Por kur pa stuhinë, u frikësua dhe, ngaqë nisi të fundosej, thirri: «Zotëri, më shpëto!» 31 Menjëherë Jezui zgjati dorën, e kapi dhe i tha: «Pse ke kaq pak besim? Pse të mposhti dyshimi?!»+ 32 Pasi hipën në varkë, stuhia pushoi. 33 Atëherë ata që ishin në varkë, i bënë nderime* dhe i thanë: «Ti je vërtet Biri i Perëndisë!» 34 Pastaj kaluan në anën tjetër të detit dhe zbritën në Genesaret.+
35 Sapo e dalluan kush ishte, njerëzit e atij vendi dërguan fjalë në gjithë zonën përreth dhe i çuan tërë të sëmurët. 36 Ata i përgjëroheshin që t’i preknin të paktën thekët e rrobës.+ Kështu të gjithë ata që i prekën thekët, u shëruan plotësisht.