Vazhdoni të ndërtoni njëri-tjetrin
«Asnjë fjalë e kalbur të mos dalë nga goja juaj, por çdo fjalë e mirë për ndërtim.»—EFESIANËVE 4:29, NW.
1, 2. (a) Përse me të drejtë mund të thuhet se të folurit është diçka e mrekullueshme? (b) Përse është e nevojshme të jemi të kujdesshëm për mënyrën se si e përdorim gjuhën?
TË FOLURIT është si një fill magjik që bashkon miq, familje dhe shoqëri . . . Në saje të proceseve të mendjes njerëzore e të tkurrjeve të bashkërenditura të muskujve [të gjuhës], ne krijojmë zëra që frymëzojnë çdo ndjenjë njerëzore si dashurinë, zilinë, respektin etj.»—Hearing, Taste and Smell (Dëgjim, shije dhe nuhatje).
2 Gjuha jonë është shumë më tepër, sesa vetëm një organ për gëlltitje apo shijim; është pjesë e aftësisë sonë që të shprehim mendimet dhe ndjenjat. «Gjuha është një gjymtyrë e vogël», ka shkruar Jakovi. «Me të bekojmë Jehovain, po, Atin, gjithashtu me të mallkojmë njerëzit e krijuar ‘ngjashëm Perëndisë’.» (Jakovi 3:5, 9, NW ) Po, ne mund ta përdorim gjuhën tonë në mënyra të shkëlqyeshme, për shembull për të lavdëruar Jehovain. Por, duke qenë të papërsosur, lehtë mund ta përdorim gjuhën tonë për të thënë gjëra të dëmshme apo negative. Jakovi shkroi: «Nuk ia vlen, vëllezërit e mi, që këto gjëra të vazhdojnë të ndodhin në këtë mënyrë.»—Jakovi 3:10, NW.
3. Në lidhje me mënyrën e të folurit, cilat janë dy aspektet që duhet t’u kushtojmë kujdes?
3 Edhe pse asnjë njeri nuk mund ta kontrollojë gjuhën e tij në mënyrë të përsosur, sigurisht që duhet të përpiqemi të përmirësohemi. Apostulli Pavël na këshillon: «Asnjë fjalë e kalbur të mos dalë nga goja juaj, por çdo fjalë e mirë për ndërtim sipas nevojës, për t’i dhënë atë që është e favorshme dëgjuesve.» (Efesianëve 4:29, NW ) Vërej se ky urdhër përmbledh dy aspekte: çfarë duhet të përpiqemi të evitojmë dhe ç’duhet të kërkojmë që të bëjmë. Le t’i shqyrtojmë të dy aspektet.
Të evitojmë të folurin e kalbur
4, 5. (a) Çfarë lufte bëjnë të krishterët ndaj të folurit të neveritshëm? (b) Çfarë përfytyrimi i përshtatet shprehjes «fjalë e kalbur»?
4 Efesianëve 4:29 së pari na këshillon: «Asnjë fjalë e kalbur të mos dalë nga goja juaj.» Mbase nuk është e lehtë të ndjekësh këtë këshillë. Një arsye është se të folurit e neveritshëm është shumë i përhapur në botën përreth nesh. Shumë të rinj të krishterë çdo ditë dëgjojnë fjalë të ndyra, për arsye se shokët e tyre të shkollës mund të mendojnë se ato i japin më forcë asaj që thonë apo i bëjnë të duken të fuqishëm. Ndoshta nuk mund ta evitojmë plotësisht dëgjimin e fjalëve të tilla, por mund dhe duhet të bëjmë përpjekje të vetëdijshme që të mos i përvetësojmë ato. Ato nuk kanë asnjë vend në mendjen apo në gojën tonë.
5 Paralajmërimi i Pavlit ka lidhje me fjalën greke që ka të bëjë me peshkun e prishur apo frutat e kalbura. Përfytyroni këtë skenë: Jeni duke vështruar një njeri që bëhet i padurueshëm dhe pastaj krejtësisht i tërbuar. Më në fund, ai shpërthen dhe ju shihni se si nga goja e tij del një peshk i qelbur. Pastaj shikoni të dalin fruta të kalbura dhe që vinin era kërmë, duke spërkatur të gjithë ata që janë përreth. Kush do të jetë ai? Sa e tmerrshme nëse do të ishte njëri prej nesh! Megjithatë, një përfytyrim i tillë mund të jetë i përshtatshëm nëse ne lejojmë që «të dalin nga goja jonë fjalë të kalbura».
