Forco besimin tek ajo që shpreson
«Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara.»—HEBR. 11:1.
1, 2. (a) Si ndryshon shpresa e çmuar e të krishterëve të vërtetë nga shpresa e njerëzve në botën e Satanait? (b) Cilat pyetje të rëndësishme do të shqyrtojmë tani?
ÇFARË shprese të mrekullueshme gëzojnë të krishterët e vërtetë! Të gjithë ne, qofshim të mirosur, qofshim «dele të tjera», shpresojmë të shohim plotësimin e qëllimit që kishte në fillim Jehovai dhe shenjtërimin e emrit të Tij. (Gjoni 10:16; Mat. 6:9, 10) Këto janë gjërat më fisnike që mund të presë njeriu. Veç kësaj, na digjet zemra për shpërblimin që është premtuar—jetën e përhershme ose si pjesë e ‘qiejve të rinj’ të Perëndisë, ose si pjesë e ‘tokës së re’. (2 Pjet. 3:13) Ndërkaq, shpresojmë që Perëndia do ta udhëheqë e do ta bekojë pareshtur popullin e vet.
2 Edhe ata që janë pjesë e botës së Satanait e kanë ndonjë lloj shprese, por mbase dyshojnë nëse do të bëhet ndonjëherë realitet. Për shembull, miliona bixhozçinj mund të shpresojnë të fitojnë një lotari, por s’ka si të jenë të sigurt për këtë. Nga ana tjetër, besimi i vërtetë është «pritja e sigurt» e shpresës sonë të krishterë. (Hebr. 11:1) Megjithatë, mbase pyet veten se si mund të jesh akoma më i sigurt për atë që pret. Dhe çfarë dobish vijnë kur ke besim të fortë tek ajo që shpreson?
3. Te cili fakt bazohet besimi i vërtetë i krishterë?
3 Besimi nuk është një cilësi që njerëzit mëkatarë e kanë të lindur ose e zhvillojnë natyrshëm. Besimi i krishterë është rezultat i frymës së shenjtë të Perëndisë që vepron te një zemër e ndjeshme. (Gal. 5:22) Bibla nuk thotë se Jehovai ka ose i nevojitet besim. Ngaqë është i plotfuqishëm dhe ka mençuri absolute, asgjë nuk e ndal dot Jehovain të përmbushë qëllimin e tij. Ati ynë qiellor është kaq i sigurt se bekimet që ka premtuar do të realizohen, sa për të ato tashmë janë realitet. Ja pse thotë: «U plotësuan!» (Lexo Zbulesën 21:3-6.) Besimi i krishterë buron nga fakti që Jehovai është «Perëndia i besueshëm» që e bën gjithnjë atë çka premton.—Ligj. 7:9.
MËSO NGA SHEMBUJT E LASHTË TË BESIMIT
4. Çfarë shprese kishin burrat e gratë plot besim që jetuan para Krishtit?
4 Kapitulli 11 i librit të Hebrenjve rendit emrat e 16 burrave e grave me besim të fortë. Shkrimtari i frymëzuar foli për ta dhe për shumë të tjerë që morën një «dëshmi» të mirë «nëpërmjet besimit të tyre». (Hebr. 11:39) «Pritja e sigurt» e të gjithë atyre ishte se Jehovai do të nxirrte ‘farën’ e premtuar për të shtypur rebelimin e Satanait dhe për të plotësuar qëllimin që kishte në fillim. (Zan. 3:15) Ata burra e gra me besim të patundur vdiqën para se ‘fara’ e premtuar, Jezu Krishti, të hapte udhën për jetën qiellore. (Gal. 3:16) Sidoqoftë, falë premtimeve të Jehovait që nuk shkojnë kurrë bosh, ata do të ringjallen për të jetuar si njerëz të përsosur në tokën parajsore.—Psal. 37:11; Isa. 26:19; Hoz. 13:14.
5, 6. Ku e përqendruan shpresën Abrahami dhe familjarët e tij, dhe si e mbajtën të fortë besimin? (Shih figurën hapëse.)
