Libri biblik numër 45—Romakëve
Shkrimtari: Pavli
Vendi ku u shkrua: Korint
Shkrimi përfundoi: rr. 56 të e.s.
1. Çfarë trajton Pavli në letrën e tij drejtuar Romakëve?
TE Veprat pamë se si Pavli, dikur një përndjekës i dhunshëm i të krishterëve judenj, bëhet apostull i zellshëm i Krishtit për kombet. Me librin e Romakëve fillojmë 14 librat e Biblës që shkroi ky ish-farise, tani një shërbëtor besnik i Perëndisë, i frymëzuar nga fryma e shenjtë. Në kohën kur u shkroi romakëve, Pavli kishte përfunduar tashmë dy udhëtime të gjata predikimi dhe kishte bërë një pjesë të mirë të udhëtimit të tretë. Ai kishte shkruar pesë letra të tjera të frymëzuara: 1 dhe 2 Selanikasve, Galatasve, 1 dhe 2 Korintasve. Megjithatë, duket e përshtatshme që në Biblat e sotme, letra drejtuar Romakëve është para të tjerave, pasi ajo trajton gjerë e gjatë gjendjen e re të barabartë mes judenjve dhe jojudenjve, dy klasave që u predikoi Pavli. Kjo letër flet për një pikë kthese në marrëdhënien e Perëndisë me popullin e tij dhe tregon se Shkrimet e frymëzuara Hebraike kishin parathënë kohë më parë se lajmi i mirë do t’u shpallej edhe jojudenjve.
2. (a) Ç’probleme trajton Pavli në letrën e Romakëve? (b) Çfarë vërteton qartë kjo letër?
2 Duke përdorur Tercin si sekretar, Pavli gërsheton argumentimin e shpejtë me një numër të mahnitshëm citimesh nga Shkrimet Hebraike, duke formuar atë që është një nga librat më të fuqishëm të Shkrimeve të Krishtere Greke. Me një gjuhë mjaft të bukur, ai trajton problemet që lindën në shekullin e parë, kur u formuan kongregacionet e krishtere me judenj dhe grekë. A kishin epërsi judenjtë, meqë ishin pasardhës të Abrahamit? A kishin të drejtë të krishterët e pjekur që shfrytëzonin lirinë nga Ligji i Moisiut, të bëheshin pengesë për vëllezërit më të dobët judenj, që ndiqnin ende zakone të lashta? Me këtë letër Pavli vërteton qartë se judenjtë dhe jojudenjtë janë të barabartë para Perëndisë, dhe se njerëzit nuk shpallen të drejtë nëpërmjet Ligjit të Moisiut, por nëpërmjet besimit te Jezu Krishti dhe dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. Në të njëjtën kohë, Perëndia kërkon nga të krishterët që të tregojnë nënshtrimin e duhur ndaj autoriteteve të ndryshme nën të cilat gjenden.
3. Si u formua kongregacioni i Romës dhe si shpjegohet që Pavli njihte shumë veta atje?
3 Si u formua kongregacioni i Romës? Në Romë ekzistonte një komunitet mjaft i madh judenjsh, të paktën që nga pushtimi i Jerusalemit nga Pompei, në vitin 63 p.e.s. Te Veprat 2:10 thuhet shprehimisht se disa prej tyre ishin në Jerusalem gjatë festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., ku dëgjuan të predikohej lajmi i mirë. Vizitorët që përqafuan besimin e ri qëndruan në Jerusalem për të mësuar nga apostujt dhe më vonë, ata që kishin ardhur nga Roma, pa dyshim u kthyen atje, disa ndoshta në kohën kur në Jerusalem plasi përndjekja. (Vep. 2:41-47; 8:1, 4) Veç kësaj, asokohe njerëzit shtegtonin shumë, dhe kjo mund të shpjegojë njohjet e Pavlit me aq shumë pjesëtarë të kongregacionit të Romës, disa prej të cilëve mund ta kenë dëgjuar lajmin e mirë në Greqi ose në Azi falë predikimit të Pavlit.
4. (a) Ç’të dhëna na jep letra drejtuar Romakëve për kongregacionin e atij qyteti? (b) Ç’tregon fakti që Akuila dhe Prishila ishin në Romë?