6. Si aplikohet Efesianëve 4:29 në të folurit kritik, negativ?
6 Një mësim tjetër që mund të nxjerrim nga Efesianëve 4:29 është që nuk duhet të jemi gjithmonë kritikë. Është e vërtetë, se të gjithë kemi mendimet dhe shijet, por a ju ka ndodhur të qëndroni afër ndokujt që gjen gjithmonë diçka negative për të thënë mbi gjithçka e mbi të gjithë, cilindo person, vend apo gjë që përmendet? (Krahaso Romakëve 12:9; Hebrenjve 1:9.) Mënyra e tij e të folurit të rraskapit, të dëshpëron e të shkatërron. (Psalmet 10:7; 64:2-4; Proverbat 16:27; Jakovi 4:11, 12) Ai ndoshta nuk e kupton, se sa i ngjan personave kritikë të përshkruar nga Malakia. (Malakia 3:13-15) Sa i tronditur do të mbetej nëse ndokush do t’i thoshte, se nga goja e tij po del një peshk i prishur apo fruta të kalbura!
7. Ç’pyetje duhet t’i bëjë vetes secili prej nesh?
7 Është e lehtë të dallosh kur ndonjë tjetër bën gjithmonë komente negative apo kritike, megjithatë pyetni veten: «A kam edhe unë një prirje të tillë?» Do të ishte e mençur që kohë pas kohe të mendojmë mbi frymën që paraqesin fjalët tona. A janë ato në rradhë të parë negative, kritike? A i ngjajmë tre ngushëlluesve të rremë të Jobit? (Jobi 2:11; 13:4, 5; 16:2; 19:2) Përse të mos gjejmë ndonjë anë pozitive për të përmendur? Nëse një bisedë është kryesisht kritike, përse mos ta drejtojmë në argumente ndërtuese?
8. Çfarë mësimi nxjerrim nga Malakia 3:16 dhe si mund të tregojmë se po e aplikojmë këtë mësim?
8 Malakia bëri këtë kontrast: «Ata që kishin frikë nga Jehovai flisnin me njëri-tjetrin, secili me shokun e tij, dhe Jehovai u kushtonte kujdes dhe i dëgjonte. Dhe libri i kujtesës filloi të shkruhej para tij për ata që kishin frikë nga Jehovai dhe për ata që mendonin mbi emrin e tij.» (Malakia 3:16) A ke vënë re, se si Perëndia reagoi ndaj të folurit ndërtues? Çfarë efekti mund të kenë bërë këto biseda mbi dëgjuesit? Personalisht kjo mund të na bëhet një mësim mbi mënyrën e të folurit tonë të përditshëm. Sa mirë është për ne dhe për të tjerët nëse bisedat tona normale pasqyrojnë «sakrificën e lavdisë që i ofrojmë Perëndisë»!—Hebrenjve 13:15, NW.
Punoni për të ndërtuar të tjerët
9. Përse mbledhjet e krishtere janë raste të shkëlqyera për të ndërtuar të tjerët?
9 Mbledhjet e kongregacionit janë raste të shkëlqyeshme për të shprehur «çdo fjalë të mirë për të ndërtuar sipas nevojës, për t’i dhënë atë që është e favorshme dëgjuesve.» (Efesianëve 4:29, NW ) Këtë mund ta bëjmë kur mbajmë një ligjëratë mbi informacionet biblike, kur marrim pjesë në një prezantim apo kur komentojmë gjatë pjesëve të programit me pyetje dhe përgjigje. Kështu tregojmë vërtetësinë e Proverbit 20:15: «Buzët e njohurisë janë vazo të çmuara.» Dhe kush e di se sa zemra do të prekim apo do të ndërtojmë?
