KAPITULLI 15
«Forcoi kongregacionet»
Mbikëqyrësit udhëtues i ndihmojnë kongregacionet të bëhen të patundura në besim
Bazuar te Veprat 15:36–16:5
1-3. (a) Përshkruaj shokun e ri të udhëtimit të Pavlit. (b) Ç’do të mësojmë në këtë kapitull?
TEKSA ecnin nëpër terrenin e vështirë midis qyteteve, apostulli Pavël vështronte mendueshëm të riun Timote, përkrah tij. Ky i ri plot energji ishte ndoshta në fund të adoleshencës ose në fillim të të njëzetave. Çdo hap që hidhte e largonte gjithnjë e më shumë nga shtëpia e tij. Ndërsa dita thyhej, rajoni i Listrës dhe i Ikonisë mbetej gjithnjë e më prapa. Çfarë i priste? Pavli e kishte një ide, sepse ky ishte udhëtimi i tij i dytë misionar. E dinte se do të hasnin plot rreziqe e telashe. A do t’ia dilte mbanë i riu që kishte përkrah?
2 Pavli kishte besim te Timoteu, ndoshta më tepër nga ç’kishte ai i ri te vetja. Ngjarjet e fundit e kishin bindur edhe më tepër se kishte nevojë për bashkëpunëtorin e duhur përkrah tij. Ai e dinte se vepra që do të kryenin, domethënë vizitat në kongregacione dhe forcimi i tyre, do të kërkonte vendosmëri të patundur dhe të ishin në një mendje. Po pse ndihej kështu Pavli? Një arsye mund të ishte mosmarrëveshja që shkaktoi përçarje mes tij dhe Barnabës pak kohë më parë.
3 Në këtë kapitull, do të mësojmë shumë për mënyrën më të mirë se si të zgjidhen mosmarrëveshjet. Gjithashtu do të mësojmë pse Pavli zgjodhi Timoteun si shok udhëtimi e do të kuptojmë më mirë rolin jetësor të atyre që shërbejnë sot si mbikëqyrës qarkorë.
«Le të kthehemi tani e të vizitojmë vëllezërit» (Veprat 15:36)
4. Pse Pavli donte të ndërmerrte një udhëtim të dytë misionar?
4 Në kapitullin e mëparshëm pamë se si një delegacion me 4 vëllezër—Pavli, Barnaba, Juda dhe Sila—forcuan kongregacionin në Antioki duke u përcjellë vendimin e trupit udhëheqës për rrethprerjen. Ç’bëri më tej Pavli? I propozoi Barnabës një plan të ri udhëtimi: «Le të kthehemi tani e të vizitojmë vëllezërit në të gjitha qytetet ku shpallëm fjalën e Jehovait e të shohim si janë.» (Vep. 15:36) Nuk po i sugjeronte t’u bënin thjesht një vizitë shoqërore vëllezërve që sapo ishin bërë të krishterë. Libri i Veprave tregon pse Pavli ndërmori udhëtimin e dytë misionar. Së pari, do të vazhdonte të njoftonte vendimet e trupit udhëheqës. (Vep. 16:4) Së dyti, si mbikëqyrës qarkor, ishte i vendosur t’ua forconte besimin kongregacioneve. (Rom. 1:11, 12) Si e ndjek organizata e Dëshmitarëve të Jehovait modelin që lanë apostujt?
5. Si u jep udhëzime e nxitje kongregacioneve Trupi Udhëheqës i ditëve tona?
5 Sot Krishti përdor Trupin Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait që të drejtojë kongregacionin e tij. Këta të mirosur besnikë u japin udhëzime e nxitje të gjitha kongregacioneve anembanë botës me anë të letrave, botimeve të shtypura dhe atyre online, mbledhjeve dhe mjeteve të tjera të komunikimit. Gjithashtu, Trupi Udhëheqës përpiqet të mbajë lidhje të ngushta me secilin kongregacion. Për këtë qëllim përdor mbikëqyrësit qarkorë. Trupi Udhëheqës emëron drejtpërdrejt mijëra pleq të kualifikuar në mbarë botën që të shërbejnë si mbikëqyrës qarkorë.
