E vetmja udhë drejt jetës së përhershme
«Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.»—GJONI 14:6, BR.
1, 2. Me çfarë e krahasoi Jezui udhën drejt jetës së përhershme dhe cila është domethënia e këtij ilustrimi?
NË PREDIKIMIN e tij të famshëm në Mal, Jezui e krahason udhën drejt jetës së përhershme me një rrugë, ku një person hyn përmes një porte. Vër re se Jezui thekson që kjo udhë drejt jetës nuk është e lehtë, duke thënë: «Hyni nga porta e ngushtë, sepse e gjerë dhe e hapur është rruga që të çon në shkatërrim dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të, kurse e ngushtë është porta dhe e ngushtë udha që të çon në jetë [të përhershme] e pak janë ata që e gjejnë!»—Mateu 7:13, 14, BR.
2 A e kupton domethënien e këtij ilustrimi? A nuk zbulon ai se ka veçse një rrugë ose udhë, që të çon në jetë dhe se nga ne kërkohet vëmendje e veçantë për të mos e humbur këtë udhë drejt jetës? Cila, pra, është e vetmja udhë drejt jetës së përhershme?
Roli i Jezu Krishtit
3, 4. (a) Si e tregon Bibla rolin jetësor të Jezuit në shpëtimin tonë? (b) Kur e tregoi fillimisht Perëndia se njerëzimi mund të fitonte jetën e përhershme?
3 Qartë, Jezui ka një rol të rëndësishëm lidhur me atë udhë, pasi apostulli Pjetër tha: «Nuk ka shpëtim në asnjë tjetër, sepse nuk ka emër tjetër [përveç atij të Jezuit] nën qiell që është dhënë mes njerëzve, me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.» (Veprat 4:12, BR) Në mënyrë të ngjashme, apostulli Pavël deklaroi: «Dhurata që jep Perëndia është jeta e përhershme nëpërmjet Krishtit Jezu, Zotërisë sonë.» (Romakëve 6:23, BR) Vetë Jezui zbuloi se e vetmja udhë drejt jetës së përhershme është nëpërmjet tij, pasi deklaroi: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.»—Gjoni 14:6, BR.
4 Prandaj, është jetike që ne të njohim rolin e Jezuit, i cili bën të mundur jetën e përhershme. Kështu, le ta shqyrtojmë rolin e tij më nga afër. A e di se në ç’moment pas mëkatimit të Adamit, Perëndia Jehova bëri të njohur se njerëzimi mund të gëzonte jetë të përhershme? Menjëherë pas shkeljes së Adamit. Le të shqyrtojmë tani se si u paratha për herë të parë masa që Jezu Krishti të jetë Shpëtimtari i njerëzimit.
Fara e premtuar
5. Si mund ta identifikojmë gjarprin që grishi Evën?
5 Perëndia Jehova përdori një gjuhë simbolike për të identifikuar Shpëtimtarin e premtuar. Këtë e bëri, kur shqiptoi dënimin mbi «gjarprin» që i kishte folur Evës dhe e kishte tunduar për të mos iu bindur Perëndisë, duke ngrënë frutin e ndaluar. (Zanafilla 3:1-5) Sigurisht, ky gjarpër nuk ishte një gjarpër i vërtetë. Ishte një krijesë e fuqishme frymore, që në Bibël identifikohet si «gjarpri origjinal, ai që quhet Djall dhe Satana». (Zbulesa 12:9, BR) Satanai përdori këtë kafshë të ulët si zëdhënësin e tij për të grishur Evën. Kështu, duke dënuar Satanain, Perëndia i tha: «Unë do të vë armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj. Ai [fara e gruas] do të të shtypë në kokë dhe ti do ta shtypësh në thembër.»—Zanafilla 3:15, BR.
6, 7. (a) Kush është gruaja që lind «farën»? (b) Kush është Fara e premtuar dhe çfarë kryen kjo farë?
6 Kush është kjo «grua», me të cilën Satanai ka armiqësi ose urrejtje? Siç identifikohet «gjarpri origjinal» në kapitullin 12 të Zbulesës, po ashtu identifikohet edhe kjo grua, të cilën Satanai e urren. Vër re që në vargun 1, për të thuhet se është «stolisur me diellin, duke qëndruar mbi hënën dhe me dymbëdhjetë yje mbi kokë». Kjo grua përfaqëson organizatën qiellore të Perëndisë, të përbërë nga engjëjt besimplotë dhe «fëmija mashkull» që lind ajo, përfaqëson Mbretërinë e Perëndisë, me Jezu Krishtin që sundon si Mbret.—Zbulesa 12:1-5, The Jerusalem Bible.