10. Pasi kemi menduar se me kë flasim zakonisht, ç’ndryshim do të ishte me vend të bëje? (2. Korintasve 6:12, 13)
10 Është mirë të përdorim kohën para dhe pas mbledhjes për të ndërtuar të tjerët me biseda të favorshme për dëgjuesit. Do të ishte e lehtë të harxhohen këto momente në bisedë të këndshme me kushërinjtë dhe me disa miq, me të cilët ndihemi rehat të rrimë. (Gjoni 13:23; 19:26) Megjithatë, në përputhje me Efesianëve 4:29, përse të mos kërkojmë të flasim me të tjerët? (Krahaso Luka 14:12-14) Mund të vendosim që më parë që disa të rinjve në mbledhje, të moshuarve apo të rinjve të mos u themi vetëm formalisht mirëdita, por madje të ulemi edhe me fëmijët që të vëmë veten në nivelin e tyre. Interesimi ynë i sinqertë dhe bisedat tona ndërtuese do t’u japin mundësi të tjerëve që akoma më shumë të imitojnë ndjenjat e shprehura nga Davidi në Psalmin 122:1.
11. (a) Çfarë zakoni ka shumica në lidhje me vendin ku ulen? (b) Përse disa me qëllim e ndërrojnë vendin?
11 Një tjetër gjë që do të na ndihmojë të bëjmë biseda ndërtuese është të mos ulemi gjithmonë në të njëjtin vend në mbledhje. Një nënë me fëmijë të vogël mund të ketë nevojë të ulet afër banjos, apo ndonjë i sëmurë ka nevojë të ulet në një rrjesht anësor, por ç’mund të themi për shumicën prej nesh? Mund të ulemi gjithmonë në të njëjtin vend apo sektor thjeshtë për zakon; edhe një zog kthehet instiktivisht në folenë e tij. (Isaia 1:3; Mateu 8:20) Pra sinqerisht të themi, meqenëse mund të ulemi kudo, përse të mos e ndërrojmë vendin—duke u ulur në anën e djathtë, anën e majtë, më përpara, e kështu me rradhë—dhe në këtë mënyrë të njohim më mirë të tjerët? Edhe pse nuk ka një rregull për këtë, duke evituar të ulemi gjithmonë në të njëjtin vend, pleqtë dhe vëllezër të tjerë të pjekur e kanë parë më të lehtë t’i japin atë që është e favorshme shumicës në vend se relativisht vetëm pak miqve të afërt.
Ndërtoni në mënyrën që pranon Perëndia
12. Cila prirje negative ka qenë e dukshme gjatë gjithë historisë?
12 Dëshira e një të krishteri për të ndërtuar të tjerët duhet ta nxisë atë që në këtë aspekt të imitojë Perëndinë në vend se të ndjekë prirjen njerëzore për të vendosur një numër të madh rregullash.a Prej shumë kohësh njerëzit e papërsosur për të sunduar ata që janë përreth tyre, madje edhe disa shërbëtorë të Perëndisë kanë rënë në këtë prirje. (Zanafilla 3:16; Eklisiastiu 8:9) Në kohën e Jezuit, udhëheqësit hebrenj «lidhnin barra të rënda mbi supet e të tjerëve, por ata vetë nuk donin t’i lëvizin as me gisht». (Mateu 23:4, NW ) Zakonet e padëmshme i kishin kthyer në tradita të detyrueshme. Me shqetësimin e tyre të tepërt për rregullat njerëzore, linin pas dore gjëra shumë më të rëndësishme para syve të Perëndisë. Duke vendosur rregulla të shumta jobiblike, ata nuk ndërtonin asnjë; mënyra e tyre e të vepruarit nuk ishte aspak ajo e Perëndisë.—Mateu 23:23, 24; Marku 7:1-13.