4 Të dhënat e para të besueshme për këtë kongregacion gjenden në letrën e Pavlit. Nga ajo kuptohet se kongregacioni ishte formuar nga të krishterë judenj dhe jojudenj, dhe zelli i tyre ishte për t’u lavdëruar. Ai u thotë: «Për besimin tuaj flitet në mbarë botën», dhe «bindja juaj është marrë vesh nga të gjithë». (Rom. 1:8; 16:19) Suetoni, shkrimtar i shekullit të dytë, thotë se judenjtë u dëbuan nga Roma gjatë sundimit të Klaudit (41-54 të e.s.). Megjithatë, më vonë ata u kthyen prapë, siç tregohet nga fakti që Akuila dhe Prishila ishin në Romë. Ata ishin judenj që Pavli i takoi në Korint dhe që kishin ikur nga Roma në kohën kur Klaudi nxori dekretin, por ishin kthyer përsëri në Romë në kohën kur Pavli i shkroi kongregacionit të atjeshëm.—Vep. 18:2; Rom. 16:3.
5. Cilat fakte vërtetojnë autenticitetin e Romakëve?
5 Autenticiteti i kësaj letre është katërçipërisht i vërtetuar. Siç tregohet në hyrje të saj, ajo iu dërgua nga «Pavli, skllav i Jezu Krishtit dhe i thirrur që të jetë apostull, . . . të gjithë atyre që janë në Romë, që Perëndia i do dhe i ka thirrur për të qenë të shenjtë». (Rom. 1:1, 7) Dëshmitë jobiblike për këtë letër janë nga më të hershmet që ekzistojnë për Shkrimet e Krishtere Greke. Pjetri përdor kaq shumë shprehje të ngjashme në letrën e tij të parë, që ka mundësi të jetë shkruar gjashtë deri në tetë vjet më vonë, sa shumë studiues mendojnë se ai duhet të ketë parë një kopje të letrës së Pavlit për romakët para se ta shkruante. Letra drejtuar Romakëve konsiderohej qartësisht si pjesë e shkrimeve të Pavlit dhe u përmend si e tillë nga Klementi i Romës, Polikarpi i Smirnës dhe Injaci i Antiokisë, që jetuan të gjithë aty nga fundi i shekullit të parë dhe fillimi i shekullit të dytë të e.s.
6. Si dëshmon një papirus i lashtë se libri i Romakëve është pjesë e kanunit të Biblës?
6 Libri i Romakëve, bashkë me tetë letra të tjera të Pavlit, gjendet në një kodik të quajtur Papirusi Çestër Biti nr. 2 (P46). Ja çfarë shkroi sër Frederik Kenioni për këtë kodik të lashtë: «Ky është një dorëshkrim gati i plotë i letrave të Pavlit, i shkruar me sa duket aty nga fillimi i shekullit të tretë.»a Papiruset biblike greke Çestër Biti janë më të hershme se dorëshkrimi i mirënjohur Sinaitik dhe ai Vatikan 1209, që të dy të shekullit të katërt të e.s. Libri i Romakëve gjendet edhe në to.
7. Ç’mund të thuhet për vendin dhe kohën kur u shkrua Romakëve?
7 Kur dhe ku u shkrua letra e Romakëve? Komentuesit biblikë janë të gjithë në një mendje duke thënë se kjo letër u shkrua në Greqi, ka shumë të ngjarë në Korint, kur Pavli qëndroi atje për disa muaj aty nga fundi i udhëtimit të tij të tretë misionar. Vetë libri dëshmon se u shkrua në Korint. Pavli e shkroi letrën në shtëpinë e Gajit, një pjesëtari të atij kongregacioni, dhe rekomandon Febën nga kongregacioni fqinjë i Kenkresë, portit të Korintit. Me sa duket, këtë letër e çoi në Romë Feba. (Rom. 16:1, 23; 1 Kor. 1:14) Te Romakëve 15:23 Pavli shkroi: «Tani . . . s’kam më territor të paprekur në këto vise», dhe në vargjet që vijojnë ai tregon se ka ndër mend ta zgjerojë veprën e tij misionare në perëndim, drejt Spanjës. Këtë varg ai mund ta ketë shkruar aty nga fundi i udhëtimit të tij të tretë, në fillim të vitit 56 të e.s.