7 Kush është, atëherë, «fara» ose pasardhja e gruas, që përmendet në Zanafillën 3:15, e cila do ta shtypë Satanain «në kokë», duke i dhënë atij në këtë mënyrë një goditje vdekjeprurëse? Është ai që Perëndia e dërgoi nga qielli për të lindur në mënyrë të mrekullueshme nga një virgjëreshë, po, njeriu Jezu. (Mateu 1:18-23; Gjoni 6:38) Kapitulli 12 i Zbulesës zbulon që, si një Sundimtar qiellor i ringjallur, kjo Farë, Jezu Krishti, do të merrte drejtimin në fitoren mbi Satanain dhe do të sillte, siç thuhet në Zbulesën 12:10, ‘mbretërinë e Perëndisë tonë dhe autoritetin e Krishtit të tij’.—BR.
8. (a) Çfarë gjëje të re siguroi Perëndia në lidhje me qëllimin e tij fillestar? (b) Cilët e përbëjnë qeverinë e re të Perëndisë?
8 Kështu, kjo Mbretëri në duart e Jezu Krishtit është një gjë e re që Perëndia siguroi në lidhje me qëllimin e tij fillestar, që njerëzit të gëzonin jetën e përhershme në tokë. Pas rebelimit të Satanait, Jehovai veproi menjëherë që të zhbënte të gjitha pasojat e këqija të ligësisë, nëpërmjet kësaj qeverie të re të Mbretërisë. Kur ishte në tokë, Jezui zbuloi se ai nuk do të ishte i vetëm në këtë qeveri. (Luka 22:28-30) Të tjerë do të zgjidheshin nga mesi i njerëzimit dhe do të bashkoheshin me të në qiell, për të marrë pjesë në sundim, duke përbërë kështu një pjesë dytësore të farës së gruas. (Galatasve 3:16, 29) Në Bibël, numri i këtyre bashkësundimtarëve me Jezuin, që janë marrë të gjithë nga mesi i njerëzimit mëkatar në tokë, tregohet se është 144.000.—Zbulesa 14:1-3.
9. (a) Pse Jezui duhej të shfaqej në tokë si njeri? (b) Si i zhbëri Jezui veprat e Djallit?
9 Megjithatë, para se kjo Mbretëri të fillonte sundimin, ishte jetësore që pjesa kryesore e farës, Jezu Krishti, të shfaqej në tokë. Pse? Sepse ishte emëruar nga Perëndia Jehova si Ai që do ‘të prishë [ose të zhbëjë] veprat e Djallit’. (1. Gjonit 3:8, BR) Veprat e Satanait përfshijnë grishjen e Adamit në mëkat, gjë që solli dënimin e mëkatit dhe të vdekjes mbi gjithë pasardhjen e Adamit. (Romakëve 5:12) Jezui e zhbëri këtë vepër të Djallit, duke dhënë jetën e Tij si shpërblesë. Kështu, ai siguroi një bazë për çlirimin e njerëzimit nga dënimi i mëkatit dhe i vdekjes dhe hapi udhën drejt jetës së përhershme.—Mateu 20:28; Romakëve 3:24; Efesianëve 1:7.
Çfarë kryen shpërblesa?
10. Si ishin të ngjashëm Jezui dhe Adami?
10 Për shkak se jeta e Jezuit u transferua nga qielli në mitrën e një gruaje, ai lindi si një njeri i përsosur, i panjollosur nga mëkati i Adamit. Ai kishte potencialin për të jetuar përgjithmonë në tokë. Në mënyrë të ngjashme, edhe Adami ishte krijuar si një njeri i përsosur, me mundësinë për të gëzuar jetën e përhershme në tokë. Apostulli Pavël kishte në mendje ngjashmërinë mes këtyre dy burrave, kur shkroi: «‘Njeriu i parë, Adami u bë një shpirt i gjallë.’ Adami i fundit [Jezu Krishti] u bë një frymë jetëdhënëse. Njeriu i parë është nga toka dhe i bërë nga pluhuri; njeriu i dytë është nga qielli.»—1. Korintasve 15:45, 47, BR.
11. (a) Çfarë ndikimi patën Adami dhe Jezui mbi njerëzimin? (b) Si duhet ta konsiderojmë flijimin e Jezuit?