6, 7. Cilat janë disa nga përgjegjësitë e mbikëqyrësve qarkorë?
6 Synimi i mbikëqyrësve qarkorë është t’u kushtojnë vëmendje të gjithëve në kongregacionet që vizitojnë e t’u japin nxitje nga Shkrimet. Si e bëjnë këtë? Duke ndjekur modelin që lanë të krishterët e shekullit të parë, si Pavli. Ai i tha një mbikëqyrësi tjetër: «Prediko fjalën, bëje këtë me urgjencë në kohë të favorshme e në kohë të vështira, korrigjo, hiq vërejtje dhe nxit me shumë durim si një mësues i mirë. . . . Bëj veprën e ungjillëzuesit.»—2 Tim. 4:2, 5.
7 Në përputhje me këto fjalë, mbikëqyrësit qarkorë—bashkë me gratë nëse janë të martuar—marrin pjesë në aspekte të ndryshme të shërbimit me lajmëtarët vendas. Ata kanë zell për shërbimin dhe janë mësues të aftë, cilësi që ndikojnë për mirë te motrat e vëllezërit. (Rom. 12:11; 2 Tim. 2:15) Mbikëqyrësit qarkorë njihen veçanërisht për dashurinë vetëmohuese. Nuk e kursejnë veten; udhëtojnë edhe në mot të keq e madje edhe në zona të rrezikshme. (Filip. 2:3, 4) Gjithashtu nxitin, mësojnë dhe këshillojnë çdo kongregacion nëpërmjet fjalimeve të bazuara në Bibël. Të gjithë në kongregacion nxjerrin dobi duke shqyrtuar sjelljen e mbikëqyrësve udhëtues e duke imituar besimin e tyre.—Hebr. 13:7.
«Mes tyre pati një shpërthim të madh zemërimi» (Veprat 15:37-41)
8. Si e priti Barnaba propozimin e Pavlit?
8 Barnabës i pëlqeu propozimi i Pavlit që ‘të vizitonin vëllezërit’. (Vep. 15:36) Ata kishin pasur një bashkëpunim të mirë si shokë udhëtimi dhe i njihnin tashmë rajonet dhe njerëzit që do të vizitonin. (Vep. 13:2–14:28) Prandaj ideja që ta kryenin bashkë këtë caktim mund të jetë dukur e arsyeshme dhe praktike. Mirëpo lindi një problem. Te Veprat 15:37 thuhet: «Barnaba ishte i vendosur të merrte me vete Gjonin, që quhej Mark.» Ky nuk ishte thjesht sugjerim. Ai «ishte i vendosur» ta merrte si shok udhëtimi kushëririn e vet, Markun.
9. Pse Pavli nuk ishte dakord me Barnabën?
9 Pavli nuk ishte dakord. Përse? Tregimi thotë: «Pavli nuk ishte dakord që ta merrnin me vete [Markun], meqë në Pamfili ai kishte ikur dhe nuk e kishte vazhduar veprën me ta.» (Vep. 15:38) Marku ishte nisur me Pavlin e Barnabën në udhëtimin e parë misionar, por s’kishte ndenjur me ta deri në fund. (Vep. 12:25; 13:13) Qysh në fillim të udhëtimit, ndërsa ishin në Pamfili, ai e kishte lënë caktimin dhe ishte kthyer në shtëpi, në Jerusalem. Bibla nuk thotë pse u largua, por me sa duket apostulli Pavël e konsideronte të papërgjegjshëm këtë veprim. Ndoshta dyshonte te besueshmëria e Markut.
10. Si përfundoi mosmarrëveshja mes Pavlit dhe Barnabës?
10 Prapëseprapë, Barnaba ngulte këmbë ta merrte me vete Markun. Pavli, nga ana e vet, ngulte këmbë për jo. «Atëherë mes tyre pati një shpërthim të madh zemërimi, kështu që u ndanë nga njëri-tjetri»,—thuhet te Veprat 15:39. Barnaba mori me vete Markun dhe lundroi për në vendlindje, në ishullin e Qipros. Ndërsa Pavli vazhdoi me planet e tij. Tregimi thotë: «Pavli zgjodhi Silën dhe, pasi vëllezërit e lanë nën kujdesin e mirësisë së pamerituar të Jehovait, u nis për rrugë.» (Vep. 15:40) Bashkë me Silën, përshkoi «Sirinë e Kilikinë dhe forcoi kongregacionet».—Vep. 15:41.