PËRMBAJTJA E ROMAKËVE
8. (a) Çfarë thotë Pavli për misionin e tij? (b) Si tregon ai se edhe judenjtë, edhe grekët, e kanë hak zemërimin e Perëndisë?
8 Paanësia e Perëndisë kundrejt atyre që janë judenj dhe atyre që nuk janë (1:1–2:29). Çfarë u thotë nën frymëzim Pavli romakëve? Në fjalët e para ai identifikohet si një apostull i zgjedhur nga Krishti që kombet të mësojnë ‘bindjen me anë të besimit’. Ai shpreh dëshirën e tij të zjarrtë për të vizituar të shenjtët në Romë, ‘që të inkurajohen me njëri-tjetrin’ dhe që të shpallë mes tyre lajmin e mirë që është «fuqia e Perëndisë për shpëtimin e kujtdo që ka besim». Siç ishte shkruar shumë kohë më parë, i drejti do të jetojë «falë besimit». (1:5, 12, 16, 17) Si judenjtë, edhe grekët, tregon ai, e kanë hak zemërimin e Perëndisë. Paperëndishmëria e njeriut është e pajustifikueshme, sepse ‘cilësitë e padukshme të Perëndisë shihen qartë që nga krijimi i botës’. (1:20) Por kombet veprojnë pa mend duke bërë perëndi nga gjërat e krijuara. Megjithatë, judenjtë s’duhet t’i gjykojnë ashpër kombet, pasi edhe ata janë fajtorë për mëkate. Të dyja klasat do të gjykohen sipas veprave të tyre, sepse Perëndia është i paanshëm. Rrethprerja nuk është faktori përcaktues; «është jude kush është i tillë nga brenda dhe rrethprerja e tij është ajo e zemrës».—2:29.
9. (a) Në cilin aspekt judenjtë kanë epërsi, e megjithatë cilat shkrime citon Pavli për të treguar se të gjithë janë nën mëkat? (b) Atëherë si shpallet i drejtë një njeri dhe cili shembull e mbështet këtë argument?
9 Të gjithë shpallen të drejtë falë besimit (3:1–4:25). «Prandaj, cila është epërsia e judeut?» Është shumë e madhe, sepse judenjve iu besuan thëniet e shenjta të Perëndisë. Megjithatë, «qoftë judenjtë, qoftë grekët, janë të gjithë nën mëkat» dhe asnjë s’është ‘i drejtë’ në sy të Perëndisë. Për ta vërtetuar këtë janë marrë shtatë citime nga Shkrimet Hebraike. (Rom. 3:1, 9-18; Psal. 14:1-3; 5:9; 140:3; 10:7; Prov. 1:16; Isa. 59:7, 8; Psal. 36:1) Ligji vë në dukje gjendjen mëkatare të njeriut, prandaj «falë veprave të ligjit, asnjë mish nuk do të shpallet i drejtë». Megjithatë, falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë dhe çlirimit nëpërmjet shpërblesës, edhe judenjtë, edhe grekët janë shpallur të drejtë «me anë të besimit, pavarësisht nga veprat e ligjit». (Rom. 3:20, 28) Pavli e mbështet këtë argument, duke cituar shembullin e Abrahamit, i cili nuk u llogarit si i drejtë për shkak të veprave ose rrethprerjes, por për shkak të besimit të tij shembullor. Kështu, Abrahami nuk u bë atë vetëm i judenjve, por «i të gjithë atyre që kanë besim».—4:11.
10. (a) Si ndodhi që filloi të mbretëronte vdekja? (b) Çfarë ka ardhur falë bindjes së Krishtit, por ç’paralajmërim jepet për mëkatin?