5 Ja çfarë thuhet te Hebrenjve 11:13 për disa që jetuan në kohët para krishterimit: «Të gjithë këta vdiqën me besim, megjithëse nuk e morën përmbushjen e premtimeve, por i panë ato nga larg e i mirëpritën.» Një prej tyre ishte Abrahami. A e mbajti të qartë në mendje ai shpresën e mrekullueshme për të jetuar nën mbretërimin e «farës» së premtuar? Jezui i dha përgjigje të qartë kësaj pyetjeje kur u tha kundërshtarëve të tij: «Abrahami, ati juaj, u gëzua shumë nga shpresa për të parë ditën time, dhe e pa e gëzoi.» (Gjoni 8:56) Njësoj ndodhi me Sarën, Isakun, Jakobin dhe plot të tjerë, të cilët e përqendruan shpresën te Mbretëria që do të vinte, ‘ndërtuesi dhe bërësi i së cilës është Perëndia’.—Hebr. 11:8-11.
6 Si e mbajtën të fortë besimin Abrahami dhe familjarët e tij? Ka të ngjarë që ata mësuan për Perëndinë nga çfarë u thanë të moshuarit besnikë, nga gjërat që u zbuloi Perëndia ose nga dokumentet e lashta të besueshme. Ç’është më e rëndësishmja, nuk e harruan atë që mësuan, por i ruajtën në zemër premtimet dhe kërkesat e Perëndisë e medituan për to. Meqë shpresa e tyre ishte kaq e sigurt, ata burra e gra ishin gati të vuanin çfarëdo vështirësie për t’i qëndruar besnikë Perëndisë.
7. Çfarë të mirash na ka siguruar me dashamirësi Jehovai që të zhvillojmë besim të fortë, dhe ç’duhet të bëjmë me këto të mira?
7 Për ta mbajtur besimin të fortë, Jehovai na ka siguruar me dashamirësi Fjalën e tij të plotë, Biblën. Që të jemi ‘të lumtur’ dhe ‘të na shkojë mbarë’, duhet ta lexojmë Fjalën e Perëndisë rregullisht, çdo ditë po të jetë e mundur. (Psal. 1:1-3; lexo Veprat 17:11.) Pastaj, ashtu si adhuruesit e Jehovait në kohët para krishterimit, duhet të vazhdojmë t’i bluajmë në mendje premtimet e Perëndisë dhe t’u bindemi kërkesave të tij. Jehovai na ka bekuar edhe me një bollëk ushqimi që na e siguron nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mat. 24:45) Kështu, po ta çmojmë atë që mësojmë nga gjithë të mirat që na servir Jehovai, do të jemi si shembujt e lashtë të besimit që ‘pritnin të sigurt’ realizimin e shpresës së Mbretërisë.
8. Si mund të na e forcojnë besimin lutjet?
8 Edhe lutjet patën rol jetësor për t’i ndihmuar dëshmitarët në kohën para krishterimit që ta mbanin të fortë besimin. Teksa përjetonin si u përgjigjej Perëndia lutjeve të tyre, u forcohej besimi. (Neh. 1:4, 11; Psal. 34:4, 15, 17; Dan. 9:19-21) Edhe ne mund t’ia zbrazim Jehovait shqetësimet që kemi, të sigurt se ai do të na dëgjojë dhe do të na japë forcë të qëndrojmë me gëzim. E kur lutjet tona marrin përgjigje, besimi na bëhet akoma më i fortë. (Lexo 1 Gjonit 5:14, 15.) Besimi është një aspekt i frytit të frymës, prandaj duhet ‘të vazhdojmë të kërkojmë’ frymën e Perëndisë, siç na nxiti Jezui.—Luka 11:9, 13.
9. Përveçse të lutemi për veten, për kë tjetër duhet të lutemi?
9 Sidoqoftë, lutjet që i bëjmë Perëndisë nuk duhet të kufizohen te kërkesat për të na ndihmuar. Çdo ditë mund ta falënderojmë dhe ta lëvdojmë Jehovain për ‘veprat e mrekullueshme’ që janë ‘ku e ku më tepër nga sa mund të numërojmë’. (Psal. 40:5) Veç kësaj, lutjet tona duhet të tregojnë se ‘i kujtojmë ata që janë në vargonj, sikur të jemi në vargonj me ta’. Gjithashtu, duhet të lutemi për vëllazërinë tonë mbarëbotërore, e sidomos për ‘ata që marrin drejtimin mes nesh’. Prekemi në zemër kur shohim si u përgjigjet Jehovai lutjeve që i bëjmë të gjithë bashkë.—Hebr. 13:3, 7.
