Sipas Gjonit
11 Tani, një njeri që quhej Lazar ishte sëmurë; ai ishte nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës,+ motrës së saj. 2 Maria ishte ajo që derdhi vaj aromatik mbi Zotërinë dhe ia thau këmbët me flokët e vet.+ Lazari, që ishte sëmurë, ishte vëllai i saj. 3 Prandaj motrat i dërguan fjalë: «Zotëri, miku yt i shtrenjtë, që ti e ke për zemër, është sëmurë.» 4 Por, kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Kjo sëmundje nuk do të sjellë vetëm vdekje, por do t’i sjellë lavdi Perëndisë,+ që nëpërmjet saj t’i jepet lavdi Birit të Perëndisë.»
5 Jezui e donte shumë Martën, motrën e saj dhe Lazarin. 6 Gjithsesi, kur dëgjoi se Lazari ishte sëmurë, ai qëndroi edhe dy ditë të tjera atje ku ishte. 7 Më pas u tha dishepujve: «Le të shkojmë prapë në Jude.» 8 Dishepujt i thanë: «Rabi,+ vetëm pak kohë më parë judeasit kërkonin të të vritnin me gurë+ e ti tani do që të shkosh prapë atje?!» 9 Jezui u përgjigj: «A nuk ka 12 orë dita?+ Nëse dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote. 10 Por, nëse ecën natën, ai pengohet, sepse drita nuk është në të.»
11 Pasi u tha këto fjalë, shtoi: «Lazari, miku ynë, ka rënë në gjumë,+ prandaj unë po shkoj atje që ta zgjoj.» 12 Atëherë dishepujt i thanë: «Zotëri, nëse po fle, do të bëhet mirë.» 13 Megjithatë, Jezui foli për vdekjen e Lazarit, kurse ata kujtuan se ai thjesht po flinte e po pushonte. 14 Prandaj Jezui ua tha hapur: «Lazari ka vdekur,+ 15 dhe unë jam i kënaqur që nuk isha atje, sepse kështu besimi juaj do të forcohet. Por tani, hajdeni të shkojmë tek ai.» 16 Atëherë Thomai, që quhej Binjaku, u tha dishepujve të tjerë: «Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të.»+
17 Kur Jezui mbërriti atje, Lazari kishte tashmë katër ditë në varr.* 18 Betania ishte vetëm rreth tre kilometra larg* Jerusalemit, 19 dhe shumë judenj kishin vajtur te Marta e te Maria që t’i ngushëllonin për të vëllanë. 20 Kur dëgjoi se po vinte Jezui, Marta doli që ta takonte, kurse Maria+ qëndroi në shtëpi. 21 Atëherë Marta i tha Jezuit: «Zotëri, po të kishe qenë këtu, vëllai im nuk do të kishte vdekur. 22 Gjithsesi, edhe tani, unë e di se Perëndia të jep gjithçka që ti i kërkon.» 23 Jezui i tha: «Vëllai yt do të ringjallet.» 24 Marta iu përgjigj: «E di se do të ringjallet+ në ditën e fundit.» 25 Jezui vazhdoi: «Unë jam ringjallja dhe jeta.+ Ai që tregon besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të kthehet në jetë, 26 dhe kushdo që jeton dhe tregon besim tek unë, nuk do të vdesë kurrën e kurrës.+ A e beson këtë?» 27 Ajo iu përgjigj: «Po, Zotëri. Unë e besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, ai që duhet të vijë në botë.» 28 Pasi tha këtë, ajo iku të thërriste Marinë, të motrën, dhe i tha veçmas: «Mësuesi+ është këtu dhe po të kërkon.» 29 Sapo dëgjoi këtë, Maria u ngrit shpejt dhe shkoi tek ai.