10 Jo më skllevër të mëkatit, por të drejtësisë nëpërmjet Krishtit (5:1–6:23). Nëpërmjet një njeriu, Adamit, mëkati hyri në botë dhe solli vdekjen, e kështu «vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar». (5:12) Vdekja mbretëroi që nga Adami deri te Moisiu. Kur u dha Ligji nëpërmjet Moisiut, mëkati ishte me bollëk dhe vdekja vazhdoi të mbretëronte. Por dashamirësia e pamerituar e Perëndisë është edhe më me bollëk, dhe falë bindjes së Krishtit shumë shpallen të drejtë për të marrë jetën e përhershme. Mirëpo, kjo s’na jep lirinë të jetojmë në mëkat. Ata që pagëzohen në Krishtin, duhet të vdesin për sa i përket mëkatit. Personaliteti i tyre i vjetër vihet në shtyllë dhe ata jetojnë për Perëndinë. Mëkati nuk mbretëron më mbi ta, por bëhen skllevër të drejtësisë për shenjtëri. «Paga që paguan mëkati është vdekja, kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.»—6:23.
11. (a) Si e ilustron Pavli çlirimin e të krishterëve judenj nga Ligji? (b) Ç’bëri të dukshëm Ligji dhe ç’luftë e brendshme ndodh te një i krishterë?
11 Të vdekur për sa i përket Ligjit, të gjallë falë frymës në unitet me Krishtin (7:1–8:39). Pavli përdor shembullin e gruas që është e lidhur me të shoqin për aq kohë sa ai është gjallë, por është e lirë të martohet me një tjetër nëse ai vdes, për të treguar se nëpërmjet flijimit të Krishtit të krishterët judenj u bënë të vdekur për sa i përket Ligjit dhe ishin të lirë të bëheshin të Krishtit e të jepnin fryt për Perëndinë. Ligji, që është i shenjtë, e bëri edhe më të dukshëm mëkatin, dhe mëkati solli vdekjen. Mëkati që banon në trupin tonë, lufton kundër qëllimeve tona të mira. Siç tha Pavli, «sepse të mirën që dua, nuk e bëj, por të keqen që nuk dua, e praktikoj». Kështu, «ai që e bën, nuk jam më unë, por mëkati që banon tek unë».—7:19, 20.
12. Si bëhen disa bashkëtrashëgimtarë me Krishtin dhe si dalin plotësisht fitimtarë?
12 Ç’mund ta shpëtojë njeriun nga kjo gjendje e mjerë? Perëndia mund t’i bëjë të gjallë ata që i përkasin Krishtit nëpërmjet frymës së Tij. Ata birësohen, shpallen të drejtë, bëhen trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin dhe marrin lavdi. Pavli u thotë atyre: «Nëse Perëndia është me ne, kush do të jetë kundër nesh? Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?» Askush. Ai shpall tërë krenari: «Ne dalim plotësisht fitimtarë me anë të atij që na deshi. Sepse jam i bindur që as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat e tanishme, as gjërat që do të vijnë, as fuqitë, as lartësia, as thellësia, as ndonjë krijim tjetër, nuk do të na ndajnë dot nga dashuria e Perëndisë, që është shprehur përmes Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.»—8:31, 35, 37-39.
13. (a) Cilët përfshihen tek Izraeli i vërtetë i Perëndisë, sipas profecisë, dhe në bazë të cilit parim hyjnor bëhet kjo përzgjedhje? (b) Pse dështoi kombi i Izraelit dhe çfarë nevojitet për të shpëtuar?
13 ‘Izraeli’ shpëton falë besimit dhe mëshirës së Perëndisë (9:1–10:21). Pavli thotë se ndien «hidhërim të madh» për bashkëkombësit e tij, izraelitët, por ai e pranon se jo tërë kombi i Izraelit është vërtet «Izrael», pasi Perëndia ka autoritet të zgjedhë si bij të tij kë të dojë. Siç vihet re nga mënyra si e trajtoi Perëndia faraonin dhe nga ilustrimi i poçarit, «kjo nuk varet as nga ai që dëshiron, as nga ai që vrapon, por nga Perëndia, i cili ka mëshirë». (9:2, 6, 16) Ai quan bij jo vetëm ata që janë «nga judenjtë, por edhe nga kombet», siç kishte parathënë kohë më parë Hozea. (Hoz. 2:23) Izraeli dështoi, sepse u mundua të fitonte hirin e Perëndisë jo «me anë të besimit, por me anë të veprave» dhe sepse u pengua te Krishti, ‘shkëmbi i shkeljes’. (Rom. 9:24, 32, 33) Ata kishin «zell për Perëndinë», por jo «sipas njohurisë së saktë». Krishti është fundi i Ligjit për ata që tregojnë besim që të çon në drejtësi. Prandaj, për të shpëtuar ata duhet të shpallin publikisht «se Jezui është Zotëri» e të tregojnë besim «se Perëndia e ngriti atë nga të vdekurit». (10:2, 9) Ja pse dërgohen predikues: që njerëz nga të gjitha kombet të dëgjojnë, të kenë besim e të thërrasin emrin e Jehovait që të shpëtojnë.