NUK PRANUAN TË BËNIN KOMPROMIS
10. Cilët shërbëtorë të Perëndisë që nuk pranuan të bënin kompromis me integritetin e tyre janë shembull për ne, dhe çfarë u dha forcë për këtë?
10 Në kapitullin 11 të Hebrenjve, apostulli Pavël flet për sprovat që duruan shumë shërbëtorë të Perëndisë që s’i njohim me emër. Për shembull, apostulli përmend gra plot besim që vdekja u rrëmbeu bijtë, por që më vonë i morën prapë me anë të ringjalljes. Më tej përmend të tjerë që «nuk pranuan të çliroheshin nëpërmjet ndonjë shpërblese, që të fitonin një ringjallje më të mirë». (Hebr. 11:35) Edhe pse s’mund të jemi të sigurt cilët kishte ndër mend Pavli, disa shërbëtorë të Perëndisë, si Nabotin dhe Zakarinë, i vranë me gurë ngaqë i bindeshin Perëndisë dhe bënin vullnetin e tij. (1 Mbret. 21:3, 15; 2 Kron. 24:20, 21) Danieli dhe shokët e tij pa diskutim kishin mundësi që ‘të pranonin të çliroheshin’ duke bërë kompromis me integritetin e tyre. Në vend të kësaj, besimi te fuqia e Perëndisë i ndihmoi që, si të thuash, ‘t’u mbyllnin gojën luanëve’ dhe ‘t’i qëndronin forcës së zjarrit’.—Hebr. 11:33, 34; Dan. 3:16-18, 20, 28; 6:13, 16, 21-23.
11. Cilave sprova u bënë ballë disa profetë falë besimit?
11 Për shkak të besimit të tyre, profetë të tillë si Mikajahu dhe Jeremia «u sprovuan me përqeshje . . . dhe burgje». Të tjerë, si Elija, «shkuan sa andej-këtej nëpër vende të shkreta, nëpër male, nëpër shpella dhe guva të tokës». Të gjithë ata treguan qëndrueshmëri sepse ‘i pritnin të sigurt gjërat e shpresuara’.—Hebr. 11:1, 36-38; 1 Mbret. 18:13; 22:24-27; Jer. 20:1, 2; 28:10, 11; 32:2.
12. Kush na la shembullin më të shkëlqyer të qëndrueshmërisë në sprova, dhe çfarë e ndihmoi ta bënte këtë?
12 Pasi foli për disa burra e gra me besim të fortë, Pavli e drejtoi vëmendjen te shembulli më i shkëlqyer nga të gjithë—te Zotëria ynë Jezu Krisht. Te Hebrenjve 12:2 thuhet: «Për gëzimin që iu vu përpara, ai duroi një shtyllë torture, e përbuzi turpin dhe është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë.» Vërtet, ne duhet ‘të shqyrtojmë me kujdes’ shembullin e besimit që na la Jezui përballë sprovës më të rëndë. (Lexo Hebrenjve 12:3.) Sikurse Jezui, edhe martirët e hershëm të krishterë, si dishepulli Antipa, nuk pranuan të bënin kompromis me integritetin e tyre. (Zbul. 2:13) Si shpërblim, ata do të ringjalleshin për të jetuar në qiell—një ringjallje që ia kalon ‘ringjalljes më të mirë’ që mezi e pritnin burrat e gratë plot besim të lashtësisë. (Hebr. 11:35) Pas lindjes së Mbretërisë më 1914, të gjithë këta të mirosur besnikë, që kishin rënë në gjumin e vdekjes, u ringjallën në qiell që të qeverisin mbi njerëzimin bashkë me Jezuin.—Zbul. 20:4.
SHEMBUJ BESIMI NË DITËT TONA
13, 14. Cilat sprova kaloi Rudolf Graikeni, dhe çfarë e ndihmoi të tregonte qëndrueshmëri?
13 Miliona adhurues të Perëndisë sot po ndjekin shembullin e Jezuit duke i mbajtur sytë krejtësisht të përqendruar te shpresa e tyre dhe duke mos lejuar që sprovat t’ua dobësojnë besimin. Të mendojmë për shembullin e Rudolf Graikenit, që lindi në Gjermani më 1925. Ai kujtonte pikturat me skena biblike në muret e shtëpisë së tij dhe shkruante: «Një pikturë tregonte ujkun dhe qengjin, kecin dhe leopardin, viçin dhe luanin. Të gjithë ishin në paqe dhe u printe një djalë i vogël. . . . Këto piktura më lanë mbresa të pashlyeshme.» (Isa. 11:6-9) Ndonëse e përndoqën mizorisht për shumë vjet—në fillim Gestapoja naziste e më vonë Stasi komunist në Gjermaninë Lindore—Rudolfi e mbajti të fortë besimin te toka parajsore.