13. Përse nuk është e përshtatshme vendosja e rregullave të shumta për bashkëbesimtarët tanë të krishterë?
13 Të krishterët dëshirojnë sinqerisht t’u përmbahen ligjeve hyjnore. Por, edhe ne mund të biem viktima të prirjes për të vendosur rregulla të shumta shtypëse. Përse? Para së gjithash shijet apo parapëlqimet ndryshojnë, prandaj disave mund t’u jetë e pranueshme ajo që të tjerëve nuk u pëlqen dhe që ndjejnë se duhet evituar. Të krishterët ndryshojnë edhe përsa i përket përparimit drejt pjekurisë frymore. Por mënyra e pranueshme nga Perëndia për të ndihmuar ndonjë të përparojë drejt pjekurisë, a ka të bëjë ndoshta me vendosjen e rregullave të shumta? (Filipianëve 3:15; 1. Timoteut 1:19; Hebrenjve 5:14) Edhe kur dikush është duke ndjekur një sjellje që duket ekstreme apo e rrezikshme, a është zgjidhja më e mirë vendosja e një rregulle kufizuese? Mënyra që tregon Perëndia është që personat e aftësuar të kërkojnë të përmirësojnë atë që po gabon, duke arsyetuar me butësi me të—Galatasve 6:1.
14. Për çfarë qëllimesh shërbenin ligjet që Perëndia i dha Izraelit?
14 Me të vërtetë, kur e përdori Izraelin si popullin e tij, Perëndia vendosi me qindra ligje mbi adhurimin në tempull, flijimet si dhe në fushën shëndetësore. Kjo ishte e përshtatshme për një komb të veçantë dhe shumë prej atyre ligjeve kishin një domethënie profetizuese dhe ndihmuan për drejtimin e hebrenjve nga Mesia. Pavli shkroi: «Ligji u bë mbikëqyrësi ynë që na drejton tek Krishti me qëllim që të shpalleshim të drejtë nëpërmjet besimit. Por, tani që besimi arriti, nuk jemi më nën mbikëqyrësin.» (Galatasve 3:19, 23-25, NW ) Pasi e fshiu Ligjin në shtyllën e mundimeve, Perëndia nuk i dha të krishterëve një listë të gjatë rregullash mbi aspektet e shumta të jetës, sikur të ishte kjo mënyra për t’i mbajtur të fortë në besim.
15. Ç’udhëheqje ka siguruar Perëndia për adhuruesit e krishterë?
15 Natyrisht, ne nuk jemi pa ligj. Perëndia na urdhëron të përmbahemi nga idhujtaria, kurvëria, nga kurorëthyerja si dhe nga përdorimi i gabuar i gjakut. Ai veçanërisht ndalon vrasjen, gënjeshtrën, spiritizmin dhe mëkate të tjera të ndryshme. (Veprat 15:28, 29; 1. Korintasve 6:9, 10; Zbulesa 21:8) Dhe në Fjalën e tij jep këshilla të qarta për shumë gjëra. E megjithatë, në masë shumë më të gjërë se izrealitët, ne jemi përgjegjës që të mësojmë dhe zbatojmë kriteret biblike. Pleqtë mund të ndërtojnë të tjerët duke u ndihmuar që të përcaktojnë dhe shqyrtojnë këto kritere në vend që vetëm të kërkojnë dhe të vendosin rregulla.
Pleq që ndërtojnë
16, 17. Ç’shembull të shkëlqyer jepnin apostujt në lidhje me vendosjen e rregullave për bashkëbesimtarët?
16 Pavli ka shkruar: «Deri ku kemi përparuar, të vazhdojmë të ecim në rregull në të njëjtin drejtim.» (Filipianëve 3:16, NW ) Në përputhshmëri me këtë pikëpamje hyjnore, apostulli i trajtoi të tjerët në mënyrë ndërtuese. Për shembull, lindi pyetja nëse hahej apo jo mishi që mund të vinte nga tempulli i një idhulli. A vendosi ky plak, ndoshta për arsye të koherencës apo thjeshtësisë, ndonjë rregull për të gjithë kongregacionet primitive? Jo. Ai ka pranuar se sipas shkallës së njohurisë dhe përparimit drejt pjekurisë, ata të krishterë do të kishin zgjedhje të ndryshme. Përsa i takon atij, ishte i vendosur të jepte një shembull të mirë.z—Romakëve 14:1-4; 1. Korintasve 8:4-13.
17 Shkrimet e Krishtere Greke tregojnë se apostujt dhanë këshilla të dobishme në lidhje me disa çështje personale, si mbi mënyrën e të veshurit apo të të krehurit, por nuk vendosën rregulla të përgjithshme. Ky është sot një shembull i mirë për mbikëqyrësit e krishterë, që janë të interesuar për ndërtimin e kopesë. Me këtë, në të vërtetë, zgjerohet kriteri që Perëndia tashmë kishte ndjekur me Izraelin e vjetër.