11 Ngjashmëria mes dy burrave të vetëm të përsosur që kanë jetuar në tokë, bëhet e qartë nga deklarata e Biblës se Jezui «dha vetveten si shpërblesë përkatëse për të gjithë». (1. Timoteut 2:6, BR) Me kë përkonte Jezui? Me Adamin kur ky ishte ende një njeri i përsosur! Mëkati i Adamit të parë solli si pasojë dënimin me vdekje të të gjithë familjes njerëzore. Flijimi i «Adamit të fundit» siguron bazën për çlirimin nga mëkati e nga vdekja, kështu që ne të mund të jetojmë përgjithmonë. Sa i çmuar është flijimi i Jezuit! Apostulli Pjetër vërejti: «Nuk u çliruat me gjëra që prishen, me argjend ose ar.» Në vend të kësaj, Pjetri shpjegoi: «[U çliruat] me anë të gjakut të çmuar, si ai i një qengji të patëmetë dhe të panjollë, madje të Krishtit.»—1. Pjetrit 1:18, 19, BR.
12. Si e përshkruan Bibla zhbërjen e dënimit tonë me vdekje?
12 Bibla e përshkruan bukur mënyrën se si do të zhbëhet dënimi me vdekje i familjes njerëzore, kur thotë: «Nëpërmjet një shkeljeje [ajo e Adamit] rezultati për njerëzit e çdo lloji ishte dënimi, në mënyrë të ngjashme nëpërmjet një akti drejtësie [gjithë integriteti që tregoi Jezui gjatë jetës së tij, që arriti kulmin me vdekjen e tij] rezultati për njerëzit e çdo lloji është shpallja e tyre të drejtë për jetën. Sepse ashtu si nëpërmjet mosbindjes së një njeriu [Adamit] shumë u bënë mëkatarë, po ashtu nëpërmjet bindjes së një personi [Jezuit] shumë do të bëhen të drejtë.»—Romakëve 5:18, 19, BR.
Një perspektivë e lavdishme
13. Si mendojnë shumë veta lidhur me perspektivën për të jetuar përgjithmonë dhe pse?
13 Sa të lumtur duhet të na bëjë kjo masë e marrë nga Perëndia! A nuk ndihesh i rrëqethur që është siguruar një Shpëtues? Një herë, në një anketë të bërë nga një gazetë në një qytet të madh amerikan, 67,4 për qind e të anketuarve në mënyrë të habitshme iu përgjigjën «jo» pyetjes: «A ju tërheq perspektiva e jetës së përhershme?» Pse thanë se nuk donin të jetonin përgjithmonë? Me sa duket, sepse jeta në tokë tani është e shoqëruar me kaq shumë probleme. Një person tha: «Nuk më tërheq mendimi që të dukem 200 vjet më i plakur.»
14. Pse jeta e përhershme do të jetë një kënaqësi e plotë?
14 Sidoqoftë, Bibla nuk flet për një jetë të përhershme në një botë ku njerëzit vuajnë nga sëmundjet, plakja dhe nga tragjedi të tjera. Jo, pasi si Sundimtar i Mbretërisë së Perëndisë, Jezui do t’i zhbëjë të gjitha këto probleme të shkaktuara nga Satanai. Sipas Biblës, Mbretëria e Perëndisë «do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto» qeveri shtypëse të kësaj bote. (Danieli 2:44, BR) Në atë kohë, në përgjigje të lutjes që u mësoi Jezui ithtarëve të tij, «vullneti» i Perëndisë do të ‘bëhet në tokë si në qiell’. (Mateu 6:9, 10, Today’s English Version) Në botën e re të Perëndisë, pasi toka të jetë pastruar nga e gjithë ligësia, do të zbatohen në masë të plotë dobitë e shpërblesës së Jezuit. Po, të gjithë ata që kualifikohen do të arrijnë një shëndet të përsosur!
15, 16. Çfarë kushtesh do të ekzistojnë në botën e re të Perëndisë?
15 Te njerëzit që do të jetojnë në botën e re të Perëndisë, do të gjejë zbatim ky fragment biblik: «Le të bëhet mishi i tij më i freskët se në rini, le të kthehet në ditët e forcës së tij rinore!» (Jobi 33:25, BR) Edhe një premtim tjetër i Biblës do të gjejë përmbushje: «Sytë e të verbërve do të hapen dhe veshët e të shurdhërve do të zhbllokohen. Në atë kohë, i çali do të kërcejë si një dre dhe gjuha e të pagojëve do të thërrasë me gëzim.»—Isaia 35:5, 6, BR.
16 Vetëm mendo! Pavarësisht nga mosha jonë fizike, qofshim 80, 800 vjeç ose më shumë, trupat tanë do të mbeten me një shëndet rrezatues. Do të jetë siç premton Bibla: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam i sëmurë.’» Në atë kohë, do të përmbushet edhe ky premtim: «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më, as mbajtja zi, as klithma dhe as dhimbje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.»—Isaia 33:24, BR; Zbulesa 21:3, 4, BR.