14 Ai hasi edhe sprova të tjera të rënda: nëna e tij e shtrenjtë vdiq nga tifoja në kampin e përqendrimit të Ravensbrukut, dhe ai pa të atin t’i dobësohej besimi deri në atë pikë sa nënshkroi një dokument ku hiqte dorë nga besimi si Dëshmitar i Jehovait. Pasi e liruan nga burgu, Rudolfi pati privilegjin të shërbente si mbikëqyrës qarkor dhe më pas e ftuan në Shkollën e Galaadit. U caktua si misionar në Kili dhe atje shërbeu sërish si mbikëqyrës qarkor. Por sprovat e tij s’kishin marrë fund ende. Një vit pasi u martua me një misionare, Patsin, vogëlushja e tyre vdiq. Më vonë vdiq edhe gruaja e tij e dashur, që ishte vetëm 43 vjeçe. Rudolfi u bëri ballë gjithë atyre sprovave dhe, ndonëse i moshuar e shëndetlig, po shërbente si pionier i rregullt dhe si plak kur doli jetëshkrimi i tij në Kullën e Rojës të 1 gushtit 1997, faqet 20-25.[1]
15. Jepni disa shembuj se si Dëshmitarë të Jehovait sot po përballojnë me gëzim përndjekjen.
15 Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë të gëzojnë në shpresë, pavarësisht nga përndjekjet e egra dhe të pareshtura. Për shembull, në Eritre, në Singapor dhe në Korenë e Jugut shumë nga motrat e vëllezërit tanë janë të burgosur, kryesisht ngaqë veprojnë në harmoni me fjalët e Jezuit që të mos marrim shpatën. (Mat. 26:52) Ndër këta qindra të burgosur janë vëllezërit Isak, Negede dhe Paulos, që kanë mbi 20 vjet në një burg të Eritresë. Këta vëllezër, që u është mohuar liria për t’u kujdesur për prindërit e moshuar dhe për t’u martuar, kanë qëndruar besnikë me gjithë keqtrajtimin e ashpër. Optimizmi që pasqyrohet në fytyrat e tyre, siç e shohim në sitin tonë jw.org, tregon se e kanë mbajtur besimin të fortë. Madje edhe rojat e burgut kanë krijuar respekt për ta.
16. Si mund të të mbrojë besimi i fortë?
16 Shumicës së shërbëtorëve të Jehovait nuk u është dashur të durojnë përndjekje të ashpra. Ata kanë pasur sprova besimi të një lloji tjetër. Shumë prej tyre janë përballur me varfërinë ose kanë vuajtur gjatë luftërave civile a katastrofave natyrore. Të tjerë janë si Moisiu dhe patriarkët, pasi kanë hequr dorë nga një jetë e rehatshme e luksoze ose nga fama në botë. Ata i rezistojnë me të gjitha forcat tundimit për të bërë një jetë materialiste dhe egoiste. Çfarë i ndihmon? Dashuria për Jehovain dhe besimi i fortë te premtimi se ai do t’i ndreqë gjithë padrejtësitë dhe do t’i shpërblejë besnikët e tij me jetën e përhershme në një botë të re të drejtë.—Lexo Psalmin 37:5, 7, 9, 29.
17. Çfarë je i vendosur të bësh, dhe ç’do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?
17 Në këtë artikull, kemi parë se si meditimi për premtimet e Perëndisë dhe lutjet e rregullta do të na e mbajnë besimin të fortë. E kjo do të na ndihmojë t’u bëjmë ballë sprovave të besimit teksa përqendrohemi te shpresa jonë e krishterë me një ‘pritje të sigurt’. Megjithatë, përshkrimi që jep Bibla për besimin përfshin më shumë se kaq, siç do ta shohim në artikullin tjetër.
^ [1] (paragrafi 14) Shih edhe artikullin «Me gjithë sprovat, shpresa ime ka mbetur e gjallë» në revistën Zgjohuni! të 22 prillit 2002 (anglisht), ku gjendet jetëshkrimi i Andrej Hanakut nga Sllovakia.