18. Ç’rregulla i dha Jehovai Izraelit në lidhje me të veshurit?
18 Perëndia nuk u kishte dhënë izraelitëve ligje të hollësishme mbi veshjen. Siç duket, burra e gra përdornin rroba apo mantele të ngjashme, edhe pse ato të femrave mund të ishin të qëndisura apo me shumë ngjyra. Që të dy gjinitë vishnin gjithashtu sadhin, apo veshjen e brendshme. (Gjykatësit 14:12; Proverbat 31:24; Isaia 3:23) Ç’ligje kishte dhënë Perëndia në lidhje me të veshurit? As burrat e as gratë nuk duhet të vishnin rrobat e gjinisë së kundërt, siç duket me qëllime homoseksuale. (Ligji i përtrirë 22:5) Për të treguar që ishin të ndarë nga kombet përreth, izraelitët duhet të qepnin thekë në kindet e rrobave dhe të vinin një kordon të vogël blu mbi thekët, ndoshta vinin edhe napë në cepat e mantelit. (Numrat 15:38-41) Kryesisht këto janë të gjitha udhëzimet që përmbante Ligji në lidhje me veshjen.
19, 20. (a) Ç’udhëzime u jep Bibla të krishterëve në lidhje me veshjen dhe stolisjen? (b) Ç’mendim duhet të kenë pleqtë mbi vendosjen e rregullave në lidhje me paraqitjen personale?
19 Edhe pse të krishterët nuk janë nën Ligjin, a gjejmë në Bibël rregulla të tjera të hollësishme mbi mënyrën se si të vishemi apo të zbukurohemi? Në fakt jo. Perëndia parashikoi kritere të ekuilibruara që mund t’i zbatojmë. Pavli ka shkruar: «Dëshiroj që gratë të zbukurohen me veshje të përshtatshme, me modesti e mendje të shëndoshë, jo me gërsheta, me ar, me perla apo me veshje luksoze.» (1. Timoteut 2:9, NW ) Pjetri i porositi gratë e krishtere që në vend se të përqëndroheshin në zbukurimet e jashtme, të përqëndroheshin mbi «fshehtësinë e zemrës së personit në veshjen e paprishur të frymës së butë e të qetë». (1. Pjetrit 3:3, 4, NW ) Vetë fakti që këto këshilla janë të shënuara na kujton se disa të krishterë të shekullit të parë ndoshta kishin nevojë të visheshin e të kriheshin më thjesht dhe më të kufizuar. Megjithatë, në vend që të kërkojnë—apo ndalojnë—disa nga mënyrat e të veshurit, apostujt janë mjaftuar në dhënien e këshillave ndërtuese.
20 Dëshmitarët e Jehovait në përgjithësi janë të respektuar për shkak të pamjes së tyre të thjeshtë. Megjithatë, stili ndryshon nga vendi në vend madje edhe brenda një rajoni apo kongregacioni. Natyrisht, një plak që ka mendime apo shije të caktuara për veshjen apo stolisjen është i lirë të vendosë për veten dhe familjen e tij. Por, për sa i takon kopesë, ai duhet të ketë në mendje atë që thotë Pavli: «Ne nuk jemi zotërinj mbi besimin tuaj, por jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj, sepse ju qëndroni në këmbë me anë të besimit tuaj.» (2. Korintasve 1:24, NW ) Po, duke rezistuar ndaj çdo tentimi në vendosjen e rregullave për kongregacionin, pleqtë punojnë për ndërtimin e besimit të të tjerëve.