17. Çfarë arritjesh mund të presim nga njerëzit në botën e re të Perëndisë?
17 Në atë botë të re, do të jemi në gjendje të përdorim trurin tonë të mrekullueshëm në mënyrën në të cilën e ka pasur për qëllim Krijuesi ynë, kur e projektoi me një kapacitet të pakufizuar për të mësuar. Vetëm imagjino gjërat e mrekullueshme që mund të kryejmë! Madje, njerëzit e papërsosur kanë prodhuar nga depoja e elementeve në tokë, gjithçka që shohim përreth: telefona celularë, mikrofonë, orë, aparate sinjalizues, kompjuterë, aeroplanë dhe çdo mjet tjetër që mund të përmendim. Asnjë prej këtyre nuk u bë me materiale që ata i sollën nga ndonjë vend i largët në univers. Duke pasur jetën e pafundme para nesh në parajsën tokësore që po vjen, potenciali për arritjet krijuese do të jetë i pakufishëm!—Isaia 65:21-25.
18. Pse jeta në botën e re të Perëndisë nuk do të jetë kurrë e mërzitshme?
18 Jeta nuk do të jetë kurrë e mërzitshme. Edhe tani, ne mezi presim të vijë vakti tjetër, edhe pse mund të kemi ngrënë tashmë dhjetra mijë të tillë. Në përsosmërinë njerëzore do të kënaqemi në një shkallë edhe më të madhe me prodhimin e shijshëm të tokës parajsore. (Isaia 25:6) Veç kësaj, do të kemi kënaqësinë e përjetshme të përkujdesjes për jetën e bollshme shtazore të tokës dhe të gëzohemi me perëndimet spektakulare, malet, lumenjtë dhe luginat. Vërtet, jeta në botën e re të Perëndisë nuk do të bëhet kurrë monotone!—Psalmet 145:16.
Të plotësojmë kërkesat e Perëndisë
19. Pse është e arsyeshme të besojmë se duhen plotësuar disa kërkesa, për të marrë dhuratën e jetës nga Perëndia?
19 A do të prisje ta merrje dhuratën e madhe të jetës së përhershme nga Perëndia në një parajsë të tillë, pa bërë asnjë përpjekje nga ana jote? A nuk është e arsyeshme që Perëndia të kërkojë diçka prej nesh? Sigurisht që po. Në fakt, Perëndia nuk është se thjesht na e hedh këtë dhuratë. Ai zgjat dorën për të na e dhënë, por ne duhet të zgjatemi për ta marrë atë. Është e qartë se duhen përpjekje. Ti mund të bësh po atë pyetje që i bëri Jezuit sundimtari i ri i pasur: «Çfarë të mire duhet të bëj, me qëllim që të marr jetën e përhershme?» Ose mund ta formulosh pyetjen siç e formuloi një gardian filipian, kur pyeti apostullin Pavël: «Ç’duhet të bëj unë që të shpëtohem?»—Mateu 19:16, BR; Veprat 16:30, BR.
20. Cila është një kërkesë themelore për jetën e përhershme?
20 Natën para vdekjes së tij, Jezui tregoi një kërkesë themelore, kur i tha në lutje Atit të tij qiellor: «Kjo do të thotë jetë e përhershme, të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3, BR) A nuk është një kërkesë e arsyeshme që të marrim njohuri për Jehovain, i cili bëri të mundur jetën e përhershme dhe për atë që vdiq për ne, Jezu Krishtin? Megjithatë, përfshihet më shumë sesa thjesht marrja e kësaj njohurie.
21. Si e tregojmë se po e plotësojmë kërkesën për të ushtruar besim?
21 Bibla thotë, gjithashtu: «Ai që ushtron besim në Birin, ka jetë të përhershme.» Më pas shton: «Ai që nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi të.» (Gjoni 3:36, BR) Mund të tregosh se po ushtron besim në Birin, duke bërë ndryshime në jetën tënde dhe duke e sjellë atë në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Duhet të hedhësh poshtë çdo drejtim të gabuar që mund të kesh ndjekur më parë dhe të ndërmarrësh veprime për të bërë atë që e kënaq Perëndinë. Duhet të bësh atë që urdhëroi apostulli Pjetër: «Pendohuni, pra, dhe kthehuni që mëkatet tuaja t’ju fshihen, që të vijnë nga personi i Jehovait stinë freskimi.»—Veprat 3:19, BR.