14. Çfarë ilustron Pavli me pemën e ullirit?
14 Ilustrimi i pemës së ullirit (11:1-36). Falë dashamirësisë së pamerituar është zgjedhur një mbetje me prejardhje nga Izraeli, por meqë pjesa më e madhe pengohet, «vjen shpëtimi për njerëzit e kombeve». (11:11) Me ilustrimin e pemës së ullirit, Pavli tregon se, ngaqë Izraelit si komb i mungon besimi, u shartuan në të jojudenjtë. Megjithatë, jojudenjtë nuk duhet të gëzojnë që Izraeli u hodh poshtë, sepse nëse Perëndia nuk kurseu degët natyrore jobesnike, nuk do të kursejë as degët e ullirit të egër të marra nga kombet e të shartuara në të.
15. Çfarë nevojitet për t’u paraqitur si flijim i gjallë për Perëndinë?
15 Përtëritja e mendjes; autoritetet më të larta (12:1–13:14). Paraqitini trupat tuaj si një flijim të gjallë për Perëndinë, këshillon Pavli. Mjaft «u brumosët sipas kësaj bote», por «shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj». Mos jini fodullë. Trupi i Krishtit, njësoj si trupi i njeriut, ka shumë gjymtyrë, që kryejnë funksione të ndryshme, por bashkëveprojnë në unitet. Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. Lërjani hakmarrjen Jehovait. Mundeni «të keqen me të mirën».—12:2, 21.
16. Si duhet të veprojnë të krishterët me autoritetet dhe me të tjerët?
16 Jini të nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta; është një rregull që ka vendosur Perëndia. Vazhdoni të bëni të mira dhe të mos i detyroheni askujt për asgjë, përveçse të doni njëri-tjetrin. Shpëtimi po afron, ndaj «të zhveshim veprat që i përkasin errësirës» dhe «të veshim armët e dritës». (13:12) Të ecim si na ka hije, jo sipas dëshirave të mishit.
17. Ç’këshilla jepen për gjykimin dhe ndërtimin e të dobëtve?
17 Mirëpritini të gjithë me paanësi dhe pa gjykuar (14:1–15:33). Ki durim me ata që, për shkak të besimit të dobët, nuk hanë disa ushqime ose bëjnë disa festa. Mos e gjyko vëllanë tënd dhe as mos u bëj pengesë për të me gjërat që ha ose pi, pasi gjithsecili gjykohet nga Perëndia. Ndiq paqen dhe gjërat ndërtuese, si dhe mbaj dobësitë e të tjerëve.
18. (a) Ç’citime të tjera përmend Pavli për të treguar se Perëndia i pranon edhe ata që nuk janë judenj? (b) Si e shfrytëzon Pavli dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë?
18 Apostulli shkruan: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë» dhe përmend katër citime të tjera nga Shkrimet Hebraike si provë përfundimtare se profetët e frymëzuar kishin parathënë kohë më parë se premtimet e Perëndisë do të shtriheshin edhe te kombet e tjera. (Rom. 15:4, 9-12; Psal. 18:49; Ligj. 32:43; Psal. 117:1; Isa. 11:1, 10) «Prandaj,—këshillon Pavli,—mikpritni njëri-tjetrin, ashtu si na mikpriti edhe Krishti, për lavdi të Perëndisë.» (Rom. 15:7) Pavli shpreh çmueshmëri për dashamirësinë e pamerituar që i ka dhënë Perëndia për të qenë një shërbëtor publik për kombet, ‘që të angazhohet në veprën e shenjtë të lajmit të mirë të Perëndisë’. Ai përpiqet gjithnjë të hapë territore të reja, në vend që ‘të ndërtojë mbi themelet e dikujt tjetër’. Madje, s’ka mbaruar ende, sepse ka ndër mend që, pasi të çojë kontributet në Jerusalem, të nisë një udhëtim edhe më të madh predikimi deri në Spanjën e largët, dhe rrugës të kalojë edhe nga vëllezërit e tij frymorë në Romë e t’u çojë ‘plot bekime nga Krishti’.—15:16, 20, 29.