30 Jezui nuk kishte arritur ende në fshat, por ishte akoma atje ku e takoi Marta. 31 Judenjtë që ishin me Marinë në shtëpi për ta ngushëlluar, me të parë që ajo u ngrit shpejt dhe doli përjashta, i vajtën pas, sepse menduan se po shkonte të qante te varri.*+ 32 Kur Maria mbërriti atje ku ishte Jezui dhe e pa, i ra ndër këmbë dhe i tha: «Zotëri, po të kishe qenë këtu, vëllai im nuk do të kishte vdekur.» 33 Kur pa Marinë dhe judenjtë që erdhën me të duke qarë, Jezui rënkoi thellë* dhe u trishtua. 34 Pastaj pyeti: «Ku e keni vënë?» Ata iu përgjigjën: «Zotëri, eja e shiko.» 35 Jezui nuk i mbajti dot lotët.+ 36 Atëherë disa judenj nisën të thoshin: «Shiko sa për zemër e kishte!» 37 Kurse të tjerë thanë: «Ky njeri që i hapi sytë të verbrit,+ nuk e parandalonte dot vdekjen e Lazarit?»
38 Jezui rënkoi thellë përsëri dhe shkoi te varri.* Në fakt varri ishte një shpellë dhe hyrjen e kishte të mbyllur me një gur. 39 Jezui tha: «Hiqeni gurin.» Marta, motra e të ndjerit, i tha: «Zotëri, tani trupi duhet të mbajë erë, se kanë kaluar katër ditë.» 40 Jezui ia ktheu: «A nuk të thashë se po të besoje, do të shikoje lavdinë e Perëndisë?»+ 41 Kështu e hoqën gurin. Atëherë Jezui ngriti sytë nga qielli+ dhe tha: «Të falënderoj, o Atë, që më ke dëgjuar! 42 Vërtet e dija se ti gjithmonë më dëgjon, por fola për shkak të turmës që kam përreth, që ata të besojnë se ti më dërgove.»+ 43 Pasi tha këto fjalë, ai thirri me zë të lartë: «Lazar, eja jashtë!»+ 44 Lazari, që kishte qenë i vdekur, doli me këmbët dhe duart të lidhura me fasha, kurse fytyrën e kishte të mbështjellë me napë. Jezui u tha: «Zgjidheni dhe lëreni të lirë.»
45 Prandaj, shumë judenj që kishin vajtur te Maria dhe e panë atë që bëri Jezui, treguan besim tek ai.+ 46 Por disa të tjerë shkuan te farisenjtë dhe u treguan çfarë bëri Jezui. 47 Kështu krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën Sinedrin dhe thanë: «Si t’ia bëjmë pra? Se ky njeri po kryen shumë shenja.*+ 48 Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të tregojnë besim tek ai. Atëherë romakët do të vijnë e do të na e marrin nga duart vendin tonë të adhurimit* dhe kombin tonë.» 49 Por një nga ata, Kajafa,+ që atë vit ishte kryeprift, u tha: «Ju nuk kuptoni fare. 50 Si nuk e kuptoni se është në dobinë tuaj që një njeri të vdesë për popullin e të mos shkatërrohet i gjithë kombi?!» 51 Megjithatë, këtë nuk e tha nga vetja, por meqë atë vit ishte kryeprift, profetizoi se Jezui duhej të vdiste për kombin. 52 Madje jo vetëm për kombin, por edhe për fëmijët e Perëndisë, të cilët ishin hallakatur andej-këtej, që t’i mblidhte e t’i bënte një.* 53 Kështu, që nga ajo ditë, komplotuan që ta vritnin.
54 Prandaj Jezui nuk dilte më hapur mes judenjve, por u nis për në një vend afër shkretëtirës, në një qytet të quajtur Efraim,+ dhe qëndroi atje me dishepujt. 55 Tani ishte afër Festa e Kalimit,*+ dhe shumë njerëz nga rrethinat u ngjitën në Jerusalem para festës për t’u pastruar ceremonialisht. 56 Ata kërkonin Jezuin dhe, ndërsa vinin rrotull në tempull, i thoshin njëri-tjetrit: «Si mendoni, nuk do të vijë fare në festë?» 57 Por krerët e priftërinjve dhe farisenjtë kishin dhënë urdhër që, nëse dikush e merrte vesh ku ishte Jezui, duhej të raportonte që ta arrestonin.*