22. Cilat veprime përfshihen në ndjekjen e hapave të Jezuit?
22 Le të mos harrojmë kurrë se vetëm duke ushtruar besim në Jezuin mund të marrim jetën e përhershme. (Gjoni 6:40; 14:6) E tregojmë se ushtrojmë besim në Jezuin, duke ‘ndjekur nga afër hapat e tij’. (1. Pjetrit 2:21, BR) Çfarë përfshihet në bërjen e kësaj? E pra, kur iu lut Perëndisë, Jezui tha: «Ja! Unë vij . . . për të bërë vullnetin tënd, o Perëndi.» (Hebrenjve 10:7, BR) Është jetësore të imitojmë Jezuin, duke pranuar të bëjmë vullnetin e Perëndisë dhe duke ia dedikuar jetën tonë Jehovait. Pas kësaj, duhet ta simbolizojmë këtë dedikim me pagëzimin në ujë, pikërisht siç e paraqiti Jezui veten për pagëzim. (Luka 3:21, 22) Bërja e këtyre hapave është plotësisht e arsyeshme. Apostulli Pavël vërejti se «dashuria që ka Krishti na shtyn fuqishëm». (2. Korintasve 5:14, 15, BR) Në ç’mënyrë? Dashuria e shtyu Jezuin të jepte jetën e vet për ne. A nuk duhet të na shtyjë fuqishëm kjo gjë për të reaguar pozitivisht, duke ushtruar besim në të? Po, duhet të na shtyjë fuqishëm që të ndjekim shembullin e tij të dashur në dhënien e vetvetes për të ndihmuar të tjerët. Krishti jetoi për të bërë vullnetin e Perëndisë, prandaj edhe ne duhet të bëjmë po ashtu, duke mos jetuar më për veten tonë.
23. (a) Kujt duhet t’i shtohen ata që marrin jetën? (b) Çfarë kërkohet prej atyre që janë në kongregacionin e krishterë?
23 Por ky nuk është përfundimi i çështjes. Bibla thotë se, kur 3.000 veta u pagëzuan në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., ata «u shtuan». Kujt iu shtuan? Luka shpjegon: «Ata vazhduan t’i kushtoheshin mësimit të apostujve dhe të ndanin me njeri-tjetrin.» (Veprat 2:41, 42, BR) Po, ata mblidheshin bashkë për të studiuar Biblën dhe për t’u shoqëruar, e në këtë mënyrë iu shtuan apo u bënë pjesë e kongregacionit të krishterë. Të krishterët e hershëm i ndiqnin rregullisht mbledhjet për të marrë arsim frymor. (Hebrenjve 10:25) Edhe Dëshmitarët e Jehovait sot veprojnë po kështu dhe të inkurajojnë t’i ndjekësh këto mbledhje bashkë me ta.
24. Çfarë është «jeta e vërtetë» dhe si e kur do të arrihet ajo?
24 Miliona njerëz po e ndjekin tani rrugën e ngushtë që të çon në jetë. Për të qëndruar në këtë rrugë të ngushtë duhen përpjekje! (Mateu 7:13, 14) Pavli e tregoi këtë në lutjen me gjithë zemër: «Lufto luftën e shkëlqyer të besimit, rrok jetën e përhershme, në të cilën u thirre.» Duhet bërë një luftë e vështirë për të ‘rrokur fort jetën e vërtetë’. (1. Timoteut 6:12, 19, BR) Ajo jetë nuk është jeta e tanishme me dhimbje, mundime dhe vuajtje, të sjella mbi ne nga mëkati i Adamit. Në vend të kësaj, ajo është jeta në botën e re të Perëndisë, e cila do të realizohet së shpejti, pasi të eliminohet ky sistem gjërash, kur flijimi shpërblyes i Krishtit të zbatohet në dobi të të gjithë atyre që e duan Perëndinë Jehova dhe Birin e tij. Zgjedhshim të gjithë jetën, «jetën e vërtetë», jetën e përhershme në botën e re të lavdishme të Perëndisë!
Si do të përgjigjesh?
◻ Cilët janë gjarpri, gruaja dhe fara, të përmendur në Zanafillën 3:15?
◻ Si përkoi Jezui me Adamin dhe çfarë bëri të mundur shpërblesa?
◻ Çfarë mund të presësh, që do ta bëjë të kënaqshme botën e re të Perëndisë për ty?
◻ Cilat kërkesa duhet të plotësojmë për të jetuar në botën e re të Perëndisë?
[Figura në faqen 10]
Për të rinjtë e të moshuarit, Jezui është e vetmja udhë drejt jetës së pafundme
[Figura në faqen 11]
Në kohën e duhur të Perëndisë, të moshuarve do t’u kthehet forca e rinisë së tyre