11. Cilat cilësi janë thelbësore që të mos krijohet një e çarë e pariparueshme mes nesh dhe dikujt që na ka fyer?
11 Ky episod na sjell ndër mend natyrën tonë të papërsosur. Pavli dhe Barnaba ishin emëruar si përfaqësues specialë të trupit udhëheqës. Ka mundësi që Pavli, më vonë të jetë bërë anëtar i atij trupi. Gjithsesi, në këtë rast, fituan prirjet e tyre të papërsosura. A lejuan ata që kjo mosmarrëveshje të krijonte një të çarë të pariparueshme mes tyre? Ndonëse të papërsosur, Pavli e Barnaba ishin të përulur dhe kishin mendjen e Krishtit. Pa dyshim, me kalimin e kohës ata shfaqën frymën e vëllazërisë së krishterë dhe e falën njëri-tjetrin. (Efes. 4:1-3) Më vonë, Pavli dhe Marku shërbyen së bashku në caktime të tjera teokratike.a—Kolos. 4:10.
12. Ç’duhet t’i karakterizojë mbikëqyrësit e sotëm?
12 Ky shpërthim zemërimi nuk e karakterizonte as Barnabën, as Pavlin. Barnaba njihej si njeri zemërdhembshur e bujar. Madje, falë këtyre cilësive, apostujt, në vend që ta thërritnin Jozef siç e kishte emrin, e mbiquajtën Barnaba, që do të thotë «bir i ngushëllimit». (Vep. 4:36) Edhe Pavli njihej si njeri që sillej përzemërsisht e butësisht. (1 Sel. 2:7, 8) Të gjithë mbikëqyrësit e krishterë sot, përfshirë edhe mbikëqyrësit qarkorë, duhet të imitojnë Pavlin e Barnabën dhe të përpiqen të jenë gjithnjë të përulur e t’i trajtojnë me butësi pleqtë e tjerë, si dhe kopenë.—1 Pjet. 5:2, 3.
«Vëllezërit . . . flitnin mirë për të» (Veprat 16:1-3)
13, 14. (a) Kush ishte Timoteu dhe në ç’rrethana mund ta ketë takuar Pavli? (b) Pse Pavlit i bëri përshtypje të veçantë Timoteu? (c) Çfarë caktimi mori Timoteu?
13 Në udhëtimin e dytë misionar, Pavli shkoi në provincën romake të Galatisë, ku ishin formuar disa kongregacione. Së fundi «mbërriti në Derbë, e pastaj në Listër». Tregimi thotë: «Atje ishte një dishepull që quhej Timote, djali i një gruaje judeje besimtare, por me baba grek.»—Vep. 16:1.b
14 Me sa duket, Pavli e kishte takuar familjen e Timoteut herën e parë që kishte udhëtuar në atë zonë, rreth vitit 47 të e.s. Tani, gjatë vizitës së dytë, pas dy a tre vjetësh, i bëri përshtypje të veçantë i riu Timote. Përse? Sepse «vëllezërit . . . flitnin mirë për të». Nuk vlerësohej vetëm nga vëllezërit në qytetin e tij. Emri i tij i mirë i kishte kapërcyer kufijtë e kongregacionit ku shërbente. Tregimi shpjegon se vëllezërit thoshin fjalë të mira për të si në Listër, edhe në Ikoni, rreth 30 kilometra larg. (Vep. 16:2) Të drejtuar nga fryma e shenjtë, pleqtë i besuan Timoteut të ri një përgjegjësi mjaft të madhe: të ndihmonte Pavlin dhe Silën si mbikëqyrës udhëtues.—Vep. 16:3.
15, 16. Si fitoi një emër të mirë Timoteu?
