Zbulesa e Gjonit
11 Pastaj m’u dha një kallam që ngjante si shkop i gjatë,*+ dhe një zë më tha: «Ngrihu dhe mat shenjtëroren e tempullit të Perëndisë, altarin dhe ata që adhurojnë në të. 2 Kurse oborrin jashtë shenjtërores së tempullit, lëre dhe mos e mat, sepse ai u është dhënë kombeve, të cilat do ta shkelin me këmbë qytetin e shenjtë+ për 42 muaj.+ 3 Do të dërgoj dy dëshmitarët e mi të profetizojnë për 1.260 ditë, të veshur me copë thesi.»* 4 Këta paraqiten nga dy pemët e ullirit+ dhe nga dy shandanët,+ e qëndrojnë para Zotërisë së tokës.+
5 Nëse dikush do që t’i dëmtojë, nga goja e tyre del zjarr dhe përpin armiqtë. Po, nëse dikush do që t’i dëmtojë, do të vritet në këtë mënyrë. 6 Këta kanë autoritet të mbyllin qiellin,+ që të mos bjerë shi+ gjatë ditëve kur profetizojnë, dhe kanë autoritet t’i kthejnë ujërat në gjak+ e të godasin tokën me çdo lloj plage sa herë të duan.
7 Pasi të kenë mbaruar me dëshminë, bisha që ngjitet nga humnera, do të luftojë kundër tyre, do t’i mundë dhe do t’i vrasë.+ 8 Kufomat e tyre do të dergjen në rrugën kryesore të qytetit të madh, që në mënyrë simbolike quhet Sodoma dhe Egjipti, ku u ekzekutua në shtyllë edhe Zotëria i tyre. 9 Njerëz nga popuj, fise, gjuhë dhe kombe do t’i shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë+ e nuk do të lejojnë që të futen në varr. 10 Ata që banojnë në tokë, do të gëzojnë e do të festojnë për vdekjen e tyre, dhe do t’i dërgojnë dhurata njëri-tjetrit, sepse dy profetët i mundonin ata që banonin në tokë.
11 Pas tri ditëve e gjysmë, në ta hyri frymë jete nga Perëndia.+ Kështu u ngritën në këmbë e një frikë e madhe i zuri ata që i shihnin. 12 Ata dëgjuan një zë të fortë nga qielli t’u thoshte: «Ejani këtu lart.» Dy dëshmitarët u ngjitën në qiell në një re dhe armiqtë e tyre i panë.* 13 Në atë orë ra një tërmet i madh dhe një e dhjeta e qytetit u shemb; 7.000 njerëz i vrau tërmeti, ndërsa pjesën tjetër e zuri frika dhe i dha lavdi Perëndisë së qiellit.
14 Mjerimi i dytë+ kaloi. Ja, mjerimi i tretë po vjen me të shpejtë.
15 Engjëlli i shtatë i ra trumbetës.+ Në qiell ushtuan zëra të fortë që thoshin: «Mbretëria e botës u bë Mbretëria e Zotërisë tonë+ dhe e Krishtit të tij,+ dhe Ai do të mbretërojë në jetë të jetëve.»+
16 Të 24 pleqtë+ që ishin ulur para Perëndisë në fronet e tyre, u përkulën me fytyrë përtokë dhe adhuruan Perëndinë 17 e thanë: «Të falënderojmë, o Perëndi Jehova,* o i Plotfuqishëm, ai që ishte dhe që është,+ sepse more pushtetin tënd të madh dhe fillove të mbretërosh.+ 18 Mirëpo, kombet u zemëruan dhe ti e zbraze zemërimin tënd. Erdhi koha e caktuar që të gjykohen të vdekurit e t’u japësh shpërblimin+ skllevërve të tu, profetëve,+ dhe të shenjtëve e atyre që e respektojnë thellësisht emrin* tënd, të vegjël e të mëdhenj, si dhe të shkatërrosh ata që shkatërrojnë* tokën.»+
19 Pastaj në qiell u hap shenjtërorja e tempullit të Perëndisë, dhe arka e besëlidhjes së tij u duk në shenjtëroren e tempullit.+ Atëherë pati vetëtima, zëra, bubullima, një tërmet dhe një breshër të madh.