21. Në ç’mënyrë pleqtë mund të japin ndihmë ndërtuese nëse ndokush vishet në mënyrë ekstreme?
21 Sikur në shekullin e parë, ndonjë person i ri apo i dobët në kuptim frymor ndonjë herë mund të ketë një mendim jo të matur apo të diskutueshëm për t’u veshur, për të bërë makjazhin apo vënien e stolive. Ç’të bëjmë në këtë rast? Përsëri, Galatasve 6:1 u jep udhëheqje pleqve të krishterë që dëshirojnë sinqerisht t’i ndihmojnë. Para se të vendosë të japë një këshillë, një plak me mençuri mund të konsultohet me një plak tjetër, duke evituar të shkojë tek ai plak që e di se ka të njëjtat mendime apo shije sikurse ai. Nëse duket se një prirje e botës në veshje apo stolisje po ndikon në shumë pjesëtarë të kongregacionit, trupi i pleqve mund të diskutojë se cila është mënyra më e mirë për t’i ndihmuar, për shembull me anë të një pjese të këndëshme ndërtuese në një mbledhje apo duke ofruar ndihmë personale. (Proverbat 24:6; 27:17) Objektivi i tyre duhet të jetë inkurajimi sipas mendimit të treguar në 2. Korintasve 6:3: «Ne nuk japim në asnjë mënyrë shkak për pengesë, me qëllim që të mos kenë ç’të thonë për shërbimin tonë.»—NW.
22. (a) Përse s’duhet të shqetësohemi nëse kanë pikëpamje të ndryshme për gjërat me pak rëndësi? (b) Çfarë shembulli të shkëlqyer dha Pavli?
22 Pleqtë e krishterë që «kullosin kopenë e Perëndisë të besuar nën kujdesin e tyre», dëshirojnë të ndjekin këshillën e Pjetrit, «të mos zotërojnë mbi ata që janë trashëgim i Perëndisë» (1. Pjetrit 5:2, 3) Gjatë zhvillimit të punës së tyre plot dashuri, mund të lindin pyetje mbi çështje në lidhje me të cilat ka pikëpamje të ndryshme. Ndoshta është shprehi lokale qëndrimi në këmbë për leximin e paragrafeve gjatë studimit të Kullës së Rojës. Përgatitjet e grupit për shërbimin në fushë dhe shumë hollësira të tjera në lidhje me shërbimin mund të trajtohen sipas zakoneve të vendit. Mirëpo, a do të ndodhte ndonjë katastrofë nëse ndokush vepron në një mënyrë pak të ndryshme? Mbikëqyrësit dashamirës dëshirojnë që «çdo gjë të bëhet në mënyrë të denjë dhe me rregull», shprehje e përdorur nga Pavli në lidhje me dhuratat e mrekullueshme. Por, konteksti tregon se interesi kryesor i Pavlit ishte «ndërtimi i kongregacionit». (1. Korintasve 14:12, 40) Ai nuk tregoi aspak prirje për të vendosur një pafundësi me rregulla, sikur të kishte për qëllim kryesor njëllojshmërinë absolute apo efektivitet të plotë. Ai shkroi: «Zotëria [na dha autoritetin] për t’ju ndërtuar e jo për t’ju rrënuar.»—2. Korintasve 10:8, NW.
23. Në cilat mënyra mund të imitojmë shembullin e Pavlit në ndërtimin e të tjerëve?
23 Padyshim që Pavli punoi për ndërtimin e të tjerëve me ligjërata pozitive dhe inkurajuese. Në vend që të shoqërohej me një rreth të vogël miqsh, bëri përpjekje të shumta për të vizituar shumë vëllezër e motra, si ata të fortë në kuptim frymor edhe ata që kishin veçanërisht nevojë të ndërtoheshin. Dhe i dha rëndësi dashurisë dhe jo rregullave, sepse «dashuria ndërton».—1. Korintasve 8:1.
[Shënimi]
a Brenda familjes, rrethanat mund të bëjnë të këshillueshme vendosjen e rregullave të ndryshme. Bibla i autorizon prindërit që të vendosin për fëmijët e vegjël.—Të Dalët 20:12; Proverbat 6:20; Efesianëve 6:1-3.
Pyetjet për përsëritje
◻ Përse është mirë të ndryshojmë, nëse kemi prirje të flasim në mënyrë negative apo kritike?
◻ Ç’mund të bëjmë që të jemi më tepër ndërtues në kongregacion?
◻ Çfarë shembulli mësojmë nga Perëndia rreth vendosjes së shumë rregullave për të tjerët?
◻ Ç’do t’u ndihmojë pleqve që të evitojnë vendosjen e rregullave njerëzore për kopenë?