15 Si e fitoi Timoteu këtë emër të mirë që në moshë të re? Mos vallë për shkak të inteligjencës, pamjes së jashtme ose aftësive të lindura? Shpesh njerëzve u bëjnë përshtypje tipare të tilla. Edhe profeti Samuel një herë u ndikua së tepërmi nga pamja e jashtme. Por, Jehovai i kujtoi: «Perëndia nuk sheh si sheh njeriu, sepse njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh në zemër.» (1 Sam. 16:7) Timoteu fitoi një emër të mirë mes të bashkëkrishterëve falë cilësive të tij, jo falë aftësive të lindura.
16 Vite më vonë, apostulli Pavël tha shumë fjalë të mira për Timoteun. Ai foli për natyrën e tij të mirë, dashurinë vetëmohuese dhe zellin me të cilin kryente caktimet teokratike. (Filip. 2:20-22) Timoteu njihej edhe për besimin «pa hipokrizi».—2 Tim. 1:5.
17. Si mund ta imitojnë Timoteun të rinjtë e sotëm?
17 Sot, shumë të rinj imitojnë Timoteun duke zhvilluar cilësi që i pëlqejnë Perëndisë. Kështu bëjnë një emër të mirë para Jehovait dhe popullit të tij, që në moshë të re. (Prov. 22:1; 1 Tim. 4:15) Shfaqin besim pa hipokrizi, duke refuzuar të bëjnë një jetë të dyfishtë. (Psal. 26:4) Si rrjedhojë, shumë të rinj mund të luajnë një rol të rëndësishëm në kongregacion, si Timoteu. Të gjithë ata që e duan Jehovain marrin zemër kur shohin këta të rinj të kualifikohen si lajmëtarë të lajmit të mirë dhe, në kohën e duhur, t’i kushtohen Jehovait e të pagëzohen.
«Besimi i kongregacioneve bëhej i patundur» (Veprat 16:4, 5)
18. (a) Ç’privilegje patën Pavli dhe Timoteu si mbikëqyrës udhëtues? (b) Si u bekuan kongregacionet?
18 Pavli dhe Timoteu shërbyen së bashku për vite të tëra. Si mbikëqyrës udhëtues, bënin gjithçka që i udhëzonte trupi udhëheqës. Bibla thotë: «Vendimet e apostujve dhe të pleqve në Jerusalem, ata ua përcillnin qyteteve ku shkonin, që t’i zbatonin.» (Vep. 16:4) Me sa duket, kongregacionet e ndoqën drejtimin e apostujve dhe të pleqve në Jerusalem. Falë kësaj bindjeje, «besimi i kongregacioneve bëhej i patundur dhe ato rriteshin ditë për ditë».—Vep. 16:5.
19, 20. Pse të krishterët duhet t’u binden «atyre që marrin drejtimin»?
19 Edhe sot, Dëshmitarët e Jehovait gëzojnë bekime kur u binden me gatishmëri udhëzimeve të «atyre që marrin drejtimin». (Hebr. 13:17) Skena e kësaj bote ndryshon vazhdimisht, ndaj është jetësore që të krishterët të jenë në një hap me ushqimin besimforcues që siguron «skllavi besnik dhe i mençur». (Mat. 24:45; 1 Kor. 7:29-31) Kjo na ndihmon që të mos largohemi nga e vërteta dhe të mbetemi të panjollë nga bota.—Jak. 1:27.
20 Vërtet, mbikëqyrësit e sotëm të krishterë, përfshirë edhe anëtarët e Trupit Udhëheqës, janë të papërsosur, siç ishin Pavli, Barnaba, Marku dhe pleq të tjerë të mirosur në shekullin e parë. (Rom. 5:12; Jak. 3:2) Por, ngaqë Trupi Udhëheqës ndjek me përpikëri Fjalën e Perëndisë dhe i përmbahet me kujdes modelit që lanë apostujt, jep prova se është i besueshëm. (2 Tim. 1:13, 14) Rrjedhimisht, kongregacionet forcohen dhe besimi i tyre bëhet i patundur.
a Shih kutinë «Marku merr shumë privilegje».
b Shih kutinë «Timoteu skllavërohet ‘për të çuar përpara lajmin e mirë’».