19. Me cilat përshëndetje dhe nxitje përfundon letra?
19 Përshëndetjet e fundit (16:1-27). Pavli u dërgon të fala një për një 26 pjesëtarëve të kongregacionit të Romës të cilët i përmend me emër, si edhe të tjerëve, dhe i nxit t’u rrinë larg atyre që shkaktojnë përçarje dhe ‘të jenë të mençur për atë që është e mirë, por të pafaj për atë që është e ligë’. Gjithçka shkon për lavdi të Perëndisë ‘nëpërmjet Jezu Krishtit. Amin’.—16:19, 27.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
20. (a) Ç’arsye logjike na jep Romakëve për të besuar te Perëndia? (b) Si ilustrohet drejtësia dhe mëshira e Perëndisë, e si shprehet Pavli?
20 Libri i Romakëve na paraqit një bazë logjike për të besuar te Perëndia, duke thënë se «cilësitë e tij të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra». Por jo vetëm kaq! Ai lartëson drejtësinë e Perëndisë dhe na njeh me mëshirën e madhe dhe dashamirësinë e tij. Këtë na e paraqit shumë bukur ilustrimi i pemës së ullirit, ku shartohen degët e ullirit të egër, pasi janë prerë degët natyrore. Duke kundruar këtë rreptësi dhe mirëdashje të Perëndisë, Pavli thërret: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!»—1:20; 11:33.
21. Si tregon Romakëve zhvillimin e mëtejshëm të sekretit të shenjtë të Perëndisë?
21 Duke u nisur nga këto fjalë libri i Romakëve shpjegon zhvillimin e mëtejshëm të sekretit të shenjtë të Perëndisë. Në kongregacionin e krishterë s’ka më dallim mes atij që është jude dhe atij që nuk është, por njerëz nga të gjitha kombet mund të përfitojnë nga dashamirësia e pamerituar e Jehovait nëpërmjet Jezu Krishtit. «Te Perëndia nuk ka anësi.» «Është jude kush është i tillë nga brenda dhe rrethprerja e tij është ajo e zemrës, nëpërmjet frymës e jo nëpërmjet një kodi të shkruar.» «Nuk ka asnjë dallim mes judeut dhe grekut, pasi është i njëjti Zotëri mbi të gjithë, që u jep me bollëk të gjithë atyre që e thërrasin.» Të gjithë këtyre u llogaritet si drejtësi besimi dhe jo veprat.—2:11, 29; 10:12; 3:28.
22. Ç’këshillë praktike jep Romakëve për raportet që duhet të kenë të krishterët me ata që janë jashtë kongregacionit?
22 Këshillat praktike që përmban kjo letër drejtuar të krishterëve në Romë janë po aq të dobishme edhe për të krishterët sot, që përballen me probleme të ngjashme në këtë botë armiqësore. Të krishterët nxiten ‘të jenë paqësorë me të gjithë’, përfshi ata që janë jashtë kongregacionit. Çdo shpirt duhet «të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta», sepse është një rregull që ka vendosur Perëndia. Ato nuk kanë pse t’i kenë frikë ata që e zbatojnë ligjin, por ata që bëjnë të këqija. Të krishterët duhet të jenë të nënshtruar dhe të zbatojnë ligjin jo vetëm nga frika e ndëshkimit, por për shkak të ndërgjegjes së krishterë; prandaj duhet të paguajnë taksat, t’u japin atë që u takon dhe të përmbushin detyrimet, duke mos iu detyruar askujt për asgjë, ‘përveçse të duan njëri-tjetrin’. Dashuria përmbush Ligjin.—12:17-21; 13:1-10.
