24 Mos i ki zili të ligjtë,
dhe mos e dëshiro shoqërinë e tyre,+
2 sepse zemra e tyre mendon veç për dhunë,
dhe buzët e tyre kurdisin të këqija.
3 Shtëpia ndërtohet me mençuri+
dhe bëhet e patundur me aftësi dalluese.
4 Falë njohurisë, dhomat e saj mbushen
me lloj-lloj thesaresh të çmuara e të bukura.+
5 Njeriu i mençur ka forcë,+
dhe falë njohurisë, njeriu bëhet edhe më i fortë.
6 Luftën bëje nën udhëheqje të mençur,+
sepse ku ka shumë këshilltarë, ka fitore.+
7 Mençuria e vërtetë është e paarritshme për të marrin;+
ai nuk ka asgjë për të thënë te porta e qytetit.
8 Ai që thur të liga,
do të quhet mjeshtër intrigash.+
9 Intrigat e të marrit të çojnë në mëkat,
dhe njerëzit e urrejnë tallësin.+
10 Po të shkurajohesh në ditë të keqe,
fuqia jote do të jetë e paktë.
11 Çliroji ata që po i shpien drejt vdekjes,
dhe shpëtoji ata që janë buzë masakrës.+
12 Nëse thua: «Ne s’dinim gjë!»,
a nuk e dallon Ai që shqyrton zemrat?+
Po, Ai që të vëzhgon, do ta dijë
dhe do ta shpërblejë secilin sipas veprave të veta.+
13 Biri im, ha mjaltë, sepse është i mirë;
mjalti i hojeve ka shije të ëmbël.
14 Po ashtu, dije se mençuria është e mirë për ty.+
Po ta gjesh, do të kesh të ardhme,
dhe nuk do të të shuhen shpresat.+
15 O i pabesë, mos zër pusí afër shtëpisë së të drejtit,
mos ia shkatërro vendin ku gjen prehje,
16 se edhe në rëntë i drejti shtatë herë, do të ngrihet përsëri,+
kurse i ligu do të shembet përdhe nga të këqijat që do t’i bien.+
17 Mos gëzo kur armiku yt bie,
dhe zemra jote të mos gëzohet kur ai rrëzohet.+
18 Përndryshe, Jehovai do ta shohë e nuk do t’i pëlqejë,
dhe do ta largojë nga ai zemërimin e vet.+
19 Mos u acaro për shkak të të këqijve,
e mos i ki zili të ligjtë,
20 sepse s’ka të ardhme për të këqijtë+
dhe llamba e të ligjve do të shuhet.+
21 Biri im, ki nderim të thellë për Jehovain dhe mbretin,+
dhe mos u përziej me rebelët,+
22 sepse shkatërrimi i tyre do të vijë befas.+
Kush e di ç’të zeza do t’u sjellin mbi kokë?+
23 Edhe këto fjalë i përkasin të mençurit:
nuk është mirë të mbash anë kur gjykon.+
24 Popujt do ta mallkojnë dhe kombet do ta dënojnë
atë që i thotë të ligut: «Ti je i drejtë.»+
25 Por atyre që e korrigjojnë,+
do t’u dalë për mirë e do të bekohen me bollëk.+
26 Njerëzit do ta respektojnë atë që përgjigjet me ndershmëri.+
27 Vër në vijë punët që ke përjashta dhe bëj gati çdo gjë në arë,
e pastaj ndërto shtëpinë tënde.
28 Mos dëshmo kundër tjetrit pa baza+
dhe mos i përdor buzët për t’i mashtruar të tjerët.+
29 Mos thuaj: «Si ma bëri, ashtu do t’ia bëj.
Do t’ia kthej me të njëjtën monedhë.»+
30 Kalova pranë arës së përtacit,+
pranë vreshtit të atij që nuk ka gjykim të mirë.
31 Vura re se e kishin mbytur barërat e këqija;
toka ishte mbuluar me hithra
dhe muri prej guri ishte shembur.+
32 Teksa e shihja, fillova të mendoja,
e nga sa pashë, nxora këtë mësim:
33 fli edhe pak, dremit edhe pak,
rri edhe pak duarkryq për të pushuar,
34 dhe varfëria do të të vijë si kusar,
skamja, si një burrë i armatosur.+