23. Si e thekson Pavli rëndësinë e shpalljes publike dhe ç’shembull na jep në lidhje me përgatitjen për shërbim?
23 Pavli e vë theksin te çështja e dëshmisë publike. Ndonëse me zemër njeriu tregon besim, që të çon në drejtësi, me gojë bën publikisht shpalljen, që të çon në shpëtim. «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» Por që të arrihet kjo, është e nevojshme që predikuesit të shkojnë të «shpallin lajmin e mirë për gjëra të mira». Lum ne nëse jemi mes atyre predikuesve, zëri i të cilëve ka shkuar «deri në skajet e tokës së banuar»! (10:13, 15, 18) Për t’u përgatitur për këtë vepër predikimi, të mundohemi të njohim sa më mirë Shkrimet e frymëzuara, njësoj si Pavli që në këtë fragment të vetëm (10:11-21) citon njëri pas tjetrit vargje nga Shkrimet Hebraike. (Isa. 28:16; Joe. 2:32; Isa. 52:7; 53:1; Psal. 19:4; Ligj. 32:21; Isa. 65:1, 2) Ai mundi të thoshte me plot gojën: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.»—Rom. 15:4.
24. Ç’këshilla jep Pavli që të kultivojmë zell dhe marrëdhënie të gëzuara brenda kongregacionit?
24 Veç këtyre, jepen këshilla të shkëlqyera praktike për marrëdhëniet brenda kongregacionit të krishterë. Çfarëdo të kenë qenë më parë për sa i përket kombësisë, racës ose shtresës shoqërore, të gjithë duhet ta përtërijnë mendjen për t’i bërë Perëndisë shërbim të shenjtë sipas ‘vullnetit të mirë, të pranueshëm e të përsosur’ të Tij. (11:17-22; 12:1, 2) Të gjitha këshillat e Pavlit te Romakëve 12:3-16 pasqyrojnë një arsyetueshmëri mjaft praktike. Në to gjejmë nxitje të shkëlqyera për të kultivuar zellin, përulësinë dhe përzemërsinë e butë mes të gjithë pjesëtarëve të kongregacionit të krishterë. Në kapitujt e fundit Pavli këshillon me forcë që të ruhemi e t’u qëndrojmë larg atyre që shkaktojnë përçarje, por gjithashtu flet për gëzimin dhe freskimin reciprok që vjen nga shoqëritë e pastra brenda kongregacionit.—16:17-19; 15:7, 32.
25. (a) Cilën pikëpamje të drejtë shpreh libri i Romakëve për Mbretërinë e Perëndisë dhe ç’kuptueshmëri të mëtejshme jep në lidhje me të? (b) Ç’dobi do të na sjellë studimi i letrës drejtuar Romakëve?
25 Si të krishterë duhet të vazhdojmë të kemi kujdes për marrëdhëniet me njëri-tjetrin. «Sepse mbretëria e Perëndisë nuk do të thotë të hash e të pish, por do të thotë drejtësi, paqe dhe gëzim me frymë të shenjtë.» (14:17) Drejtësia, paqja dhe gëzimi karakterizojnë sidomos ‘bashkëtrashëgimtarët me Krishtin’, që ‘do t’u jepet lavdi bashkë’ me të në Mbretërinë qiellore. Vër re, gjithashtu, se si libri i Romakëve tregon një hap të mëtejshëm në përmbushjen e premtimit të Mbretërisë që u dha në Eden me fjalët: «Perëndia që jep paqe, do ta dërrmojë së shpejti Satanain nën këmbët tuaja.» (Rom. 8:17; 16:20; Zan. 3:15) Duke besuar në këto të vërteta të mëdha, le të vazhdojmë të mbushemi plot me gëzim e paqe dhe të kemi bollëk në shpresë. Qofshim të vendosur të dalim fitimtarë bashkë me Farën e Mbretërisë, pasi jemi të bindur se asgjë lart në qiell ose poshtë në tokë, «as ndonjë krijim tjetër, nuk do të na ndajnë dot nga dashuria e Perëndisë, që është shprehur përmes Krishtit Jezu, Zotërisë tonë»!—Rom. 8:39; 15:13.
[Shënimi]
a Our Bible and the Ancient Manuscripts, 1958, faqja 188.